Dita e Arafatit është dita e nëntë e muajit Dhulhixhe[1], një ditë para ditës së Kurban Bajramit. Dita e Arafatit është e veçantë, pasi ajo është pjesa kryesore e haxhit dhe dita kur lutjet e haxhinjve në sheshin e Arafatit plotësohen nga Allahu i Madhëruar, është ditë e përsosjes së fesë, e festës, e faljes së mëkateve. Profeti Muhamed (a.s) ka thënë :

“Haxhi është Arafat.”[2]

Kështu, cilido që ia del mbanë të qëndrojë në Arafat[3] përpara lindjes së diellit, përpara ardhjes së ditës tjetër, e ka përmbushur haxhin e tij.

Allahu e ka nderuar këtë ditë me falje dhe begati dhe i ka dhënë vlerë të madhe. Për këtë arsye, Profeti Muhamedi (a.s.) thotë :

“Nuk ka ndonjë ditë që është më me vlerë tek Allahu se dita e Arafatit. [4]

Në një rast tjetër Ai thotë :

“Dita më e mirë është dita e Arafatit.” [5]

Falja dhe begatia e kësaj dite arrihet me shpeshtimin e lutjeve, largimin nga mëkatet si dhe me ngritjen e nivelit të turpërimit për mëkatet e bëra.

Profeti Muhamed (s.a.s.) thotë :

“Lutja më e mirë është lutja që bëhet në ditën e Arafatit dhe lutja më e mirë që e kam thënë unë dhe Profetët para meje është: La ilahe il’la Allahu uahdehu la sherike leh, lehul mulku ue lehul hamdu ue hue ala kuli shejin kadir (S’ka zot tjetër veç Allahut, Ai është tek e Ai s’ka shokë, e Tij është gjithçka, të gjitha lavdet i përkasin Atij dhe Ai është plotfuqishëm për çdo gjë).” [6]

Përmbushja e begative është bërë me falje, pa të cilën nuk përmbushen begatitë, ashtu si thotë Allahu i Lartësuar:

“Ashtu që Allahu të liroi ty prej mëkateve të mëparshme dhe prej atyre të mëvonshmeve dhe ashtu të plotësoi mirësinë e Vet ndaj teje në rrugën e drejtë.”[7]

Kjo ditë është edhe ditë e festës, për të cilën dëshmon i Dërguari i Allahut (s.a.s) duke thënë:

“Dita e Arafatit, dita e nahrit (Bajramit) dhe ditët e teshrikut (Dita e dytë, e tretë dhe e katërt e Bajramit ) janë festa tona dhe ato ditë janë ditë të ngrënies dhe pirjes.” [8]

Kjo ditë është ditë e faljes së mëkateve dhe shpëtimit nga zjarri i xhehenemit.

Transmetohet nga Aishja se i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Nuk ka ndonjë ditë që Allahu të lirojë më shumë robër nga zjarri i xhehenemit se dita e Arafatit, Ai u afrohet atyre, pastaj lavdërohet me ata para engjëjve dhe thotë: ‘Çfarë dëshirojnë ata?!” [9]  Ibn Abdulberri thotë: “Kjo aludon se ata janë të falur nga mëkatet, sepse Allahu nuk lavdërohet me mëkatarët, përveç pas pendimit dhe faljes.”

Agjërimi i kësaj dite

Meqë dita e Arafatit është dita kryesore e haxhit, dita kur haxhilerët plotësojnë haxhin, shumica e dijetarëve myslimanë vlerësojnë se kjo ditë është e vështirë për tu agjëruar nga haxhilerët, pra është e ndaluar. Shkak i këtyre gjykimeve është nevoja e haxhilerëve për të pasur fuqi për kryerjen obligimet dhe veprimet vullnetare përgjatë kësaj dite, përndryshe agjërimi në këtë ditë i mundon shumë ata.

Për pjesët tjetër të myslimaneve, pra ata të cilët nuk janë duke kryer detyrën e haxhit preferohet të agjërojnë, nxiten të agjërojnë për shkak të vlerës së madhe që ka kjo ditë dhe agjërimi i saj.

Ebû Katade (r.a.) tregon se kur e pyetën Profetin (s.a.s.) mbi vlerën e agjërimit të Arefesë, ai tha:

“Fal të gjitha mëkatet e vitit të shkuar e atij që do të pasojë.” [10]

Qëllimi me këtë është se falen mëkatet e vogla, ndërsa për faljen e mëkateve të mëdha duhet të kërkohet faljen ga Allahu dhe pendim i sinqertë.

Shpeshtimi i dhikrit dhe lutjeve

Resulullahu (salallahu alejhi ve selem) thotë: “Lutja më e mirë është lutja që bëhet në ditën e Arafatit dhe lutja më e mirë që e kam thënë unë dhe Profetët para meje është: La ilahe il’la Allahu uahdehu la sherike leh, lehul mulku ue lehul hamdu ue hue ala kuli shejin kadir.” [11]

Thënia e tekbireve

Tekbiret janë sunet të thuhen gjatë gjithë dhjetëditëshit të parë të dhulhixhes në çdo kohë. Ndërsa në mëngjesin e ditës së Arafatit, pas namazit të sabahut e deri në ditën e katërt të Bajramit pas ikindisë është vaxhib që t’i këndojmë tekbiret pas çdo namazi farz.

Forma e tekbireve

Allahu ekber, Allahu ekber, la ilahe il’la Allahu uallahu ekber, Allahu ekber ue lilahil hamd (Allahu është më i madhi, Allahu është më i madhi, s’ka zot tjetër veç Allahut, Allahu është më i madhi dhe lavdet i takojnë Allahut)./ islami.al


[1] Muaji Dhulhixhe është muaji i fundit në kalendarin hixhri, i cili është kalendar hënor dhe nuk mund të përputhet me kalendari diellor, kalendarin gregorian.

[2] Tirmidhi, 2975; Ibni Hiban (el-Sahih), 3892; Nesai, 3044; Ibni Maxhe, 3015.

[3] Rrafshi i Arafatit gjendet rreth 10 km jashtë Mekës.

[4] Transmeton Ibn Hibani.

[5] Transmeton Xhabiri.

[6] Tirmidhiu, 3585.

[7] Kuran, Suratul Feth, 2.

[8] Transmeton Ebu Davudi.

[9] Sahihu Muslim.

[10] Muslim, Sijâm 196.

[11]Transmeton Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe të tjerët.