SHKREPTIMA E NJËZET E GJASHTË
Trajtesa për të moshuarit
[Kjo shkreptimë përbëhet nga njëzet e gjashtë shpresa, drita e ngushëllime][1]
Kujtues: Arsyeja pse i kam shkruar dëshpërimet dhe vuajtjet e mia në mënyrën më pikëlluese që do t’ju dëshpëronte ju në fillimin e çdo ‘shprese’ është me qëllim që t’ju tregoj juve efektshmërinë e ilaçeve që burojnë nga Kurani i gjithurtë.
Kjo shkreptimë, lidhur me të moshuarit, nuk ka qenë në gjendje të ruajë bukurinë e të shprehurit në tre apo katër drejtime:
E para: Meqenëse ajo është rreth historisë së jetës sime, unë shkova përsëri tek ato ngjarje nëpërmjet imagjinatës dhe ajo u shkrua në gjendjen mendore të atyre kohëve. Prandaj, një renditje e saktë nuk mund të ruhej në mënyrën e të shprehurit.
E dyta: Ajo u shkrua në një kohë që unë ndihesha shumë i lodhur pas faljes së agimit, dhe gjithashtu isha i detyruar ta shkruaja shpejt; kështu mënyra e saj e shprehjes u bë e ngatërruar.
E treta: Jo gjithmonë ndodhej dikush me mua për të shkruar dhe shkruesi, i cili në përgjithësi më shoqëronte, kishte katër ose pesë detyra të tjera që lidheshin me Risale-i Nurin. Prandaj ne nuk mund të gjenim kohë të mjaftueshme për ta korrigjuar dhe ajo mbeti në një gjendje të çrregulluar.
E katërta: Ne ndiheshim të lodhur pas kompozimit -hartimit- të saj dhe, duke mos depërtuar në thellësitë e kuptimeve, u mjaftuam vetëm me korrigjimet e përcipta; si rrjedhojë duhet të ketë gabime në mënyrën e të shprehurit. Unë kërkoj nga të moshuarit e nderuar që t’i shohin me tolerancë gabimet e tilla dhe, meqenëse mëshira Hyjnore nuk i refuzon duatë e të vjetërve të bekuar kur ata ngrejnë lart duart e tyre duke iu përgjëruar Allahut Mëshirëplotë, le të më përfshijnë mua në duatë e tyre.
Me Emrin e Allahut, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti.
“Kef-Ha-Ja-Ajn-Sad. (ky është) tregimi për mëshirën e Zotit tënd ndaj robit të Tij Zekerijja.
Kur ai iu drejtua Zotit të tij me lutje të fshehtë. Duke thënë:
“Zoti im! Me të vërtetë që kockat më janë dobësuar dhe flokë të thinjura më kanë mbuluar kokën, por unë kurrë nuk kam qenë i pabekuar (prej Teje) në lutjet e mia ndaj Teje, o Zoti im![2]
Kjo shkreptimë përbëhet nga njëzet e gjashtë shpresa.
■ SHPRESA E PARË
O vëllezërit e mi të dashur dhe o motrat e mia të respektuara që keni arritur moshën e pjekurisë, të pleqërisë e të përfundimit! Ashtu si ju, edhe unë jam i moshuar. Unë do të shkruaj shpresat që i kam gjetur në pleqëri dhe disa nga gjërat që më kanë rënë, nga dëshira për të ndarë me ju dritat e ngushëllimit që ato përmbajnë. Natyrisht dritat që kam parë dhe dyert e shpresës që i kam hasur, qenë parë e hapur në përputhje me aftësitë e mia të mangëta e të ngatërruara. Në dashtë Zoti, gjendjet dhe aftësitë tuaja të pastërta e të sinqerta do t’i bëjnë ato drita që i kam parë të lëshojnë më shumë shkëlqim dhe t’i forcojnë shpresat që i kam gjetur.
Atëherë, burimi dhe origjina e shpresave dhe e dritave që vijojnë është Imani -besimi në Zot.
■ SHPRESA E DYTË
Kur hyra në pleqëri, në njërën nga ditët e vjeshtës në kohën e iqëndisë – faljes së pasdites- po vështroja dynjanë nga një maje mali.
Papritmas ndjeva një gjendje të trishtueshme, të përvajshme e të pikëlluar bashkë me një errësirë që i kishte rrethuar dhe kishin hyrë në thellësitë e mia.. Unë pashë se isha plakur.
Dita gjithashtu ishte vjetëruar, edhe viti ishte plakur; edhe dynjaja ishte plakur gjithashtu. Kjo pleqëri e cila mbulonte gjithçka rreth meje më tronditi rëndë. U afrua koha e ndarjes nga dynjaja, gati erdhi ndarja nga të dashurit..
Ndërsa nervozohesha i brengosur dhe i hidhëruar, papritmas zbulohet para meje mëshira Hyjnore dhe e transformoi atë dëshpërim pikëllues në një shpresë të fuqishme dhe në një gëzim ndriçues në zemër dhe e transformoi atë ndarje të hidhur nga të dashurit në një dritë vezulluese ngushëllimi.
Po, o ju që jeni plakur si unë! Allahu xh.sh. i Cili e prezanton madhërinë e Tij tek ne në më shumë se njëqind vende në Kur’anin e gjithurtë me atributet e Er-Rahman, Er-Rahim, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti dhe i Cili e dërgon gjithmonë mëshirën e Tij për t’u ardhur në ndihmë krijesave të gjalla në faqen e tokës të cilat i kërkojnë mëshirë Atij, dhe që në çdo vit e mbush pranverën me mirësi të panumërta dhe me dhurata nga e Padukshmja duke na i dërguar neve që jemi të nevojshëm për ushqim dhe, e manifeston mëshirën e Tij të thellë në përputhje me shkallët e dobësisë dhe me shkallët e pafuqisë sonë. Prandaj kjo mëshirë e Krijuesit tonë Mëshirëplotë është shpresa më e madhe për ne dhe drita më e fuqishme. Kjo mëshirë mund të arrihet duke formuar një lidhje me Atë të Gjithëmëshirshëm të Vetëm nëpërmjet besimit dhe duke iu bindur Atij nëpërmjet kryerjes së pesë namazeve të detyruara dhe farzeve e obligimeve.
■ SHPRESA E TRETË
Një herë kur u zgjova në mëngjesin e pleqërisë nga gjumi i natës së rinisë unë e sodita vetveten dhe pashë se jeta ime po nxitonte drejt varrit sikur po vraponte teposhtë në tatëpjetë.
Ashtu siç tha Njazi Misri:[3]
“Në çdo ditë një gur nga ndërtesa e jetës sime bie në tokë;
O i pakujdesur! Ti po dremitesh i pavetëdijshëm se ndërtesa është rrënuar!
Trupi im, banesa e shpirtit tim, po bëhej e rrënuar duke i rënë një gur në çdo ditë dhe shpresat e mia dhe ndjenjat që më mbanin të lidhur fort me dynjanë, kishin filluar të këputeshin prej saj. Ndërkohë unë ndjeva se koha e ndarjes nga shokët e mi të panumërt dhe nga ata që i doja ishte afruar. Unë kërkoja një balsam për atë plagë të thellë shpirtërore e cila në pamje të jashtme ishte e pashërueshme, por nuk munda ta gjeja. Përsëri ashtu si Njazi Misri, unë thashë:
Ndërsa zemra ime deshi pavdekshmërinë e saj,
Urtësia e Krijuesit kërkoi përkohshmërinë dhe asgjësimin e trupit tim;
Unë jam i goditur me një sëmundje të pashërueshme të cilën madje as Lukmani nuk mundi ta kuronte.”
Ndërsa isha në këtë gjendje, papritmas drita dhe shefaati i profetit të gjithëlavdishëm a.s.m., i cili është mëshira e Allahut për të gjitha botët, gjuha, modeli, shembulli, lajmëtari dhe përfaqësuesi i asaj mëshire shpirtërore, dhe dhurata e udhëzimit që ai i solli njerëzimit, e zbuti dhe e shëroi plagën të cilën e pata supozuar se ishte e pashërueshme dhe e pafund.
Po, o burra të moshuar dhe o gra të moshuara që e ndjeni pleqërinë ashtu si unë. Ne jemi duke u larguar, nuk ia vlen të mashtrojmë vetveten. Në qoftë se ne do t’i mbyllnim sytë ndaj saj, ajo nuk do të na bënte ne të mbeteshim këtu.
Ka një mobilizim. Toka e botës së ndërmjetme, e cila na shfaqet të jetë e errët dhe plot ndarje për shkak të mashtrimeve të errëta të cilat burojnë nga pakujdesia dhe pjesërisht nga njerëzit e çudhëzimit, është vendtakimi i të dashurve. Është bota kur ne do të takohemi me në krye të Dashurin e Zotit dhe ndërmjetësuesin tonë në Ditën e Kijametit dhe me të gjithë të dashurit dhe miqtë tanë.
Po, ai që është Sulltani i treqind e pesëdhjetë milionë njerëzve në çdo shekull dhe për një mijë e treqind e pesëdhjetë vite, dhe zhvilluesi i shpirtërave të tyre, udhëzuesi i mendjeve të tyre, i dashuri i zemrave të tyre dhe, regjistrit të veprave të mira të të Cilit, në përputhje me kuptimin e “shkaku është si vepruesi”, çdo ditë i shtohet barasvlera e të gjitha veprave të mira të kryera nga ummeti i tij; i Cili është boshti i përmbushjes së qëllimeve të larta Hyjnore në univers dhe për të kuptuar vlerën e lartë të qënieve. Kur ai erdhi në dynja, sipas rrëfenjave të sakta dhe të ndriçimeve të zbulesave të vërteta, ai thirri: “Ummeti im! Ummeti im!.”[4]
Gjithashtu në Gjyqin e Fundit kur gjithësecili mendon vetëm për vetveten, ai përsëri do të thotë: “Ummeti im! Ummeti im!” dhe me vetëflijim të shenjtë e të lartësuar ai shpejton nëpërmjet shefaatit të tij për të mbështetur ummetin e tij dhe për ta ndihmuar atë me mëshirën më të madhe, më të lartë, më të shenjtë e më sublime.
Atëherë ne jemi duke shkuar tek ajo botë në të cilën ka shkuar ky profet i nderuar, ne udhëtojmë për tek bota që u ndriçua me dritën e atij fanari ndriçues dhe e ndriçuar nga yjet e Evlijave të panumërt dhe nga dijetarët e pastër duke u rrotulluar rreth atij dielli.
Po, mjeti për të përfituar nga shefaati dhe nga drita e tij si dhe për të shpëtuar nga errësira e botës së ndërmjetme, është të ndjekësh sunnetin e tij të pastër e të lavdishëm.
■ SHPRESA E KATËRT
Në kohën që i isha afruar pleqërisë, shëndeti i trupit tim që kishte zgjatur pakujdesinë dhe e kishte shtrirë u thye, u bë i sëmurë. Pleqëria dhe sëmundja më sulmuan në bashkëpunim. Duke më goditur në kokë, ato e larguan nga unë gjumin e pakujdesisë. Unë nuk kisha asgjë që të më lidhte me dynjanë si, familje, fëmijë apo pasuri. Duke i pasë harxhuar frutat e kapitalit të jetës sime nëpërmjet mendjelehtësisë së rinisë, unë i pashë ato fruta të përbëheshin vetëm nga gjynahe e gabime.
Ndërkaq kërkova ndihmë duke thirrur ashtu si Njazi Misri:
Unë e mbylla pa fituar gjë; kapitali i jetës sime humbi i gjithi;
Erdha i pavetëdijshëm tek rruga për të gjetur karvanin që kishte shkuar larg.
Duke rrënkuar vazhdova rrugën krejt i vetmuar, i huaj;
Sytë e mi duke qarë, zemra ime në ankth, mendja ime e hutuar, e pavetëdijshme.
Unë në atë kohë isha në mërgim; ndjeva një brengë dëshpëruese, një keqardhje pendimi, një dëshirë të zjarrtë për ndihmë.
Papritmas, Kur’ani i gjithurtë më erdhi në ndihmë. Ai hapi një derë shprese aq të fuqishme dhe dha një dritë ngushëlluese aq të vërtetë saqë mund të largonte dëshpërimin dhe errësirën njëqind herë më të forta se sa të miat.
Po, o burra dhe o gra të respektuar e të moshuar që lidhjet e marrёdhëniet tuaja me dynjanë kanë filluar të ndahen e të këputen ashtu si unë!
Krijuesi i Gjithëlavdishëm i Cili e krijoi këtë dynja si një qytet të përkryer e të mirorganizuar si të ishte një pallat madhështor, a do të ishte e mundur që ky Krijues Gjithëbujar të mos fliste me të dashurit e Tij dhe me mysafirët e Tij më të nderuar në këtë qytet apo në këtë pallat? Dhe a do të ishte e mundur që Ai të mos i takonte ata?!!
Meqenëse Ai me dijeni e krijoi këtë pallat, e sistemoi atë me vullnet dhe e stolisi me zgjedhje, atëherë sigurisht që Ai do të fliste, sepse ashtu si ndërtuesi që di, edhe ai që njeh, flet. Dhe meqenëse Ai e bëri këtë pallat një bujtinë të bukur e të këndshme dhe këtë qytet si një vend tregtie për ne, atëherë Ai sigurisht duhet të ketë libra e fletë nëpërmjet të cilave të tregojë se çfarë dëshiron Ai prej nesh dhe të sqarojë lidhjet e Tij me ne.
Atëherë nuk ka dyshim se libri më i plotë prej atyre librave të shenjtë, të cilët Ai i shpalli, është Kur’ani i gjithurtë i shpjegimit të mrekullueshëm; mrekullia e tij është vërtetuar në dyzet aspekte; ai lexohet në çdo minutë nga të paktën njëqind milionë njerëz; ai përhap dritë dhe udhëzon për tek e drejta; çdo shkronjë e tij jep të paktën dhjetë merita dhe shpërblime; dhe ndonjëherë dhjetë mijë merita, dhe madje tridhjetë mijë merita ashtu si në Natën e Kadrit. Dhe kështu jep nga frutat e Xhennetit dhe nga dritat e botës së ndërmjetme çfarë të dojë Allahu që të japë. Nuk ka libër në univers që të konkurojë me të në këtë pozitë, dhe a do të mundej dikush tjetër ta pretendonte atë?
Përderisa Kurani gjithëbujar që ndodhet para nesh është Fjala e Krijuesit të të gjitha botëve që vjen nga Hyjnia e Tij absolute, nga madhështia e Hyjnisë së Tij, nga mëshira e Tij e gjithanshme dhe është dekreti dhe burimi i mëshirës së Tij, atëherë kapu fort pas tij; në të ka ilaç për çdo sëmundje, një dritë për çdo errësirë dhe shpresë për të gjitha dëshpërimet.
Atëherë, çelësi për këtë thesar të përjetshëm është besimi dhe nënshtrimi ndaj Allahut, ta dëgjosh atë, ta pranosh, ta këndosh e ta recitosh.
■ SHPRESA E PESTË
Në fillimin e pleqërisë sime, duke dashur të jetoj i vetmuar e i veçuar nga njerëzit, unë u tërhoqa dhe u mbylla në vetvete tek Jusha Tepesi, kodra e Joshuas që ka pamje nga Bosfori i Stambollit. Shpirti im po kërkonte qetësi në veçim e vetmi.
Një ditë në atë kodër të lartë, unë vështrova përreth meje në horizontin e gjërë. Pashë nëpërmjet paralajmërimit të pleqërisë një tabllo prej tabllove të kalimit e të ndarjes që pikonte dëshpërim e brengosje. Ndërkohë hodha vështrimin nga maja e pemës së jetës sime prej degës së dyzet e pestë të saj deri sa përfundova tek thellësitë e niveleve më të ulëta të jetës sime; në secilën prej atyre degëve që ndodheshin atje brenda çdo viti, unë pashë kufoma të panumërta prej kufomave të të dashurve të mi, të shokëve dhe të të gjithë atyre që kishin lidhje me mua.
Duke ndjerë një dëshpërim të mjerueshëm që buronte nga largimi dhe nga ndarja prej të dashurve dhe, duke menduar ashtu si Fuduli El Bagdadi[5] për shkak të ndarjes nga të dashurit, unë qava duke thënë:
Sa herë që më kujtohet shoqërimi i tyre unë vajtoj,
dhe derisa të ketë frymë në këtë trup të thatë, unë do të qaj…
Ndërkaq unë kërkova një ngushëllim, një dritë dhe një derë që të çon tek shpresa. Papritmas besimi në botën tjetër më erdhi në ndihmë duke lëshuar një dritë të pashuar dhe duke dhënë një shpresë të pashkatërrueshme.
Po, o vëllezërit e mi dhe o motrat e mia që jeni moshuar si unë!
Meqenëse ka Ahiret dhe ai është i përhershëm dhe është një botë më e mirë se sa kjo; dhe meqenëse Ai i Cili na krijoi është i Gjithurtë dhe Mëshirëplotë, atëherë nuk duhet që ne të ankohemi për pleqërinë dhe as nuk duhet të dëshpërohemi për të, përkundrazi, meqenëse me pleqërinë njeriu arrin moshën e plotësimit nëpërmjet adhurimit dhe besimit, dhe ajo është një shenjë që ai do të lirohet nga detyrat e jetës dhe do të largohet për tek bota e mëshirës për të jetuar përgjithmonë në rehati, ne duhet të jemi të lumtur me të.
Po, njoftimi me unanimitet të plotë e të sigurt i dhënë nga njëqind e njëzet e katër mijë profetë e mesazhierë të pastër e të zgjedhur a.s. ashtu siç tregojnë për këtë numër hadithet; disa prej tyre duke u mbështetur tek shikimi dhe disa të tjerë tek ‘siguria absolute’ për ekzistencën e Ahiretit; njoftimet me unanimitet të tyre se njerëzit do të shtyhen për atje dhe se Krijuesi xh.sh. do ta sjellë padyshim vendbanimin e Ahiretit, ashtu siç ka premtuar në mënyrë të prerë.
Gjithashtu duke i vërtetuar nëpërmjet ndriçimeve dhe shikimeve në formën e ‘sigurisë tek shkalla e njohjes’ njoftimet e profetëve, njëqind e njëzet e katër milionë Evlija kanë dëshmuar prerazi për ekzistencën e Ahiretit.
Gjithashtu manifestimet e të gjithë Emrave të Bukur Hyjnorë të Krijuesit të gjithësisë që shfaqen në të gjithë botën, kërkojnë në mënyrë të vetëkuptueshme ekzistencën e një bote tjetër të përjetshme, dhe tregojnë prerazi e qartë për ekzistencën e Ahiretit.
Gjithashtu, fuqia Hyjnore dhe urtësia e saj absolute, e cila nuk lejon asgjë të jetë kot e paqëllim, në çdo vit në pranverë sjell në jetë me urdhërin ‘kun fejekun, bëhu! dhe ajo bëhet në çast, kufomat e panumërta të pemëve të vdekura në faqen e tokës duke i bërë ato të shfaqen pas vdekjes së tyre, dhe duke i bërë si shenjë e ‘Ringjalljes pas vdekjes’, dhe ringjall duke sjellë në jetë treqind mijë specie bimësh e kafshësh duke treguar me këtë qindra e mijëra shembuj e modele të ringjalljes së të vdekurve; këto në mënyrë të qartë e të vetëkuptueshme bëjnë të domosdoshme ekzistencën e Ahiretit.
Gjithashtu, mëshira gjithëpërfshirëse e cila bën të vazhdojë jeta e të gjitha qënieve të gjalla të cilat kanë nevojë për furnizim -ushqim- duke ua siguruar me dhembshuri të plotë dhe në mënyrë të jashtëzakonshme mjetet e tyre të jetesës dhe, përkujdesja e vazhdueshme e cila shfaq llojet e pallogaritshme të stolisë e të zbukurimit, në një kohë shumë të shkurtër në çdo pranverë; edhe këto në mënyrë të vetëkuptueshme bëjnë të domosdoshme ekzistencën e Ahiretit.
Gjithashtu, dëshira e zjarrtë për qëndrueshmëri, përmallimi për përjetshmëri dhe shpresat për përjetësi të ngulitura thellë në natyrën e këtij njeriu i cili është fruti më i plotë i kësaj gjithësie; krijesa më e dashur e Krijuesit të universit, i cili prej të gjitha krijesave është më i lidhuri ngushtë me qëniet e tjera në univers, nuk ka dyshim se kjo tregon në mënyrë të qartë e të vetëkuptueshme ekzistencën e një bote të përjetshme pas kësaj bote të përkohshme dhe për ekzistencën e botës së Ahiretit dhe të banesës së lumturisë së përjetshme.
Atëherë të gjitha këto dëshmi vërtetojnë prerazi e në mënyrë të qartë e të vetëkuptueshme deri aty ku bën të domosdoshme ta pranosh, ekzistencën e Ahiretit ashtu si qartësia e ekzistencës së dynjasë.[6]
Meqenëse mësimi më i rëndësishëm që na jep Kurani është ‘Besimi në botën tjetër’ dhe ky mësim, ky besim, është kaq i fuqishëm dhe në atë besim ndodhet një dritë vezulluese, një shpresë e fortë dhe një ngushëllim i madh i tillë saqë, në qoftë se do të grumbulloheshin njëqind mijë pleqëri tek një person i vetëm, ngushëllimi që buron nga ky besim, ajo dritë dhe ajo shpresë do të ishin të mjaftueshme për t’i përballuar ato. Prandaj, ne njerëzit e moshuar duhet të gëzohemi për pleqërinë tonë e të themi:
“Lavdi Zotit për Plotësimin e Imanit”.
■ SHPRESA E GJASHTË
Kur isha në internim, në atë robëri pikëlluese, i tërhequr e i veçuar nga njerëzit dhe i vetmuar në majë të malit Çam Daği -Mali i Pishës- me pamje nga kullotat e Barlës.. unë po kërkoja një dritë në atë vetmi.
Një natë, ndërsa isha i vetmuar në një dhomë të vogël të ngritur në majë të një pishe të lartë në majë të atij mali të lartë, pleqëria më kujtoi tre apo katër mërgime, njëri brenda tjetrit. Ashtu siç është përshkruar në Letrën e Gjashtë, në qetësinë e asaj nate në të cilën nuk kishte asnjë ndikim a zë përveç asaj jehone të zymtë, fëshfërimave dhe murmurimave të pemëve.. unë ndjeva se ai zë melankolik dhe ajo jehonë e trishtueshme goditën thellësitë e emocioneve të mia dhe prekën thellësitë e ndjenjave të mia, dhe prekën thellësitë e pleqërisë sime dhe mërgimin tim. Ndërkohë, pleqëria më dha mendimin që vijon:
Ashtu siç u transformua dita në këtë varr të zi, të errët dhe, dynjaja veshi qefinin e tij të zi, po ashtu edhe dita e jetës tënde do të transformohet në natë, dhe dita e dynjasë do të transformohet në Natën e Berzahut, të Botës së ndërmjetme; gjithashtu edhe dita e verës së jetës do të transformohet e bëhet natë e dimrit të jetës. Atëherë nefsi im u detyrua të thotë:
Po, ashtu siç jam unë i huaj këtu larg vendlindjes e krahinës sime, i ndarë nga ata që unë i kam dashur gjatë pesëdhjetë viteve të jetës sime të cilët kanë vdekur, dhe kam mbetur duke vajtuar për ta, gjë kjo që është një syrgjynosje më e trishtueshme dhe më pikëlluese se sa internimi nga vendi e krahina ime. Për më tepër, unë në këtë natë ndiej një mërgim më të trishtueshëm dhe më pikëllues se sa mërgimi im në këtë mal i vetmuar dhe i syrgjynosur: pleqëria më njofton se po i afrohem kohës së ndarjes nga dynjaja me çfarë përfshin ajo. Pastaj unë fillova të kërkoj një dritë dhe një shpresë nga këto mërgime njëri brenda tjetrit. Papritmas ‘besimi në Zotin xh.sh.’ më erdhi në ndihmë dhe më dha një familiaritet të madh të tillë saqë në qoftë se vetmia ime e përbërë në të cilën unë e gjeta vetveten do të shtohej e mijëfishohej, ai ngushëllim do të kishte qenë i mjaftueshëm për t’i larguar ato.
Po, o ju burra të moshuar e gra të moshuara! Meqenëse ne kemi një Krijues Mëshirëplotë, atëherë, kurrë nuk ka mërgim për ne! Meqenëse Ai ekziston, gjithçka ekziston për ne. Meqenëse Ai ekziston, edhe engjëjt ekzistojnë gjithashtu. Atëherë kjo dynja nuk është bosh, malet e vetmuar dhe shkretëtirat e zbrazura janë të mbushura plot me shërbëtorë të nderuar të Allahut xh.sh., me melekë të nderuar.
Po, drita e besimit në Zotin xh.sh. dhe shikimi i universit për llogari të Tij, i bën pemët, madje edhe gurët sikur të ishin miq e shokë të dashur, përveç shërbëtorëve të Tij të vetëdijshëm, sepse ato qënie mund të flasin me ne -nëpërmjet gjuhës së gjendjes- dhe na japin ëndje e kënaqësi.
Po, dëshmitë dhe dëshmitarët sa numri i qënieve në univers dhe sa numri i shkronjave të këtij libri të gjërë të kësaj bote të madhe dëshmojnë për ekzistencën e Krijuesit tonë Mëshirëplotë, Gjithëbujar, Mik i ngushtë, i Dashur, Shpikës e Mbrojtës; ato dëshmi na e shfaqin mëshirën e Tij sa numri i gjymtyrëve të krijesave të gjalla, i ushqimeve dhe i mirësive që u përket atyre të cilat janë boshti i dhembshurisë, i mëshirës dhe i përkujdesjes, dhe tregojnë Divanin e Tij. Nuk ka dyshim se pafuqia dhe dobësia janë dy ndërmjetësit më të pranueshëm për tek ai Divan i lartë. Dhe pikërisht koha e pafuqisë dhe e dobësisë është mosha e pleqërisë, atëherë ne duhet ta duam pleqërinë dhe jo të zemërohemi e të prekemi prej saj, pasi ajo është një ndërmjetësuese e pranueshme para Atij Divani të lartë.
■ SHPRESA E SHTATË
Kur e qeshura e Saidit të vjetër po transformohej në qarje të Saidit të ri në kohën e fillimit të pleqërisë, njerëzit e dhënë vetëm pas kësaj dynjaje në Ankara më bënë mua ftesë për të shkuar atje, duke pandehur për mua se isha akoma ‘Saidi i vjetër’, dhe unë iu përgjigja ftesës së tyre.
Në një ditë nga ditët e fundit të vjeshtës, unë u ngjita në majën e kështjellës së Ankarasë, e cila ishte më e plakur, më e rrënuar dhe më e lodhur se sa unë. Ajo m’u duk se ishte formuar nga ngjarje historike të gurëzuara, të ngurosura. Pleqëria e stinës së vitit së bashku me atë të moshës sime, pleqëria e kështjellës, pleqëria e njerëzimit, pleqëria e shtetit osman, vdekja e sundimit të kalifatit dhe pleqëria e dynjasë, që të gjitha më bënë të dukesha në gjendjen më të trishtueshme, të brengosur e të zymtë në atë kështjellë të lartë në luginat e së shkuarës dhe në malet e së ardhmes. Ndërsa unë po përjetoja një gjendje krejtësisht të errët në shpirtin tim në Ankara, gjendje e cila ishte rrethuar nga katër a pesë shtresa prej errësirave të pleqërisë njëra brenda tjetrës[7], unë kërkova një dritë, një ngushëllim dhe një shpresë.
Kur unë hodha vështrimin nga e djathta, e cila është e shkuara, duke kërkuar një dritë e një shpresë, m’u duk ai drejtim nga larg në formën e një varreze të madhe të babait tim, e paraardhësve të mi dhe e llojit njerëzor dhe, në vend që të më ngushëllonte, më mbushi me zymti e trishtim.
Pastaj, duke kërkuar një ilaç, unë hodha shikimin nga e majta, domethënë nga e ardhmja. Ajo m’u shfaq në formën e një varri të madh të errët për mua, për bashkёkohësit e mi dhe për brezat e ardhshëm dhe, në vend që të më jepte familjaritet, ajo më dha panik e tmerr. Duke u ndjerë i vetmuar përballë të majtës dhe të djathtës, unë hodha vështrimin tek koha ime e tanishme. Ajo kohë u shfaq për shikimin tim të pakujdesshëm dhe historik si një arkivol duke mbajtur trupin tim të munduar e tё tronditur si i therruri midis vdekjes dhe jetës. Pastaj, i dëshpëruar nga ky drejtim, unë ngrita lart kokën time dhe hodha vështrimin tek maja e pemës së jetës sime, dhe pashë se në atë pemë ndodhej vetëm një frut dhe ai shikonte tek unë; ajo ishte kufona ime. Duke ndier tmerr nga ky drejtim, unë ula poshtë kokën time duke shikuar tek rrënjët e pemës së jetës sime; unë pashë se dheu që ishte aty ishte pluhuri i kockave të mia dhe dheu i zanafillës së krijimit që ishin përzier së bashku; ato shtypeshin në këmbë. Ai nuk ishte ilaç, ai vetëm se i shtoi një dhimbje tjetër dhimbjes sime.
Pastaj u detyrova të hedh vështrimin nga prapa meje. Unë pashë se kjo dynja e përkohshme kalimtare po rrokullisej poshtë në luginat e asgjësisë dhe po binte në errësirat e mosekzistencës. Ndërsa po kërkoja një balsam për sëmundjen time, ky shikim vetëm se shtoi helm mbi plagët e mia. Kur nuk gjeta në atë drejtim as ndonjë gjë të mirë dhe as shpresë, unë ktheva shikimin tim nga ana e përparme, sodita nga larg, dhe pashë se dera e varrit shihej e hapur mu në mes të rrugës sime; ajo po më vështronte gojë hapur. Pas saj ishte rruga që shtrihej drejt përjetësisë, dhe karvanet e njerëzimit që ecnin në atë rrugë m’u shfaqën mua nga larg. Dhe përveç se një dëshire të pjesshme e të kufizuar, si mbështetja ime dhe arma mbrojtëse përballë këtyre fatkeqësive e tmerreve që vinin nga këto gjashtë drejtime, unë nuk kisha asgjë.
Meqenëse kjo armë e vetme -dëshira e pjesshme- ishte e mangët, e shkurtër, e dobët, e pafuqishme, dhe që s’kishte forcë për të krijuar përballë të gjithë atyre armiqve të panumërt dhe gjërave të dëmshme të pafundme; dhe njeriu nuk ka mundësi tjetër, veçse ‘fitimit’, pasi ai nuk mund të kalojë as tek koha e shkuar me qëllim që t’i heshtë dëshpërimet që erdhën prej andej, as nuk mund të depërtojë për tek e ardhmja që të pengojë frikësimet e ankthet që vijnë prej saj. Unë pashë me siguri se nuk kishte asnjë dobi a ndihmë për shpresat dhe dhimbjet e mia lidhur me të shkuarën dhe me të ardhmen.
Ndërsa isha i tronditur në mes të tmerrit, vetmisë, errësirës dhe dëshpërimit që më vinin nga këto gjashtë drejtime, dritat e besimit që shkëlqenin në qiellin e Kuranit të shpjegimit të mrekullueshëm papritmas më erdhën në ndihmë. Ato i ndozën dhe i ndriçuan ato gjashtë drejtime në një shkallë të tillë, saqë sikur të shtoheshin njëqind herë më shumë tmerret dhe errësirat që kisha parë, ato drita do të ishin të mjaftueshme e të plota për t’i rrethuar e për t’i përfshirë ato.
Ato drita e shndërruan atë zinxhir të gjatë vetmie në ngushëllim e shpresë, i transformuan ato tmerre e frikësime në familjaritet, miqësi të ngushtë, në qetësi të zemrës dhe në shpresë të shpirtit një e nga një.
Po, besimi e grisi atë formë të tmerrshme të së shkuarës që ishte si një varrezë e madhe dhe e transformoi në një tubim të ndritshëm e familjar dhe në një vend takimi për të dashurit, dhe këtë e shfaqi me siguri të plotë e me sigurinë absolute…
Pastaj besimi e shfaqi të ardhmen, e cila ishte dukur në formën e një varri të madh për sytë e mi të pavëmendshëm, e shfaqi me sigurinë e njohjes se ishte një vend gostie i të Gjithëmëshirshmit i përgatitur në pallatet e lumturisë së përjetshme.
Pastaj besimi e copëtoi formën e arkivolit të kohës së tanishme që dukej ashtu nëpërmjet shikimit të pakujdesisë dhe e tregoi atë me siguri se ishte vend tregtie për Ahiretin dhe një bujtinë e të Gjithëmëshirshmit.
Pastaj besimi e tregoi me siguri të plotë se fruti i vetëm në majë të pemës së jetës sime nuk ishte një kufomë ashtu siç ishte shfaqur për syrin tim të shkujdesur, por se shpirti im i cili do të manifestonte jetë të amshuar ishte paracaktuar për lumturinë e përjetshme, do ta linte shtëpinë e tij të rrënuar dhe do të udhëtonte përreth yjeve.
Dhe nëpërmjet misterit të tij, besimi tregoi se kockat e mia dhe pluhuri që ishin zanafilla e krijimit tim, nuk ishin thjesht kocka të pavlera të pluhurta që shtypen nën këmbë, por ai pluhur ishte dera e mëshirës Hyjnore dhe perde para sallës së Parajsës.
Nëpërmjet misterit të Kuranit, besimi shfaqi e tregoi se dynjaja e cila qe shfaqur për syrin tim të pavëmendshëm sikur rrokullisej poshtë në errësirat e mosekzistencës dhe në asgjësi -ajo nuk po rrokullisej kështu në errësirat e mosekzistencës ashtu siç u supozua në fillim, por dynjaja me të gjitha gjendjet e saja janë një lloj prej mesazheve Hyjnore dhe si fletë zbukurimi dhe qëndisjeje të Emrave të Bukur të të Përjetshmit Absolut të cilat i kishim përmbushur detyrat e tyre, që i kishin shfaqur kuptimet e tyre dhe kishin lënë prapa rezultatet e tyre në ekzistencë. Kështu më bëri të njohur me siguri të plotë natyrën e vërtetë të dynjasë.
Dhe nëpërmjet Dritës së Kuranit, besimi më tregoi qartë se ai varr, i cili kishte hapur sytë e tij dhe më shikonte duke më pritur, nuk ishte gryka e një pusi, por ai ishte dera për botën e dritës. Dhe ajo rrugë pas tij -e cila shtrihej për në përjetësi- nuk të çonte në asgjësi e në mosekzistencë, por në ekzistencë, në botën e dritës dhe në lumturinë e përjetshme.
Meqenëse besimi e demonstroi këtë deri në një shkallë që dha bindje të plotë, ky qe një ilaç e balsam për sëmundjen time.
Pastaj besimi i jep asaj dëshire të pjesshme, e cila ka vetëm një fitim të pjesshëm, një dokument nëpërmjet të cilit ai mbështetet tek një fuqi absolute, dhe nëpërmjet tij ai lidhet me një mëshirë të pakufishme përballë atyre armiqve të panumërt dhe atyre shtresave të errësirës, madje vetë besimi është një dokument në dorën e dëshirës së pjesshme të njeriut.
Pastaj kjo dëshirë e pjesshme e cila është arma e njeriut, edhe në qoftë se në vetvete është e mangët, e pafuqishme dhe e shkurtër, veçse ama në qoftë se ajo do të përdorej në Emrin e Zotit të Plotëfuqishëm, në rrugën e Tij dhe për hir të Tij, njeriu do të arrinte -nëpërmjet misterit të besimit- një xhennet të përjetshëm me një gjërësi që arrihet për pesëqind vjet. Ashtu si një ushtar që, në qoftë se do të përdorte fuqinë e tij të pjesshme në Emrin e Shtetit, do të ishte e kollajtë për të që të kryente akte që tejkalojnë me mijëra herë forcën e tij individuale.
Besimi ashtu siç i jep një dokument dëshirës së pjesshme, ai i merr prej duarve të trupit frerat e dëshirës së pjesshme, i cili nuk mund të depërtojë në të shkuarën dhe as në të ardhmen, dhe ia dorëzon ato zemrës dhe shpirtit. Meqenëse sferat e jetës së shpirtit dhe të zemrës nuk kufizohet tek koha e tanishme ashtu si trupi, dhe të përfshira në sferën e asaj jete janë shumë vite nga e shkuara dhe shumë vite nga e ardhmja, atëherë ajo dëshirë e pjesshme niset nga e pjesshmja, pushon së qëni e kufizuar, dhe fiton universalitet. Ashtu si nëpërmjet forcës së besimit, ajo mund të futet në luginat më të thella të së shkuarës dhe largon errësirat dhe hidhërimet e saj, po ashtu me dritën e besimit, ajo mund të ngjitet tek malet më të larta të së ardhmes duke larguar ankthet dhe frikësimet e saj.
O vëllezërit e mi të moshuar dhe o motrat e mia të moshuara që po vuani vështirësitë e pleqërisë ashtu si unë!
Meqenëse, lavdi Zotit, ne jemi besimtarë, dhe në besim gjenden kaq shumë thesare të ndritshëm, të kënaqshëm, të ëmbël e të dashur; dhe meqenëse pleqëria jonë na shtyn neve edhe më shumë për tek kënaqësitë e thesareve, atëherë nuk duhet të shfaqim ankesa për pleqërinë, por duhet t’i paraqesim një mijë e një falënderime Allahut dhe ta lavdërojmë Atë për pleqërinë tonë të ndriçuar me iman.
■ SHPRESA E TETË
Në kohën kur thinjat, të cilat janë shenjat e pleqërisë, filluan të shfaqeshin në flokët e mia, dhe trazirat e luftës së parë botërore dhe pasojat e rënda që la pas mbajtja ime si rob lufte tek rusët, të gjitha këto e bënë akoma më të thellë e më të rëndë gjumin e pakujdesisë së rinisë. Nderimi dhe emri i madh që m’u bënë kur u ktheva në Stamboll, trajtimi i mirë që m’u bë, rëndësia dhe vëmendja që m’u kushtua gjë që ishin shumë më të tepërta se sa e meritoja, qoftë nga ana e kalifit, apo e Shejhul islamit, nga komandanti i përgjithshëm i ushtrisë apo nga studentët e fesë; e gjitha kjo shkaktoi tek unë një gjendje shpirtërore përveç dehjes dhe pakujdesisë së rinisë dhe e bëri atë gjumë tek unë akoma më të thellë e më të rëndë, saqë unë me të përfytyrova se dynjaja ishte e përhershme dhe e qëndrueshme, dhe e pashë veten time në një gjendje të çuditshme të çimentuar e të lidhur fort me dynjanë sikur unë nuk do të vdisja.
Në këtë kohë, unë shkova tek xhamia Bajazit në Stamboll në një ditë të Ramazanit për të dëgjuar Kuranin nga hafizat e sinqertë të Kuranit. Nëpërmjet gjuhëve të atyre hafizëve, recituesve, Kurani i shpjegimit të mrekullueshëm po shpallte me adresimin e tij të lartësuar qiellor dekretin: “Gjithësecili do ta shijojë vdekjen”[8], i cili në mënyrën më të fuqishme shpall vdekjen e njeriut dhe atë të qënieve të gjalla. Ky njoftim hyri në veshin tim, depërtoi në thellësirat e zemrës sime dhe u vendos atje; ai dekret e dërrmoi dhe e shkatërroi gjumin tim të thellë dhe pakujdesinë. Pastaj unë dola nga xhamia. Për shkak të trullosjes së atij gjumi të thellë i cili për një kohë të gjatë ishte vendosur në kokën time, për disa ditë një shtrëngatë -stuhi, valë- po tërbohej dhe unë e pashë veten time si një anije që lëviste përmes dallgëve të trazuara të detit si një kompas që rrotullohej dhe vetja ime po digjej flakë me zjarrin e atij tymi të dendur.. Sa herë që shihesha në pasqyrë, ato thinja të bardha më drejtoheshin duke më thënë: “Bëj kujdes!”; dhe kështu çështjet u bënë të qarta tek unë nëpërmjet paralajmërimeve të thinjave të mia. Hodha vështrimin dhe pashë se rinia ime e cila më joshte e më robëronte me kënaqësitë e saja po më thonte: Lamtumirë! Dhe se jeta e dynjasë të cilën unë e doja dhe me të cilën unë isha shumë i lidhur, filloi të shuhej pak e nga pak; dhe se dynjaja me të cilën unë isha i lidhur kaq ngushtë dhe pas të cilës unë isha shumë i mallëngjyer dhe isha ashik i saj, po më thonte: “Lamtumirë! Lamtumirë!” Duke më paralajmëruar se unë do të largohesha nga kjo bujtinë dhe do ta lija së shpejti. Dhe e pashë atë -domethënë dynjanë- të thonte gjithashtu: “Lamtumirë” dhe po përgatitej të largohej.
Ndërkohë m’u zbulua në zemër nga universaliteti i këtij vërseti,
“Gjithësecili do ta shijojë vdekjen” dhe nga gjithanshmëria e tij, kuptimi që vijon:
I gjithë lloji njerëzor është si një qënie e vetme; ai do të vdesë me qëllim që të ringjallet. Edhe globi tokësor është një krijesë e gjallë; gjithashtu edhe ai do të vdesë me qëllim që të marrë një formë të përjetshme. Edhe dynjaja gjithashtu është si një krijesë e gjallë; ajo do të vdesë me qëllim që të marrë formën e Ahiretit.
Ndërsa isha në këtë gjendje, unë shqyrtova situatën në të cilën ndodhesha dhe pashë se rinia e cila është burimi i kënaqësisë, po largohej; ndërsa pleqëria që ishte burimi i dëshpërimit dhe i brengosjes, po afrohej. Ajo jetë, e cila ishte aq e shndritshme dhe brilante po bëhej gati të udhëtonte; kurse vdekja, e cila ishte e tmerrshme dhe errësirë në pamje të jashtme, po bëhej gati të arrinte; dhe ajo dynja e dashur, e cila mendohej të ishte e përhershme dhe që ishte e dashur për shkak të pakujdesisë, po ecte me nxitim drejt asgjësimit e zhdukjes.
Me qëllim që të mashtroj vetveten dhe të zhys kokën përsëri në pakujdesi, unë e drejtova shikimin tim tek kënaqësitë e pozitës shoqërore dhe të rangut që gëzoja në Stamboll, të cilat ishin shumë më të larta se sa e meritoja, por edhe në to nuk kishte asnjë dobi. I gjithë vlerësimi, vëmendja dhe ngushëllimi i njerëzve më shoqëronin vetëm tek caku i afërt i derës së varrit, dhe aty ato do të shuheshin.
Dhe pashë se një hipokrizi e rëndë, një egoizëm i ftohtë dhe një pakujdesi e përkohshme gjendeshin të fshehura në perden e qëndisur të famës dhe të emrit, të cilat janë qëllimi i rremë i atyre që ndjekin famën dhe janë dashuruesit e saj. Unë kuptova se këto gjëra, të cilat më kishin mashtruar mua deri atëherë, nuk qenë në gjendje të më jepnin asnjë ngushëllim, dhe nuk mund të gjendej absolutisht asnjë dritë në to. Unë përsëri fillova të dëgjoj hafizat e nderuar në xhaminë Bajazit me qëllim që të dëgjoj mësimin qiellor të Kur’anit dhe për t’u zgjuar edhe një herë nga pakujdesia ime. Ndërkohë dëgjova sihariqet e atij udhëzimi qiellor nëpërmjet urdhëresave të shenjta Hyjnore në Fjalën e Tij:
“Dhe përgëzoji ata që besojnë”[9]
Nëpërmjet shkëlqimit të Kuranit, unë kërkova ngushëllim, shpresë dhe dritë në çdo çështje nga të cilat unë ndjeva tmerr, vetmi e dëshpërim, dhe ato nuk i kërkova jashtë atyre çështjeve. Një mijë e njëqind falënderime bëj për Krijuesin Gjithëbujar i Cili më dha sukses të gjej ilaçin në vetë sëmundjen, të shoh dritën brenda vetë errësirës dhe të ndjej ngushëllimin brenda dhimbjes e tmerrit.
Së pari, unë hodha vështrimin tek fytyra e vdekjes, e cila imagjinohet të jetë gjëja më e tmerrshme dhe që frikëson gjithkënd. Nëpërmjet dritës së Kur’anit unë pashë se, ndonëse perdja e vdekjes është e zezë, e errët dhe e shëmtuar, veçse ama për besimtarët fytyra e saj e vërtetë është e ndritshme dhe e bukur. Ne e kemi provuar këtë të vërtetë në mënyrë vendimtare në shumë pjesë të Risale-i Nurit. Për shembull, ashtu siç e kemi shpjeguar në Fjalën e Tetë dhe në Letrën e Njëzet, vdekja nuk është një asgjësim përfundimtar, ajo nuk është ndarje e përhershme, përkundrazi, ajo është një parathënie për jetën e amshuar, për fillimin e saj; është një pushim nga mundimet e vështirësitë e detyrave të jetës, është një çmobilizim; është një ndryshim banese; është një bashkim e takim me karvanin e të dashurve të cilët tashmë kanë udhëtuar për tek Bota e Ndërmjetme.. dhe kështu me radhë. Unë pashë fytyrën e vërtetë e të bukur të vdekjes nëpërmjet të vërtetave të tilla si këto. Unë nuk e pashë me frikë fytyrën e vdekjes; unë, në të vërtetë, e pashë atë me përmallim, nga një aspekt, dhe njoha në atë kohë një mister nga misteret e lidhjes së vdekjes, shqyrtimit të vdekjes të cilën e praktikojnë njerëzit e Tarikatit Sufi.
Pastaj unë shqyrtova periudhën e rinisë që tashmë kishte kaluar, dhe pashë se ajo periudhë moshe e bën gjithësecilin të vajtojë për kalimin e saj, e cila i bën ata të dashurohen marrëzisht pas saj dhe i mbush me mallëngjim; dhe është ajo moshë që kalon në pakujdesi e në mëkate, dhe kështu më kaloi mua. Unë pashë se brenda petkut të saj të qëndisur bukur ndodhej një fytyrë shumë e shëmtuar, e dehur, e topitur dhe e shushatur.
Në qoftë se nuk do ta kisha njohur natyrën e saj të vërtetë, ajo do të më bënte të dëshpëruar e të qaja gjatë gjithë jetës, madje edhe sikur të jetoja njëqind vjet kundrejt pak viteve që kalojnë në dehje e zbavitje, ashtu siç tha një poet duke vajtuar me pikëllim për rininë e tij:
“Ah sikur të kthehej një ditë rinia,
t’i tregoja se ç’më ka bërë pleqëria”
Po, njerëzit e moshuar, si poeti i lartëpërmendur, të cilët nuk e njohin natyrën e vërtetë të rinisë, mendojnë për rininë e tyre dhe vajtojnë me pikëllim e përmallim. Mirëpo kur periudha e rinisë dhe shkëlqimi i saj vijnë tek besimtarët me mendje e me zemra të shëndosha; në qoftë se energjia dhe fuqia e rinisë do të harxhoheshin në ibadet, në punë të drejta dhe në tregtinë për Ahiretin, atëherë ajo periudhë moshe do të bëhej forca më e madhe për mirësi, mjeti më i mirë për tregti, mjeti më i këndshëm ndërmjetësues për mirësitë, dhe madje mjeti më i kënaqshëm.
Po, periudha e rinisë është vërtet e vyer dhe shumë e çmueshme; ajo është një mirësi shumë e madhe Hyjnore dhe një entuziazëm shumë i këndshëm për atë që e njeh detyrën e tij islame dhe për atë që nuk e keqpërdor. Mirëpo në qoftë se rininë nuk do ta shoqëronte istikameti -moderimi, drejtësia- dhe nuk do ta shoqëronte ndershmëria, dëlirësia e frika ndaj Zotit xh.sh., atëherë ajo përmban shumë rreziqe; ajo shkatërron lumturinë e tij të përjetshme, jetën e tij të Ahiretit dhe ndoshta do ta rrënonte edhe jetën e tij të kësaj dynjaje gjithashtu. Në të vërtetë, kundrejt kënaqësive dhe ëndjeve për një ose dy vite rini, ajo shkakton shumë vite dëshpërimi e brenge në periudhën e moshës së pleqërisë.
Meqenëse për shumicën e njerëzve rinia është e dëmshme, ne njerëzit e moshuar duhet ta falënderojmë shumë Allahun që ne kemi shpëtuar prej rreziqeve dhe dëmit të saj. Ashtu si çdo gjë tjetër, edhe kënaqësitë e rinisë ikin. Në qoftë se periudha e rinisë do të shpenzohej në ibadet dhe në vepra të mira, atëherë frutet e një rinie të tillë mbeten përjetësisht në vend të saj dhe ato do të bëheshin mjete për të fituar një rini të vazhdueshme e të përhershme në një jetë të amshuar.
Pastaj unë hodha vështrimin tek dynjaja pas së cilës janë të dashuruar marrëzisht shumica e njerëzve dhe me të cilën ata janë të sprovuar.
Nëpërmjet dritës së Kuranit unë pashë se dynjaja ka tri fytyra, njëra brenda tjetrës.
E para është dynjaja e orientuar tek Emrat e bukur Hyjnorë; dhe ajo është pasqyrë për to.
Fytyra e dytë është dynjaja e orientuar drejt Ahiretit, dhe ajo është si tokë e kultivuar e saj.
Fytyra e tretë është dynjaja e orientuar tek njerëzit e dhënë vetëm pas kësaj bote dhe tek njerëzit e çudhëzimit; ajo është një fushë lojërash për njerëzit e shkujdesur dhe për zbavitjen e tyre.
Për më tepër, gjithësecili ka botën e tij të veçantë të madhe në këtë dynja. Atëherë ndodhen aq shumë botëra njëra brenda tjetrës aq sa numri i qënieve njerëzore. Veçse ama shtylla e botës private të çdonjërit është vetë jeta e tij.
Kurdo që të shembet trupi i personit, atëherë shembet bota e tij dhe bëhet kijameti për të. Dhe meqenëse të pakujdesurit dhe neglizhentët nuk e kuptojnë se bota e tyre private do të shkatërrohet kaq shpejt, ata joshen pas saj dhe e supozojnë atë të qëndrueshme ashtu si dynjanë e përgjithshme që është e qëndrueshme përreth tyre. Ndërkaq unë mendova me vete duke thënë: “Edhe unë gjithashtu kam një botë private që do të shembet shpejt e do të shkallmohet ashtu si botërat e njerëzve të tjerë. Atëherë çfarë vlere e dobie ka në këtë botën time private, në këtë jetën time të shkurtër?”
Atëherë, nëpërmjet dritës së Kuranit, unë pashë se kjo dynja, në lidhje me mua dhe me të tjerët, është vetëm se një vend i përkohshëm tregtie, është një bujtinë që mbushet e zbrazet në çdo ditë; është një treg i ngritur në rrugë me qëllim që kalimtarët të bëjnë tregti; është një libër i hapur i Krijuesit Formëdhënës që ripërtërihet vazhdimisht, i Cili fshin në të çfarë të dëshirojë dhe shkruan në të me urtësi. Dhe çdo pranverë është një letër e zbukuruar dhe e larë në ar, dhe çdo verë është një poemë e shkëlqyer e mirësistemuar; ajo përbëhet nga pasqyra që ripërtërihen duke shfaqur manifestimet e Emrave të bukur të Krijuesit të Gjithëlavdishëm; ajo është një farishte dhe një kopshtpër të mbjellë për Ahiret; është një lulnajë e mëshirës Hyjnore, dhe një fabrikë e përkohshme për të përgatitur e prodhuar tablo e pllaka të përjetshme Hyjnore të cilat do të shfaqen në botën e qëndrueshmërisë dhe të përjetshmërisë.
Ndërkohë unë e falënderova shumë Allahun, Krijuesin Gjithëbujar i Cili e kishte bërë dynjanë në këtë mënyrë. Dhe unë kuptova se, ndërsa dashuria për fytyrat e bukura të brendshme të dynjasë i qe dhënë njerëzimit, meqenëse ata e shpenzojnë atë në fytyrën e saj kalimtare, të shëmtuar, të dëmshme e të pakujdesshme, ata manifestojnë kuptimin e hadithit:
“Dashuria për dynjanë është kreu i të gjitha gabimeve”.[10]
Dhe kështu, o njerëzit e moshuar! Unë e kuptova këtë të vërtetë nëpërmjet dritës së Kuranit të Gjithurtë, nëpërmjet paralajmërimeve të pleqërisë sime dhe nëpërmjet dritës së besimit që m’i hapi sytë. Dhe unë e kam demonstruar këtë me prova vendimtare në pjesë të shumta të Risale-i Nurit. Unë pashë se kjo e vërtetë ishte ngushëllimi im i vërtetë, shpresa e fuqishme dhe drita vezulluese. Kështu unë qeshë i kënaqur me pleqërinë time dhe isha i gëzuar që më kishte kaluar rinia.
Atëherë mos u dëshpëroni, dhe mos qani o vëllezërit e mi të moshuar për pleqërinë tuaj dhe falënderojeni dhe lavdërojeni Allahun. Meqenëse ju keni besim dhe e vërteta flet kështu, atëherë le të qajnë ata të shkujdesurit dhe të çudhëzuarit që vajtojnë e rrënkojnë!…
■ SHPRESA E NËNTË
Në luftën e parë botërore, si një rob lufte, unë isha në provincën e largët të Kosturmas në Rusinë verilindore. Ndodhej një xhami e vogël atje që u përkiste Tartarëve pranë lumit të famshëm Vollga. Unë bëhesha i mërzitur midis shokëve të mi, oficerëve të tjerë. Unë preferova vetminë, por nuk mund të bridhja jashtë pa leje. Pastaj m’u lejua që të qëndroja në atë xhami nëpërmjet garancisë së banorëve të lagjes së tartarëve dhe me dorëzaninë e tyre, në brigjet e Vollgës. Unë fleja në xhami i vetmuar. Pranvera u afrua. Netët ishin shumë të gjata në atë tokë verilindore.. Llokoçitjet e trishtueshme të lumit Vollga, kërcitja e zymtë e shiut dhe ofshama melankolike e erës së atyre netëve të errëta në atë mërgim të errët më kishin zgjuar përkohësisht nga një gjumë i thellë i pakujdesisë. Unë akoma nuk e konsideroja veten time të vjetër, kurse ata të cilët e kishin përjetuar luftën e madhe ishin vjetëruar, pasi ditët e luftës, nga tmerri, i bënë edhe fëmijët të plakur, sikur kjo manifeston vërsetin,
“Ditën -atë ditë- që do t’i bëjë fëmijët të thinjur”.[11]
Dhe megjithëse isha afërsisht dyzet vjeç, veçse ama unë ndjeva në vetvete si të isha tetëdhjetë vjeç.. Në ato netë të gjata dhe të errëta, në atë mërgim të pikëlluar dhe në atë gjendje të zymtë, unë isha i dëshpëruar nga jeta ime dhe nga atdheu im; dhe sa herë që shikoja pafuqinë dhe vetminë time, këputej shpresa ime.
Atëherë, ndërsa isha në këtë gjendje, më erdhi ngushëllimi e ndihma nga Kurani i gjithurtë. Gjuha ime tha:
“All-llahu vetëm na mjafton neve dhe për ne Ai është Rregulluesi më i Mirë i punëve”.[12]
Ndërkohë zemra ime tha duke qarë:
“Unë jam i huaj, unë jam i vetmuar, unë jam i dobët, unë jam i pafuqishëm! Unë kërkoj mëshirë, unë kërkoj falje, unë kërkoj ndihmë nga Ti, o Zoti im!”
Ndërsa shpirti im i cili kujtoi të dashurit e mi të vjetër në vendin tim dhe imagjinoi vdekjen time në këtë mërgim, ashtu si Njazi Misri thashë këto rreshta të cilat kërkojnë një shok.
Duke kaluar mes dëshpërimit të dynjasë,
Duke fluturuar në ashk e në pasion,
Duke hapur krahët e mi ndaj privimit,
Duke bërtit në çdo moment:
Shok!.. Shok..!
Sidoqoftë.. ‘Dobësia ime’ dhe ‘pafuia ime’ u bënë në ato netë të zymta, të gjata e të errëta me ndarje, internime e mërgime dy ndërmjetësues të fuqishëm për t’u afruar tek dera e mëshirës Hyjnore, dhe dy mjete ndërmjetësues për tek prania Hyjnore, saqë unë vazhdoj akoma të jem i habitur se si munda të arratisesha pas pak ditësh, dhe në mënyrë të paparashikuar qeshë në gjendje të përshkoja një distancë e cila do të merrte një vit të plotë për t’u përshkuar në këmbë, dhe duke mos e njohur gjuhën Ruse. Unë shpëtova nga zënia rob lufte në një mënyrë të çuditshme nëpërmjet mirësisë Hyjnore, e cila m’u dhurua si rrjedhojë e pafuqisë dhe e dobësisë sime. Pastaj, duke kaluar nëpërmjet Varshavës dhe Vjenës, unë arrita në Stamboll. Kështu shpëtova nga ajo robëri në këtë mënyrë kaq lehtë që të bën të habitesh. Unë e plotësova udhëtimin e arratisjes me një lehtësi e kollajllëk të tillë, saqë madje edhe individët më guximtarë, më të zgjuar e më finokë prej atyre që flasin gjuhën Ruse nuk do të kishin qenë në gjendje ta realizonin.
Por gjendja ime në atë natë të cilën e kalova në xhami në brigjet e Vollgës më inspiroi mua e më bëri ta marr këtë vendim:
“Unë do ta kaloj pjesën e mbetur të jetës sime nëpër shpella e guva duke jetuar i veçuar nga njerëzit”.. Mjaft tani për mua për t’u përzier në këtë jetë sociale të njerëzve. Meqenëse në fund unë do të hyja i vetmuar në varr, unë thashë se tani e tutje, duhet të zgjedh vetminë dhe veçimin nga njerëzit dhe të mësohem me këtë gjendje!”
Po, kështu vendosa.. Por për fat të keq, të dashurit e mi të shumtë të sinqertë në Stamboll, jeta vezulluese e kësaj dynjaje atje dhe në mënyrë të veçantë fama dhe nderi që m’u dhanë, të cilat ishin shumë më të mëdhaja se sa i meritoja, më bënë që ta harroja përkohësisht vendimin tim. Sikur ajo natë mërgimi të ishte e zeza e ndritshme e syrit të jetës sime dhe sikur dita vezulluese e jetës në Stamboll të ishte e bardha e padritë e syrit të jetës sime. Ai sy nuk mundi ta shikonte të largëtën përpara, ai përsëri ra në një gjumë të thellë derisa e hapi atë Shejh Gejlani me librin e tij ‘Futuhal Gajb’ pas dy vitesh.
O burra dhe o gra të moshuar! Dijeni se dobësia dhe pafuqia e pleqërisë janë dy mjete ndërmjetësues për të tërhequr mëshirën dhe përkujdesjen Hyjnore. Manifestimi i mëshirës në faqen e tokës e demonstron këtë të vërtetë në mënyrën më të qartë, ashtu siç e kam vëzhguar atë në veten time në disa raste, sepse më të dobëtit dhe më të pafuqishmit e kafshëve janë të vegjëlit e tyre, por janë pikërisht ato të vegjël të cilët marrin manifestimin më të ëmbël e më të këndshëm të mëshirës.
Pafuqia e një zogu të vogël në folenë e tij në majë të një peme të lartë e vë në shërbim nënën e tij -nëpërmjet shfaqjes së mëshirës- sikur ajo të ishte një ushtare që pret urdhërat. Nëna e tij fluturon në të gjitha drejtimet dhe i sjell atij rizkun -ushqimin- e tij të bollshëm. Por sapo zogu i vogël ta harrojë pafuqinë, nëpërmjet rritjes së krahëve të tij të plotësimit, nëna e tij i thotë: Shko tani dhe gjeje vetë ushqimin tënd! Dhe ajo nuk e dëgjon më thirrjen e tij.
Atëherë ashtu siç është në fuqi ky mister i mëshirës për të vegjëlit, po ashtu ai është në fuqi edhe për të moshuarit, të cilët u ngjasojnë të vegjëlve për sa ka të bëjë me dobësinë dhe me pafuqinë e tyre. Përvoja ime e veçantë më ka dhënë mua një bindje të plotë se ashtu siç dërgohet furnizimi për të vegjëlit në mënyrë të mrekullueshme nga mëshira Hyjnore për shkak të pafuqisë së tyre, mëshirë e cila bën të vërshojnë burimet e kraharorëve, po ashtu ushqimi i të vjetërve besimtarë, të cilët fituan pafajësi, u dërgohet nga mëshira Hyjnore në formën e bereqetit; dhe burimi i bereqetit për çdo shtëpi dhe shtylla e tij janë ata banorë të moshuar, dhe ajo çfarë e ruan atë shtëpi nga fatkeqësitë e katastrofat janë të moshuarit. Kjo e vërtetë gjithashtu provohet nga hadithi profetik i cili thotë:
“Në qoftë se nuk do të ishin njerëzit tuaj të moshuar me shpinat e tyre të kërrusura, do të derdheshin me shumicë fatkeqësitë mbi ju”.[13]
Meqenëse dobësia dhe pafuqia e pleqërisë janë kështu mjetet për të tërhequr deri në këtë shkallë mëshirën e gjërë Hyjnore dhe se kurani i gjithurtë u bën thirrje fëmijëve për të treguar respekt e mëshirë ndaj prindërve në pesë shkallë në mënyrën më të mrekullueshme, me vërsetet e tij:
“… Në qoftë se njëri prej tyre ose dy arrijnë moshën e pleqërisë dhe ti je gjallë me ta, mos u thuaj atyre ndonjë fjalë pakënaqësie e mosrespekti, as mos e ngrini zërin (duke u thënë “uf”), por t’u drejtoheni atyre me shprehje nderuese e me respekt. Dhe ule mbi ta krahun e nënshtrimit, të mirësisë e të përuljes me mëshirë dhe thoni: “Zoti im! Dhuro mbi ta mëshirë siç më rritën mua, kur unë isha i mitur”.[14]
Meqenëse feja islame urdhëron të tregohet respekt e mëshirë ndaj të moshuarve, dhe meqenëse edhe natyra e njerëzve gjithashtu kërkon respekt e mëshirë ndaj të moshuarve, atëherë sigurisht ne njerëzit e plakur, nuk duhet ta ndryshojmë këtë pleqërinë tonë me njëqind mosha të rinisë, sepse ne kemi në këtë moshë kënaqësi shpirtërore të vazhdueshme e të vlefshme, në vend të kënaqësive fizike dhe epsheve të rinisë, pasi ne marrim kënaqësi shpirtërore që burojnë nga mëshira që vjen prej përkujdesjes Hyjnore dhe prej respektit që buron nga natyra njerëzore.
Po, unë mund t’ju tregoj ju me siguri se në qoftë se do të më jepeshin dhjetë vite të rinisë së ‘Saidit të vjetër’, unë nuk do t’i ndërroja ato me një vit të vetëm të pleqërisë së ‘Saidit të Ri’. Unë jam i kënaqur me pleqërinë time, edhe ju gjithashtu duhet të jeni të kënaqur me tuajën!
■ SHPRESA E DHJETË
Kur u ktheva nga zënia ime si rob lufte, unë u mposhta nga pakujdesia për një vit ose dy në Stamboll. Politikat e ditës e larguan vëmendjen time nga të shqyrtuarit në veten time, dhe e shpërndanë atë në botën jashtë. Pastaj një ditë, kur po rrija ulur tek varreza e Ebu Ejjub Ensarit, Zoti qoftë i kënaqur me të, në një pikë të lartë që kishte pamje nga një luginë e thellë, duke qenë i zhytur në shqyrtimin e shikimin e horizonteve përreth Stambollit, papritmas unë shoh se botës sime private po i vinte vdekja, saqë ndjeva me imagjinatë, sikur shpirti im po tërhiqej e largohej në disa drejtime.
Ndërkohë, unë thashë: “Nuk e di, a mos vallë mbishkrimet në gurët e varreve janë ato që më japin këtë imagjinatë? Dhe unë e tërhoqa shikimin tim. Unë nuk shikova më në largësi por tek varreza. Pastaj në zemrën time m’u shfaq çfarë vijon:
“Kjo varrezë përreth teje përfshin njëqind Stambolle! Sepse Stambolli është boshatisur këtu njëqind herë. Ti nuk mund të shpëtosh nga Dekreti i të Gjithurtit të Gjithëfuqishëm i Cili i ka zbrazur këtu të gjithë njerëzit e Stambollit; nuk mund të përjashtohesh vetëm ti nga ky dekret; nuk ka dyshim se edhe ti do të largohesh gjithashtu..!
Unë u largova nga varrezat duke mbajtur këtë imagjinatë të frikshme dhe u futa në dhomën e vogël tek shtëpiza e xhamisë së Ebi Ejjub Ensariut, Zoti qoftë i kënaqur me të, në të cilën unë kisha qëndruar disa herë më parë. Ndërkaq unë mendova me vete duke thënë: Unë jam mysafir! Unë jam mysafir në tre drejtime; sepse ashtu siç jam mysafir në këtë dhomë të vogël, unë gjithashtu jam mysafir edhe në Stamboll, madje unë jam një mysafir në dynja dhe do të udhëtoj e do të largohem prej saj. Mysafiri duhet të mendojë për rrugën e tij.
Po, ashtu siç do të dal prej kësaj dhome e do ta lë, po ashtu unë do ta lë një ditë edhe Stambollin dhe do të largohem edhe nga dynjaja gjithashtu.
Ndërsa isha në këtë gjendje mendore, zemra ime po mposhtej e dërrmohej nga një gjendje e dhimbshme, pikëlluese e turbulluese;
Unë nuk do ta lija vetëm pak të dashur, por do të ndahesha gjithashtu nga mijëra të dashur në Stamboll; madje do ta lija vetë Stambollin e dashur dhe do të ndahesha nga qindra e mijëra të dashurish, ashtu siç po ndahem nga dynjaja e bukur pas së cilës ne u robëruam.
Ndërkohë unë u ngjita përsëri tek i njëjti vend i lartë në varrezë dhe m’u dukën të gjithë banorët e Stambollit si kufoma duke ecur në këmbë, pikërisht ashtu siç shfaqen ata që kanë vdekur, persona duke lëvizur nëpër filmat kinematografikё; unë i frekuentoja ndonjëherë kinematë për të nxjerrë mësime.
Më vonë imagjinata ime më tha:
Meqenëse disa nga ata që janë duke fjetur në këtë varrezë mund të shfaqen si figurat kinematografike, atëherë mendo se edhe këta njerëz gjithashtu do të hyjnë përfundimisht në këtë varrezë, dhe konsideroji ata sikur të kenë hyrë qysh tani.
Papritmas, nëpërmjet Dritës së Kuranit dhe nëpërmjet udhëzimit të Gauth al-Aëdham, Shejh Gejlanit, iu shenjtëroftë sekreti i tij, gjendja ime e trishtueshme dhe e dhimbshme u transformua në gjendje të gëzueshme e të lumtur.
Ajo ishte si më poshtë vijon:
Drita që buron nga Kurani më dha mendimin vijues përballë asaj gjendjeje të trishtueshme:
Ti kishe një ose dy shokё oficerë ndërsa ishe rob lufte në mërgim në Kosturma në verilindje të Rusisë. Ti e dije se ata të dy do të ktheheshin në Stamboll. Në qoftë se njëri nga ata të dy do të të bënte të zgjedhje duke thënë: “A do të shkosh ti në Stamboll, apo dëshiron të qëndrosh këtu?” Sigurisht në qoftë se do të kishe sa një grimë inteligjencë, ti me kënaqësi e me gëzim do të kishe zgjedhur të shkoje në Stamboll, sepse prej një mijë e një të dashurve të tu, nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntë kanë shkuar tashmë në Stamboll. Vetëm një ose dy kanë mbetur këtu; edhe ata gjithashtu do të largohen për atje. Atëherë shkuarja për në Stamboll për ty nuk do të ishte një ndarje e trishtueshme dhe as një largim i dhimbshëm.. Për më tepër, ti erdhe këtu, a nuk do të bëheshe i lumtur e mirënjohës nëse do të veproje kështu? Ti shpëtove nga vendi i armiqve, nga netët e gjata e të errëta, nga dimri i ashpër e i stuhishëm, dhe erdhe në Stambollin e lulëzuar e të bukur, si një parajsë e kësaj dynjaje.
Dhe kështu është çështja, meqenëse nëntëdhjetë e nëntë prej njëqind vetave prej atyre që ti i ke dashur qysh prej fëmijërisë tënde deri tani, janë larguar për në varrezë, e cila duket për ty e tmerrshme dhe nuk ka mbetur prej tyre në këtë dynja veçse një ose dy; edhe ata gjithashtu janë në rrugën e tyre drejt saj, atëherë vdekja jote në dynja nuk është një ndarje e as largim, por është bashkim e takim me të gjithë ata të dashur.
Po, ata -domethënë shpirtërat e pavdekshëm- i kanë lënë vendbanimet e strehimet e tyre, dhe disa nga ata po udhëtojnë nëpër yje dhe disa në nivelet e Botës së Ndërmjetme. Kështu ma përkujtoi mua ajo dritë e Kuranit..
Po, Kurani dhe besimi e provuan këtë të vërtetë aq me siguri sa që ai që nuk e ka humbur krejtësisht zemrën dhe shpirtin dhe të cilin nuk e ka mbytur çudhëzimi, padyshim do ta besonte sikur ta shihte atë; sepse Ai që e stolisi këtë dynja me lloje të panumërta dhuratash e mirësish, duke demonstruar me këtë Hyjninë e Tij Gjithëbujare e të Dhembshur, dhe duke i ruajtur madje edhe gjërat shumë të vogëla e të pjesshme, si farërat për shembull; Ai Krijues Gjithëbujar e Mëshirëplotë duhet që medoemos, madje në mënyrë të vetëkuptueshme, që të mos e asgjësojë këtë njeri i cili është më i përkryeri i krijesave të Tij, më i nderuari, më gjithëpërfshirësi, më i rëndësishmi dhe më i dashuri për Të; dhe nuk do ta zhdukte atë me asgjësim e me ekzekutim përfundimtar pa mëshirë dhe pa përfundim -synim- ashtu siç duket në pamje të jashtme, as nuk do ta humbiste kurrë atë.. por Krijuesi Mëshirëplotë e vendos përkohësisht atë krijesë të dashur nën dhé i cili është dera e mëshirës, me qëllim që të prodhojë filiza e të japë fruta në një jetë tjetër, ashtu siç i hedh bujku farërat dhe i shpërndan në tokë[15].
Pasi unë mora këtë përkujtues të Kuranit, ajo varrezë u bë më familjare për mua se sa Stambolli. Vetmia dhe tërheqja u bënë më të kënaqshme për mua se sa bashkëbisedimi dhe shoqërimi. Dhe unë gjeta një vend për të qenë i vetmuar e i veçuar në Sarijer në Bosfor.
Shejh Gejlani, Zoti qoftë i kënaqur me të, u bë profesor për mua, doktor dhe udhëzues me librin e tij Futuh el-Gajb, kurse imam Rabbani, Allahu qoftë i kënaqur me të, u bë një mësues i afërt, familjar, i dhembshur dhe i mëshirshëm me librin e tij Mektubat.
Atëherë u bëra krejtësisht i lumtur që më ishte afruar pleqëria, që isha tërhequr nga civilizimi dhe që isha çliruar e shkëputur nga jeta sociale; kështu unë e falënderova shumë Allahun për këtë.
O njerëzit e respektuar që keni hyrë në pleqëri si unë.. dhe që e kujtoni shpesh vdekjen nëpërmjet paralajmërimeve të moshës..! Në përputhje me dritën e mësimeve të besimit të dhëna nga Kurani, ne duhet t’i shikojmë me sy të mirë pleqërinë, vdekjen, sëmundjen, dhe madje t’i duam ato nga një drejtim. Meqenëse ne kemi besimin që është mirësia më e madhe, atëherë pleqëria është e mirë dhe sëmundja është e mirë, edhe vdekja është e mirë gjithashtu.. Në qoftë se ka gjëra që janë tërësisht të shëmtuara, ato janë mëkati, shthurja, bidati dhe çudhëzimi.
■ SHPRESA E NJËMBËDHJETË
Pasi u ktheva nga mbajtja ime si rob lufte, unë jetoja së bashku me djalin e vëllait tim Abdurrahmanin[16] në një vilë në majë të kodrës Çamlixha në Stamboll. Nga këndvështrimi i jetës së kësaj dynjaje, situata ime mund të ishte menduar se ishte më e lumtura për njerëz si ne, sepse shpëtova nga robëria, nga mbajtja si rob lufte, dhe mjetet e përhapjes së njohurisë ishin të hapura para meje në Dar’ el-Hikmeti-el-islamijjeh, në mënyrën më të lartësuar duke iu përshtatur profesionit tim, profesionit shkencor.
Nderi dhe vlerësimi që m’u dhanë ishin shumë më të mëdhaja se sa e meritoja. Unë jetoja në Çamlixha, në vendin më të bukur në Stamboll. Gjithçka ishte e përkryer për mua. Unë isha së bashku me Abdurrahmanin e ndjerë, nipin tim, i cili ishte shumë i zgjuar dhe vetëflijues dhe ishte edhe studenti im, edhe shërbyes, edhe shkrues, saqë e konsideroja si djalin tim shpirtëror.
Ndërsa ndjeja se unë atëherë isha njeriu më fatlum në botë, unë hodha vështrimin në pasqyrë dhe pashë flokë të thinjura në kokën dhe në mjekrën time.
Papritmas, zgjimi shpirtëror që pata përjetuar në xhami në Kosturma ndërsa isha në robëri, filloi të shfaqej. Ndërkohë, unë fillova të studioja rrethanat dhe shkaqet me të cilat isha i lidhur përzemërsisht dhe të cilat i supozoja se ishin mjeti i lumturisë së kësaj dynjaje. Por cilëndo rrethanë apo cilindo shkak që unë studiova, pashë se ai ishte një shkak i kalbur dhe mashtrues; ai nuk meritonte që të lidhësh zemrën me të e të kapesh pas tij. Në atë kohë, unë vuajta një akt të paparashikuar dhe të paimagjinueshëm pabesie dhe mungese besimi nga një shok i ngushtë i cili konsiderohej nga shokët e mi më besnikë.. E gjitha kjo çoi në ftohje e në neveri për jetën e kësaj dynjaje, dhe i thashë zemrës sime:
“A kam qenë krejtësisht i mashtruar? Unë shikoj se shumë njerëz e shikojnë me xhelozi situatën tonë, jetën tonë, e cila në realitet është për të ardhur keq. A janë të marrë të gjithë këta njerëz apo jam unë i marrë që i shoh të gjithë këta njerëz të dhënë vetëm pas dynjasë si të çmendur?!
Sidoqoftë, si rrjedhojë e këtij zgjimi të ashpër i bërë nga thinjat e pleqërisë më bëri të shikoj së pari përkohshmëritë e të gjitha gjërave kalimtare me të cilat isha i lidhur.
Pastaj u ktheva tek vetja ime, dhe e gjeta atë krejtësisht të pafuqishme. Ndërkaq shpirti im, i cili dëshiron pavdekshmëri dhe ishte i dashuruar marrëzisht pas gjërave të përkohshme duke i imagjinuar ato të jenë të pavdekshme, bërtiti: “Meqenëse unë jam një qënie e përkohshme për sa ka të bëjë me trupin tim, atëherë çfarë e mire mund të vijë nga këto gjëra të përkohshme kalimtare? Meqenëse unë jam i pafuqishëm, çfarë mund të pres nga këto gjëra të pafuqishme? Ajo çfarë unë kam nevojë është Ai që është i përjetshëm dhe i qëndrueshëm, Ai që është i Gjithëfuqishëm dhe i Parapërjetshëm, dhe, i Cili do të sigurojë një ilaç për sëmundjet e mia. Dhe fillova të kërkoj.
Pastaj, para së gjithash, unë iu referova atyre dijeve që i kisha fituar më parë dhe po kërkoja në to ngushëllim e shpresë. Por fatkeqësisht, deri në atë kohë unë e kisha mbushur mendjen time me shkencat e filozofisë si dhe me shkencat islame dhe, duke qenë mjaft në gabim i kisha imagjinuar ato shkenca filozofike të ishin burimi i përparimit dhe i integrimit, dhe boshti i kulturës dhe i ndriçimit të mendimit.
Por, ato çështje filozofike e kishin ndotur shumë shpirtin tim, madje ato u bënë pengesë për zhvillimin tim shpirtëror. Papritmas, nëpërmjet mëshirës, mirësisë dhe bujarisë së Allahut të Gjithëfuqishëm e të lartësuar, urtësia e shenjtë e Kuranit të gjithurtë më erdhi në ndihmë. Ashtu siç është shpjeguar në pjesë të shumta të Risale-i Nurit, Ai i lau papastërtitë e atyre çështjeve filozofike dhe e pastroi shpirtin tim prej tyre.
Për shembull, errësira shpirtërore që buronte nga shkenca dhe nga filozofia e mbytën shpirtin tim në qëniet e universit. Sa herë që orientohesha me shikimin tim tek ato qënie, nuk shikoja dritë në to dhe nuk mund të gjeja shkëlqim, dhe nuk mund të merrja frymë. Kështu vazhdoi derisa erdhi Drita vezulluese e Unitetit Hyjnor e dhënë nga fraza prej Kuranit të gjithurtë.
Lailahe il-la Hu, Nuk ka zot tjetër përveç Atij, frazë e cila i shpërndau dhe i largoi të gjitha ato shtresa errësire me dritën e saj vezulluese, dhe unë munda të marrë frymë me lehtësi. Por nefsi im dhe shejtani, duke u mbështetur në ato mësime që kishin mësuar prej njerëzve të çudhëzimit dhe prej filozofëve, sulmuan arsyen dhe zemrën time. Mirëpo, lavdi Zotit, ky debat psikologjik nisi e përfundoi me fitoren e me triumfin e zemrës sime.
Meqenëse një pjesë e atyre debateve ka ardhur në shumë vende të Risale-i Nurit, ne mjaftohemi me to, veçse këtu do të shpjegojmë vetëm një provë prej mijërave me qëllim që të tregojmë një të mijtën pjesë të asaj fitoreje të zemrës kundra nefsit dhe shejtanit. Le të shërbejë ai argument për të pastruar shpirtërat e atyre të moshuarve të cilët i kanë ndotur shpirtërat e tyre dhe i kanë bërë të sëmura zemrat e tyre, nga gjërat të cilat megjithëse quhen filozofia perëndimore ose shkencat e civilizimit, janë pjesërisht çudhëzim dhe pjesërisht gjëra të rëndomta -banalitete. Dhe nëpërmjet Unitetit Hyjnor ata të mund të shpëtojnë nga e keqja e shejtanit dhe e nefsit. Ai debat është siç vijon:
Nefsi im më tha në emrin e shkencës e të filozofisë: “Sipas natyrës së gjërave, qëniet në univers ndërhyjnë në gjërat e tjera. Çdo gjë shikon tek një shkak. Fruti duhet të kërkohet nga pema dhe farërat nga dheu. Atëherë çfarë do të thotë të kërkosh me dua edhe gjënë më të papërfillshme e më të vogël e të pjesshme nga Zoti xh.sh.?
Nëpërmjet Dritës së Kuranit, kuptimi i Unitetit Hyjnor u shfaq atëherë në mënyrën që vijon:
Zemra ime iu përgjigj nefsit tim i cili filozofonte: Gjëja më e vockël dhe më e pjesshmja, ashtu si gjëja më e madhe, vjen drejtpërdrejtë nga fuqia e Krijuesit të të gjithë universit dhe shfaqet nga thesari i Tij. Kjo nuk mund të ndodhë në ndonjë mënyrë tjetër. Sa për shkaqet, ato janë thjesht një perde, sepse për sa ka të bëjë me artin dhe me krijueshmërinë, ndonjëherë krijesat, të cilat ne i supozojmë të jenë më të vogëlat dhe më pak të rëndësishme, janë më të mëdhaja se sa krijesat më gjigante.
Për shembull miza, edhe në qoftë se nuk do të ishte më e hollë e më e madhe në art se sa një pulë, veçse ama ajo nuk është më e vogël se ajo në art. Prandaj asnjë ndryshim nuk duhet të bëhet ndërmjet të madhes dhe të voglës. Ose të gjitha duhet të ndahen midis shkaqeve materiale, ose të gjitha duhet t’i atribuohen njëherësh një Qënieje të Vetme. Dhe ashtu siç është e pamundur e para, po ashtu e dyta është e domosdoshme për t’u besuar, sepse në qoftë se të gjitha qëniet i atribuohen një Qënieje të Vetme, domethënë të Gjithëfuqishmit të Parapërjetshëm, meqenëse njohuria e Zotit xh.sh. rrethon e përfshin gjithçka, dhe ekzistenca e së Cilës vërtetohet në mënyrë të sigurt nëpërmjet rregullit të të gjitha krijesave dhe urtësive që gjenden në to; dhe meqenëse masa e të gjitha gjërave është paracaktuar në njohjen e Tij; dhe meqenëse, në mënyrë të qartë, qëniet të cilat janë të mbushura me një art të pafundmë vijnë vazhdimisht në ekzistencë nga asgjëja me një lehtësi të pakufishme; dhe meqenëse në përputhje me dëshmi të panumërta të fuqishme, i Gjithëfuqishmi i Gjithëditur zotëron një fuqi absolute dhe është i aftë të krijojë çdo gjë nëpërmjet urdhërit “Kun fejekun” –“Bëhu! Dhe ajo bëhet në çast”- sa çel e mbyll sytë..
Dhe ashtu siç është shpjeguar në shumë pjesë të Risale-i Nurit dhe siç është provuar veçanërisht në Letrën e Njëzet dhe në fundin e Shkreptimës së Njëzet e Tretë, atëherë lehtësia e jashtëzakonshme dhe kollajllëku që ne e shohim buron nga ajo Njohje gjithëpërfshirëse dhe nga madhështia e asaj Fuqie absolute.
Për shembull, ashtu si në qoftë se do të kaloje një lëndë të veçantë kimike mbi një libër i cili është shkruar me bojë të padukshme kimike, ai libër gjigand papritmas demonstron ekzistencën e vet në mënyrë të dukshme dhe e bën vetveten të lexueshëm, po ashtu forma e veçantë dhe masa e caktuar e çdo gjëje është e paracaktuar në njohjen gjithëpërfshirëse të të Gjithëfuqishmit të Parapërjetshëm. Nëpërmjet urdhërit “Kun fejekun” –“Bëhu! Dhe ajo bëhet në çast”, me fuqinë e Tij të pakufishme, dhe me dëshirën e Tij depërtuese, i Gjithëfuqishmi Absolut përdor një manifestim të fuqisë së Tij për qënien e cila ekziston si njohje dhe me lehtësi të plotë e me kollajllëk si kalimi i asaj lënde kimike në shembull, i jep asaj ekzistencë të jashtme; Ai shfaq dhe bën të lexohen qëndisjet e Urtësisë së Tij.
Por në qoftë se të gjitha gjërat së bashku nuk do t’i atribuoheshin përnjëherësh të Gjithëditurit Absolut dhe të Gjithëfuqishmit të Parapërjetshëm, atëherë krijimi i gjësë më të vogël, si miza për shembull, do të kërkonte medoemos grumbullimin e të gjitha atyre që kanë lidhje me mizën prej shumicës së llojeve në botë, dhe t’i grumbullosh bashkë në një masë të veçantë e shumë të hollë, domethënë t’i grumbullosh të gjitha ato në trupin e mizës; madje do të bëhej e domosdoshme që çdo grimcë që vepron në trupin e mizës të kishte njohuri të plotë për misteret e krijimit të mizës dhe për urtësinë e ekzistencës së saj, madje do të duhej të njihte artin e saj të përkryer me të gjitha detajet e tij të holla.
Meqenëse shkaqet materiale ose natyra nuk mund të krijojnë absolutisht asgjë nga mosqënia, ashtu siç është e vetëkupueshme dhe e pranueshme me unanimitet nga të gjithë njerëzit e mençur; atëherë ato shkaqe edhe në qoftë se do të mundeshin të krijonin, por ama kjo nuk do të ishte e mundur veçse duke e grumbulluar qënien. Dhe meqenëse ato do ta grumbullojnë atë bashkë, çdo qënie e gjallë, cilado qoftë ajo, brenda saj përmban shembujt e shumicës së elementeve dhe të shumicës së specieve të qënieve, sepse krijesat e gjalla, mjaft thjesht, janë si një farë ose si esenca e universit. Atëherë duhet medoemos që t’i grumbullojë grimcat e farës nga një pemë e plotë, dhe t’i grumbullojë elementet e qënies së gjallë dhe grimcat e saj prej të gjitha anëve të botës duke i situr ato nëpërmjet një site të hollë dhe duke i matur me peshoren më të ndjeshme. Dhe meqenëse shkaqet natyrale janë të paditura dhe të pajeta, dhe nuk kanë njohuri me të cilën të përcaktojnë një plan, një ndeks, një model ose një program sipas të cilëve ato të mund të shkrijnë e të derdhin grimcat që hyjnë në kallëpin jolëndor të qënies në çështje, me qëllim që ato të mos shpërndajnë dhe prishin rregullin e saj; është e qartë se sa larg mundësisë dhe arsyes do të ishte nëse do të supozohej kjo, pa kallëp apo masë, që ato të mund t’i bëjnë grimcat e elementeve, që vërshojnë si rrëke, të mbeten njëri mbi tjetrin në formën e një mase të sistemuar pa u shpërndarë; sepse çdo gjë ka një formë të veçantë dhe një masë midis mundësive të pallogaritshme e të panumërta.
Sigurisht, ai që nuk vuan nga verbëria në zemrën e tij, do ta shohë atë. Po, si rrjedhojë e kësaj të vërtete, sipas kuptimit të vërsetit,
“Me të vërtetë që ata të cilëve ju u drejtoheni në vend të Allahut, nuk mund të krijojnë as edhe një mizë, edhe sikur të mblidheshin të gjithë së bashku për t’ia arritur qëllimit.” [17]
Domethënë, në qoftë se do të mblidheshin bashkë të gjithë shkaqet materiale dhe në qoftë se ato do të kishin dëshirë, ato nuk do të mund të grumbullonin qënien e një mize të vetme dhe sistemet e saj dhe organet me drejtëpeshimin e tyre të veçantë. Dhe madje edhe në qoftë se ato do të mund t’i grumbullonin, ato nuk do të mund t’i bënin të mbeten në masën e përcaktuar të qënies. Edhe në qoftë se do t’i bënin të mbeten kështu, ato nuk mund t’i bëjnë grimcat e vockëla, të cilat përtërihen në mënyrë të vazhdueshme duke ardhur në ekzistencë e duke punuar, nuk mund t’i bëjnë të veprojnë me rregull e me sistem.
Prandaj, në mënyrë të vetëkuptueshme shkaqet nuk mund të pretendojnë pronësi mbi gjërat. Domethënë, Pronari i tyre i Vërtetë është Dikush tjetër.
Po, Pronari i tyre i vërtetë është i Atillë që, sipas vërsetit,
“Krijimi i ju të gjithëve dhe ringjallja e ju të gjithëve janë si (krijimi dhe ringjallja) e një njeriu të vetëm.”[18]
Ai i sjell në jetë të gjitha qëniet e gjalla mbi faqen e tokës me aq lehtësi siç sjell në jetë një mizë të vetme. Ai e krijon pranverën me aq lehtësi siç krijon një lule të vetme; sepse Ai nuk ka nevojë që t’i grumbullojë gjërat së bashku. Meqenëse Ai është Pronari i urdhërit “Kun fejekun” –“Bëhu! Dhe ajo bëhet në çast”, dhe meqenëse në çdo pranverë Ai krijon nga asgjëja cilësi të panumërta, gjendje dhe format e qënieve të panumërta të pranverës së bashku me elementet e qënieve të tyre fizike; dhe meqenëse Ai përcakton planin, modelin, indeksin dhe programin e çdo gjëje në njohjen e Tij; dhe meqenëse të gjitha grimcat e vockëla janë në lëvizje brenda sferës së njohjes dhe të fuqisë së Tij; atëherë Ai krijon çdo gjë me lehtësi absolute dhe sa çel e mbyll sytë. Dhe asgjë absolutisht nuk e ngatërron lëvizjen e saj as sa një thërmijë. Dhe grimcat e vockëla janë si një ushtri e disiplinuar, e rregullt dhe e mirorganizuar për të, po ashtu janë edhe planetet si një ushtri e bindur për të.
Dhe meqenëse të gjitha ato ecin duke u mbështetur tek ajo fuqi e parapërjetshme dhe funksionojnë e lëvizin në përputhje me parimet e asaj njohjeje të parapërjetshme, atëherë ato vepra vijnë në ekzistencë në përputhje me atë fuqi. Prandaj ato nuk mund të vlerësohen të papërfillshme duke konsideruar individualitetet e tyre të parëndësishme, sepse nëpërmjet forcës së qënies e lidhur me atë Fuqi, një mizë mund të heqë qafe e të vrasë një Nimrud, dhe një milingonë mund të shkatërrojë pallatin e Faraonit, dhe një farë e vogël pishe mund të mbajë mbi shpatullat e saj peshën e krejt pishës gjigante që është e lartë sa një mal.
Ne e kemi provuar këtë realitet në pjesë të shumta të Risale-i Nurit. Këtu gjithashtu ne themi: Ashtu si nëpërmjet mobilizimit të tij në ushtri dhe duke qenë i lidhur me mbretin, një ushtar i zakonshëm mund të zërë rob një komandant të madh të armikut gjë e cila tejkalon një mijë herë aftësinë e tij, po ashtu, duke qenë të lidhura me fuqinë e parapërjetshme, të gjitha gjërat mund të manifestojnë mrekulli arti duke tejkaluar me mijëra herë kapacitetin e shkaqeve natyrale.
Shkurtazi: Fakti se të gjitha gjërat vijnë në ekzistencë edhe me art të pafundmë edhe me lehtësi të pafundme, tregon se ato janë veprat e të Gjithëfuqishmit të parapërjetshëm i Cili zotëron njohje gjithëpërfshirëse. Përndryshe kjo do të ishte një pamundësi në njëqind pamundësi që ajo gjë të vijë në ekzistencë; madje atëherë ajo do të dilte nga sfera e mundësisë dhe do të futej në sferën e pamundësisë; madje do të dilte nga limitet e nga forma e mundësisë për tek forma dhe natyra e pamundësisë; madje absolutisht asgjë nuk do të mund të vinte në ekzistencë.
Kështu nëpërmjet këtij argumenti shumë të hollë, të fuqishëm, të thellë e të qartë, nefsi im i cili kishte qenë një student i përkohshëm i shejtanit dhe një zëdhënës i njerëzve të çudhëzimit dhe i filozofëve, u hesht dhe, lavdi Zotit, besoi plotësisht; ai tha:
Po, ajo që kam nevojë është një Krijues dhe Furnizues i Cili zotëron fuqinë për të njohur dhe mendimet më të holla të zemrës sime dhe dëshirat e mia më të fshehura.
Dhe ashtu siç do t’u përgjigjej Ai nevojave më të fshehura të shpirtit tim, po ashtu Ai do ta transformojë tokën madhështore në Ahiret me qëllim që të më japë mua lumturi të përjetshme, dhe që do ta heqë këtë dynja e të vendosë Ahiretin në vendin e saj; i Cili i krijon qiejt ashtu siç krijon një mizë; dhe ashtu siç e lidh dhe e mbërthen diellin si një sy në faqen e qiellit, po ashtu mund të vendosë një grimcë në beben e syrit tim, sepse ai që nuk mund të krijojë një mizë nuk mund të ndërhyjë në mendimet e zemrës sime dhe nuk mund të dëgjojë lutjet e shpirtit tim. Ai që nuk mund të krijojë qiejt, nuk mund të më japë mua lumturi të përjetshme.
Prandaj, Krijuesi im është Ai i Cili dëgjon, madje që rregullon mendimet e zemrës sime; dhe ashtu siç e mbush Ai dhe e boshatis hapësirën e qiellit me re për një orë, po ashtu Ai do ta transformojë këtë dynja në Ahiret, do të bëjë xhennetin, do t’i hapë dyert e tij për mua duke më thënë: Eja, hyr!!
O vëllezërit e mi të moshuar, që si rrjedhojë e fatkeqësisë, ashtu si nefsi im, e keni kaluar një pjesë të jetës suaj në filozofinë e errët materialiste perëndimore dhe në shkencat e saj! Dijeni se dekreti i shenjtë La i lahe il-la Hu, Nuk ka zot tjetër përveç Atij që shprehet vazhdimisht nga gjuha e Kuranit, dhe kuptojeni se çfarë shtylle e fuqishme, e vërtetë e palëkundur, e padëmtueshme, e pandryshueshme dhe e shenjtë e besimit është ajo, dhe si ai dekret i largon të gjitha errësirat shpirtërore dhe i kuron plagët shpirtërore!
Edhe në qoftë se këtë tregim të gjatë e përfshiva brenda dyerve të shpresës dhe ngushëllimit të pleqërisë sime, veçse ama kjo ishte në mënyrë të pavullnetshme. Madje unë nuk doja ta përfshija atë këtu; unë zmbrapsesha nga bërja e diçkaje të tillë pasi mendoja se ajo do të ishte e mërzitshme.
Por unë mund të them se u ndjeva i detyruar që ta shkruaja. Sidoqoftë për t’u rikthyer tek çështja kryesore:
Si rrjedhojë e thinjave që u shfaqën në flokun tim e në mjekrën time dhe si rrjedhojë e pabesisë së një shokut tim besnik, unë u ndjeva i ftohur dhe i neveritur nga kënaqësitë e jetës mondane në Stamboll e cila ishte shumë vezulluese dhe në dukje e këndshme dhe e praruar. Nefsi im kërkoi kënaqësi shpirtërore në vend të kënaqësive pas të cilave ishte robëruar. Ai kërkoi një dritë, një ngushëllim në këtë pleqëri e cila dukej e rëndë, shqetësuese dhe e pakëndshme dhe e ftohtë në shikimin e të pakujdesshmive.
Lavdi Zotit dhe njëqind mijë falënderime qofshin për Të, ashtu siç gjeta kënaqësinë e vërtetë, të vazhdueshme dhe të ëmbël të besimit në La i lahe il- la Hu dhe në dritën e Unitetit Hyjnor në vend të të gjitha atyre kënaqësive të rreme, të pakëndshme e kalimtare të kësaj bote, po ashtu nëpërmjet dritës së Unitetit Hyjnor, unë e pashë pleqërinë, e cila në shikimin e të pakujdesshmive është e ftohtë dhe e rëndë, të ishte më e lehta, më e ngrohta dhe më e ndritshmja.
O ju burra të moshuar dhe o gra të moshuara!
Meqenëse ju keni besim dhe meqenëse bëni lutje e salevate të cilat e ndriçojnë besimin, madje e shtojnë besimin, ju mund ta shikoni pleqërinë tuaj si një rini e vazhdueshme, sepse nëpërmjet saj ju mund të fitoni një rini të përjetshme. Pleqëria e cila në të vërtetë është e ftohtë, e rëndë, e shëmtuar, e errët dhe plot dhimbje është pleqëria e njerëzve të çudhëzimit, madje edhe rinia e tyre gjithashtu. Ata duhet të qajnë me ofshama e dëshpërime. Ndërsa ju, o njerëz të moshuar të respektuar besimtarë, duhet që me gëzim të bëni falënderime duke thënë: “Lavdi Zotit në çdo situatë”.
■ SHPRESA E DYMBËDHJETË
Njëherë, unë po mbahesha në provincën e Barlës që i përkiste rrethit të Ispartës në një robëri dëshpëruese nën emrin e internimit, në një gjendje vërtet të mjeruar duke vuajtur edhe nga sëmundje edhe nga pleqëria dhe nga qënia i syrgjynosur, dhe në një fshat i vetmuar duke mos pasur askënd, i ndaluar nga të gjitha shoqërimet dhe nga komunikimi. Ndërsa isha në këtë gjendje pikëlluese, papritmas nga mëshira e Tij e gjërë dhe e plotë Allahu Fuqiplotë më dhuroi një dritë lidhur me pikat e holla dhe me misteret e Kuranit të Gjithurtë e cila ishte mjet ngushëllimi për mua. Me atë dritë, unë u përpoqa të harroj gjendjen time të mjerueshme, të dhimbshme e të trishtueshme. Unë madje qeshë në gjendje të harroj vendlindjen time, të dashurit dhe të afërmit e mi…
Por medet, sa keq! Ishte një person të cilin nuk mund ta harroja, dhe ai ishte Abdurrahmani, i cili ishte edhe nipi im edhe djali im shpirtëror, edhe studenti im më vetëflijues si dhe shoku im më guximtar. Ai qe ndarë prej meje para gjashtë ose shtatë vitesh, Allahu e mbuloftë me mëshirën e Tij. As ai nuk e dinte se ku ndodhesha që të mund të nxitonte për të më ndihmuar e për të më ngushëlluar, as unë nuk e dija gjendjen e tij që tё mund të mbaja korrespondencë me të dhe të ndanim dhimbjet me njëri-tjetrin. Tani në pleqërinë time unë isha shumë në nevojë për dikë besnik dhe vetëflijues si ai.
Pastaj, papritmas dikush më dha mua një letër. Unë e hapa atë dhe pashë se ajo ishte nga Abdurrahmani, e shkruar në një mënyrë e cila shfaqte plotësisht personin e vetë Abdurrahmanit. Një pjesë prej asaj letre u përfshi brenda pjesëve të letrës së Njëzet e Shtatë, e cila tregon qartë tre shembuj kerametesh. Ajo më bëri mua të qaja dhe akoma më bën të qaj. I ndjeri Abdurrahman shkroi një letër me seriozitet e me sinqeritet se ai ishte i neveritur nga kënaqësitë e kësaj dynjaje dhe se dëshira e tij më e madhe ishte që të arrinte tek unë që të kujdesej për mua në pleqërinë time ashtu siç kujdesesha unë për të kur ai ishte i vogël.
Ai gjithashtu donte të më ndihmonte me penën e tij të aftë në përhapjen e mistereve të Kuranit, që ishte detyra ime dhe misioni im i vërtetë në këtë dynja. Ai madje shkroi në letrën e tij: “Më dërgo njëzet ose tridhjetë trajtesa dhe unë do të shkruaj njëzet ose tridhjetë kopje për secilën dhe do t’i bëj edhe të tjerët t’i shkruajnë.”
Letra e tij më bëri të ndihem shumë optimist e shpresëtar lidhur me dynjanë. Duke menduar se unë kisha gjetur një student guximtar i cili ishte aq inteligjent sa një gjeni që do të më ndihmonte mua më shumë besnikërisht dhe nga afër se sa një djalë i vërtetë, unë e harrova robërinë time të dhimbshme, vetminë, mërgimin dhe pleqërinë.
Ai kishte siguruar një kopje të Fjalës së Dhjetë për besimin në Botën tjetër para se ta shkruante letrën. Sikur trajtesa kishte qenë një ilaç për të duke ia shëruar të gjitha plagët shpirtërore që i kishte marrë gjatë këtyre gjashtë ose shtatë viteve.
Ndërkohë ai shkroi letrën për mua sikur ai po priste vdekjen e tij me një besim të vërtetë të fortë e të ndritshëm. Pastaj një ose dy muaj më vonë, ndërsa po mendoja përsëri për kalimin e një jete të lumtur së bashku me Abdurrahmanin, por ah medet, unë papritmas mora njoftimin për vdekjen e tij.
Unë u trondita aq shumë nga ai lajm i hidhur saqë unë vazhdoj akoma të jem nën atë ndikim qysh prej pesë viteve. Ajo më shkaktoi mua një dëshpërim të madh, dhe një dhimbje të thellë për ndarjen e dhimbshme shumë më të madhe se sa robëria ime e dhimbshme, syrgjynosja, pleqëria dhe sëmundja që unë vuajta atëherë.
Unë thoja: Gjysma e botës sime private kishte vdekur me vdekjen e nënës sime, dhe tani me vdekjen e Abdurrahmanit, gjysma tjetër ka vdekur. Tani lidhjet e mia me dynjanë ishin këputur krejtësisht, sepse në qoftë se ai do të kishte jetuar, ai do të mund të kishte qenë edhe një ndihmë e fuqishme në detyrat e mia që shikonin Ahiretin, dhe një pasues i denjë për të mbushur plotësisht vendin tim pas meje, një shok vetëflijues dhe ngushëllim. Ai do të kishte qenë studenti im më i zgjuar dhe shoku dhe, një mbrojtës besnik dhe pronari i Risale-i Nurit.
Po, në lidhje me humanizmin, humbjet e tilla janë jashtëzakonisht dëshpëruese dhe të dhimbshme për njerëz si unë. Pavarësisht se unë përpiqesha t’i përballoja me durim ato dhimbje që vuaja, veçse ama një stuhi e fuqishme po tërbohej në vendet e shpirtit tim. Në qoftë se nga koha në kohë, nuk do të më kishte ngushëlluar ngushëllimi që buron nga drita e Kuranit, nuk do të kishte qenë e mundur që ta duroja. Në atë kohë unë fillova të endesha në malet e në luginat e Barlës. Duke qëndruar në vende të vetmuara në mes të brengave të mia, tablotë dhe përfytyrimet e jetës së lumtur që kisha kaluar në kohët e mëparshme me studentët e mi si Abdurrahmani kalonin përmes imagjinatës si film kinematografik; duke u prekur shpejt për shkak të pleqërisë dhe të syrgjynosjes, ato e thyen rezistencën time. Papritmas kuptimi i shenjtë i vërsetit, “Çdo gjë do të shuhet e do të shkatërrohet përveç Fytyrës së Tij. Atij i takon gjykimi e vendimi dhe tek Ai ju të gjithë do të ktheheni”[19], m’u zbulua. Ai më bëri mua të them duke përsëritur: Ja Baki Entel Baki, Ja Baki Entel Baki, ‘O i Qëndrueshmi i Vetëm! Ti je i Qëndrueshmi i Vetëm’! ‘O i Qëndrueshmi i Vetëm, Ti je i Qëndrueshmi i Vetëm!’ dhe me të unë gjeta ngushëllimin e vërtetë.
Pastaj, ashtu siç është përshkruar në trajtesën “Rruga e praktikave të Profetit Muhammed a.s.m.”, nëpërmjet kuptimit të këtij vërseti në atë luginë të vetmuar dhe në atë gjendje të trishtueshme, unë e pashë veten time në krye të tre kufomave të mëdhaja.
E para: Unë e pashë veten time si një gur varri që përmbante pesëdhjetë e pesë Saida që kishin vdekur dhe ishin varrosur në rrjedhën e jetës sime dhe përfshinte moshën time që u ishte afruar të pesëdhjetë e pesave.
E dyta: E pashë veten time si një qënie të gjallë shumë të vogël, si një milingonë, në krye të asaj kufome duke bredhur në faqen e këtij shekulli i cili ishte si një gur varri i kufomës së madhe i të gjithë njerëzve si unë të cilët kishin vdekur që nga koha e Ademit a.s. dhe që ishin varrosur në varrin e së shkuarës.
Kufoma e tretë ishte dynjaja e madhe e cila, ashtu si qëniet humane dhe botët udhëtuese që vdesin në çdo vit, do të vdesë gjithashtu sipas misterit të vërsetit të lartëpërmendur; edhe kjo u mishërua para imagjinatës sime.
Pastaj vërseti,
“Por nëse ata kthejnë kurrizin, atëherë thuaju (O Muhammed a.s.): Allahu është mëse i mjaftueshëm për mua, ‘La i lahe il-la Huve’, ‘Nuk ka zot tjetër përveç Atij’. Tek Ai unë mbështetem plotësisht dhe Ai është Zoti i Arshit Madhështor.”,[20] ndriçoi me ngushëllimin e tij të vërtetë dhe me dritën e tij të pashuar atë vizion të tmerrshëm që buroi nga dëshpërimi im për vdekjen e Abdurrahmanit; ai vërset më erdhi në ndihmë me kuptimin e tij aludues, duke deklaruar: Meqenëse Allahu i Plotëfuqishëm ekziston, Ai merr vendin e çdo gjëje. Meqenëse Ai është i Qëndrueshëm përjetësisht, sigurisht Ai është i mjaftueshëm. Një manifestim i vetëm i mirësisë së Tij merr vendin e të gjithë botës. Një manifestim i Dritës së Tij u jep kuptimin e jetës të trija kufomave të mëdhaja që u përmendën lart, duke treguar se ato nuk janë kufoma, por duke pasë përmbushur detyrat e tyre, ata janë larguar për në botëra të tjera. Ky mister është shpjeguar në Shkreptimën e Tretë.
Kështu duke u mjaftuar me atë që u fol lart, këtu unë vetëm do të them se dy përsëritjet e Frazës: Ja Baki Entel Baki, Ja Baki Entel Baki! O i Qëndrueshmi i Vetëm! Ti je i Qëndrueshmi i Vetëm!, O i Qëndrueshmi i Vetëm! Ti je i Qëndrueshmi i Vetëm!, e cila ilustron kuptimin e vërsetit,
“Çdo gjë do të zhduket përveç Fytyrës së Tij” (deri në fund të vërsetit), më shpëtoi mua nga ajo gjendje shumë e dhimbshme dhe e trishtueshme. Ishte si më poshtë vijon:
Kur unë thashë për herë të parë: ‘Ja Baki Entel Baki!’, ajo filloi një mjekim si një operacion kirurgjikal në mes të plagëve të pafundme shpirtërore që buronin nga kalimi i botës dhe i të dashurve në këtë botë me të cilët unë isha i lidhur, dhe që buronte nga këputja e lidhjeve të mia me ta.
Ndërsa në herën e dytë, fraza ‘Ja Baki Entel Baki’ ishte edhe si balsam, edhe kundërhelm për të gjitha ato plagë të panumërta shpirtërore, dhe kjo duke shqyrtuar kuptimin vijues,
“Le të largohen ata që largohen, o Krijuesi im! Ti je i Qëndrueshmi i përjetshëm, Ti je i mjaftueshëm.”
Meqenëse Ti je i Qëndrueshëm përjetësisht, vetëm një manifestim i mëshirës Tënde është i mjaftueshëm në vendin e të gjitha gjërave, të cilat janë kalimtare. Meqenëse Ti ekziston, atëherë çdo gjë ekziston për atë që e kap kuptimin e lidhjes së tij me Ty nëpërmjet besimit për ekzistencën Tënde dhe i cili vepron e lëviz në përputhje me atë lidhje nëpërmjet misterit të Islamit. Atëherë përkohshmëria, zhdukja, vdekja dhe mosekzistenca janë thjesht një perde për ripërtëritje, ose mjet për të udhëtuar në banesa të ndryshme dhe për të shëtitur nëpër to”.. Duke menduar kështu, gjendja ime e dhimbshme, e trishtueshme, pikëlluese, e errët, e tmerrshme dhe e njollosur me ndarje u transformua në një gjendje të lumtur, të gëzueshme, të këndshme, të ndritshme e familjare. Madje gjuha dhe zemra ime, nëpërmjet gjuhës së gjendjes së të gjitha grimcave të qënies sime përsëritën duke thënë El-Hamdu Lil-lah, Lavdia i takon Allahut.
Një e mijëta e atij manifestimi mëshire është ky:
Kur unë u ktheva në Barla prej asaj lugine të hidhur duke mbajtur me vete ato dëshpërime, pashë një djalë që quhej Mustafa Kuleönlÿ, i cili kishte arrdhur për të më pyetur mua rreth pesë namazeve të detyruara dhe avdesit… Megjithëse unë nuk pranoja vizitorë në atë periudhë, veçse ama sikur shpirti im lexoi sinqeritetin që ishte në shpirtin e atij djali dhe, sikur shpirti im kuptoi me parandjenjë shërbimet që ky djalë do të kryente për Risale-i Nurin në të ardhmen[21] dhe unë nuk e ktheva atë, unë e pranova[22].
Më vonë u bë e qartë se Allahu i Plotëfuqishëm e dërgoi tek unë Mustafain si një shembull në vend të Abdurrahmanit, i cili si një pasardhës i denjë do të përmbushte plotësisht detyrën e një trashëgimtari të vërtetë në veprën e Risale-i Nurit, sikur Ai thonte: Unë e mora prej teje një Abdurrahman, por unë do të të jap ty si shkëmbim tridhjetë Abdurrahmana si ky djalë i ri Mustafai që ti e shikon, të cilët do të jenë edhe studentë edhe nipër, djem shpirtërorë, vëllezër dhe shokë vetëflijues në këtë detyrë për fenë”.
Po, lavdi Zotit, Ai më dha mua tridhjetë Abdurrahmana. Pastaj i fola zemrës sime: o zemra ime vajtuese! Meqenëse ti e ke parë këtë shembull dhe nëpërmjet tij ai ka kuruar më të rëndën e plagëve të tua shpirtërore, ti duhet të jesh i sigurt se Ai do t’i shërojë të gjitha plagët e tjera që të kanë rënë ty.
O vëllezërit e mi të moshuar dhe o motrat e mia të moshuara që ashtu si unë në kohën e pleqërisë keni humbur një fëmijë ose një të afërm që e keni dashur shumë dhe që duhet të duroni dhimbjet përcëlluese të ndarjes së bashku me peshat e pleqërisë! Ju keni kuptuar nga situata ime se ndërsa duke qenë shumë më e rëndë se sa e juaja, ajo u shërua dhe u mjekua nga vërseti i Kuranit. Meqenëse është kështu, gjenden ilaçe në farmacinë e shenjtë të Kuranit të gjithurtë për t’i shëruar të gjitha vështirësitë.
Në qoftë se e përdorni atë nëpërmjet besimit dhe i përdorni ato ilaçe nëpërmjet adhurimit, peshat e rënda të pleqërisë suaj dhe dëshpërimet tuaja do të lehtësohen në mënyrë të konsiderueshme.
Arsyeja për shkruajtjen e kësaj pjese të gjatë ishte për të kërkuar më shumë dua për Abdurrahmanin e ndjerë dhe jo për t’ju mërzitur ju. Gjithashtu qëllimi im në tregimin e plagës sime më të rëndë në një mënyrë shumë të dhimbshme dhe të pakëndshme që mund t’ju shqetësojë e dëshpërojë më shumë, është për të demonstruar se çfarë ilaçi i mrekullueshëm dhe çfarë drite vezulluese është kundërhelmi i shenjtë i Kuranit të gjithurtë.
■ SHPRESA E TREMBËDHJETË[23]
Në këtë shpresë do të përshkruaj një tablo të rëndësishme nga tablotë e ngjarjeve të jetës sime. Ajo duhet të jetë disi e zgjatur, por unë shpresoj se ju nuk do të mërziteni apo të ofendoheni.
Pasi shpëtova nga robëria në Rusi gjatë luftës së parë botërore, unë qëndrova në Stamboll për dy apo tre vite në shërbim të fesë në Dar’el-Hikmeh. Ndërkohë nëpërmjet udhëzimit të Kuranit të gjithurtë dhe të influencës shpirtërore të Shejh Gejlanit dhe me zgjimin tim nëpërmjet pleqërisë, unë ndjeva një mërzitje nga jeta e civilizuar e Stambollit dhe një neveritje nga jeta e saj sociale vezulluese.
Një ndjenjë përmallimi për vendlindjen time më shtyu mua atje, duke menduar, meqenëse unë do të vdes, le të vdes në vendin tim.. dhe unë shkova në qytetin e Vanit.
Para çdo gjëje, unë shkova të vizitoj medresenë time në Van që quhej Horhor. Unë pashë se Armenët e kishin rrënuar e djegur gjatë pushtimit rus, ashtu si ndërtesat e tjera të Vanit.. Pastaj u ngjita në kalanë e famshme të Vanit e cila është një strukturë monolite e madhe si një mal dhe që përfshinte nën të medresenë time e cila ishte e ngjitur me të. Shokët e mi të vërtetë, vëllezërit dhe studentët e ngushtë të medresesë me të cilët isha ndarë para shtatë vitesh po personifikoheshin para syve të mi dhe më kalonin imazhet e tyre. Disa nga ata shokët e mi vetëflijues ishin bërë martirë të vërtetë, ndërsa të tjerët që kishin vdekur për shkak të asaj fatkeqësie ishin bërë martirë shpirtërorë në kuptim.
Unë nuk mund ta mbaja veten nga vajtimi. Ndërkohë u ngjita në majë të kështjellës e cila kishte pamje nga medreseja, tek kullat sipër saj me lartësinë e dy minareve. Unë u ktheva në imagjinatën time shtatë ose tetë vite. Duke pasur një imagjinatë të fortë, unë u sorollata gjithandej në atë kohë në mendjen time. Nuk ndodhej asnjë përreth që të më tërhiqte e të më largonte nga ajo imagjinatë në atë kohë, sepse unë isha i vetmuar. Meqenëse shikimi ndaj atyre shtatë ose tetë viteve u shtri e u zgjerua, unë pashë mjaft për të mbushur një shekull, sikur një shekull ishte larguar e kishte kaluar me ngjarjet e tij.
Unë pashë se qendra e qytetit që rrethonte medresenë time, përbri kalasë, ishte djegur plotësisht dhe ishte rrënuar. Unë këtë e pashë me një shikim pikëllues e me keqardhje.. Unë ndjeja një ndryshim të madh midis asaj që kisha parë më parë dhe asaj që shoh tani, sikur kishin kaluar dyqind vjet mbi këtë qytet. Shumica e njerëzve të atyre shtëpive patën qenë shokët e mi të dashur për mua. Shumica e atyre kishin vdekur në internime, Allahu i mëshiroftë, ose kishin shkuar në mërgimet e mjera. Vetëm lagjja e Armenëve kishte mbetur, të gjitha shtëpitë e muslimanëve të Vanit ishin rrafshuar me tokën, ishin shembur. Zemra ime ishte sfilitur. Unë isha aq i prekur, saqë në qoftë se do të kisha patur një mijë sy, ato do të kishin vajtuar së bashku. Unë supozoja se kisha shpëtuar nga mërgimi meqë u ktheva në qytetin tim, por, medet, sa keq! unë pashë mërgimin më të vajtueshëm në vetë qytetin tim. Unë pashë se qindra nga studentët e mi dhe nga të dashurit me të cilët unë isha i lidhur ngushtë shpirtërisht -ashtu si Abdurrahmani që u përmend tek Shpresa e Dymbëdhjetë- se kishin hyrë në varre dhe në vendbanimet e tyre, që tashmë të gjitha ishin rrënoja.
Ndodheshin disa rreshta që kishin qenë për një kohë të gjatë në mendjen time por që nuk e kisha kapur kuptimin e tyre. Tani përpara asaj skene të zymtë unë e kuptova plotësisht kuptimin e tyre.
Rreshtat ishin këto:
“Në qoftë se nuk do të ishte ndarja nga të dashurit, vdekja nuk do të mund të gjente rrugë për tek shpirtërat tonë që mund t’i merrte”.[24]
Domethënë, ajo që e vret më shumë njeriun është ndarja nga ata të cilët ai i do. Po, asgjë tjetër nuk më ka bërë mua të vuaj e të dëshpërohem aq shumë sa ajo situatë. Në qoftë se nuk do të më kishte ardhur ndihma nga Kurani e nga besimi, dëshpërimi im, brengosja dhe vuajtja do ta kishin bërë shpirtin tim të arratisej.
Meqenëse në kohët e hershme në vargjet e tyre poetët vajtonin mbi vendbanimet e të dashurve të tyre kur ata kalonin tek rrënojat e tyre, edhe unë e pashë këtë skenë të zymtë ndarjeje në formën më të dhimbshme me sytë e mi.. Dhe shpirti e zemra ime qanë së bashku me sytë e mi me dëshpërim të thellë si dikush që kalon pas dyqind vitesh mbi vendbanimet e të dashurve të tij dhe mbi rrënojat e tyre.. Pastaj një nga një kalonin skenat e lumtura e të këndshme të jetës sime para syve dhe imagjinatës sime me të gjithë forcën jetike, ashtu siç kalojnë skenat e filmit kinematografik.. ajo jetë e lumtur të cilën e kalova duke u dhënë mësim studentëve të mi të vlefshëm përafërsisht njëzet vjet, dhe pikërisht në këto vende të cilat ishin të lulëzuara e gazmore, por që tashmë ishin shkatërruar e bërë rrënoja. Unë kalova një kohë të gjatë para këtyre skenave të jetës sime. Pastaj unë u ndjeva i habitur nga gjendja e njerëzve të dhënë vetëm pas kësaj dynjaje; si është e mundur që ata i mashtrojnë vetvetet e tyre? Kjo situatë tregon qartë se dynjaja është e përkohshme kalimtare dhe se qëniet njerëzore janë mysafirë brenda saj dhe thjesht udhëtarë.
Unë e pashë me sytë e mi se sa të vërteta janë fjalët që përsëriten vazhdimisht nga njerëzit e realitetit: “Mos u mashtroni me dynjanë, sepse ajo është mizore, tradhëtare, e keqe dhe kalimtare…”
Unë gjithashtu pashë se njeriu ashtu siç është i lidhur me trupin e tij e me shtëpinë, po ashtu ai është i lidhur me qytetin e tij, me vendin dhe madje me dynjanë, sepse ndërsa doja të qaja me sytë e mi për pleqërinë time -duke marrë parasysh trupin tim- doja të qaja gjithashtu me dhjetë sy jo thjesht për plakjen e medresesë sime, por për vdekjen e saj. Dhe unë ndjeva nevojë të qaja me njëqind sy për qytetin tim të ëmbël e të bukur gjysëm i vdekur.
Thuhet në një hadith sherif se në çdo mëngjes thërret një melek: “Ju lindeni për të vdekur, dhe ndërtoni banesa për t’u shkatërruar”.[25]
Unë po e dëgjoja këtë të vërtetë jo me veshët e mi, por me sytë e mi.
Pas njëzet vitesh unë akoma qaj kur e imagjinoj atë situatë, pikërisht ashtu siç më bëri të qaja në atë kohë. Po, rrënojat e shtëpive në majë të kështjellës së lashtë, e cila ka jetuar me mijëra vite dhe plakja e qytetit që ishte nën të, gjatë tetë viteve, sikur të kishte kaluar tetëqind vite, vdekja e medresesë sime në rrëzë të kalasë, e cila patë lulëzuar dhe patë qenë vendtakimi për të dashurit.. të gjitha këto tregojnë vdekjen e të gjitha shkollave fetare në shtetin Osman. Dhe tregojnë madhështinë jolëndore të kufomës së madhe të tyre, saqë sikur kalaja që është një strukturë monolite e madhe shkrepi u bë si një gur varri për të gjitha ato.
Unë pashë se studentët e mi, Allahu i mëshiroftë, të cilët ishin me mua në atë medrese, para tetë vitesh, dhe që janë duke fjetur në varret e tyre, i pashë sikur ata po qanin me mua; madje edhe muret e rrënuara të qytetit dhe gurët e tij të shpërndarë po qanin me dëshpërim së bashku me mua.
Po, unë pashë se çdo gjë sikur po qante. Atëherë unë kuptova se nuk mund ta duroja këtë mërgim në qytetin tim. Unë mendova se, ose duhet t’u bashkohem atyre në varreza, ose më duhet të tërhiqem në një shpellë në male e të pres vdekjen time atje. Unë thashë me vete: Meqenëse në dynja ndodhen këto ndarje e largime të cilat nuk mund të durohen dhe nuk mund t’u bëhet ballë dhe të cilat janë pikëlluese dhe dëshpëruese deri në këtë shkallë, atëherë nuk ka dyshim se vdekja është më e mirë se sa kjo jetë dhe është më e preferueshme në situata të këtilla të cilat nuk mund të durohen.. Dhimbjet e jetës të tilla si këto janë të padurueshme.
Prandaj, ndërkohë unë hodha një vështrim mbi gjashtë drejtimet dhe i pashë të gjitha të ishin të errëta. Pakujdesia që buronte nga dëshpërimi im i fortë ma shfaqi dynjanë të ishte e tmerrshme, e boshatisur, e shkretë, dhe gati për t’u shembur mbi kokën time.
Shpirti im kërkoi një pikë mbështetje përballë fatkeqësive të panumërta armiqësore. Dëshirat e tij të pafundme të cilat shtrihen për në përjetësi po kërkonin diçka për t’i përmbushur ato.
Ndërsa duke pritur ngushëllim përballë dëshpërimit e brengosjes që buronin nga ato ndarje të pafundme dhe nga ato vdekje, dhe nga ai shkatërrim i pafundmë, papritmas një realitet i vetëm nga vërsetet e Kuranit të shpjegimit të mrekullueshëm,
“Gjithë ç’është në qiej dhe në tokë lavdërojnë Allahun dhe Ai është i Gjithëfuqishëm, i Gjithurtë”.
“I Tij është mbizotërimi i qiejve dhe i tokës, Ai është që jep jetë dhe sjell vdekje dhe Ai është i Zoti për të bërë çdo gjë”,[26] m’u shfaq dhe më shpëtoi nga ajo imagjinatë pikëlluese e tmerrshme dhe më shpëtoi nga dhimbja e ndarjes dhe më hapi sytë e mi. Ndërkohë hodha shikimin tek frutat e varur në pemët frutdhënëse të cilat më shikonin mua me buzëqeshje të ëmbëla dhe më thonin: “Mos shiko vetëm tek rrënojat, na vëre edhe ne gjithashtu”. Realiteti i vërseteve i solli mendjes kuptimin vijues:
Përse të dëshpëron deri në këtë shkallë rënia e një letre artificiale e shkruar në formën e një qyteti nga dora e njeriut, i cili është një mysafir në faqen e fushës së Vanit? Përse dëshpërohesh për rënien e tij në përroin e kobshëm i quajtur pushtimi Rus i cili fshiu gjurmët e saj dhe e hoqi shikimin e saj? Ngrije kokën tek Krijuesi Formëdhënës i Cili është Krijuesi i çdo gjëje dhe Pronari i saj i vërtetë, çështja e saj është në Dorën e Tij, dhe mesazhet e Tij xh.sh. në faqen e Vanit shkruhen vazhdimisht në formë të ripërtërirë në mënyrë vezulluese e të praruar ashtu siç e shikoje. Vajtimi yt mbi ato rrënoja të shkreta buron nga gabimi që harrohet Pronari i tyre i vërtetë, që nuk mendohen njerëzit se janë mysafirë, dhe duke i imagjinuar ata të jenë pronarë.”
Nga ajo situatë pikëlluese dhe nga ai gabim në të imagjinuar u hap një derë për tek një realitet i madh, dhe u përgatit nefsi që ta pranojë plotësisht. Ashtu si hekuri që futet në zjarr që të zbutet dhe që t’i jepet një formë e caktuar e dobishme, edhe ajo gjendje pikëlluese dhe ajo situatë e dhimbshme u bë një zjarr përvëlues që zbuti nefsin tim. Nëpërmjet realitetit të vërseteve të lartëpërmendur, Kurani i shpjegimit të mrekullueshëm i shfaqi atij shkëlqimin e të vërtetave të besimit, duke e bërë atë ta pranojë.
Po, të gjitha lavdërimet i takojnë Allahut, ashtu siç është provuar në mënyrë përfundimtare në pjesët e Risale-i Nurit, si Letra e Njëzet, nëpërmjet shkëlqimit të besimit në Zotin, realiteti i vërseteve i jep një pikë mbështetjeje shpirtit dhe zemrës të cilat zbulohen në lidhje me fuqinë e besimit të gjithkujt. Kjo ishte aq e fuqishme saqë më dha mua forcë që të përballoj fatkeqësi njëqind herë më të tmerrshme se sa situata që unë pashë. Unë shpreha këtë përkujtues: “çdo gjë i është nënshtruar urdhërit të Pronarit të vërtetë të këtij vendi, Krijuesit tënd. Frerat e të gjitha gjërave janë në Dorën e Tij. Lidhja jote me Të është e mjaftueshme.”
Duke e njohur Krijuesin tim e duke u mbështetur tek Ai, të gjitha gjërat të cilat ishin shfaqur armiqësore e braktisën armiqësinë e tyre, dhe gjërat e dhimbshme të cilat më kishin bërë mua të qaja, filluan të më bënin të lumtur.
Dhe ashtu siç e kemi demonstruar me prova të sigurta në shumë vende të Risale-i Nurit, nëpërmjet dritës që buroi nga besimi në Ahiret, kjo dha një pikë të tillë përballë dëshirave të mia të pafundme saqë ajo fuqi ishte e mjaftueshme jo vetëm për ato dëshira të vogëla, të përkohshme e të shkurtëra dhe për ato lidhje me të dashurit e mi në dynja, por ajo mjaftonte gjithashtu për dëshirat e mia të pafundme në botën e përjetësisë, në botën e qëndrueshmërisë dhe në lumturinë e përhershme, sepse nëpërmjet një manifestimi të vetëm prej manifestimeve të mëshirës së të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit, Ai shtron e vendos mbi tryezën e pranverës mirësitë e Tij të shijshme e të mrekullueshme në faqen e tokës e cila është një bujtinë nga bujtinat e përkohshme të dynjasë për gosti; Allahu xh.sh. u jep atyre mysafirëve në çdo pranverë dhe përgatit mirësi të ndryshme për ta me qëllim që të hyjë gëzimi në zemrat e tyre për një apo për dy orë, sikur Ai u jep atyre ushqimin e mëngjesit, pastaj i merr ata për tek vendbanimet e tyre të përjetshme në tetë xhennete të amshuar të mbushura me mirësi të pakufishme për një kohë të pakufishme të cilën e ka përgatitur për robët e Tij.
Nuk ka dyshim se ai që beson në mëshirën e Këtij të Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti dhe është i qetë në të duke kuptuar lidhjen e tij me Krijuesin, padyshim se ai do të gjejë një pikë mbështetje të madhe saqë madje edhe në shkallën e saj më të vogël, ajo mbështet shpresa të pakufishme për të arritur përjetësinë, dhe i bën të vazhdojnë. Për më tepër, nëpërmjet realitetit të vërsetit, drita që buron nga shkëlqimi i besimit u manifestua në një mënyrë të tillë të ndritshme saqë ajo i ndozi dhe i ndriçoi si dita të gjashta drejtimet.
Ajo ndriçoi gjendjen time të dëshpëruar e të vajtueshme për studentët e mi, për të dashurit e mi në medresenë time dhe në qytet të cilët kishin udhëtuar me këtë përkujtues: “Bota tek e cila kanë shkuar të dashurit e tu, nuk është e errët. Ata thjesht kanë shkuar në një vend tjetër; ti do t’i takosh përsëri ata. Kjo u dha fund lotëve të mi dhe më bëri të kuptoj se unë do të gjeja të tjerë të ngjashëm me ta në këtë botë të cilët do të merrnin vendin e tyre.
Po, lavdi Zotit, Ai e gjallëroi medresenë e vdekur të Vanit që ishte transformuar në rrënoja me sjelljen në jetë të medresesë së Ispartës dhe, Ai në kuptim i ngjalli ata të dashur të mi me më shumë studentë të çmueshëm dhe në numër më të madh këtu.
Gjithashtu Ai më mësoi se dynjaja nuk është e boshatisur dhe e pakuptim, dhe se ai nuk ishte një qytet i shkretë dhe i rrënuar ashtu siç e përfytyrova unë në atë mënyrë të gabuar, por se Pronari i vërtetë, ashtu siç e kërkon urtësia e Tij, i ndryshon tablotë dhe skenat artificiale të përkohshme të bëra nga njeriu me tablo të tjera dhe i ripërtërin mesazhet e Tij. Ashtu si, sa më shumë fruta të këputen nga pema, aq më shumë fruta të tjera rriten në vendet e tyre, po ashtu vdekja dhe ndarja në njerëzimin gjithashtu ripërtërihen e ndryshohen. Nga këndvështrimi i besimit, ato janë ripërtëritje të cilat nuk prodhojnë brengosje të dhimbshme e cila buron nga mungesa e të dashurve, por një brengë të ëmbël që buron nga ndarja me qëllim që të takohen përsëri në një vend tjetër më të mirë.
Vërsetet gjithashtu e ndriçuan faqen e qënieve në univers të cilat qenë dukur të errëta në situatën e tmerrshme të mëparshme. Unë desha të jap falënderime për këtë, dhe rreshtat vijues në arabisht m’u shfaqën, të cilat e përshkruan atë realitet në mënyrë të plotë. Unë thashë:
“Lavdi Zotit për dritën e besimit, e cila e largon iluzionin e qënieve si të huaja, armiqësore, të vdekura e të egra, si jetimë vajtues, dhe i shfaq ato të jenë si vëllezër të dashur, të gjallë, familjarë, të gëzuar, të vënë në shërbim për përmbajtjen e Emrave të Zotit xh.sh. dhe për ta lavdëruar Atë.”
Domethënë, për shkak të pakujdesisë që buron nga gjendja e dhimbshme shpirtërore, disa nga qëniet në univers u dukën për nefsin tim neglizhent si armiqësore e të huaja, të tjerat u dukën si kufoma të tmerrshme dhe disa të tjera si jetimë duke qarë në vetminë e tyre. Nëpërmjet dritës së besimit unë i pashë me siguri këto se janë që të gjithë shokë e vëllezër. Sa për kufomat e tmerrshme, disa ishin të gjalla e miqësore, ndërsa të tjerat ishin liruar nga detyrat e misionet e tyre. Dhe duke parë nëpërmjet dritës së besimit vajtimin e jetimëve të ishte një murmuritje e përmendjes dhe e lavdërimit të Zotit xh.sh., unë i dhashë lavdërime e falënderime të pafundme Allahut xh.sh., i Cili më dha besimin, burimin e këtyre mirësive të panumërta. Dhe duke parë se ishte e drejta ime të jepja falënderime për Allahun xh.sh. me të gjitha qëniet të cilat mbulonin botën time private, e cila është aq e gjërë sa gjithë dynjaja, dhe t’i bëja ato të marrin pjesë me mua në ato falënderime e lavdërime për Allahun, dhe nëpërmjet nijetit -qëllimit- t’i përdorja ato, dhe të themi bashkarisht me gjuhën e gjendjes së çdo individi prej individëve të qënieve dhe nëpërmjet gjuhës së gjendjes së të gjithëve gjithashtu: El- Hamdu Lil-lahi ala Nuril Iman, lavdi Zotit për dritën e besimit”.
Për më tepër, kënaqësitë e jetës dhe ëndjet e saj të cilat ishin pakësuar e zhdukur menjëherë nga gjendja ime e pakujdesshme dhe e tmerrshme shpirtërore, dhe shpresat e mia të cilat ishin këputur e tharë përfundimisht, dhe ëndja e mirësitë e mia personale të cilat mbeten të kufizuara brenda limiteve më të ngushta dhe madje qenë të shkatërruara, papritmas nëpërmjet dritës së besimit, ato u transformuan dhe u ndryshuan; ashtu siç e kemi provuar në pjesë të tjera të Risale-i Nurit, ajo dritë e zgjeroi aq shumë atë sferë të ngushtë përreth zemrës sime, saqë e transformoi zemrën time në një sferë aq të gjërë saqë ajo përfshin të gjithë universin, dhe i bëri dynjanë dhe Ahiretin si dy tryeza të mbushura me mirësi dhe i transformoi ato në dy tryeza mbështetëse të mëshirës, në vend të atyre mirësive të cilat thahen dhe humbasin shijet e tyre në kopshtin e medresesë Horhor.
Dhe nuk u përkufizua vetëm tek kjo, por i bëri secilën prej syve, veshët, zemrën dhe si shembulli i këtyre shqisave dhe gjymtyrëve, madje njëqind gjymtyrë të njeriut, i bëri si një dorë e shtrirë sipas shkallëve të besimtarit që shtrihen për tek ato dy tryeza të mbushura me mirësi, ku të mund të marrë mirësi nga të gjitha anët e vendet; prandaj unë thashë fjalët vijuese edhe për të shprehur këtë të vërtetë të lartësuar, edhe si falënderime për ato mirësi të pafundme.
“Me sa të kem mundësi, me të gjitha grimcat e qënies sime, unë i jap falënderime e lavdërime Krijuesit tim për dritën dhe për mirësinë e besimit, sepse ajo më tregon mua se kjo dynja dhe Ahireti janë të mbushura me mirësi dhe me mëshirë, dhe më lejon mua dhe të gjithë besimtarët të përfitojmë nga ato dy tryeza të mëdha me duart e të gjitha shqisave të tyre, të cilat zhvillohen dhe hapen nëpërmjet dritës së besimit dhe islamit”.
Meqenëse besimi është kaq shumë i dobishëm në këtë botë, sigurisht në botën e përjetshme ai do të ketë fruta dhe shkëlqime të tilla saqë ato as nuk mund të kapen me mend në botë, as nuk mund të përshkruhen.
Dhe kështu, o vëllezërit e mi të moshuar dhe o motrat e mia të moshuara dhe o ju që përjetoni ashtu si unë dhimbjet e ndarjes nga të dashur të shumtë për shkak të pleqërisë! Unë e imagjinoj veten time më të plakur se sa ju në kuptim edhe në qoftë se duket se midis jush ndodhet dikush që është më i madh se unë në moshë, sepse meqenëse nga natyra unë ndiej një keqardhje e një dhembshuri të tepruar për bijtë e llojit tim, unë kam përjetuar vuajtjet e mijëra vëllezërve të mi përveç dhimbjeve të mia personale, dhe prandaj unë ndjehem sikur kam jetuar qindra vite.
Ndërsa ju, sado që të keni vuajtur fatkeqësinë e ndarjes, nuk jeni zbuluar para asaj fatkeqësie aq shumë sa unë. Sepse unë nuk kam fëmijë që të mendoj për të.
Unë ndiej dhimbje e keqardhje përballë dëshpërimeve e brengave të mijëra bijve muslimanë dhe madje ndiej dhimbje edhe për kafshët e pafajshme, për shkak të kësaj keqardhjeje dhe dhembshurie të tepruar në natyrën time. Unë nuk kam një shtëpi timen që të mendoj vetëm për të. Përkundrazi, unë jam i lidhur nëpërmjet zellit islamik me këtë vend dhe madje edhe me botën islame, sikur ato të ishin shtëpia ime.
Prandaj unë pikëllohem shumë për dhimbjet e besimtarëve në ato dy shtëpi të mëdhaja dhe brengosem e lëndohem për ndarjen nga ata.
Kështu, drita e besimit ishte e mjaftueshme për mua dhe për të gjitha dëshpërimet që buronin nga pleqëria dhe nga dhimbjet e ndarjes; ai më dha mua një shpresë të pashuar, një besim të pakundërshtueshëm, një dritë të pashuar, një ngushëllim të pashtershëm. Atëherë besimi është më se i mjaftueshëm për ju përballë errësirës, pakujdesisë, brengave dhe dëshpërimeve të pleqërisë. Në realitet, pleqëria e cila është krejtësisht e errët, me mungesë drite e ngushëllimi dhe ndarja më e dhimbshme e më e tmerrshme, është pleqëria dhe ndarja e njerëzve të çudhëzimit dhe të shthurjes. Të përjetuarit e një besimi i cili jep një shpresë të tillë, dritë, ngushëllim dhe efektet e tij, është i mundshëm nëpërmjet zbatimit të një qëndrimi të vetëdijshëm adhurues, i denjë për pleqërinë dhe e përshtatshme për islamin. Nuk është i mundur nëpërmjet përpjekjes për të imituar të rinjtë, duke e zhytur kokën në pakujdesi dhe duke harruar pleqërinë.
Shqyrtojeni hadithin, kuptimi i të cilit është ky:
“Të rinjtë më të mirë midis jush janë ata të cilët imitojnë ata që janë të matur, të vjetër, ndërsa të moshuarit më të këqinj janë ata që imitojnë të rinjtë”. Domethënë, më të mirët e të rinjve tuaj janë ata që u ngjasojnë të moshuarve në vetëpërmbajtje dhe në largimin nga e keqja, ndërsa më të këqinjtё e të moshuarve janë ata që u ngjasojnë të rinjve duke i zhytur vetvetet në shthurje e pakujdesi.
Vëllezërit e mi dhe motrat e moshuara! Ndodhet një hadith i cili thotë:
“Mëshira Hyjnore do të turpërohej t’i linte pa përgjigje duatë e bëra për tek Divani Hyjnor nga besimtarët e moshuar gjashtëdhjetë apo shtatëdhjetëvjeçarë”..
Meqenëse mëshira Hyjnore ju mban ju në një respekt të tillë, edhe ju gjithashtu jini të respektuar ndaj këtij respekti duke kryer adhurimin tuaj.
■ SHPRESA E KATËRMBËDHJETË
Në fillim të Rrezes së katërt erdhi një komentim i vërsetit Kuranor,
“Allahu vetëm na mjafton neve dhe për ne Ai është Rregulluesi më i mirë i punëve”,[27] dhe përmbledhja e të cilit është kjo:
Kur njerëzit e dhënë vetëm pas kësaj dynjaje më kishin zhveshur e privuar nga çdo gjë dhe unë rashë në pesë lloje mërgimesh. Për shkak të pakujdesisë që buroi nga dëshpërimi, unë nuk i pashë dritat ngushëlluese të Risale-i Nurit të cilat do të më kishin ndihmuar, por unë shikova drejtpërdrejtë zemrën time dhe kërkova shpirtin tim. Unë pashë se një dëshirë shumë e fortë për pavdekshmëri, një dashuri e zjarrtë për ekzistencë dhe një mallëngjim shumë i madh për jetë, së bashku me një pafuqi të pafundme dhe varfëri e nevojë të pafundme po sundonin mbi mua.
Mirëpo një përkohshmëri e tmerrshme po e shuante atë pavdekshmëri dhe po e zhdukte. Ndërkohë unë thashë ashtu siç tha poeti me zemër të djegur:
Ndërsa zemra deshi pavdekshmërinë e saj, realiteti deshi kalimin e trupit tim.
Unë u godita me një sëmundje të pakurueshme, të cilën as Lukmani nuk mundi ta shëronte.
Unë ula kokën time në dëshpërim. Papritmas vërseti,
“Allahu vetëm na mjafton neve dhe për ne Ai është Rregulluesi më i mirë i punëve” më erdhi në ndihmë duke më bërë thirrje ta lexoja atë me vëmendje duke më thënë: “Më lexo mua me kujdes e me shqyrtim”. Kështu unë e lexova atë pesëqind herë në çdo ditë. Sa më shumë e lexoja, nga dritat e tij të shumta nëntë nivele të kuptimeve të tij më shfaqeshin, jo vetëm në nivelin e ‘sigurisë së shkallës së njohjes’ por në atë të ‘sigurisë së shkallës së të shikuarit’.
Niveli i parë i vërsetit dritëdhënës “Allahu vetëm na mjafton neve”.
Për shkak të një hijeje në qënien time esenciale prej një manifestimi të një Emri prej Emrave të të Gjithëlavdishmit Hirplot Absolut i Cili zotëron plotësim absolut dhe qëndrueshmëri absolute dhe i Cili është i Dashur për vetveten, domethënë jo vetëm për ndonjë motiv apo arsye tjetër, unë kisha një dëshirë të fortë të bashkëlindur për pavdekshmëri, që nuk ishte drejtuar tek pavdekshmëria ime, po tek ekzistenca, plotësimi dhe tek pavdekshmëria e Atij të Ploti Absolut.
Mirëpo për shkak të pakujdesisë, ajo dëshirë e fortë e bashkëlindur e kishte humbur rrugën e saj, u bë e lidhur me hijen dhe dashuroi marrëzisht pavdekshmërinë e pasqyrës. Atëherë vërseti “All-llahu vetëm na mjafton neve dhe për ne Ai është Rregulluesi më i Mirë i punëve” e ngriti perden. Unë pashë, ndjeva dhe përjetova në shkallën e ‘sigurisë absolute’ se kënaqësia dhe lumturia e pavdekshmërisë sime qëndron ekzaktësisht dhe në një formë më të plotë në pavdekshmërinë e të Qëndrueshmit të Vetëm Zotëruesit të Plotësimit dhe në vërtetimin e Furnizuesit tim dhe Zotit tim, në të besuarin tek Ai dhe në nënshtrimin ndaj Tij.
Dëshmitë për këtë janë shpjeguar në Rrezen e Katërt, në trajtesën mbi vërsetin, “All-llahu vetëm na mjafton neve dhe për ne Ai është Rregulluesi më i Mirë i punëve” në dymbëdhjetë pjesë, të cilat janë shumë të thella dhe të holla dhe do t’i mbushin me habi ata që kanë ndjeshmëri të holla.
Niveli i dytë i vërsetit dritëdhënës “All-llahu vetëm na mjafton neve dhe për ne Ai është Rregulluesi më i Mirë i punëve”.
Në kohën kur në pleqërinë time, në mërgimin, në vetminë dhe në izolimin, njerëzit e dhënë vetëm pas kësaj dynjaje po më sulmonin me spiunat e tyre dhe me dredhitë pavarësisht pafuqisë së pakufishme në natyrën time, pikërisht në këtë kohë, unë i thashë zemrës sime: “të gjitha ushtritë po sulmojnë një burrë të vetëm duart e të cilit janë të lidhura dhe është i sëmurë dhe i dobët. A nuk ka ai, domethënë unë, ndonjë pikë mbështetje, a nuk ka ai diçka prej së cilës të kërkojë ndihmë? Unë përdora vërsetin “Allahu vetëm na mjafton neve dhe për ne Ai është Rregulluesi më i mirë i punëve”. Dhe vërseti më njofoi çka vijon:
Nëpërmjet dokumentit të besimit, ti bëhesh i lidhur me një Sundimtar të një fuqie absolute i Cili në çdo pranverë pajis me pajime me rregull të plotë të gjitha ushtritë e bimëve e të kafshëve të shpërndara në faqen e tokës. I pajis të gjitha ato ushtri të përbëra nga katërqind mijë lloje të kombeve të ndryshme. Dhe ua shpërndan të gjitha furnizimet ushtrisë madhështore të gjallesave, me në krye njeriun, jo në mënyrën që e ka zbuluar njeriu në kohët e fundit prej ekstrakteve të mishit, të sheqerit e të tjera, por në një formë njëqind herë më të plotë e të mirë ekstraktesh. Ato janë ekstrakte që përmbajnë të gjitha llojet e ushqimeve, madje ato janë ekstrakte të të Gjithëmëshirshmit.. ato që quhen farëra e bërthama..
Përveç kësaj, Ai gjithashtu i mbështjell ato ekstrakte me mbulesa të paracaktuara që përshtaten me përpjekjen e tyre, me shtrirjen e tyre dhe me zhvillimin, dhe i vendos ato e i ruan në kutiat e tyre të vockëla mbrojtëse. Këto sunduqe -kutia- gjithashtu prodhohen me një shpejtësi shumë të madhe dhe me një lehtësi absolute dhe me një bollëk të madh në Fabrikën * Kaf-nun, e cila sundohet nga urdhëri i “Kun fejekun”, “Bëhu! Dhe ajo bëhet në çast”, saqë Kurani i gjithurtë thotë:
“Krijuesi vetëm urdhëron dhe ajo gjë vjen menjëherë në ekzistencë”.
Atëherë duke pasur një pikë të tillë mbështetjeje si kjo nëpërmjet dokumentit të lidhjes së besimit, ti mund të mbështetesh tek një forcë e madhe dhe tek një fuqi absolute. Në të vërtetë, unë ndjeja një forcë të madhe shpirtërore sa herë që e merrja atë mësim prej atij vërseti Kuranor dhe ndjeja se unë kisha një fuqi me të cilën mund t’i sfidoja të gjithë armiqtë e mi në botë dhe jo vetëm armiqtë e mi të tanishëm para meje. Prandaj unë përsërisja nga thellësitë e shpirtit tim vërsetin,
“Allahu vetëm na mjafton neve dhe për ne Ai është Rregulluesi më i mirë i punëve”.
Niveli i tretë i vërsetit dritëdhënës“All-llahu vetëm na mjafton neve dhe për ne Ai është Rregulluesi më i Mirë i punëve”.
Në kohën kur, duke gjetur se lidhjet e mia me dynjanë po këputeshin për shkak të vuajtjes dhe shtypjes së atyre mërgimeve dhe sëmundjeve, besimi më udhëzoi e më kujtoi se unë isha i caktuar për lumturi të përjetshme në një botë të amshuar, në një mbretëri të përhershme, unë i braktisa ofshamat me rënkim e keqardhje dhe e ndryshova këtë me atë që sihariqonte mirësi e gëzim dhe më bënte të isha në dhënie të vazhdueshme lavdërimesh.
Mirëpo ky qëllim i imagjinatës dhe i shpirtit dhe si rezultat i natyrës së njeriut mund të realizoheshin vetëm nëpërmjet fuqisë së të Gjithëfuqishmit Absolut i Cili i njeh dhe i regjistron të gjitha lëvizjet dhe pushimin e krijesave të Tij, qëndrimet dhe gjendjet e tyre në fjalë e në vepra, dhe i Cili merr si mikun e Tij dhe si të adresuarin e Tij njeriun e vogël, të papërfillshëm dhe absolutisht të pafuqishëm duke i dhënë atij një pozitë shumë të lartë e të nderuar midis krijesave të tij. Kjo do të mund të realizohej veçse nëpërmjet mirësive të Tij të pakufishme ndaj njeriut dhe rëndësisë që Ai i jep atij. Ndërsa po mendoja për këto dy pika, domethënë për aktivitetin e një fuqie të tillë të pakufishme dhe për rëndësinë reale që i dha Krijuesi i Gjithëlavdishëm këtij njeriu i cili duket i papërfillshëm e i vogël, unë dëshiroja një shpjegim për këto dy pika i cili do të thellonte besimin dhe do të kënaqte zemrën. Përsëri unë përdora atë vërset dhe ai më tha: vëreje përemrin ‘Na’ i cili është tek ‘Hasbuna’,“Allahu vetëm na mjafton” dhe shikoji ata që thonë ‘Hasbuna’ së bashku me ty, sido që ta shprehin, me gjuhën e gjendjes apo me gjuhën e fjalës; kushtoju vëmendje atyre.. Po kështu më urdhëroi vërseti! Ndërkohë unë hodha vështrimin dhe pashë zogj të panumërt dhe miza të pallogaritshme, të cilat janë si zogj të zvogëluar, dhe kafshë të panumërta dhe bimë të pafundme dhe pemë të pafund po recitonin, ashtu si unë, nëpërmjet gjuhës së gjendjes së tyre të natyrshme. “All-llahu vetëm na mjafton neve dhe për ne Ai është Rregulluesi më i Mirë i punëve”.
Ato i kujtojnë gjithkujt paanësinë dhe madhësinë e kësaj fuqie absolute e cila përpara syve tonë dhe veçanërisht në pranverë krijon me bollëkun më të madh, me lehtësinë më të madhe dhe në shkallën më të gjërë, nga vezët, farërat, dhe nga pikëlat e lëngut, të cilat që të gjitha i ngjasojnë njëri-tjetrit dhe substanca e të cilave është e njëjta, qindrat e mijërat e specieve të zogjve, qindrat e mijërat e llojeve të bimëve dhe qindrat e mijërat e llojeve të pemëve pa gabim, pa mangësi e pa ngatërresë, në mënyrë të zbukuruar, të drejtëpeshuar e të mirësistemuar, dhe në forma të gjitha të ndryshme nga njëra-tjetra. Duke u bërë në këtë mënyrë së bashku, njëra brenda tjetrës duke i ngjasuar njëra-tjetrës dhe në të njëjtën mënyrë, ato na demonstrojnë Unitetin e Tij dhe Njësinë. Unë kuptova se çdo ndërhyrje apo pjesëmarrje në aktin Hyjnor krijues i cili shfaq kështu mrekulli të pallogaritshme ishte e pamundur. Ata që dëshirojnë ta kuptojnë identitetin tim personal dhe karakterin tim human, i cili është si ai i të gjithë besimtarëve, dhe ata që dëshirojnë të jenë si unë, duhet ta shikojnë shpjegimin e ‘Unit’ në vetën e parë shumës ‘Na’, ‘neve’ në vërsetin ‘Hasbuna’, ‘Allahu vetëm na mjafton neve’, domethënë shpjegimin e vetes sime dhe të reflektojnë se vendi i saj është në atë shumës. Dhe të kuptojnë se ç’është ekzistenca ime dhe trupi im i cili duket si i vogël, i varfër e i parëndësishëm, ashtu si trupi i çdo besimtari?! Le të dinë, ç’është vetë jeta? Madje çfarë është humanizmi? Ç’është islami? Ç’është besimi i vërtetë, i sigurtë? Ç’është njohja e Zotit? Si arrihet dashuria e Zotit xh.sh… le ta kuptojnë… le të marrin mësim në të!
Niveli i katërt i vërsetit dritëdhënës“All-llahu vetëm na mjafton neve dhe për ne Ai është Rregulluesi më i Mirë i punëve”.
Njëherë kur ngjarjet si pleqëria, mërgimi, sëmundja dhe qënia ime i mposhtur po lëkundnin qënien time koinçiduan me një periudhë të pakujdesisë sime, sikur qënia ime me të cilën isha e lidhur fort po shkonte në mosekzistencë, madje ekzistenca e të gjitha krijesave po asgjësohej e po përfundonte në zhdukje, largimi i të gjithë atyre për në mosekzistencë shkaktoi tek unë një shqetësim të madh dhe një tronditje të dhimbshme; unë përsëri përdora vërsetin“All-llahu vetëm na mjafton neve dhe për ne Ai është Rregulluesi më i Mirë i punëve”. Vërseti më tha: Vëreji me kujdes kuptimet e mia dhe shikoji ato nëpërmjet teleskopit të besimit.
Kështu unë i shikova kuptimet e tij me syrin e besimit dhe pashë se ashtu si të gjithë besimtarët, qënia ime shumë e vogël si një grimcë, ishte pasqyra për një Qënie të pakufishme, dhe nëpërmjet një shtrirje të pafundme, mjeti për të fituar ekzistenca të panumërta, dhe një fjalë urtësie duke prodhuar frutat e ekzistencave të shumta të qëndrueshme shumë më të çmueshme se sa qënia ime.
Unë mësova me ‘sigurinë e shkallës së njohjes’ se në këtë lidhje besimi, të jetoje për një çast ishte aq e vlefshme sa vlera e një ekzistence të përjetshme, sepse nëpërmjet vetëdijes së besimit unë kuptova se kjo qënia ime ishte vepra e artit, artifakti dhe manifestimi i Krijuesit të Vetëm të domosdoshëm. Kështu duke pas shpëtuar nga shqetësimi i vetmisë dhe nga ndarje të panumërta dhe nga dhimbjet e tyre, unë formova lidhje dhe hallka vëllazërie me qëniet aq sa numri i akteve dhe i Emrave Hyjnorë të lidhur me qëniet, sidomos me qëniet e gjalla, dhe unë njoha se ishte një lidhje e përhershme me të gjitha qëniet që i doja nëpërmjet një ndarjeje të përkohshme.
Dhe kështu nëpërmjet besimit dhe lidhjeve të besimit, ashtu si të gjitha qëniet, qënia ime fitoi dritat e ekzistencave të panumërta të paprekura nga ndarja. Madje edhe sikur të ikte qënia ime, qëndrueshmëria e atyre llojeve të ekzistencës pas saj, e qetëson ekzistencën time edhe sikur ajo të qëndronte vetë e plotë.
Shkurtazi: vdekja nuk është ndarje, por është bashkim; është një ndryshim banese; është prodhimi i një fruti të përjetshëm…
Niveli i pestë i vërsetit dritëdhënës “All-llahu vetëm na mjafton neve dhe për ne Ai është Rregulluesi më i Mirë i punëve”.
Njëherë kur jeta ime po tronditej nga rrethana shumë të vështira, vëmendja ime u drejtua drejt jetës. Unë pashë se jeta ime po largohej me shpejtësi; Ahireti po afrohej gjithnjë e më shumë; për shkak të shtypjes që vuaja jeta ime kishte filluar të shuhej. Por detyrat e rëndësishme të jetës, veçoritë e saja të larta dhe dobitë e saja të çmueshme nuk përshtateshin me këtë shuarje të shpejtë, përkundrazi, ato përshtateshin me një jetë të gjatë e të vazhdueshme.
Ashtu siç është shpjeguar në pjesën e Risale-i Nurit rreth Emrit I Gjalli i përjetshëm, ndërkohë mendova për këtë me të gjithë dhimbjen dhe dëshpërimin. Atëherë përdora profesorin tim, vërsetin,“All-llahu vetëm na mjafton neve dhe për ne Ai është Rregulluesi më i Mirë i punëve”, dhe ai më tha: “Shikoje jetën nga këndvështrimi i El-Hajju El Kajjum, i Gjalli i Përjetshëm dhe tek Vetekzistuesi i Përhershëm i Cili të jep ty jetë.
Kështu, unë e hodha vështrimin dhe pashë se aspektet e jetës sime që shikonin tek unë ishin një, ndërsa ato që i shikonin tek El-Hajju El Kajjum, i Gjalli i Përjetshëm dhe tek Vetekzistuesi i Përhershëm ishin njëqind. Dhe në qoftë se, nga rezultatet e saj, njëri shikon tek unë, një mijë rezultate shikojnë tek Krijuesi im. Atëherë meqenëse është kështu, të jetosh për një çast brenda limiteve të kënaqësisë Hyjnore është e mjaftueshme; prandaj nuk ka nevojë për një kohë të gjatë. Kjo e vërtetë mund të shpjegohet në katër çështje. Ata që nuk janë të vdekur ose që dëshirojnë të jenë të gjallë duhet të kërkojnë natyrën dhe realitetin e jetës dhe të drejtat e tyre të vërteta në ato katër çështje; ata do t’i gjejnë ato dhe do të vijnë në jetë!
Një përmbledhje e saj është kjo:
Sa më shumë të shikojë jeta tek ‘i Gjalli i Përjetshëm dhe tek Vetekzistuesi i Përhershëm, dhe sa më shumë të bëhet besimi jeta dhe shpirti i jetës, aq më shumë ajo bëhet e përhershme dhe do të prodhojë fruta të qëndrueshëm. Gjithashtu ajo bëhet aq e lartësuar saqë ajo merr manifestimin e përjetësisë; dhe ajo nuk shikon më tek jetëshkurtësia apo jetëgjatësia.
Niveli i gjashtë i vërsetit dritëdhënës “All-llahu vetëm na mjafton neve dhe për ne Ai është Rregulluesi më i Mirë i punëve”.
Në kohën kur nëpërmjet pleqërisë e cila më paralajmëronte për ndarjen time të veçantë dhe nëpërmjet ngjarjeve të kohës së fundit të cilat njoftojnë për shkatërrimin e dynjasë brenda ndarjeve të përgjithshme të gjithanshme dhe nëpërmjet zbulimit të gjërë të jashtëzakonshëm në fundin e jetës sime, të ndjenjave në natyrën time për dashurinë e së bukurës dhe pasionin për hijeshinë e për joshjen pas plotësimit, nëpërmjet të gjitha këtyre, unë pashë me një qartësi të jashtëzakonshme dhe me dëshpërim se zhdukja e përkohshmëria të cilat janë gjithmonë shkatërruese, dhe vdekja e mosekzistenca të cilat shkaktojnë ndarje vazhdimisht që po e prishnin në mënyrë të tmerrshme këtë dynja të bukur dhe këto krijesa të bukura dhe duke e shkatërruar bukurinë e tyre; dashuria metaforike në natyrën time po ziente e rebelohej kundra kësaj situate. Me qëllim që të gjej ngushëllim, unë përsëri përdora vërsetin“All-llahu vetëm na mjafton neve dhe për ne Ai është Rregulluesi më i Mirë i punëve”. Ai më tha: “Më lexo mirë, shikoji kuptimet e mia me kujdes!”
Kështu unë hyra në observatorin e vërsetit në suren el-Nur, “Allahu është drita e qiejve dhe e tokës (deri në fund të vërsetit),”[28] dhe shikova nëpërmjet teleskopit të besimit nivelet më të largëta të vërsetit All-llahu vetëm na mjafton neve dhe për ne Ai është Rregulluesi më i Mirë i punëve”..
Pastaj nëpërmjet mikroskopit të vetëdijes së besimit pashë misteret e tij më të holla, siç vijon:
Pasqyrat, copat e qelqit, gjërat e tejdukshme dhe madje edhe flluskat e detit tregojnë bukuritë e ndryshme të fshehura të dritës së diellit dhe të shtatë ngjyrave në dritën e tij; dhe nëpërmjet zhdukjes dhe ripërtëritjeve të tyre dhe të aftësive të ndryshme dhe përthyerjeve, ato ripërtërijnë bukurinë; dhe nëpërmjet reflektimeve të tyre, ato shfaqin bukuritë e fshehura dhe hijeshinë e diellit dhe të dritës së tij.
Pikërisht në të njëjtën mënyrë, me qëllim që të veprojnë si pasqyra për bukurinë e shenjtë të Hirplotit të Gjithëlavdishëm i Cili është Dielli i Parapërjetshëm dhe i paspërjetshëm, dhe për hijeshinë e Emrave të Tij më të bukur, dhe për të ripërtërirë manifestimet e tyre, këto krijesa të bukura, këto artifakte të këndshme, këto qënie të shkëlqyera vijnë e shkojnë pa ndalim. Të shpjeguara në Risale-i Nur janë prova të fuqishme duke demonstruar se bukuritë e shfaqura mbi ato krijesa nuk janë veçoritë e tyre, por shenjat, treguesit, shkreptimat dhe manifestimet e asaj bukurie të shenjtë, të lartësuar e të amshuar e cila dëshiron të bëhet e dukshme dhe që do të shikohet e të dëshmohet.
Treguesit e kësaj janë shpjeguar në mënyrë të detajuar në Risale-i Nur, sidomos në atë trajtesë e cila fillon me: “Këtu do të përmendim tre argumente në mënyrë shumë të përmbledhur e të arsyeshme”.
Cilido njeri që e shikon këtë trajtesë nga njerëzit e perceptimit të hollë nuk mund të mbetet pa habi, pa çudi e vlerësim, madje përveç përfitimit të vetë personave të tyre prej saj, ata e shohin të domosdoshme të përpiqen që t’i bëjnë edhe të tjerët për të fituar prej saj, sidomos pesë pikat e përmendura në provën e dytë. Ai që mendja e të cilit nuk është dëmtuar dhe që nuk e ka zemrën të prishur, do ta vlerësonte, do ta admironte dhe do ta miratonte duke thënë: Mashallah… Barakallah.. dhe do ta perceptonte e vërtetonte se ajo është një mrekulli vërtet e jashtëzakonshme e cila do t’i lartësojë qëniet e tyre të ulëta e të varfëra në dukje.
■ SHPRESA E PESËMBËDHJETË[29]
Një herë kur isha në banesën e detyrueshme në Emirdag[30] duke qenë i vetmuar dhe i izoluar, unë u mërzita nga jeta për shkak të torturave e mundimeve që ata më dhanë me mbikëqyrjen e tyre dhe me trajtimin e tyre arbitrar, të cilin e gjeta shumë të vështirë për t’u duruar dhe u dëshpërova që isha liruar nga burgu. Madje unë dëshirova me të gjithë zemrën time që të kthehesha në Burgun e Denizlit ose të hyja në varr pasi burgu apo varri ishin më të preferueshme se sa të jetoje kështu në këtë mënyrë. Ndërsa po mendoja kështu, përkujdesja Hyjnore më erdhi në ndihmë: Ajo u dhuroi studentëve të El medresetu Ez-Zehra[31], penat e të cilëve ishin si ciklostilë -makina shumëfishimi, një nga makinat shumëfishuese e cila sapo ishte shfaqur.
Menjëherë, pesëqind kopje prej secilit nga koleksionet e vlefshme të Risale-i Nurit u shfaqën nëpërmjet një pene të vetme. Këto shenja që flisnin për fitore të reja në të ardhmen më bënë mua ta doja atë jetë dëshpëruese e shqetësuese, madje më bënë të jap një mijë e një falënderime për Krijuesin xh.sh..
Pasi kaloi një periudhë e shkurtër kohe armiqtë e fshehur të Risale-i Nurit, meqë nuk qenë në gjendje të durojnë fitoret e Risale-i Nurit, nxitën qeverinë që të veprojë kundra nesh. Përsëri jeta filloi të bëhej e vështirë për mua. Pastaj papritmas u shfaq mirësia e përkujdesja Hyjnore: zyrtarët e lidhur me çështjen, të cilët ishin më të nevojshmit për Risale-i Nurin, i studiuan kopjet e konfiskuara të tij, gjatë kryerjes së detyrave të tyre, me shumë kureshtje e me kujdes, dhe trajtesat e tij i bënë zemrat e tyre nëpërmjet mirësisë së Krijuesit të anonin e të prireshin drejt tij. Kështu u zgjerua sfera e shkollave të Risale-i Nurit, meqë ata filluan ta vlerësojnë e ta admirojnë në vend që ta kritikojnë apo ta plagosin.
Ky rezultat na solli përfitime njëqind herë më të mëdhaja se sa humbjet tona materiale, duke e pakësuar dhe duke e larguar krejtësisht mërzitjen dhe dëshpërimin tonë.
Pastaj, sapo kaloi një periudhë e shkurtër, hipokritët, të cilët janë armiqtë e fshehur, drejtuan vëmendjen e qeverisë ndaj personit tim. Ata u sollën ndërmend atyre aktivitetet e mia të mëparshme politike. Ata shkaktuan iluzione dhe ngjallën dyshime rreth meje në radhët e dikastereve të drejtësisë, të edukimit, të rendit dhe në ministrinë e brendshme. Për shkak të partive të ndryshme dhe të nxitjes së anarkistëve të fshehur komunistë, ato dyshime u përhapën më shumë. Ata filluan të bëjnë presion mbi ne, na arrestuan dhe konfiskuan pjesët e Risale-i Nurit që ranë në duart e tyre. Aktivitetet e studentëve të Risale-i Nurit u ndërprenë. Një numër zyrtarësh bënë akuza të rreme të cilat absolutisht asnjë nuk mund t’i besonte. Ata u përpoqën të bënin shpifje të jashtëzakonshme, por nuk mundën ta bënin asnjë që t’i besonte ato.
Pastaj ata më arrestuan gjatë ditëve shumë të ftohta të dimrit me disa pretekste bajate dhe më futën në një qeli të mbyllur në burg në një sallë të madhe, tej mase të ftohtë, i vetmuar, duke më lënë dy ditë pa sobë. Duke pasë qenë mësuar ta ndizja sobën time disa herë në ditë në dhomën time të vogël, dhe duke pasur gjithmonë në mangall thëngjill -prush- të ndezur për shkak se isha i sëmurë e i dobët, dhe qeshë në gjendje ta përballoja atë me shumë vështirësi. Ndërsa duke u përpjekur e luftuar në këtë gjendje duke vuajtur edhe nga ethet e shkaktuara nga i ftohti, nga dëshpërimi i tmerrshëm dhe nga zemërimi, nëpërmjet mirësisë Hyjnore një e vërtetë u shfaq në zemrën time. Ajo shfaqi paralajmërimin e mëposhtëm për shpirtin tim.
“Ti e quajte burgun: ‘Medrese Jusufie, shkolla e profetit Jusuf’. Ty të dha burgu i Denizlit rezultate e dobi një mijë herë më të mëdhaja se sa një dëshpërim të fortë. Dhe ju dha kënaqësi të fortë, gëzim të madh dhe përfitime të shumta shpirtërore. Edhe të burgosurit përfituan me ty nëpërmjet Risale-i Nurit, madje edhe në qarqet më të larta zyrtare, saqë kjo të bëri ty të jepje falënderime të vazhdueshme në vend të ankimeve duke i transformuar çdo orë nga orët e burgut e të ngushticës në vlerën e dhjetë orëve ibadeti, dhe i bëri ato orë të kaluara të përjetshme.
Edhe kjo shkollë e tretë Jusufie[32], gjithashtu, do të japë, me leje të Zotit një nxehtësi -ngrohtësi- të mjaftueshme që ta ngrohë këtë të ftohtë të ashpër dhe do të japë gëzim e kënaqësi çka do ta largojnë këtë ngushticë e dëshpërim të rëndë nëpërmjet përfitimit të atyre -të cilët janë goditur nga fatkeqësia- prej Risale-i Nurit dhe duke gjetur ngushëllim në të. Në qoftë se ata me të cilët ti je zemëruar janë të mashtruar dhe të keqtrajtojnë pa e kuptuar, ata nuk meritojnë urrejtje e zemërim, sepse të bëjnë padrejtësi pa qëllim, pa dijeni e pavetëdije..
Ndërsa në qoftë se ata të mundojnë e të bëjnë të vuash me vetëdije, me dijeni, prej inati dhe për llogari të çudhëzimit, ata në një kohë shumë të shkurtër do të ndëshkohen me vdekjen të cilën ata e përfytyrojnë si një ekzekutim me vdekje të përjetshme, dhe do ta shikojnë ngushtësinë e fortë të vazhdueshme që ngrihet në burgun e vetmuar fillikat i cili është varri. Për shkak të shtypjes së tyre, ti fiton shpërblim të madh, merita dhe kënaqësi shpirtërore dhe i bën orët e përkohshme, të përjetshme dhe gjithashtu po e kryen misionin tënd shkencor e fetar me sinqeritet”.
Kështu pra erdhi ky kuptim në shpirtin tim dhe unë thashë me të gjithë fuqinë: Lavdi Zotit, falënderimi i takon Allahut. Nga humanizmi im më erdhi keq për ata tiranë dhe u luta: “O Krijuesi im! reformoji ata dhe rregulloji!” Ashtu siç shkrova në deklaratën time për ministrinë e punëve të brendshme: në këtë incident të ri ata të cilët në realitet janë fajtorë janë tiranët të cilët, në dhjetë drejtime, veprojnë në mënyrë të paligjshme në emrin e ligjit. Ata gjetën pretekstet më të jashtëzakonshme dhe ndoqën shpifje të ndryshme deri në atë shkallë që do t’i bënin ata që i dëgjojnë të qeshnin e t’i bënin dashuruesit e së vërtetës të qanin, dhe shfaqën për njerëzit e drejtë, të paanshëm, se ata nuk gjejnë në emër të ligjit e të së vërtetës asnjë justifikim për të sulmuar Risale-i Nurin dhe studentët e tij, dhe kështu ata ranë në marrëzi, në përçartje e çmenduri. Për shembull, zyrtarët që na spiunuan për një muaj nuk mundën të gjenin asgjë për të na akuzuar, kështu ata shkruan një memorandum duke thënë: “Një shërbyes i Saidit bleu raki dhe ia çoi atë atij”. Ata nuk gjetën asnjë që ta nënshkruante këtë raportim si miratim, dhe më në fund arrestuan një të huaj të dehur dhe e detyruan atë të nënshkrojë nën kërcënim; ai person refuzoi duke thënë: “Zot na fal! Kush do ta nënshkruante këtë gënjeshtër të jashtëzakonshme?” Kështu që ata u detyruan ta grisnin atë raportim.
Shembulli i dytë: Një person të cilin nuk e njihja dhe akoma nuk e njoh, më dha kalin e tij me qëllim që unë të bëja shëtitje. Në verë unë dilja për shëtitje në shumicën e ditëve për dy orë për shkak të sëmundjes sime dhe me qëllim që të merrja ajër të pastër. Unë i kisha dhënë fjalën se do t’i jepja pronarit të kalit e të pajtonit libra me vlerën e pesëdhjetë librave, me qëllim që të mos e thyeja rregullin tim edhe të mos i mbetesha borxh atij. A ka ndonjë mundësi për të ardhur ndonjë dëm nga një gjë e tillë?
Mirëpo atëherë, edhe guvernatori, drejtoria e policisë dhe digasteri i drejtësisë dhe i rendit pyetën më shumë se pesëdhjetë herë: i kujt është ky kalë dhe i kujt është ky pajton? Sikur të kishte ndodhur një ngjarje e rëndë politike që do të prishte rendin e qetësinë publike! Me qëllim që t’i jepej fund kësaj çështjeje të pakuptim, u detyrua një person në mënyrë vullnetare dhe madje tha besnikërisht se kali ishte i tij dhe një tjetër tha se pajtoni ishte i tij, dhe të dy ata u arrestuan së bashku me mua. Ne shikuam çapkënëri të shumta foshnjarake si këto dy shembuj dhe qeshnim derisa qanim. Dhe kuptuam se ata që sulmonin Risale-i Nurin dhe studentët e tij tregoheshin budallenj.
Një incident zbavitës -qesharak- prej atyre shembujve: Arsyeja e shkruar në letër që autorizonte arrestimin tim ishte “prishja e rendit publik”. Duke mos e pasë parë dokumentin, unë i thashë palës akuzuese, prokurorit:
Unë të kam përgojuar ty mbrëmë, sepse i thashë njërit prej punonjësve të policisë i cili po më pyeste mua në vend të drejtorit të policisë: “Në qoftë se unë nuk i kam shërbyer sigurisë së rendit publik të këtij vendi më shumë se një mijë drejtora rendi dhe më shumë se një mijë prokurorë shteti, Allahu më shkatërroftë! Thashë tri herë.
Pastaj në kohën që isha në nevojën më të madhe për të pushuar, që të mos shqetësohesha me çështjet e dynjasë dhe të largohesha përfundimisht nga i ftohti, unë u mposhta nga zemërimi dhe nga mërzia ndaj atyre që më kishin dërguar në këtë mërgim të padurueshëm, në këtë izolim, burgosje e shtypje në një mërgim që shkruan e zbrazën urrejtjen dhe qëllimet e këqija.
Por mirësia dhe kujdesi Hyjnor më erdhën në ndihmë dhe në zemrën time u shfaq kuptimi që vijon:
“Kaderi Hyjnor, i cili është thjesht drejtësi e pastër, ka një pjesë shumë të madhe në shtypjen e padrejtë që po bëjnë mbi ty këta njerëz. Dhe rizku -ushqimi yt- në këtë burg të ka ftuar ty për në burg; atëherë ty të duhet ta takosh këtë pjesë me kënaqësi e nënshtrim. Edhe Urtësia Hyjnore dhe mëshira e saj kanë një pjesë të madhe, e cila është për t’i ndriçuar ata në këtë burg dhe për t’i ngushëlluar, dhe ti të fitosh thevab e shpërblim. Kjo pjesë duhet të takohet me falënderime të pafundme dhe me durim. Edhe nefsi yt ka një pjesë në të, për shkak të gabimeve dhe mangësive të tij të cilat ti nuk i njeh. Përballë kësaj pjese, ti duhet t’i thuash nefsit tënd se ai e meritonte këtë goditje, nëpërmjet pendesës dhe duke kërkuar falje.
Dhe disa nga armiqtё e tu të fshehur kanë një pjesë në të, me intrigat e tyre duke mashtruar disa zyrtarë naivë e frikacakë e duke i shtyrë ata për të kryer një padrejtësi të tillë. Përballë kësaj pjese, goditjet e tmerrshme jolëndore të dhëna nga Risale-i Nuri mbi ata hipokritë e kanë marrë hakun tuaj krejtësisht ndaj tyre. Këto goditje janë të mjaftueshme për ata.
Pjesa e fundit janë ata zyrtarë të cilët janë mjete reale, aktualë. Përballë kësaj pjese, për hir të përfitimit të tyre prej Risale-i Nurit lidhur me besimin, donin apo nuk donin, të cilin ata e shikuan me qëllim për ta kritikuar e plagosur, t’i falësh ata në përputhje me parimin:
“…Ata të cilët përmbajnë zemërimin dhe ata që i falin njerëzit, vërtet Allahu i do shumë ata që bëjnë mirë”[33] është një akt shpirtëmadhësie e zemërgjërësie.
Për shkak të lumturisë dhe ndjenjës së falënderimeve që përjetova si rrjedhojë i këtij paralajmërimi të vërtetë, unë vendosa që të mbetem i duruar dhe mirënjohës i gëzuar në këtë shkollë të re Jusufie, madje vendosa që t’i ndihmoj e t’i përkrah edhe ata të cilët më bëjnë keq e që më kundërshtojnë duke e disiplinuar nefsin tim.
Pastaj dikush si unë që është shtatëdhjetë e pesë vjeç, lidhjet e të cilit janë këputur me dynjanë, që nuk ka mbetur gjallë nga të dashurit e tij veçse pesë nga shtatëdhjetë veta, varri ishte njëqind herë më i preferueshëm për të se sa ky burg, sepse shtatëdhjetë mijë kopje të trajtesave të Risale-i Nurit ishin në qarkullim të lirë dhe do t’i kryenin detyrat e mia që lidhen me Risale-i Nurin, dhe unë kisha vëllezër e trashëgimtarë të cilët do të vazhdonin t’i shërbenin besimit me mijëra gjuhë në vend të një gjuhe të vetme timen. Ky burg gjithashtu ishte njëqind herë më i rehatshëm dhe më i dobishëm se sa liria e lidhur -e palirë- jashtë dhe e zbuluar para tiranisë dhe shtypjes, sepse njeriu duron i detyruar së bashku me qindra të burgosur të tjerë një trajtim arbitrar prej disa zyrtarëve, si drejtori i burgut dhe shefi i rojeve duke marrë parasysh detyrat e tyre, dhe gjen ngushëllim e respekt vëllazëror prej shokëve të shumtë përreth tij, ndërsa jashtë ai duhet të vuajë i vetëm trajtimin arbitrar të qindra zyrtarëve.
Gjithashtu dhembshuria islame dhe natyra njerëzore tregojnë mëshirë për të moshuarit dhe sidomos për ata që janë në këtë gjendje; ato të dyja i transformojnë vështirësitë dhe mundimet e burgut në mëshirë.. për hir të kësaj, unë u bëra i kënaqur me burgun.
Kur u solla për të marrë pjesë në këtë gjyq të tretë, unë u ula në një karrige jashtë derës së gjykatës, për shkak të vështirësisë sime për të qëndruar në këmbë për shkak të dobësisë sime, pleqërisë dhe sëmundjes. Papritmas u shfaq gjykatësi dhe me zemërim tha në një mënyrë fyese: “Përse ky nuk pret në këmbë?” Unë u zemërova në thellësitë e mia për shkak të mungesës së dhembshurisë ndaj pleqërisë.
Ndërkohë unë sodita përreth dhe pashë se një numër i madh muslimanësh ishin grumbulluar rreth nesh dhe po na shikonin në mënyrën më të përzemërt e vëllazërore, saqë nuk mundi askush që t’i largonte ata nga ky tubim. Papritmas më erdhën në zemër këto dy të vërteta:
E para: Armiqtë e mi dhe armiqtë e fshehur të Risale-i Nurit kishin mashtruar disa zyrtarë naivë me qëllim që të ndalonin pushtimet dhe fitoret e Risale-i Nurit duke shkatërruar opinionin e mirë publik për mua, gjë të cilën unë nuk e kam dashur, dhe për të shkatërruar karakterin tim në shikimin e njerëzve; ata i kishin nxitur ata zyrtarë për t’u sjellur në atë mënyrë me përbuzje e përçmim ndaj meje.
Kështu përballë asaj fyerje që buroi nga një burrë i vetëm, përkujdesja Hyjnore e drejtoi shikimin tim drejt këtyre njëqind njerëzve duke vlerësuar shërbimin e besimit që e paraqesin Risale-i Nuri dhe studentët e tij, duke thënë:
“Shikoji këta! Ata kanë ardhur për të të uruar mirëseardhje për atë shërbimin tënd, me zemra të mbushura me dhembshuri, me dëshpërim, me admirim dhe me lidhje të ngushtë”. Madje edhe në ditën e dytë kur po u përgjigjesha pyetjeve të hetuesit, u grumbulluan një mijë njerëz në sheshin përballë dritareve të gjykatës duke shfaqur shqetësimin e tyre. Çehret e fytyrave të tyre shprehnin gjendjen e tyre të natyrshme dhe thonin: “Mos i ngushtoni dhe mos i shqetësoni këta”, dhe nga lidhja e fortë që ata kishin me ne, policia qe e pamundur që t’i shpërndante, dhe ndërkohë erdhi në zemrën time ç’ka vijon:
Këta njerëz në këtë kohë të vështirë e të rrezikshme dëshirojnë një ngushëllim të vërtetë, një dritë të pashuar, një besim të fortë dhe disa sihariqe për lumturinë e përjetshme, dhe se ata e kërkojnë këtë nga natyra. Ata duhet të kenë dëgjuar se ajo që ata kërkojnë duhet të gjendet në Risale-i Nur, prandaj ata shfaqin këtë respekt e vlerësim për personin tim, i cili është i parëndësishëm, shumë më tepër se sa e meritoj për shkak se kam kryer ndonjë shërbim të vogël për besimin; shpresoj që të kem bërë ndonjë shërbim për të.
E vërteta e dytë: Në zemër më erdhi ç’ka vijon:
Kundrejt fyerjes dhe përbuzjes ndaj nesh me pretekstin se kishim prishur rendin publik dhe përballë largimit të vëmendjes së njerëzve ndaj nesh nëpërmjet keqtrajtimeve të cilat i kryenin disa njerëz të përbuzur e të mashtruar, ishin miratimi, brohoritja dhe vlerësimi i njerëzve të panumërt të realitetit dhe i bijve të brezave të ardhshëm.
Po, nëpërmjet fuqisë së besimit të sigurt e të verifikuar, në çdo pjesë të këtij vendi, Risale-i Nuri dhe studentët e tij e ndalojnë korrupsionin e tmerrshëm dhe përpjekjet anarkiste për të prishur rendin publik nën maskën e komunizmit. Studentët e Risale-i Nurit punojnë për të siguruar rendin dhe qetësinë publike në vend të panikut dhe të anarkisë. Për njëzet vitet e kaluara nuk është shfaqur asnjë incident që përmban prishjen e rendit publik lidhur me studentët e Risale-i Nurit, të cilët janë të shumtë dhe gjenden në çdo anë të vendit. Askush prej policëve nuk ka gjetur dhe nuk ka regjistruar ndonjë ngjarje në dhjetë provinca dhe nëpërmjet katër gjykatave të lidhura e të interesuara për këtë. Madje policët e paanshëm, të drejtë të tre provincave thanë: “Studentët e Risale-i Nurit janë policë moralë e shpirtërorë, për sigurinë në vend; ata ndihmojnë në ruajtjen e rregullit e të rendit. Nëpërmjet besimit të sigurtë e të verifikuar, ata lënë në kokën e gjithkujt që lexon Risale-i Nurin diçka që i pengon ata nga kryerja e akteve të dënueshme. Ata janë si rojtarë dhe përpiqen të sigurojnë rendin publik.
Një shembull i kësaj është burgu i Denizlit. Kur studentët e Risale-i Nurit hynë atje dhe trajtesa “Frutat e besimit” e cila u shkrua për të burgosurit, brenda një hapësire kohore tre ose katër muajsh, më shumë se dyqind prej atyre të burgosurve u bënë jashtëzakonisht të bindur dhe fituan një sjellje të tillë fetare e të drejtë, saqë një njeri i cili kishte vrarë tre apo katër njerëz, tani kishte frikë e ruhej që të mos vriste edhe tartabiqet. Ata u bënë anëtarë plotësisht të mëshirshëm e të padëmshëm për kombin. Zyrtarët u habitën shumë nga kjo situatë dhe e shikuan me vlerësim. Madje disa të rinj deklaruan para se të merrnin vendimin e gjykatës -dënimin: “Në qoftë se studentët e Risale-i Nurit do të qëndronin në burg, ne do t’i gjykonim vetet tona dhe do t’i dënonim me qëllim që të qëndrojmë me ta, të mësojmë prej tyre dhe të reformojmë e të rregullojmë vetet tona nëpërmjet udhëzimit të tyre dhe të bëhemi si ata.”
Ata që akuzojnë studentët e Risale-i Nurit, të cilët janë kështu, për prishje të rendit publik, sigurisht ata janë të mashtruar rëndë, ose janë bërë të marrë, ose me dijeni apo pa dijeni mashtrojnë qeverinë për hir të anarkisë e të terrorit, dhe prandaj ata përpiqen të na shtypin e të na dëbojnë ne.
“Meqenëse vdekja nuk vritet dhe dera e varrit nuk mund të mbyllet dhe karvanet njerëzore në bujtinën e kësaj dynjaje hynë në të dhe me shpejtësi të madhe fshihen e zhduken, atëherë sigurisht ne do të ndahemi nga njëri-tjetri shumë shpejt. Ju do të merrni dënimin për tiraninë tuaj në mënyrën më të frikshme. Të paktën do të ngjiteni tek litarët e vdekjes dhe tek asgjësimi i përjetshëm -vdekja-, e cila është një letër lirimi për njerëzit e besimit. Kënaqësitë e përkohshme që keni marrë në këtë dynja duke i imagjinuar ato të jenë të përhershme, do të transformohen në dhimbje pikëlluese të përjetshme.
Me keqardhje, armiqtë tanë të fshehur shtiracakë ndonjëherë i ngjisin emrin “Sufizm” realitetit të islamit, i cili është fituar e ruajtur nëpërmjet shpatave dhe gjakut të qindra milionë martirëve të cilët ishin në shkallën e shenjtërisë dhe nëpërmjet luftës heroike të ish muxhahidëve të këtij kombi fetar. Ndërsa rruga e sufizmit është vetëm një rreze nga ai diell; ata e shfaqin atë të jetë dielli dhe mashtrojnë disa zyrtarë të qullët të qeverisë. T’i quash studentët e Risale – i Nurit ‘Sufi’ apo anëtarë të një grupi politik, për shkak se ata punojnë me efektshmëri për të vërtetat e Kuranit e të besimit, dëshirojnë t’i nxisin ata kundra nesh. Ne u themi atyre që i dëgjojnë ata për të dalë kundra nesh, ashtu siç thamë përpara gjykatës së Denizlit:
“Le të vetëflijohemi për këtë të vërtetë të shenjtë për të cilën qindra e milionë të tjerë janë vetëflijuar, madje edhe në qoftë se ju do t’i vini zjarrin botës rreth nesh, ne që sakrifikojmë vetet tona për të vërtetat e Kuranit nuk do t’i lëshojmë armët tona përpara ateizmit; ne nuk do ta braktisim detyrën tonë të shenjtë, në dashtë Allahu!”
Lavdi Zotit, për ngushëllimin e shenjtë që buroi nga besimi dhe nga Kurani për dhimbjet e dëshpërimin e ngjarjeve të pleqërisë, unë nuk do ta ndryshoja këtë vit pikëllues të pleqërisë sime me dhjetë vite më të lumtura të rinisë sime -sidomos meqenëse për ata që pendohen dhe kryejnë namazet e detyruara, çdo orë në burg është e barabartë me dhjetë orë ibadeti dhe, për sa ka të bëjë me meritat, çdo ditë që kalon në sëmundje a në shtypje fiton thevabin e dhjetë ditëve të jetës së përhershme.
Kështu, unë kuptova nga këto paralajmërime se sa të meritueshme për falënderime janë këto ditë për dikë si unë që pret radhën e tij në derën e varrit. Ndërkohë unë thashë: Falënderime të pafundme qofshin për Krijuesin tim!” dhe isha i lumtur për pleqërinë time dhe i kënaqur me burgosjen time. Meqenëse jeta nuk ndalon por madje kalon shpejt, në qoftë se ajo kalon në kënaqësi e lumturi, meqenëse ikja e kënaqësisë shkakton dhimbje, ajo bëhet kalimtare, duke kaluar pa falënderime e në pakujdesi. Jeta, duke lënë në vendin e saj mëkatet, ikën e largohet. Ndërsa në qoftë se ajo kalon në burg e në vështirësi, meqenëse ikja e dhimbjes është një lloj kënaqësie, dhe meqenëse ajo konsiderohet të jetë një lloj ibadeti, ajo bëhet e përjetshme nga një drejtim, dhe nëpërmjet frutave të saj të mira, fiton jetë të përhershme. Ajo bëhet nga një drejtim tjetër shlyerje për gabimet që ishin shkaku i mëkateve të kaluara dhe i burgosjes, dhe pastrim nga gjynahet. Nga ky këndvështrim, ata midis të burgosurve të cilët i kryejnë farzet, detyrimet fetare, duhet të japin falënderime me durim.
■ SHPRESA E GJASHTËMBËDHJETË
Kur më çuan në internim në Kastamonu[34] pasi plotësova një vit dënimin tim në Burgun Eskishehir, ndërsa isha i plakur, unë qëndrova për dy tre muaj si mysafir i lënë në pritje në stacionin e policisë. Mund të kuptohet se sa shumë tortura e mundime ka vuajtur dikush si unë në vende të tilla si këto, i cili ishte i veçuar nga njerëzit, që nuk mund të qëndrojë madje as me shokët e tij besnikë dhe që nuk mund të ndryshonte as veshjen me të cilën ishte mësuar ta mbante[35]. Ndërsa duke vuajtur këtë gjendje pikëlluese, papritmas, mirësia Hyjnore më erdhi në ndihmë në pleqëri. Inspektorët dhe policët në stacionin e policisë u bënë si shokë të ngushtë e besnikë. Ata nuk insistuan asnjëherë që unë të vishja kapele me strehë, dhe ashtu si shërbyesit e mi, ata më merrnin mua për të ecur e shëtitur rreth qytetit.
Pastaj unë qëndrova në medresenë e Risale-i Nurit në Kastamonu, përballë stacionit të Policisë, dhe fillova të shkruaj pjesë të tjera të Risale-i Nurit. Studentët heroikë të Risale-i Nurit si Fejziu, Emini, Hilmiu, Sadiku dhe Salahuddini e të tjerë si këta, merrnin pjesë në medrese me qëllim që t’i shumëfishonin e t’i përhapnin trajtesat. Madje ne zhvilluam debate shkencore më të ndritshme e të çmueshme se sa ato që kisha mbajtur në rininë time me studentët e mi të hershëm.
Pastaj armiqtë tanë të fshehur ngjallën dyshime për ne tek disa zyrtarë, tek disa hoxhallarë egoistë dhe tek disa shejh të tarikatit sufi. Ata shkaktuan që ne dhe studentët e Risale-i Nurit nga pesë ose gjashtë provinca të grumbulloheshin së bashku në shkollën Jusufie të burgut të Denizlit. Detajet e kësaj ‘Shpresës së Gjashtëmbëdhjetë’ përshkruhen qartë në letrat e shkurtëra që ua dërgoja fshehtazi vëllezërve të mi kur isha në Burgun e Denizlit, në ato që dërgoheshin nga Kastamonu dhe në koleksionin që përmban fjalën mbrojtëse përpara gjykatës së Denizlit. Kështu duke ia referuar detajet atyre Letrave dhe Fjalës sime mbrojtëse, unë do të aludoj për të vetëm shkurt këtu:
Unë i fsheha disa trajtesa të veçanta dhe koleksionet e rëndësishme dhe sidomos ato që hulumtojnë Dexhalin e muslimanëve -Sufjanin- dhe kerametet e Risale-i Nurit, nën stivën e druve dhe nën qymyr me qëllim që ato të mund të botoheshin pas vdekjes sime ose pasi autoritetet shtetërore të vinin në vete dhe t’i vinin vesh të vërtetës. Unë isha i qetë nga kjo çështje, por papritmas disa zbulues policorë dhe disa ndihmës të prokurorit të përgjithshëm hynë me dhunë e bastisën shtëpinë time dhe i nxorën ato trajtesa të rëndësishme e të fshehura nën stivën e druve dhe nën qymyr.
Pastaj më arrestuan dhe më dërguan në Burgun e Ispartas, ndonëse unë isha në gjendje të keqe shëndetësore. Ndërsa isha shumë i zemëruar nga dëmi që i kishte ardhur Risale-i Nurit, mirësia Hyjnore na erdhi të gjithëve në ndihmë, sepse autoritetet që ishin më të nevojshmit për leximin e atyre trajtesave të çmueshme të fshehura, filluan t’i studionin me të gjithë vëmendjen e me zell.
Ndërsa filluan t’i lexonin me idenë për t’i kritikuar, ata nisën t’i vlerësonin ato. Madje në Denizli, megjithëse ne nuk ishim në dijeni, shumë njerëz, qofshin zyrtarë ose jozyrtarë, lexonin trajtesën El-Ajetul-Kubra që ishte botuar me fshehtësi të plotë dhe kishin shtuar e forcuar besimin e tyre dhe u bënë shkak për ta bërë fatkeqësinë tonë sikur të mos kishte ndodhur.
Pastaj ata na çuan në Burgun e Denizlit dhe më vendosën në një qeli të mbyllur në një paradhomë të neveritshme, erëkeqe, të ftohtë e me lagështirë. Unë u bëra shumë i dëshpëruar nga pleqëria, nga sëmundja dhe nga vështirësitë që u ranë shokëve të mi për shkakun tim, dhe isha shumë i pikëlluar për konfiskimin e Risale-i Nurit dhe për ndërprerjen e aktiviteteve të tij. E gjitha kjo më bëri shumë të shqetësuar e të brengosur.. Ndërkohë, papritmas, mirësia dhe përkujdesja Hyjnore më erdhën në ndihmë. Ajo e transformoi atë burg të tmerrshëm në një medrese të Risale-i Nurit, duke provuar se burgu ishte një shkollë “Jusufie”. Risale-i Nuri filloi të përhapej nëpërmjet penave prej diamanti të heronjve të El–Medresetu Ez-zehra. Madje Heroi i madh i Risale-i Nurit, në ato rrethana të vështira shkroi më shumë se njëzet kopje nga Trajtesa “Frutet e besimit” dhe nga “Koleksioni i fjalës mbrojtëse” gjatë një periudhe tre katër mujore. Ato kopje u bënë shkak për pushtime edhe brenda burgut edhe jashtë tij, dhe në atë fatkeqësi i transformoi dëmin dhe humbjen tonë në dobi e fitim dhe i transformoi dëshpërimin e shqetësimin tonë në gëzim, duke shfaqur përsëri një mister nga misteret e vërsetit,
“E, ndodh që ju mund të mos e pëlqeni një gjë që është në të vërtetë e mirë për ju…”[36]
Pastaj ne u zbuluam para kritikave të ashpra për shkak të një raporti të pasaktë e sipërfaqësor i paraqitur nga ana e komitetit të ekspertëve të parë, dhe ministri i arsimit ndërmori një sulm të ashpër kundra nesh; ai botoi një deklaratë kundra nesh. Dhe pikërisht atëherë kur sipas disa raporteve ata u përpoqën duke kërkuar për t’i ekzekutuar disa nga ne, mirësia e përkujdesja Hyjnore na erdhi në ndihmë. Para së gjithash, ndërsa ne prisnim një raport të ashpër kritik nga grupi i ekspertëve në Ankara, ata dërguan raporte lavdëruese e miratuese. Megjithëse ata gjetën më pak se dhjetë gabime në pesë sënduqe kopjesh të Risale-i Nurit, ne provuam në gjykatë se pikat që ata i kishin shfaqur të jenë gabime ishin krejtësisht të sakta, por vetë ekspertët ishin të gabuar në çështjet për të cilat thanë se ishin gabime; dhe shpjeguam se në raportin e tyre që përmbante pesë faqe ishin rreth dhjetë gabime. Dhe ndërsa ne prisnim raprezalje e kërcënime të ashpra nga shtatë qarqet zyrtare tek të cilat u dërguan trajtesat ‘Frutat e besimit’ dhe ‘Koleksioni i fjalës mbrojtëse’, ashtu siç u dërguan të gjitha trajtesat në ministrinë e drejtësisë, dhe në mënyrë të veçantë për ato trajtesa të veçanta që përmbanin goditje të forta dhe kundërshtim ndaj njerëzve të çudhëzimit…
Po, ndërsa ne prisnim kërcënime të rënda prej tyre, kur ç’të shohësh, ata u përgjigjën me shumë butësi nëpërmjet raporteve të tyre ngushëlluese të cilat i ngjasonin asaj letre që na dërgoi kryeministri, tamam sikur ata shfaqën dëshirën e tyre për pajtim me ne, dhe kështu nuk na sulmuan. E gjitha kjo provoi prerazi se të vërtetat e Risale-i Nurit nëpërmjet mirësisë, përkujdesjes dhe nderimit Hyjnor triumfuan dhe i mposhtën ata, saqë Risale-i Nuri i bëri ta lexojnë e të udhëzohen nëpërmjet tij, dhe i transformoi ato qarqe të gjëra zyrtare në atë që u ngjasonte shkollave të dritës, dhe shpëtoi besimin e shumë njerëzve që ishin ngurrues e të habitur; gjë e cila na dha një gëzim shpirtëror e dobi shumë herë më të mëdhaja se sa dëshpërimi e brenga që vuanim.
Pastaj, armiqtë tanë të fshehur futën helm në ushqimin tim, dhe Hafiz Aliu i ndjerë, heroi martir i Risale-i Nurit, shkoi në spital në vendin tim, pastaj udhëtoi në botën e ndërmjetme në vendin tim dhe na bëri ne të qanim me dëshpërim për të. Përpara se të ndodhte kjo fatkeqësi, unë thashë një ditë kur isha në malin e Kastamonus, madje thërrita shpesh: “O Vëllezërit e mi, mos i jepni mish kalit dhe bar luanit! Domethënë, mos ia jepni të gjitha trajtesat gjithësecilit, që të mos i përdorin për të na sulmuar”. Megjithëse, Hafiz Aliu, Allahu e mëshiroftë, ishte rreth shtatë ditë larg në këmbë, sikur ai dëgjoi me telefonin e tij shpirtëror këtë fjalën time; dhe në të njëjtën kohë ai më shkroi duke më thënë: “Po, o profesori im… Është një nga kerametet e Risale-i Nurit dhe nga veçoritë e tij që të mos u jepet mishi kuajve dhe as bari luanëve. Përkundrazi, meqenëse bari u jepet kuajve dhe mishi luanëve, ai i dha atij hoxhe trajtesën e “Sinqeritetit”. Unë mora letrën e tij pas shtatë ditëve. Ne filluam ta shqyrtojmë dhe mësuam se ai e kishte shkruar atë shprehje të çuditshme pikërisht në kohën që unë e përsërisja në majë të malit Kastamonu.
Kështu në kohën që vdiq ai hero i Risale-i Nurit dhe ne po na bëhej presion nga hipokritët e fshehur të cilët po përpiqeshin të na ndëshkonin nëpërmjet intrigave të tyre kundra nesh, dhe unë isha shumë i mërzitur se ata do të më çonin në spital me urdhër zyrtar për shkak se isha i sëmurë nga helmi, pikërisht në këtë gjendje të trishtueshme, më erdhi në ndihmë mirësia e përkujdesja Hyjnore.
Nëpërmjet duave të sinqerta të vëllezërve të mi të bekuar, rreziku i jetës sime nga helmi kaloi, dhe ndodhen shenja shumë të fuqishme se ai hero martir, po preokupohej në varrin e tij me Risale-i Nurin, dhe u përgjigjej me Risale-i Nurin pyetjeve të melekëve; dhe heroi i Denizlit Hasan Fejziu, Allahu e mëshiroftë, i cili do të punonte sipas sistemit të Hafiz Aliut, dhe shokët e tij besnikë do t’i shërbenin fshehurazi Risale-i Nurit në mënyrë të efektshme; dhe për shkak se edhe të burgosurit e tjerë po reformoheshin nga Risale-i Nuri, madje edhe armiqtë tanë e mbështetën lirimin tonë nga burgu; dhe ashtu si shokët e shpellës, studentët e Risale-i Nurit e transformuan atë vend prove në një shpellë asketësh të kohëve të mëparshme; e gjitha kjo, së bashku me përpjekjet e tyre në shkrimin dhe në përhapjen e Risale-i Nurit me zemra të qeta, provoi se mirësia dhe përkujdesja Hyjnore na kishte ardhur në ndihmë.
Gjithashtu iu shfaq zemrës sime se, përderisa një interpretues i madh i sheriatit, si Imam A’dham Ebu Hanifeja dhe imamë të tjerë muxhtehidinë si ai, kishin vuajtur burgimin dhe u torturuan rëndë, si imam Ahmed Ibn Hanbel dhe si shembulli i tij prej muxhahidinëve të mëdhenj, dhe u torturuan për hir të një çështjeje të vetme nga çështjet e Kuranit, dhe i përballuan ato me durim të plotë, dhe nuk qëndruan të heshtur rreth çështjes në fjalë; dhe disa udhëheqës fetarë dhe shkollarë patën qenë krejtësisht të duruar e të palëkundur duke dhënë falënderime, pavarësisht vuajtjes së torturave shumë më të rënda se sa të tuat; atëherë sigurisht ti je i detyruar të japësh falënderime të pafundme për pikërisht vështirësitë e pakta që ti po vuan, ndonëse shpërblimi dhe fitimi që ti merr janë të mëdhaja për ato të vërteta të shumta të Kuranit. Po, unë do të përshkruaj shkurtazi një manifestim të mirësisë Hyjnore nëpërmjet tiranisë që e kryen njeriu:
Kur isha njëzet vjeç, unë thoja në mënyrë të përsëritur: Në fundin e jetës sime unë do të tërhiqem nga jeta shoqërore dhe do të jetoj i veçuar në një shpellë ose në një mal, si ata të cilët hoqën dorë nga dynjaja dhe u tërhoqën nëpër shpella në kohët e lashta. Gjithashtu unë vendosa kur mbahesha si rob lufte në verilindje të Rusisë në luftën e Parë Botërore se unë do t’i kaloja ditët e mbetura të jetës sime nëpër shpella duke u larguar nga jeta shoqërore e politike. Është e mjaftueshme tani nga përzierja me ta”. Në këtë pikë, edhe mirësia Hyjnore, edhe drejtësia e kaderit Hyjnor, u manifestuan si mëshirë ndaj pleqërisë sime, dhe ato të dyja i shndërruan ato shpella, të cilat i përfytyroja, në diçka më të mira e më të këndshme se sa ato, gjë që kalonte shumë përtej dëshirës dhe vendimit tim.. Ata të dyja i ndryshuan ato në burgje, në vende të veçuara e në vetmi, dhe më dhanë mua Shkolla Jusufie në vend të atyre shpellave në male për ata që tërhiqen në vetmi dhe për asketët, me qëllim që të mos i çonim më kot kohët tona, pasi në ato shpella ka dobi për Ahiretin, dhe kjo përveç kryerjes së misionit të xhihadit për hir të Kuranit dhe të tё vërtetave të imanit. Madje unë pata vendosur ta shfaq veten time fajtor për ndonjë krim dhe të qëndroja në burg pasi shokët e mi ishin liruar. Njerëz të vetmuar si Husrevi dhe Fejziu do të qëndronin me mua, dhe me ndonjë pretekst unë do të kisha qëndruar në qeli të burgut me qëllim që të mos takohesha me njerëz e të harxhoja kohën kot në biseda të panevojshme dhe në artificializëm egoist. Por atëherë Kaderi Hyjnor dhe rizku -fati- që na kishte caktuar Allahu xh.sh. na shtynë në një vend tjetër të veçuar e të mbyllur. Në përputhje me vërsetin,
“E ndodh që ju mund të mos e pëlqeni një gjë që është në të vërtetë e mirë për ju…”[37] dhe sipas thënies “E mira qëndron në atë që zgjedh Allahu”, nga mëshira për pleqërinë time dhe me qëllim që të na bëjë të punojmë më shumë në shërbim të besimit, detyrat na u dhanë jashtë vullnetit dhe fuqisë sonë në këtë shkollë të tretë Jusufie.
Po, ndodhen tri shembuj urtësie dhe dobi të rëndësishme lidhur me shërbimin e Risale-i Nurit nga mirësia Hyjnore duke i transformuar – nga mëshira për pleqërinë time- shpellat e veçanta për rininë time, kur unë nuk kisha armiq të fuqishëm e të fshehur, në paradhoma të veçuara burgu.
Shembulli i Parë i Urtësisë dhe i Dobisë:
Në këtë kohë është e mundur për studentët e Risale-i Nurit të grumbullohen bashkë pa dëm vetëm në Shkollën e Jusufit. Ndërsa jashtë saj do të kushtonte shtrenjtë dhe do të ngjallte dyshime në qoftë se ata takohen. Madje disa nga ata që vinin për të më takuar, shpenzonin dyzet ose pesëdhjetë lira, dhe atëherë ose më takonin për vetëm njëzet minuta, ose ktheheshin duke mos pasë mundësi të më takonin. Unë zgjodha me gatishmëri vështirësinë e burgut me qëllim që të isha më afër disa vëllezërve të mi. Kjo do të thotë se për ne burgu është mirësi dhe shembull mëshire.
Shembulli i Dytë i Urtësisë dhe i Dobisë:
Shërbimi i besimit në këtë kohë duhet të jetë nëpërmjet shpalljes dhe njoftimit të tij në çdo drejtim dhe duke tërhequr vëmendjen e atyre që kanë nevojë për të. Kështu vëmendja tërhiqet për tek Risale-i Nuri nëpërmjet burgosjes sonë; kjo është si një shpallje.
Më kryeneçët dhe më të nevojshmit për të e gjejnë atë dhe ai shpëton besimin e tyre; kokëfortësia e tyre thyhet dhe ata shpëtojnë nga rreziku, dhe rrethi i studimit të Risale-i Nurit zgjerohet.
Shembulli i Tretë i Urtësisë dhe i Dobisë:
Studentët e Risale-i Nurit që janë dërguar në burg mësojnë nga sjellja e njëri-tjetrit, nga cilësitë, nga sinqeriteti dhe nga vetëflijimi, dhe ata nuk kërkojnë më përfitime lidhur me dynjanë në shërbimin e tyre ndaj Risale-i Nurit. Po, meqenëse, në këtë shkollë Jusufie, ata i kanë parë me sytë e tyre dhjetë dhe ndoshta njëqind dobitë e fituara për çdo mundim e vështirësi, dhe rezultatet e mira, dhe shërbimi i sinqertë ndaj besimit, ata janë të suksesshëm për të fituar sinqeritet të pastër, dhe nuk i ulin më vetvetet duke kërkuar dobi të pjesshme e vetjake.
Për mua, këto vende të veçuara e të mbyllura janë të holla e të zymta, veçse ama ato janë të këndshme e të kënaqshme; ato janë siç vijon:
Unë shikoj këtu të njëjtat situata të cilat i shihja në medresenë time të vjetër në vendlindjen time në rininë time. Sepse tradicionalisht në provincat lindore, ushqimi i një pjese prej studentëve të medreseve, u vinte nga jashtë shkollës, ndërsa një grup tjetër e gatuanin në mes tyre në shkolla. Dhe kishte edhe mënyra të tjera që i ngjasonin këtij vendi prove. Ndërsa shikoja burgun këtu, duke ndjerë një simpati e mallëngjim të këndshëm, unë udhëtoj me imagjinatën time tek ato kohë të ëmbëla të hershme të rinisë, dhe harroj vështirësitë e pleqërisë.
* * *
Shtojca e Shkreptimës së Njëzet e gjashtë.
Kjo është letra e Njëzet e Njëtë, e cila meqenëse është përfshirë në koleksionin e Letrave, nuk është shtuar këtu.
* * *
[1] Në një kopje të shkruar me dorë të kësaj shkreptime dhe tё korrigjuar nga autori i respektuar, u shkrua: “shpresat e tjera, nga e katërmbëdhjeta gjer tek e njëzet e gjashta nuk janë shkruar për shkak të fatkeqësisë së njohur (burgu, Eskishehir); për shkak se koha e shkruajtjes së tyre tashmë ka kaluar, kjo trajtesë mbeti e mangët”. [e katërmbëdhjeta deri tek e gjashtëmbëdhjeta u shkruan në vijim, më vonë. Përkthyesi.]
[2] Kuran 19: 1-4
[3] Njazi Misri është një poet sufi turk (1618-1694). Përkthyesi
[4] Transmetojnë Buhariu, Muslimi
[5] Fuduli Bagdadi është një poet i cili jetoi në shekullin XVI. Emri i tij i vërtetë është Muhammed. Përkthyesi
[6] Lehtësia e njoftimit të një çështjeje të sigurt dhe vështirësia në mohimin e saj mund të shihen në krahasimin që vijon: Në qoftë se një njeri thotë: “Ndodhet një kopshti mrekullueshëm në tokë ku pemët në to kanë fruta si kutia qumështi”. Dhe një njeri tjetër e mohon këtë duke i thënë: “Jo, nuk ekziston një kopshti tillë”. Personi i parë ka mundësi me lehtësinë më të madhe që ta provojë pretendimin e tij: thjesht duke treguar vendin e atij kopsht i ose disa nga frutat e tij. Ndërsa të dytit, domethënë mohuesit, me qëllim që të provojë mohimin dhe pretendimin e tij, i duhet të shikojë e t’i shfaqë të gjitha anët e globit tokësor me qëllim që të provojë mosekzistencën e atij kopsht i.
Pikërisht kështu është çështja e atyre që njoftojnë për Xhennetin; ata shfaqin qindra e mijëra shenja, fruta dhe tregues të Parajsës, duke ditur se dëshmia e dy dëshmitarëve të vërtetë është i mjaftueshëm për të provuar pretendimin e tyre.
Kurse mohuesit e ekzistencës së tij, për të provuar mohimin e tyre u duhet të shikojnë universin e pakufishëm, dhe kohën e pakufishme duke e kërkuar dhe hetuar atë plotësisht, dhe vetëm atëherë ata mund të demonstrojnë mosekzistencën e tij. Dhe kështu, o vëllezërit e mi të moshuar, ju mund të kuptoni se sa i fuqishëm është besimi për botën tjetër.
[7] Kjo gjendje shpirtërore në atë kohë më erdhi në formën e lutjes në zemër në gjuhën perse dhe unë e shkrova ashtu siç më erdhi; pastaj u botua në Ankara brenda trajtesës së titulluar Hubbab.
[8] Kuran 3:158
[9] Kuran, 2:25
[10] Su’juti
[11] Kuran 73:17
[12]Kur’an, 3: 173
[13] Plotësimi i Hadithit: deri në fund. Trasmeton Bejhakiu
[14] Kuran 17: 23-24
[15] Kjo e vërtetë është provuar aq qartë sa dy edhe dy bëjnë katër në pjesët e tjera të Risale-i Nurit, dhe veçanërisht në Fjalën e Dhjetë dhe në Fjalën e Njëzet e Nëntë.
[16] Abdurrahmani ishte djali i vëllait të madh të Bediuzzamanit, Abdullahit. Ai u lind në Nurs në 1903. ishte djali shpirtëror i Bediuzzamanit, student dhe ndihmës. Ai iu bashkua xhaxhait të tij në Stamboll pas luftës së Parë botërore dhe botoi një biografi të shkurtër të tij në atë kohë. Ai vdiq në Ankara në 1928, ku atje është varrosur. Përkthyesi.
[17] Kuran 22:73
[18] Kuran 31:28
[19] Kuran 28:88
[20] Kuran 9:129
[21] Me penën e tij të hollë, vëllai më i vogël i Mustafait, küçük Ali, shkroi më shumë se shtatëqind kopje nga pjesët e Risale-i Nurit, dhe vetë ai u bë një Abdurrahman. Gjithashtu ai mësoi e ushtroi shumë Abdurahmana të tjerë.
[22] Ky djalë i ri tregoi me të vërtetë jo vetëm që ishte i denjë për ta pranuar, por gjithashtu i denjë edhe për të ardhmen.
Një ngjarje që vërteton atë parashikim të Ustadhit se Mustafai, Studenti i parë i Risale-i Nurit ishte i denjë për të ardhmen:
Ustadhi dëshironte të shëtiste në ditën para ditës së Arefatit, në festën e Kurban Bajramit, ai më dërgoi mua që t’i bëj gati kalin dhe i thashë: Mos zbrit o ustadhi im, që ta mbyllësh derën, sepse do ta mbyll unë dhe do të dal nga dera e prapme. Ai më tha mua: Jo, dil nga dera.. Ndërkohë ai zbriti dhe e mbylli derën me shul pas meje, pastaj u ngjit në dhomën e tij dhe u mbështet…
Pastaj erdhi Mustafa Kuleönlÿ së bashku me Haxhi Osmanin. Ustadhi nuk pranonte askënd dhe nuk do të pranonte, veçanërisht në atë orë, ai nuk do të pranonte dy njerëz njëherësh, por do t’i kthente ata? Megjithatë sapo vëllai ynë Mustafai, për të cilin po flasim këtu, erdhi me Haxhi Osmanin, sikur dera i tha atij nëpërmjet gjuhës së gjendjes: “Ustadhi nuk do të pranojë, por unë do ta hap atë për ty”, dhe megjithëse ajo ishte e mbyllur me shul nga brenda, dera u hap vetë për Mustafain. Domethënë, ashtu siç tregoi e ardhmja atë që tha ustadhi për të: “Mustafai është i denjë për të ardhmen” që u bë realitet, po ashtu edhe dera e dëshmoi këtë.
Nënshkroi Husrevi.
Po, çfarë kishte shkruar Husrevi ishte korrekt dhe unë e vërtetoj. Dera edhe e përshëndeti këtë Mustafa të bekuar në vendin tim, edhe e pranoi atë.
Said Nursi
[23] Është një koinçidencë e hollë që incidenti i medresesë, të cilën e përshkruan kjo shpresa e trembëdhjetë, ndodhi trembëdhjetë vite më parë (1921- përkthyesi)
Medrese: shkollë ku jepen mësim shkencat fetare.
[24] Në arabisht në tekstin origjinal, këto rreshta janë nga Mutenebbi. Përkthyesi.
[25] Transmeton Bejhekiu
[26] Kuran 57: 1-2
[27] Kuran 3:173
[28] Kuran 24:35
[29] Kjo shpresa e pesëmbëdhjetë u shkrua nga një student i Risale-i Nurit për të plotësuar në të ardhmen “trajtesën për të moshuarit”, dhe që të ishte si një burim për hartimin e saj, meqenëse periudha e shkrimit të Risale-i Nurit kishte përfunduar para tre vitesh. Autori
[30] Një qytet i vogël në Anadollin qëndror, ku Bediuzzamani u internua në 1944, duke ndjekur lirimin e tij nga burgu i Denizlit. Ai qëndroi në banesën e detyrueshme këtu gjer në 1951… Përkthyesi.
[31] Emri i universitetit për të cilin Bediuzzaman u përpoq gjatë gjithë jetës së tij për ta ndërtuar në Anadollin lindor në të cilin do të jepeshin mësim edhe shkencat fetare edhe ato moderne njëherësh. Megjithëse ai mori fonde nga sulltan Reshati dhe i vuri themelet në brigjet e liqenit të Vanit në 1911, ai nuk u përfundua për shkak të shpërthimit të luftës së parë botërore. Me përhapjen e Risale-i Nurit në dekadat e para të republikës, medresetë e Risale-i Nurit ose vendet ku studiohej Risale-i Nuri ose kopjet e të cilit shkruheshin, u hapën gjithandej Turqisë. Atëherë Bediuzzamani i quajti studentët e Risale-i Nurit, ‘Studentët e medresetu Ez-Zehra’.
[32] Domethënë, Burgu i Afjonit. Përkthyesi.
[33] Kuran 3:134
[34]Një qytet që ndodhet në veri të Turqisë. Bediuzzamani u internua atje në Mars të vitit 1936, pasi u lirua nga Burgu Eskishehir. Ai qëndroi në Kastamonu për shtatë vite deri në 1943, kur ai u dërgua për tek Burgu i Denizlit. Përkthyesi.
[35] Kjo i referohet zbatimit të detyruar të veshjes Europiane pasi miratuan ligjet për veshjen në vitet e para të Republikës.
[36] Kur’an, 2:216
[37] Kur’an, 2:216