Sado thellë që të shkohet në thellësitë e historisë, në të gjitha bashkësitë dhe shoqëritë njerëzore do të vërehet prania e një mendimi fetar. Madje, kjo mund të haset edhe në komunitetet më primitive.

Fjala “din” (shih: fe), e cila është një fjalë arabe, bart kuptimin e rrugës, bindjes, si dhe të dhënies së ndëshkimit ose shpërblimit. Të tria kuptimet që janë të ngërthyera në thelbin e kësaj fjale, janë të pranishme edhe në përkufizimin e fesë. Ajo është një rrugë, një rrugë kryesore, një bulevard. Ajo është rruga në të cilën ka bindje ndaj Zotit. Dhe po ashtu, në të ka dy rrjedhoja: shpërblimi për atë që bindet dhe ndëshkimi për atë që nuk bindet.

Ndërsa në terminologji, feja përkufizohet si “tërësia e ligjësive hyjnore që i shtyn drejt së mirës dhe të mbarës ata që kanë arsye”. Feja u drejtohet njerëzve me arsye. Dhe njerëzit binden me vullnetin e tyre. Feja i hap derën mendjes, përdor siç duhet vullnetin dhe nuk e privon atë nga mundësia për të zgjedhur. Ndërsa pika drejt së cilës i drejton feja njerëzit është e mira absolute.

Këtë udhëzim feja e bën para së gjithash nëpërmjet aspektit të saj të besimit. Vetëm përmes mendjes, njeriu mund të konceptojë se është dikush që i ka krijuar, atë vetë dhe tërë gjithësinë. Mirëpo, ai arrin të ketë besimin dhe bindjen e duhur vetëm kur dëgjon zërin kumbues të një profeti, atë zërin që e mbështet edhe pranimi në vetë ndërgjegjen e tij.

Ai profet ka ardhur me provat dhe argumentet që tregojnë se ai është i ngarkuar me detyrë nga Zoti i Madhërishëm. Dhe, nëse krahas qindra mrekullive të treguara, ka sjellë edhe një libër, mrekullia e të cilit do të vazhdojë gjer në kiamet, atëherë do të thotë se për atë nuk ka më kurrfarë dyshimi. Në saje të atij libri, besimtari mëson se si duhet besuar tek amshimi (shih: jeta e përtejme, përjetësia) dhe kaderi (shih: fati, (para)caktimi hyjnor, dija hyjnore) dhe në çfarë tjetër i duhet të besojë. Po në të, vetë ai profet do t’i mësojë çështjet që kërkojnë shpjegim, duke ia shpjeguar një e nga një.

Që një besim i këtillë të mund të qëndrojë në zemra përherë i freskët dhe të mos prishet e amortizohet, kjo varet nga adhurimet. Nëpërmjet adhurimeve, besimi mund të qëndrojë gjithmonë i ri e i pavjetëruar.

Njeriut pa adhurime, pas një farë kohe, nuk i mbetet vetëm se mburrja me të vjetrit që kanë ikur e janë tashmë nën dhè, përsa i përket pasionit dhe emocionit të besimit. Për rrjedhojë, çdokush që e fal namazin, shkon në haxh, jep zekatin, agjëron dhe kryen detyrën e udhëzimit në të mirë dhe parandalimit të së keqes, duhet t’i vlerësojë më së miri fuqinë dhe dinamikat shtytëse dhe përforcuese të adhurimit, në mënyrë që të mund ta fiksojë dhe përforcojë besimin e vet.

Sepse adhurimi do të thotë shprehja më e patëmetë e të qenit i Adhuruar i Zotit dhe rob i njeriut. Ai është i përbërë nga rregullimi i sjelljeve sipas ekuilibrit Krijues-krijesë.

Një tjetër anë e fesë ka të bëjë me veprimet e njeriut. Jeta jashtë e njeriut që beson duhet të jetë e rregulluar në përputhje të plotë me kënaqësinë e Allahut. Morali dhe parimet e tregtisë duhet të përshtaten në përputhje me kriteret e Tij. Sepse, vetëm kështu, duke braktisur dëshirat dhe kërkesat e egos së vet, njeriu mëson se si t’u përulet urdhrave dhe kërkesave të Allahut.

Me pak fjalë, feja është një tërësi, e cila nuk pranon as copëzim, as ndarje në pjesë. Ajo që pranon copëzim, apo ndarje në pjesë, asesi nuk mund të quhet fe.

Ajo është si një pemë:

• Çështjet që kanë të bëjnë me besimin janë rrënjët,

• Çështjet lidhur me adhurimin janë degët,

• Sjelljet janë lulet,

• Qortimet dhe ndëshkimet janë mbrojtësit,

• Urdhrat dhe dhikri (shih: përmendja e Zotit) janë elementët që e ushqejnë atë nga poshtë dhe nga lart.

Ja pra, feja, e cila përbën një tërësi të pandashme, është tërësisht e bërë e ditur nga Allahu dhe e shpallur e mësuar nga profetët. / nga libri Agjërimi