Dëshmia e mirë është thuajse si një dua dhe Allahu i Madhëruar, për arsye të mendimit të mirë të besimtarëve për dikë, e fal atë njeri. Mirëpo, siç është sqaruar më herët, në këtë çështje duhet ruajtur kufiri dhe nuk duhen dhënë garanci të tepruara për njerëzit, sepse në një tjetër hadith, kur dikush tha për Osman bin Madhunin (r.a.) “Shkoi në Xhenet”, i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) i tërhoqi vëmendjen duke i thënë: “Ku e dini ju? Unë jam profet dhe nuk e di.”[1] E pra, Osman bin Madhuni (r.a.) ishte një ndër dy-tre sahabët, për vdekjen e të cilëve Profeti ynë qau dhe i vetmi që e kishte zgjedhur në Medinë si vëlla në shpirt.

Paragjykimi është edhe një çështje psikologjike. Pra, dikush që i pëlqen vetja dhe është mësuar të jetë vazhdimisht i suksesshëm, asnjëherë nuk i pëlqen dhe nuk i lëvdon të tjerët. Kjo gjendje është një sëmundje e vërtetë. Për shpëtimin e shoqërisë, të tillë tipa duhen kuruar pranë psikoterapistëve shumë të mirë, sepse psikologët dhe pedagogët, edhe për karakterin më të keq, pohojnë se ndjenjat e këqija mund të vihen nën trysni.

Kështu, kundrejt të tjerëve kemi detyrimin e paramendimit të mirë. Njeriu, sado i pamëshirshëm që të tregohet ndaj egos së vet, kundrejt të tjerëve është i detyruar të ushqejë mendim të mirë. Nëse, për shembull, duke parë mënyrën se si disa ecin në rrugë, e gjykojmë me mendimin: “Sikur të ishin myslimanë, do t’i ndalnin sytë prej të ndaluarës, apo kur të shihnin të ndaluarën, do të lanin sytë”, atëherë vjen një ditë që kjo na çon në gjykimin: “Atëherë ata nuk janë myslimanë”, gjykim që është e qartë se sa i rrezikshëm është.

Paragjykimi i ushqyer për profetët, sipas shumicës së dijetarëve, është kufër. Ndërsa paragjykimi për evlijatë dhe shehët është një gabim që mund të bëhet shkak për rënie e shkatërrim. Fjalët që themi, stili i sjelljes, gjestet dhe mimika jonë nuk duhet të shërbejnë për të shtyrë të tjerët në gabime.

Po, një njeri që është joshës për sytë e shoqërisë, që, për ta shprehur ndryshe, shndërrohet në qendrën e vëmendjes së njerëzve, është i detyruar ta braktisë të qenit si gjithkush. Ai, edhe nëse në jetën vetjake ose në marrëdhënien me Allahun, sipas urdhrit “të jesh një njeri mes njerëzish”, ta pranojë veten si një njeri të zakonshëm, në pozitën që gëzon në shoqëri nuk mund të sillet kurrsesi si një njeri i zakonshëm.

Për këto çështje që trajtuam, sa i bukur është shembulli i Kreut të Profetëve (paqja qoftë mbi të!)! Kur Profeti ynë ishte duke bërë itikaf në xhami, nëna jonë, Safija, vjen që ta vizitojë. Pas vizitës, kur nëna jonë, Safija (r.a.) u kthye të ikte, Profeti ynë i dashur (ai Profet i Lartë që e gjithë bota duhej t’i ngrihej në këmbë) ngrihet dhe del gjer jashtë xhamie për të përcjellë bashkëshorten e vet. Po, Ai (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ushqente një mirësi, besnikëri e madje plot ndjenja respekti për bashkëshortet e tij, në një masë që në mendjet e feministëve të sotëm nuk ka feksur ende.

I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) sillej në një mënyrë që u jep mësim disa myslimanëve të sotëm që, me një koncept që s’dihet nga e kanë marrë, i vënë bashkëshortet e tyre të ecin tri-katër hapa prapa. Ai e merrte bashkëshorten pranë vetes, ecte bashkë me të. Në një rast, ndërsa ai dhe e shoqja ecnin së bashku kështu, dy sahabë u shkuan pranë me shpejtësi dhe i kaluan. Njëri prej tyre ishte një personalitet shumë i rëndësishëm i fisit Evs, i quajtur Usejd bin Hudajr, ndërsa tjetri ishte Abbad bin Bishri. Profeti ynë (paqja qoftë mbi të!) u urdhëroi: “Qëndroni aty ku jeni!” Pastaj i largoi perçen nga fytyra nënës sonë, Safijes dhe tha: “Shikojeni, është bashkëshortja ime, Safija!” Sahabët e nderuar u përgjigjën duke thënë: “Zoti na faltë, o i Dërguar i Allahut! E si mund të të paragjykonim ty?” I Dërguari i Allahut u tha: “Shejtani qarkullon aty ku qarkullon gjaku i njerëzve.”[2]

Imam Shafiu, në lidhje me këtë hadith ka dhënë hukmin që vijon: “Sikur në mendjen e atyre sahabëve të lindte për një çast mendimi: ‘Mos vallë Profeti ynë po bredh me një grua të huaj’, ata do të bëheshin në vend jobesimtarë.” Çka do të thotë se për Profetët nuk duhet të çojmë nëpër mend asnjëherë asnjë paragjykim. Kjo nuk interpretohet duke pohuar se “për të tjerët mund të mendohet me paragjykim.” Në lidhje me këtë çështje mund të thuhet se Profeti ynë (paqja qoftë mbi të!), duke çelur fytyrën e Hz. Safijes dhe duke u treguar atyre se ajo ishte e shoqja, e ka mbyllur derën e paragjykimit. Edhe ne, duke u nisur nga ky konceptim, duhet të nxjerrim përfundimin se me veprimet, fjalët dhe sjelljet tona nuk duhet të bëhemi shkak që të tjerët të bien në paragjykime, pasi edhe ne kemi përgjegjësi për këtë. Ne vetë, sa ç’kemi përgjegjësi për të mos rënë vetë në mëkate, jemi përgjegjës që edhe të tjerët të mos bëjnë mëkate.[3]

 

[1] Buhari, Xhenaiz, 3; Ibn Maxhe, Xhenaiz, 7; Musned, II, 335.

[2] Ibn-i Huzejme, Sahih, 3/349

[3] M. F. Gülen, Fasıldan Fasdıla, IV, 111.