بِسْمِ اللّهِ الرَّحْمنِ الرَّحِيمِ
اَللّهُ خَالِقُ كُلِّ شَيْءٍ وَهُوَ عَلَى كُلِّ شَيْءٍ وَكِيلٌ , لَهُ مَقَالِيدُ السَّموَاتِ وَ اْلاَرْضِ , فَسُبْحَانَ الَّذِى بِيَدِهِ مَلَكُوتُ كُلِّ شَيْءٍ وَاِلَيْهِ تُرْجَعُونَ , وَاِنْ مِنْ شَيْءٍ اِلاَّ عِنْدَنَا خَزَائِنُهُ وَمَا نُنَزِّلُهُ اِلاَّ بِقَدَرٍ مَعْلُومٍ , مَا مِنْ دَابَّةٍ اِلاَّ هُوَ آخِذٌ بِنَاصِيَتِهَا اِنَّ رَبِّى عَلَى صِرَاطٍ مُسْتَقِيمٍ
Me Emrin e All-llahut, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti.
“All-llahu është Krijuesi i çdo gjëje dhe Ai është vekil (Kujdestar, Ruajtës, Rregullues) mbi gjithçka. Të Tij janë çelësat e qiejve dhe të tokës.”[261]
“Kështu pra, i lavdëruar është Ai dhe i lartësuar mbi gjithçka që ata ia bashkojnë Atij, në Duart e të Cilit është mbizotërimi i çdo gjëje dhe tek Ai ju të gjithë do të ktheheni.”[262]
“Dhe s’ka asgjë që ne të mos i kemi për të thesaret e pashtershëm, dhe Ne nuk e dërgojmë atë veçse në masë të drejtë e të ditur.”[263]
“Nuk ka asnjë krijesë të gjallë që Ai të mos e ketë mbërthyer pas balukeve të ballit (ta ketë nën sundimin e Tij të plotë). Nuk ka dyshim që Zoti im është në udhën më të drejtë (në të vërtetën).”[264]
* * *
Së pari le të bëjmë njëshpjegim të shkurtër mbi Unitetin Hyjnor.
Vërtetimi i Unitetit Hyjnor është dy llojesh. Për shembull, në qoftë se mallrat e ndryshëm të një njeriu të pasur arrijnë në një treg ose në një qytet, ka dy mënyra me të cilat njihen se ato janë të tijat.
E para: Është mënyra e përmbledhur, e thjeshtë dhe e përgjithshme, -domethënë, si për njerëzit e zakonshëm- e cila është: “Askush përveç atij nuk mund ta pronësojë këtë sasi të madhe mallrash.” Por ama brenda këtij shikimi të njeriut të zakonshëm mund të ndodhin shumë vjedhje, dhe shumë të tjerë mund të pretendojnë pronësinë e disa pjesëve të atyre mallrave.
Mënyra e dytë është kjo: Duke lexuar shkrimin e tij në çdo pako, duke njohur firmën e tij në çdo deng dhe duke shikuar vulën e tij në çdo parti malli, njeriu deklaron: “Çdo gjë i përket atij personi.” Në këtë mënyrë, në kuptim, çdo gjë tregon atë njeri të pasur. Ashtu si mallrat që e njohin pronarin e tyre në dy mënyra, pikërisht në të njëjtën mënyrë, vërtetimi i Unitetit Hyjnor është dy llojesh:
I pari: është vërtetimi sipërfaqësor dhe i përgjithshëm i Unitetit Hyjnor i cili thotë: “Zoti i Gjithëfuqishëm është Një, Ai nuk ka shok, as të ngjashëm, ky univers i përket Atij.”
I dyti: është vërtetimi i vërtetë i Unitetit Hyjnor, i cili, duke shikuar stampën e fuqisë së Tij, vulën e Hyjnisë së Tij dhe mbishkrimet e penës së Tij mbi gjithçka, është si të hapësh një dritare prej çdo gjëje drejtpërdrejt për tek Drita e Tij dhe të vërtetosh e të besosh afërsisht me sigurinë e të shikuarit të Njësisë së Tij se çdo gjë buron nga Dora e fuqisë së Tij dhe se në asnjë mënyrë Ai nuk ka shok apo ndihmës në Qënien e Tij Perëndi, as në Hyjninë e Tij, as në sovranitetin e Tij, dhe kështu të arrish një lloj të vetëdijes së përjetshme të pranisë Hyjnore, besim ky që i jep njeriut një qetësi të vazhdueshme të zemrës. Ne gjithashtu në këtë Fjalë do të përmendim Rreze duke treguar këtë vërtetim të pastër, të lartësuar e të vërtetë të Unitetit Hyjnor.
Pse Shkaqet?
O adhurues i pavëmendshëm i shkaqeve! Shkaqet janë një perde; sepse dinjiteti Hyjnor dhe madhështia kërkojnë perde. Por ajo e cila vepron dhe që i kryen çështjet është fuqia e Krijuesit të përjetshëm; sepse Uniteti Hyjnor dhe lavdia e kërkojnë këtë të jetë kështu, dhe bëjnë të domosdoshme pavarësinë e tyre. Nëpunësit e Monarkut të parapërjetësisë nuk janë ekzekutuesit e vërtetë të ndonjë çështjeje të Sovranitetit të Hyjnisë, por ato janë lajmëtarë për atë madhështi e sovranitet, janë thirrës për tek Ato dhe vëzhguesit e tyre të admiruar. Ato nëpunës dhe mjete janë vetëm për të bërë të njohur dinjitetin e fuqisë dhe madhështinë e Hyjnisë, me qëllim që të mos shfaqet drejtëpërdrejtë Dora e fuqisë në çështje të pjesshme e të ulëta, pra me qëllim që fuqia të mos shikohet të jetë e shoqëruar në gjërat e ulëta e të paçmueshme. Jo ashtu si një mbret njerëzor, i cili i cakton në mbretërinë e tij nëpunësit e zyrtarët veçse si ortakë për arsye të pafuqisë së tij dhe të nevojës.
Domëthënë shkaqet janë vendosur me qëllim që dinjiteti dhe fuqia të mund të ruhen nga aspekti i shikimit sipërfaqësor të mendjes, sepse, ashtu si dy fytyrat e pasqyrës, çdo gjë ka një fytyrë që shikon tek kjo “Botë e dukshme”, e cila i ngjason fytyrës së ngjyrosur të pasqyrës, dhe mund të jetë mjet për ngjyra dhe gjendje të ndryshme. Dhe çdo gjë gjithashtu ka një fytyrë e cila shikon “Krijuesin” e saj, e cila i ngjason fytyrës së ndritshme të pasqyrës. Në fytyrën e dukshme, e cila shikon tek kjo botë e dukshme, mund të ndodhen gjendje të papajtueshme me dinjitetin dhe plotësimin e fuqisë së të Adhuruarit të Përjetshëm. Shkaqet janë vendosur që të jenë edhe burimi i atyre gjendjeve edhe mjete për to. Ndërsa lidhur me realitetin e brendshëm dhe fytyrën të cilat shikojnë Krijuesin e tyre, çdo gjë në të është e tejdukshme, e bukur dhe e përshtatshme që vetë fuqia të shoqërohet me të. Ajo nuk është e papajtueshme me dinjitetin e saj; prandaj, shkaqet janë thjesht të jashtme, të dukshme dhe në realitet nuk kanë ndonjë efekt të vërtetë në dimensionet e brendshme të gjërave.
Një urtësi tjetër e shkaqeve të dukshme është kjo: shkaqet janë vendosur si një qëllim që ankesat e padrejta dhe kundërshtimet e pabaza të mos i drejtohen të Drejtit absolut. Sepse të metat burojnë prej tyre, prej mungesës së aftësisë. Për ta ilustruar këtë mister po rrëfejmë një krahasim i cili është në formën e një shembulli të hollë. Meleku Azrail, paqja qoftë mbi të, i tha Zotit të Gjithëfuqishëm: “Robët e Tu do të ankohen rreth meje dhe do të zemërohen me mua ndërsa unë jam duke kryer detyrën time të marrjes së shpirtërave në kohën e vdekjes.
Ndërkohë All-llahu xh. sh. i tha atij me gjuhën e urtësisë: “Unë do t’i lë perdet e fatkeqësive e të sëmundjeve midis tyre dhe shërbëtorëve të Mi, me qëllim që ankesat t’u drejtohen atyre shkaqeve që ata të mos jenë të zemëruar me ty. Atëherë, shiko! Ashtu si sëmundjet që janë perde të cilave u atribuohen ato që imagjinohen si gjëra të këqia tek vdekja dhe ashtu si bukuria e urtësia që gjenden në marrjen e shpirtërave e cila është realiteti që i atribuohet detyrës së Azrailit a.s.; po ashtu Hazreti Azraili është një perde. Ai është një zbatues i asaj detyre dhe perde për fuqinë Hyjnore, me qëllim që disa gjendje në marrjen e shpirtërave, të cilat janë në dukje të këqija, të pamëshirshme dhe të cilat janë të papërshtatshme me plotësimin e mëshirës, të mos i atribuohen All-llahut të Gjithëfuqishëm.
Po, dinjiteti dhe madhështia kërkojnë që shkaqet të jenë një perde e dorës së fuqisë përpara shikimit të mendjes, ndërsa Uniteti Hyjnor dhe lavdia kërkojnë që shkaqet t’i tërheqin duart e tyre nga efekti i vërtetë. / Libri FJALET, Fjala 22 pjesa e dytë / zell.al