Lexo PDF

 

Me Emrin e All-llahut, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti. Dhe prej Atij ne kërkojmë ndihmë.

“Me Emrin e Atij të Cilit i takon lavdërimi.” “Dhe s’ka gjë që të mos e lëvdojë lartësinë e Tij.”[1]

 

Kjo Përbëhet Nga Përgjigje Të Shkurtëra Rreth Katër Pyetjeve

PYETJA E PARË: A është gjallë Hazreti Hizri a.s.? Në qoftë se është gjallë, përse nuk e pranojnë këtë disa dijetarë të rëndësishëm fetarë?

Përgjigjja: Ai është gjallë, por ndodhen pesë shkallë jete, Ai është në shkallën e dytë; për shkak të kësaj disa dijetarë fetarë kanë qenë dyshues rreth saj.

  • Niveli i Parë i jetës është ai i jetës sonë, i cili është shumë i kufizuar.
  • Niveli i Dytë i jetës është ai i jetëve të Hazreti Hizrit a.s. dhe e Hazreti Iljasit a.s., e cila deri në një farë shkalle është e lirë, pa kufizime. Domethënë, ata të dy mund të jenë të pranishëm në vende të shumta në të njëjtën kohë. Ata të dy nuk janë përherë të kufizuar nga kërkesat e gjendjes njerëzore ashtu si ne. Ata të dy mund të hanë e të pinë si ne kur të duan, ata nuk janë të detyruar ashtu si ne. Shenjtorët -evlijatë- janë ata të cilët i zbulojnë dhe i dëshmojnë realitetet e krijimit, dhe njoftimet rreth ngjarjeve të tyre me Hazreti Hizrin janë të njëzëshme, unanimisht, dhe sqarojnë e provojnë këtë nivel jete. Madje ndodhet një shkallë shenjtërie e cila quhet “Shkalla e Hizrit”, një shenjtor që e arrin këtë shkallë merr mësim nga Hizri dhe takohet me të. Por disa herë personi që është në këtë shkallë mendohet në mënyrë të gabuar të jetë Hizri.
  • Niveli i Tretë i jetës është ai i Hazreti Idrisit dhe i Isait (Jezusit) a.s., nivel i cili duke qenë larg nga kërkesat e gjendjes njerëzore futet në një jetë që i ngjason jetës engjëllore dhe fiton një hollësi e përsosuri të ndritshme. Ata janë të pranishëm në qiejt me trupat tokësorë, të cilët kanë hollësinë e trupave prej Botës së shëmbëllesës dhe ndriçimin e trupave si yje.

Hadithi, kuptimi i të cilit është, “Në fund të kohës, Isai (Jezusi) a.s. do të vijë dhe do të veprojë në përputhje me Sheriatin e Muhammedit a.s.m., tregon se në fundin e kohës feja e krishterimit do të pastrohet dhe do të zhvishet nga bestytnitë përballë rrymës së mosbesimit dhe të ateizmit të shkaktuara nga filozofia natyraliste dhe do të transformohet në Islam. Tek kjo pikë, ashtu si personaliteti kolektiv i krishterimit që do ta vrasë personalitetin e frikshëm kolektiv të afetarisë –pafesisë- me shpatën e shpalljes qiellore, po ashtu, duke përfaqësuar personalitetin kolektiv të krishterimit, Hazreti Isai a.s. do ta vrasë Dexhalin, i cili përfaqëson personalitetin kolektiv të afetarisë, domethënë ai do ta vrasë mendimin ateist.

  • Niveli i Katërt i jetës është ai i shehidëve, martirëve. Sipas Kur’anit, martirët kanë një nivel jete më të lartë se sa ai i të vdekurve të tjerë në varret e tyre. Meqenëse martirët i sakrifikuan jetët e tyre të kësaj bote në rrugën e së vërtetës, Zoti i Gjithëfuqishëm me bujarinë e Tij të plotë u dhuron atyre në Botën e ndërmjetme një jetë që i ngjason jetës së kësaj dynjaje, por pa hidhërime e vuajtje. Ata nuk e dinë se kanë vdekur.. por dinë se vetëm kanë shkuar në një botë më të mirë.. Ata gëzojnë një lumturi të plotë dhe nuk vuajnë dhimbjet e ndarjes dhe shoqërimin e vdekjes. Sigurisht shpirtërat e të vdekurve janë të amshuar, të pavdekshëm, mirëpo ata e dinë se kanë vdekur. Lumturia dhe kënaqësia që ata përjetojnë në ‘Berzah’, në Botën e ndërmjetme nuk janë të barabarta me ato të martirëve.

Ashtu si, në qoftë se dy burra në ëndrrat e tyre futen në një pallat të bukur i cili i ngjason Parajsës, ku njëri e di se është në ëndërr dhe se kënaqësia dhe gëzimi janë të mangët dhe, ndërkohë mendon me vete: “Sapo të zgjohem, e gjithë kjo kënaqësi do të zhduket,” ndërsa burri tjetër nuk e di se është në ëndërr dhe, kështu ai përjeton një gëzim të vërtetë dhe një kënaqësi reale. Mënyra se si martirët dhe të vdekurit e tjerë përfitojnë nga jeta në Botën e ndërmjetme është kështu e ndryshme, është vërtetuar nga ngjarje dhe rrëfenja të panumërta duke dhënë sigurinë më të madhe se martirët arrijnë këtë mënyrë jete dhe mendojnë se ata janë të gjallë. Në të vërtetë, ky nivel jete është ndriçuar e provuar në raste të përsëritura nga shumë ndodhi si Hazreti Hamzai r.a., prijësi i martirëve, duke i mbrojtur ata që iu drejtuan për ndihmë e strehim dhe duke ua plotësuar atyre nevojat e kësaj bote.. dhe duke i nxitur të tjerët për plotësimin e tyre.

Madje edhe unë vetë kisha një nip, djalin e motrës, ai ishte njëri nga studentët e mi dhe quhej ‘Ubejd’. Ai u vra në Luftën e Parë Botërore pranë meje në vendin tim dhe u bë një martir, shehid. Atëherë, ndërsa po mbahesha si rob lufte në një vend tri muaj largësi, unë, në një ëndërr të vërtetë, u futa në varrin e tij, i cili ishte në formën e një banese nën tokë, ndonëse unë nuk e dija se ku ishte varrosur ai. E pashë atë të jetonte në nivelin e jetës së martirëve. Ai, në mënyrë të qartë, mendoi se unë isha i vdekur dhe tha se kishte qarë shumë për mua. Ai mendoi se ai vetë ishte i gjallë, por duke u tërhequr nga pushtimi rus, kishte ndërtuar për vete një shtëpi të bukur nën tokë. Kështu, kjo ëndërr e pjesshme me disa kushte dhe shenja –më dha një bindje të plotë– me shkallën e të dëshmuarit dhe të shikuarit, lidhur me të vërtetën e lartëpërmendur.

  • Niveli i Pestë i jetës është ai i shpirtërave të të vdekurve në varret e tyre. Po, vdekja është një ndryshim banese, një çlirim i shpirtit nga detyrat; ajo nuk është asgjësim, mosekzistencë dhe shkuarje në asgjësi. Shumë dëshmi si ndodhitë e panumërta të shpirtërave të shenjtorëve duke marrë forma dhe duke u shfaqur për ata që zbulojnë realitetet, të vdekurit e tjerë duke pasur lidhje me ne ndërsa janë në gjendje zgjimi apo në gjumë dhe duke na treguar ata prej gjërave që janë në harmoni me realitetin, dëshmi të tilla si këto ndriçojnë dhe provojnë këtë nivel jete. Në fakt, “Fjala e Njëzet e Nëntë” rreth pavdekshmërisë së shpirtit të njeriut e demonstron këtë nivel jete me prova të pakundërshtueshme.

 

PYETJA E DYTË: Vërseti Kur’anor,

“I Cili ka krijuar vdekjen dhe jetën, me qëllim që të provojë kush nga ju është më i miri në vepra.”[2], si dhe vërsete të tjera të ngjashme me këtë nga Kur’ani i gjithurtë, e konsiderojnë ‘vdekjen’ të krijuar, ashtu si jetën, dhe gjithashtu e konsiderojnë si një mirësi Hyjnore”. Por meqenëse në dukje vdekja është një shpërbërje, mosekzistencë, kalbëzim, shuarje e jetës dhe asgjësuesja e kënaqësive, si mund të jetë ajo e krijuar dhe një mirësi?

Përgjigjja: Ashtu siç u pohua në fundin e përgjigjjes së “Pyetjes së Parë”, vdekja është shkarkim nga detyrat e jetës; ajo është një prehje, një pushim, një ndryshim banese, një ndryshim ekzistence, është një ftesë për tek një jetë e amshuar, një fillim dhe parathënia e një jete të pavdekshme. Ashtu si jeta e cila vjen në botë që është nëpërmjet një krijimi dhe një caktimi prej All-llahut xh.sh., po ashtu largimi nga dynjaja është nëpërmjet një krijimi, një caktimi, një urtësie dhe një drejtimi Hyjnor, sepse vdekja e jetës së bimëve, e nivelit më të thjeshtë të jetës, tregon se ajo është një vepër arti më e organizuar dhe më e madhe se jeta, sepse megjithëse vdekja e frutave, e farërave dhe e kokrrave shfaqet të ndodhë nëpërmjet kalbëzimit, prishjes dhe shpërbërjes, vdekja e tyre është në fakt një zënie brumi, një gatim, i cili përmban një reaksion kimik shumë të mirorganizuar dhe të drejtpeshuar duke u kombinuar e bashkuar nga elementet dhe nga formimi i urtë i grimcave. Kjo vdekje e padukshme, e mirorganizuar dhe e urtë shfaqet nëpërmjet jetës së filizave të reja. Domethënë, vdekja e farës është fillimi i jetës së filizës. Në të vërtetë, meqenëse është si vetë jeta, “kjo vdekje është e krijuar dhe e mirorganizuar aq shumë, ashtu si jeta.”

Për më tepër, meqenëse vdekja e frutave të qënieve të gjalla dhe e kafshëve në stomakun njerëzor është fillimi i ngritjes së tyre tek niveli i jetës njerëzore, atëherë mund të thuhet se një vdekje e tillë është krijuar më me shumë organizim se sa jeta e atyre ushqimeve. Kështu, në qoftë se vdekja e jetës së bimëve, që është niveli më i ulët i jetës, është e krijuar, e urtë dhe e organizuar, po ashtu duhet të jetë vdekja që i bie jetës njerëzore, nivelit më të lartë të jetës. Dhe ashtu si një farë e mbjellë nën dhé që bëhet –me vdekjen e saj– një pemë në botën e ajrit, po ashtu një njeri i cili është vendosur në tokë sigurisht do të prodhojë filizat e një jete të përhershme në Botën e ndërmjetme.

Sa për aspektet e shumtë të vdekjes që janë mirësi, ne do të tregojmë katër prej tyre.

  • I pari: Ajo është një mirësi e madhe sepse ajo është çlirim nga detyrat dhe nga obligimet e jetës, të cilat janë bërë të rënda e të bezdisshme; sepse ajo është një derë nëpërmjet të cilës për t’u bashkuar e takuar me nëntëdhjetë e nëntë përqind prej të dashurve të cilët tashmë janë në Botën e Ndërmjetme.
  • I dyti: Ajo është një lirim nga burgu i ngushtë, i mërzitshëm, i trazuar, i errët dhe i turbulluar i kësaj dynjaje dhe, duke manifestuar një jetë të pavdekshme, të gjërë, të gëzueshme, pa mangësi e pa dëshpërim, është të futesh në sferën e mëshirës së të Dashurit të Përjetshëm.
  • I treti: Ndodhen shumë faktorë si pleqëria të cilët i bëjnë kushtet e jetës të rënda e të vështira dhe e shfaqin vdekjen si një mirësi shumë më të lartë se sa jeta. Për shembull, në qoftë se bashkë me prindërit e tu të moshuar, të cilët të shkaktojnë ty shumë vuajtje e vështirësi, do të ishin tani para teje edhe gjyshërit, paraardhësit e tu me të gjithë gjendjen e tyre të mjerë, ti do ta kuptoje se çfarë fatkeqësie është jeta, dhe çfarë mirësie është vdekja. Gjithashtu, për shembull, kuptohet se sa të vështira janë jetët në kushtet e dimrit për insektet e bukur fluturues, dashuruesit e luleve të bukura.. dhe çfarë mëshire janë vdekjet e tyre.
  • I katërti: Ashtu si gjumi që është një lehtësim për njeriun, është mëshirë dhe një pushim, veçanërisht për ata që janë goditur nga fatkeqësia, për të plagosurit dhe të sëmurit; po ashtu vdekja, që është vëllai më i madh i gjumit, është një mirësi e pastër dhe mëshirë për ata që janë goditur nga fatkeqësia dhe vuajnë mundime e prova të rënda të cilat i shtyjnë ata në vetëvrasje. Ndërsa, ashtu siç është provuar në mënyrë vendimtare në shumë nga “Fjalët”, për njerëzit e çudhëzimit e të humbjes, vdekja për ta, ashtu si jeta, është thjesht një torturë e pastër dhe një vuajtje e pastër, por është jashtë diskutimit këtu.

 

PYETJA E TRETË

Ku është Ferri, Xhehennemi?

Përgjigjja   

“Thuaj (o Muhammed), ‘Dija është vetëm tek All-llahu’.”[3] Asnjë përveç All-llahut  xh.sh.-nuk e njeh të padukshmen

Sipas disa rrëfenjave, Ferri është nën tokë. Ashtu siç e kemi shpjeguar në vende të tjera, me lëvizjet e tij në orbitën e tij vjetore globi tokësor skicon e vijon një rreth rrotull një fushe e cila në të ardhmen do të jetë “Tubimi i madh i ringjalljes dhe Gjyqi i fundit”. Kjo do të thotë që Xhehennemi është nën boshtin e orbitës vjetore të tokës. Ai është i padukshëm dhe i paperceptueshëm për shkak se ai është zjarr pa dritë dhe i mbuluar me perde. Në distancën e madhe që përshkohet nga toka ndodhen shumë krijesa që janë të padukshme për shkak se ato janë pa dritë. Ashtu si hëna që e humbet ekzistencën kur drita e saj hiqet e largohet, po ashtu ne jemi të pamundur të shohim krijesa të shumta dhe trupa qiellorë të pa dritë të cilët janë përpara syve tanë.

Ka dy Xhehenneme (Skëterra). Njëri nga ato është Xhehennemi më i vogël dhe tjetri është Xhehennemi më i madh. Në të ardhmen, Xhehennemi më i vogël do të transformohet në Xhehennem më të madh dhe është si fara e tij; në të ardhmen ai do të bëhet njëri nga vendbanimet e tij.

Xhehennemi më i vogël është nën tokë, domethënë, është në qendrën e tokës, sepse në brendësinë e globit tokësor është qendra e tij. Është e njohur në gjeologji se duke gërmuar teposhtë, nxehtësia tek e shumta, tek pjesa më e madhe, rritet një gradë në çdo tridhjetë e tre metra. Kjo do të thotë, meqenëse gjysma e diametrit të tokës është më shumë se gjashtë mijë kilometra, zjarri në qendrën e tokës është në një temperaturë rreth dyqindmijë gradë, domethënë, dyqind herë më i nxehtë se sa zjarri në perimetër, në rreth; pra është dyqind herë më i fortë se sa zjarri i dynjasë; kjo është në harmoni dhe përputhet me atë që rrëfehet nga hadithet.

Xhehennemi më i vogël kryen shumë nga funksionet e Xhehennemit më të madh në këtë dynja dhe në Berzah -në Botën e ndërmjetme- dhe kjo tregohet në hadithe. Ashtu si në Botën e Ahiretit, që toka do t’i derdhë banorët e saj në fushën e Ringjalljes brenda orbitës së saj vjetore, po ashtu me urdhrin Hyjnor ajo do t’ia dorëzojë Xhehennemin më të vogël brenda saj Xhehennemit më të Madh.

Sa për pohimin e disa imamëve mu’tezilitë të cilët thanë se “Xhehennemi do të krijohet më vonë”, ky është një gabim dhe një-kohësisht një marrëzi, dhe buron nga mosqënia plotësisht i hapur i Xhehennemit në kohën e tanishme dhe nga moszbulimi i tij në një formë krejtësisht të përshtatshme për banorët e tij. Me qëllim që të shikohen me sytë tanë tokësorë vendbanimet e botës së Ahiretit brenda perdes së të padukshmes dhe për t’i demonstruar ato, ose duhet që universi të zvogëlohet në madhësinë e dy krahinave, ose duhet të zmadhohen sytë tanë me madhësinë e yjeve, me qëllim që ne të mund t’i shohim dhe t’i përcaktojmë saktë vendet e tyre “Dija është vetëm tek All-llahu”.

Vendbanimet e Ahiretit nuk janë të dukshëm për sytë tonë tokësore, por siç tregohet nga disa rrëfenja hadithesh, Xhehennemi i cili është në Ahiret ka lidhje me dynjanë tonë. Në një hadith thuhet për vapënnxehtësinë e madhe të stinës së verës se ajo është  “Nga gjërësia e Xhehennemit.” Ajo jep një aluzion të Xhehennemit.” (Buhari). Domethënë, Xhehennemi më i madh nuk është i dukshëm për sytë tanë të vockël e të zbehtë të mendjeve të kësaj bote. Por ne mund të shohim me Dritën e Emrit Hyjnor “El Hakimu,”  i Gjithurti, siç vijon:

Xhehennemi më i madh që ndodhet nën orbitën vjetore të tokës sikur e ka bërë Xhehennemin më të vogël që ndodhet në qendrën e tokës si përfaqësuesin e tij dhe e ka bërë të kryejë disa nga funksionet e tij. Pronat, zotërimet e të Gjithëfuqishmit të Vetëm të Lavdisë janë me të vërtetë shumë të gjëra; kudo që t’ia bëjë me shenjë Urtësia Hyjnore, Xhehennemi i madh vendoset atje. Por Një i Gjithëfuqishëm i Lavdisë, Një i Gjithurtë i Plotësimit, i Cili është pronari i urdhrit  “Bëhu!” – dhe ajo është bërë (në çast)”, e ka lidhur hënën me tokën para syve tonë me një urtësi të plotë e me rregull, dhe me madhështinë e Fuqisë së Tij në harmoni me rregullin. Ai e lidhi tokën me diellin dhe e ka bërë diellin të udhëtojë së bashku me planetet e tij me një shpejtësi të përafërt me atë të rrotullimit vjetor të tokës dhe, me madhështinë e Hyjnisë së Tij, sipas një mundësie e bëri atë të udhëtojë drejt diellit të diejve, dhe i ka bërë yjet, të cilët shndrisin si drita elektrike, dëshmitarë të ndritshëm të Sovranitetit të Hyjnisë së Tij; dhe me atë ka treguar Sovranitetin e Hyjnisë dhe madhështinë e Fuqisë. Nuk është larg urtësisë së plotë, fuqisë madhështore dhe sovranitetit të Hyjnisë së këtij të Vetmi të Gjithëlavdishëm që ta bëjë Xhehennemin më të madh si kaldanë –ngrohtoren- e një fabrike ndriçimi elektrik dhe me të të ndezë yjet e qiejve të cilët shikojnë tek Ahireti dhe t’u japë atyre nxehtësi e fuqi. Domethënë, t’u japë dritë yjeve nga Parajsa, Bota e dritës, dhe t’u dërgojë atyre zjarr e nxehtësi nga Xhehennemi dhe, në të njëjtën kohë ta bëjë pjesë të atij Xhehennemi një vendbanim dhe një vend burgimi për ata të cilët duhet të torturohen. Për më tepër, Ai është një Krijues i Gjithurtë i Cili e fsheh një pemë aq të madhe sa një mal në një bërthamë me madhësinë e një thoi të gishtit të dorës. Atëherë, sigurisht, nuk është e pamundur për fuqinë e një të Gjithëlavdishmi të vetëm të tillë që ta fshehë Xhehennemin më të madh në farën e Xhehennemit më të vogël në zemrën e globit tokësor.

Shkurtazi: Xhenneti dhe Xhehennemi (Parajsa dhe Ferri) janë dy frutat e një dege të pemës së krijimit të cilat shtrihen drejt përjetësisë; vendi i frutave është tek maja e degës. Ato janë dy rezultatet e zinxhirit të universit; dhe vendet e rezultateve janë dy anët e zinxhirit. E ulëta dhe e rënda janë në anën e tij të poshtme; e ndritshmja dhe e larta janë në anën e tij të sipërme. Ndodhen gjithashtu dy rezervuarë -pellgje- për këtë rrymë, lum të ngjarjeve dhe për rezultatin, prodhimin jolëndor të tokës. Vendi i një rezervuari është sipas llojshmërisë së rezultatit; e keqja poshtë, e mira sipër. Ato gjithashtu janë dy pellgjet e rrymës së qënieve të cilat rrjedhin në valët drejt përjetësisë. Sa për vendin e pellgut, ai është aty ku rryma ndalon dhe grumbullohet. Domethënë, e neveritshmja dhe e ndyra poshtë, e mira dhe e pastërta lartë. Ato janë gjithashtu dy vendet e manifestimit, njëri i madhështisë dhe i mëshirës, tjetri ai i zemërimit dhe i lemerisë. Vendet e manifestimit mund të jenë kudo që i Gjithëmëshirshmi Hirplot dhe Detyruesi i Gjithëlavdishëm i vendos vendet e Tij të manifestimit ku të dëshirojë.

Sa për ekzistencën e Parajsës dhe të Ferrit, ato janë provuar në mënyrën më vendimtare në Fjalën e Dhjetë, Fjalën e Njëzet e Tetë, dhe në Fjalën e Njëzet e Nëntë. Këtu ne themi vetëm këtë: ekzistenca e frutit është aq e sigurt dhe e qartë sa ajo e degës; ekzistenca e rezultatit është aq e sigurt sa siguria e ekzistencës së zinxhirit; ekzistenca e pellgut është aq e sigurt sa siguria e ekzistencës së lumit; ekzistenca e vendeve të shfaqjes është aq e sigurt dhe e qartë sa siguria e ekzistencës së mëshirës dhe e zemërimit.

 

PYETJA E KATËRT: Ashtu si dashuria metaforike për objektet e dashurisë që mund të transformohet në dashuri të vërtetë, a është e mundur që edhe dashuria metaforike që kanë shumica e njerëzve për këtë dynja të transformohet gjithashtu në dashuri të vërtetë?

Përgjigjja: Po, në qoftë se një i dashur me dashuri metaforike për fytyrën kalimtare të dynjasë e shikon shëmtinë e zhdukjes dhe të përkohshmërisë në atë fytyrë dhe largohet prej saj. Në qoftë se ai kërkon një të dashur të qëndrueshëm, të pavdekshëm, dhe është i suksesshëm në shikimin e dy fytyrave të tjera më të bukura të dynjasë, atë të pasqyrës së Emrave Hyjnorë dhe atë të tokës së kultivuar për Ahiretin, atëherë dashuria e tij e paligjshme metaforike fillon të transformohet në dashuri të vërtetë. Por me një kusht që ai të mos ngatërrojë botën e tij kalimtare e të paqëndrueshme, e cila është lidhur me jetën e tij me dynjanë e jashtme. Në qoftë se, si njerëzit e çudhëzimit dhe të shkujdesjes, njeriu harron vetveten, zhytet në botën e përgjithshme dhe duke e supozuar botën e përgjithshme të jetë bota e tij private bëhet dashuruesi i saj, ai do të binte në moçalin e natyrës dhe mbytet, me përjashtim të atij të cilin e shpëton dora e përkujdesjes dhe e favorit në mënyrë të jashtëzakonshme.

Merre në konsideratë krahasimin e mëposhtëm i cili do ta ndriçojë këtë të vërtetë. Për shembull, në qoftë se në katër muret e kësaj dhome të stolisur bukur ndodhen katër pasqyra të mëdha sa madhësia e murit, atëherë ajo dhomë e bukur do të bëhej pesë dhoma. Njëra do të ishte reale, aktuale dhe e përgjithshme, kurse katër të tjerat do të ishin shëmbëllesa dhe personale… Gjithësecili nga ne do të ishte i aftë të ndryshonte trajtën, formën dhe ngjyrën e dhomës së tij personale me anë të pasqyrës së tij. Në qoftë se ne do ta lyenim a ngjyrosnim me ngjyrë të kuqe, ajo e shfaq dhomën të kuqe; në qoftë se do ta lyenim me ngjyrë jeshile, ajo do ta shfaqte dhomën jeshile. Dhe kështu ne mund t’i japim dhomës gjendje të ndryshme e të larmishme duke bërë ndryshim në pasqyrë dhe përshtatje e rregullime në të; madje ne mund ta bëjmë atë të shëmtuar ose të bukur, dhe mund t’i japim asaj forma të ndryshme. Por ne nuk mund ta ndryshojmë apo ta përshtasim me lehtësi dhomën e jashtme e të përgjithshme. Ndërsa në realitet dhomat e përgjithshme dhe personale janë të njëjta, veçse ama në praktikë ato janë të ndryshme. Ti mund ta shkatërrosh dhomën tënde me një gisht, por ti nuk mund të lëvizësh as edhe një gurë të asaj dhome të përgjithshme.

Kështu, kjo dynja  është një shtëpi e zbukuruar. Jeta e secilit prej nesh është një pasqyrë e madhe dhe e gjërë. Gjithësecili nga ne ka dynjanë e tij personale nga kjo dynja e përgjithshme. Dhe secili prej nesh ka botën e tij me të, veçse shtylla, mbështetja e dynjasë sonë, qendra dhe dera e saj, është jeta jonë. Në të vërtetë, ajo botë personale e jona është një faqe, jeta jonë është një penë, që nëpërmjet të cilës shkruhen shumë gjëra të cilat kalojnë në fletën e punëve tona. Në qoftë se ne e duam botën tonë dhe pastaj shikojmë se ajo është kalimtare, e përkohshme dhe e paqëndrueshme ashtu si jeta jonë –pasi ajo është e ndërtuar mbi jetën tonë– dhe ndërkohë e ndiejmë dhe e perceptojmë këtë zhdukje, atëherë dashuria jonë ndaj saj transformohet në dashuri për mbishkrimet dhe skalitjet e Emrave të Bukur Hyjnorë, për të Cilët bota jonë personale është pasqyra dhe të cilët ajo i përfaqëson. Për më tepër, në qoftë se jemi të vetëdijshëm se bota jonë personale është një farishtë, fidanishtë e Ahiretit dhe e Parajsës dhe, në qoftë se i orientojmë ndjenjat tona të forta për të, si: dëshirën, dashurinë e lakminë drejt përfitimeve të Ahiretit, të cilat janë rezultatet e saj, frutat dhe filizat, atëherë ajo dashuri metaforike transformohet në dashuri të vërtetë.

Përndryshe duke shfaqur kuptimin e vërsetit,

“(Dhe mos jini si ata) të cilët harruan All-llahun; dhe Ai i bëri ata të harrojnë vetveten e tyre, ata janë të pabindurit që kalojnë çdo kufi.”[4], një person i cili harron vetveten, nuk mendon për natyrën kalimtare të jetës, e supozon botën e tij personale, botën e paqëndrueshme të jetë e qëndrueshme si dynjaja e përgjithshme, dhe e imagjinon vetveten të jetë i pavdekshëm; ai e fikson vetveten mbi dynjanë, e përqafon atë me ndjenja të forta, mbytet në të dhe largohet. Një dashuri e tillë do të ishte një torturim i pakufishëm dhe një vuajtje e madhe për të, sepse ajo dashuri lind mëshirën dhe butësinë, dobësinë e një zemre të dëshpëruar si dëshpërimi i jetimit. Ai do të ketë mëshirë e do t’i vijë keq për të gjitha qëniet e gjalla. Në të vërtetë, atij do t’i vinte keq e do të pikëllohej për të gjitha krijesat e bukura të cilat vuajnë goditjet e zhdukjes dhe dhimbjen e ndarjes, por nuk do të jetë i aftë të bëjë asgjë. Ai do të vuajë një hidhërim absolut të pashpresë.

Megjithatë, njeriu i parë i cili shpëtoi nga pakujdesia, gjen një kundërhelm, një shërim për dhimbjen e asaj dhembshurie të fortë, sepse në vdekjen dhe në zhdukjen e të gjitha qënieve të gjalla për të cilat atij i vjen keq, ai shikon pasqyrat e shpirtërave të tyre të cilat përfaqësojnë manifestimet e përhershme të Emrave të vazdueshëm të të Qëndrueshmit të përjetshëm të cilët janë të pavdekshëm; dhembshuria e tij transformohet në gëzim të përhershëm. Ai gjithashtu shikon prapa të gjitha krijesave të bukura, të cilat i nënshtrohen vdekjes dhe përkohshmërisë, një vulë, një skalitje, një zbukurim, një art një stoli, një dhuratë dhe një ndriçim, të cilat janë të qëndrueshme dhe të cilat bëjnë  të perceptueshme një dashuri të jashtëzakonshme dhe një bukuri të shenjtë. Ai i shikon vdekjen dhe përkohshmërinë si përtëritje për qëllimin e shtimit të bukurisë, për rifreskimin e kënaqësisë dhe për shfaqjen e artit. Kjo rrit kënaqësinë e tij, pasionin, çudinë dhe admirimin e tij.

I Qëndrueshmi i vetëm, Ai është i Qëndrueshmi i Vetëm!

Said Nursi

*  *  *

[1] Kur’an, 17: 44

[2] Kur’an, 67: 2

[3] Kur’an, 67: 26

[4] Kur’an, 59: 19