Mos vallë Zoti disa i do më shumë e disa më pak!?

Shumë njerëzve Zoti u ka dhënë makina, apartamente, mall, pasuri, nder, shokë e miq, famë e popullaritet. Kurse disa të tjerëve u ka dhënë varfëri, mjerime, fatkeqësi. A mos vallë këta të dytët janë shumë të këqinj, apo Zoti i do shumë ata të parët?

Një pyetje e tillë mund të bëhet vetëm me qëllim për të mësuar. Ndryshe të çon në mëkat. Në fakt, këtë pyetje duhet ta bëjë edhe një njeri që e ka një hall.

Zoti, kujt të dojë i jep kalë, makinë, apartament, han, hamam, taksi dhe, kujt të dojë, varfëri e nevojtari. Por, në të gjitha këto nuk duhet të mohohen edhe disa shkaqe që e kanë burimin te familja dhe faktorë të tjerë. Për shembull, ashtu siç nuk mund të mohohet zgjuarësia dhe aftësia e dikujt për të fituar pasuri, ashtu edhe nuk mund të mohohet që, për të fituar, është kusht që të njihen rrugët e fitimit në vartësi të kushteve të kohës. Krahas kësaj, Zoti, megjithëse disa njerëz i tregon dinjitozë, prapëseprapë nuk i bën të pasur. Në një porosi profetike shprehet mendimi se Allahu dëshiron që dikujt t’i japë pasuri e dikujt dituri, gjë që është mjaft kuptimplote, lidhur me karakterin e pyetjes së bërë…

Nga një anë tjetër, malli dhe pasuria s’duhet të konsiderohen patjetër si diçka e mbarë e dobiprurëse. Po, Zoti ua plotëson kërkesën disave me pasuri dhe kënaqësi e lumturi tokësore, kurse disave, jo. Vetëm diçka: edhe dhënia, edhe mosdhënia e Zotit kanë në thelb mbarësi e dobi. Sepse, në se ti je një njeri i mirë dhe do ta përdorësh atë që do të të jepet, me vend, është e mbarë dhe e dobishme.

Por, po qe se s’je njeri i mirë dhe je shmangur nga rruga, edhe dhënia, edhe mosdhënia e Zotit për ty s’do të përmbajnë mbarësi e dobi.

Po, po s’pate një orientim të caktuar, varfëria për ty është një shkak për mohim e blasfemi, sepse të shtyn që të ngresh krye kundër Zotit dhe për çdo ditë të hapësh flamurin e revoltës kundër Tij.

Prapë, në se nuk je në rrugë të drejtë dhe të mungon jeta ndiesore e shpirtërore, pasuria është për ty një bela dhe fatkeqësi.

Shumë njerëz gjer më sot e kanë humbur provën nën të cilën janë vënë me anë të pasurisë, që është shndërruar për ta në fatkeqësi. Sa e sa vetë ka që, megjithëse jetojnë në pasuri, në zemrat e tyre, për shkak të mosmirënjohjes nuk ndihet as shenja më e vogël e dritës!

Për rrjedhojë, fakti që Zoti u ka dhënë këtyre pasuri, është për ta një nxitje në rrugën e tyre të mbrapshtë. Ata e kanë merituar një gjë të tillë, sepse para së gjithash, kanë vrarë jetën e vet ndiesore dhe shpirtërore dhe i kanë degjeneruar aftësitë natyrore që u pati dhënë Zoti.

Në këtë mes, është me vend të shënojmë këto porosi të Profetit tonë (a.s.). “Mes jush ka të tillë që, kur ngrenë duart dhe i betohen Allahut, Ai ua çon në vend betimet dhe kurrsesi s’i nxjerr gënjeshtarë. Bera Ibni Malik është njëri ndër ta.” Mirëpo Berai, i vëllai i Enesit, nuk kishte as për të ngrënë dhe as vend ku të flinte. Ai ushqehej sa për të mbajtur frymën gjallë. Ja pra, ka sa e sa njerëz si Berai me pamje të mjerë që janë parë si njerëz të mëdhenj dhe madhështia e zemrës së të cilëve është vlerësuar me dritën e brendshme të tyre. Dhe këta janë njerëz, të cilët sipas fjalës

së Profetit, janë karakterizuar si të tillë që, po të betohen, Allahu nuk do t’i nxjerrë gënjeshtarë.

Prandaj edhe në vetvete, as pasuria, as varfëria nuk duhen konsideruar mirësi apo fatkeqësi. Ndoshta sipas vendit, varfëria mund të jetë një nga të mirat më të mëdha të Zotit për njeriun. Profeti (a.s.) e pati parapëlqyer në mënyrë të vullnetshme varfërinë. “Ema terda en tekune le humu’d-dunja ve lena’l-ahiretu, A nuk do që bota t’u mbetet atyre dhe përjetësia neve?” Me këto fjalë i qe drejtuar ai Hz. Omerit, i cili në kohën kur pasuritë e botës derdheshin në thesarin e shtetit të tij, pati jetuar si njeri i varfër duke u ushqyer sa për të mbajtur frymën.

Por ka edhe varfëri të tillë që, Zoti na ruajttë, është shmangia nga rruga e drejtë dhe blasfemia. Për shembull, po qe se fjalët e mësipërme s’do të dilnin nga goja e një besimtari me qëllim analize, por nga goja e një mosmirënjohësi, ky njeri që do të shprehte ankim ndaj të mirave të Zotit, do të bëhej mohues.

Për sa u fol, do të thotë se varfëria është, sipas vendit, diku e mirë, diku pushtet. Çështja themelore është besnikëria në zemër. Ja disa shprehje të kësaj:

O Zot, e pranoj çdo gjë që do të më vinte prej Teje!

Më pëlqen ç’të më vijë prej Teje, kaftan a qefin;
Trëndafil i freskët a gjemb, favor a mjerim…

Në Anadollin lindor thonë kështu:

“Prej Teje, edhe kjo e mirë, dhe ajo e mirë…”

Edhe sikur të veshë kaftan, edhe sikur të dojë të notojë në pasuri, për sa kohë që të jetë bashkë me Zotin, njeriu do të jetë i nderuar dhe i lumtur. Por, po të mos ketë lidhje me Zotin, edhe kjo botë, edhe bota tjetër humbje do të jenë për atë të varfër. Po ashtu, i pasuri që s’është bashkë me Zotin, edhe në se në këtë botë duket në pamje i lumtur, në përfundim do të pësojë një disfatë të rëndë.

*

Autori: Fethullah Gulen

2021-02-20T16:20:19+00:00May 25, 2020|Koleksioni|Comments Off on Mos vallë Zoti disa i do më shumë e disa më pak!?
Go to Top