Si për çdo adhurim, edhe për agjërimin e muajit të ramazanit që mbahet një herë në vit, ka një sërë rregullash që duhen respektuar. Këto rregulla kanë të bëjnë me dy lloj situatash në të cilat ndodhet personi që agjëron:
1) situatat që e prishin agjërimin por kërkojnë vetëm kazanë e tij;
2) situatat që e prishin agjërimin dhe kërkojnë edhe kazanë, edhe kundërshpërblimin e tij.
- Situatat të cilat e prishin agjërimin, por që kërkojnë vetëm kazanë e tij
Kaza: Është agjërimi i një dite tjetër në kompensim të agjërimit të prishur me arsye.
* Ngrënia apo pirja e gjërave që nuk përdoren normalisht si ushqime dhe pije dhe që natyra njerëzore nuk është e prirur për t’i përdorur si ushqime dhe pije, e prishin agjërimin, për të cilin kërkohet vetëm kazaja e tij. Konkretisht, ngrënia e gjërave që njeriu normalisht nuk i ha, si dheu, guri, orizi i gjallë (i pagatuar), brumi i papjekur, mielli, etj., e prish agjërimin dhe kjo situatë kërkon vetëm zëvendësimin (kazanë) e agjërimit të prishur.
* Ngrënia e arrës jeshile që nuk ka zënë bukë (thelb). Gëlltitja pa i përtypur, bashkë me lëvozhgën, e bajames, lajthisë dhe kikirikut të thatë.
* Futja e fitilave ose pikimi i ilaçeve në ekstremitetin e pasëm (anus).
* Tërheqja e ilaçit me hundë.
* Pikimi i një lënde vajore në vesh.
* Pikimi në grykë i një lëngu me hinkë ose pikatore.
* Hyrja në thellësi të trupit e ilaçit të lyer mbi plagën në bark ose në kokë.
* Gëlltitja pa dashje e shiut, borës apo breshërit të hyrë gjer në grykë.
* Kalimi pa dashje në kanalet hundore (sinuset) i ujit të marrë në gojë ose të tërhequr me hundë gjatë marrjes së abdestit.
* Tërheqja me dashje e tymit në grykë apo në hundë. Po qe se tymi është kënaqësindjellës, si tymi i duhanit, kjo situatë kërkon edhe kundërshpërblim (kefaret).
* Personi (viktimë) që i është prishur agjërimi për shkak të hyrjes në marrëdhënie seksuale me përdhunë, duhet vetëm ta zëvendësojë (ta bëjë kaza) agjërimin e prishur, jo edhe të japë kundërshpërblim. Me fjalën përdhunë këtu kuptohet përdorimi i forcës, prerja e një organi ose dëmtimi i një organi me anë të rrahjes. Prishja e agjërimit nga viktima për shkak të një rrahjeje vetëm dhimbëse e dëshpëruese ose për shkak burgimi të ushtruar mbi të, kërkon edhe zëvendësimin (kazanë) e agjërimit, edhe kundërshpërblimin e tij.
* Hedhja ujë në grykë nga dikush, ndërsa personi është në gjumë.
* Ngrënia dhe pirja me dashje duke pandehur se është prishur agjërimi pas ngrënies ose pirjes për shkak të harresës.
* Ngrënia e një gjëje ushqimore sa një kokërr qiqre të mbetur ndër dhëmbë.
* Vjellja jashtë me dëshirë. Kjo vjellje e prish agjërimin edhe sikur të jetë me një sasi më të pakët se një gojë plot.
* Ngrënia e syfyrit pas kalimit të kohës së syfyrit duke pandehur se nuk ka kaluar.
* Prishja (hapja) e agjërimit duke pandehur se dielli perëndoi dhe iftari u bë.
* Prishja qoftë edhe me dashje e një agjërimi tjetër, veç agjërimit të ramazanit.
* Konsumimi i ekstazës seksuale (ejakulimi te mashkulli dhe orgazma te femra) me anë të puthjes, përqafimit dhe përkëdheljes (pa kryer marrëdhënie seksuale). Agjërimi s’prishet pa konsumimin e ekstazës seksuale edhe nëse puthja, përqafimi, përkëdhelja, etj. bëhen me epsh.
* Ngrënia dhe pirja gjatë ditës pasi personi nuk ka bërë nijet (nuk ka vënë si qëllim) qysh më parë, sipas rregullave përkatëse, të agjërojë atë ditë. Kjo situatë kërkon zëvendësimin (kazanë) e asaj dite të paagjëruar por jo kefaret, sepse kundërshpërblimi është ndëshkim jo për mosagjërimin, por për prishjen e agjërimit të filluar. Ndërkaq, kjo situatë përbën mëkat dhe kërkon pendesë.
* Gëlltitja e pështymës ose të kafshatës së një tjetri ose ngrënia e kafshatës së vet nga personi pasi e ka nxjerrë pak nga goja. Meqë natyra njerëzore ndjen neveri ndaj veprimeve të tilla, prishja e agjërimit me këto mënyra kërkon vetëm zëvendësimin (kazanë) e agjërimit, kurse gëlltitja e pështymës së një njeriu të dashur kërkon edhe kundërshpërblim, sepse nga ky akt personi ndjen kënaqësi.
* Futja në organin gjenital femëror si dhe në organin e defekimit (anus) me anë të gishtit ose të një mjeti tjetër e një lagështire si uji ose një lëng vajor (yndyror). Duke mbajtur parasysh këtë gjë, personi i agjëruar duhet të ketë kujdes që, duke bërë pastrimin pas urinimit ose defekimit, të mos futet lagështirë brenda organeve përkatëse.
* Masturbimi.
* Gëlltitja e gjakut. Gëlltitja e pështymës ku ka shumë pak gjak nuk e prish agjërimin.
- Situatat që e prishin agjërimin dhe kërkojnë edhe kazanë, edhe kundërshpërblimin e tij
Njëri prej veprimeve të mëposhtme i kryer nga personi i agjëruar në muajin e ramazanit, pa qenë i detyruar, pa harruar, në mënyrë të vetëdijshme e të ndërgjegjshme, kërkon edhe zëvendësimin (kazanë) e agjërimit të prishur, edhe kundërshpërblimin përkatës:
* Kryerja e marrëdhënieve seksuale.
* Ngrënia, pirja dhe përdorimi i ilaçeve.
* Gëlltitja me dashje e shiut, borës dhe breshërit të hyrë në gojë pa dashje.
* Pirja e duhanit, thithja e tymrave ose avujve, thithja e opiumit (e pluhurave ose avujve të lëndëve narkotike).
* Ngrënia e dhjamit, pastërmasë ose mishit të gjallë.
* Gëlltitja e një gjëje të vogël sa një kokërr susami ose gruri të mbetur ndër dhëmbë nuk e prish agjërimin. Por po qe se e njëjta gjë futet në gojë nga jashtë dhe gëlltitet, e prish agjërimin dhe kërkon edhe zëvendësimin e tij, edhe kundërshpërblim. Ndërkaq, agjërimi s’prishet nëse një gjë e tillë vetëm sa përtypet në gojë, sepse gjëja thërrmohet, shkrihet, përhapet e humbet në gojë. Por nëse shija e saj shkon dhe ndjehet në grykë, agjërimi prishet.
* Po qe se një gjë sa një kokërr qiqër e mbetur ndër dhëmbë nxirret jashtë dhe pastaj futet në gojë dhe hahet, agjërimi prishet, por, sipas pikëpamjes zyrtare, nuk kërkon kundërshpërblim, sepse ngrënia e një gjëje të tillë dhe në këto kushte është e jashtëzakonshme.
* Gëlltitja e pështymës ose lëngut të gojës së bashkëshortes ose të një njeriu të dashur. Në raste të tilla kemi të bëjmë me mjekim, ushqyerje dhe kënaqësi, prandaj, bashkë me zëvendësimin e agjërimit të prishur, kërkohet edhe kundëshpërblimi i tij.
- Kundërshpërblimi (kefaret)
Kefaret: Të agjërosh dy muaj hënorë ose 60 ditë në këmbim të një dite agjërimi të prishur qëllimisht gjatë muajit të Ramazanit.
Mbështetja e kundërshpërblimit (kefaretit) të agjërimit është qëndrimi dhe veprimi i Profetit para një rasti të ndodhur në kohën e vet.
Një njeri erdhi te i Dërguari i Allahut dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, unë u shkatërrova!” Profeti paqja qoftë mbi të e pyeti: “Ç’është ajo gjë që të shkatërroi ty?” Njeriu iu përgjigj: “Hyra në marrëdhënie me gruan në ramazan!” Atëherë, Profeti paqja qoftë mbi të i tha kështu: “A mund të gjesh mall sa për të çliruar një skllav?” Njeriu iu përgjigj: “Jo!” Profeti paqja qoftë mbi të e pyeti: “A mund të mbash agjërim dy muaj radhazi?” Njeriu iu përgjigj: “Jo! Fundja, pse s’durova dot, më ndodhi kjo fatkeqësi!” Profeti paqja qoftë mbi të e pyeti: “A mund të gjesh mundësi për të ushqyer gjashtëdhjetë të varfër?” Njeriu iu përgjigj: “Jo!” Në këtë mes, Profetit i prunë hurma në një trastë. Duke ia zgjatur trastën njeriut, Profeti i tha: “Merri këto hurma dhe shpërndajua të varfërve si sadaka!” Njeriu i tha: “A ka më të varfër se ne?” Atëherë, Profeti paqja qoftë mbi të, duke qeshur, i tha: “Shko dhe jepja familjes t’i hanë!”[1]
Mosagjërimi në ramazan pa ndonjë justifikim është mëkat i madh. Është për këtë arsye që ata që e prishin agjërimin në muajin e ramazanit pa pasur ndonjë shkak të justifikueshëm për këtë, meqë me veprimin e tyre shkelin respektueshmërinë e muajit të ramazanit, ndëshkohen me kundërshpërblimin e mëkatit të tyre që në terminologjinë përkatëse emërtohet kefaret.
Ka pikëpamje të ndryshme mbi respektimin apo jo të radhës së tri alternativave të mësipërme të kefaretit. Sipas hanefive, nuk mund të veprohet me parapëlqim, por duhet ndjekur radha e alternativave në fjalë. Meqë sot nuk ekziston skllavëria, në fillim kërkohet agjërimi i dy muajve radhas, pastaj, nëse personi nuk ka mundësi fizike për këtë, kërkohet të ushqejë gjashtëdhjetë të varfër për një ditë ose një të varfër për gjashtëdhjetë ditë.
Në të njëjtën kohë, kefareti është një prej shkaqeve të rëndësishëm për kujdesin dhe ndihmën ndaj të varfërve. Duke dhënë një ndëshkim të tillë për ata që shkelin adhurimin e agjërimit, Islami edhe i ndëshkon dhe edukon ata, edhe me këtë plotëson një nevojë shoqërore.
- Gjërat që duhet të kenë kujdes ata që mbajnë agjërimin e kundërshpërblimit
* Personi që është i detyruar me kundërshpërblim (kefaret) agjërimi, është i detyruar të agjërojë 2 muaj radhazi pa asnjë ndërprerje. Prandaj, në mes të kësaj periudhe kohore nuk duhet të hyjnë muaji i ramazanit ose ditë gjatë të cilave ai person e ka haram (të ndaluar) të agjërojë. Në rast të kundërt, do të jetë i detyruar ta rifillojë nga e para agjërimin kefaret.
* Megjithëse gjendja në udhëtim e lejon shtyrjen e agjërimit të ramazanit, personi që është duke mbajtur agjërimin kefaret, duhet ta vazhdojë edhe gjatë kohës kur ndodhet në udhëtim.
* Hyrja në periudhën me të përmuajshme ose të lehonisë, nuk ia prish femrës kefaretin, të cilin ajo, pas përfundimit të periudhës së të përmuajshmeve ose lehonisë, e vazhdon ku e ka lënë.
Lexo Detyrat e kryetarit të familjes
* Kundërshpërblimi (kefaret) është ndëshkimi jo i mosmbajtjes së agjërimit, por i prishjes së agjërimit me qëllim. Prandaj, personi që nuk ka bërë nijet (nuk ka vënë për qëllim) të agjërojë në muajin e ramazanit, agjërimin e pambajtur e zëvendëson (e bën kaza) një kohë më pas, por nuk ndëshkohet me kundërshpërblim. Ndërkaq, mosagjërimi është mëkat dhe kërkon pendesë.
- Situatat që e rrëzojnë kundërshpërblimin
* Po qe se pas prishjes me dashje të agjërimit, po atë ditë për personin krijohet një situatë e tillë (si të përmuajshmet ose lehonia) që e bëjnë normale (mubah) ngrënien, domethënë prishjen e agjërimit, ndëshkimi i tij me kundërshpërblim për agjërimin e prishur me dashje, bie dhe i mbetet vetëm detyrimi për zëvendësim të agjërimit (kaza). I njëjti konkluzion vlen edhe për shfaqjen e ndonjë sëmundjeje që e pengon agjërimin.
* Pas prishjes me dashje të agjërimit, dalja në udhëtim në mënyrë të qëllimshme ose me detyrim ose vetëprovokimi i sëmurjes nuk e rrëzojnë kefaretin.
- Shpërblimi (Fidje)
Fidje është shpërblimi që japin personat të cilët nuk mund të agjërojnë për shkak të ndonjë sëmundjeje të vazhdueshme ose për shkak pleqërie, duke ushqyer për çdo ditë të paagjëruar, një të varfër. Ashtu si te kefareti, me anë të fidjes edhe personi që nuk agjëron dot çlirohet nga përgjegjësia përkatëse, edhe plotësohet një nevojë shoqërore siç është ushqimi i të varfërve. Lidhur me këtë specifikë, në Kuran thuhet kështu:
“Agjërimi është në ditë të caktuara. Kush nga ju sëmuret ose udhëton gjatë atyre ditëve, ditët e paagjëruara i zëvendëson më pas. Ata që nuk munden të agjërojnë, japin fidje që është pagesa sa për ushqimin ditor të një të varfëri. Kush e shton masën e fidjes me dëshirën e vet, e ka për të mirë të vet. Por po ta dini të vërtetën, agjërimi është më i dobishëm për ju!”[2]
- Gjërat që nuk e prishin agjërimin
* Ngrënia, pirja dhe kryerja e marrëdhënieve seksuale në harresë nuk e prishin agjërimin. Por në çastin kur personi kujtohet se është i agjëruar, duhet t’i ndërpresë menjëherë këto veprime. Ndërkaq, nëse shihet se dikush po ha ose pi për harresë ndërsa është i agjëruar dhe ky person është i dobët, i pafuqishëm e plak, është më mirë që të mos i kujtohet se ç’po bën, pasi Allahu, duke pasur mëshirë për atë njeri të dobët, e ka bërë të harrojë duke i dhënë mundësi të hajë me atë që e ka furnizuar. Por po qe se personi është i fuqishëm, duhet paralajmëruar menjëherë.
* Ejakulimi i spermës në gjumë.
* Puthja e gruas, prekja me dorë dhe përkëdhelja me kusht që të mos pasohen nga ejakulimi i spermës.
* Ejakulimi i spermës pa e prekur femrën me dorë, vetëm me të shikuar, ose ejakulimi i spermës si pasojë e nxitjes seksuale nga mendimi i përqendruar mbi çështje epshore.
* Nuk i prishet agjërimi personit i cili, pasi ka kaluar një konsumim të ekstazës seksuale natën, e lë larjen trupore të plotë (guslin) pas syfyrit, në kohën pasi ka filluar agjërimi.
* Gëlltitja e gëlbazës së ardhur në gojë.
* Tërheqja dhe gëlltitja e lëngjeve sinusiale të ardhura në hundë.
* Hyrja e ujit në vesh gjatë zhytjes në det ose në ndonjë ujë tjetër.
* Hyrja pa dashje në grykë dhe rrëshqitja përtej saj e një tymi kënaqësindjellës si ai i duhanit.
* Hyrja pa dashje në grykë dhe rrëshqitja përtej saj e pluhurit ose mizës. Po qe se në gojë hyjnë nja dy pika lot ose djersë, agjërimi nuk prishet. Por po qe se sasia e lotëve ose djersës është aq e madhe sa kripësia e saj të shpërndahet dhe ndjehet në të gjithë gojën dhe të gëlltitet në mënyrë të vetëdijshme, agjërimi prishet.
* Gëlltitja e një thërrimeje sa një kokërr qiqre të mbetur ndër dhëmbë nga syfyri nuk e prish agjërimin, por po të jetë më e madhe se një kokërr qiqër, prishet.
* Nuk prishet agjërimi në qoftë se futet (merret) në gojë nga jashtë një gjë sa një kokërr susami ose gruri dhe përtypet ngadalë gjer në tretje, por pa e ndjerë shijen e saj në grykë.
* Po qe se e vjella e ardhur vetvetiu në gojë, zbret poshtë përsëri vetvetiu, nuk e prish agjërimin edhe sikur të jetë në sasi sa tërë goja. Sasia e pakët e të vjellës të sjellë me dashje në gojë me qëllim për të vjellë, zbret poshtë vetvetiu, agjërimi nuk prishet. Por po qe se sasia është e madhe sa goja plot, agjërimi prishet.
* Dhënia e gjakut.
* Grimi (lyerja) i syve.
* Gishti i thatë i futur në organin gjinor femëror dhe në organin e pasmë të jashtëqitjes nuk e prish agjërimin. Por po të jetë i lagur ose i lyer me një lëndë vajore, e prish.
* Gjërat e hyra në poret e trupit nuk e prishin agjërimin. Duke u mbështetur në këtë, vaji i lyer në trup ose uji, i ftohti i të cilit ndjehet në brendësi të trupit pas larjes, nuk e prishin agjërimin. Në të gjitha këto raste agjërimi nuk prishet, sepse kemi të bëjmë me hyrjen e objekteve të jashtme me anë të poreve.
* Ilaçi (lëng, pluhur ose pomadë) e vënë mbi një plagë të kokës apo të barkut, nuk e prish agjërimin në qoftë se nuk hyn brenda në trup.
- A e prishin agjërimin vaksinat dhe injeksionet?
Kanalet dhe rrugët bazë të trupit të njeriut që shërbejnë për hyrjen (marrjen) e lëndëve të jashtme janë dy llojesh:
- a) Kanalet natyrore dhe origjinale si hundët, veshët dhe rrugët e përparme e të prapme. Me marrëveshje, lëndët që hyjnë në brendësi të trupit nëpërmjet këtyre rrugëve, e prishin agjërimin. Kurse lëndët që nuk hyjnë në brendësi të trupit, nuk e prishin agjërimin.
- b) Lloji i dytë janë kanalet dhe rrugët (hyrjet) e formuara aksidentalisht, si prerjet, plagët, etj. Gjithashtu, me marrëveshje, agjërimi prishet nëse kalimi i lëndëve të jashtme brenda trupit nëpërmjet këtyre rrugëve bëhet i qartë në mënyrë të sigurtë. Kurse në rastet kur kalimi është i dyshimtë, sipas Ebu Jusufit dhe imam Muhamedit, agjërimi nuk prishet, sipas imam Ebu Hanifes, prishet.
Siç shihet, kontradikta mes imam Ebu Hanifes dhe dy nxënësve të tij nuk është në thelb, por në cilësi. Pra, në qoftë se hyrja e lëndës në brendësi të trupit bëhet e sigurt, edhe sipas tyre, agjërimi prishet.
Po qe se në trup hyjnë plotësisht trupa të tillë si gjilpëra, plumbi (predha), shigjeta, etj., agjërimi prishet. Por po qe se një pjesë e këtyre gjërave të ngulura në trup mbetet jashtë trupit, agjërimi s’prishet.
Kur çështjen e shqyrtojmë nën dritën e këtyre rregullave të përgjithshme, në lidhje me vaksinat dhe injeksionet na del para një tablo e tillë: Vaksinat dhe lyerjet mbi lëkurë nuk e prishin agjërimin, sepse lëkura përfaqëson pjesën e jashtme të trupit. Vaksinat e tjera dhe injeksionet përgjithësisht bëhen nën lëkurë, në muskul ose në venë. Në të tre rastet, po qe se vetëm ngulet pjesërisht gjilpëra pa futur ilaç nëpërmjet saj, agjërimi nuk prishet. Por po të futen nëpërmjet saj ujë ose ilaçe, agjërimi prishet, sepse produktet e futura nëpërmjet injeksionit qoftë ky nën lëkurë, në muskul ose në venë, përvetësohen nga trupi. Ndërkaq, kjo prishje agjërimi nuk kërkon kundërshpërblim, por vetëm zëvendësim (kaza).
Të sëmurët me sëmundje të rëndësishme mund ta prishin agjërimin. Të sëmurëve që, megjithatë agjërojnë, po të bëjnë injeksion, u prishet agjërimi. Prandaj këta mund ta shtyjnë injeksionin pas iftarit. Të sëmurët që nuk agjërojnë për shkak të sëmundjes, pas shërimit i bëjnë kaza ditët e paagjëruara.
* Marrja e gjakut nga jashtë është si injeksioni, prandaj e prish agjërimin. Por dhënia e gjakut nuk e prish agjërimin.
* Në abdest, pasi të shpëlahet goja e të nxirret uji jashtë, gëlltitja e lagështirës së mbetur në gojë bashkë me pështymën nuk e prish agjërimin.
* Po qe se gjaku i pakët i dalë nga dhëmbët përzihet me pështymën duke humbur në të dhe pastaj gëlltitet, nuk e prish agjërimin. Por po qe se gjaku mbisundon në sasi ndaj pështymës dhe gëlltitet, agjërimi prishet.
- Gjërat mekruh dhe jomekruh për agjëruesin
* Sipas disa dijetarëve, nuk ka ndonjë të keqe që dikush duke qenë i agjëruar, të përdorë misvak të thatë ose të lagur. Por sipas imam Ebu Jusufit, përdorimi i misvakut të lagur është mekruh. Sipas imam Shafiiut, përdorimi i misvakut pas mesditës është mekruh. Kujdesi e kërkon që, duke qenë i agjëruar, më mirë të mos përdoret misvak.
* Gjatë larjes trupore ose abdestit nga personi i agjëruar, teprimi në dhënien ujë gojës dhe hundëve ose tejshpenzimi i ujit është mekruh.
* Është mekruh që personi i cili agjëron, pa pasur ndonjë justifikim, ta provojë vetëm me gojë gjellën e përgatitur. Burri i prapë është një justifikim për gruan. Një grua me një burrë të tillë mund ta provojë gjellën që po përgatit për kripë dhe shije me kusht që të mos e gëlltisë.
* Është mekruh që dikush që blen gjëra ushqimore të tilla si mjalti e gjalpi, t’i shijojë vetëm me gojë për të kuptuar nëse janë të rregullta apo të prishura. Sipas një pikëpamjeje, po qe se personit i duhet të blejë patjetër ose ka frikë se mos e gënjejnë, nuk ka ndonjë të keqe sikur t’i provojë vetëm me gojë, pa i gëlltitur.
* Nuk është e lejueshme që personi i agjëruar të përtypë çimçakiz.
* Po qe se personi i agjëruar që duhet të japë gjak, ka frikë se mos nga kjo dobësohet aq sa të mos e mbajë dot agjërimin, dhënia e gjakut është mekruh, përndryshe nuk është mekruh. Megjithëkëtë, lënia e dhënies së gjakut pas iftarit është më me vend.
Lexo Program i madh festiv në përkujtim të Profetit Muhamed a.s.
* Në ramazan, marrja e ujit në gojë dhe hundë ose larja me ujë të ftohtë me qëllim për t’u freskuar, sipas imami Ebu Hanifes është mekruh, sepse kjo lloj sjelljeje tregon mërzitje e ngushtim prej adhurimit përkatës, pra prej agjërimit. Sipas imam Ebu Jusufit, nuk është mekruh, sepse me këtë veprim, agjërimi ndihmohet dhe shqetësimi largohet në mënyrë të natyrshme. Edhe fetvaja kështu shprehet.
* Eshtë mekruh që dikush i cili nuk ka siguri në vetvete (për t’u përmbajtur në një kufi të caktuar), ta puthë e ta përkëdhelë të shoqen.
* Në qoftë se dikush gdhihet duke qenë i papastër pasi ka konsumuar ekstazën seksuale ose ejakulon ditën në gjumë, nuk i prishet agjërimi. Por nëse personi ka mundësi të lahet natën (menjëherë pas konsumimit të ekstazës seksuale) dhe e lë larjen pasi të gdhihet, pra kur të jetë duke agjëruar, kjo sjellje e tij është mekruh.
* Nuk është mekruh që personi që agjëron, t’u marrë erë trëndafilit ose sendeve erëmira dhe parfumeve. Nuk është mekruh grimi dhe përdorimi i vajrave të flokëve. Por është mekruh grimi dhe përdorimi i vajrave të mustaqeve nga meshkujt me qëllim zbukurimi.
- Etika e agjërimit
Elementët kryesorë të etikës ose mustehabet e agjërimit janë këto:
* Ngritja në syfyr. I Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi të, në një hadith të tijin ka thënë kështu: “Ngrihuni në syfyr se në ngritjen dhe në ngrënien në syfyr ka bereqet!” Kurse në një hadith tjetër ka thënë kështu: “Fuqizojeni agjërimin e ditës me ngrënien e syfyrit dhe namazin e natës (tehexhud) me gjumin e drekës!” Ushqimi i syfyrit i jep fuqi njeriut për ta përballuar agjërimin dhe kështu mbajtja e agjërimit bëhet më e lehtë.
* Ngrënia e syfyrit vonë, kurse hapja e iftarit menjëherë sapo t’i hyjë koha, domethënë sapo të perëndojë dielli. Në një hadith profetik thuhet: “Për sa kohë që njerëzit të shpejtohen në ngrënien e iftarit dhe ta vonojnë ngrënien e syfyrit, do të jetojnë në mbarësi!” Kurse në një hadith të shenjtë, thuhet: “Më i dashuri i robve të mi është ai që nxitohet shumë për të ngrënë iftar!” I Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi të nuk e falte namazin e mbrëmjes pa prishur iftar. Në fillim e çelte agjërimin me nja dy kokrra hurma ose, në mungesë të tyre, me disa të gllënjka ujë, pastaj falte namaz dhe pas tij bënte hapjen e vërtetë të iftarit. Ky rrëfim që na vjen prej Zejd b. Thabitit mbi çështjen se gjer kur mund të shtyhet iftari, na jep neve një kriter: “Ne po hanim syfyr bashkë me të Dërguarin e Allahut. Pastaj falëm namazin e agimit. Enesi pyeti: “Sa kohë kishte mes syfyrit dhe namazit të agimit?” Sa për të kënduar 50 ajete!”
Kjo kohë ose ky interval e ka vlerën rreth 15-20 minuta. Për këtë, disa japin si shembull suren Hakka, kurse disa të tjerë. suren Murselat. Sureja Hakka ka 52 ajete, kurse sureja Murselat, 50 ajete.
Duke u nisur nga ky rrëfim, dijetarët kanë konkluduar se ngrënia e syfyrit duhet lënë afërsisht 15-20 minuta para imsakut.
* Duke hapur iftarin, duhet bërë kjo lutje: “Allahumme leke sumtu ue bike amentu ue alejke teuekkeltu ue ala rizkike eftartu!” Kuptimi: “Allahu ynë, vetëm për pëlqimin tënd agjërova, Ty të besova, tek Ti u mbështeta dhe Ty t’u dorëzova! Dhe me atë që më ke dhënë Ti si ushqim, agjërimin çela!”
* Hapja ose çelja e iftarit me gjë të ëmbël si hurma ose me ujë.
* Një etikë e rëndësishme e agjërimit është, si privimi i stomakut, edhe privimi, domethënë, një lloj agjërimi, i të gjitha ndjenjave dhe mendimeve. Përveç stomakut, njeriu komunikon me botën e jashtme ose merr nga ajo edhe me anë të syve, veshëve, ndjenjave, imagjinatës, mendimit. Duke qenë i agjëruar, njeriu duhet t’i privojë (t’i pengojë) të gjitha këto nga gjërat e kota dhe harame, për t’i shtyrë në detyrën e tyre specifike të lartë si dhe në adhurimin e Zotit. Për shembull, ta mbajë gjuhën larg gënjeshtrës, përfoljes, fjalëve fyerëse dhe të shëmtuara për ta preokupuar me këndim Kurani, me dhikr, tesbih, salavat dhe istigfar.
* Pengimi i syve nga shikimi i intimiteteve të huaja për t’ia kushtuar vështrimit të objekteve dhe dukurive nga të cilat nxirret mësim; pengimi i veshëve nga dëgjimi i gjërave të këqija për t’ua kushtuar dëgjimit të fjalëve të vërteta dhe këndimit të Kuranit. Ja, kështu bëhet i mundur agjërimi jo vetëm me stomak, por edhe me organet e shqisave, me ndjenjat dhe mendimet. Vetëm në këtë mënyrë realizohen edhe përkryerja dhe virtyti të pritura nga agjërimi. Në një hadith të tijin, Profeti ynë paqja qoftë mbi të ka thënë kështu: “Kush nuk e lë thënien e gënjeshtrave dhe veprimin me anë të tyre, Zoti nuk i jep vlerë agjërimit të tij (faktit që ai rri pa ngrënë e pa pirë)!” Kurse në një hadith tjetër profetik thuhet kështu: “Pesë gjëra e prishin agjërimin (ia heqin mirësinë dhe vlerën): gënjeshtra, përfolja pas shpine, thashethemet, betimi në gënjeshtër dhe shikimi me epsh!” Siç shihet, në hadithet profetike, për agjërimin e pranuar në lartësinë e Allahut, përqendrohet mbi domosdoshmërinë e “agjërimit” edhe të organeve të shqisave, të ndjenjave dhe mendimeve. Ibni Haxher thotë: “Agjërimi i plotë dhe i përkryer është qëndrimi larg nga të gjitha gjynahet dhe gjërat e ndaluara nga Allahu!”
* Në iftar dhe syfyr nuk duhet ngrënë me të tepërt, nuk duhet mbushur stomaku me të rrasur. Edhe kjo është pjesë e etikës së agjërimit. Sepse një ndër synimet e agjërimit është edhe lehtësimi dhe qetësimi i trupit dhe shpirtit, është dhënia mundësi organeve të trupit të pushojnë dhe ripërtërihen. Të rrish pa ngrënë gjer në mbrëmje dhe pastaj, sapo ta dëgjosh ezanin, të ulesh në sofër për të ngrënë me uri dhe dëshirë të madhe duke e mbushur stomakun sa s’ka ku të shkojë më, kjo sjellje bie në kundërshtim me etikën e agjërimit. Madje, është e dëmshme për shëndetin, sepse organet e tretjes rëndohen shumë përballë këtij sulmi dhe kësaj trysnie të ushtruar mbi to. Prandaj në syfyr dhe iftar nuk duhet ngrënë me grykësi dhe pangopësi. Duke ngrënë pak e saktë, duhet vepruar në përshtatje me urtësinë dhe qëllimin e agjërimit!
* Në muajin e bekuar të Ramazanit, të gjithë besimtarët duhet të bëjnë më shumë adhurim, duhet ta falënderojnë me gjithë shpirt Allahun për të mirat e pafundme që na ka dhënë, duhet të bëjmë më shumë të mira. Këndimi dhe dëgjimi i Kuranit gjatë këtij muaji ka mirësi dhe shpërblime të mëdha. Prandaj, ata që dinë të këndojnë Kuran, duhet të këndojnë vetë më shumë se zakonisht, të paktën të bëjnë një hatme gjatë muajit të ramazanit. Kurse ata që nuk dinë të këndojnë vetë, duhet të shkojnë nëpër xhami për t’i dëgjuar ajetet e Allahut nga zëri i bukur i hafizëve. Vetëm në këtë mënyrë mund të tregohet për muajin e ramazanit respekti për të cilin ai është i denjë.
- Shkaqet që e bëjnë normale mosmbajtjen e agjërimit
- Udhëtimi. Islami nuk u ngarkon njerëzve përgjegjësi që nuk mund t’i mbajnë. Urdhrat janë në masë të pranueshme. Kurse udhëtimi është një gjendje herë-herë me vështirësi dhe shqetësime. Në një situatë të tillë, për shkak të vështirësive të udhëtimit, myslimani mund ta ketë të vështirë për të mbajtur agjërim. Për këtë arsye Kurani, në ajetin 184 të sures Bakara, njerëzit në gjendje udhëtimi i ka lejuar të mos agjërojnë. Ai që nuk ka mundur të agjërojë duke qenë në udhëtim, ditët e paagjëruara i agjëron si kaza më pas. Por ata që dëshirojnë, mund të agjërojnë edhe kur ndodhen në udhëtim.
- Sëmundja. Siç kuptohet edhe nga ajeti i mësipërm, Krijuesi i Lartë u ka dhënë leje edhe personave të sëmurë sa të mos mund të agjërojnë, i ka përjashtuar ata nga përgjegjësia e agjërimit. Këta, pasi të shërohen, agjërimet e pambajtura i mbajnë kaza.
- Shtatzënia dhe laktacioni. Gratë shtatzëna ose në periudhën e laktacionit (me fëmijë në gji), me qëllim që të mos dëmtohen vetë si dhe fëmijët e tyre, përfitojnë nga leja për të mos agjëruar. Ato i agjërojnë më vonë kaza ditët e paagjëruara.[3]
- Pleqëria. Siç u bë e ditur edhe më lart, Islami u ka dhënë leje për të mos agjëruar personave me pleqëri të rënduar që nuk mund të agjërojnë me kusht që për çdo ditë të paagjëruar të ushqejnë një të varfër.
- Uria dhe etja e thellë. Po qe se personi që agjëron përballet me një etje ose uri të rëndë dhe po qe se frikësohet se mos agjërimi do t’ia prekë në përmasa serioze shëndetin trupor dhe psikik, ose po qe se mjeku i jep raport për të mos agjëruar, ky person përjashtohet nga detyrimi i agjërimit në këto kushte dhe, pasi të fitojë shëndet të plotë, e plotëson këtë adhurim duke i zëvendësuar ditët e paagjëruara.
اَللّٰهُ أَعْلَم
Allahu di më së miri
[1] Buhari, Savm, 30; Muslim, Sijam, 81; Ebu Davud, Savm, 37.
[2] Bakara, 2/184.
[3] Shih. Ibni Maxhe, Sijam, 3; Nesai, Sijam, 50-51, 62.
burimi: islami.al