Lexo Pdf

RREZJA E KATËRT

 

[Ndërsa duke qenë Shkreptima e Pestë në kuptim dhe në shkallë, në formë e në ‘Stacion’, kjo formon Rrezen e Katërt të çmueshme të Shkreptimës së Tridhjetë e Njëtë të Letrës së Tridhjetë e Njëtë, dhe është një pikë e rëndësishme dhe e hollë që lidhet me vërsetin “Allahu Vetëm na Mjafton neve…”[1]]

Shënim: Ndryshe nga veprat, nga librat e tjerë, Risale-i Nuri e fillon çështjen në një mënyrë të mbuluar, të paqartë për lexuesin, veçse ama ajo qartësohet në mënyrë graduale dhe i zbulon pak e nga pak kuptimet e saj.

Në mënyrë të veçantë Shkalla e Parë e kësaj Trajtese, përveç qënies së saj një e vërtetë shumë e çmuar, është tej mase e hollë dhe e thellë. Kjo shkallë m’u shfaq në mënyrë të veçantë si shërim për sëmundjet e mia të ndryshme të thella; dhe u shfaq në formën e një diskutimi domethënës i sunduar nga ndjenjat, në formën e një bashkëbisedimi të zjarrtë, të gjallë dhe të një dialogu sekret të zemrës. Ata që i kanë ndjenjat krejtësisht në harmoni dhe në pajtueshmëri me mua mund ta kuptojnë atë plotësisht. Përndryshe ajo nuk do të vlerësohej tërësisht.]

 

Me Emrin e Allahut, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti.

“Allahu vetëm na mjafton neve dhe për ne Ai është Rregulluesi më i Mirë i punëve”.[2]

Në një kohë kur kisha mbetur i izoluar dhe i privuar prej çdo gjëje nga “njerëzit e dhënë vetëm pas kësaj dynjaje”, unë u godita nga pesë lloje mërgimi.

Në atë kohë të pleqërisë vuajta shumë prej pesë sëmundjeve të shkaktuara pjesërisht nga hidhërimet e mia. Për shkak të pakujdesisë së shkaktuar nga vuajtja e mjerimi, unë nuk u orientova tek dritat e Risale-i Nurit, të cilat do të më kishin ngushëlluar e ndihmuar, por shikova drejt tek zemra ime, dhe kërkova shpirtin tim. Unë pashë se sunduese tek unë ishin një dëshirë mposhtëse për pavdekshmëri, një dashuri e zjarrtë për ekzistencë, një përmallim i madh për jetë, së bashku me një pafuqi të pakufishme dhe një varfëri të pafundme. Por një përkohshmëri e tmerrshme po e shuante atë pavdekshmëri. Duke vuajtur nga kjo gjendje e imja, unë thirra ashtu si poeti i brengosur:[3]

Ndërsa zemra ime dëshiron pavdekshmërinë, Urtësia e Krijuesit, realiteti dëshiron kalimin e trupit tim;

Unë jam goditur me një sëmundje të pashërueshme të cilën madje as Lukmani nuk do të mund ta shëronte!”

Ula kokën në dëshpërim. Papritmas vërseti,

“Allahu Vetëm na mjafton neve dhe për ne Ai është Rregulluesi më i mirë i punëve”, më erdhi në ndihmë, duke më thënë ta lexoja atë me vëmendje. Kështu unë e recitova atë pesëqind herë në çdo ditë. Duke e shkruar shkurtazi një pjesë të dritave të çmuara të cilat m’u zbuluan në formën e “Shikimit të sigurisë” dhe vetëm nëntë drita dhe shkallë, unë i referoj lexuesit tek Risale-i Nuri për hollësitë e njohura me “sigurinë absolute”, dhe jo me shkallën e mëparshme të “shikimit të sigurisë”.

 

Shkalla e Parë e vërsetit të ndritshëm Allahu vetëm na mjafton neve”.

Dëshira ime e zjarrtë për pavdekshmëri nuk drejtohet tek pavdekshmëria ime, por tek ekzistenca e Atij të Plotit Absolut dhe tek përplotësia dhe pavdekshmëria e Tij. Dhe kjo për shkak të ekzistencës në qënien time esenciale të një hijeje të njërit prej manifestimeve të Një Emri prej Emrave të të Plotit Absolut, Zotëruesit të Plotësisë dhe të bukurisë. Ai nga Vetvetja dhe jo për ndonjë arsye tjetër është i denjë për dashuri. Veçse ama kjo dashuri e natyrshme e kishte humbur rrugën e saj për shkak të pakujdesisë dhe ishte kapur pas hijes dhe kishte dashuruar pavdekshmërinë e pasqyrës.

Mirëpo sapo erdhi vërseti,

“Allahu Vetëm na mjafton neve, dhe për ne Ai është Rregulluesi më i mirë i punëve”, e ngriti perden. Unë pashë, ndjeva dhe përjetova me shkallën e “sigurisë absolute” se kënaqësia e pavdekshmërisë dhe lumturia e saj janë të pranishme në esencën e saj, madje në një formë më të mirë e më të plotë në pavdekshmërinë e të Qëndrueshmit përjetësisht, Zotëruesit të përplotësisë, në besimin se Ai është Mbështetësi dhe Zoti im, në besimin tek Ai dhe duke iu nënshtruar. Sepse një e vërtetë e qëndrueshme që nuk vdes realizohet për mua nëpërmjet pavdekshmërisë së Tij xh.sh., sepse vërtetohet nëpërmjet intuitës së besimit tim se “qënia ime esenciale është një hije e një Emri Hyjnor i cili është i qëndrueshëm përjetësisht dhe që nuk vdes”.

Gjithashtu kënaqet e ngopet nëpërmjet asaj intuite të besimit shtytësi për ekzistencën e plotësisë absolute dhe i Cili duhet absolutisht -dashuria e bashkëlindur, e natyrshme dhe e fortë për Esencën e Tij.

Gjithashtu nëpërmjet asaj intuite të besimit -e cila lidhet me pavdekshmërinë e Të Qëndrueshmit Përjetësisht dhe me ekzistencën e Tij xh.sh. njihen plotësitë e universit dhe zbulohen veçoritë e tij, si dhe pikërisht veçoritë e llojit njerëzor, dhe mësohet se tërheqja, joshja e natyrshme e dikujt pas plotësisë e shpëton atë nga dhimbje të pakufishme dhe bëhet mjeti i kënaqësisë dhe i ëndjes.

Gjithashtu, nëpërmjet intuitës së besimit formohet një lidhje me Atë të Qëndrueshëm të përjetshëm, dhe nëpërmjet besimit në atë lidhje, vjen në ekzistencë një lidhje me të gjitha sundimet e Tij në përgjithësi. Dhe për shkak të asaj lidhje, njeriu shikon -nëpërmjet dritës së besimit- një sundim të pakufishëm, ashtu si të shikonte pronën e tij dhe përfiton prej tyre në kuptim.

Gjithashtu nëpërmjet asaj intuite të besimit dhe me anë të asaj lidhjeje, formohet një lidhje, një hallkë, me të gjitha qëniet, arrihet një lloj unioni me to.

Në këtë mënyrë lindet një ekzistencë e pakufishme -përveç ekzistencës së tij personale e cila vjen në shkallë të dytë, në vend të dytë- nëpërmjet asaj intuite të besimit dhe të atyre lidhjeve, hallkave dhe unioneve, saqë sikur ajo të ishte një ekzistencë si ekzistenca e tij, dhe kështu qetësohet dashuria e zjarrtë e bashkëlindur e tij për ekzistencën.

Gjithashtu, nëpërmjet asaj intuite të besimit, bashkimit dhe unionit, formohet një vëllazëri me të gjithë njerëzit e plotësimit dhe të virtytit. Kështu, nëpërmjet njohjes së ekzistencës së të Qëndrueshmit të Përjetshëm dhe të pavdekshmërisë së Tij, ata njerëz të panumërt nuk kanë shkuar në asgjësi dhe as nuk kanë humbur; pavdekshmëria dhe ekzistenca e vazhdueshme e plotësimeve të atyre miqve të panumërt, të cilët një person i tillë nëpërmjet intuitës së besimit i do, i admiron dhe i vlerëson dhe me të cilët ai është i lidhur, i sjell dhe i shkakton personit të asaj intuite besimi një kënaqësi të lartë sublime.

Gjithashtu, nëpërmjet asaj intuite besimi, lidhjeje, hallke, bashkimi e vëllazërie, unë ndjeva dhe përjetova në veten time një lumturi të pafundme, që buronte nga lumturia e të gjithë të dashurve të mi, për lumturinë e të cilëve unë me gatishmëri e me gjithë kënaqësi do të sakrifikoja jetën dhe pavdekshmërinë time, sepse një mik i mirë gëzohet dhe kënaqet, me lumturinë e mikut të tij të ngushtë. Prandaj nëpërmjet ekzistencës dhe pavdekshmërisë së të Qëndrueshmit të Përjetshëm, me plotësi absolute, shpëtojnë të gjithë profesorët e mi dhe të gjithë të dashurit e mi, që janë profetët a.s., Evlijatë dhe dijetarët e pastër me në krye profetin më të nderuar a.s.m., familjen e tij dhe sahabët e tij të nderuar, dhe shpëtojnë të gjithë të dashurit e mi të panumërt; që të gjithë ata shpëtojnë nga asgjësimi i përhershëm dhe fitojnë një lumturi të përjetshme të amshuar. Këtë e ndjeva nëpërmjet asaj intuite të besimit dhe reflektoi tek unë diçka nga lumturia e tyre dhe përjetova një kënaqësi të pastër dhe më bëri të lumtur.

Dhe më mbuloi lumturia më e madhe për shkak të asaj lidhjeje, vëllazërie, bashkimi e dashurie.

Gjithashtu unë ndjeva një kënaqësi shpirtërore të pafundme që shpëtova prej dhimbjeve të pakufishme, që buronin nga lidhja që kisha me bijtë e llojit tim, dhe nga dhembshuria për të afërmit e mi; unë ndjeva nëpërmjet intuitës së besimit se të gjithë të afërmit e mi nga gjaku dhe të afërmit e mi nga shpirti, për të cilët nga natyra unë dëshiroj të sakrifikoj jetën time dhe përjetësinë, dhe këtë do ta bëja me krenari, për hir të shpëtimit të tyre prej rreziqeve dhe shkatërrimeve, me në krye baballarët dhe nënat, prindërit e mi.. Unë ndjeva se ata shpëtojnë nga asgjësimi, nga mosekzistenca dhe asgjësia e përjetshme dhe prej dhimbjeve të pakufishme dhe fitojnë një mëshirë të gjërë absolute nëpërmjet ekzistencës dhe pavdekshmërisë së të Qëndrueshmit të Vërtetë të përjetshëm; dhe se një mëshirë e gjërë absolute përkujdeset për ta dhe i mbron ata në vend të dhembshurisë së pjesshme e të mangët e cila s’ka ndonjë efekt -ndikim- dhe që është burim dhimbjeje e dëshpërimi. Dhe ashtu siç përjeton kënaqësi nëna për fëmijën e saj dhe ndjen rehati kur ai është rehat, edhe unë gjithashtu përjetova kënaqësi dhe u gëzova për shpëtimin e të gjithë atyre për të cilët unë kisha dhembshuri, për përfshirjen e tyre nën mbrojtjen e asaj mëshire të gjërë dhe që po gjenin mirësi në hijen e saj, dhe me këtë intuitë u gëzova tej mase, dhe bëra falënderime të thella për Allahun xh.sh..

Gjithashtu, nëpërmjet asaj intuite besimi dhe nëpërmjet lidhjes së tij, unë njoha dhe ndjeva se Risale-i Nuri, i cili ishte frut i jetës sime dhe burimi i lumturisë sime dhe detyra ime e natyrshme, shpëtoi nga qënia e tij i humbur dhe pa dobi dhe nga asgjësimi dhe humbja e kuptimit të tij, dhe mësova nëpërmjet asaj lidhjeje besimi, madje ndjeva nëpërmjet qëndrueshmërisë së atyre Risaleve të freskëta dhe me zhvillimin e tyre në kuptim se ato do të ishin të frutshme dhe të qëndrueshme. Unë pata bindje të plotë se në këtë ishte një kënaqësi shpirtërore e cila e tejkalonte shumë kënaqësinë e pavdekshmërisë sime, dhe nëpërmjet asaj kënaqësie unë përjetova një ndjenjë vërtetë të plotë; sepse unë besova se nëpërmjet pavdekshmërisë së të Qëndrueshmit të përjetshëm, Zotëruesit të plotësisë absolute dhe nëpërmjet ekzistencës së Tij, Risale-i Nuri nuk skalitej vetëm në zemrat dhe në kujtesat e njerëzve, por gjithashtu ai studiohej nga krijesa të vetëdijshme të panumërta dhe nga qënie shpirtërore, dhe përveç kësaj, nëse do të merrte kënaqësinë e Zotit xh.sh., u skalit në Pllakat e Ruajtura, dhe stoliset me frutat e shpërblimit dhe të thevabit.

Unë mësova se në mënyrë të veçantë qënia e tij i lidhur me Kur’anin, dhe pranueshmëria e tij nga profeti a.s.m., dhe -në dashtë Zoti xh.sh.- duke qenë objekt i kënaqësisë Hyjnore, një moment nga ekzistenca e tij dhe duke qenë nën shikim Hyjnor, kjo ishte më e madhe dhe më e vlefshme se sa vlerësimi i të gjithë njerëzve të kësaj bote.

Kështu, unë kuptova se unë jam gjithmonë gati që të sakrifikoj jetën dhe pavdekshmërinë time për pavdekshmërinë, vazhdimësinë, për vlerat dobiprurëse dhe për pranueshmërinë tek Allahu e secilës prej atyre trajtesave, të cilat provojnë dhe mbështesin të vërtetat e besimit, dhe se lumturia ime qëndron në shërbim të atyre trajtesave të Risale-i Nurit për Kur’anin fisnik. Në këtë mënyrë unë kuptova nëpërmjet lidhjes së besimit se me anë të pavdekshmërisë Hyjnore, ato janë objekt vlerësimi dhe admirimi që tejkalojnë njëqind herë vlerësimin dhe admirimin e njerëzve. Prandaj unë thirra me të gjithë fuqinë time:  “All-llahu Vetëm na mjafton neve dhe për ne Ai është Rregulluesi më i mirë i punëve”.

Gjithashtu nëpërmjet asaj intuite besimi unë mësova se besimi në pavdekshmërinë e Të Qëndrueshmit të përjetshëm të Gjithëlavdishëm dhe në ekzistencën e Tij i Cili jep qëndrueshmëri të përhershme dhe jetë të vazhdueshme, dhe se frutat, rezultatet e besimit të cilat janë veprat e mira janë frute të përhershme të kësaj jete të përkohshme, dhe janë mjete për një pavdekshmëri të pambarim; unë e binda nefsin tim që të jem si fara e cila e lë lëvozhgën e saj që të transformohet në një pemë frutdhënëse, domethënë e binda nefsin tim që ta lërë qëndrueshmërinë time të kësaj dynjaje që i ngjason lëvozhgës me qëllim që të japë fruta të pavdekshëm. Së bashku me nefsin tim thashë:  “All-llahu Vetëm na mjafton neve dhe për ne Ai është Rregulluesi më i mirë i punëve”.

Për ne ekzistenca e Tij e përjetshme është e mjaftueshme!

Gjithashtu, nëpërmjet asaj intuite besimi dhe lidhjes së ibadetit unë mësova me “njohjen e sigurisë” se ajo çfarë qëndron përtej perdes së dheut ishte një botë e ndriçuar, dhe se shtresa e rëndë e dheut, nën të cilën kanë rënë të vdekurit, do të ngrihet prej tyre; dhe se gryka tek e cila futesh për tek dera e varrit nuk të çon në errësirat e mosekzistencës. Unë thashë me gjithë fuqinë time:  “Allahu Vetëm na mjafton neve dhe për ne Ai është Rregulluesi më i mirë i punëve”.

Kështu unë formova një bindje të fortë dhe nëpërmjet asaj intuite besimi mësova me “sigurinë absolute” se në një kohë që dëshira e fortë për pavdekshmëri në natyrën time shikoi tek pavdekshmëria e të Qëndrueshmit të Përjetshëm, Zotërues të Plotësisë dhe tek ekzistenca e Tij në dy drejtime, veçse ai e kishte humbur të dashurin e vet për shkak të egos së tij e cila i kishte vënë perde përpara tij dhe ishte kapur pas pasqyrës, dhe u bë i trullosur dhe i hutuar. Ajo dëshirë shumë e thellë dhe e fuqishme për pavdekshmëri sundoi në qënien time esenciale me anë të hijes së njërit prej Emrave të të Plotit Absolut, i Cili është i Dashuri për Vetveten, dhe i dashur nga natyra, i Adhuruari i përmalluar, e kishte dhënë këtë dëshirë të fortë për pavdekshmëri. Dhe ndërsa vetëm Plotësia e Esencës së Tij është mëse e mjaftueshme si shkak për adhurim dhe si motiv për dashuri, pasi për dashurinë e Tij nuk të shtyn ndonjë arsye apo motiv tjetër, dhe përveç Vetes së Tij nuk kërkon asnjë gjë për dashuri, duke dhuruar frutat e përjetshëm të lartëpërmendur, ashtu siç u shpjegua më lart, dhe që secila prej tyre meriton që për hir të saj të sakrifikohen jo një jetë e vetme dhe një pavdekshmëri e vetme, por nëse do të ishte e mundur me mijëra nga jetët dhe pavdekshmëritë e dynjasë, dhe ndjeva se Ajo Plotësi e Esencës së Tij nëpërmjet kësaj mirëbërësisë së Tij e kishte ngulitur atë dëshirë të fortë të natyrshme dhe e kishte thelluar edhe më shumë.

Në qoftë se do të kishte qenë brenda fuqisë sime do të kisha deklaruar me të gjitha grimcat e qënies sime:  “All-llahu Vetëm na mjafton neve dhe për ne Ai është Rregulluesi më i mirë i punëve”. Madje e thashë me atë nijet.

Gjithashtu, ajo intuitë besimi, e cila kërkon pavdekshmërinë e saj dhe gjeti ekzistencën e përjetshme të Allahut -ashtu siç tregova lart tek disa prej fruteve të saj nëpërmjet paragrafeve që fillonin me “Gjithashtu… Gjithashtu… Gjithashtu…”- më dhanë mua një kënaqësi dhe një gëzim të tillë saqë unë thashë me të gjithë shpirtin tim, me të gjithë fuqinë time, nga thellësitë e zemrës sime, së bashku me nefsin tim:  “All-llahu Vetëm na mjafton neve dhe për ne Ai është Rregulluesi më i mirë i punëve”.

 

Shkalla e Dytë e Vërsetit të ndritshëm All-llahu vetëm na mjafton neve dhe për ne Ai është Rregulluesi më i Mirë i punëve”

Njëherë kur isha goditur me pleqërinë, mërgimin, vetminë dhe izolimin përveç pafuqisë sime të pafundme të bashkëlindur dhe i privuar nga çdo gjë dhe pa kërkënd që të më ndihmonte “njerëzit e dhënë vetëm pas kësaj dynjaje” më sulmonin me spiunat dhe me dredhitë e tyre, dhe pikërisht në këtë kohë unë i fola zemrës sime duke i thënë: Ushtritë po sulmojnë një njeri të vetëm, të sëmurë e të dobët që i ka duart e lidhura. A nuk ka ai -domethënë unë- ndonjë pikë mbështetjeje? Ndërkohë iu referova vërsetit:  “Allahu vetëm na mjafton neve dhe për ne Ai është Rregulluesi më i mirë i punëve”. Dhe vërseti më tregoi mua sa vijon:

Nëpërmjet lidhjes që buron nga besimi, ti mbështetesh tek një Sulltan Madhështor Zotërues i një fuqie absolute, saqë përgatit me rregullsi të plotë në çdo stinë mbi sipërfaqen e tokës të gjitha ushtritë e bimëve dhe të kafshëve që përbëhen nga katërqind mijë lloje kombesh e grupesh duke i pajisur me pajime dhe me mjetet e domosdoshme për to; Ai i ripërtërin uniformat e dy ushtrive të rregullta madhështore të cilat janë pemët dhe zogjtë fluturues duke i veshur me rroba të reja dhe duke ndryshuar simbolet e tyre, saqë Ai i ndryshon veshjen e malit dhe mbulesën e fushës -shkretëtirës- ashtu siç i ndryshon fustanet e pulave dhe veshjet e shpendëve të bukur.

Për më tepër, ky Sulltan i vendos të gjitha racionet e ushqimit të ushtrisë madhështore të gjallesave -me në krye njeriun- jo si në mënyrën që ka zbuluar në kohët e fundit njeriu bashkëkohor prej “ekstrakteve” të mishit, sheqerit dhe të tjera veç këtyre të dyjave, por në mënyrën e ekstrakteve -shtrydhjeve- shumë më të plota e më të mira, madje që e tejkalojnë njëqind herë -mënyrën e njeriut. Ato janë ekstraktet e të gjitha llojeve të ushqimeve; janë ekstraktet “mëshirë” të njohura si farërat dhe bërthamat. Për më tepër, Ai gjithashtu i mbështjell ato ekstrakte me mbështjellëse në përputhje me Kaderin Hyjnor dhe në harmoni e në përshtatje me pjekjen, shtrirjen dhe rritjen e tyre, dhe i ruan ato në kutia e sunduqe -enë- shumë të vogëla. Edhe këto sunduqe të vockëla gjithashtu prodhohen në fabrikën e “Kun Fejekun”  “Bëhu! Dhe ajo është bërë (në çast)” me një shpejtësi shumë të skajshme dhe me lehtësi absolute dhe me një bollëk shumë të madh, saqë Kur’ani i gjithurtë e përmend atë me Fjalën e Zotit xh.sh.,“Është vetëm se Ai t’i thotë asaj: “Bëhu!” dhe ajo është e bërë (në çast)!”[4]

Dhe pavarësisht se të gjitha ato ekstrakte janë të ngjashme me njëra-tjetrën dhe të përbëra nga të njëjtat lëndë që nuk do të plotësonin nevojën e një qyteti të vetëm, Furnizuesi Gjithëbujar pjek prej tyre vetëm në stinën e verës aq sa mund t’i mbushë të gjitha qytetet në tokë me ushqime që janë shumë të shijshme e të ndryshme.

Përderisa mund të gjesh një pikë të tillë mbështetjeje nëpërmjet lidhjes së besimit, atëherë ti mund të mbështetesh në një forcë madhështore dhe tek një fuqi absolute.

Duke e marrë këtë mësim nga vërseti, unë fitova një forcë të tillë morale dhe një qëndrueshmëri besimi saqë unë do të mund të sfidoja jo vetëm armiqtë e mi të tanishëm, por të gjithë botën. Prandaj përsërita nga thellësitë e shpirtit tim vërsetin:  “Allahu vetëm na mjafton neve dhe për ne Ai është Rregulluesi më i mirë i punëve”.

Duke kërkuar një burim ndihme për varfërinë dhe për nevojën time të pafundme, dhe unë përsëri përdora të njëjtin vërset. Ai më tha: Nëpërmjet adhurimit dhe të robërisë tënde, ti je bërë i lidhur me një Pronar Gjithëbujar, dhe emri yt është regjistruar në fletoren, në regjistrin e furnizimit të krijesave me ushqime. Ai e shtron sofrën e mirësive të Tij në çdo pranverë e verë dhe e lëviz atë, madje e shtrin dhe e zgjat atë më shumë se njëqind herë duke e stolisur me ushqime të ndryshme të shijshme që i sjell nga bota e padukshme dhe nga mosekzistenca prej vendeve që nuk mund t’i parashikojë robi dhe prej dheut të thatë, saqë sikur vitet e kohës dhe ditët e çdo viti të ishin enë, pjata për frutat e mirësisë së Tij dhe për ushqimet e mëshirës së Tij që shfaqen në një varg të pandërprerë -një pas një.

Ato janë ekspozita për shkallët e mirëbërësive të Furnizuesit Mëshirëplotë për shkallë Universale dhe të pjesshme. Ti je shërbëtori, robi i një Pasaniku të këtillë absolut. Në qoftë se do të ishe i vetëdijshëm për robërinë tënde, atëherë varfëria jote e dhimbshme do të transformohej në një oreks të kënaqshëm. Unë me rolin tim e mora pjesën time prej këtij vërseti Kur’anor dhe thashë me vete: “Po, po! Ajo është pikërisht e vërteta. Dhe përsërita duke u mbështetur tek Allahu xh.sh.:  “Allahu vetëm na mjafton neve dhe për ne Ai është Rregulluesi më i mirë i punëve.”

 

Shkalla e Tretë e vërsetit të ndritshëm “All-llahu vetëm na mjafton neve dhe për ne Ai është Rregulluesi më i Mirë i punëve”.

Në kohën kur i gjeta të këputura lidhjet e mia me dynjanë për shkak të presioneve, shtypjeve të mërgimit dhe të sëmundjes dhe të padrejtësive që vuajta, dhe se besimi më njoftonte se unë isha caktuar për një botë tjetër të përjetshme, për një mbretëri të përhershme dhe për një lumturi të vazhdueshme, unë i braktisa ofshamat “ah! ah!” që buronin nga dëshpërimi dhe i zëvendësova me atë çfarë sihariqonte për mirësi e gëzim dhe që më bënte të jepja falënderime të vazhdueshme. Por ky objektiv i imagjinatës, ky qëllim i shpirtit dhe rezultati i krijimit do të mund të arriheshin e realizoheshin vetëm nëpërmjet një fuqie të pakufishme të të Gjithëfuqishmit Absolut që i njeh të gjitha lëvizjet e krijesave të Tij, pushimet, aktet dhe gjendjet e tyre dhe që i regjistron ato gjithashtu; dhe që e merr këtë njeri të vogël dhe absolutisht të pafuqishëm si mikun e Tij dhe si atë të cilit i bëhet adresimi, duke i dhënë një rang mbi të gjitha krijesat. Duke menduar për këto dy pika, domethënë për aktivitetin e kësaj fuqie të pakufishme dhe për rëndësinë e vërtetë që Krijuesi xh.sh. ia dha këtij njeriu pavarësisht parëndësisë së tij në dukje, unë desha një shpjegim që do të shtonte besimin tim dhe që do të kënaqte mendjen time. Unë përsëri përdora atë vërset Kur’anor. Ai më tha: “Vëreje me kujdes  “Na-në” tek  “Hasbuna-ja” “Allahu vetëm na mjafton neve” dhe shikoji ata që e thonë  “Hasbuna-në” bashkë me ty me gojë dhe nëpërmjet gjuhës së gjendjes”. Kështu më urdhëroi ajeti!..

Kështu, unë hodha vështrimin dhe menjëherë pashë se zogj të panumërt, dhe zogj fluturues shumë të vegjël, krijesa fluturuese të panumërta si mizat, kafshë të panumërta, krijesa të vogla të gjalla, bimë dhe gjëra në rritje të pallogaritshme, dhe numra të pafundmë pemësh dhe shkurrishtesh… që të gjitha këto përsërisnin si unë nëpërmjet gjuhës së gjendjes kuptimin e  “Allahu vetëm na mjafton neve dhe për ne Ai është Rregulluesi më i mirë i punëve”; madje ato ua sillnin ndërmend edhe të tjerëve atë… sepse Ai që ushtron kontroll mbi të gjitha ato dhe që i garanton të gjitha gjërat e domosdoshme të jetëve të tyre në një mënyrë të tillë që Ai i krijon përpara syve tonë dhe veçanërisht në pranverë me një bollëk shumë të madh, me një lehtësi të skajshme, me shpejtësi të skajshme dhe me një shtrirje të skajshme, pa gabim, pa defekt dhe pa ngatërresë, prej vezëve, prej pikëlave të lëngut, prej farërave dhe bërthamave të cilat i ngjasojnë njëra-tjetrës dhe lënda e të cilave është e njëjtë; që i krijon të stolisura, të balancuara dhe të rregullta njëqind mijë lloje kafshësh, njëqind mijë specie shpendësh, njëqind mijë lloje bimësh dhe njëqind mijë lloje pemësh, të cilat që të gjitha me veçoritë e tyre dalluese, janë të ndryshme nga njëra-tjetra. Me të gjithë këtë përzierje, përngjasimi dhe përafrimi, Ai na demonstron ne Unitetin dhe Njësinë e Tij brenda madhështisë dhe lartësisë së Fuqisë së Tij. Ndërkaq unë kuptova nga vërseti se ishte krejtësisht e pamundur që të kishte ndonjë ndërhyrje apo ortakëri në ato akte të Hyjnisë dhe të krijueshmërisë  të cilat shfaqnin mrekulli të tilla të panumërta.

Pastaj hodha vështrimin tek  ‘Ene’ ‘Unë’ që gjendej në  ‘Hasbuna’Allahu vetëm na mjafton”, domethënë hodha vështrimin tek vetja ime, bëra hulumtim në të dhe pashë se Ai që i krijoi kafshët nga një pikë uji, më krijoi edhe mua gjithashtu nga ajo; dhe më krijoi mua si një mrekulli prej mrekullive të Tij; Ai hapi veshin tim, bashkëngjiti syrin tim, dhe vendosi në kokën time trurin, në kraharorin tim një zemër dhe në gojën time një gjuhë, saqë krijoi në atë tru, në atë zemër dhe në atë gjuhë me qindra pesha dhe masa të holla me të cilat të mund të peshoj e të njoh të gjitha dhuratat e të Gjithëmëshirshmit të ruajtura e të depozituara në thesaret e mëshirës Hyjnore dhe me dhuratat e Tij bujare; dhe ka përfshirë në ato gjymtyrë me mijëra instrumente për të hapur dhe kuptuar thesaret e manifestimeve të pafundme të Emrave të Bukur Hyjnorë dhe i mbështeti ato instrumente dhe aparate me instruksione ndihmëse sa numri i aromave, i shijeve dhe i ngjyrave.

Po kështu, Ai xh.sh. ka përfshirë në këtë trup me rregull të përkryer emocione të ndjeshme, shqisa të brendshme dhe aftësi të holla jolëndore. Ai i ka krijuar me art të përkryer të gjitha sistemet, gjymtyrët dhe aftësitë e domosdoshme për jetën e njeriut, me qëllim që Ai të më bëjë mua të shijoj, të provoj e të kuptoj të gjitha shumëllojshmëritë e mirësive të Tij dhe që të më bëjë të njohur manifestimet e ndryshme të panumërta të Emrave të Tij, nëpërmjet atyre ndjenjave të holla dhe shqisave të brendshme, dhe të më shtyjë që t’i provoj e shijoj ato.

Për më tepër, Ai e ka bërë trupin tim, i cili duket i mjerë, i varfër dhe i parëndësishëm, ashtu si trupat e të gjithë besimtarëve, si një kalendar të bukur dhe si një ditar të universit, dhe si një kopje të zvogëluar të botës më të madhe, si një model të zvogëluar të kësaj dynjaje, si një mrekulli e ndritshme dhe e qartë e artit të Tij; si një blerës kërkues të çdo lloji prej llojeve të mirësive të Tij të panumërta, si një listë dhe indeks, dhe si një qendër për ligjet e Hyjnisë së Tij, si një mjet për të ekzekutuar urdhërat dhe zhvillimet e Tij; si një model për kopshtin e luleve të dhuratave të urtësisë dhe të mëshirës së Tij dhe si një marrës të kuptueshëm të adresimit Hyjnor. Gjithashtu Krijuesi ma dha mua jetën që ta bëjë ekzistencën -e cila është mirësia më e madhe- të madhe e të shumtë në qënien time, me qëllim që mirësia e kësaj ekzistencës sime të mund të shtrihet me jetën sa bota e dukshme.

Gjithashtu Ai xh.sh. më dha ‘humanizmin’, nëpërmjet të cilit mirësia e ekzistencës të mund të zbulohet në botërat fizike e shpirtërore, duke hapur rrugën për të përfituar -nëpërmjet shqiseve të veçanta për njeriun- prej atyre sferave të gjëra të mirësive.

Ai gjithashtu më ka dhuruar ‘Islamin’, nëpërmjet të cilit mirësia e ekzistencës të mund të shtrihet sa shtrirja e botës së padukshme dhe e botës së dukshme.

Gjithashtu Ai më dha mua besimin e sigurt të verifikuar, nëpërmjet të cilit mirësia e ekzistencës të mund t’i rrethojë mirësitë e dynjasë dhe të Ahiretit dhe të mund t’i përfshijë ato.

Gjithashtu Ai më dha njohjen dhe dashurinë për Zotin xh.sh. brenda besimit. Nëpërmjet kësaj Ai dhuroi një rang nëpërmjet të cilit mirësia e ekzistencës të mund t’i shtrijë duart me lavdërime e vlerësime për tek sferat e shumta duke filluar nga sfera e mundësive për tek bota e domosdoshmërisë dhe për tek sfera e Emrave të Bukur Hyjnorë, me qëllim që të përfitoj prej tyre.

Gjithashtu, Ai më ka dhënë në mënyrë të veçantë njohjen e Kur’anit dhe urtësinë e besimit, që nëpërmjet kësaj mirësie Ai më ka dhuruar një epërsi mbi shumë krijesa.

Gjithashtu Ai më ka dhënë aftësi gjithëpërfshirëse si ato që u përmendën më lart me qëllim që unë të mund të jem pasqyrë e plotë për Njësinë e Tij dhe për Hyjninë e Tij të përjetshme, dhe që të mund t’i përgjigjem me adhurim universal Hyjnisë së Tij universale të shenjtë.

Gjithashtu ashtu siç është vërtetuar nga të gjitha librat dhe shkrimet e shenjta që iu shpallën njerëzimit nëpërmjet profetëve, të dëshmuara e të provuara nga të gjithë pejgamberët, evlijatë dhe të pastërtit, Ai e blen prej meje ekzistencën time, jetën, dhe veten time -siç thuhet në vërsetet e Kur’anit- të cilat janë dhurata dhe të lëna amanet tek unë, me qëllim që ato të mos humbasin dhe të mos shkojnë kot. Ai në mënyrë të përsëritur dhe kategorike ka premtuar se do t’i ruajë ato me qëllim që t’i rikthejë përsëri tek unë, dhe se si çmim Ai do të japë një lumturi të përjetshme dhe parajsën. Këtë unë e kuptova me “njohurinë e sigurisë” dhe e besova me bindje të plotë.

Kështu, unë mësova nga vërseti, “All-llahu vetëm na mjafton neve dhe për ne Ai është Rregulluesi më i Mirë i punëve”, se Krijuesi im madhështor i Gjithëlavdishëm e Gjithëbujar, “hap” nëpërmjet Emrit të Tij El-Fet-tah, Hapës, format e qindra mijërave të llojeve të kafshëve dhe të bimëve prej pikave të ngjashme e të kufizuara dhe prej bërthamave të ngjashme dhe të kufizuara në numër, i hap me lehtësinë dhe me shpejtësinë më të skajshme dhe me përkryerjen më të skajshme, dhe ashtu siç u përmend më parë, Krijuesi xh.sh. i dha njeriut këtë rëndësi madhështore të habitshme, duke e bërë atë boshtin kryesor të veprave të Hyjnisë së Tij madhështore; po ashtu Ai do ta krijojë Ringjalljen e të vdekurve dhe Xhennetin dhe do të na dhurojë lumturinë e përjetshme me aq lehtësi dhe siguri ashtu siç do të krijojë pranverën e ardhshme.

Nëse do të kishte qenë e  mundur, unë do të kisha deklaruar nëpërmjet gjuhëve të të gjitha krijesave, por meqenëse ajo nuk është e mundur, unë deklaroj me nijet dhe nëpërmjet mendimit dhe imagjinatës:

“All-llahu vetëm na mjafton neve dhe për ne Ai është Rregulluesi më i Mirë i punëve”. Dhe kështu unë dëshiroj ta përsëris atë gjatë gjithë përjetësisë.

 

Shkalla e Katërt e vërsetit të ndritshëm All-llahu vetëm na mjafton neve dhe për ne Ai është Rregulluesi më i Mirë i punëve”.

Njëherë, kur një periudhë e pakujdesisë sime koinçidoi me qënien time të tronditur nga vështirësi e nga lëndime të ndryshme të tilla si: pleqëria, mërgimi, sëmundja dhe qënia ime i mposhtur në çështjen time, unë u mposhta nga një shqetësim pikëllues saqë pikërisht ekzistenca ime, pas së cilës isha lidhur fort dhe pas së cilës unë isha robëruar, do të pushonte së ekzistuari, do të shkonte në mosekzistencë, madje ekzistenca e të gjitha krijesave do të kalonte e do të përfundonte në zhdukje… Shkuarja e të gjithave në mosekzistencë më shkaktoi shqetësim të madh dhe një tronditje të dhimbshme. Përsëri unë përdora vërsetin All-llahu vetëm na mjafton neve dhe për ne Ai është Rregulluesi më i Mirë i punëve”, Ai -vërseti- më tha: “Studioje kuptimin tim dhe shiko nëpërmjet teleskopit të besimit!” Unë vështrova kuptimet e tij dhe pashë nëpërmjet syve të besimit se qënia ime e cila është një grimcë shumë e vockël ishte një pasqyrë për një ekzistencë të pakufishme, dhe nëpërmjet një shtrirjeje të pafundme ishte një mjet për të fituar ekzistenca të panumërta; ajo ishte një fjalë urtësie që prodhonte lloje të shumta të përhershme ekzistence që janë më të çmueshme se sa ekzistenca ime dhe më të larta në vlerë. Unë kuptova me “njohjen e sigurisë” se për shkak të lidhjes së saj me atë ekzistencë të pafundme, saqë të jetuarit e saj për një çast ishte aq e vlefshme sa të ekzistuarit përjetësisht; sepse duke kuptuar nëpërmjet intuitës së besimit se qënia ime është një vepër prej veprave të Ekzistuesit të Vetëm të domosdoshëm, si dhe arti dhe manifestimi i Tij, xh.sh… unë shpëtova prej errësirrës së pafundme të frikësimeve pikëlluese dhe prej dhimbjeve të ndarjeve të panumërta. Unë mësova se brenda një ndarje të përkohshme ishte një bashkim i përhershëm me qëniet që i doja, me të cilat nëpërmjet hallkave të vëllazërisë sa numri i Emrave të Bukur Hyjnorë të manifestuar në aktet që lidhen me krijesat e gjalla në mënyrë të veçantë, unë kisha fituar një lidhje.

Dihet se për ata të cilët i lidh i njëjti fshat, qytet apo vend, ose i njëjti regjiment, komandant, ose profesor, ne ndiejmë një vëllazëri të ngushtë dhe një miqësi të ngrohtë e të fortë; ndërsa ata që janë të privuar nga lidhje të këtilla vuajnë vazhdimisht një torturë të hidhur të rrethuar nga errësira të dhimbshme.

Gjithashtu frutat e një peme, në qoftë se do të kishin pasë vetëdije, intelekt, do të ndjenin se ato janë vëllezër, shokë dhe vëzhgues të njëri-tjetrit. Në qoftë se pema do të pushonte, ato fruta do të këputeshin prej saj, secili frut do të ndiente dhimbjen e ndarjes aq sa numri i frutave.

Kështu, nëpërmjet besimit dhe lidhjes që rezultojnë prej tij, ekzistenca ime -si ajo e të gjithë besimtarëve- fiton dritat e ekzistencave të panumërta të paprekura nga ndarja. Madje edhe në qoftë se ekzistenca ime do të largohej, qëndrueshmëria e atyre llojeve të ekzistencës pas saj do ta bënin ekzistencën time të kënaqur e të qetë sikur ajo të kishte mbetur vetë e plotë.

Për më tepër, ashtu siç është demonstruar në detaje në Letrën e Njëzet e Katërt, ekzistencat e të gjitha krijesave të gjalla dhe veçanërisht të atyre me shpirtëra, janë si fjalë. Ato fliten dhe shkruhen dhe pastaj zhduken. Por në vend të ekzistencave të tyre, ato lënë prapa ekzistenca të shumta të cilat mund të numërohen si ekzistenca të shkallës së dytë, si kuptimet e tyre, shëmbëlltyrat dhe format e tyre -në qoftë se kanë qenë Fjalë të bekuara, të mira- dhe realitetet e tyre.. vetëm atëherë ato kalojnë poshtë perdes dhe zhduken. Edhe ekzistenca ime është njëlloj si ajo fjalë.

Po ashtu është ekzistenca e çdo gjallese. Kur ato largohen nga ekzistenca e jashtme, ekzistenca ime dhe ekzistencat e të gjitha krijesave të gjalla, lënë pas tyre shpirtërat e tyre -në qoftë se janë prej qënieve me shpirtëra- dhe lënë kuptimet e tyre, realitetet dhe shëmbëlltyrat, rezultatet e tyre të kësaj dynjaje dhe frutat e Ahiretit të prodhuara nga ato në mënyra individuale -veç e veç-; ato lënë prapa format dhe identitetet e tyre në kujtesat e njerëzve dhe në Pllakat e Ruajtura dhe në shiritat e filmave të pamjeve të përjetshme, dhe në ekspozitat e njohjes së Parapërjetshme; dhe ato lënë në regjistrin e punëve të tyre tesbihatet e bëra nga qëniet e tyre esenciale, të cilat i përfaqësojnë dhe u japin qëndrueshmëri, dhe përgjigjet e tyre të bashkëlindura ndaj manifestimeve të Emrave të Bukur Hyjnorë dhe çfarë kërkojnë medoemos Emrat, dhe qënien e tyre si pasqyra ekzistuese për to, e lënë në sferën e Emrave.

Ato lënë prapa në vendet e tyre ekzistenca të shumta jofizike si këto, më të vlefshme se sa ekzistencat e tyre të jashtme, dhe atëherë ato largohen. Këtë unë e njoha me “njohurinë e sigurisë”.

Kështu, nëpërmjet besimit, intuitës dhe lidhjes që rezultojnë nga besimi, njeriu mund të pretendojë të jetë pronar i këtyre llojeve të lartëpërmendura të ekzistencave të përhershme jolëndore. Dhe në qoftë se nuk do të ishte besimi, ai do të humbiste në kotësi, do të shkonte në mosekzistencë, përveç qënies së tij i privuar nga ato lloje ekzistencash.

Njëherë, unë ndjeva një dëshpërim të madh për shkak të zhdukjes me një shpejtësi të madhe të luleve të pranverës dhe për asgjësimin e tyre; madje më erdhi shumë keq dhe u lëndova për ato krijesa delikate. Por e vërteta e lartëpërmendur që buroi nga besimi tregoi se ato lule të tilla bëhen lule në botën e kuptimit. Secila si një pemë frutdhënëse ose si një kalli. Për sa ka të bëjë me dritat e ekzistencës, të gjitha ato ekzistenca -përveç shpirtit- prodhojnë një përfitim të njëqindfishtë. Ekzistencat e tyre të jashtme nuk shkojnë në mosekzistencë, ato fshihen. Ato gjithashtu janë forma të reja të realitetit të qëndrueshëm të specieve; sepse qëniet e pranverës së kaluar prej gjetheve, luleve, frutave dhe gjërave të ngjashme me to, janë të njëjtat si ato në këtë pranverë; ndryshimi është vetëm i jashtëm.

Unë madje kuptova se ndryshimi i jashtëm ishte për t’i lejuar ato fjalë urtësie, ato fraza mëshire dhe ato shkronja fuqie të fitojnë kuptime të shumta të ndryshme. Në vend të ankimit dhe vajtimit për ikjen e atyre luleve, unë thirra duke përsëritur: Ma shaall-llah, Barekall-llah..!

Kështu, nëpërmjet intuitës së besimit dhe duke qenë i lidhur nëpërmjet besimit me Krijuesin e qiejve dhe të tokës, unë perceptova nga larg se çfarë burimi krenarie dhe nderi ishte të jesh vepra e artit të një Mjeshtri i Cili i stolisi qiejt me dritat e yjeve dhe e zbukuroi tokën me lule dhe me çudirat e krijesave dhe shfaqi mijëra mrekulli në secilin nga artifaktet e fuqisë së Tij- Sa e çmueshme dhe e rrallë do të ishte të jesh bërë nga një Mjeshtër i Tillë Mrekullibërës. Vërseti në mënyrë të veçantë më mësoi mua se meqenëse Ai Mjeshtër Mrekullibërës ka shkruar në kopjen e vockël të njeriut librin madhështor të qiejve dhe të tokës, madje duke e bërë njeriun të zgjedhur dhe një përmbledhje të plotë të atij libri, çfarë nderi i madh, çfarë arritje, plotësie, dhe mënyre për të fituar vlerë të lartë ishte kjo për njeriun, dhe se nëpërmjet lidhjes dhe intuitës së besimit, ai mund ta merrte dhe ta pretendonte atë nder. Duke i përfytyruar të gjitha krijesat në mendjen time, unë formova nijetin dhe thashë nëpërmjet gjuhëve të të gjitha atyre:  “All-llahu vetëm na mjafton neve dhe për ne Ai është Rregulluesi më i Mirë i punëve”.

 

Shkalla e Pestë e vërsetit të ndritshëm “All-llahu vetëm na mjafton neve dhe për ne Ai është Rregulluesi më i Mirë i punëve”.

 Njëherë tjetër kur jeta ime po tronditej nga pesha të rënda e situata të egra, unë e ktheva shikimin tim drejt jetës dhe pashë se jeta ime po kalonte shpejt për në Ahiret; unë po i afrohesha fundit të jetës sime; ajo kishte filluar të shuhej për shkak të shtypjes që kisha vuajtur. Mirëpo detyrat e rëndësishme të jetës, veçoritë e saja të larta dhe dobitë e saj të çmueshme të përmendura në trajtesën e Risale-i Nurit e cila hulumton rreth Emrit Hyjnor El-Hajj, i Gjalli i Përjetshëm, nuk përshtaten me këtë shuarje të shpejtë; përkundrazi ato përshtaten me një jetë të gjatë dhe të amshuar. Ndërkaq, me të gjithë dëshpërimin dhe dhimbjen mendova për këtë dhe iu referova profesorit tim duke përdorur vërsetin Kur’anor:  “All-llahu vetëm na mjafton neve dhe për ne Ai është Rregulluesi më i Mirë i punëve”, dhe ai më tha: Shikoje jetën ashtu siç e dëshiron El-Hajjul-Kajjumi Gjalli i Përjetshëm dhe Vetekzistuesi i Përhershëm”, i Cili ta dhuroi jetën!” Kështu e sodita atë me këtë teleskop dhe pashë se në qoftë se një aspekt i jetës shikonte tek unë, njëqind aspekte shikonin tek El-Hajj El-Muhji, “I Gjalli i Përjetshëm Jetëdhënës”. Në qoftë se njëri nga rezultatet e saja kishte të bënte me mua, një mijë nga rezultatet e saja i përkisnin Krijuesit tim. Prandaj, një çast i vetëm nga jeta, ose një moment nga koha brenda këtij aspekti ishte shumë i mjaftueshëm, dhe nuk ishte nevoja për një kohë të gjatë. Meqenëse kjo e vërtetë është shpjeguar me prova në pjesë të ndryshme të Risale-i Nurit, këtu në formë të përmbledhur e të shkurtuar ne do ta shpjegojmë atë në ‘katër çështje’.

Çështja e Parë: Unë sodita në mënyrën që esenca dhe realiteti i jetës shikojnë tek El-Hajj El-Kajjum, “I Gjalli i Përjetshëm, Vetekzistuesi i Përhershëm” dhe pashë se në realitet jeta ime ishte një magazinë çelësash të thesareve të Emrave Hyjnorë.. ishte një hartë e zvogëluar e skalitjeve të tyre të mahnitshme.. ishte një indeks i manifestimeve të tyre, një balancë e hollë dhe një masë e ndjeshme për të peshuar të vërtetat më të mëdhaja të universit.. ishte një fjalë urtësie e shkruar për të njohur dhe për të njoftuar, për të kuptuar dhe për të bërë të kuptuar Emrat Madhështorë të vlefshëm të El-Hajj El-Kajjum,Të Gjallit të Përjetshëm dhe Vetekzistuesit të Përhershëm”.

Realiteti i jetës në këtë mënyrë fiton me mijëra shkallë e rangje të çmueshme, madje vazhdimësia e saj prej një ore gjen dhe fiton rëndësinë e një jete të gjatë. Prandaj, për sa ka të bëjë me lidhjen e saj me të Përjetshmin e Vetëm, i Cili nuk ka kohë, nuk përkufizohet nga koha, jeta nuk mund të shikohet lidhur me gjatësinë apo me shkurtësinë e saj.

Çështja e Dytë: Hodha vështrimin tek të drejtat reale të jetës dhe pashë e kuptova se jeta ime është një mesazh Hyjnor; ajo i fton vëllezërit e mi, krijesat e tjera të vetëdijshme, të lexojnë vetveten; ajo është një vend studimi që bën të njohur Krijuesin Gjithëbujar. Ajo është një afishe njoftimi që shpall plotësitë e Krijuesit tim.. prej të drejtave të saj janë stolisja me vetëdije të plotë me dhurata të çmueshme dhe me dekorata të vyera që i janë dhuruar nga Krijuesi i jetës për t’i shfaqur përpara shikimit të Sulltanit të Gjithëlavdishëm në paradën e përditshme të përsëritur duke i paraqitur me vetëdije, me besim, me falënderime dhe me mirënjohje. Gjithashtu, prej të drejtave të saj është të perceptojë përshëndetjet e qënieve të gjalla të panumërta të cilat përshkruajnë me to Krijuesin e tyre; të kuptojë dhuratat e tesbihateve të tyre që i paraqesin si falënderim e lavdërim për Allahun;  dhe t’i shohë e t’i shpallë ato duke i dëshmuar.

Gjithashtu, prej të drejtave të saj është që ajo të bëjë të njohur me gojë dhe nëpërmjet gjuhëve të gjendjes së natyrshme dhe të adhurimit bukuritë e Hyjnisë së El-Hajj El-Kajjum, “Të Gjallit të Përjetshëm dhe Vetekzistuesit të Përhershëm”.. Dhe kështu, të drejta të larta të këtilla të jetës nuk kërkojnë një kohë të gjatë; dhe përveç kësaj ato e lartësojnë njëmijëfish vlerën dhe gradën e jetës; dhe ato janë një mijë herë më të vlefshme, më të larta dhe më të çmueshme se sa të drejtat e jetës së kësaj dynjaje. Dhe kur e mësova këtë me “njohjen e sigurisë”, thashë: “Lavdi Zotit! Sa i madh është besimi! Dhe sa shumë jetik është ai! Në çdo gjë që futet, ai i jep jetë asaj; madje një dritë prej tij e transformon këtë jetë të përkohshme në jetë të përhershme, dhe heq vulën e përkohshmërisë që është vënë sipër saj.

Çështja e Tretë: Unë sodita detyrat e natyrshme të jetës sime dhe tek dobitë e saj jomateriale të cilat shikonin Krijuesin tim Gjithëbujar, dhe pashë se ajo kryente detyrën e pasqyrës për Krijuesin e jetës në tre mënyra:

Mënyra e Parë: Nëpërmjet pafuqisë së saj, dobësisë, varfërisë dhe nevojës, jeta ime kryen misionin e një pasqyre që reflekton fuqinë e Krijuesit të jetës, forcën, pasurinë dhe mëshirën e Tij. Sepse ashtu siç njihen shkallët e shijes së ushqimit sipas përqindjes së shkallës së urisë, dhe shkallët e dritës njihen nëpërmjet shkallëve të errësirës; dhe shkallët e nxehtësisë njihen nëpërmjet shkallëve të të ftohtit, po ashtu nëpërmjet pafuqisë sime dhe varfërisë sime të pakufishme në jetën time, unë kuptova fuqinë absolute të Krijuesit tim dhe mëshirën e Tij të gjërë lidhur me përgjigjjen ndaj nevojave të mia të pafundme dhe lidhur me zmbrapsjen e armiqve të mi të panumërt. Dhe mësova detyrën e adhurimit dhe u pajisa me lutje, dua, përgjërim, përulësi dhe, duke kërkuar strehim tek Zoti xh.sh. i ndërmora këto detyra.

Mënyra e Dytë: është të vepruarit si një pasqyrë për Atributet universalë dhe gjithëpërfshirës dhe për aktet madhështore të Krijuesit tim Gjithëbujar nëpërmjet kuptimeve të njohjes, dëshirës, dëgjimit, shikimit dhe si shembulli i këtyre prej cilësive të pjesshme në jetën time. Po, unë mësova nëpërmjet të pjesshmeve cilësi të tilla, si njohjen, dëgjimin, shikimin, fjalën dhe dëshirën me të cilat përshkruhet jeta ime private dhe aktet e mia që i kryej me vetëdije; dhe mësova nëpërmjet tyre -si masa e vogëlsisë sime në krahasim me madhësinë e universit- atributet universale e gjithëpërfshirëse të Krijuesit tim, të tilla, si: njohjen, dëshirën, dëgjimin, shikimin, jetën dhe fuqinë; dhe, gjithashtu kuptova nëpërmjet tyre cilësitë e Tij madhështore të tilla, si: dashurinë, zemërimin, mëshirën dhe dhembshurinë. Unë i besova ato atribute dhe ato cilësi madhështore, i vërtetova dhe i dëshmova dhe, nëpërmjet tyre, gjeta një rrugë tjetër për njohjen e Allahut.

Mënyra e Tretë: është të vepruarit si një pasqyrë për Emrat Hyjnorë, skalitjet dhe manifestimet e të cilëve janë të pranishëm në jetën time.

Po, sa herë që sodisja tek jeta ime dhe tek trupi im, shikoja qindra lloje prej veprave të mrekullueshme, skalitjeve dhe arteve dhe, për më tepër, vështroja se unë ushqehesha në mënyrën më të mëshirshme e të dhembshur. Kështu nëpërmjet dritës së besimit unë kuptova se sa bujar i jashtëzakonshëm, i mëshirshëm, i dhembshur, me fuqi të skajshme dhe me mjeshtëri të mahnitshme ishte Ai i Cili më krijoi dhe më dha jetë. Unë gjithashtu mësova se çfarë do të thotë Tesbihat, shenjtërim, lavdërim, falënderim, madhërim, lartësim, njësim dhe të deklaruarit e madhështisë dhe të lartësisë së Tij dhe si shembulli i këtyre prej detyrave të natyrshme, qëllimeve të krijimit dhe rezultateve të jetës.

Unë mësova me “njohjen e sigurisë” arsyen pse jeta është krijesa më e çmueshme në univers dhe përse çdo gjë i nënshtrohet asaj, dhe mësova urtësinë e ekzistencës së një pasioni të bashkëlindur për jetën tek gjithkush; dhe kuptova se shpirti i jetës është vetëm besimi.

Çështja e Katërt: me qëllim që të mësoja dhe të gjeja përgjigje se cila ishte kënaqësia reale e jetës sime në këtë dynja dhe cila ishte lumturia e saj, unë përsëri bëra hulumtim mbi vërsetin  “All-llahu vetëm na mjafton neve dhe për ne Ai është Rregulluesi më i Mirë i punëve”. Unë pashë se kënaqësia më e pastër dhe lumturia më e panjollosur në këtë jetën time qëndronin në besim. Domethënë, në besimin tim të sigurt se unë isha krijesa, artifakti dhe robi krejtësisht pronë e një Krijuesi të Vetëm të Gjithëmëshirshëm i Cili më krijoi dhe më dha jetë, se isha nën shikimin e Tij, nën përkujdesjen, ushqehesha prej Tij dhe gjatë gjithë kohës kisha nevojë për Të, dhe se Ai ishte edhe Mbështetësi im, edhe Zoti im dhe ishte shumë Mëshirëplotë dhe i Dhembshur për mua. Ky besimi im ishte një kënaqësi e plotë, e përhershme, pa dhimbje dhe ishte një lumturi e papërshkrueshme. Ndërkaq unë kuptova nga vërseti se sa e përshtatshme ishte thënia:  “Lavdi Zotit për mirësinë e besimit!”

Kështu, këto katër çështje, domethënë, realiteti, të drejtat, detyrat dhe kënaqësia e jetës tregojnë se, sa më shumë që të orientohet jeta tek El-Hajj, El-Kajjum, El-Baki, “i Gjalli i Përjetshëm, Vetekzistuesi i Përhershëm, i Qëndrueshmi i Amshuar”, dhe sa më shumë të bëhet besimi jeta dhe shpirti i jetës, aq më e qëndrueshme bëhet ajo dhe aq më shumë fruta të qëndrueshëm prodhon ajo.

Për më tepër, ajo bëhet aq e lartë e sublime, saqë ajo merr manifestimin e përjetësisë; ajo nuk shikon më tek gjatësia apo tek shkurtësia e jetës. Këtë unë e mësova nga vërseti. Dhe në emrin e të gjitha jetëve dhe qënieve të gjalla, dhe me atë qëllim e mendim, unë deklarova:   “All-llahu vetëm na mjafton neve dhe për ne Ai është Rregulluesi më i Mirë i punëve”.

 

Shkalla e Gjashtë e vërsetit të ndritshëm All-llahu vetëm na mjafton neve dhe për ne Ai është Rregulluesi më i Mirë i punëve”.

Në kohën kur pleqëria ime po më kujtonte për ndarjen time personale nëpërmjet atyre ndarjeve të përgjithshme të gjithanshme të cilët paralajmëronin ngjarjet e kijametit dhe shkatërrimin, fundin e dynjasë, dhe nëpërmjet zbulimit të gjërë të jashtëzakonshëm, në kohët e fundit të jetës sime, të ndjeshmërisë për bukurinë, mallëngjimit të madh ndaj saj, dhe joshjes pas plotësive të ngulitura thellë në natyrën time… nëpërmjet të gjitha këtyre, pashë se zhdukja dhe përkohshmëria të cilat shkatërrojnë në mënyrë të vazhdueshme, dhe se vdekja dhe mosekzistenca të cilat shkaktojnë ndarje vazhdimisht; i pashë ato të dyja duke e prishur në mënyrë të tmerrshme e të llahtarshme bukurinë e kësaj dynjaje të bukur, duke e shformuar e duke e copëtuar atë dhe duke shkatërruar bukurinë e krijesave të saj. Unë ndjeva dhimbje të thella dhe u pikëllova shumë nga ajo çfarë pashë. Duke kërkuar ngushëllim pasi dashuria ‘metaforike’ në natyrën time u rebelua shumë kundra kësaj situate, unë përdora vërsetin Kur’anor. Ndërkohë ai më tha: “Recitomë mirë, dhe studioje me vëmendje kuptimin tim!”

Kështu unë hyra në observatorin e sures së Dritës, En-Nur, në vërsetin “Allahu është Drita e qiejve dhe e tokës…” Prej andej sodita nëpërmjet teleskopit të besimt nivelet më të largëta të vërsetit “Allahu vetëm na mjafton neve…”, dhe në të njëjtën kohë pashë nëpërmjet intuitës së besimit misteret e tij më të holla.. Unë pashë se ashtu siç shfaqin pasqyrat, objektet e shndritshëm, copat e xhamit dhe madje edhe shkumëzimi i detit dhe flluskat e tij lloje të ndryshme të bukurisë së fshehur të dritës së diellit dhe bukurinë e ndryshme të shtatë ngjyrave të tij, dhe me kapacitetet e tyre të ndryshme dhe me ndryshimin dhe ripërtëritjen, ripërtërijnë bukuritë e tij; dhe duke reflektuar e përthyer dritën, bëjnë të njohur bukuritë e fshehura të diellit dhe shtatë ngjyrat në dritën e tij; po ashtu është çështja me këto artifakte të bukura, me këto krijesa të holla dhe me këto qënie të hijshme e të këndshme, të cilat vijnë pa pushim dhe largohen me qëllim që të veprojnë si pasqyra për bukurinë e shenjtë të “të Hirplotit të Gjithëlavdishëm” i Cili është “Drita e parapërjetshme dhe e paspërjetshme” duke ripërtërirë me këtë manifestimet e bukurisë së Tij të shenjtë dhe manifestimet e bukurisë së përhershme të Emrave të Tij të Bukur xh.sh… Atëherë Bukuria e jashtme në këto krijesa dhe hijeshia e dukshme në to nuk janë pronë e tyre, por ato janë aluzione për atë bukuri të shenjtë të përjetshme e cila dëshiron të shfaqet, dhe janë shenja e shkreptima të asaj hijeshie të pastër që manifestohet vazhdimisht, dhe të asaj bukurie të shenjtë të lartësuar e cila dëshiron të shihet e të bëjë të shohë. Kjo është shpjeguar në mënyrë të hollësishme në Risale-i Nur dhe është mbështetur me prova të fuqishme. Këtu, do të aludohet në mënyrë të shkurtuar për tre nga ato prova.

Prova e Parë: Bukuria e një objekti të punuar me mjeshtëri, e bukur tregon prerazi bukurinë e mjeshtërisë, të artit. Kjo bukuri arti dhe përsosmëria e tij artistike tregon bukurinë e Autorit të saj që buron prej asaj mjeshtërie; dhe bukuria e titullit të mjeshtërisë së Artistit tregon bukurinë e cilësisë së atij Autori Mjeshtër e cila i referohet asaj mjeshtërie; dhe bukuria e kësaj cilësisë së tij tregon bukurinë e aftësive dhe të talentit të tij; dhe bukuria e aftësisë së tij tregon në mënyrë të vetëkuptueshme bukurinë e esencës së Tij dhe bukurinë e realitetit të Tij.

Ashtu si këto dëshmi që janë vendimtare e të vetëkuptueshme, po ashtu Hijeshia dhe Bukuria e jashtme në krijesat e bukura në të gjithë këtë botë, dhe arti i mrekullueshëm që shihet në të gjitha krijesat e bukura, dëshmojnë në mënyrë vendimtare për bukurinë dhe hijeshinë e veprave të Autorit të Gjithëlavdishëm. Dhe bukuria dhe hijeshia në aktet e Tij xh.sh. -padyshim tregojnë për bukurinë dhe hijeshinë e titujve që i shikojnë ato akte, domethënë, dëshmojnë bukurinë dhe hijeshinë e Emrave të bukur Hyjnorë. Dhe bukuria dhe hijeshia e Emrave dëshmon në mënyrë vendimtare për bukurinë dhe hijeshinë e Atributeve të shenjta, të cilat janë burimi i atyre Emrave. Dhe bukuria dhe hijeshia e Atributeve dëshmon prerazi për bukurinë dhe hijeshinë e cilësive dhe aftësive esenciale të cilat janë burimi i atyre atributeve. Dhe bukuria dhe hijeshia e cilësive dhe e aftësive esenciale dëshmojnë në mënyrë të vetëkuptueshme për bukurinë dhe hijeshinë e Plotësisë së Shenjtë të Esencës që është burimi i akteve dhe është vepruesi që cilësohet nga Emrat dhe Atributet, dhe dëshmojnë për bukurinë e shenjtë të Realitetit të Tij. Domethënë, Krijuesi, Autori Hirplot Zotëron një bukuri e hijeshi të pakufishme që i përshtatet Esencës së Tij të shenjtë, një hije e vetme e së cilës i ka zbukuruar të gjitha këto qënie; Ai, Krijuesi, Zotëron një bukuri të lartësuar, të shenjtë, një manifestim i së cilës e ka pajisur me bukuri të gjithë universin, si dhe ka stolisur e ndriçuar me shkreptimat e asaj bukurie e hijeshie të gjithë sferën e mundësive.

Po, ashtu si një vepër e punuar me mjeshtëri që nuk mund të vijë në ekzistencë pa një akt, po ashtu edhe akti nuk mund të ndodhë pa një veprues, që ta kryejë aktin. Dhe ashtu siç është e pamundur që të ketë emra pa dikë që ata tregojnë, po ashtu është e pamundur të ketë atribute pa dikë që ato cilësojnë. Meqenëse ekzistenca e një vepre arti tregon në mënyrë të vetëkuptueshme aktin e një autori i cili e punoi atë me mjeshtëri, dhe se ekzistenca e atij akti tregon ekzistencën e vepruesit të tij, titujt e tij dhe cilësitë e tij të cilat sollën si rezultat atë vepër dhe për emrin e tij, atëherë padyshim plotësia dhe bukuria e veprës së artit tregojnë gjithashtu bukurinë dhe plotësinë të veçanta për aktin që e punoi me mjeshtëri, dhe kjo tregon bukurinë e veçantë e të përshtatshme për emrin e bërësit të aktit; dhe kjo me “njohurinë e sigurisë” dhe në mënyrë të vetëkuptueshme tregon për plotësinë dhe bukurinë e Esencës dhe të Realitetit të Tij, të cilat janë të përshtatshme dhe të denja për atë Esencë dhe për atë realitet.

Pikërisht në të njëjtën mënyrë, meqenëse është e pamundur për aktivitetin e vazhdueshëm nën perden e veprave të artit në univers që të jetë pa shkaktuesin e aktivitetit; dhe Emrat, manifestimet dhe skalitjet e të cilëve janë të dukshme mbi krijesa, është e pamundur që të jenë pa atë që ato tregojnë e shprehin, po ashtu është e pamundur që fuqia, dëshira dhe të tjera si këto prej Atributeve madhështore, të cilat janë pothuajse të dukshme, të jenë pa Atë që ato cilësojnë.

Atëherë të gjitha veprat e artit, krijesat dhe artifaktet në këtë univers, me ekzistencat e tyre të pakufishme, tregojnë në mënyrë vendimtare ekzistencën e akteve të Krijuesit të tyre, Autorit dhe Bërësit të tyre; tregojnë ekzistencën e Emrave të Tij, ekzistencën e Atributeve të Tij, ekzistencën e cilësive të Tij esenciale dhe ekzistencën e domosdoshme të Esencës së Tij më të pastër e të shenjtë.

Gjithashtu, të gjitha llojet e ndryshme të bukurisë, të plotësisë dhe të hijeshisë që shihen në krijesat dëshmojnë me qartësi të plotë -por në një mënyrë të veçantë dhe të denjë për shenjtërinë dhe për domosdoshmërinë e tyre- për plotësitë dhe bukuritë e pafundme, të pakufishme dhe të larmishme të akteve të Autorit të Gjithëlavdishëm, për Emrat e Tij, Atributet, Cilësitë dhe për Esencën e Tij të shenjtë; Gjithashtu ato tregojnë në mënyrë vendimtare për bukuritë e tyre të larta e sublime, të cilat i tejkalojnë shumë ato të të gjitha qënieve.

Prova e Dytë përmban Pesë Pika:

Pika e Parë: Duke u mbështetur në ndriçimet dhe në zbulesat e tyre, imamët, drejtuesit e njerëzve të realitetit kanë besuar dhe kanë deklaruar me unanimitet -pavarësisht rrugëve dhe metodave të tyre që ndryshojnë shumë nga njëra-tjetra- se shembujt e bukurisë dhe të hijeshisë në të gjitha gjërat janë hijet, shkreptimat dhe manifestimet e bukurisë së shenjtë të fshehur dhe e hijeshisë së lartësuar të Ekzistuesit të Vetëm të domosdoshëm.

Pika e dytë: Të gjitha krijesat e bukura shfaqen karvan pas karvani dhe pastaj pa ndaluar, zhduken; ato vijnë njëra pas tjetrës në vijim dhe pastaj largohen. Mirëpo një bukuri e lartë dhe e pandryshueshme e shfaq vetveten në pasqyrat e atyre krijesave duke demonstruar me siguri nëpërmjet vazhdimësisë së manifestimit të saj se ajo bukuri nuk u përket atyre krijesave të bukura; dhe nuk është as bukuria e atyre pasqyrave. Përkundrazi ajo janë rrezet e një bukurie të përjetshme, ashtu siç tregon vazhdimësia e bukurisë së rrezeve të diellit mbi flluskat e ujit rrjedhës bukurinë e tij të vazhdueshme.

Pika e Tretë: Është e qartë dhe e vetëkuptueshme se ashtu siç vjen drita nga diçka e ndritshme, dhënia e ekzistencës nga diçka ekzistuese, mirëbërësia -dhurata- nga pasuria, bujaria nga begatia dhe mësimdhënia nga njohja, po ashtu është e vetëkuptueshme se dhënia e hijeshisë vjen nga i hijshmi dhe dhënia e bukurisë vjen nga i bukuri; kjo nuk mund të jetë në ndonjë mënyrë tjetër. Duke u mbështetur mbi këtë të vërtetë ne besojmë dhe themi se të gjitha llojet e bukurisë që shihen tek të gjitha qëniet vijnë nga një i bukur Hirplot, bukuria e të Cilit është e pakufishme saqë universi duke ndryshuar vazhdimisht dhe duke u ripërtërirë pandërprerë përshkruan bukurinë e Atij të Bukuri Hirplotë dhe e bën atë të njohur nëpërmjet të gjitha krijesave të tij dhe nëpërmjet gjuhëve të përmbushjes së tyre të detyrës së pasqyrave që reflektojnë atë bukuri.

Pika e Katërt: Ashtu si trupi që mbështetet tek shpirti, ekziston nëpërmjet tij dhe gjallërohet prej tij, dhe ashtu siç shikon fjala tek kuptimi dhe ndriçohet nga ai; dhe forma mbështetet tek Realiteti dhe fiton vlerë nëpërmjet tij; po ashtu kjo botë, bota e dukshme materiale e fizike është një trup, një fjalë, një formë e cila mbështetet tek Emrat Hyjnorë prapa Perdes së të Padukshmes, duke marrë jetë dhe gjallëri prej tyre; ajo orientohet drejt tyre dhe i shikon ato dhe zbukurohet dhe i shtohet shkëlqimi: Të gjitha llojet e bukurisë fizike burojnë nga bukuritë jofizike të kuptimeve të tyre dhe nga një hijeshi jolëndore e realiteteve të tyre. Sa për realitetet e tyre, ato marrin shkëlqim prej Emrave Hyjnorë dhe janë një lloj prej hijeve të atyre Emrave. Kjo e vërtetë është provuar në mënyrë vendimtare në Risale-i Nur.

Kjo do të thotë se të gjitha varietetet dhe llojet e bukurisë në univers janë shenjat, treguesit dhe manifestimet -nëpërmjet Emrave- të një bukurie të shenjtë, bukuri që manifestohet pa të meta dhe e zhveshur nga lënda, bukuri që manifestohet nga prapa perdes së të padukshmes. Por ashtu si Esenca më e pastër dhe e shenjtë e Ekzistuesit të Vetëm të Domosdoshëm të Cilës nuk i ngjason absolutisht asnjë esence tjetër, dhe ashtu si Atributet e Tij madhështorë që janë të shenjta dhe pafundësisht më të larta se atributet e qënieve të mundshme, po ashtu bukuria e Tij e shenjtë gjithashtu nuk i ngjason bukurisë së qënieve të mundshme dhe nuk është absolutisht si hijeshia e krijesave. Përkundrazi, ajo është një bukuri e lartë, sublime, e shenjtë, e lartësuar dhe absolute. Sigurisht, një bukuri e përjetshme që një manifestim i vetëm i së cilës është parajsa e gjërë me të gjitha shijet e hijeshisë dhe të shkëlqimit të saj dhe shikimi për një orë i bukurisë së Tij xh.sh. nga banorët e Xhennetit i bën ata ta harrojnë atë parajsë të bukur, atëherë nuk ka dyshim se kjo bukuri e amshuar është e pafundme, krejtësisht e pangjashme, e pakrahasueshme dhe e pashoqe.

Dihet se bukuria e një gjëje i përshtatet asaj dhe është në përputhje me të; dhe ka me mijëra lloje bukurish e ngjyrash të cilat që të gjitha ndryshojnë nga njëra-tjetra ashtu si ndryshimi i llojeve të krijesave. Për shembull, bukuria e perceptuar nga syri nuk është njëlloj si diçka e bukur e dëgjuar me vesh; dhe një bukuri abstrakte e kapur nga mendja nuk është njëlloj si bukuria e ushqimit që ndjehet e shijohet me gojë; po ashtu bukuritë që vlerësohen e perceptohen si të bukura nga zemra, shpirti dhe nga shqiset e jashtme dhe të brendshme janë të gjitha të ndryshme ashtu si ndryshimi i atyre shqiseve dhe i aftësive të holla.

Për shembull, bukuria e besimit, bukuria e realitetit, bukuria e dritës, bukuria e një luleje, bukuria e shpirtit, dhe bukuritë e formës, mëshirës, drejtësisë, mirësisë dhe urtësisë… çdo lloj prej llojeve të kësaj bukurie është i ndryshëm nga tjetra.

Gjithashtu, bukuria e Emrave të bukur të Hirplotit të Gjithëlavdishëm; kjo bukuri që është një bukuri absolute ndryshojnë nga njëra-tjetra; Prandaj llojet e bukurisë dhe të hijeshisë në qënie gjithashtu janë të ndryshme për këtë shkak.

Në qoftë se dëshiron të shikosh një manifestim të vetëm prej llojeve të bukurisë së Emrave të Hirplotit të Gjithëlavdishëm që manifestohet në pasqyrat e qënieve, vështro me syrin e imagjinatës së gjërë tek sipërfaqja e tokës duke e supozuar të jetë një kopësht i vogël përpara teje; ti do të shohësh se termat si mëshira, dhembshuria, urtësia dhe drejtësia aludojnë edhe për Emrat e Allahut, edhe për aktet e Tij, edhe për Atributet e Tij si dhe për cilësitë e Tij madhështore.

Hidhe vështrimin tek ushqimet e qënieve të gjalla -me në krye njeriun- ato ushqime dërgohen në mënyrë të rregullt e të mahnitshme prej prapa perdes së të padukshmes… dhe shihe bukurinë e mëshirës Hyjnore.

Pastaj shikoje mënyrën e mrekullueshme të të ushqyerit e të gjithë të vegjëlve, dhe dy pompat e qumështit të varura sipër kokave të tyre në kraharorët e nënave të tyre, ai ushqim që është më i ëmbli e më i pastërti rrjedh për ta si uji i Selsebilit, Keutherit… dhe shikoje bukurinë joshëse, bukurinë e mëshirës Hyjnore.

Atëherë shikoje bukurinë e pashoqe të urtësisë Hyjnore, e cila e ka bërë të gjithë universin si një libër madhështor urtësie çdo shkronjë e të cilit përmban njëqind fjalë; çdo fjalë e të cilit përmban qindra rreshta; çdo rresht i të cilit përmban një mijë e një kapituj dhe çdo kapitull i të cilit përmban me mijëra libra të vegjël… Shikoje bukurinë e pakrahasueshme, bukurinë e urtësisë Hyjnore.

Pastaj shikoje bukurinë autoritare e të ndritshme, bukurinë e drejtësisë Hyjnore që i mban të gjithë universin dhe të gjitha qëniet e tij në ekuilibër; mban balancën e të gjithë trupave qiellorë të lartë e të poshtëm; dhe u jep përshtatshmëri, simetri, përpjesëtim e harmoni që janë elementet më të rëndësishëm thelbësorë të bukurisë; dhe e bën çdo gjë të fitojë gjendjen më të mirë; dhe u jep të drejtat e jetës qënieve të gjalla; dhe siguron se të drejtat e tyre janë të garantuara; dhe ndalon e dënon agresorët.

Pastaj hidhe vështrimin tek njeriu! Gjithëruajtësi ka shkruar historinë e jetës së kaluar të tij në fuqinë e memories së tij -në kujtesën e tij- e cila është aq e vogël sa një kokërr gruri; dhe i ka përfshirë programet e jetëve dytësore të të gjitha bimëve dhe pemëve në farërat dhe në bërthamat e tyre; dhe u ka dhënë gjallesave gjymtyrë dhe aftësi të domosdoshme për t’u mbrojtur; shikoji për shembull krahët e bletëve dhe thumbimet, pickimet e tyre thumbuese, bajonetat e vogla të bimëve gjembake dhe lëvozhgat e forta të farave; dhe shihe bukurinë e hollë të ruajtjes dhe të mbrojtjes Hyjnore.

Pastaj shikoji mysafirët e të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit Gjithëbujar tek tryeza e të gjithë tokës, dhe erërat e këndshme të ushqimeve të ndryshme të panumërta të përgatitura nga mëshira, dhe ngjyrat e tyre të bukura e të larmishme, dhe shijet e tyre të shijshme e të ndryshme, dhe organet dhe gjymtyrët e të gjitha krijesave të gjalla të cilat përshtaten dhe ndihmojnë kënaqësinë dhe ëndjet e jetëve të tyre; dhe shikoje bukurinë jashtëzakonisht të këndshme dhe të ëmbël të mirëbërësisë dhe të bujarisë Hyjnore.

Hidhe vështrimin tek format e mahnitshme, të urta e kuptimplota të krijesave të gjalla -me në krye njeriun- ato forma që hapen nga pikat e lëngut nëpërmjet manifestimit të Emrave Hyjnorë El-Fet-tah dhe El-Musav-vir, Hapësi dhe Formëdhënësi, dhe hidhe vështrimin tek fytyrat joshëse të luleve të pranverës të cilat  hapen nga farërat dhe bërthamat  shumë të vogëla.. dhe shikoje bukurinë e mrekullueshme, bukurinë Hyjnore të ‘Hapjes’ dhe të ‘formëdhënies’.

Kështu, duke bërë analogji me këto shembuj, secili nga Emrat e Bukur Hyjnorë ka një bukuri të lartë e të shenjtë të veçantë për të, një manifestim i vetëm i të cilës bën të bukur botën e gjërë dhe speciet e panumërta të qënieve.

Ashtu siç shihet manifestimi i bukurisë së një Emri Hyjnor në një lule të vetme; po ashtu pranvera është një lule, edhe parajsa gjithashtu është një lule ende e paparë.

Në qoftë se do të kishe mundësinë ta shihje pranverën, të gjithë pranverën, dhe ta shihje parajsën me syrin e besimit, atëherë vështroje dhe shikoje madhështinë e bukurisë së përjetshme.

Në qoftë se ti do t’i përgjigjeshe asaj bukurie me bukurinë e besimit dhe me bukurinë e adhurimit, ti do të ishe krijesa më e bukur dhe në modelin më të bukur. Ndërsa në qoftë se ti e takon atë bukuri me shëmtinë e pakufishme të çudhëzimit dhe me shëmtinë e neveritshme të rebelimit, mosbindjes, ti do të ishe krijesa më e shëmtuar dhe në efekt do të ishe krijesa më e neveritshme për të gjitha krijesat e bukura.

Pika e Pestë: Në përputhje me rregullin se të gjitha artet e bukura, mjeshtëritë e holla, veçoritë, plotësitë, bukuritë dhe hijeshitë dëshirojnë ta shfaqin vetveten dhe vetë të jenë të vlerësuara, një mjeshtër madhështor i cili ka qindra arte, mjeshtëri, plotësi dhe bukuri të pafundme ndërtoi një pallat madhështor të jashtëzakonshëm me qëllim që të bëjë të njohur dhe të paraqesë e të përshkruajë të gjitha artet e Tij, mjeshtëritë, plotësitë dhe bukuritë e Tij të fshehura.

Kushdo që e shikon këtë pallat madhështor të mbushur me mrekulli e çudira, sigurisht menjëherë do të mendonte për virtytet, artet, plotësitë dhe veçoritë e ndërtuesit, autorit dhe pronarit të tij.

Ky shikim hulumtues e çon atë t’i vërtetojë e t’i besojë ato virtyte e veçori tamam sikur t’i shihte me sytë e tij, dhe do të thonte: “Ai që nuk është i bukur dhe mjeshtër i talentuar në të gjitha anët, kurrësesi nuk do të mund të ishte burimi, krijuesi, “ndërtuesi dhe shpikësi i këtij pallati të mahnitshëm, i kësaj vepre kaq të bukur”.Është sikur bukuritë jolëndore të atij “Ndërtuesi dhe Plotësitë e Tij janë mishëruar në këtë pallat”.

Pikërisht në të njëjtën mënyrë, në qoftë se nuk do t’i ishin prishur mendja dhe zemra, ai person që do ta shikonte bukurinë e kësaj bote që quhet universi, këtë ekspozitë të mahnitshme, këtë pallat madhështor dhe krijesat e çuditshme, nuk ka dyshim se ai menjëherë do të mendonte se ky pallat që është stolisur me këtë bukuri madhështore, është vetëm se një pasqyrë reflektuese për të shfaqur bukuritë e një tjetri, hijeshitë dhe plotësitë e Tij. Domethënë, përderisa ky pallat, pallati i botës, nuk ka të barabartë e të përngjashëm dhe asgjë nuk i ngjason atij që të mund ta kishte marrë bukurinë prej saj dhe të kishte imituar e kopjuar hijeshitë prej saj, atëherë nuk ka dyshim se Autori i tij, dhe ndërtuesi i tij zotëron bukuritë dhe hijeshitë që përshtaten me Vetveten e Tij dhe me Emrat e Tij; bota merr bukurinë prej Tij. Dhe për këtë arsye u ndërtua kjo botë në përputhje me dritat e asaj bukurie, dhe u shkrua si një libër i mahnitshëm madhështor me qëllim që ta shprehë atë bukuri.

Prova e Tretë përmban tre Pika:

Pika e Parë: kjo është një e vërtetë e shpjeguar në mënyrë të hollësishme në Vendqëndrimin e Tretë të Fjalës së Tridhjetë e Dytë. Duke ia referuar asaj Fjale shpjegimin e saj të detajuar, këtu ne do ta shqyrtojmë vetëm me një aluzion të hollësishëm.

Ne i sodisim krijesat dhe sidomos kafshët dhe bimët që janë para nesh, dhe shohim se mbi ato sundon një stolisje e vazhdueshme, një zbukurim i hollë dhe një rregull i përsosur -që kurrsesi ato nuk mund t’i atribuohen Rastësisë- të cilat tregojnë qëllim dhe vullnet dhe bëjnë të ditur njohjen dhe urtësinë.

Gjithashtu shikohet se në çdo gjë ndodhet një art aq i përkryer, një urtësi aq e hollë, një stolisje aq e lartësuar, një organizim aq me dhembshuri dhe një situatë aq e ëmbël, saqë kuptohet qartë në mënyrë të vetëkuptueshme, se prapa perdes së të padukshmes, është një Autor Mrekullibërës i Cili dëshiron ta bëjë artin e Tij të vlerësueshëm, të tërheqë shikimet për tek ai art dhe të kënaqë shikuesit; që dëshiron ta bëjë Vetveten të njohur tek të vetëdijshmit, dëshiron ta bëjë Vetveten të dashur tek ata dhe t’i shtyjë ata për të bërë Lavdërime ndaj Tij duke shfaqur shumë prej mjeshtërive dhe plotësive të Tij në çdo vepër të artit të Tij.

Gjithashtu shikohet se Krijuesi xh.sh. u bën mirë krijesave të vetëdijshme me qëllim që t’i kënaqë ato dhe t’i bëjë të lumtura e miq për Vetveten, u dhuron çdo lloj mirësie të shijshme prej vendesh të paparashikuara në një mënyrë që është krejtësisht e pamundur që t’i atribuohen rastësisë.

Gjithashtu vëzhgohen një trajtim bujar, një njohje e ndërsjellë dhe një dialog i ngushtë miqësor me gjuhën e gjendjes dhe një përgjigje me dhembshuri ndaj lutjeve gjë që e bën të perceptohet një dhembshuri shumë e thellë dhe një mëshirë shumë e lartësuar.

Domethënë, Dhurimi i mirësisë dhe dhënia e kënaqësisë që shihen prapa bërjes të njohur dhe bërjes të dashur, të cilat janë aq të qarta si dielli, burojnë nga një dëshirë dhembshurie shumë e rrënjosur dhe nga një dëshirë mëshire shumë e fuqishme dhe e gjërë.

Atëherë ekzistenca e një dëshire të tillë të fuqishme e të rrënjosur në dhembshurinë dhe në mëshirën në Atë i Cili është i Vetmjaftueshmi Absolut dhe që nuk ka nevojë për asgjë, sigurisht demonstron një bukuri krejtësisht të plotë, të parapërjetshme, të përhershme dhe të pashoqe, natyra dhe realiteti i të cilës bëjnë të domosdoshme dëshirën e saj për t’u shfaqur dhe për ta shikuar vetveten në pasqyra. Me qëllim që ta shfaqë e ta shohë vetveten në pasqyra të ndryshme, kjo bukuri ka marrë formën e dhembshurisë dhe të mëshirës; pastaj në pasqyrat e qënieve të vetëdijshme ajo ka marrë gjendjen e mirëbërësisë; pastaj ka marrë formën e bërjes së vetvetes të njohur e të dashur, dhe pastaj dha dritën, dritën e stolisjes së krijesave dhe dritën e bërjes së tyre të bukura.

Pika e Dytë: Ekzistenca e një përmallimi të fortë Hyjnor dhe e një dashurie të fuqishme Hyjnore tek ata persona të panumërt dhe sidomos tek klasa më e lartë e njerëzimit, pavarësisht rrugëve dhe metodave të tyre që janë të gjitha të ndryshme, tregojnë në mënyrë të vetëkuptueshme për një bukuri të pashoqe dhe e bëjnë të domosdoshme atë. Po, një dashuri e tillë shikon vetëm tek një bukuri e tillë dhe e bën të domosdoshme atë, dhe një pasion i tillë kërkon një hijeshi të tillë. Madje të gjitha lavdërimet e dhëna nga qëniet me gojë dhe nëpërmjet gjuhës së gjendjes shikojnë tej ajo bukuri e parapërjetshme dhe ngjiten tek ajo. Në shikimin e ashikëve si Shemsi Tabrizi, të gjitha tërheqjet, robërimet, ekstazat, dallditë dhe të vërtetat tërheqëse në univers janë shenjat e një të vërteteje tërheqëse të parapërjetshme dhe të paspërjetshme. Ndërsa lëvizja e dalldisur dhe rrotullimet që i bëjnë trupat qiellorë të lartë e të poshtëm dhe të gjitha qëniet të vallëzojnë e të rrotullohen si flutura dhe dervishë mevlevi ashikë janë përgjigjjet e pasionuara, plotë dashuri në kryerjen e detyrës ndaj shfaqjeve autoritare të bukurisë së shenjtë të asaj të vërtete tërheqëse.

Pika e Tretë: Të gjithë dijetarët që kanë kërkuar e verifikuar realitetin kanë pajtueshmëri mendimi se ekzistenca është mirësi e pastër dhe dritë, ndërsa mosekzistenca është thjesht e keqe dhe errësirë. Imamët e njerëzve të arsyes dhe njerëzit e zemrës kanë rënë dakord unanimisht, nëpërmjet analizave përfundimtare, se të gjithë shembujt e mirësisë, të bukurisë dhe të kënaqësisë burojnë nga ekzistenca, dhe se të gjitha të këqijat, të prishurat, fatkeqësitë, dhimbjet e vuajtjet -dhe madje edhe mëkatet- i atribuohen mosekzistencës.

Në qoftë se ti thua: Burimi i të gjitha bukurive është ekzistenca, por gjithashtu në ekzistencë ndodhen mosbesimi dhe egoizmi i nefsit?

Përgjigjja: Mosbesimi është mosekzistencë për shkak se ai është mohimi i të vërtetave të besimit. Sa për ekzistencën e egoizmit, ajo është një formë mosekzistence që ka fituar ngjyrën dhe formën e ekzistencës për shkak të një pretendimi të gabuar të pronësisë, duke mos e njohur egoizmi qënien e vet se është thjesht një pasqyrë dhe duke e përfytyruar diçka imagjinare të jetë aktuale -reale.

Meqenëse burimi i të gjitha bukurive është ekzistenca dhe burimi i të gjitha llojeve të shëmtisë është mosekzistenca, atëherë nuk ka dyshim se ekzistenca më e fuqishme, më e lartësuar, më e shndritshme dhe më e largëta prej mosekzistencës është ekzistenca e parapërjetshme dhe e paspërjetshme e Ekzistuesit të Vetëm të domosdoshëm… dhe ajo kërkon bukurinë që është më e fuqishmja, më e lartësuara, më e ndritshmja dhe më e largëta prej mangësive -të metave-; madje ajo duhet të jetë një bukuri e tillë. Ashtu siç bën të domosdoshme dielli dritën e gjithanshme e gjithëpërfshirëse, po kështu Ekzistuesi i Vetëm i domosdoshëm bën të domosdoshme një bukuri të përjetshme; Ai jep dritë nëpërmjet saj.

 

Të gjitha lavdërimet i takojnë Allahut për Dritën e Imanit.

“Zoti ynë! Mos na ndëshko në qoftë se harrojmë, apo biem në gabime…”[5]

“Lavdia të takon Ty! Ne nuk dimë asgjë më tepër nga ç’na ke mësuar Ti. Vërtetë që Vetëm Ti je i Gjithëdituri, i Gjithurti”.

 

* * *

 

Shënim

Nëntë shkallët e vërsetit të ndritshëm “Allahu vetëm na mjafton neve” do të shkruheshin, por për shkak të disa rrethanave, tri shkallë janë shtyrë për më vonë.

Kujtesë: Meqenëse Risale-i Nuri i përket Kur’anit dhe është një komentim i mbështetur me prova nga Kur’ani, ai përmban përsëritje të domosdoshme, me urtësi, madje të dobishme të cilat nuk i shkaktojnë lexuesit mërzi. Gjithashtu, meqenëse Risale-i Nuri përbëhet nga provat e vërtetimit të Unitetit Hyjnor, e cila nuk shkakton mërzi, por përsëritet me kënaqësi e zell, përsëritjet e saj të domosdoshme nuk konsiderohen një mangësi në të dhe nuk duhet të shkaktojnë mërzi.

\

* * *

 

 

 

Kapitulli i Pestë

Mbi shkallët e “All-llahu vetëm na mjafton neve dhe për ne Ai është Rregulluesi më i Mirë i punëve”.[6]

Kjo përbëhet nga Pesë “Pika”.

Pika e Parë

Kjo frazë është një ilaç i provuar mirë për sëmundjen e pafuqisë njerëzore dhe për atë të varfërisë njerëzore: “All-llahu vetëm na mjafton neve dhe për ne Ai është Rregulluesi më i Mirë i punëve” sepse Ai është Dhënësi i ekzistencës, është i Qëndrueshmi përjetësisht. Prandaj nuk ka dëm apo të keqe nga kalimi e zhdukja e qënieve; sepse gjërat që janë të dashura vazhdojnë të ekzistojnë nëpërmjet vazhdimësisë së Ekzistuesit të Vetëm të domosdoshëm i Cili u dha atyre ekzistencë.

Ai është Autori, Krijuesi, i Qëndrueshmi përjetësisht; atëherë kalueshmëria, zhdukja e krijesave nuk shkakton dëshpërim, sepse boshti i dashurisë për to, Krijuesi i tyre, është i Qëndrueshëm përjetësisht.

Ai është Mbreti i Përjetshëm dhe Pronari, prandaj nuk ka pikëllim për kalimin, zhdukjen e pronave të Tij të ripërtërira për largimin dhe për ripërtëritjen e tyre;

Ai është Dëshmitari i Gjithëditur i Qëndrueshëm përjetësisht, prandaj asnjë brengë nuk duhet të ndjehet për zhdukjen nga kjo botë e gjërave që janë të dashura, sepse ato kanë ekzistencë të përjetshme në sferën e njohjes së Dëshmitarit të Amshuar dhe në shikimin e Tij.

Ai është Pronari dhe Krijuesi i Qëndrueshëm përjetësisht; prandaj nuk ka dhimbje për kalimin, zhdukjen e gjërave të bukura, sepse burimi i bukurisë së tyre, Emrat e Krijuesit të tyre janë të përjetshëm.

Ai është Trashëgimtari -Ai që jep trashëgimi-, Dhënësi i Jetës dhe i Qëndrueshmi përjetësisht; prandaj nuk duhet të ketë vajtim e pikëllim për ndarjen nga të dashurit, sepse Ai që do t’i ringjallë dhe do t’i rikthejë përsëri, është i përhershëm.

Ai është Hirploti i Gjithëlavdishëm, i Qëndrueshmi përjetësisht; prandaj nuk duhet të ketë dëshpërim për zhdukjen e gjërave të bukura, sepse ato gjëra të bukura janë pasqyrat e Emrave të bukur, të cilët vazhdojnë bashkë me bukuritë e tyre pas zhdukjes së pasqyrave.

Ai është i Adhuruari, i Dashuri i Qëndrueshëm përjetësisht, atëherë nuk duhet të ndjehet pikëllim për kalimin, zhdukjen e të dashurave ‘metaforike’, sepse i Dashuri i vërtetë është i përhershëm.

Ai është i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti, i Dashuri, i Dhembshuri, i Qëndrueshmi i Përjetshëm; kështu kalimi, zhdukja e dhuruesve të jashtëm të mirësive dhe të mëshirës nuk ka rëndësi; kjo nuk duhet të shkaktojë dëshpërim e brengë, sepse Ai që Mëshira dhe Dhembshuria e të Cilit i rrethojnë dhe i përfshijnë të gjitha gjërat është i Qëndrueshëm përjetësisht.

Ai është Hirploti, i Miri, dhe Mirëbërësi i Qëndrueshëm; Prandaj, zhdukja e qënieve të mira, të këndshme e të dhembshura nuk duhet as të shkaktojë dhimbje, dhe as nuk duhet t’i jepet rëndësi, sepse Ai që merr vendin e të gjitha atyre dhe një manifestim të vetëm të të Cilit ato të gjitha nuk mund ta zëvendësojnë, është i Qëndrueshëm Përjetësisht.

Meqenëse Ai është i Qëndrueshëm Përjetësisht dhe i Zotëron të gjitha këto atribute, Ai e merr vendin e çdo lloji prej të dashurave të përkohshme e kalimtare në këtë dynja.

“All-llahu vetëm na mjafton neve dhe për ne Ai është Rregulluesi më i Mirë i punëve”.

Po, e mjaftueshme për pavdekshmërinë e kësaj dynjaje dhe për gjithçka që ajo përmban, është ekzistenca e përjetshme e Pronarit, Autorit dhe Krijuesit të saj.

Pika e Dytë

I mjaftueshëm për pavdekshmërinë është Allahu, sepse Ai është Zoti im i Përjetshëm, Krijuesi im i Përhershëm, Dhënësi i Përjetshëm i ekzistencës sime, Autori im i Përjetshëm, Pronari im i Përjetshëm, Dëshmitari im i Përjetshëm, i Adhuruari im i Përjetshëm dhe Ringjallësi im i Përjetshëm. Prandaj nuk ka dëm në zhdukjen e qënies sime; nuk duhet të ketë as dëshpërim, as pikëllim dhe as lëndim; sepse Dhënësi i ekzistencës sime është i Përjetshëm, dhe krijueshmëria e Tij nëpërmjet Emrave të Tij është e përjetshme. Cilësitë në personin tim nuk janë gjë tjetër veçse një rreze prej njërit nga Emrat e Tij të Përjetshëm. Kështu zhdukja e atyre cilësive të mia dhe kalimi i tyre nuk konsiderohen asgjësim për to, sepse ato janë të pranishme në sferën e njohjes së Krijuesit të tyre, janë të përjetshme dhe brenda shikimit të Tij.

Gjithashtu, i mjaftueshëm për mua lidhur me pavdekshmërinë dhe me kënaqësinë e saj, janë njohja ime, të kuptuarit, vetëdija dhe besimi se rrezet në qënien time të Një Emri të përjetshëm të Zotit tim të Përjetshëm janë të përhershme; dhe se realiteti i qënies sime nuk është gjë tjetër veçse një hije e Atij Emri Hyjnor; dhe se nëpërmjet misterit të reflektimit të tij ose të imazhit në pasqyrën e qënies sime, natyra ime nuk është në vetvete e dashur, por e dashur për llogari të pavdekshmërisë së gjërave të ndryshme të përjetshme të reflektuara në të.

Pika e Tretë

“All-llahu vetëm na mjafton neve dhe për ne Ai është Rregulluesi më i Mirë i punëve” sepse Ai është Ekzistuesi i vetëm i domosdoshëm, dhe këto qënie të përkohshme kalimtare nuk janë gjë tjetër veçse vende reflektimi dhe ripërtëritje e manifestimeve të ekzistencës së Tij dhe të Dhënies së ekzistencës. Nëpërmjet Tij dhe nëpërmjet të qenurit i lidhur me Të dhe nëpërmjet njohjes së Tij, janë dritat e pafundme të ekzistencës; ndërsa pa Të ndodhen errësirat e pafundme të mosekzistencës dhe dhimbjet e pakufishme të ndarjeve.

Këto qënie të përkohshme kalimtare janë thjesht pasqyra, dhe me ndryshimin e përcaktimeve të tyre relative, ato ripërtërihen në gjashtë aspekte në përkohshmërinë e tyre, në zhdukjen dhe në përhershmërinë e Tij;

I Pari: Ekzistenca e përhershme e kuptimeve të tyre të bukura dhe e identiteteve në Botën e Shëmbëllesës.

I Dyti: Ekzistenca e përhershme e formave të tyre në pllakat e Botës së Shëmbëllesës.

I Treti: Ekzistenca e përhershme e rezultateve dhe e frutave të tyre që shikojnë botën tjetër, që janë orientuar drejt Ahiretit.

I Katërti: Ekzistenca e përhershme e tesbihateve të tyre Hyjnore, të përfaqësuara -në Pllakën e Ruajtur-, të cilat janë një lloj ekzistence për to.

I Pesti: Ekzistenca e Përhershme në ekspozitat e njohjes dhe me panoramat e përjetshme.

I Gjashti: Ekzistenca e Përhershme e shpirtërave të tyre, në qoftë se janë prej qënieve me shpirtëra, sepse funksionet dhe gjendjet e tyre të ndryshme në vdekjen e tyre, në përkohshmërinë, në zhdukjen, në asgjësimin, në shfaqjen dhe në shuarjen e tyre, nuk është gjë tjetër veçse ajo çfarë kërkohet nga Emrat e Bukur Hyjnorë. Për shkak të këtij misteri, qëniet u bënë si një lumë i rrëmbyer me një shpejtësi të skajshme në valët e jetës e të vdekjes, ekzistencës dhe të mosekzistencës. Dhe nga ky funksion buron aktiviteti i përhershëm dhe Krijueshmëria e vazhdueshme. Atëherë unë dhe gjithkush tjetër detyrohet të thotë: “All-llahu vetëm na mjafton neve dhe për ne Ai është Rregulluesi më i Mirë i punëve”. Domethënë, për sa ka të bëjë me ekzistencën, është e mjaftueshme për mua që jam vepra e Ekzistuesit të Vetëm të Domosdoshëm; të marrësh këtë ekzistencë të ndritshme për një çast të vetëm kalimtar është e preferueshme mbi miliona vite të ekzistencës së dukshme të pafrutshme.

Po, nëpërmjet misterit të të qenurit i lidhur me Zotin nëpërmjet besimit, një minut i kësaj ekzistence është e barasvlershme me mijëra vite pa lidhjen e besimit; madje shkallët e ekzistencës së atij minuti janë më të plota e më të shtrira se sa ato mijëra vite.

Gjithashtu, e mjaftueshme për mua për ekzistencën dhe për vlerën e ekzistencës është qënia ime arti i Atij të Vetmi madhështia e të Cilit është në qiell dhe shenjat e Tij janë në tokë, dhe i Cili i krijoi qiejt dhe tokën për gjashtë Ditë.

Gjithashtu, e mjaftueshme për mua për krenarinë dhe për nderin është qënia ime krijesa, robi krejtësisht në pronësi dhe shërbëtori i Një të Vetmi, në lidhje me plotësinë dhe bukurinë e të Cilit të gjitha bukuritë dhe plotësitë e universit janë thjesht hije të dobëta e të zbehta, janë shenjat e plotësisë së Tij dhe treguesit e bukurisë së Tij.

Gjithashtu, e mjaftueshme për mua për gjithçka është Ai i Cili ruan numra të pallogaritshëm mirësish në kontenierë të vegjël, në arka shumë të holla, midis Kefit dhe NunitBëhu! Dhe ajo eshtë bërë (në çast)”- dhe nëpërmjet fuqisë së Tij ruan me miliona ton në një grusht të Vetëm prej sunduqeve, arkave të holla të quajtura farërat dhe bërthamat”.

Gjithashtu, i mjaftueshëm për mua në vend të të gjithë atyre që kanë bukuri e mirëbërësi është Hirploti  Mëshirëplotë; sepse të gjitha këto krijesa të bukura janë thjesht pasqyra të përkohshme për ripërtëritjen e dritave të bukurisë së Tij me kalimin e stinëve, shekujve dhe epokave.

Dhe të gjitha këto mirësi të përsëritura, të herëpas-hershme dhe këto fruta të njëpasnjëshme të pranverës e të verës janë vende manifestimi për ripërtëritjen e shkallëve të mirëbërësisë së tij të vazhdueshme me kalimin e krijesave, të ditëve dhe të viteve.

Gjithashtu, i mjaftueshëm për mua për jetën dhe për natyrën e saj të vërtetë, është qënia ime një hartë, një indeks, një përmbledhje, balancë dhe masë për manifestimet e Emrave të Krijuesit të vdekjes dhe të jetës.

Gjithashtu, e mjaftueshme për mua për jetën dhe për detyrën e saj, është qënia ime një fjalë e shkruar me penën e fuqisë, duke treguar e duke bërë të kuptueshëm Emrat e të Gjithëfuqishmit Absolut, të Gjallit të përjetshëm dhe të Vetekzistuesit të përhershëm, nëpërmjet jetës sime duke marrë manifestimet e cilësive esenciale të Krijuesit tim; dhe Ai ka Emrat më të bukur.

Gjithashtu, e mjaftueshme për mua për jetën dhe për të drejtat e saj është shfaqja ime midis vëllezërve të mi krijesa dhe duke e shpallur e duke e ekspozuar në shikimin e dëshmuesve të Krijuesit të universit qënien time të stolisur me manifestimet e Emrave të  Krijuesit tim, i Cili më ka stolisur me mantelin e zbukuruar me xhevahire të qënies sime, veshjen e natyrës sime të bashkëlindur dhe gjerdanin e jetës sime të mirësistemuar, që është zbukuruar me dhuratat e mëshirës së Tij.

Gjithashtu, të mjaftueshme për mua për të drejtat e jetës sime janë kuptimi im ndaj përshëndetjeve të krijesave të gjalla të Dhënësit të jetës dhe vëzhgimi im ndaj tyre, dhe dëshmia ime për to.

Gjithashtu, e mjaftueshme për mua për të drejtat e jetës sime është qënia ime e stolisur dhe e zbukuruar me xhevahiret e mirëbërësisë së Tij, për t’i paraqitur ato me vetëdije, për shkak të besimit tim, ndaj shikimit të Sulltanit të Parapërjetshëm.

Gjithashtu, e mjaftueshme për mua për jetën dhe kënaqësitë e saja është njohja ime, kuptimi, vetëdija dhe besimi që unë jam robi i Tij, artifakti, krijesa, i varfëri dhe nevojtari për Të; dhe Ai është Krijuesi Mëshirëplotë për mua, Gjithëbujar i Dhembshur e Mirëbërës ndaj meje, i Cili më ushqen ashtu siç i përshtatet urtësisë dhe mëshirës së Tij.

Gjithashtu, e mjaftueshme për mua për jetën time dhe për vlerën e saj është qënia ime një masë, nëpërmjet pafuqisë sime absolute, varfërisë sime absolute dhe dobësisë sime absolute, për shkallët e fuqisë së të Gjithëfuqishmit absolut dhe për shkallët e mëshirës së Mëshirëplotit absolut dhe për nivelet e fuqisë së të Plotfuqishmit Absolut.

Gjithashtu, është e mjaftueshme për mua qënia ime si masë nëpërmjet të pjesshmeve të cilësive të mia të tilla, si: njohja, dëshira dhe fuqia e pjesshme për të kuptuar atributet dhe cilësitë gjithëpërfshirëse të Krijuesit tim. Unë kuptoj njohjen e Tij gjithëpërfshirëse nëpërmjet njohjes sime të pjesshme.

Gjithashtu, e mjaftueshme për mua për plotësi është njohja ime se Zoti im është i Ploti absolut, dhe çfarëdo gjërash që ndodhen në univers të cilat janë të plota, ato janë shenjat e Plotësisë së Tij dhe tregues të Plotësisë së Tij.

Gjithashtu, e mjaftueshme për mua për plotësi në veten time është besimi në Zotin, sepse për njeriun, besimi është burimi i të gjitha plotësimeve.

Gjithashtu, i mjaftueshëm për mua për të gjitha nevojat e mia të kërkuara nëpërmjet gjuhëve të aftësive të mia të ndryshme, është Zoti im, Ushqyesi, Edukuesi, Krijuesi dhe Dhënësi i formës sime; Atij i takojnë Emrat më të bukur; Ai më jep me ngrënë e me pirë; më zhvillon, më administron dhe më plotëson mua; Ai është i pakufishëm në lavdi, dhe favoret e Tij janë gjithëpërfshirëse.

Pika e Katërt

I mjaftueshëm për mua për të gjitha dëshirat e mia është Ai i Cili hapi formën time dhe formën e krijesave të gjalla si shembulli im nga një lëng nëpërmjet artit të Tij të hollë, fuqisë së Tij të hollë, urtësisë së Tij të hollë dhe Hyjnisë së Tij të hollë.

Gjithashtu, i mjaftueshëm për mua për të gjitha qëllimet e mia është Ai i Cili më bëri, më krijoi, hapi veshët dhe sytë e mi, përfshiu në trupin tim gjuhën dhe zemrën time, dhe vendosi në to dhe në aftësitë e tjera të mia peshore të panumërta të sakta për të peshuar përmbajtjet e thesareve të mëshirës së Tij. Gjithashtu, Ai vendosi në gjuhën time, në zemrën time dhe në natyrën time, instrumente të ndjeshme të pallogaritshme për të matur e vlerësuar varietetet e thesareve të Emrave të Tij.

Gjithashu, i mjaftueshëm për mua është Ai i Cili, nëpërmjet Hyjnisë së Tij të gjithëlavdishme, mëshirës së Tij të bukur, Hyjnisë së Tij madhështore, dhembshurisë së Tij bujare, fuqisë së Tij madhështore dhe urtësisë së Tij të hollë, përfshiu në personin tim të vogël e të ulët dhe vendosi në qënien time të dobët e të varfër këto gjymtyrë e aftësi, këto organe e sisteme, këto shqisa e ndjenja, këto aftësi të brendshme dhe fuqi shpirtërore, që të më lejojë t’i njoh të gjitha shumëllojshmëritë e mirësitë e mirësive të Tij dhe për të kuptuar e përjetuar shumicën e manifestimeve të Emrave të Tij.

Pika e Pestë

Unë dhe të gjithë njerëzit duhet të deklarojmë me mirënjohje e me krenari:

I mjaftueshëm për mua është Ai që më krijoi dhe më nxori nga errësira e mosekzistencës, duke më dhuruar mua dritën e ekzistencës.

Gjithashtu, i mjaftueshëm për mua është Ai i Cili më bëri të gjallë dhe më dhuroi mirësinë e jetës e cila u jep gjithçka atyre që e posedojnë atë dhe i shtrin duart e saja tek të gjitha gjërat.

Gjithashtu, i mjaftueshëm për mua është Ai i Cili më bëri një qënie njerëzore dhe më dhuroi mua mirësinë e humanizmit që e bën njeriun si një botë.

Gjithashtu, i mjaftueshëm për mua është Ai që më bëri mua besimtar dhe më dhuroi mirësinë e besimit i cili i bën dynjanë dhe Ahiretin si dy tryeza të mbushura me mirësi dhe ia paraqet ato besimtarit nëpërmjet dorës së besimit.

Gjithashtu, i mjaftueshëm për mua është Ai i Cili më bëri një anëtar të ummetit -komunitetit- të të Dashurit të Tij, Muhammed a.s.m. dhe që më dhuroi mua dashurinë për Zotin dhe të jem i dashur prej Tij, të cilat gjenden në besim dhe janë shkallët më të larta të plotësimit njerëzor; dhe nëpërmjet kësaj dashurie që buron nga besimi shtrihen duart e përfitimit të besimtarit tek përmbajtjet e pafundme të sferave të mundësisë dhe të domosdoshmërisë.

Gjithashtu, i mjaftueshëm për mua është Ai i Cili më dha preferencë lidhur me natyrën, specien, fenë dhe besimin mbi shumicën e krijesave të Tij, që nuk më bëri mua të pagjallë, as kafshë dhe as nuk më la në çudhëzim. Prandaj lavdërimet dhe falënderimet i takojnë Vetëm Atij.

Gjithashtu, i mjaftueshëm për mua është Ai i Cili më bëri mua një vend gjithëpërfshirës për manifestimet e Emrave të Tij, dhe në përputhje me kuptimin e hadithit: “Qiejt dhe toka nuk më nxënë, unë përfshihem në zemrën e shërbëtorit tim besimtar”.[7]

Ai më dhuroi një mirësi të cilën nuk e nxë universi; domethënë, natyra esenciale e njeriut është një vend gjithëpërfshirës i manifestimit të të gjithë Emrave të Bukur Hyjnorë të manifestuar në univers.

Gjithashtu, i mjaftueshëm për mua është Ai i Cili e bleu prej meje pronën e Tij që është tek unë, me qëllim që ta ruajë atë dhe më vonë të ma kthejë përsëri dhe na dha parajsën si çmim të saj. Atij i takojnë falënderime e lavdërime sa numri i grimcave të qënies sime të shumëzuar me numrin e atomeve në ekzistencë, në univers.

 

I mjaftueshëm për mua është Krijuesi im; Zoti qoftë i lartësuar!

Dhe Drita e Muhammedit: bekimet e Allahut qofshin mbi të!

Nuk ka Zot tjetër përveç Allahut!

I mjaftueshëm për mua është Krijuesi im; Zoti qoftë i Lartësuar!

Jeta e brendshme e zemrës sime është përmendja e Allahut;

përmendja e Ahmedit; bekimet e Zotit qofshin mbi të!

Nuk ka Zot tjetër përveç Allahut!

* * *

 

 

 

 

[1] Kur’an, 3:173

[2] Kur’an, 3:173

[3] Kjo i referohet Njazi Al-Misri (1218-1294), një poet sufi i cili u lind në krahinën e Malatias në Turqi. Ai studioi në Al-Azhar, dhe prandaj u quajt Almisri. Ai shkroi një divan poezie dhe vepra të tjera, dhe dha mësim në shkollat fetare të Stambollit për shumë vite. Përkthyesi.

[4] Kur’an, 36:82, etj…

[5] Kur’an, 2:286

[6] Ky është Kapitulli i Pestë i Shkreptimës së Njëzet e Nëntë në arabisht të cilën Ustadhi e përfshiu këtu pa shënime. Kush dëshiron, le t’i referohet asaj shkreptime në formën e saj të plotë. Përkthyesi

[7] Transmeton Ahmedi