Pas vdekjes së Profetit Adem (a.s) kaluan shumë vite. Para se të lindte Nuhu, në botën tonë jetuan edhe pesë njerëz të mirë, që mësuan rrugën e drejtë. Ata quheshin Ved, Suva, Jagus, Jeuk dhe Nesr. Pas vdekjes së tyre, njerëzit ngritën përmendoret e tyre që të mos i harronin.

Brezat u ndërruan, vdiqën baballarët e u lanë vendin bijve, gjeneratat ndoqën njëra- tjetrën. Por brezat e mëvonshëm e harruan shkakun e vërtetë të ndërtimit të këtyre përmendoreve. Shejtani ishte gjithmonë i gatshëm për të prishur mendjen e njerëzve dhe më në fund, ia arriti t’i bindte se ata statuja ishin perenditë e tyre. Njerëzit nisën t’i adhuronin këto statuja, madje gdhenden edhe të tjera.

Biri i njeriut kishte harruar Krijuesin e vërtetë dhe kishte nisur të adhuronte idhujt. Kjo shuajti çdo vezullim; çdo bukuri në botë e humbi kuptimin, një errësirë shpirtërore përfshiu githçka dhe gjithësia humbi sensin e saj të vërtetë. E keqja ishte në pushtet, jeta i ngjante një ferri të egër.

Kjo është natyra kur harrohet Zoti i vërtetë dhe njihen për zot të tjera gjëra, qofshin këto statuja prej guri, qofshin kafshë a objekte të punuara ne ar, qofshin njerëz.

Në një atmosferë të tillë, Zoti u dërgoi bijve të Ademit, Nuhun, për t’i thirrur në rrugë të drejtë, për t’iu kujtuar mesazhin e vet dhe për t’i udhëhequr drejt së mirës.

Nuhu nuk ishte as mbret dhe as ishte pjesë e ndonjë shtrese të lartë të shoqërisë. As nuk kishte ndonjë pushtet të mbështetur në pasuri. Por, pa diskutim, ishte njeriu më i madh i asaj kohe. Madhështia është një veti që nuk matet as me pasuri, as me pushtet, as me forcë, por është ajo veti sublime humane e pajisur me kthjelltësinë e zemrës, pastërtinë e ndërgjegjes dhe lartësinë e mendimeve që zbukurojnë botën e idealeve të tij.

Besimi i sinqertë dhe mirënjohja që ushqente ai për Krijuesin e tij, ia shtonte edhe më fort madhështinë këtij njeriu të mirë. I Fundit i Lajmëtarëve do e kujtonte Nuhun me fjalët që Zoti e përmendte në Kuran: “Ai ishte një rob i vërtetë që falenderonte Zotin pa pushim”

Robin e vet mirënjohës, Zoti e zgjodhi për profet. Dhe ai, pa përtuar, ditë e natë, ftoi njerëzit në rrugë të drejtë. Foli me ta në gjuhën më bindese. Nuk la asnjë rast pa i njoftuar për Krijuesin e vërtetë dhe për vlerat e larta njerëzore me të cilat Allahu e kishte pajisur njeriun.

“Adhuroni Zotin tuaj, o njerëz. Atë që është i vetëm dhe që ju ka krijuar. Duhet të ktheheni nga kjo rrugë pa fund ku keni hyrë. Duhet të keni frikë nga dënimi i Zotit.”

Pa u lodhur, pa përtuar, pa u mërzitur, Nuhu vazhdoi t’i fonte njerëzit në rrugë të drejtë. U shpjegoi se nuk ishin në rrugë të drejtë, se kishin rënë në kurthin e shejtanit. Kishte ardhur koha të sistemonin jetën e tyre dhe të ishin më të kujdesshëm e më njerëzorë. U tregoi për vlerën e madhe të cilën Zoti i kishte dhënë njeriut, për virtytet e larta me të cilat e kishte stolisur, si e kishte krijuar në formën më të bukur, si kishte krijuar gjith ato mirësi për të plotësuar më së miri çdo nevojë të tij. I ftoi të vinin në punë arsyen, se nuk kishte si të ishin zota, ato objekte të ngurta që ata adhuronin, se mendja e tyre po humbte duke humbur edhe shpirtin pas idhujve që nuk ofronin asgjë.

Të gjithë e digjonin të heshtur profetin Nuh. Fjalët e tij kishin rënë si rrufe në mendjet e tyre të mpira. Mendoni një njeri, që e ka zënë gjumi në cep të një muri i cili është në të shembur. Një kalimtar, i cili e ka vënë re rrezikun që e pret, vrapon ta zgjojë. E shkund nga supet, i thërret, e tërheq. Mirëpo, ai i gjorë, jo vetëm që nuk i ve vesh dhe nuk do t’ia dijë për rrezikun që e pret, por i kthehet gjithë zemërim atij që e zgjoi, duke i bërtitur se i kishte prishur gjumin. Kjo ishte pozita e njeriut të mirë Nuh (a.s.) me njerëzit e tij…

Froni i ligësisë në botë kishte nisur e po tundej nga themelet prej fjalëve gjithë dashuri të profetit Nuh. Fara e urrejtjes nuk po nxinte më si më parë. Pushteti i dhunës po tronditej.

Mesazhi i Nuhut (a.s.) pritej mirë nga njerëzit e mirë, të shtypurit, të varfrit, por kurrsesi s’mund të gjente mbështetje nga të këqinjtë, shtypësit, mizorët.

Nuk donin kurrsesi që ingranazhi shoqëror i ndërtuar të prishej. Ata ishin të pasur, e kishin vënë këtë pasuri duke shtypur të varfrit, duke grabitur e plaçkitur, duke mashtruar njerëzit në emër të idhujve e të sistemit që gjoja ata u mësonin.

Një sistem i ri, një besim i ri, padyshim që iu prishte punë.

Prandaj vendosën t’i hapin luftë Nuhut (a.s.) dhe i thanë:

“Ti që pretendon se je profet, nuk ke asnjë ndryshim prej nesh. Edhe ti je njeri.”

Sikur profeti Nuh pretendonte tjetër gjë! Po, ai ishte si gjithë të tjerët, ishte njeri, se Zoti patjetër që të dërguarit e Vet i zgjidhte mes njerëzve, për njerëzit. Sikur banorët e tokës të kishin qenë engjëj, edhe profeti i tyre engjëll do ishte. Po në qoftë se Zoti do u dërgonte njerëzve për profet një engjëll, atëherë do ishte shumë e zorshme, se engjëjt nuk flenë, nuk ushqehen, nuk kanë funksionet e njerëzve. Ndaj nierëzit asnjëherë nuk do të kishin një shembull konkret për t’u treguar atyre rrugën e drejtë.

Profetët gjithmonë kanë qenë njerëz. Sepse ata jetojnë mes njerëzve, si njerëzit e tjerë, hanë, pinë, flenë, punojnë, udhëtojnë e flasin dhe kanë jetën e tyre familjare si gjithë të tjerët. Por çdo moment i jetës së tyre është shembull për njerëzit; për devotshmërinë, ndershmërinë, humanizmin dhe parimet që ata posedojnë.

Zemra e tyre është e mbushur me dashuri për Krijuesin dhe krijesat. Dëshira e tyre më e madhe është që të gjithë njerëzit të ndjekin rrugën e besimit të pastër, të duan njëri-tjetrin dhe të adhurojnë Zotin. Ata janë yjet e njerëzimit, udhëheqësit dhe liderit më të mëdhenj.

Diskutimet dhe kundërshtimet mes profetit Nuh dhe jobesimtarëve vazhdonin rreptë çdo ditë.

  • A e sheh? – i thonin ata. Ty nuk të vjen pas asnjë, veç varfanjakëve e qyqarëve.

Vërtet ata janë të varfër, por pasuria e tyre shpirtërore as krahasohet dot me ata që keni ju! – u përgjigjej i Dërguari.

  • Ata nuk janë paria e shoqërisë, si ne. Ata nuk janë as të pasur! Si mund të rrimë ne me ta?

Profeti Nuh mërzitej shumë. Si mund t’ua shpjegonte këtyre njerëzve se nuk është pasuria ajo që e nderon njeriun?

Ata vazhduan të këmbëngulnin në të tyren:

  • Dëgjo, Nuh! Në qoftë se do që t’i vemë vesh atyre që thua ti, së pari duhet të përzesh ata fukarenjtë që ke përreth. Ne jemi zotërinjtë e tyre, nuk mund të rrimë në një vend me ata mjeranë lecka-lecka.

Profeti Nuh (a.s.) i dëgjoi për ditë të tëra këta njerëz që gjithmonë gjenin arsye e shkaqe për të mos u bindur. Nuk u zemërua me ta, përkundrazi, u mundua t’i bindte me argumente të sakta e me fjalë të logjikshme. Si mund t’i përzinte ata njerëz të mirë që kishte përreth për arsyen e vetme se ishin të varfër? Së pari ata nuk vinin për të, por për Zotin, ishin miqtë e Tij. Shtëpia e Zotit ishte burim i Mirësisë së Pashtershme. Si mund ta pengonte Nuhu ardhjen e njerëzve te dera e Mëshirës? Ata vazhdonin të këmbëngulnin, profeti Nuh vazhdonte të argumentonte ëmbël. Gjithë arsyet që nxirrnin ata, profeti Nuh (a.s.) i hodhi poshtë butësisht, nuk u mbeti më asgjë e mençur që të thonin. Pas kësaj nisën një mënyrë tjetër. Kur e panë se nga kjo rrugë  nuk nxirrnin dot gjë, lanë menjanë edukatën dhe nisën nga fyerjet e kërcënimet.

– Ti je çmendur, Nuh! Gjithë këto që thua s’janë tjetër veç përralla! Broçkulla!

Profeti Nuh u përgjigj me një edukatë që veç të Dërguarit mund ta kenë:

O njerëzit e mi, unë nuk jam çmendur, as përrallis. Mua ma dha detyrën t’iu mësoj ju të drejtën, Krijuesi dhe Zoti i gjithësisë … Detyra ime është t’iu përcjell ju mesazhet e Tij. T’iu kujtoj ato që keni harruar dhe t’iu këshilloj. Gjithashtu t’ju mësoj ato që ju ende nuk i dini e që mua m’i mësoi Zoti i gjithësisë.

Dhe profeti Nuh (a.s.) vazhdoi të fliste me njerëzit e tij.

Ditë të tëra, muaj të tërë, vite të tërë, u shpjegoi pa u mërzitur, ditë e natë, haptas e fshehurazi. Herë me të embel, herë me të ashpër, u tërhoqi vëmendjen për jetën e gabuar që bënin.

Kishte për qëllim të ndriçonte sadopak ato zemra të ndryshkura, ato mendje të mpira. U tregoi mrekullitë e krijimit, u shpjegoi hënën, diellin, yjet, jo vetëm ashtu siç i shihnin ata, por si ishin në të vërtetë. U shpjegoi gjithësinë e mbushur nga çdo anë me mrekulli që ishin shembujt e forcës hyjnore.

Fjalët e profetit Nuh (a.s.) ishin shumë të bukura, të mençura dhe bindëse. Shembujt që ai jepte dhe dituria hyjnore që Zoti i kishte mësuar atij, ishin një mrekulli e vërtetë. Edhe kundërshtuesit e tij më të flaktë nuk gjenin fjalë për të hedhur poshtë argumentet e tij. Por kjo nuk mjaftonte që ata të besonin. Sa herë që takonin Nuhun, ata ndërronin rrugë, kur ai fliste, mbyllnin veshët me gishtërinjt; për të mos dëgjuar fjalët e tij. Asnjë fjalë, asnjë gjest nuk kishte më domethënie për ta. Asgjë nuk i pengonte më në rrugën e tyre të gabuar. Kështu vazhdoi kjo histori për nëntëqind e pesëdhjetë vjet.

Asgje nuk ndryshoi, as u shtua numri i besimtarëve, as ndryshoi numri apo mënyra e jetës së jobesimtarëve. Megjithëse kjo gjendje e mërziste pa masë profetin Nuh, ai asnjëherë nuk e humbi shpresën dhe durimin. Vazhdimisht e ftoi popullin e tij në rrugë të drejtë, kurse ata iu pergigjën me inat, me arrogancë dhe nuk hoqën dorë prej talljeve e gabimeve të tyre.

Ai ishte shumë i trishtuar, por jo i pashpresë. Besimi që kishte ai te Krijuesi i vet nuk e linte të humbte shpresat.

Megjithëse kishin kaluar plot nëntëqind e pesëdhjetë vjet, ai nuk dorëzohej. Siç duket, para stuhisë, jeta e njerëzve ka qenë shumë e gjatë. Ose një jetëgjatësi e tillë ishte një dhuratë e Zotit për profetin Nuh, kjo nuk dihet.

Së fundi, Zoti (xh.sh.) i tha profetit Nuh se pas kësaj dite askush tjetër, veç atyre që kishin besuar, nuk do i përgjigjej thirrjes së tij, prandaj s’kishte pse të mërzitej më tepër. Pas kësaj, profeti Nuh ngriti duart lart:

“O Zoti im, shkatërroji këta njerëz që nuk të besojnë!”

Zoti e pranoi lutjen e profetit dhe e urdhëroi atë të ndërtonte një anije gjigande.

Së pari, profeti Nuh mbolli pemë, të cilat do t’i duheshin për anijen. Pas disa vitesh, i preu ato pemë dhe i bëri dërrasa.

Pastaj filloi tu jepte formën që duhej atyre dërrasave. Nuk ishte aspak e lehtë të ndërtoje një anije. Kjo punë zgjati me vite të tëra. Profeti Nuh (a.s.) e ndërtoi anijen ashtu sikurse e kish mësuar Zoti. Ishte shumë e gjatë, shumë e lartë dhe përbëhej nga tre kate. Në katin e parë do të rrinin kafshët, në të dytin njerëzit, në të tretin shpendët. Kishte një derë të madhe hyrjeje në njërën anë dhe një mbulese nga sipër.

Filloi një thatësirë e madhe. Nuk binte asnjë pikë shi. Burimet kishin shterur, lumenjtë ishin tharë. Fakti që edhe deti nuk ishte afër, i bënte njerëzit të çuditeshin sa herë që shihnin Nuhun duke punuar për anijen. Kurse armiqtë e tij e pyesnin duke u tallur: Po me këtë anije, nëpër gurë e male do të lundrosh? Kemi thënë ne, je i çmendur ti, i çmendur. Pastaj qeshnin me të madhe.

Më në fund, ndërtimi i anijes përfundoi.

Papritur, nga furra e shtëpisë së profetit Nuh shpërtheu uji.

Ai ujë ishte lajmërues për stuhinë e madhe. Profeti Nuh (a.s.) mori nga një çift prej secilit lloj të kafshëve në anije. Gjithashtu, kur kishte ndërtuar anijen, profeti Nuh kishte vendosur edhe kafaze për të futur shpendët e egër. Pasi i futi të gjitha kafshët në anije, hipi dhe vetë me një grusht njerëz.

Profetin Nuh e mërziste shumë edhe fakti që gruaja e tij me te birin nuk besonin. Dhe kushti për të hipur në anije ishte besimi. Gjithsesi, profeti Nuh vendosi ta provonte serish.

– Hipni ne anije! – u tha. – Në këtë anije që me emër të Zotit do të lundrojë e me emër të Zotit do të shpëtojë.

Por, është e pamundur ta shohin të vertetën ata njerëz që janë bërë pre e mohimit, sado e afërt dhe e dukshme të jetë ajo.

Nuk pranuan të hipnin. As që e besonin Nuhun ndopak dhe i kthyen shpinën Shpëtuesit të madh.

Arriti stuhia…

Nga çdo e çarë e tokës vërshonte ujë, nga qielli binte një shi që nuk ishte parë gjer atë   ditë, sikur të ishte shpuar qielli. Çdo anë e mbuloi uji.

Profeti Nuh u soll nga i biri që vazhdonte të këmbëngulte në të veten. Kishte hipur mbi një shkëmb të lartë dhe shikonte anijen që largohej. I foli me dhembshurinë e një prindi:

– Bir, eja! Beso, mos i bëj padrejtësi vetvetes. Beso dhe hip në anije bashkë me ne!

Në anije hipnin vetëm ata që besonin, ky ishte kushti. Prandaj dhe profeti Nuh e ftonte të birin të besonte. Por i biri ia ktheu:

– Do ngjitem në mal, në maja të larta, aty ku uji nuk vjen dot. Ata do të më mbrojnë.

Por, ajo ishte një ditë kur askush veç atyre që kishin merituar dashurinë e Zotit, nuk do të shpëtonte. Ishte ditë dënimi!

Një ditë kur qielli e toka shfrynin zemërimin e tyre mbi njerezit pa besim.

Pas pak, dallgë të stërmëdha nisën të rrihnin shkëmbinjtë ku gjendej i biri i Nuhut. I riu hipi në një majë të lartë për t’u mbrojtur nga uji, por asgjë nuk mund ta përballonte furinë e ujërave të zemëruar. Një dallgë sa një mal përfshiu majën ku ishte djali dhe ai humbi mes ujërave.

Ishte një ditë e tmerrshme. Stuhia sa kishte filluar dhe vetëm mbrojtja e posaçme e Zotit mund t’i shpëtonte nga ai tmerr.

Ujërat rridhnin nga çdo anë. Rriteshin e rriteshin, ishin bërë sa mbulonin malet. Gjithë bota u përmbyt. I ngjante një oqeani pa fund. Ngado kishte veç ujë dhe errësirë. Një grup besimtarësh në një anije druri, dridheshin nga frika e i luteshin Zotit për shpëtim.

Përveç atyre që ishin në anije, mbi dhé nuk kishte mbetur asgjë e gjallë. As nuk mund të përshkruhet e as nuk mund të imagjinohet tmerri i asaj stuhie. Një fatkeqësi, një gjëmë e vërtetë. Anija e Nuhut ndërkohe vazhdonte udhëtimin duke u kacafytur me dallgët e larta. Forca e Zotit ishte ajo që e kishte bërë botën oqean dhe mëshira e Zotit ajo që mbronte anijen e Nuhut nëper dete. Një ditë, Zoti urdhëroi qiejt të mbanin

shirat, tokën të gëlltiste ujërat dhe anijen e Nuhut të zbarkonte pranë maleve Xhudi. Profeti Nuh (a.s.) dërgoi një pëllumb të kontrollonte përreth. Ai, kur u kthye, mbante në sqep një degë ulliri. Keshtu, Nuhu e kuptoi se furtuna kishte pushuar dhe në botë kishte ardhur sërish qetësia.

Stuhia kishte pushuar, ditët e frikshme kishin ngelur pas, por në zemrën e Nuhut kishte një perg. Ai ishte nje baba, ishte një baba shumë i mirë e shumë i dhembshur. Me duar të hapura iu lut Ati që do e kuptonte më mirë se kushdo, Zotit të vet: “Zoti im, më i Larti i të lartëve. Im bir ishte pjesë e familjes sime dhe pjesë e zemrës sime. Po edhe fjala jote është absolutisht e drejtë. Çdo veprim nga Ti ka një mijë e një arsye dhe askush më mirë se Ti nuk mund të marrë vendim.”

Zoti i kishte premtuar Nuhut se familja e tij do shpëtonte.

A nuk ishte i biri familja e tij?

I Githedituri foli me logjikë dhe dije të plotë e tha:

“Jo o Nuh, ai nuk është nga familja jote. Ai ishte e keqja e vetes. Faji i tij është shumë i madh. Ai preferoi terrin e mohimit në vend të së drejtës.”

Ai djalë nuk mund të ishte bir i Nuhut. Ai e mohonte Zotin. Nuk mjaftonte pastaj vetëm lidhja e gjakut për të qenë nga familja e Nuhut. Duhej besimi, ideali. Familja e vërtetë e Nuhut ishin ata që besonin atë dhe Zotin që e kishte dërguar.

Nuhu e kuptoi se kishte logjikuar gabim, jo ashtu si i takonte nivelit të tij si profet. Për ditë të tëra qau, u pendua dhe iu lut Zotit ta falte. Dhe Zoti e fali duke e mbuluar me

mëshirë. Pastaj e urdhëroi atë dhe të tjerët të linin anijen dhe të fillonin jetën në atdheun e ri. Pasi la të lirë zogjtë dhe kafshët, Nuhu zbriti nga anija. Ra në sexhde sapo i shkelën këmbët.

Toka ishte ende e lagët. U fal duke falenderuar Zotin dhe vendosi të ndërtonin një faltore të madhe, për të cilën nisi punën menjëherë.

Pastai ndezi një zjarr të madh dhe bashkë me të tjerët ulën përreth zjarrit. Në anije nuk kishin mundur të ndiznin zjarr, se një shkëndijë e vogël mund të mjaftonte të digjte anijen prej dërrase. Qëkur kishte nisur stuhia nuk ishin ngrohur dhe nuk kishin ngrënë diçka të ngrohtë. Bënë për të ngrënë dhe ashtu siç ishin, rreth zjarrit, hëngrën, pinë, biseduan, të qetësuar tashmë nga frika e madhe që kishin përjetuar. Zëri iu

dilte i plotë , mund të qeshnin, ndërsa gjatë stuhisë as kishin folur dot nga tmerri. Forca e Zotit (xh.sh.) që kishin dëshmuar i kishte lënë pa gojë. Por tashmë i ishin kthyer sërish jetës. Një jetë e re nisi mbi tokë. Vitet ndoqën njëri-tjetrin. Profeti Nuh nuk reshti kurrë së shpjeguari Zotin… Por, një ditë , edhe ai e ndjeu se i ishte afruar vdekja. Mblodhi bijtë rreth vetes dhe u la amanetin. Edhe falët e tij të fundit ishin këto:

“Mos reshtni së adhuruari Zotin. Mos u ndani nga rruga e Tij!”