“Me Emrin e Tij që s’ka gjë që të mos e lëvdojë lartësinë e Tij.”[1] “Paqja qoftë mbi ata që ndjekin udhëzimin dhe qortimi qoftë mbi ata që ndjekin dëshirat e nefsit e tyre!”
Vëllezërit e mi të dashur!
Ju pyesni shumë shpesh për hallin tim dhe si jam; dhe përse nuk u jam drejtuar organeve zyrtare për të kërkuar dokumentet për lirimin tim nga internimi dhe, lidhur me indiferencën time për situatat politike të Botës. Meqenëse ju i keni përsëritur këto tre pyetje në raste të shumta dhe gjithashtu i pyesni ato nga unë, atëherë në kuptim në mos në fakt, unë detyrohem t’u përgjigjem atyre jo si Saidi i Ri, por në gjuhën e Saidit të Vjetër.
Pyetja juaj e parë: Si jeni? A jeni rehat e mirë?
Përgjigjja: Unë i bëj qindra e mijëra falënderime All-llahut Mëshirëplotë që m’i ka transformuar llojet e ndryshme të padrejtësisë, të cilat njerëzit e dhënë vetëm pas dynjasë[2] i kryen kundra meje, në forma të ndryshme mëshire. Ajo është kështu:
Duke i pasë braktisur politikat dhe duke qenë i tërhequr e i mbyllur prej dynjasë, unë po jetoja në një shpellë mali dhe, ndërsa mendoja për Ahiretin, befas njerëzit e dhënë pas kësaj dynjaje më çuan me forcë në internim. Krijuesi Mëshirëplotë dhe i Gjithurtë e shndërroi atë internim në mëshirë; Ai e transformoi vetminë tek mali, e cila ishte e pasigurt dhe e zbuluar ndaj faktorëve që do të dëmtonin sinqeritetin, në një tërheqje e largim për në malet e sigurta të Barlës, që i rrethonin qetësia e sinqeriteti. Kur isha rob lufte në Rusi, formova vendosmërinë time dhe iu luta Zotit xh.sh. që në fund të jetës sime të tërhiqesha e të rrija i vetmuar në një shpellë. Mëshiruesi më i mëshirshëm e bëri Barlan në pozitën e asaj shpelle dhe dhuroi dobitë e një shpelle, por Ai nuk i ngarkoi vështirësitë dhe telashet e një shpelle mbi qënien time të dobët.
Mirëpo në Barla ndodheshin dy apo tre njerëz që ishin dyshues, dhe për këtë shkak të frikësimeve dhe të dyshimeve të pabaza e të pamotivuara unë vuajta tortura. Ishte sikur ata shokë po mendonin për rehatinë time, por për shkak të dyshimeve të tyre, ata i shkaktuan dëm edhe zemrës sime, edhe shërbimit të Kur’anit. Për më tepër, megjithëse njerëzit e dhënë vetëm pas kësaj dynjaje u dhanë të internuarve të gjitha dokumentet e kthimit, i liruan kriminelët nga burgu dhe u dhanë amnisti, ata në mënyrë të padrejtë nuk ma dhanë mua dokumentin. Me qëllim që të më vinte mua më shumë në shërbim të Kur’anit dhe të më bënte t’i shkruaja këto Drita të Kur’anit që quhen “Fjalë”, Krijuesi im Mëshirëplotë më la në një mënyrë të qetë e të pashqetësuar në këtë mërgim, dhe e transformoi atë në një shembull të madh mëshire.
Përveç kësaj, megjithëse njerëzit e dhënë pas kësa dynjaje i lanë të gjithë udhëheqësit me influencë dhe autoritarë si dhe shejhët -të cilët mund të ndërhynin në dynjanë e tyre- për të qëndruar në qyteza dhe në qytete të mëdhenj dhe i lejuan ata të takoheshin me të afërmit e tyre dhe me gjithkënd, ata padrejtësisht më izoluan, më dërguan në një fshat dhe nuk i lejuan të afërmit e mi dhe as banorët e fshatit tim –me përjashtim të një ose dy vetave– që të më vizitonin mua. Krijuesi im Mëshirëplotë e transformoi atë izolim në mëshirë të madhe për mua, pasi e bëri këtë izolim një mjet për pastrimin e mendjes sime dhe si mjet për të marrë shkëlqimin nga Kur’ani ashtu siç është i pastër nga çdo ligësi e dashaligësi.
Gjithashtu, njerëzit e dhënë pas kësaj dynjaje i konsideruan dy letrat e mia të zakonshme, të cilat i shkrova gjatë dy viteve në fillim të internimit tim, si të tepruara. Madje edhe tani, ata nuk i shikojnë me sy të mirë njërin ose dy vizitorët që vijnë tek unë një herë në dhjetë ose njëzet ditë apo një herë në muaj, thjesht e vetëm për hir të Ahiretit; ata më kanë bezdisur e më kanë rënë në qafë për shkak të kësaj. Por Mbështetësi im Mëshirëplotë dhe Krijuesi i Gjithurtë e transformoi atë tirani në mëshirë, sepse Ai e transformoi atë në një vetmi të dëshirueshme dhe në një tërheqje të pranueshme për mua gjatë këtyre tre muajve, të cilat do ta bënin njeriun të fitonte një jetë shpirtërore prej nëntëdhjetë vitesh. “Të gjitha falënderimet i takojnë All-llahut për të gjitha gjendjet e rrethanat.” Gjendja ime dhe rrethanat e rehatisë sime janë kështu…
Pyetja e juaj e dytë: Përse nuk u drejtohesh autoritarëve për të kërkuar dokumentat e tua të lirimit?
Përgjigjja: Unë jam i dënuar nga Kaderi Hyjnor në këtë çështje dhe jo nga njerëzit e dhënë vetëm pas kësaj dynjaje. Prandaj, unë i drejtohem Kaderit Hyjnor për këtë kërkesë. Vetëm atëherë kur të më lejojë kaderi Hyjnor, dhe atëherë kur të më ndërpresë furnizimin, atëherë unë do të ikë.
Realiteti i këtij kuptimi është si më poshtë: Ndodhen dy shkaqe prej çdo gjëje që i bien njeriut, njëri është i dukshëm dhe tjetri real. Njerëzit e dhënë vetëm pas kësaj dynjaje janë shkaku i jashtëm, i dukshëm; ata më sollën këtu. Sa për Kaderin Hyjnor, ai ishte shkaku i vërtetë, real; ai më dënoi mua me këtë izolim e vetmi. Shkaku i jashtëm veproi në mënyrë të padrejtë, ndërsa shkaku i vërtetë verpoi me drejtësi.
Shkaku i jashtëm mendoi në këtë mënyrë: “Ky njeri i shërben diturisë dhe fesë në mënyrë të tepruar, ai mund të ndërhyjë në dynjanë tonë.” Për arsye të kësaj mundësie, ai shkak më syrgjynosi, më çoi në mërgim dhe ata bënë një padrejtësi të trefisht. Ndërsa Kaderi Hyjnor shikoi se unë nuk do të mund t’i shërbeja fesë dhe dijes sinqerisht, me të vërtetë, prandaj ai më dënoi mua me këtë mërgim dhe e transformoi tiraninë e tyre të shumëfishtë në një mëshirë të shumëfishtë. Meqenëse në mërgimin tim Paracaktimi Hyjnor është mbisundues dhe Kaderi është i drejtë, unë drejtohem tek ai dhe ia dorëzoj çështjen atij. Sigurisht, shkaku i jashtëm ka disa pretekste dhe gjëra; kjo do të thotë se do të ishte e pakuptim dhe pa dobi t’u drejtohesh njerëzve të dhënë vetëm pas kësaj dynjaje. Në qoftë se ata do të kishin ndonjë të drejtë ose disa shkaqe të fuqishme, ndoshta do t’u isha drejtuar edhe atyre gjithashtu.
Megjithëse unë e kam braktisur krejtësisht dynjanë e tyre, dhe u jam shmangur plotësisht politikave të tyre dhe u shkatërrofshin ato dhe, meqenëse pretekstet dhe dyshimet që ata mendojnë e sajojnë janë natyrisht të pabaza, unë nuk dëshiroj t’i lyej dyshimet e tyre me realitetin duke iu drejtuar atyre. Në qoftë se do të kisha pasur dëshirë për t’u përzier në politikat e botës, frerat e të cilave janë në duart e të huajve, kjo nuk do të kishte mbetur kështu sekret as për tetë orë e jo më tetë vjet; ajo do të kishte dalur dhe do ta kishte zbuluar vetveten. Ndërsa gjatë tetë viteve unë nuk kam pasur dëshirë të lexoj as edhe një gazetë të vetme dhe nuk e kam lexuar. Qysh prej katër vjetësh kam qenë këtu nën mbikqyrje dhe nuk është shfaqur as edhe shenja më e vogël për përzierjen time në politika. Domethënë, shërbimi i Kur’anit të gjithurtë është më epror dhe qëndron më lart të gjitha politikave, gjë e cila nuk më lejon të poshtërohem e ta ul veten në politikat e dynjasë, të cilat përbëhen kryesisht nga gënjeshtra.
Arsyeja e dytë për mosdrejtimin tim tek ata është kjo: Të pretendosh një të drejtë përpara atyre që e pandehin të padrejtën të jetë e drejtë, është një lloj gabimi e padrejtësie. Unë nuk dëshiroj të bëj një padrejtësi të tillë.
Pyetja e juaj e tretë: Përse je kaq indiferent ndaj politikave të dynjasë? Ti nuk e ndryshon fare qëndrimin tënd, madje edhe përballë kaq shumë ngjarjeve që po ndodhin në Botë; a do të thotë kjo se ti i konsideron ato se janë të mira, apo je i frikësuar dhe kështu ti qëndron i heshtur?
Përgjigjja: Shërbimi i Kur’anit të gjithurtë më ka ndaluar rreptë nga Bota e politikave. Madje ai më ka bërë mua të harroj për të menduar rreth saj. E gjithë historia e jetës sime dëshmon se frika kurrë nuk më ka marrë për dore dhe nuk më ka penguar për të marrë rrugën që unë e konsideroj se është e drejtë, pastaj për çfarë të kem frikë? Unë nuk kam lidhje me dynjanë përveç Exhelit, çastit të fundit të jetës; unë nuk kam as familje me famë dhe as fëmijë që të mendoj për ta, as pasuri nuk kam që të mendoj për të, as nuk mendoj për lavdinë e njerëzve të dhënë vetëm pas kësaj dynjaje dhe as për emrin, të cilat përbëhen nga fama shtinjake dhe e pamerituar. Zoti i bekoftë ata që ndihmojnë në shkatërrimin e famës shoqërore, e cila është hipokrizi dhe famë e rreme, pa zënë në gojë ruajtjen e saj… Ka mbetur vetëm Exheli im dhe ai është në duart e Krijuesit të Gjithëlavdishëm. Kush ka fuqinë të ndërhyjë tek ai para kohës së ardhjes së tij? Megjithatë ne jemi midis atyre që preferojnë vdekje me nder mbi poshtërimin në jetë? Dikush, duke i ngjasuar Saidit të Vjetër, shprehu vargjet e mëposhtme:
“Ne jemi ata për të cilët nuk ka rrugë të mesme;
Për ne është ose vendi i nderit midis njerëzve ose varri.”
(Ebu Firas el-Hamadani)
Në të vërtetë shërbimi i Kur’anit më pengon nga të menduarit rreth jetës secialo-politike. Kjo është se jeta njerëzore është një udhëtim. Unë në këtë kohë shikova nëpërmjet dritës së Kur’anit se ajo rrugë ka hyrë në moçal. Karvani i njerëzimit pengohet në ecjen e tij në llumin e ndyrë e të papastër. Por një pjesë e tij po udhëton në një rrugë të sigurt. Një pjesë tjetër e tij ka gjetur disa mjete për ta shpëtuar vetveten, sa të jetë e mundur, nga moçali me llucë. Shumica absolute po udhëtojnë në errësirë në moçalin e ndyrë, të papastër e me llucë. Njëzet përqind e supozojnë llumin e ndyrë se është myshk dhe qelibar për shkak se ata janë të dehur dhe i lyejnë me të fytyrat e tyre dhe, pikërisht ata njëherë ngrihen dhe njëherë bien derisa të mbyten. Ndërsa tetëdhjetë përqind e dinë realitetin e moçalit, pra e kuptojnë se ai është një moçal i ndyrë dhe e kuptojnë atë si të ndyrë dhe të papastër, por janë të shushatur dhe nuk mund ta shohin rrugën e sigurt…
Kështu ndodhen dy zgjidhje (ilaçe) për këta:
E para: T’i sjellësh më vete njëzet përqind të të dehurve me një topuz.
E dyta: T’u tregosh rrugën e sigurt dhe shpëtimin të shushaturve duke ua shfaqur atyre një dritë (domethënë, nëpërmjet udhëzimit).
Ajo çfarë unë shikoj është se tetëdhjetë burra po u kanosen me topuz atyre që janë njëzet, ndërsa atyre tetëdhjetë të shushaturve e të mjerëve nuk u tregohet siç duhet drita e së vërtetës. Edhe sikur ajo t’u tregohej, meqenëse këta për shkak se mbajnë në të njëjtën dorë edhe shkopin, edhe dritën, kjo bëhet e pavlefshme dhe nuk ngjall besim. Njeriu i shushatur me ankth e shqetësim pyet: “A mos vallë dëshiron të më tërheqë mua me dritën dhe pastaj të më godasë me topuzin?” Dhe ndonjëherë kur, për shkak të ndonjë defekti, topuzi thyhet, drita ikën gjithashtu, ose, ndryshe, ajo shuhet.
Dhe kështu, moçali është jeta e shthurur sociale e njerëzimit, e cila shkakton shkujdesje dhe çudhëzimin. Dhe ata të dehur janë kryeneçët që gjejnë kënaqësi në çudhëzim. Ata të shushaturit e urrejnë çudhëzimin por nuk mund të dalin e të shpëtojnë prej tij; ata dëshirojnë të shpëtojnë por nuk mund të gjejnë rrugë. Sa për topuzët, ato janë rrymat politike. Sa për dritat, ato janë të vërtetat e kur’anit. Drita nuk mund të kundërshtohet e të shkaktohet konflikt ndaj saj, as armiqësi nuk mund të mbahet kundrejt saj. Askush nuk mund ta urrejë atë përveç Shejtanit të mallkuar.
Dhe kështu, me qëllim që të mbaj në dorën time dritën e Kur’anit, unë thashë: “Unë i kërkoj mbrojtje All-llahut xh.sh. të më ruajë nga shejtani dhe nga politika” dhe, duke e flakur topuzin e politikave, unë e shtrëngova dritën me të dyja duart. Unë shikova se në rrymat politike, ndodhen dashurues të atyre dritave si në opozitë, ashtu edhe tek pozita, tek mbështetësit. Është e domosdoshme që asnjëra anë dhe asnjëri grup ta shpifë apo të tërhiqet nga dritat e Kur’anit të cilat janë shfaqur dhe nga mësimet e Kur’anit të cilat janë në një pozitë shumë të pastër, larg të gjitha rrymave politike dhe sektarizmit dhe janë të përjashtuara, të pastërta dhe pa konsideratat e tyre paragjykuese e tendencioze. Këta janë shejtanë në formën njerëzore ose kafshë në veshje (trupa) njerëzore, të cilët e imagjinojnë pafesinë dhe ateizmin të jenë politika dhe i mbështesin ato…
I gjithë lavdërimi i takon All-llahut xh.sh., meqë u tërhoqa nga politikat, unë nuk i ula dhe nuk i katandisa të vërtetat e Kur’anit si diamanti dhe, nuk i bëra ato të çmohen si copa qelqi midis akuzave të propagandës politike. Në të vërtetë, diamantët e rrisin vlerën e tyre para shikimit të çdo grupi në mënyrë të ndritshme.
“Dhe ata thonë: “Gjithë lavdërimet dhe falënderimet janë për All-llahun i Cili na udhëzoi ne për këtë (lehtësi); kurrë nuk do të kishim gjetur ne drejtim, po të mos na kishte udhëhequr All-llahu. Vërtetë që të dërguarit e Zotit tonë erdhën me të vërtetën.”[3]
I Qëndrueshmi i Vetëm, Ai është i Qëndrueshmi i Vetëm!
Said Nursi
* * *
[1] Kur’an, 17: 44
[2] Njerëzit e dhënë vetëm pas dynjasë (Ehlu-ed-Dunja): janë ata që botëkuptimi i të cilëve është kufizuar tek jeta e kësaj bote dhe që e shpërfillin Ahiretin, ose janë ata të cilët e shesin fenë për këtë botë. (Përkthyesi)
[3] Kur’an, 7: 43