KUPTIMI I FJALËS SË LARTË “ALLAH”
Lidhur me fjalën e lartë ‘Allah’, duke marrë për bazë deklaratat e Allahut me të cilat Ai ua ka bërë të njohur veten njerëzve, robve të vet, dijetarët muslimanë kanë thënë kështu: “Allah është emri i qenies më të lartë me ekzistencë në vetvete (vaxhibul vuxhud – qenie e domosdoshme) dhe të denjë për të gjitha lavdërimet dhe falënderimet. Cilësimi kushtëzues “ekzistent në vetvete” në këtë përkufizim shpreh faktin se mosekzistenca e Allahut nuk mund të mendohet, se, për të ekzistuar, Ai s’ka nevojë për ndihmën dhe mbështetjen e një qenieje tjetër, për rrjedhojë, se Ai është krijuesi, drejtuesi dhe administruesi i gjithësisë. Kurse cilësimi kushtëzues “i denjë për të gjitha lavdërimet dhe falënderimet” tregon se Allahu zotëron emra dhe atribute që shprehin përsosmëri dhe transcendentalitet. Në tekstet islamike, fjala e lartë Allah ka ardhur duke u përdorur qysh në krye të herë si emër i posaçëm dhe i përveçëm i të adhuruarit (qenies që i bëhet falje, lutje e adhurim) të vërtetë dhe i krijuesit të vetëm. Për këtë shkak, ky emër nuk i është dhënë ndonjë qenieje tjetër veç Tij, si dhe në gjuhën e kombeve muslimane nuk është përdorur në ndonjë mënyrë në shumës.
KUPTIMI I BESIMIT TE ALLAHU
Besimi te Allahu, qenia e vetme dhe më e lartë që e ka krijuar gjithësinë, që e administron dhe të Cilit i bëhet falje, lutje e adhurim, është e para dhe themelorja e bazave të besimit. Në të gjitha fetë hyjnore, ekzistenca dhe uniteti i Allahut (Zotit të gjithësisë) është bërë baza besimore më e rëndësishme, sepse të gjitha bazat fetare mbështeten mbi besimin te Allahu dhe parimin e unitetit të Tij.
Kuptimi i besimit te Allahu do të thotë:
– besim se Ai ekziston dhe është një;
– besim se Ai zotëron atribute të larta dhe transcendentale;
– besim se Ai s’ka të bëjë me asnjë cilësi dhe ngjashmëri që bën aluzion për mangësi dhe të metë.
Njohja e Allahut është synimi i krijimit tonë dhe qëllimi final i natyrës sonë. “Drejtohu me përkushtim në fenë e pastër monoteiste, natyrën fillestare, në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit. S’ka ndryshim të krijimit të Allahut. Kjo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” (Rum, 30/30)
Njeriu është krijuar për ta njohur Zotin e tij që e ka krijuar, për ta besuar dhe për ta adhuruar Atë. Në ajetin Kuranor, për këtë specifikë është tërhequr vëmendja në këtë mënyrë: “Unë i krijova xhindët dhe njerëzit që të më njohin vetëm Mua si Zot dhe vetëm Mua të më falen e të më adhurojnë!” (Dharijat, 51/56)
Këtu Allahu, duke ua tërhequr vëmendjen njerëzve dhe xhindëve që i quajnë për Zot gjërat veç Allahut, thotë: “Unë i krijova ata jo për t’iu falur të tjerëve, por për të më adhuruar mua!” Shkaku që këtu flitet vetëm për njerëzit dhe xhindët ndërsa Allahu ka krijuar tërë gjithësinë, është ky: të gjitha qeniet në gjithësi janë vazhdimisht në gjendje faljeje, lutjeje dhe adhurimi ndaj Allahut. Kjo gjendje nuk është për ta e zgjedhshme dhe e vullnetshme, kurse njerëzve dhe xhindëve u është dhënë e drejta e zgjedhjes dhe e vullnetit. Ata duhen parandaluar që të mos drejtohen nga sendet e tjera duke rënë, kështu, në politeizëm.