Tre muajt janë prerje të bekuara të kohës, kur njeriu mund të jetë më afër se kurrë me Allahun, mund të bëhet i denjë për të përfituar nga mëshira e Tij e thellë, të largohet nga mëkatet dhe të udhëtojë nëpër horizontin e zemrës dhe shpirtit. Zaten edhe njeriu ka nevojë për një periudhë të tillë rehabilitimi qiellor, të paktën njherë në vit, si për teë pastruar egon e tij, ashtu edhe për të edukuar shpirtin, apo për të kontrolluar edhe një herë endjen e zemrës. Prandaj, këto prerje të bekuara të kohës janë shkaqe më se të rëndësishme për realizimin e një rehabilitimi të këtillë.
Që njeriu të mund të shpëtojë nga peshat trupore dhe egoiste në këto kohë të begata, për t’u ngjitur drejt një niveli dhe horizonti të caktuar, atij i nevojitet meditimi. Por, kur e bën këtë, ai duhet t’i mbajë të hapura kah shpirtërorja, edhe zemrën, edhe shpirtin. Pra, gjatë këtyre muajve, ndërkohë që nga njëra anë do të përdor të gjitha fakultetet e mendjes dhe të arsyes për të kuptuar çështjet që kanë të bëjnë me besimin dhe Kur’anin, nga ana tjetër, besimtari do të përpiqet të përdorë edhe rrugën e bashkëbisedimit, dhe do të përpiqet që medoemos ta tërheqë drejt vetes këtë shi të dritës dhe shpirtërores.
Gjer më sot, secili sipas horizontit të vet, sa e sa njerëz kanë thënë fjalët më të bukura në lidhje me këto prerje të kohës, duke e tërhequr vëmendjen drejt bukurive që mund t’i përftojnë jetës së besimtarit me ditët dhe netët e tyre. Leximi i këtyre veprave që vlejnë thesare duke u ndalur në grupe dhe duke i analizuar gërmë për gërmë, përvetësimi i tyre përmes metodës së bashkëbisedimit, janë shumë të rëndësishme për të kuptuar dhe ndjerë shkëlqimin dhe frymëzimet shpirtërore që i përftojnë njeriut këto muaj. Po, për të përfituar sa më shumë nga gjithë ç’janë shkruar në lidhje me këto tre muaj, ne duhet të largohemi nga leximi i cekët dhe sipërfaqësor i tyre dhe të dime se si të thellohemi në çeshtjet e trajtuara prej tyre. Dhe pa u zhvilluar ndjenjat dhe mendimet e nevojshme do të jetë e pamundur që të përfitohet sa duhet, si nga ato që lexojmë, ashtu edhe nga ato çfarë dëgjojmë.
Që të mund t’i shijojmë dhe ndiejmë në mënyrë të përsosur bukuritë e veçanta të këtyre tre muajve, si dhe kënaqësinë dhe shijet që reflektojnë në zemrën e njeriut, ne duhet të dimë që këta janë muajt e “mbledhjes” së fryteve, ndaj duhen shfrytëzuar pa humbur qoftë edhe një sekondë të vetme nga koha e tyre. Një njeri që nuk çohet gjatë natës për t’iu drejtuar Allahut me vullnet dhe vendosmëri, që nuk shijon prej fryteve shpirtërore të natës, është e pamundur që të mund ta përkapë dot shijen dhe thellësinë e bukurive të shprehura me shkrim ose me gojë. Nëse njeriu nuk hyn në këta muaj me një farë tensioni metafizik të caktuar, nuk ia kushton veten njëfarësoj adhurimit me një vetëdije të fortë robërie dhe nuk e lëshon veten në brendësi të çështjes, edhe sikur të derdhet si uji nga gotat, domethënia e këtyre pjesëve të begata të kohës, ai nuk përfiton asgjë. Madje ai mund t’i peshojë me peshoren e vet të aftësisë kuptuese dhe kapacitetit të vet edhe shprehjet më të mrekullueshme të të tjerëve dhe t’i konsiderojë ato si diçka luksi dhe fantazi, madje ato fjalë shumë të gjalla dhe të ndritura, atij t’i duken të vdekura dhe të zbehta tërësej. Asisoj që as fjalët e Ibn Rexhep el-Hanbelit, të cilat të prekin në zemër, as fjalët që frymëzojnë veç dëshirë e dashuri të Imam Gazaliut, nuk reflektojnë asgjë në zemrën e tij.
Thjesht thotë: “Ç’thonë kështu këta njerëz!” – dhe e anashkalon çdo gjë. Sepse, në mënyrë që këto fjalë të kenë një farë ndikimi, aq sa vlera e fjalëve të thëna, rëndësi mjaft të madhe kanë edhe këndveshtrimi, qëllimi, aftësia për të kuptuar dhe zemra, nëse e ka të hapur apo të mbyllur ndaj këtyre të vërtetave, të atij që i dëgjon.
Po, në mënyrë që të mund t’i ndiejmë frytet e arritjeve shpirtërore që sjellin me vete këto ditë të bekuara, fillimisht ne duhet të kemi besuar dhe t’i drejtohemi Allahut. Sepse vetëm prirjes i përgjigjet me prirje. Nëse ju nuk u drejtoheni shpirtit dhe domethënieve të këtyre muajve, atëherë as ata nuk do t’jua hapin juve portat e tyre.
Prandaj njeriu duhet t’i dalë asisoj për zot kësaj çështjeje, sa që të bëhet një me muajin e Rexhepit, njësh me muajin e Shabanit dhe njësh me muajin e bekuar të Ramazanit. Po, ai duhet të bëhet aq njësh me këta muaj, sa që ta ndiejë e ta dëgjojë vetë se çfarë i thonë shpirtit njerëzor këta muaj. Nga kjo pikëpamje, njerëzit që nuk shpëtojnë dot nga sipërfaqësorja, qëndrojnë të hapur kah kotësia, nuk bëjnë asnjë përpjekje për t’u rinovuar në një stinë si kjo e mbledhjes së fryteve shpirtërore më të arrira dhe nuk e arrijnë dot seriozitetin në sjelljet dhe veprimet e tyre, vështirë se mund të përfitojnë dot prej këtyre muajve.
Programe të përshtatshme për shpirtin e fesë
Në anën tjetër qëndron edhe çështja e pranimit të përgjithshëm në shoqëri. Sepse, vetëm njerëzit e thellë për nga horizonti i shpirtit dhe zemrës janë të denjë për ta ndjerë thellësinë që shprehin këta muaj.
Megjithatë, tani, myslimanët sikur po e kuptojnë në një farë masë vlerën dhe begatinë e këtyre muajve, kanë filluar të drejtohen drejt xhamive dhe po drejtohen kah Allahu i Madhërishëm. Kështu që, duke u përdorur mirë kjo situatë, në shpirtrat e njerëzve mund të frymohen mesazhe të ndryshme duke organizuar aktivitete dhe programe të ndryshme edhe gjatë këtyre tre muajve. Kësisoj ne do t’i kemi vlerësuar dhe shfrytëzuar mirë këto netë të bekuara, si për t’i afruar njerëzit me Zotin, ashtu edhe për të përçuar në zemra të vërtetën e fesë. Ashtu siç disa të vërteta mund ë përçohen në zemrat e atyre që vijnë në xhami, takime dhe bashkëbisedime të ndryshme mund të organizohen edhe nëpër ambiente të tjera. Në këtë mënyrë do të shfrytëzohen drejt, edhe interesi, edhe pritshmëritë e besimtarëve për domethënien e këtyre muajve për ta.
Meqë ky është edhe vendi, ka diçka që mua më duket mjaft e rëndësishme në lidhje me këto programe, tek e cila dua të tërheq edhe vëmendjen tuaj: Në të gjitha aktivitetet që ne zhvillojmë duke shfrytëzuar arsye të ndryshme, si qëllim ne duhet të kemi vetëm afrimin në ndjenja dhe në mendime të njerëzve me Allahun, sikur edhe një hap të vetëm më shumë. Nëse ne nuk u japim dot zë disa të vërtetave në lidhje me Krijuesin, nëse nuk i afrojmë dot ata sadopak me Profetin e profetëve (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem), por organizojmë thjesht programe që u drejtohen epshit dhe kënaqësive të zakonshme të njerëzve, duke mos kaluar më tej se sa t’i bëjmë ata thjesht të thonë: “Kaluam minuta të bukura!” – atëherë ne nuk kemi bërë asgjë veçse kemi humbur kohë dhe për më tepër, kemi hyrë edhe në mëkat.
Sepse çdo rrugë që nuk të çon tek Allahu (xhel’le xhelaluhu) dhe nuk ka si destinacion Profetin e Nderuar, nuk është veçse zhgënjim. Zaten, argëtimi i njerëzve duke organizuar spektakle apo aktivitete karnavaleske nuk është detyrë e jona.
Veç kësaj, ne duhet ta dimë mirë se njerëzit e sotëm kanë tashmë një stil jetese të prirur kah argëtimi. Prandaj, interesimi i tyre edhe mund t’ju gënjejë, asisoj që ju shikoni gëzimin e tyre dhe pandehni se keni bërë diçka të mirë. Kur, në fakt, më shumë se sa interesimi i tyre, i rëndësishëm është nëse organizimi është sipas kritereve të Kur’anit dhe Sunetit. Për rrjedhojë, edhe nëse nuk ka interesim të mjaftueshëm për organizimin e mbajtur, edhe nëse pjesëmarrja nuk është e gjerë, ju duhet të ngarendni vetëmse pas asaj që është e drejtë. E thënë me fjalë të tjera, të rëndësishme nuk janë vlerësimi dhe duartrokitjet e njerëzve, por domethënia që ka aktiviteti i organizuar për jetën tonë të zemrës dhe të shpirtit.
Rrjedhimisht, në një prerje të këtillë të kohës, e cila është kaq e begatë, qiellin e pushton drita, rruzulli tokësor shtrohet me sofra qiellore, ne duhet t’i drejtojmë njerëzit kah thellimi i jetës së tyre të zemrës dhe të shpirtit dhe çdo pune që bëjmë, ta lidhim me qëllimet më të epërme dhe mendimet më të thella. Asisoj që përherë të injektojmë një domethenie, një shpirt të ri, në zemrat e njerëzve që i kemi zgjedhur si bashkëbisedues. Ti bëjmë ata të hapin velat drejt një pangopësie për shpirtëroren. Dhe, për ta arritur këtë, ndaç duke kënduar ilahi, elegji apo lutje të trashëguara që herët nga e shkuara, ndaç t’i shprehim nëpërmjet kompozimesh dhe melodish të reja këto domethënie, por mjaft që të nxitim te njerëzit dëshirën për përjetësinë, në zemra dashurinë për të fituar lumturinë e përjetshme dhe të vënë në lëvizje shqetësimin se mos dalim të humbur, pra, me pak fjalë, t’i zgjojmë njerëzit edhe njëherë për shpirtin e fesë.
Nëse do të duhej ta përmblidhim në pak fjalë, xhamitë, bashkësitë, ditët e xhuma, Rexhebët, Shabanët, Ramazanët, Regaipet, Kadret, duhet të bëhen medoemos arsye për t’i ndihmuar njerëzit që të drejtohen kah Allahu i Madhërishëm dhe të gjitha këto aktivitete të organizuara në prerjet e bekuara të kohës, kur çdo çast është i gatshëm të lindë përjetësinë, duhet të synojnë veçse realizimin e qëllimeve të larta e të epërme. / libri Agjërimi M. F. G // zell.al