Po qe se foleja familjare që keni për të ngritur ose që keni ngritur, është në një kuadër që do t’i bënte të kënaqur Allahun (xh.xh.) dhe Profetin (s.a.s.), mund të thuhet se premton të ardhme. E thënë ndryshe, po qe se brezat që do të rritni e për­gatitni, janë të orientuar për t’u bërë ummet, bashkësi e Profetit (s.a.s.), mund të konsiderohet se e kanë rrugën të hapur, kurse ju mund të konsideroheni të lumtur. Por po qe se brezat e për­gatitur nga ju u janë lënë amanet rrugëve dhe janë në opozi­cion me fenë, madje, armiq të xhamisë, xhemaatit, ata kon­siderohen të pafat, kurse ju, përgjegjës. Kjo është, së pari, pa­drejtësi ndaj fëmijëve, pas­taj dhe ndaj shoqërisë. Askush nuk ka të drejtë të bëjë një të keqe të tillë. Neve kanë për të na kërkuar llogari për brezat e përgatitur si armiq të islamit, që hanë e pinë haram, që, me sjelljet e tyre jolegjitime, shkelin rregullat e për­gjithshme. Përgatitja e brezave të aftë për të menduar në më­nyrë bes­nike ndaj rrënjëve ideore të veta, të thellë, me horizont, të mëshirshëm dhe të respektueshëm ndaj njeriut, është një nga detyrat tona kryesore. Kjo detyrë e rëndësishme fillon me ngri­tjen e vetëdijshme të folesë familjare dhe vazhdon gjatë gjithë jetës e kushtëzuar nga arsyeja, logjika dhe gjy­kimi.

Nisur nga kjo, familja duhet trajtuar si një institucion i mbë­shtetur në frymën e fesë, me bosht arsyen dhe vetëdijen dhe i duhet dhënë vazhdimësi duke marrë për bazë pël­qi­min e Alla­hut. Profeti (s.a.s.) tërheq vëmendjen se ka për t’u krenuar me shtimin dhe shumimin e ummetit, bashkësisë së tij. Nga ky këndvështrim, një brez që s’e njeh atë, sado shumë që të jetë, jo vetëm nuk do të ketë ndonjë vlerë para Allahut (xh.xh.), por nuk do të përbëjë vlerë as sipas Profetit (s.a.s.).

Prandaj ne, nga njëra anë do t’i presim rrënjët e prirjes ndaj së keqes duke u kthyer nga Allahu e duke bërë pen­de­së, nga ana tjetër, me hapa që do ta fuqizonin prirjen ndaj së mirës me anë të lutjeve, adhurimeve dhe punëve të mira e të dobishme, duke bërë çdo gjë të nevojshme me zemër, me punë e me fjalë, do të vazhdojmë të presim në mënyrë aktive.

Kur’ani urdhëron: “Thuaj: “E keqja dhe e fëlliqura nuk janë njëlloj me të mirën dhe të pastrën; edhe sikur e keqja dhe e fëlliqura të kenë epërsi numerike marramendëse e mahnitëse, ky realitet nuk ndryshon. Atëherë, o ju që keni arsye, kini frikë Allahun që të shpëtoni!” (Kur’ani, Maide, 5/100)

Po, disa herë mund të ndodhë që epërsia sasiore e të ke­qes dhe e të këqinjve mund t’jua tërheqin vëmendjen e t’ju lënë të mahnitur, por duhet ta dini se, në vështrimin e Alla­hut, e ndyra me të bukurën kurrë s’kanë qenë të njëvlef­shme. Atëherë, ju gjithmonë duhet t’i jepni rëndësi përgatit­jes së një brezi që, me bukuritë e tij të rrezatuara, t’ju kujtojë xhennetin, parajsën, ta ndiqni të bukurën dhe të bëheni prind, mësues dhe edukues i të bukurës!

*

Fethullah Gylen