Gruaja dhe nëna janë mësuesi i parë i shkollës së njerëzimit për mësimin dhe edukimin e fëmijëve, për rregullin, harmoninë dhe kënaqësinë e familjes. Fakti që sot, kur për femrën kërkohen vende dhe role të reja, rikujtojmë edhe një herë tjetër këtë pozitë krejt të posaçme të dhuruar asaj prej Zotit, jemi të mendimit se do të parandalojë ca kërkime boshe për të…
***
Shtëpia që ka një grua të edukuar dhe të lidhur pas folesë së saj familjare, është një prej këndeve parajsore dhe zërat që dëgjohen dhe frymëmarrjet që ndihen në atë fole, nuk kanë ndryshim prej zërave të hyrive, prej shushurimës së ujrave parajsore…
***
Disa herë, njeriu, kur sheh një femër të shtypur nën stolitë e jashtme, mendon: “Mos vallë kjo femër u jep po kaq vlerë edhe stolive të saj të brendshme si nderi, virtyti dhe personaliteti?”
***
Gjërat që e bëjnë femrën më të lartë se engjëjt dhe e shndërrojnë në një margaritar të pashoq, janë thellësia e botës së brendshme, nderi dhe serioziteti. Femra e përfolur për nderin është si një monedhë kallpe, kurse femra joserioze është një kukull për të luajtur e tallur me të; në atmosferën vrasëse të femrave të tilla është e pamundur të flitet për fole të lumtur a për brez të shëndoshë…
***
Një grua me botë të brendshme të çmuar i përngjet një abazhuri të kristaltë për shtëpinë ku ndodhet. Në çdo lëvizje të saj, dritat bëjnë lojra që reflektohen në të gjitha këndet e shtëpisë. Kurse fatkeqja e veshur femërisht, e dorëzuar, në botën e saj të brendshme, mendimeve të errta, është një burim mjegulle dhe tymi e tillë që, kudo ku shkon, fëlliq e le fëlliqësira pas…
***
Libri i vetëm që femra duhet të mos e lëshojë kurrë prej dore, është libri i edukatës shoqërore për të cilin s’mund të thuhet se sot ndodhet i shkruar, më së fundi, në formën e tij më të përkryer…
***
Kur shoh femrat e lëshuara në dëshirat egoistike, i shoh shumë të matur ata që kanë thënë për femrën “flokëgjatë e mendjeshkurtër”! Pandeh se, sikur ata të jetonin sot e të shihnin se si femra është kthyer në subjekt reklame, nuk do të dinin dot ç’të thoshin!..
***
Të parët thoshin: “Gjilpëra në dorë të femrës, si heshta në dorë të luftëtarit!” Ç’është e drejta, në këtë fjalë unë nuk shoh aspak teprim!
***
Periudhat kur femra është bërë për të tjerët mjet kënaqësie, subjekt dëfrimi dhe material reklame, janë aq shumë sa s’mund të nënvleftësohen. Bekuar qoftë që të gjitha këto periudha fatkeqe janë bërë gjer tani gjithmonë fillim i ripërtëritjes e i rilindjes së saj si dhe i rigjetjes së vetvetes dhe i vendit të vet të merituar në shoqëri!
***
Dikur djalit i thoshin “bir”[1], kurse vajzës, “bujare”[2] ose “bebe e syrit” duke e nënkuptuar atë si një krijesë të shtrenjtë, të nevojshme po aq sa edhe të shtrenjtë, delikate po aq sa edhe të nevojshme…
***
Ne themi: “Ruaje rrobën prej pluhuri e dheu!” S’e di, a e vlerësoni dot se sa duhet ta ruajmë, pra, femrën, beben e syrit, nga ndotja?
***
Ashtu siç janë nderi dhe virtyti, stolia e femrës, ashtu edhe aspekti i saj i merituar për pëlqim e që do të shihej me mahnitje, është edukata shoqërore dhe besnikëria e saj ndaj të shoqit!
***
Femra e mirë është ajo me urtësinë në buzë, me brishtësi dhe delikatesë në shpirt, me respekt ndaj kujtdo në sjellje ashtu që vështrimet konfidente, duke e ndjerë këtë aspektin e saj të shenjtë, turbullitë e brendshme me burim njerëzor i kthejnë në mësim dhe meditim.
***
Një femër që, ndërsa trupi i zhvillohej, sythat zemër dhe shpirt nuk ka mundur t’i zhvillojë, edhe nëse në krye u ngjan, për një farë kohe, luleve për kurorë, pashmangmërisht do të zbehet më pas, do të derdhet fletë-fletë e do të shkelet me këmbë… Ç’fund i hidhur për ata që s’munden ta gjejnë rrugën për t’u bërë të përjetshëm!..
***
Femra është një margaritar aq i madh sa të mos zhvlerësohet duke e hedhur në dëfrime të marra… Ne ende s’e kemi humbur shpresën se brezat fatlumë që e shohin të ardhmen të lidhur me diturinë, kulturën dhe të vërtetën, do ta ruajnë atë të shenjtë, si dritën e syve…
***
Femra jonë është guri themelor i shëndoshë edhe i nderit dhe fisnikërisë kombëtare. Pjesa e saj e kontributit në sendërtimin e së kaluarës sonë tejet të gjatë e të famshme nuk mbetet aspak më pas pjesës së kontributit të luftëtarëve të përleshur fyt më fyt me armikun…
***
Shumica e apologjetëve të lirive dhe të të drejtave të botës femërore s’kanë tjetër synim veç sakatimit të botës shpirtërore dhe, pastaj, shfrytëzimit të saj për të gjitha llojet e kënaqësive trupore e materiale.
***
Në saje të pasardhësve të dobishëm të përgatitur e të lënë pas nga një femër-nënë me pjekuri shpirtërore, në atë fole familjare mbretëron prehja e kënaqësia dhe ajo fole familjare bëhet një bahçe parajsore që nuk mund të përshkruhet!
***
Një grua shtëpie që e ka ndriçuar zemrën me dritën e besimit, kurse kokën, me dritën e arsimit dhe edukatës shoqërore, çdo ditë, sikur ta rindërtonte sërish, i shton shtëpisë së saj bukuri të reja, kurse femra e ulët dhe injorante, e dhënë pas dëfrimeve e shpenzimeve, edhe atë fole që e ka gjetur gati, madje, e shemb duke e kthyer në gërmadhë, e mbush me ankth e brengë duke e kthyer në varrezë…
***
Femra s’është ndonjë enë e palarë apo ndonjë copë metali e pavlerë, pra s’e ka vendin te enët e palara apo hekurishtet; ajo është një perlë e pashoqe që duhet ruajtur në kutinë e perlave…
***
Në ndjeshmëri, delikatesë e brishtësi, femra ka një vend të posaçëm. Me këto veçori, ajo mund të bëhet e dobishme për folenë e vet familjare, për rrjedhojë, për shoqërinë, vetëm për sa kohë që mbetet brenda qerthullit të krijimit dhe natyrës së vet!
***
Çdo lloj propozimi i pretenduar gjer më sot nga feministët për femrën ka shkaktuar gjithmonë zhvlerësimin, banalizimin e personalitetit dhe shformimin e natyrës së saj. Kurse femra është një hallkë tepër e rëndësishme në zinxhirin e ekzistencës, ndërkaq që aspekti më i rëndësishëm i saj është respektimi i mbetjes së saj brenda kufijve të natyrës së vet!
[1] Në origjinal: mahdum.
[2] Në origjinal: kerime.
*
Fethullah Gylen