Lexo PDF
SHKREPTIMA E SHTATË
[Kjo është rreth shtatë llojeve të njoftimeve që lidhen me të padukshmen në fundin e sures El- Fet’h]
Me Emrin e Allahut, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti.
“Pa dyshim që Allahu do ta përmbushë ëndrrën e vërtetë të cilën Ai ia shfaqi të Dërguarit të Tij a.s.m. tamam me vërtetësi. Padyshim që ju do të hyni në El-Mesxhid El-Haram -Qabe- në dashtë Allahu, të sigurt, disa me kokën të rruar e disa me flokë të shkurtuar pa pasur aspak frikë. Ai e dinte çfarë ju nuk dinit dhe Ai ju dhuroi, përveç kësaj, fitore të afërt.
Ai është i Cili ka çuar të Dërguarin e Tij, Muhammedin a.s.m., me udhëzim dhe fenë e vërtetë, që Ai ta shpallë e ta bëjë atë përmbi të gjitha fetë. Dhe i Gjithëmjaftueshëm është Allahu si Dëshmues.
Muhammedi a.s.m. është i Dërguari i Allahut dhe ata që janë me të janë të ashpër ndaj mohuesve (të Allahut) dhe të mëshirshëm ndërmjet tyre.
I sheh ata të përkulen (në Ruku) dhe të lëshohen me fytyrë në tokë (në sexhde kur i falen Allahut), duke kërkuar begati nga Allahu dhe kënaqësinë e Tij. Shenja e tyre (e besimit të tyre) është në fytyrat e tyre nga gjurmët e sexhdes. Ky është përshkrimi i tyre në Teurat, ndërsa shembulli i tyre në Ungjill përshkruhet si një farë (e mbjellë) e cila lëshon llastarin, pastaj e forcon atë dhe ai pastaj qëndron vetë në trungun e vet duke i mrekulluar mbjellësit, që Ai t’i tërbojë mosbesimtarët me anë të tyre. Allahu u ka premtuar atyre nga mesi i tyre të cilët besojnë dhe punojnë mirësi e drejtësi falje dhe shpërblim tepër të madh.[1]
Këto tre vërsete nga sure El-Fet’h përmbajnë shumë aspekte të mrekullisë.
Nga dhjetë aspekte të përgjithshme të mrekullisë së Kur’anit të shpjegimit të mrekullueshëm, aspekti që ka të bëjë me dhënien e njoftimeve të tij rreth të padukshmes mund të shihet në shtatë ose tetë mënyra në këto tre vërsete.
E Para
“Padyshim që Allahu do ta përmbushë ëndrrën e vërtetë të cilën Ai ia shfaqi të Dërguarit të Tij…” deri në fund të vërsetit, dha njoftime të sigurta për pushtimin e Mekës para se të ndodhte. Ajo ndodhi dy vjet më vonë ashtu siç u paratha e u parashikua.
E Dyta
“Dhe Ai ju dhuroi përveç kësaj një fitore të afërt” pohon se megjithëse paqja e Hudejbies dukej në pamje të jashtme në kundërshtim me interesat e islamit dhe kurejshët ishin fitimtarë deri diku, mirëpo në realitet ajo do të ishte një fitore e madhe dhe çelësi për pushtime të mëtejshme. Sepse ndonëse me paqen e Hudejbies shpata materiale mbeti e varur në këllëf përkohësisht, shpata xixëlluese prej diamanti e Kuranit u zhvesh, doli nga këllëfi, dhe pushtoi mendjet dhe zemrat. Nëpërmjet armëpushimit, të dyja palët u përzien me njëra-tjetrën. Virtytet e islamit dhe dritat e Kuranit i grisën perdet e kryeneçësisë dhe të fanatizmit të egër fisnor, dhe përmbushën dekretet e tyre.
Për shembull, njerëzit si Halid Ibn Velid, një luftëtar i shkëlqyer, dhe Amr Ibn El-A’s, një politikan i shquar, të cilët nuk mund ta pranonin humbjen, u shpartalluan nga shpata Kuranore e shfaqur nëpërmjet armëpushimit të Hudejbies. Pas nënshtrimit me bindje të plotë ndaj islamit në Medine, Halidi u bë një ‘shpatë e Allahut’, një shpatë në pushtimet e islamit.
Një pyetje e rëndësishme: Cila është urtësia në humbjet e sahabëve, shokëve të profetit Muhammed a.s.m., e lavdisë së botës dhe e të Dashurit të Zotit të të gjitha botëve, nga idhujtarët në fundin e betejës së Uhudit dhe në fillimin e betejës së Hunejnit?
Përgjigjja: Midis idhujtarëve gjendeshin shumë persona si Halidi të cilët në të ardhmen do të ishin të barabartë me Sahabët kryesues të asaj kohe. Prandaj, me qëllim që të mos poshtëroheshin krejtësisht në shikimin e së ardhmes, e cila për ta do të ishte e lavdishme dhe e nderuar, Urtësia Hyjnore u dha atyre në të shkuarën një shpërblim të menjëhershëm për veprat e tyre të mira të së ardhmes dhe nuk e shkatërroi plotësisht krenarinë e tyre. Domethënë, Sahabët e së shkuarës u mundën nga Sahabët e së ardhmes, me qëllim që sahabët e së ardhmes të hynin në islam, jo nëpërmjet frikës së shpatës xixëlluese, por nëpërmjet zellit për shkreptimën e së vërtetës, dhe me qëllim që ata dhe trimëria e tyre të mos poshtëroheshin.
E Treta
Fjalët, “pa pasur aspak frikë” tregojnë këtë: “Ju do të silleni rreth Qabes, do të bëni tavaf, në një siguri të plotë”, ndonëse në atë kohë shumica e popujve nomadë të gadishullit arabik dhe shumica e rrethinave të Mekës dhe fisi i Kurejshëve ishin armiqësorë kundra myslimanëve. Nëpërmjet parashikimit se “Së shpejti do të bëni tavaf rreth qabes pa pasur aspak frikë”, kjo tregonte e parathonte se gadishulli arabik do të nënshtrohej dhe të gjithë kurejshitët do të hynin në islam dhe një siguri e plotë do të vendoset. Dhe ajo ndodhi ekzaktësisht ashtu siç u parashikua.
E Katërta
“Ai është i Cili ka çuar të Dërguarin e Tij me udhëzim dhe fenë e vërtetë që Ai ta shpallë e ta bëjë atë përmbi të gjitha fetë”. Ky vërset parashikon e njofton me të gjithë sigurinë se feja të cilën e solli profeti i nderuar a.s.m. do të triumfojë përmbi të gjitha fetë, megjithëse në atë kohë, krishterimi, judaizmi dhe zoroastrizmi kishin qindra milionë ndjekës dhe ishin fetë zyrtare të shteteve mbisunduese të botës si Roma, Kina dhe Persia, që kishin qindra milionë nënshtetas, dhe Muhammedi arab a.s.m. nuk ishte në gjendje të nënshtronte madje as fisin e tij të vogël. Megjithatë ajo parathotë se feja që ai solli do të triumfonte përmbi të gjitha fetë dhe do të ishte fitimtare përmbi të gjithë shtetet. Dhe ajo e njofton këtë në mënyrën më të qartë e më të sigurt. E ardhmja e vërtetoi këtë parashikim me shpatën e islamit duke u shtrirë nga Oqeani Paqësor në lindje për tek Oqeani Atlantik në perëndim.
E Pesta
Muhammedi a.s.m. është i dërguari i Allahut dhe ata që janë me të janë të ashpër ndaj mohuesve (të Allahut) dhe të mëshirshëm ndërmjet tyre.
I sheh ata të përkulen (në ruku) dhe të lëshohen me fytyra në tokë (në sexhde kur i falen Allahut), duke kërkuar begati nga Allahu dhe kënaqësinë e Tij. Shenja e tyre (e besimit të tyre) është në fytyrat e tyre nga gjurmët e sexhdes…”. Nëpërmjet njoftimit të cilësive të larta dhe veçorive të cilat ishin arsyeja për sahabët të ishin më të lartësuarit e llojit njerëzor pas profetëve, fillimi i këtij vërseti përshkruan nëpërmjet kuptimit të tij të qartë cilësitë e shkëlqyera që do të shënonin e veçonin klasën e sahabëve. Dhe nëpërmjet kuptimit të tij të nënkuptuar, vërseti aludon për kalifët e drejtë, të cilët do të ndiqnin detyrën e profetit a.s.m. pas vdekjes së tij nëpërmjet institucionit të kalifatit, dhe jep njoftimet për cilësitë më të shquara e të veçanta për gjithësecilin prej tyre me të cilat ata do të dalloheshin e veçoheshin. Kjo është siç vijon:
“ Dhe ata që janë me të …” aludon për Ebu Bekrin El-Sid-dik, i cili ishte i dalluar dhe i famshëm për qënien midis ndjekësve më të veçantë të profetit a.s.m. dhe për pjesëmarrjen e shoqërimin në bashkëbisedimin me të, dhe përsëri për hyrjen midis ndjekësve të tij të veçantë duke qenë i pari që vdiq, që ndoqi profetin a.s.m. për në botën tjetër.
Ndërsa , “… janë të ashpër ndaj mohuesve…” tregon Hazreti Umerin, i cili në të ardhmen do t’i bënte popujt e globit të trembeshin nga pushtimet e tij, dhe me drejtësinë e tij që do të binte mbi tiranët si rrufe. Dhe “… të mëshirshëm ndërmjet tyre…” jep njoftime për Hazreti Uthmanin r.a, i cili në të ardhmen kur debati më serioz do të ndizej, ai do të sakrifikonte vetë jetën e tij dhe shpirtin nga dhembshuria e tij e plotë dhe nga mëshira me qëllim që të mos derdhej gjaku i muslimanëve, duke preferuar të martirizohej padrejtësisht ndërsa po lexonte Kur’an.
Dhe “… I sheh ata të përkulen (në ruku) dhe të lëshohen me fytyrë në tokë (në sexhde kur i falen Allahut), duke kërkuar begati nga Allahu dhe kënaqësinë e Tij…” tregon se me meritën e tij më të plotë për të marrë përsipër kalifatin dhe qeverisjen, me heroizmin dhe me zgjedhjen e shkallës më të plotë të asketizmit, të adhurimit, të varfërisë para Allahut, të kursimit, dhe vazhdimësinë në ruku e në sexhde gjatë faljeve ashtu siç vërtetohet nga të gjithë njerëzit, imam Aliu, Zoti qoftë i kënaqur me të, nuk ishte përgjegjës për pozitën e tij në të ardhmen dhe për luftërat dhe mosmarrëveshjet në të cilat ai u përfshi, dhe qëllimi i tij dhe dëshira ishin për të fituar mirësinë dhe kënaqësinë e Allahut.
E Gjashta
Fraza, “…ky është përshkrimi i tyre në Teurat…” bën njoftime e parashikime për të Padukshmen në dy drejtime:
I Pari: Ajo jep njoftime për cilësitë e sahabëve që përmenden në Teurat, të cilat ishin si një pjesë e Botës së Padukshme për një njeri analfabet si profeti Muhammed a.s.. Po, ashtu siç u përshkrua në Letrën e Nëntëmbëdhjetë, në Teurat ndodhen rreshtat vijues rreth sahabëve të Profetit a.s.m. të cilët do të vinin në fundin e kohës: “Flamurët e shenjtorëve janë së bashku me ta!” Domethënë, sahabët e tij do të ishin adhurues të devotshëm, të drejtë dhe shenjtorë, dhe prandaj ata u përshkruan me termin “Shenjtorët e pastër”. Megjithëse Teurati u ndryshua duke u përkthyer në disa gjuhë, përsëri ai e mbështet në shumë nga vërsetet e tij pohimin e sures El-Fet’h, “…ky është përshkrimi i tyre në Teurat…”
Drejtimi i dytë i tij duke dhënë njoftime nga e padukshmja është ky: Me frazën “. ..ky është përshkrimi i tyre në Teurat”, ai jep njoftim e parashikon se sahabët dhe gjenerata që do t’i ndiqte ato do të arrinin një shkallë të tillë adhurimi saqë dritësia e shpirtërave të tyre do të ndriçonte fytyrat e tyre, dhe shenjat do të ishin të dukshme në ballet e tyre, si një lloj vule e shenjtërisë, e shkaktuar nga sexhdet e tyre të përsëritura. Dhe në të vërtetë, e ardhmja e provoi këtë në mënyrë të shkëlqyer me qartësi e siguri të plotë. Persona të shumtë të rëndësishëm, pavarësisht atyre mosmarrëveshjeve të çuditshme dhe përmbysjeve politike, demonstron misterin e vërsetit “… ky është përshkrimi i tyre në Teurat”, të tillë si: Zejn El-Abidin i cili kryente një mijë rekatë ditën e natën dhe, si Tavus El-Jamani, i cili e kreu namazin e Sabahut me avdesin e jacisë gjatë dyzet viteve.
Shtata
Fjalia
“…ndërsa shembulli i tyre në ungjill përshkruhet si një farë (e mbjellë) e cila lëshon llastarin, pastaj e forcon atë dhe ai pastaj qëndron vetë në trungun e vet duke i mrekulluar mbjellësit, që Ai t’i tërbojë mosbesimtarët me anë të tyre…”
jep njoftime për të padukshmen në dy aspekte :
I Pari është parashikimi lidhur me cilësitë e Sahabëve që tregohen në Ungjill, të cilat sikur i përkasin të Padukshmes për një profet a.s.m. i cili nuk dinte shkrim e këndim.
Po, në Ungjill janë vërsete të tilla si:
“…Me të është një shkop prej hekuri, edhe komuniteti i tij është si ai…” duke përshkruar profetin që do të vinte në fundin e kohës. Domethënë, një profet do të vinte i cili nuk do të ishte i paarmatosur ashtu si Isai a.s. -Jezusi- por do të mbante një shpatë dhe do të ngarkohej me tundjen e xhihadit, dhe sahabët, shokët e tij gjithashtu do të mbanin shpata dhe do të ngarkoheshin me xhihad. Ai që do të mbante “shkopin prej hekuri” do të ishte Sundimtari i Botës. Sepse në një vend në Ungjill ai thotë: “Unë do të shkoj me qëllim që të vijë Sundimtari i botës”. Domethënë, Sundimtari i botës është duke ardhur. Kështu ne kuptojmë nga këto dy paragrafe të Ungjillit se në fillim sahabët do të shfaqeshin të pakët në numër dhe të dobët, megjithatë ata do të mugullonin e do të nxirrnin gonxhe si farërat, do të rriteshin, trasheshin dhe do të gjenin forcë. Dhe kur ata të qëndrojnë vetë në trungun e vet derisa t’i tërbojnë mosbesimtarët me anë të tyre, ata do ta nënshtronin njerëzimin me shpatat e tyre dhe do të provonin se Profeti Muhammed a.s.m., udhëheqësi i tyre, ishte sundimtari i botës. Vërsetet shprehin me saktësi kuptimin e vërseteve të lartëpërmendur të sures El-Fet’h.
Aspekti i Dytë: Këto fjali parashikojnë sa vijon:
Sahabët sigurisht e pranuan marrëveshjen e Hudejbijes për shkak të dobësisë së tyre dhe numrit të tyre të vogël në atë kohë, por brenda një kohe të shkurtër ata u shtuan dhe fituan një fuqi të tillë dhe një lartësi saqë, të mbjellur nga Dora e Fuqisë në fushën e faqes së tokës, ata u shumuan në mënyrën më të lartësuar, më të fuqishme, më të frytshme dhe më të bollshme e të begatë.
Në mënyrë të veçantë në lidhje me filizat e njerëzimit në atë kohë, të cilat ishin të shkurtëra, të dobëta, të mangëta dhe të pakta për shkak të mospërfilljes dhe të pakujdesisë, ata do të rriteshin të fortë dhe do t’u shkaktonin shteteve të lavdishme të inatoseshin kundër tyre me smirë, xhelozi e zemërim. Po, e ardhmja e verifikoi këtë parashikim në mënyrën më të shkëlqyer.
Në këtë parashikim ndodhet një aluzion tjetër i hollë:
Ai megjithëse i lavdëron Sahabët e nderuar për cilësitë e larta e të shkëlqyera që kishin, dhe duhej t’u premtohej më i madhi i shpërblimeve, veçse ama ai aludon me fjalën Magfireh -amnisti, falje- se do të ndodhnin gabime e faje të mëdha si rezultat i mosmarrëveshjeve që ndodhën midis Sahabëve, sepse fjala Magfireh tregon ekzistencën e fajeve. Në atë kohë gjëja më e kërkuar nga Sahabët, mirësia më e madhe, do të ishte amnistia, falja. Shpërblimi më i madh do të ishte mosdhënia ndëshkim, për shkak të amnistisë. Ashtu si fjala Magfireh, amnisti, e cila e bën këtë aluzion të hollë, po kështu ajo lidhet me vërsetin në fillimin e sures,
“… Që Allahu të të falë ty gjynahet e tua të kaluara dhe të ardhshme…”.[2] Nëpërmjet dhënies së sihariqeve të fajfaljes në fillimin e sures për gjynahe jo të vërteta, sepse profetët janë të përjashtuar nga mëkatimi, dhe ata nuk bëjnë gjynahe, pasi janë të mbrojtur, por falja -amnistia- në një kuptim që i përshtatet rangut të profetësisë, dhe duke dhënë lajmet e gëzueshme të amnistisë për sahabët në fundin e sures, ajo i shton një hollësi tjetër atij aluzioni.
Nga dhjetë aspekte të mrekullisë të përfshira në tre vërsetet e lartëpërmendur në fundin e sures El-Fet’h, ne kemi diskutuar këtu vetëm aspektin e parashikimeve që lidhen me të padukshmen, madje nuk kemi diskutuar veçse në shtatë aspekte prej aspekteve të panumërt të këtij lloji njoftimesh.
Në fundin e Fjalës së Njëzet e Gjashtë, e cila është rreth Kaderit Hyjnor dhe vullnetit të njeriut, një shkreptimë kuptimplote e mrekullisë është treguar në pozicionimin e shkronjave të këtij vërseti të fundit. Ky vërset është i orientuar me fjalitë e tij drejt sahabëve ashtu siç i shikon situatat e tyre me frazat e tij. Dhe ashtu siç i përshkruan cilësitë e tyre me fjalët e tij, po ashtu me shkronjat e tij dhe me përsëritjen e numrit të shkronjave, ai aludon për klasat e sahabëve të shquar si: Sahabët e Bedrit, të Uhudit, të Hunejnit, të Hendekut dhe të Ridvanit.
Dhe kështu ai gjithashtu shpreh edhe shumë mistere të tjerë nëpërmjet tevafukat, ‘koinçidencave’ dhe llogoritjes së shkronjave, Ebxhed, të cilat janë degët e shkencës së xhefrit, dhe kodet për të.
Lavdia të takon Ty! Ne nuk dimë asgjë më tepër nga ç’na ke mësuar Ti. Vërtet që vetëm Ti je i Gjithëdituri, i Gjithurti.
* * *
[Në lidhje me parashikimet lidhur me të padukshmen të treguara nga “kuptimet aluduese” të vërseteve tek fundi i sures El-Fet’h, parashikime të ngjashme në vërsetet vijuese, gjithashtu nëpërmjet kuptimeve të tyre aluduese, do të diskutohen shkurt këtu]
Një passhkrim, Shtojcë.
“ Dhe sigurisht që Ne do t’i kishim drejtuar ata në Rrugë të Drejtë”.
“ Dhe kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit, Muhammed a.s.m., atëherë ata do të jenë në shoqërinë e atyre mbi të cilët Allahu ka derdhur mirësinë e Tij, (në shoqërinë) e pejgamberëve, të të vërtetëve, të martirëve, të të drejtëve. Dhe sa të shkëlqyer janë këta shoqërues!”[3].
Ne do të tregojmë vetëm dy prej mijëra pikave të holla të këtyre vërseteve.
Pika e Parë
Kur’ani i mrekullueshëm ashtu siç i shpreh të vërtetat nëpërmjet kuptimeve dhe nocioneve të tij të qarta, po ashtu ai shpreh shumë kuptime aluduese nëpërmjet stileve të tij dhe formave. Secili nga vërsetet e tij përmban nivele të shumtë kuptimesh.
Meqenëse Kur’ani vjen nga njohja gjithëpërfshirëse, të gjitha kuptimet e tij mund të synohen. Ai nuk mund të kufizohet e ngushtohet në një ose dy kuptime ashtu si ligjërata e njeriut që është rezultati i mendimit të tij të kufizuar dhe i dëshirës së tij të pjesshme.
Është për shkak të kësaj që të vërteta të panumërta të përfshira në vërsetet e Kur’anit janë shpjeguar nga komentatorë të ndryshëm, dhe ndodhen shumë të tjerë që nuk janë shpjeguar akoma prej tyre dhe sidomos shkronjat e Kur’anit dhe aluzionet e tij; në to përfshihen njohuri shumë të rëndësishme përveç kuptimeve të tij të qarta..
Pika e Dytë
Me termat
“… En-nebijjine e pejgamberëve, Ves-siddikine (të vërtetëve), Vesh-shuheda e (martirëve), Ves-salihinë (të drejtëve), Ve hasune ulaike refika (dhe sa të shkëlqyer janë këta shoqërues)!”
Ky vërset përshkruan njerëzit e Rrugës së Drejtë dhe grupet e profetëve, karvanin e të vërtetëve, komunitetin e martirëve, grupin e të drejtëve dhe ata të cilët i ndjekin, të cilët janë ata midis njerëzimit që vërtetë marrin mirësi Hyjnore. Për më tepër, duke pasur treguar në mënyrë të qartë më të plotësuarin e atyre pesë grupeve në botën e islamit, ai i tregon udhëheqësit dhe drejtuesit e pesë grupeve duke përmendur cilësitë e tyre të mirënjohura. Përveç kësaj, me një shkreptimë mrekullie duke dhënë njoftime për të padukshmen, ai specifikon, përcakton një aspekt të imamëve të atyre grupeve në të ardhmen dhe pozitat -gjendjet- e tyre në të ardhmen.
Po, paragrafi “(në shoqërinë) e pejgamberëve…” shikon në mënyrë të qartë profetin Muhammed a.s.m., dhe fraza “… të vërtetët”, shikon tek Ebu Bekir Es-siddik, duke treguar se ai do të ishte i dyti pas profetit Muhammed a.s.m. dhe i pari që do ta zëvendësonte në postin e tij, dhe që do të njihej me një titull të veçantë “Es-siddik”, dhe do të shihej në krye të të gjithë të vërtetëve.
Ashtu siç tregon fjala “…e martirëve (ose e dëshmuesve)…” Hazreti Umerin, Uthmanin dhe Aliun, Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë ata, gjithashtu në mënyrë të tërthortë, nga e padukshmja, tregon se të tre ata do të merrnin drejtimin e kalifatit pas El-Siddikut, dhe se të tre ata do të martirizoheshin dhe meritat e martirizimit do t’iu shtoheshin virtyteve të tjera të tyre.
Ashtu siç aludon me fjalën “…të drejtët” për Sahabët Es-suffa, të Bedrit dhe të Ridvanit, ndërsa me kuptimin e tij të qartë të “… dhe sa të shkëlqyer janë këta shoqërues!” ai i nxit të tjerët që t’i ndjekin ata, dhe me kuptimin e tij të nënkuptuar, duke treguar se gjenerata që do t’i ndiqte ata do të jenë të nderuar e të shquar, ai aludon për Imam Hasanin, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili si kalif i pestë vërtetoi hadithin profetik që thotë:
“Pas meje kalifati do të zgjasë tridhjetë vjet” -me qëllim që të tregojë vlerën e tij të madhe pavarësisht kohës së shkurtër të kalifatit të tij.
Shkurtazi:
Ajeti i fundit i sures El-Fet’h shikon tek katër kalifët ashtu siç i shikon ky ajet dhe siç tregon në mënyrë të pjesshme dhe aluduese për të ardhmen e pozitave të tyre dhe i mbështet ata me një lloj të njoftimeve të së Padukshmes.
Njoftimi i së padukshmes i cili është njëri nga llojet e mrekullisë së Kur’anit, ka shkreptima aq të shumta mrekullie saqë nuk numërohen. Dijetarët që i vlerësojnë gjërat vetëm nga aspekti i jashtëm i përkufizojnë ato në dyzet ose pesëdhjetë ajete për shkak të shikimit të tyre sipërfaqësor, por në realitet ato janë më shumë se një mijë. Ndonjëherë ndodhen katër ose pesë aspekte duke dhënë njoftime rreth të Padukshmes vetëm në një vërset të vetëm.
“ Zoti ynë! Mos na ndëshko në qoftë se harrojmë, apo biem në gabime”.[4]
“Lavdia të takon Ty! Ne nuk dimë asgjë më tepër nga ç’na ke mësuar Ti. Vërtet që Vetëm Ti je i Gjithëdituri, i Gjithurti”.[5]
* * *
Një Shpjegim i Dytë i Passhkrimit
të Mëparshëm[6]
Përveç mbështetjes së parashikimeve rreth të padukshmes tek fundi i sures El-Fet’h, vërseti,
“…ata do të jenë në shoqërinë e atyre mbi të cilët Allahu ka derdhur mirësinë e Tij, (në shoqërinë) e pejgamberëve, të vërtetëve, të martirëve, të drejtëve, dhe sa të shkëlqyer janë këta shoqërues!” [7]
Gjithashtu shpjegon e sqaron çfarë synohet nga njerëzit e Rrugës së Drejtë, ndërsa vërseti “…Në rrugën e atyre të cilëve Ti u ke dhuruar mirësinë Tënde…”[8], përshkruan karvanin e ndritshëm, të madh, të njohur e tërheqës duke udhëtuar në rrugën e gjatë që të çon në përjetësi, dhe në një mënyrë të përmbledhur e të ngutshme, të menjëhershme, i nxit besimtarët dhe të vetëdijshmit për t’iu bashkuar për ta ndjekur e për ta shoqëruar karvanin. Përveç kuptimit të tij të qartë, si vërsetet tek fundi i sures El-Fet’h, ky vërset tregon, nëpërmjet kuptimeve aluduese dhe figurative -të quajtura në Retorikë Mearid el-kelam dhe Mustatbaat el-terakib-, katër kalifët e drejtë të shquar dhe imam Hasanin, Zoti qoftë i kënaqur me të, kalifin e pestë. Ai jep njoftime të së padukshmes në disa drejtime siç vijon:
Ashtu siç tregon vërseti i lartëpërmendur nëpërmjet kuptimit të tij të qartë se karvani i profetëve, grupi i të vërtetëve, komuniteti i martirëve dhe i dëshmuesve, kategoria e të drejtëve, dhe klasa e gjeneratës që ndjek sahabët janë njerëzit e Rrugës së drejtë dhe ata midis njerëzimit të cilët marrin mirësitë e lartësuara Hyjnore, dhe janë Mirëpunuesit, po ashtu ai tregon në një mënyrë duke parashikuar të padukshmen se më të mirët dhe më të shkëlqyerit e atyre grupeve gjenden në Botën islame, si kjo: Ai tregon për trashëgimtarët e profetëve të cilët vijojnë me radhë, një pas një, nëpërmjet misterit të trashëgimisë së profetësisë së Pejgamberit të kohës së fundit, tregon karvanin e të vërtetëve që vijojnë qysh nga burimi i vërtetësisë së më të vërtetit, tregon autokolonën e martirëve, të cilët janë lidhur nëpërmjet rangut të martirizimit me tre kalifët e drejtë dhe me komunitetin e të drejtëve, të cilët janë lidhur me të nëpërmjet misterit të “dhe ata të cilët besojnë dhe punojnë mirësi e drejtësi”[9], dhe kategoritë e gjeneratës që vijuan Sahabët, të cilët përfaqësuan misterin e “Thuaj (o Muhammed a.s.m.): Nëse vërtet e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, Allahu do t’ju dojë ju dhe do t’ju falë juve gjynahet tuaja. Dhe Allahu është gjithnjë Falës i madh, Mëshirëplotë,”[10] dhe qenë në shoqërinë e sahabëve dhe të katër kalifëve të shquar. Po kështu, nëpërmjet kuptimit të tij aludues, ai jep lajme nëpërmjet termit “…dhe të vërtetët…” se Ebu Bekri, i vërteti, do të zinte vendin e profetit të nderuar a.s.m. pas tij, do të ishte kalif, i dalluar midis komunitetit mysliman me titullin Siddik, i vërteti, dhe do të ishte drejtuesi i karvanit të “të vërtetëve”.
Me Frazën “…të martirëve…” ai parashikon martirizimin e tre kalifëve të nderuar, dhe se pas të Vërtetit do të ishin tre kalifët martirë. Për shkak se Shuhedaë -martirët- është në numrin shumës, dhe se numri më i ulët apo më i vogël i shumësit (në gramatikën arabe) është tre, ajo do të thotë se Umeri, Uthmani dhe Aliu, Zoti qoftë i kënaqur me ta, do të udhëheqnin islamin pas “të Vërtetit” dhe do të martirizoheshin. Dhe kjo ndodhi tamam ashtu siç u parashikua.
Gjithashtu, ai po jep njoftime nëpërmjet frazës “…të drejtët” se njerëzit si sahabët e Es-suffa, të cilët kryen vepra të mira dhe që lavdërohen në Teurat, do të ishin të shumtë në të ardhmen. Ndërsa fraza “…Dhe sa të shkëlqyer janë këta shoqërues!” lavdëron gjeneratën që ndoqi sahabët dhe që i shoqëruan ata në dije e në vepra të mira.
Dhe përveç të treguarit se t’i shoqërosh ata katër grupe në rrugën për në përjetësi është një veprim i mirë dhe i lavdërueshëm, ai tregon se periudha e shkurtër e imam Hasanit si kalif ishte e rëndësishme, ashtu siç u konfirmua nga parashikimet e profetit a.s. m.: “Kalifati pas meje do të zgjasë tridhjetë vjet”[11],
Dhe
“ky nipi im Hasani është një Shkëlqesi, prijës i njerëzve, nëpërmjet tij Allahu do të pajtojë dy grupe të mëdha”.[12] Duke shtypur kështu grindjet dhe konfliktet dhe duke i qetësuar palët në mosmarrëveshje. Në këtë mënyrë, ai tregon se Hasani do të ishte kalifi i pestë duke ndjekur katër kalifët e drejtë. Ndërsa nëpërmjet një figure –embleme- e quajtur në retorikë “Mustatbaat al-tarakib”, ai aludon për emrin e kalifit të pestë me frazën “… Dhe sa të shkëlqyer ‘Hasune’ janë këta shoqërues!”
Ndodhen edhe shumë mistere të tjerë si këto parashikime aluduese, por meqenëse ato janë jashtë qëllimit tonë, ajo derë nuk është përgjigjur për tani. Ka shumë vërsete të Kur’anit të gjithurtë të cilët japin njoftime të së Padukshmes në shumë drejtime. Ky lloj i parashikimeve të Kur’anit për të padukshmen numërohet me mijëra.
“Zoti ynë! Mos na ndëshko në qoftë se harrojmë apo biem në gabime”[13]
“ Lavdia të takon Ty! Ne nuk dimë asgjë më tepër nga ç’na ke mësuar Ti. Vërtet që Vetëm Ti je i Gjithëdituri, i Gjithurti”.[14]
* * *
PËRFUNDIM
Njëra nga pikat e mrekullueshme të Kur’anit të gjithurtë manifestohet nëpërmjet tevafukat, koinçidencave[15], është siç vijon:
Në Kur’anin e gjithurtë, numri i përgjithshëm i shembujve të Emrave të Allahut, Er-Rahman, i Gjithëmëshirshmi, Er-Rahim, Mëshirëploti, Er-Rabb, Mbështetësi, dhe Hu, Ai, në vend të Emrit ‘Allah’ është afërsisht katër mijë. Sipas llojit të dytë të llogarisë “Ebxhed” i cili është në përputhje me renditjen e alfabetit, vlera e “Bismil-lahir-Rrahmanir-Rahim” është gjithashtu rreth katër mijë.
Meqenëse thyesat e vogla të numrave të mëdhenj nuk e prishin koinçidencën, nuk janë marrë parasysh. Gjithashtu së bashku me dy wavët lidhës të cilët i përfshijnë Elif. Lam. Mim. kjo bën afërsisht dyqind e tetëdhjetë. Përveç përkimit a koinçidimit me afërsisht dyqind e tetëdhjetë shembujt e fjalës Allah në suren EL-Bekare dhe me afërsisht dyqind e tetëdhjetë vërsetet e të njëjtës sure, në qoftë se llogaritet me llojin e dytë sipas llogarisë së Ebxhetit, ajo përsëri bën katër mijë. Ajo koinçidon edhe me pesë Emrat e mirënjohur Hyjnorë që u përmendën lart, dhe në qoftë se thyesat nuk merren parasysh, me vlerën numerike të “Bismil-lahir-Rahmanir-Rahim”. Domethënë, si rrjedhojë e këtij misteri të koinçidencës, Elif. Lam. Mim. janë edhe si një titull që përmban Atë që ai tregon, edhe një emër për EL-Bekare, edhe një emër të Kur’anit, edhe një indeks të përmbledhur për të dyja ato, edhe një model, një përmbledhje e bërthamë për të dy, dhe një përmbledhje e “Bismil-lahir-Rahmanir-Rahim”.
Sipas sistemit të mirënjohur të Ebxhedit,
“Bismil-lahir-Rahmanir-rahim” është e barabartë në vlerë numerike me Emrin e Er-Rabb, Mbështetësi.
Gjithashtu, në qoftë se Ra-ja e dubluar tek “Er-Rahman, Er-Rahim” numërohet dy herë, ajo bëhet nëntëqind e nëntëdhjetë dhe një çelës për mistere të rëndësishëm – me nëntëmbëdhjetë shkronjat e saj, çelës për nëntëmbëdhjetë mijë botët.
Midis koinçidencave të Fjalës Allah në Kur’anin e shpjegimit të mrekullueshëm është se në të gjithë Kur’anin tetëdhjetë shembujt e fjalës Allah në fillimin e rreshtit të fundit të faqes shikojnë njëra-tjetrën në mënyrë korresponduese. Po kështu bëjnë tetëdhjetë shembujt e Emrit tek mbarimi i rreshtit të fundit duke vështruar njëri-tjetrin në të njëjtën mënyrë. Dhe përsëri pesëdhjetë e pesë shembujt e Fjalës Allah mu në qendër të rreshtit të fundit bien njëri sipër tjetrit, duke u bashkuar sikur të bënin një shembull të vetëm të Emrit Allah.
A do të ishte e mundur që një koinçidencë e tillë e hollë, e bukur, e rregulluar, e drejtëpeshuar dhe e mrekullueshme të ishte pa urtësi apo bukuri? Ruajna Zot, një gjë e tillë nuk do të mund të ishte! Sigurisht thesare të rëndësishëm do të mund të hapeshin me majën e këtyre koinçidencave!
“Zoti ynë! Mos na ndëshko në qoftë se harrojmë apo biem në gabime”[16]
“ Lavdia të takon Ty! Ne nuk dimë asgjë më tepër nga ç’na ke mësuar Ti. Vërtet që Vetëm Ti je i Gjithëdituri, i Gjithurti”.[17]
* * *
[1] Kur’an, 48 : 27-29
[2] Kur’an, 48:2
[3] Kur’an, 4: 68 – 69
[4] Kur’an, 2:286
[5] Kur’an, 2: 32
[6] Vëllezërit e mi i shënuan edhe shpjegimet meqë ata i gjetën të dobishme. Përndryshe vetëm njëri prej tyre do të kishte qenë i mjaftueshëm.
[7] Kur’an, 4: 69
[8] Kur’an, 1: 7
[9] Kur’an, 2: 82
[10] Kur’an, 3: 31
[11] Tirmidhiu
[12] Buhari
[13] Kuran, 2: 286
[14] Kur’an, 2: 32
[15] Koinçidencë –tevafuk: korrespondencë e shkronjave ose e fjalëve në rreshta ose në fjali tek njëra ose tek disa faqe. Përkthyesi
[16] Kuran, 2: 286
[17] Kur’an, 2: 32