“Me Emrin e Tij, të Cilit i takon lavdërimi! “Dhe s’ka gjë që të mos e lëvdojë lartësinë e Tij.”[1]
[Kjo letër përmban një ilaç të rëndësishëm dhe aludon për katër gurë të çmuar të vegjël të nxjerrë nga thesaret e katër vërseteve.]
Vëllai im i dashur!
Kur’ani Gjithurtësi ia mësoi nefsit tim këto katër çështje të ndryshme në kohë të ndryshme. Unë jam duke i shkruar ato tani me qëllim që ata prej vëllezërve të mi që dëshirojnë, gjithashtu mund të marrin mësim ose një pjesë nga ato. Për sa ka të bëjë me çështjet, me lëndën mësimore, secila është treguar si një model, një xhevahir i vogël, nga thesaret e të vërtetave të katër vërseteve të ndryshme. Secila nga katër çështjet ka një formë të ndryshme dhe dobi të ndryshme.
Çështja e parë:
“Vërtetë komploti i shejtanit është gjithnjë shumë i dobët.” [2]
O nefsi im që dëshpërohesh tek dyshimet dhe ngurrimet, kur të mundon ndërgjegjja! Bashkëshoqërimi i ideve, imagjinatat dhe hamendësimet që i ndodhin njeriut, janë një lloj i shprehjes së pavullnetshme ose një lloj përshkrimi. Sa për përshkrimin (pikturimin, pasqyrimin), në qoftë se ai buron nga e mira dhe dritësia, cilësitë e një të vërtete të tillë kalojnë deri në një far mase tek forma dhe tek imazhi i saj, ashtu siç kalon drita e diellit dhe nxehtësia e tij tek forma e tij në pasqyrë… Në qoftë se përshkrimi, pikturimi, është prej diçkaje të keqe dhe të dendur, cilësitë dhe vendimi i origjinalit nuk mund të kalojnë tek forma e tij dhe as tek imazhi i tij. Për shembull, forma e refkletuar në një pasqyrë prej diçkaje të papastër dhe të prishur nuk është as e papastër, as e prishur. Dhe imazhi i gjarpërit në një pasqyrë nuk të kafshon.
Si një përfundim i kësaj, të përfytyruarit e kufrit –mosbesimit– nuk është kufr, dhe të imagjinuarit e sharjes që i ndodh njeriut, nuk është sharje. Në mënyrë të veçantë, në qoftë se është e pavullnetshme dhe është një hamendje hipotetike, kjo është krejtësisht e padëmshme. Për më tepër, sipas shkollës së Ehl-el Sunneh vel xhemaah -që janë njerëzit e së vërtetës-, e keqja ose papastërtia e një gjëje sipas sheriatit është për shkak se ajo është e ndaluar nga All-llahu xh.sh.. Meqenëse gjëra të tilla janë bashkëshoqërime të pavullnetshme idesh dhe imagjinata që i ndodhin dikujt pa pranimin dhe miratimin e tij, atëherë me ato nuk lidhet ndalimi Hyjnor. Çfarëdo forme të shëmtuar dhe të papastër që ato marrin, ato nuk janë të shëmtuara dhe të papastëra.
Çështja e dytë: (Ky ishte “një frut i drurit të pishës, cedrit dhe plepit të zi” në kullotat e maleve në Barla në Tepelixhe, i cili meqenëse është përfshirë tek koleksioni i Fjalëve, nuk është përsëritur këtu.)
Çështja e tretë: Këto dy çështje janë pjesë të shembujve të dhënë në Fjalën e Njëzet e Pestë që tregojnë pafuqinë e qytetërimit modern përpara mrekullisë së Kur’anit; janë dy shembuj nga mijëra të tillë që provojnë se sa i padrejtë është ligji i civilizimit të kohës së sotme i cili kundërshton dekretet e Kur’anit. Ashtu si drekreti Kur’anor:
“Dhe për mashkullin pjesa (që mer nga trashëgimia) do të jetë e barabartë me atë të dy femrave.”[3]
që është thjesht drejtësi e pastër, po ashtu ai është mëshirë e pastër. Po, ai është drejtësi, sepse siç është në shumicën dërrmuese, burri i cili martohet me një grua merr përsipër shpenzimet për të. Ndërsa gruaja martohet me burrin, shkon tek ai dhe peshën e shpenzimeve të saj ia ngarkon atij. Dhe kjo plotëson mangësinë në atë që ajo ka trashëguar. Pastaj ligji Kur’anor është mëshirë, sepse ajo vajzë e dobët ka shumë nevojë për dhembshuri e mëshirë nga babai i saj. Sipas dekretit Kur’anor, ajo gjen dhembshuri nga babai i saj pa shqetësim. “Babai i saj nuk e shikon atë me ankth e me frikë duke menduar për të si një fëmjë i dëmshëm, që për shkak të të cilës gjysma e pasurisë së tij do t’u kalojë duarve të një të huaji. Ankthi dhe zemërimi nuk përzihen me dhembshurinë e tij. Ajo gjithashtu merr mëshirën e vëllait të saj dhe merr mbrojtje pa rivalitet e xhelozi. Vëllai nuk e shikon atë si një rivale e cila do t’i shkatërrojë gjysmën e pasurisë së babait të të dyve, duke e vënë një pjesë të rëndësishme të mallit tonë në dorën e dikujt tjetër.” Nuk do të ketë urrejtje dhe armiqësi të përziera me ndjenjën e tij të mëshirës dhe mbrojtjen ndaj saj. Kështu, vajza e cila është delikate nga krijimi dhe e dobët nga natyra, në pamje të jashtme privohet nga një pjesë e vogël, por në vend të saj ajo fiton pasuri të pashtershme në formën e mëshirës dhe të dhembshurisë nga të afërmit. T’i japësh asaj më shumë se hakun që i takon me idenë e të qënit më shumë i mëshirshëm ndaj saj se sa mëshira Hyjnore, nuk është mëshirë, por një padrejtësi e madhe.
Në të vërtetë, lakmia e egër e kohës së sotme, e cila të kujton tiraninë e tmerrshme të varrosjes së fëmijëve vajza të gjalla në periudhën e injorancës për shkak të xhelozisë së egër barbare, ndoshta mund t’i hapë rrugën ligësisë së pamëshirshme. Atëherë të gjitha dekretet Kur’anore vërtetojnë ashtu siç vërteton ky dekret Fjalën e Tij xh.sh. “Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (Muhammed) veçse si mëshirë për të gjitha botët.”[4]
Çështja e katërt: “Dhe nënës i takon një e gjashta.”[5]
Ashtu siç ka shkaktuar ky civilizim i ulët një padrejtësi duke u dhënë vajzave më shumë se sa hakun që u takon, po ashtu ai madje bën një padrejtësi akoma më të madhe duke mos i dhënë nënës atë që është e drejta e saj. Po, mëshira e nënave është manifestimi më i ëmbël, më i holli dhe më i këndshmi i mëshirës Hyjnore dhe, midis të vërtetave të universit, ajo është më e denja për respekt e nderim.
Nëna personalisht është shoqja më e nderuar dhe e dashur dhe vetëflijuesja më e mëshirshme dhe e dhembshur, madje ajo do të sakrifikonte të gjithë botën e saj, jetën, dhe qetësinë për fëmijën e saj. Madje edhe pula frikacake që përfaqëson nivelin më të ulët e më të thjeshtë të të qënit nënë, do ta hedhte veten ndaj një qeni ose do të sulmonte një luan me qëllim që të mbrojë zogjtë e saj, nëpërmjet mbajtjes së një shkëndije të vogël të asaj mëshire.
Dhe kështu, ta privosh nënën, e cila është mbajtësja e një të vërteteje të tillë të nderuar e të lartë, nga pasuria e fëmijës së sajë, është një padrejtësi e tmerrshme, një mungesë shumë e theksuar respekti, një akt kriminal, një shkelje ndaj së drejtës së saj dhe mosmirënjohje ndaj mirësive, gjë që i shkakton Fronit Hyjnor të Mëshirës të dridhet dhe i shton helm një ilaçi i cili është më i ndritshmi dhe më i dobishmi për jetën shoqërore të njeriut. Në qoftë se ata përbindësha mosmirënjohës njerëzorë, të cilët pretendojnë se e duan njerëzimin, nuk mund ta kuptojnë këtë, sigurisht njerëzit e vërtetë humanë, mund ta kutpojnë. Ata e dinë se dekreti i Kur’anit të gjithurtë, “Dhe nënës i takon një e gjashta”[6], është thjesht vërtetësi dhe drejtësi e pastër.
I Qëndrueshmi i Vetëm, Ai është i Qëndrueshmi i Vetëm!
Said Nursi
* * *
[1] Kur’an, 17: 44
[2] Kur’an, 4: 76
[3] Kur’an, 4: 176
[4] Kur’an, 21: 107
[5] Kur’an, 4: 11
[6] Kur’an, 4: 11