“O bir!
Ti je bej, princ, dhe, pas kësaj,  zemërimi na takon neve, butësia, ty; prekja në zemër, neve, fitimi i zemrave, ty; akuza për faj, neve, pranimi, ty; dobësia, vetë-mashtrimi, neve, mirëkuptimi, ty; ngatërresat, përfytjet, mosmarrëveshjet, neve, drejtësia, ty; syri i keq, goja sa një çorape, vlerësimi i padrejtë, neve, falja, ty!..”
“O bir!
Pas kësaj, përçarja na takon neve, pajtimi, ty; përtacia, neve, tërheqja e vërejtjes, inkurajimi, formimi
ynë, ty!..”
“O bir!
Ngarkesën e ke të rëndë, punën, të vështirë, fuqinë, të lidhur për një qimeje… Allahu të qoftë ndihmëtar! Princërisë t’i dhëntë bekim! Ta bëftë të dobishme në rrugën e të Vërtetës! Dritës t’i dhëntë shkëlqim! Ta bëftë dritën të të shkojë larg, shumë larg! Të dhëntë fuqi ta mbash barrën, të dhëntë mendje dhe zemër që të të mos rrëshqasë këmba!”
“O bir!

Të jesh i fortë, i fuqishëm, i mençur e i gojës!… Por po s’e dite se ku dhe si do t’i përdorësh këto, ikën tutje me erën e mëngjesit, zemërimi dhe egoizmi të bërë bashkë, ta mundin arsyen. Prandaj të jesh gjithmonë i durueshëm, i vendosur dhe i zoti i vullnetit tënd!..
Durimi ka shumë rëndësi. Një princ apo sundimtar duhet të dijë të durojë. Lulja nuk çel para kohe. Dardha e pabërë nuk hahet; edhe po ta hash, të ngel në fyt.
Edhe shpata pa dije është krejt si dardha e pabërë!
Populli yt le të jetojë si di. Mos ia kthe shpinën popullit! Ndjeja qenien në çdo kohë. Është kjo kulturë që edhe e drejton, edhe e mban gjallë shoqërinë!”
“O bir,
Njerëzit ekzistojnë, në agim lindin dhe në ezanin e mbrëmjes vdesin!
Bota s’është e madhe siç ta shohin sytë. Të gjitha të fshehtat e pazbuluara, të panjohurat, do të dalin në dritë të ditës vetëm me virtytin dhe drejtësinë tënde!
Respektoji nënën dhe atin! Dħe se begatia është bashkë me të mëdhenjtë!
Në këtë botë, po e humbe besimin, ndërsa je i blertë, thahesh, kthehesh në shkretëtirë!
Bëhu fjalëhapur! Mos e merr çdo fjalë mbi vete! Po i pe gjërat që është më e dobishme, madje të nevojshme të fshihen, mos i thuaj; po i dite, mos i trego! Mos shko në atë vend ku të duan, aq shpesh sa të bëhesh i mërzitshëm se të tronditen dashuria dhe konsiderata!..”
Të të vijë më keq për dijetarin mes injorantëve, për atë që ka qenë i pasur dhe është varfëruar dhe për atë që e ka humbur konsideratën ndërsa ka qenë i respektuar!
Mos harro se ata që zënë vend lart, nuk janë aq në siguri sa ata të poshtmit!
Mos ki frikë nga lufta ku ke të drejtë! Ta dish se më të mirit kalë i thonë ‘dorí’ dhe më të mirit trim, ‘deli’!
Fitorja më e madhe është ta njohësh vetveten. Njeriu është armik i vetvetes! Por kur e njeh vetveten, bëhet mik i vetvetes!
Po u ul, njeriu nuk ngrihet aq lehtë! Po s’lëvizi, njeriu mpihet. Me t’u mpirë, nis të llomotisë dhe llomotitja kthehet në thashetheme. Dhe pasi të nisin thashethemet, fillon prishja: miku bëhet armik, armiku bëhet lugat!
Fuqia e personit një ditë shterron, por dija jeton.
Drita e dijes hyn brenda edhe nëpërmjet syve të mbyllur, madje, fiton dritë!
Gomari ngordh, i mbetet samari; njeriu vdes, i mbetet emri! Duhet qarë jo ai që shkon, por ai që s’lë gjë pas! Gjëja e lënë pas duhet vazhduar!
S’kemi të drejtë të rrimë, të pushojmë, sepse s’kemi kohë, kurse afatin e kemi të shkurtër!
Dashuria duhet të jetë baza e çështjes. Kurse shprehja e dashurisë bëhet heshtazi, jo me të bërtitur,
as vetëm me të parë!
Ai që s’e njeh të shkuarën, s’e njeh dot as të ardhmen. Osman, njihe mirë të shkuarën që të ardhmen
ta shohësh saktë! Mos harro nga ke ardhur që të mos harrosh ku do të shkosh!”/ zell.al

 

*Shejh Edebali dhe Osman Gazi kanë qenë bashkëkohas, Edebaliu ishte prijësi shpirtëror i kohës, Osman Gazi ishte sulltani i kohës.