Lexo PDF

 

SHKREPTIMA E TRETË

 

[Në këtë shkreptimë, kënaqësitë shpirtërore dhe ndjenjat janë bërë disi të përziera, prandaj unë shpresoj që ju të mos i vlerësoni ato me peshat e logjikës, sepse ajo çfarë ndezin a shpërthejnë ndjenjat nuk i respekton shumë parimet e intelektit dhe nuk u kushton vëmendje peshave të mendimit.]

 

Me Emrin e Allahut, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti.

“Çdo gjë do të shuhet e do të shkatërrohet përveç Fytyrës së Tij. Atij i takon gjykimi e vendimi dhe tek Ai ju të gjithë do të ktheheni.”[1]

Dy frazat,

I Qëndrueshmi i Vetëm, Ai është i Qëndrueshmi i Vetëm shprehin kuptimin e vërsetit të lartëpërmendur dhe gjithashtu ato pohojnë dy të vërteta të rëndësishme. Është për shkak të kësaj që disa nga drejtuesit e Tarikatit Nakshibendi, bënë vetë një dua të veçantë me përsëritjen e frazës, në formën e një duaje të përmbledhur të Nakshibendive. Duke parë se dy frazat shprehnin kuptimin e vërsetit madhështor të lartëpërmendur, ne do të shpjegojmë disa pika lidhur me të vërtetën domethënëse që ato pohojnë.

 

 

Pika e Parë:

Përsëritja e frazës,  ‘i Qëndrueshmi i Vetëm, Ai është i Qëndrueshmi i Vetëm’, për herë të parë, e pastron zemrën nga çdo gjë tjetër përveç Allahut xh.sh. çka i ngjason një operacioni kirurgjikal në të; ajo e këput dhe e veçon zemrën nga çdo gjë tjetër përveç Krijuesit. Kjo është siç vijon:

Për sa ka të bëjë me gjithëpërfshirjen e natyrës së tij, njeriu është pothuajse i lidhur me të gjitha qëniet, dhe përveç kësaj, një aftësi e pakufishme dashurie është përfshirë në natyrën e tij. Për këto arsye njeriu ushqen dashuri ndaj të gjitha qënieve. Ashtu siç e do ai botën e madhe sikur ajo të ishte një shtëpi, po ashtu ai do parajsën e përjetshme sikur ajo të ishte një  kopsht . Por qëniet të cilat ai i do nuk ndalojnë, ato largohen, dhe ai vuan vazhdimisht dhimbjen e ndarjes. Ajo dashuri e pakufishme e tij bëhet mjeti i një torture të pafundme.

Faji për vuajtjen e një torturimi të tillë është i tij, sepse aftësia e pafundme e zemrës së tij për dashuri i është dhënë me qëllim që ai të mund ta drejtojë për tek Ai që ka një bukuri të përjetshme absolute. Duke e keqpërdorur atë dashuri dhe duke e harxhuar mbi qëniet e përkohshme e kalimtare, ai bën padrejtësi dhe vuan dënimin për fajin e tij për shkak të dhimbjes së ndarjes.

Kështu, kur njeriu përsërit frazën,  Ja Baki Entel Baki, I Qëndrueshmi i Vetëm, Ti je i Qëndrueshmi i Vetëm, ajo këput lidhjen e tij me qëniet e përkohshme kalimtare; ai i lë ato objekte dashurie përpara se ato ta lënë atë dhe kështu pastrohet prej fajit të tij. Ajo deklaron se dashuria është e kufizuar për të Dashurin e Qëndrueshëm, që është Allahu xh.sh. dhe ajo shpreh këtë kuptim:

I Qëndrueshmi i vetëm i vërtetë je Ti, o Zoti im!

Gjithçka përveç Teje është e përkohshme. Ai që është i përkohshëm  nuk mund të jetë objekt lidhjeje për zemrën time, e cila është krijuar për dashuri të përhershme, për një ashk që vazhdon nga parapërjetësia për në paspërjetësi. Meqenëse ato të dashura -qënie- të panumërta janë të përkohshme dhe do të më lënë mua dhe do të largohen, para se ato ta bëjnë këtë, duke deklaruar,  ‘I Qëndrueshmi i vetëm, Ti je i Qëndrueshmi i Vetëm!’, unë do t’i lë ato. Vetëm Ti je i pavdekshëm, dhe unë e di dhe besoj se qëniet mund të jenë të pavdekshme vetëm duke i bërë Ti ato të tilla. Prandaj, ato duhet të duhen me dashurinë Tënde. Përndryshe ato nuk janë të denja që të lidhësh zemrën me to”.

Kjo gjendje e bën zemrën e njeriut që t’i braktisë objektet e panumërt të dashurisë, duke parë vulën e përkohshmërisë mbi bukurinë dhe mbi hijeshinë e tyre, ajo këput lidhjet e saj prej tyre. Në qoftë se zemra nuk do t’i këpuste lidhjet me to, ajo do të vuante plagë aq sa numri i të dashurave të saj të përkohshme.

Ndërsa Fraza e dytë:  ‘I Qëndrueshmi i Vetëm, Ti je i Qëndrueshmi i Vetëm!’, është edhe balsam, edhe kundërhelm për ato plagë.

Domethënë,  “O i Qëndrueshmi i Përjetshëm! Meqenëse Ti je i Qëndrueshëm, domethënë i mjaftueshëm, Ti merr vendin e çdo gjëje. Meqenëse Ti ekziston, gjithçka ekziston”.

Po, bukuria, mirësia dhe plotësimi në qëniet, të cilat janë shkak dashurie, janë përgjithësisht shenjat e bukurisë së të Qëndrueshmit të vetëm të vërtetë, të mirëbërësisë së Tij dhe të plotësisë së Tij, dhe duke kaluar nëpërmjet shumë perdeve, ato janë hije të zbehta të tyre; në të vërtetë ato janë hijet e hijeve të manifestimeve të Emrave të Tij më të bukur.

Pika e Dytë:

Në natyrën njerëzore është përfshirë një dashuri e fortë për qëndrueshmëri, saqë ai imagjinon një lloj pavdekshmërie në çdo gjë që ai do; madje ai nuk e do diçka veçse pasi të përfytyrojë qëndrueshmërinë në të. Sa herë që ai mendon për zhdukjen e saj ose sheh përkohshmërinë dhe kalimin e saj, ai lëshon klithma e vajton nga thellësitë e qënies së tij. Të gjitha vajtimet dhe rënkimet që burojnë nga llojet e ndarjes janë interpretime vajtimi që shkaktohen nga dashuria për pavdekshmëri. Në qoftë se nuk do të ishte përfytyrimi i pavdekshmërisë, njeriu nuk do të kishte dashur asgjë. Madje mund të thuhet se një arsye për ekzistencën e botës së përjetshme dhe të parajsës së amshuar është dëshira e fortë për pavdekshmëri e cila buron nga ajo dashuri e zjarrtë për pavdekshmëri, dhe nga duaja e bashkëlindur dhe e përgjithshme për qëndrueshmëri.

I Qëndrueshmi i Vetëm  i Madhështisë e pranoi dëshirën e fortë, të ngulitur e të bashkëlindur dhe duanë e tij të fuqishme, efektive e të përgjithshme, sepse Ai krijoi për njeriun kalimtar një botë të përjetshme.

A do të ishte e mundur që Krijuesi Gjithëbujar dhe Mëshirëplotë  të mos i përgjigjej duasë të cilën e bën i gjithë njerëzimi nëpërmjet gjuhës së gjendjes së tij dhe fjalës, atë dua universale, të vazhdueshme, të vërtetë e të sinqertë e cila buron nga thellësia e nevojës së tij të bashkëlindur dhe nga thellësitë e dëshirës  së tij të fortë, në një kohë që Ai pranon duanë e një stomaku të vogël, të cilën e bën nëpërmjet gjuhës së gjendjes së tij, duke krijuar për të lloje të panumërt prej ushqimeve të shijshme dhe duke ngopur e kënaqur dëshirën e tij të pjesshme për një qëndrueshmëri të përkohshme? Ruajna Zot, njëqind mijë herë! Do të ishte e pamundur që Ai të mos e pranojë atë dua. Sepse mospranimi i saj nga ana e Tij xh.sh. do të ishte në kundërshtim me urtësinë e Tij të përjetshme, me drejtësinë e Tij, me mëshirën e Tij të gjërë dhe me fuqinë e Tij absolute.

Meqenëse njeriu është shumë i dëshiruar për pavdekshmëri, të gjitha  plotësimet e tij dhe kënaqësitë varen gjithashtu nga pavdekshmëria. Dhe meqenëse pavdekshmëria është e veçantë për të Qëndrueshmin e Vetëm të madhështisë; dhe meqenëse Emrat e të Qëndrueshmit të Vetëm janë të përhershëm e të pavdekshëm; dhe meqenëse pasqyrat e të Qëndrueshmit të Vetëm të cilat reflektojnë shfaqjet e atyre Emrave të Bukur ngjyrosen me ngjyrimin e tyre dhe reflektojnë vendimin e tyre, domethënë manifestojnë një lloj pavdekshmërie; sigurisht çështja më e rëndësishme për njeriun, detyra e tij më e lartë, është të formojë një lidhje me atë të Qëndrueshëm të Vetëm dhe të kapet pas Emrave  të Tij të Bukur. Sepse gjithçka që shpenzohet në Rrugën e të Qëndrueshmit të Vetëm merr një lloj pavdekshmërie. Kështu, fjalia e dytë,

 ‘I Qëndrueshmi i Vetëm, Ti je i Qëndrueshmi i Vetëm’ e shpreh këtë të vërtetë. Dhe përveç shërimit të plagëve të panumërta shpirtërore të tij, ajo kënaq e përmbush dëshirën e fortë për pavdekshmëri e cila është e bashkëlindur në natyrën e tij.

Pika e Tretë:

Në këtë botë, efektet e kohës mbi gjërat dhe mbi përkohshmërinë e tyre dhe mbi zhdukjen, ndryshojnë shumë. Dhe ndërsa qëniet janë njëra brenda tjetrës si rrathë bashkëqendrorë, ato janë të ndryshme për sa ka të bëjë me shpejtësinë e zhdukjes dhe të përkohshmërisë.

Ashtu si akrepat e një ore që numërojnë sekondat, dhe ato që numërojnë minutat, orët dhe ditët, pavarësisht se i ngjasojnë në dukje njëri-tjetrit, veçse ama ndryshojnë për sa ka të bëjë me shpejtësinë, po ashtu sferat e trupit, të nefsit, të zemrës dhe të shpirtit tek njeriu ndryshojnë nga njëra-tjetra. Për shembull, trupi ka një pavdekshmëri, një jetë dhe një ekzistencë në ditën aktuale, dhe madje në orën e tanishme. Ti i shikon jetën e trupit, qëndrueshmërinë dhe ekzistencën e tij, të kufizuara në ditën që ai jeton në të ose në orën e tij, kurse e shkuara dhe e ardhmja  e tij janë mosekzistuese për të. Megjithatë sfera e jetës së zemrës së tij dhe fusha e ekzistencës së tij shtrihen që nga shumë ditë përpara ditës së tij të tanishme deri tek shumë ditë në të ardhmen. Pastaj sfera e shpirtit është e gjërë; sfera e jetës së tij dhe ekzistenca e tij shtrihen që nga shumë vite përpara ditës së tij të tanishme për në shumë vite pas saj.

Po kështu, për shkak të kësaj aftësie, jeta e përkohshme e njeriut përmban një jetë të përhershme për sa ka të bëjë me jetën e tij të zemrës e të shpirtit të cilat jetojnë me njohjen Hyjnore, me dashurinë Hyjnore, me adhurimin ndaj Krijuesit dhe me kënaqësinë e të Gjithëmëshirshmit, madje jep si rezultat këtë jetë të qëndrueshme e të amshuar në banesën e përjetshmërisë dhe të qëndrueshmërisë, dhe kjo jetë e përkohshme i ngjason jetës së përhershme.

Po, një sekond që njeriu e kalon në rrugën e Allahut, të Qëndrueshmit të Vetëm të Vërtetë, në rrugën e dashurisë së Tij, në rrugën e njohjes së Tij dhe për të fituar kënaqësinë e Tij, numërohet si një vit i plotë, madje ai sekond është i qëndrueshëm dhe i përjetshëm dhe nuk e godet përkohshmëria. Ndërsa një vit nga jeta në qoftë se nuk do të harxhohej në rrugën e Allahut, meqenëse përfundimisht zhduket -është si një sekond, si një çast. Njëqind vite nga jeta e njerëzve të shkujdesjes lidhur me këtë botë janë si një sekond i vetëm.

Ndodhet një thënie e famshme që e tregon këtë realitet.

Ndarja e një momenti zgjat një vit, dhe bashkimi i një viti kalon aq shpejt si një çast”

Domethënë, një sekond i vetëm nga ndarja është shumë i gjatë si të ishte një vit, ndërsa një vit i plot bashkimi duket aq i shkurtër si një çast i vetëm.

Ndërsa unë e kundërshtoj këtë fjalë të shquar, dhe them:

Një sekond i vetëm të cilin njeriu e kalon brenda kënaqësisë së Allahut dhe në rrugën e të Qëndrueshmit të Vetëm dhe për hir të Tij, domethënë një sekond i vetëm nga ky bashkim nuk është vetëm si një vit, përkundrazi, ai është si një dritare që shikon nga një jetë e përhershme dhe e qëndrueshme. Kurse jo një vit, por ndoshta një mijë vite të harxhuara në pakujdesi e në çudhëzim kalojnë si të ishin një çast i vetëm.

Ndodhet një proverbë më e famshme se sa ajo e mëparshmja që e mbështet këtë që ne themi:

“Toka e gjërë me armiq bëhet si një gotë, ndërsa vrima e gjilpërës me miq bëhet si një fushë e gjërë”.

Një kuptim i qartë i thënies së parë të mirënjohur të lartëpërmendur është ky: Meqenëse bashkimi me qëniet e përkohshme është kalimtar, sado i gjatë që ai të jetë, ai duket i shkurtër. Një vit nga një bashkim i tillë kalon aq shpejt si një sekond, dhe bëhet si një iluzion, si një ëndërr që shkakton brengë e dëshpërim.

Zemra njerëzore, e cila dëshiron pavdekshmëri, mund të marrë nga një bashkim prej një viti kënaqësinë më të vogël aq sa është brenda një sekondi. Një sekond i vetëm nga ndarja, nuk është si të ishte një vit por shumë vite. Sepse arena e ndarjes është e gjërë. Edhe sikur për një sekond, ndarja shkakton vite shkatërrimi e dhembje në zemër, e cila përmallohet për përjetësi, sepse ajo ndarje i kujton dhe e paralajmëron për lloje të panumërta ndarjesh. Ndërsa për dashuritë fizike e të ulëta, e shkuara dhe e ardhmja janë mbushur me ndarje.

Në lidhje me këtë çështje, ne themi këtë: O njeri! A dëshiron ta transformosh jetën tënde të shkurtër e të padobishme në jetë të pavdekshme, të gjatë, të dobishme e të frytshme?

Meqenëse përgjigjja është po! Dhe kështu këkohet nga humanizmi, atëherë shpenzoje jetën tënde në rrugën e të Qëndrueshmit të Vetëm të Vërtetë. Sepse çdo gjë që kthehet e orientohet drejt të Qëndrueshmit të Vetëm merr manifestimin e pavdekshmërisë. Meqenëse gjithësecili dëshiron fort një jetë të gjatë dhe mallëngjehet për pavdekshmëri; dhe meqenëse ekziston një mjet për ta transformuar këtë jetë të përkohshme në jetë të përhershme dhe është e mundur për ta bërë atë një jetë të gjatë në efekt, atëherë, sigurisht, ai që nuk e ka humbur humanizmin e tij do ta kërkonte atë mjet dhe do të përpiqej ta kthejë mundësinë në realitet dhe do të vepronte për ta arritur atë qëllim. Po, mjeti është ky: Punoni për hir të Allahut, takohuni me të tjerët për hir të Allahut, le të jenë të gjitha lëvizjet tuaja brenda kënaqësisë së Allahut, veproni brenda sferës “Për Zotin, për hir të Zotit, në Emër të Zotit”. Atëherë të gjitha minutat e jetës suaj të shkurtër do të bëhen si vite.

Duke aluduar për këtë të vërtetë, vërsetet e Kur’anit tregojnë se një natë e tillë e veçantë si Nata e Kadrit është sa një mijë muaj, domethënë, rreth tetëdhjetë vite. Gjithashtu duke aluduar për këtë të vërtetë, ‘shtrirja e kohës’ është një parim i provuar midis njerëzve të shenjtërisë dhe të realitetit, nëpërmjet misterit të të cilit, ngjitja për pak minuta bëhet si shumë vite dhe e provon ekzistencën e kësaj të vërtete dhe e demonstron në fakt. Pak orë nga Miraxhi i Profetit a.s.m. patën gjatësinë, gjërësinë dhe gjithëpërfshirjen e mijëra viteve, sepse nëpërmjet Miraxhit ai u fut në botën e përjetësisë, dhe vetëm pak minuta të asaj bote përmbajnë mijëra vite të kësaj bote. Përveç kësaj, ka shumë ndodhi të ‘shtrirjes së kohës’ të përjetuara nga Evlijatë, shenjtorët, të ndërtuara mbi këtë të vërtetë. Rrëfehet se disa Evlija e realizuan punën e një dite në një minut të vetëm, disa i kryen detyrat e një viti në një orë, dhe recituan të gjithë Kur’anin për një minut të vetëm. Njerëz të tillë të drejtë të së vërtetës nuk do ta bënin kurrë veten të gënjenin. Nuk mund të ketë dyshim se ata e vështruan saktë realitetin e ‘shtrirjes së kohës’, që është raportuar kështu unanimisht me shumicë[2]. Një lloj i shtrirjes së kohës e vërtetuar nga gjithësecili përjetohet në ëndrra, sepse ai mund të shohë një ëndërr e cila nuk zgjat veçse një minut, ndërkohë që ai kalon situata në të, flet fjalë, gjen kënaqësi dhe pikëllohet me dhimbje, të cilat kërkojnë një ditë të plotë në kohë zgjimi dhe ndoshta shumë ditë.

Shkurtazi: Njeriu, sigurisht, është kalimtar, por ama ai u krijua për pavdekshmëri dhe për të qenë një pasqyrë në të cilën reflektohen manifestimet e të Qëndrueshmit të Vetëm, dhe ai u ngarkua me detyra të cilat prodhojnë frute të përhershëm, dhe atij iu dha një formë e cila është boshti i skalitjeve të manifestimeve të Emrave të bukur të të Qëndrueshmit të Vetëm. Prandaj, detyra e vërtetë dhe lumturia e njeriut është që ai të orientohet drejt Atij të Qëndrueshmi të Vetëm me të gjitha forcat e tij, me të gjitha aftësitë e tij të bashkëlindura dhe me të gjitha gjymtyrët duke përparuar në rrugën e kënaqësisë së Krijuesit, duke u kapur pas Emrave të Tij të bukur, dhe duke përsëritur me të gjitha aftësitë e tij të holla si zemra, shpirti dhe mendja atë që përsërit gjuha e tij,

“ Ja Baki, Ente El – Baki” O i Qëndrueshmi i Vetëm, Ti je i Qëndrueshmi i Vetëm, dhe duhet të deklarojë:

“Ai është i Qëndrueshmi i Vetëm! Ai është i parapërjetshëm dhe i paspërjetshëm!

Ai është i Përhershmi! Ai është i Vazhdueshmi! Ai është i Kërkuari! Ai është i Dashuri! Ai është i Synuari! Ai është i Adhuruari!”

 

“ Lavdia të takon Ty! Ne nuk dimë asgjë më tepër nga ç’na ke mësuar Ti. Vërtetë që vetëm Ti je i Gjithëdituri, i Gjithurti”.[3]

“ Zoti ynë! Mos na ndëshko në qoftë se harrojmë, apo biem në gabime”.[4]

* * *

8(Kuran 28:88)

[2] Vërsetet, Njëri prej tyre tha:  “Sa kohë keni qëndruar (këtu në gjumë)” Ata iu përgjigjën: “ Kemi ndenjur mbase një ditë ose një pjesë të saj”. (Kur’an, 18: 19)

 “E ata qëndruan në shpellën e tyre treqind vjet (diellore) duke shtuar nëntë (për vitet hënore)” (Kur’an, 18:25) tregojnë Kalimin e kohës, ndërsa vërseti

“Dhe një ditë tek Zoti yt është sa një mijë vjet sipas llogarisë suaj”, tregon shtrirjen e kohës.

[3] Kur’an, 2:32

[4] Kur’an, 2: 286