Stolise zemrën me mëshirë, afërsi dhe trajtim të mirë ndaj njerëzve që ke nën urdhër dhe qeverisje!
Kurrsesi mos u kthe ndaj tyre në një luan që shqyen prenë!
Nga njerëzit e thjeshtë, për shkak të natyrës njerëzore, mund të bëhen gabime, nga duart e tyre mund të dalin gjëra me qëllim ose pa dashje. Ashtu siç kërkon vetë ti prej Allahut mirëkuptim dhe falje, ashtu dhe fali ata dhe trajtoji me të mirë!
Kurrsesi mos u pendo kur fal. Edhe kur të dënosh, mos u gëzo! Mos u hidh në asnjë rrezik pa qenë në gjendje ta mënjanosh. Si dhe kurrë mos thuaj, “unë jam i fuqishëm, urdhëroj dhe më binden”, sepse kjo e intrigon zemrën, i jep dëm fesë, e bën njeriun krenar, kurse krenaria çon në shkatërrim!
Po qe se posti që zotëron bën të shfaqen tek ti madhështia dhe mendjemadhësia, kujto fuqinë dhe madhështinë e lartë të Allahut që rrethon tërë botërat, gjë që t’i zbret në tokë shikimet dhe iluzionet që të fluturojnë në lartësi, ta shuan egërsinë dhe t’i kthen në kokë mendtë që të kanë lënë e ikur! Kujdes, mos tento të matesh me Allahun në madhështi, sepse Allahu që është
i Shenjtë e i Ashpër, çdo përdhunues e kthen në mjeran dhe çdo krenar, në të poshtëruar!
Në asnjë mënyrë të mos ndahesh nga drejtësia, përndryshe, bëhesh nga të padrejtët! Mos harro se mbrojtësi i robve të vet të dëmtuar dhe të viktimizuar është Allahu! Dhe po qe se Allahu i bëhet dikujt armik, të gjitha argumentet dhe provat ku mund të kapet ai dikush për t’u mbrojtur, përballë fuqisë së Allahut bëhen të pavlefshme, e humbin ndikimin! Armiqësia hyjnore kundër tij vazhdon gjersa njeriu të pendohet për padrejtësinë dhe dhunën që ka bërë! Nuk ka asgjë që mund ta privojë njeriun nga dhuntitë hyjnore dhe ta shpejtojë ndëshkimin hyjnor ndaj tij sa padrejtësia dhe dhuna të ushtruara ndaj të tjerëve!
Kur do të bësh një punë, të zgjedhësh atë që, për nga përbërja, të jetë më e matura, për nga drejtësia, më përfshirësja dhe, për nga fitimi i pëlqimit të popullit, të
jetë ajo që kërkojnë dhe presin të gjithë!
Nga njerëzit e popullit, ata që nuk duhet t’i afrosh dhe ndaj të cilëve duhet të kesh më shumë neveri dhe urrejtje, duhet të jenë ata që hetojnë më shumë të metat e të tjerëve, sepse njerëzit kanë të meta të tilla, mbulimi i të cilave para së gjithash është detyrë e valiut (guvernatorit)!
Duhet t’i zgjidhësh të gjitha nyjet armiqësore mes njerëzve! Duhet t’i presësh të gjitha fijet që do të të zvarrisnin ty drejt hakmarrjes! Tregohu sikur nuk i ke kuptuar gjërat të cilat, sipas teje, nuk kanë fituar qartësi. Kujdes, mos u beso menjëherë fjalëve të thashethemexhinjve që marrin nëpër gojë këtë apo atë, sepse, sado naiv që të tregohet thashethemexhiu, prapëseprapë është hileqar!
Kurrë mos fut në kuvendin tënd të këshillimit koprracin i cili, duke të frikësuar ty me mundësinë për të rënë në ngushticë dhe shqetësim, do të kërkojë të të bëjë të heqësh dorë nga mirësia, frikacakun që do të ta mefshtësonte vendosmërinë për punë të mëdha dhe ambiciozin që do të ta tregonte ambicien të mirë, sepse koprracia, frikacakëria dhe ambicia janë vese të tilla të
këqia, që i sjell bashkë vetëm pandehma e keqe e ushqyer kundër Allahut!
Bëji shokë vetëm njerëzit besnikë të devotshëm e largpamës dhe tregohu i vëmendshëm ndaj duartrokitjeve dhe ndaj përkëdheljeve të sedrës me anë të dedikimit ty të një sërë punësh të mira që, në të vërtetë, s’i ke bërë, sepse shumica e duartrokitjeve bëhen shkak që njeriut t’i duket vetja i madh e që ta shtyjnë në krenari!.
Kurrë të mos barazvlerësohen para teje i keqi me të mirin, sepse një qëndrim i tillë e ftoh të mirin nga mirësia, kurse i jep vazhdimësi prirjes së të keqit për të keq!
Dhe le të të karakterizojë pandehma dhe mendimi i mirë për robtë e Allahut. Po të jesh i tillë, do të shpëtosh nga shumë lodhje!
Në krye të shërbimeve sill një njeri të tillë që, sipas teje, të jetë më i sinqerti ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij, që të jetë më i miri nga çdokush tjetër për sa i përket pastërtisë së zemrës dhe mençurisë e maturisë, që, kur të zemërohet, të sillet i qetë dhe zerioz, që t’i dëgjojë justifikimet me qetësi, që t’i dhimbsen të dobtët, që të rrijë larg të fuqishmëve të nënshtruar egos, që të mos jetë nga ata që rrinë kokulur dhe të penduar por ngrihen me zemërim!
Duke i parë dhe ndjekur punët e mëdha që kanë lidhje me popullin, mos e lërë mënjanë ndjekjen e të voglave!
Nuk ka për guvernatorët burim ngushëllimi më të madh se drejtësia që qëndron në këmbë në vend dhe shfaqja e dashurisë së popullit ndaj tij! Dashuria nuk shfaqet pa qenë zemrat të qeta e në paqe!
Njihe mirë sakrificën e secilit prej nëpunësve dhe kurrë mos e përmend shërbimin e njërit bashkë me të tjetrit! Dhe askujt mos i jep pjesë të ulët që nuk do të përputhej me guximin që ka treguar! Kurrë s’duhet të ndodhë që lartësia e pozitës së dikujt të të bëjë që një shërbim të vogël të tij ta shohësh si shërbim të madh dhe, e kundërta, që pozita e ulët e dikujt të të bëjë që një shërbim të madh të tij ta shohësh të vogël!
Askujt mos i cakto detyrë me anësi dhe ndjenjë egoizmi, sepse këto dy gjëra bëhen shkak për padrejtësi dhe pabesi!
Ndiqe veprimtarinë e personave që u ke dhënë detyrë. Dërgoju pas vëzhgues të drejtë, të ndershëm e besnikë, sepse kështu ti mund ta mësosh se si i kryejnë punët, kurse ata mund ta ruajnë amanetin dhe të sillen butë me popullin e thjeshtë!
Mos rri pa menduar për ata që ndodhen larg teje dhe mos e tharto fytyrën ndaj atyre të mjerëve dhe hetoji ata që, duke e parë veten të vegjël, kurse njerëzit që të rrethojnë, të mëdhenj, s’i sjellin dot çështjet e veta gjer tek ti. Dhe cakto vetëm për këta një njeri të thjeshtë e të besueshëm që ka në zemër frikën nga Allahu, i cili të bëhet ndërmjetës dhe çështjet e tyre të t’i njoftojë ty në mënyrën më të drejtë. Shkurt, përpiqu ashtu që kur të dalësh para Zotit, të mund të thuash: “I shpenzova të gjitha mundësitë e mia!”
Ndaj një vend dhe kohë të caktuar vetëm për t’u marrë me njerëzit nevojtarë dhe ulu me të gjithë duke treguar një thjeshtësi që do të tërhiqte pëlqimin e Allahut që të ka krijuar. Dhe shihi me mirëkuptim fjalët e tyre të pavend apo paaftësinë për t’i shprehur hallet e tyre! Po s’i ngacmove e po s’i preke ata, edhe Zoti hap mëshirën e vet për ty, të fal mirësi si shpërblim për bindjen dhe urtësinë tënde! Dhe atë që ta japësh, jepe me fytyrë të qeshur e me zemër të kënaqur. Po të mos japësh, kërko falje që të mund të pranohet!
Edhe nëse të gjitha këto preokupime janë që të gjitha për hir të Allahut me kusht që ta kenë qëllimin të pastër dhe t’i vlejnë të mirës së popullit, prapë, ti, kohën më të mbarë ndaje për vete me qëllim për t’i zbukuruar raportet e tua me Allahun!
Natën e ditën, ndaje mënjanë të drejtën e robit ndaj Allahut që ndodhet në trupin tënd dhe adhurimin që të afron ty me selinë e lartë të Zotit kryeje pa të meta e të çara, pavarësisht nga çmimi! Po qe se bëhesh imam i popullit në namaz, drejtoje faljen e tij në atë mënyrë që as të mos i mërzitë njerëzit, as të mos jetë që të mos vlejë për gjë! Mos harro se mes popullit ka të sëmurë e që nxitojnë. Kur Profeti (s.a.s.) po më dërgonte në Jemen, e pata pyetur: “Si t’ua fal namazin atyre?” Dhe ai më pati porositur: “Sipas gjendjes së më të dobtit!..”
Bëhu i mëshirshëm ndaj besimtarëve! Mos jeto i shkëputur nga populli! Sepse qëndrimi i guvernatorëve larg popullit, përveç se bëhet një lloj shqetësimi, ua pakëson atyre zotërimin e punëve të vendit. Qëndrimi i guvernatorëve pas perdes, i pengon ata të marrin vesh për ç’ndodhin në skenë! Për pasojë, në vështrimin e tyre, e madhja bëhet e vogël dhe e vogla, e madhe, e bukura bëhet e shëmtuar dhe e shëmtuara, e bukur, e drejta ngatërrohet me të shtrembrën!
Çdo njeri të afërt apo të largët ndaj teje, binde ta pranojë të vërtetën. Po qe se mes popullit është formuar pandehma se ti ke bërë padrejtësi, bëjua njerëzve të ditur justifikimin tënd dhe korrigjojua pandehmën. Kështu, me këtë, edhe thyen egon tënde, edhe sillesh butë me popullin, edhe e tregon veten të justifikuar!
Për të qëndruar në fjalën e dhënë, po u desh, flijoje edhe jetën. Kurrsesi mos u trego i pabesë ndaj marrëveshjes. Mos e gënje as armikun! Sepse askush përveç njerëzve të pamend të dënuar me humbje dhe privim, nuk mund të tregojë guximin për t’iu kundërvënë Allahut!
Ndërkaq, mos bëj marrëveshje dhe kontrata të hapura ndaj interpretimit!
Kujdes, mos bjer në vetëpëlqim! Mos u beso anëve të egos tënde që të vijnë të këndshme! Mos kërko të të lavdërojnë në sy, sepse ky është rasti më i favorshëm në dorë të djallit për t’i shkatërruar të gjitha të mirat e njerëzve të mirë!
Kurrë mos ua përmend njerëzve të mirat që u ke bërë! Ose mos i stërmadho gjërat që ke bërë! Ose mos kthe nga premtimi që u ke dhënë! Sepse detyrimi i mirënjohjes e prish mirësinë e bërë, stërmadhimi e shuan të vërtetën, kurse kthimi nga premtimi tërheq urrejtjen edhe të Zotit, edhe të njerëzve!
Kurrë mos iu hyr punëve pa u ardhur koha. Edhe kur t’u vijë koha, mos u hidh si i marrë! Mos këmbëngul me kryeneçësi në punë që s’ua njeh qartë natyrën dhe përmbajtjen, por, kur t’ua njohësh, mos vepro me mefshtësi!
Mos u sill sikur nuk e di kundërveprimin që pritet prej teje ndaj të këqijave të shfaqura të njerëzve që i ke punësuar. Në të kundërt, ndëshkohesh ti për llogari të tjetërkujt; perdet që fshehin punët, hapen para syve të tu dhe atëherë, e drejta e të dëmtuarit dhe viktimës
merret prej teje!
Sundoje zemërimin, tërbimin, dorën, gjuhën dhe egon tënde! Për t’u mbrojtur prej këtyre, rri larg rreziqeve të papritura gjersa të të kalojë zemërimi dhe ta zotërosh veten! Veçse duhet ta dish se kurrë nuk mund ta gjesh mundësinë për ta zotëruar veten pa kujtuar pa lëkundje se ke për t’u kthyer te Allahu!
Lutja jonë i drejtohet Allahut! Paqja qoftë mbi të Dërguarin e Allahut! /zell.al