• Udhëtari

Lejohet mosagjërimi në rast udhëtimi. Ditët e paagjëruara duhet të shlyhen më vonë. Nëse bën nijet të agjërosh natën, por ditën e nesërme nisesh për udhëtim, mund ta ndërpresh agjërimin nëse ke vështirësi, por e pëlqyeshme është që ai të plotësohet.

  • I Sëmuri

Nëse personi ka frikë se sëmundja mund t’i shtohet apo mund t’i zgjasë më shumë, i lejohet të mos agjërojë dhe ta zëvendësojë atë pasi të shërohet. Një person të cilit mjeku i thotë që s’duhet të agjërojë dhe ai konsiderohet i sëmurë.

  • Shtatzënia dhe fëmija në gji

Nëse agjërimi i sjell dëm nënës dhe fëmijës nuk është i detyrueshëm. E njëjta vlen dhe kur nëna ka fëmijë në gji; nëse ka frikë nga pakësimi i qumështit.

  • Puna fizike e vështirë

Islami është feja e Allahut. Ai është një sistem jete perfekt dhe i balancuar. Asgjë nuk është në dëm të jetës së njeriut. Islami ka sjellë rregulla që e lumturojnë njeriun në të dy botët. Ata të cilët rrezikojnë shëndetin gjatë punës së rëndë fizike, u lejohet të mos agjërojnë, por t’i zëvendësojnë ditët e paagjëruara në ditë të tjera. Këto lehtësi mund t’i gjejmë në ajetet 183-185 të sures Bekare: “Agjërimi zgjat disa ditë, por, nëse ndonjëri prej jush është i sëmurë ose duke udhëtuar, le të agjërojë aq ditë sa i ka prishur në ditët e tjera më pas. Ata që kanë vështirësi për të agjëruar, duhet të ushqejnë si shpagim nga një të varfër për çdo ditë agjërimi. E, nëse ndonjëri jep më shumë se kaq, kjo është edhe më mirë për të. Por, agjërimi juaj është më i dobishëm, në qoftë se e dini. Muaji Ramazan është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja). Pra, kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj, le të agjërojë! Sa i përket atij që është i sëmurë ose gjendet në udhëtim e sipër (le të agjërojë më vonë) aq ditë sa nuk i ka agjëruar. Allahu dëshiron që t’jua lehtësojë dhe jo që t’jua vështirësojë. Ai dëshiron që të plotësoni numrin e ditëve të agjërimit dhe që ta madhëroni Allahun (në fund të agjërimit), për shkak se ju ka drejtuar në rrugë të drejtë e që ta falënderoni Atë.”

  • Plakja

Personat e thyer në moshë dhe ata që kanë sëmundje të pashërueshme lejohen të mos agjërojnë. Në vend të ditëve të paagjëruara duhet të japin fidje. Për shembull: Një i moshuar, apo i sëmurë i përhershëm që nuk ka mundësi të agjërojë duhet të japë sasi parash, apo ushqim, për 30 të varfër, apo për një të varfër për tridhjetë ditë. Në pamundësi për të gjetur të varfrin apo për të organizuar ushqimin e tij, mund të bashkëpunohet me strukturat e KMSH-së në qendër apo në rrethe. Sasia e parave për një të varfër vendoset nga institucioni fetar por logjikisht mund të përllogaritet sasia e parave të harxhuara për ushqimin ditor. Kjo e vërtetë na jepet në ajetin e mësipërm: “Ata që kanë vështirësi për të agjëruar, duhet të ushqejnë si shpagim nga një të varfër për çdo ditë agjërimi.”