Lexo PDF

 

SHKREPTIMA E NËNTË

[Nuk duhet që të gjithë ta lexojnë këtë shkreptimë, sepse nuk do të mund t’i shohin gabimet e holla të Unitetit të ekzistencës; prandaj ata nuk janë në nevojë të saj.]

 

Me Emrin e Tij, qoftë Ai i lavdëruar!

“Dhe s’ka ndonjë gjë që të mos e lëvdojë Lartësinë e Tij”.

Paqja dhe Mëshira e Allahut qofshin mbi ju!

Vëllai im i dashur, i sinqertë e i ndërgjegjshëm!

Arsyeja që unë nuk i shkrova një letër të veçantë vëllait tim Abdul-Mexhidit[1], ishte se unë i konsiderova letrat që i pata shkruar për ju si të mjaftueshme.

Pas Hulusiut[2], Abdul Mexhidi është një vëlla i vlefshëm për mua dhe një student. Çdo mëngjes dhe mbrëmje ai është i pranishëm me emër në duatë e mia së bashku me Hulusiun, dhe ndonjëherë duke u përmendur para tij. Në fillim Sabriu[3], pastaj Hakki Efendiu[4] përfituan nga letrat që unë ju shkruaj juve. Unë as letra të veçanta, të mëvetësishme nuk u shkruaj atyre.

Allahu i Gjithëfuqishëm të bëri ty një vëlla të madh të bekuar për ata. Mba ti korrespondencë me Abdul Mexhidin në vendin tim! Ai nuk duhet  të shqetësohet; pas Hulusiut, unë mendoj për të.

Pyetja juaj e parë:

Ti bën një pyetje private, të veçantë, rreth njërit prej paraardhësve të tu duke nënshkruar me Emrin, El-Sejjid Muhammed. (Domethënë, nga Ehli Bejti).

Vëllai im, unë nuk mund të jap një përgjigje të bazuar mbi dijen, mbi verifikimin apo mbi një studim. Megjithatë unë u thashë shokëve të mi: “Hulusiu nuk u ngjason as turqve të sotëm, as kurdve. Unë shoh cilësi të tjera tek ai”.

Ata u pajtuan me këtë. Ne thamë në përputhje me thënien,

“Mirësia Hyjnore nuk e bën aftësinë tek personi një kusht.”

Fisnikëria që vëzhgohet tek Hulusiu është një dhunti Hyjnore. Ju gjithashtu duhet ta dini me siguri se i Dërguari i Allahut xh.sh. kishte dy familje. Njëra janë pasardhësit nga familja e tij, dhe tjetra është familja për sa ka të bëjë me personalitetin e ndritshëm kolektiv të profetësisë së Tij. Përveç përfshirjes tënde me siguri në këtë familjen e dytë, unë kam një bindje të pavërtetuar, të paprovuar, se për sa ka të bëjë me familjen e tij të parë, nënshkrimi i stërgjyshit tënd me emrin Sejjid nuk ishte pa arsye.

Vëllai im i dashur!

Një përmbledhje  e Pyetjes tënde të Dytë:

Muhjiddin el Arabi[5] tha: “Krijueshmëria e shpirtit përbëhet nga zbulimi i tij”. Me këtë pyetje ti po detyron një të mjerë të pafuqishëm si unë të diskutojë një dijetar të madh e të shkëlqyer të realitetit dhe një gjeni të shkencave okulte si Muhjid-din Ibn El-Arebij. Megjithatë duke u mbështetur në mësimet e Kur’anit unë do të orvatem të diskutoj, madje edhe në qoftë se do të isha vetëm një mizë, unë mund të fluturoj më lartë se një shqiponjë e tillë.

Vëllai im! Ti duhet ta kuptosh se Hazreti Muhjiddin Ibn Arebij nuk do të mashtronte, por ai mundi të mashtrohej. Ai është i drejtuar mirë, por nuk mund të jetë drejtues në të gjitha veprat e tij. Ajo që ai pa ishte e saktë, por ama ajo nuk ishte Hakikati, Realiteti. Realiteti i shpirtit të njeriut, subjekti i pyetjes tënde, është shpjeguar në Fjalën e Njëzet e Nëntë, në diskutimin rreth shpirtit.

Po, për sa ka të bëjë me natyrën e tij, shpirti është një ligj që vjen nga urdhri Hyjnor, por ai është një ligj i gjallë të cilit i është veshur një ekzistencë e jashtme dhe është një kanun me një ekzistencë të jashtme. Hazreti Muhjiddini e shikoi shpirtin vetëm nga këndvështrimi i natyrës së tij esenciale. Rruga e Unitetit të ekzistencës e konsideron ekzistencën e gjërave të jetë imagjinatë. Së bashku me ndriçimet e tij të jashtëzakonshme dhe me vëzhgimet, por meqenëse ai pati zgjedhur një rrugë të rëndësishme e të pavarur, ai u detyrua të zbatojë disa vërsete Kur’anore për rrugën e tij e për vëzhgimet, në mënyrë artificiale dhe me interpretime të dobëta e të detyrueshme, kështu duke shëmtuar e dëmtuar qartësinë e vërseteve. Në trajtesat e tjera të tij, ai shpjegon rrugën e drejtë të Kur’anit dhe të sunnetit.

Shejh Ibn Arebij ka një pozitë të veçantë më vete, dhe ai është midis atyre që janë të pranueshëm. Por ai tejkalon limitet në ndriçimet e tij të çekuilibruara, dhe në shumë çështje ai kundërshton shumicën e dijetarëve verifikues.

Është për shkak të kësaj që megjithëse ai ishte një pol i tillë i lartësuar dhe i jashtëzakonshëm, i pakrahasueshëm për kohën e tij; është sikur rruga e tij e veçantë ishte shumë e shkurtër dhe e kufizuar tek Sadrud-din El-Qunavi[6], dhe se vetëm rrallë mund të përfitojnë prej veprave të tij ata që ndjekin rrugën e drejtë. Disa nga dijetarët autoritarë nuk shfaqin asnjë prirje për t’i studiuar ato vepra të vlefshme, ndërsa disa prej tyre madje ndalojnë që të lexohen ato.

Për të dalluar ndryshimet themelore së bashku me burimet e tyre midis rrugës së Shejh Muhjiddin Ibn Arebij me atë të dijetarëve të saktë, do të ishte i nevojshëm të bëhej një studim i thellë dhe një vështrim i gjërë dhe i lartë.

Po, ndryshimet janë aq të holla e të thella, dhe burimet janë aq të larta dhe të shtrira, sa që Shejh Muhjiddin Ibn Arebij nuk është qortuar për gabimin e tij, por vazhdoi të qëndrojë i pranueshëm midis dijetarëve, sepse në qoftë se për sa ka të bëjë me mendimin, njohurinë dhe ndriçimin, ndryshimet dhe burimet do të kishin qenë të dukshme, do të kishte një rënie tej mase të rëndë për të dhe një gabim shumë i madh për të. Meqenëse ndryshimi është shumë i thellë, ne do të përpiqemi ta shfaqim atë dhe burimet në mënyrë të shkurtuar nëpërmjet një krahasimi dhe do të tregojmë gabimet e Shejh Muhjiddinit në çështje.

Për shembull, dielli shfaqet në pasqyrë. Pasqyra edhe e përmban diellin edhe cilësohet prej tij. Domethënë, nga njëri aspekt dielli është i pranishëm në pasqyrë, dhe nga një aspekt tjetër, ai e stolis pasqyrën, duke u bërë një ngjyrë e ndritshme, atributi dhe cilësia e tij. Në qoftë se pasqyra do të ishte një aparat fotografik, ajo do të kishte fiksuar imazhin e diellit në një letër fotografike.

Në këto raste, dielli duke u shfaqur në pasqyrë, shëmbëllimi i tij në letrat fotografike, dhe aspekti i tij që stolis pasqyrën duke u bërë si një cilësi e pasqyrës, ato janë të tjera dhe ndryshe nga dielli i vërtetë. Ato nuk janë dielli, por hyrja e manifestimit të diellit në një ekzistencë tjetër.

Sa për ekzistencën e diellit që është i dukshëm në pasqyrë, edhe në qoftë se nuk është i njëjtë me diellin i cili është i dukshëm jashtë, por meqenëse ai është i lidhur me të dhe tregon atë, supozohet të ketë të njëjtën ekzistencë.

Si rrjedhojë e këtij krahasimi, pohimi se: “Në pasqyrë nuk ndodhet asgjë tjetër përveç diellit të vërtetë”, mund të jetë e drejtë duke e konsideruar se pasqyra e përmban atë dhe synon ekzistencën e jashtme të diellit në pasqyrë. Por në qoftë se do të thuhej se reflektimi i shtrirë i diellit i cili është bërë si një atribut apo cilësi e pasqyrës, dhe imazhi i tij i cili është ndërkëmbyer në fletë fotografike, -nëse thuhet- se ai është dielli, ky do të ishte gabim; dhe shprehja: “Në pasqyrë nuk ndodhet asgjë tjetër përveç diellit”, është gabim, sepse ndodhet reflektimi në faqen e shndritshme të pasqyrës dhe imazhi i formuar në anën e prapme të saj, edhe këto kanë ekzistencat e tyre të veçanta. Sigurisht ato ekzistenca janë nga manifestimi i diellit, por ato nuk janë dielli. Mendja e njeriut dhe imagjinata i ngjasojnë këtij shembullit të pasqyrës. Ai është siç vijon:

Njoftimet që gjenden në pasqyrën e mendimit të njeriut kanë gjithashtu dy faqe: në njërin drejtim ajo është njohje, ndërsa në tjetrin, është e njohur. Në qoftë se ne do ta mendonim që të përmbajë atë që është e njohur, atëherë gjëja e njohur bëhet diçka e ditur me mendje; ekzistenca e saj është diçka e ndryshme për mendjen. Në qoftë se ne do ta supozonim mendjen të cilësuar me atë gjë që erdhi tek ajo, atëherë ajo bëhet një atribut ose një cilësi e mendjes; atëherë gjëja bëhet njohje dhe ka një ekzistencë të jashtme. Madje edhe në qoftë se ekzistenca e gjësë së njohur është thelbësore, ajo ka një ekzistencë aksidentale të jashtme si njohja.

Kështu, në përputhje me këto dy krahasime, universi është një pasqyrë. Natyra e vërtetë e qënieve është gjithashtu një pasqyrë. Këto pasqyra i nënshtrohen aktivitetit Krijues Hyjnor nëpërmjet Fuqisë së parapërjetshme. Nga një drejtim, çdo qënie bëhet një lloj pasqyre për njërin nga Emrat e Bukur Hyjnorë të Diellit të Parapërjetshëm, duke shfaqur një nga qëndisjet dhe skalitjet e Tij.

Ata të cilët janë në rrugën e Shehj Muhjiddin Ibn Arebij i zbuluan ato në aspektin e qënies së tyre si pasqyra dhe si mjete mbajtës, duke treguar shembëllimin e ekzistencës së tyre në pasqyrë -nga këndvështrimi i mohimit-, dhe duke e supozuar reflektimin të jetë i njëjti me gjënë e reflektuar, ata nuk menduan për nivele të tjerë. Ata thanë: “Nuk ka të ekzistuar tjetër përveç Atij”, dhe ishin në gabim. Ata pothuajse shkuan aq larg sa të mohonin rregullin bazë: “Realiteti i gjërave është i qëndrueshëm, i vazhdueshëm”.

Sa për njerëzit e realitetit, ata kanë parë nëpërmjet misterit të trashëgimisë dhe të pohimeve të qarta e përcaktuese të Kur’anit se qëndisjet dhe skalitjet që gjenden në pasqyrat e qënieve nëpërmjet fuqisë së Allahut dhe të Vullnetit të Tij janë vetëm veprat e Tij. Ato janë “të gjitha prej Tij”; “ato qënie nuk janë Ai”[7]. Gjërat kanë një ekzistencë dhe ekzistenca e tyre është e qëndrueshme deri në një farë shkalle. Në qoftë se kjo ekzistencë do të ishte një ekzistencë e dobët ashtu si një iluzion ose imagjinatë në krahasim me ekzistencën e Krijuesit xh.sh., por ama ajo ekziston vetëm se nëpërmjet aktivitetit krijues të të Gjithëfuqishmit të Parapërjetshëm dhe nëpërmjet dëshirës dhe fuqisë së Tij xh.sh..

Në krahasim, dielli në pasqyrë ka një ekzistencë nëpërmjet shëmbëllimit përveç ekzistencës së tij të jashtme. Dhe reflektimi i tij i shtrirë, gjithashtu, i cili i jep ngjyrë dhe e stolis pasqyrën, ka një ekzistencë të jashtme aksidentale dhe të veçantë. Dhe imazhi i diellit i cili pikturohet në letrën fotografike në anën e prapme të pasqyrës, gjithashtu ka një ekzistencë të jashtme të veçantë dhe aksidentale.

E ngjashme me këtë, skalitjet e qënieve, të cilat shfaqen nëpërmjet manifestimeve të Emrave të Shenjtë Hyjnorë -duke ndodhur nëpërmjet Dëshirës Hyjnore, zgjedhjes dhe Fuqisë së Saj- në pasqyrën e universit dhe në pasqyrat e natyrave thelbësore të gjërave, kanë një ekzistencë të krijuar të mëvetësishme, të veçantë, nga ekzistenca e Ekzistuesit të Vetëm të Domosdoshëm. Dhe kësaj ekzistence i është dhënë një qëndrueshmëri nëpërmjet fuqisë së parapërjetshme. Por në qoftë se lidhja do të këputej, atëherë të gjitha gjërat menjëherë do të pushonin së ekzistuari. Për ekzistencën e tyre të vazhdueshme të gjitha gjërat në çdo çast janë në nevojë të Krijuesit të tyre që t’i ruajë ato. Edhe në qoftë se “Realiteti i gjërave është i qëndrueshëm”, veçse ama ai është i qëndrueshëm dhe i vazhdueshëm vetëm nëpërmjet bërjes së tij të tillë nga Krijuesi xh.sh..

Kështu, thënia e Shejh Muhjiddin Ibn Arebij se “Shpirti nuk është krijuar; por ai është një realitet që vjen nga bota e Urdhrit Hyjnor dhe nga atributi i Dëshirës” është në kundërshtim me shumë pohime të qarta të Kur’anit dhe të haditheve, dhe sipas hetimit të lartëpërmendur, ai qe i ngatërruar, i mashtruar, dhe nuk i pati parë ekzistencat e dobëta të gjërave.

Vendet e manifestimit të Emrave të Bukur Hyjnorë si: El-Hal-lak dhe Er-Rezzak, Krijuesi, Furnizuesi, nuk mund të jenë iluzione apo imagjinarë.

Meqenëse ato Emra kanë një realitet, atëherë edhe vendet e tyre të manifestimit kanë gjithashtu një realitet të jashtëm.

Pyetja juaj e Tretë:

Ju kërkoni një instruksion në shkencën e Xhefrit, i cili do të formojë një çelës për të.

Përgjigjja: Ne nuk po e përmbushim këtë detyrë dhe këtë shërbim me dëshirën tonë dhe me planifikimin tonë, por një dëshirë më e mirë se sa ajo e jona sundon në këtë punën tonë; ajo është mbi dëshirën tonë dhe jashtë zgjedhjes sonë. Shkenca e Xhefrit është një prokopi tërheqëse dhe e këndshme, prandaj ajo na zë ne dhe na pengon nga detyrat tona të vërteta. Madje në shumë raste, disa mistere të Kur’anit zbuloheshin nëpërmjet atij çelësi a kodi. Por kur unë e orientova veten drejt atyre me entuziazëm të plotë dhe me ëndje, ato më shmangeshin mua, më mbylleshin ato dyer. Unë zbulova dy shembuj urtësie në këtë:

I Pari: Është e mundur që kjo të jetë e pasjellshme ndaj rregullit themelor, ndaj urdhrit ndalues “Askush nuk e di të padukshmen përveç Allahut”.

I Dyti: Puna për të udhëzuar komunitetin islam rreth të vërtetave themelore të besimit dhe disa provave të Kur’anit ka vlera dhe merita që tejkalon njëqind shkallë punën për udhëzimin e tyre në shkencat okulte të tilla si Xhefri. Dëshmia e fuqishme dhe provat kategorike të përdorura në atë detyrë të shenjtë nuk lejojnë rast shfrytëzimi e abuzimi. Kurse në shkencat okulte si Xhefri, të cilat nuk lidhen me ndonjë rregull të fortë, ka mundësi abuzimi dhe sharlatanët i shfrytëzojnë ato. Në fakt, sa herë që lindte nevoja për shërbimin e realitetit, më dhurohej pak nga ajo sipas nevojës.

Midis kodeve të Xhefrit, më të thjeshtit, dhe ndoshta më të pastërtit dhe më të bukurit janë llojet e ndryshme të ‘koinçidencave’, të cilat burojnë nga Emri Hyjnor El-Bediu, Themeluesi, Krijuesi, dhe që janë manifestuar në Emrin e Allahut në Kur’an si dhe zbukurojnë veprat që ne i kemi publikuar. Ato janë sqaruar deri diku në vende të tjera në veprën Keramet-i Gavsije, Çudirat e Gauth el-Aëdham.

Për shembull, në qoftë se ‘koinçidencat’ tregojnë diçka në aspekte të shumtë, kjo është një shenjë që ka fuqinë e një prove.

Ndonjëherë, me një numër deduksionesh, një ‘koinçidencë’ e vetme mund të përbëjë një provë. Megjithatë, kjo është e mjaftueshme për tani. Në qoftë se do të ketë ndonjë nevojë serioze, ajo do t’ju bëhet e njohur.

Pyetja juaj e Katërt

Kjo nuk është pyetja juaj, por e Imam Umer Efendiut, e cila ka të bëjë me një doktor fatkeq që pretendon se Jezusi, Isai a.s., është lindur nëpërmjet një babai.

Me një interpretim prej të marri, doktori[8] u përpoq të tregojë se një vërset Kur’anor e justifikon atë që ta thotë këtë.

Njëherë ai person fatkeq u përpoq të shkaktojë diçka me ‘shkronjat e shkëputura’. Ai punonte tek kjo si ndër ethe. Pastaj unë kuptova se ai kishte ndijuar nga qëndrimi i ateistëve se ata do të përpiqeshin të suprimonin e zhduknin shkronjat islame. Personi në fjalë po punonte më kot sikur ai të shpëtonte atë shkrim përballë asaj rryme. Tani në këtë çështje, dhe në çështjen e tij të dytë, ai kuptoi sulmet e tmerrshme të ateistëve kundra themeleve të islamit. Dhe unë gjykova se ai donte të gjejë një mënyrë kompromentuese nëpërmjet interpretimeve të pakuptimta si ajo.

Në përputhje me vërsetet e përcaktuara me qartësi,

“Vërtet që shembulli i Isait tek Allahu është si shembulli i Ademit…” [9]

Jezusi a.s. nuk kishte baba. Atëherë asnjë rëndësi nuk duhet t’i jepet fjalës së atyre që përpiqen të ndryshojnë një të vërtetë të tillë të qëndrueshme, të sigurtë dhe autentike nëpërmjet interpretimeve prej të marri e të detyruara, për shkak se ata supozojnë të jetë e pamundur shkelja apo thyerja e një ligji të riprodhimit njerëzor. Sepse nuk ka asnjë ligj që të mos ketë ndonjë përjashtim dhe të cilit të mos i jenë nënshtruar individët. Dhe nuk ekziston ndonjë ligj i përgjithshëm e universal që të mos jetë duke u shkelur nga individë të jashtëzakonshëm.

Që nga koha e Ademit a.s. nuk ka pasur ndonjë ligj ndaj të cilit nuk ka patur përjashtime individuale, pra që të mos kenë dalur kundra tij individë të caktuar. Së pari, ligji i riprodhimit u shkel ndaj origjinave nga origjinat e dyqind mijë llojeve shtazore deri sa u zhduk përfundimisht. Domethënë, dyqind mijë paraardhësit e specieve, që janë si Ademët për to, e shkelën ligjin e riprodhimit. Domethënë, ato nuk u lindën nga një baba e nënë, por atyre iu dha ekzistenca jashtë atij ligji.

Për më tepër, pjesa më e madhe -individë të panumërt prej njëqind mijë speciesh që ne i shikojmë me sytë tonë në çdo pranverë krijohen jashtë atij ligji mbi faqen e gjetheve dhe mbi lëndë të kalbura e të prishura. Kështu ju mund të shikoni se sa i paarsyeshëm është dikush i cili nuk mund të pranojë me arsyen e tij përjashtimin e një individi të veçantë; në një mijë e nëntëqind vite, nga një ligj i cili u shkel e u thye me gjithë atë shumicë në origjinën e tij dhe madje është shkelur në çdo vit; por kapet pas interpretimeve të rëndomta ndaj pohimeve të qarta të Kur’anit.

Gjërat që ata fatkëqinj i quajnë ligje natyrale, janë ligjet e quajtura A’datull-llah ose praktikat Hyjnore, të cilat janë një manifestim universal i urdhrit Hyjnor dhe i Vullnetit Hyjnor, dhe të cilat Allahu i Plotfuqishëm i ndryshon për disa shembuj urtësie. Ai tregon se Vullneti i Tij dhe zgjedhja sundojnë mbi gjithçka dhe në çdo ligj. Disa individë të jashtëzakonshëm i thyejnë ato ‘Praktika’. Këtë të vërtetë Ai e tregon nëpërmjet dekretit të Tij:

“Vërtet që shembulli i Isait tek Allahu është si shembulli i Ademit…”

Pyetja e Dytë e Umer Efendiut lidhur me atë doktor.

Doktori sillet në këtë çështje si budalla, kështu, ta dëgjosh atë çfarë thotë ai apo t’i japësh rëndësi do të ishte shumë poshtëruese. Ai fatkeq dëshiron të gjendet në mes të rrugës ndërmjet besimit dhe mosbesimit. Unë them sa vijon në përgjigje, jo të diskutimit të tij të parëndësishëm, por të pyetjes së Umer Efendiut:

Arsyeja për urdhëresat dhe ndalesat e Sheriatit janë Urdhri Hyjnor dhe urdhri ndalues Hyjnor. Avantazhet dhe shembujt e urtësisë janë për t’u dhënë atyre peshë, dhe mund të jenë arsyeja për urdhrin apo ndalimin nga këndvështrimi i Emrit Hyjnor El-Hakim, i Gjithurti.

Për shembull, dikush duke qenë në udhëtim i shkurton namazet e detyruara. Ndodhet një arsye, një qëllim apo një urtësi për t’i shkurtuar ato. Arsyeja është udhëtimi, ndërsa urtësia apo qëllimi është vështirësia që përfshihet në to.

Në qoftë se ndodhet udhëtimi, namazi përsëri shkurtohet edhe në qoftë se nuk do të kishte vështirësi. Ndërsa në qoftë se do të ndodheshin njëqind vështirësi në shtëpi, nuk shkurtohet namazi pa udhëtim, sepse vështirësia që ndodh në disa udhëtime është e mjaftueshme si qëllim për shkurtimin e faljeve, dhe është përsëri e mjaftueshme për ta bërë udhëtimin arsye.

Kështu, në përputhje me këtë rregull të Sheriatit, urdhëresat e Sheriatit nuk ndryshojnë si rrjedhojë e qëllimeve ose shembujve të urtësisë; ato shikojnë tek arsyet e vërteta.

Përveç dëmit dhe sëmundjes së shkaktuar nga ngrënia e mishit të derrit, ashtu siç tha ai doktor, sipas rregullit, “Ai që ha mishin e derrit, bëhet si derr në disa drejtime”[10], por ama në të ka dëme e sëmundje të tjera të cilat nuk i di ai doktor; derri nuk u ngjason kafshëve të tjera shtëpiake të cilat janë të dobishme e të padëmshme. Madje i gjithë mishi i tij shkakton dëme më shumë se sa dobi; dhe kjo përveç asaj që është provuar nga mjekësia se dhjami i fuqishëm në mishin e tij është gjithashtu i dëmshëm, në vendet shumë të ftohta të Evropës, atëherë në fakt dhe në kuptim ai është shumë i dëmshëm.

Kështu, shembujt e urtësisë si këto janë një qëllim për urdhrin  ndalues Hyjnor dhe për qënien e mishit të tij haram. Nuk është e domosdoshme që urtësia të jetë e pranishme në çdo shembull dhe në të gjitha kohët. Arsyeja nuk ndryshon me ndryshimin e asaj urtësie; edhe në qoftë se nuk ndryshon arsyeja, nuk ndryshon urdhëri.

Dhe kështu, mund të shihet nëpërmjet këtij rregulli se sa larg nga sheriati ka qenë ai doktor fatkeq kur u shpreh kështu. Asnjë rëndësi nuk duhet t’i jepet fjalës që ai tha lidhur me sheriatin. Krijuesi ka shumë kafshë në formën e filozofëve të paarsyeshëm.

* * *

 

Një Shtojcë si përgjigje për pyetjen tuaj rreth Muhjiddin El-Arabi

Pyetje: Muhjiddin Ibn Arabi e konsideroi Unitetin e ekzistencës të jetë e më të lartit nivel. Disa nga Evlijatë e mëdhenj, të cilët morën rrugën e dashurisë, e ndoqën atë.

Megjithatë, ti thua se kjo rrugë nuk ishte më e larta e niveleve të imanit, dhe ajo nuk është një rrugë reale, përkundrazi, ajo është rruga, deri diku, e atyre që bëhen të dehur dhe që janë zhytur në Hyjni si dhe e njerëzve të ashkut dhe të dalldisë. Në qoftë se çështja është siç thua ti, atëherë na e shpjego shkurtazi: Cili është niveli më i lartë i vërtetimit të Unitetit Hyjnor i treguar nga vërsetet e qarta të Kur’anit, nëpërmjet misterit të trashëgimisë së profetësisë?

Përgjigjja: Është njëqind herë përtej aftësisë së një të mjeri krejtësisht të pafuqishëm si unë që t’i gjykojë ato stacione të lartësuara me mendimin e tij të kufizuar. Unë do të shpjegoj vetëm një ose dy pika tej mase të shkurtëra që burojnë nga shkëlqimi i Kur’anit të gjithurtë. Ndoshta ato do të jenë të dobishme për ta kuptuar çështjen.

Pika e Parë

Ndodhen shumë arsye për rrugën e Unitetit të Ekzistencës, dhe për t’u ndërlikuar në të; unë do të shpjegoj shumë shkurt dy arsye prej tyre:

Arsyeja e Parë: Për shkak se ata nuk qenë në gjendje të përfshinin në mendjet e tyre aktivitetin krijues të Hyjnisë dhe nuk mundën të vendosnin plotësisht në zemrat e tyre se gjithçka, nëpërmjet misterit të Njësisë Hyjnore, mbahet drejtpërdrejtë në kapjen e Hyjnisë dhe se të gjitha gjërat kanë ekzistencë nëpërmjet Fuqisë Hyjnore, zgjedhjes dhe vullnetit, ata të cilët e marrin atë rrugë u detyruan të thonin se çdo gjë është ose Ai xh.sh., ose ajo gjë nuk ka ekzistencë, ose është imagjinare, ose ajo është manifestimi i Tij apo rrezatimi.

Arsyeja e Dytë: Shenja e dashurisë së pasionuar është se ajo kurrë nuk do të ndahet nga i dashuri dhe ikën me dëshpërim nga një ndarje e tillë; është dridhja tek mendimi i ndarjes, është frika e largimit nga i dashuri sikur i frikësohet xhehennemit, dhe e urren përkohshmërinë; ai e do bashkimin siç do shpirtin e tij dhe vetveten, dhe dëshiron me mallëngjim të pafund si mallëngjimi i tij për xhennetin për të fituar afërsinë e të dashurit. Duke u kapur tek një manifestim i menjëhershmërisë Hyjnore në të gjitha gjërat, ata të cilët morën rrugën e unitetit të Ekzistencës e shpërfillën ndarjen dhe largimin; duke i supozuar bashkimin dhe takimin të qëndrueshëm, ata thanë: “Nuk ka ekzistues përveç Atij”. Nëpërmjet dehjes së dashurisë dhe siç kërkohet nga përmallimi i qëndrueshmërisë, i takimit dhe i bashkimit, ata imagjinuan se në Unitetin e ekzistencës nuk ishte një rrugë e këndshme ndriçimi me anë të të cilës ata mund të shpëtonin nga tmerri i ndarjes.

Domethënë, burimi i arsyes së parë ishte nga paaftësia e dorës së mendjes për të arritur tek disa prej të vërtetave të besimit, të cilat ishin tej mase të gjëra dhe të lartësuara; nga pamundësia e saj për t’i përfshirë ato dhe nga moszhvillimi i saj plotësisht lidhur me besimin. Ndërsa burimi i arsyes së dytë ishte zbulimi i jashtëzakonshëm i zemrës nga këndvështrimi i ndikimit të dashurisë dhe i shtrirjes së saj të jashtëzakonshme dhe gjërësisë.

Kurse, niveli më i lartë i Unitetit Hyjnor, të cilin e panë të pastërtit, janë njerëzit e kthjelltësisë së mendimit dhe Evlijatë e trashëgimisë së profetësisë nëpërmjet shpjegimeve të qarta të Kuranit, është edhe jashtë mase i lartësuar si dhe tregon edhe nivelin më të lartë të Hyjnisë dhe të krijueshmërisë, dhe se të gjithë Emrat Hyjnorë janë realë. Ai i ruan bazat dhe nuk e prish ekuilibrin e shkallëve të Hyjnisë. Sepse ata thonë se së bashku me Njësinë e Esencës së Tij dhe qënien e Tij të lirë nga hapësira, jashtë vendit dhe hapësirës, me njohurinë e Tij Allahu i Gjithëfuqishëm i rrethon dhe i përcakton drejtpërdrejtë të gjitha gjërat së bashku me të gjitha cilësitë e tyre, dhe nëpërmjet vullnetit të Tij, Ai i zgjedh dhe i specifikon ato, dhe nëpërmjet fuqisë së Tij, Ai i krijon ato. Ai e krijon dhe e drejton të gjithë universin si të ishte një qënie e vetme.

Ai e krijon pranverën e madhe me të njëjtën lehtësi si krijimin e një luleje.

Asgjë nuk mund të jetë pengesë për diçka tjetër. Nuk ka pjesëzim e copëzim në shikimin dhe drejtimin e gjërave nga ana e Tij. Ai është i pranishëm gjithandej në të njëjtin çast me anë të vendosjes së Njohurisë dhe të Fuqisë së Tij. Ky mister është shpjeguar dhe provuar plotësisht në Fjalën e Gjashtëmbëdhjetë dhe në vendqëndrimin e dytë të Fjalës së Tridhjetë e Dy. Meqenëse, në përputhje me rregullin, “krahasimet janë të pakundërshtueshme” nuk duhet t’u jepet rëndësi të metave në krahasim dhe në alegori, unë do të parashtroj një krahasim me shumë të meta me qëllim që ndryshimi ndërmjet dy rrugëve të mund të kuptohet deri diku.

Për shembull, le të imagjinojmë një pallua vigan, të pashoq dhe tё zbukuruar në mënyrë të mrekullueshme, i cili mund të fluturojë nga lindja në perëndim për një çast, dhe i hap e i mbyll krahët e tij, që shtrihen nga veriu gjer në jug, dhe të cilët janë stolisur me qindra e mijëra modele të bukur, dhe në çdo pendë -pupël- të të cilit janë përfshirë arte të ndritshme.

Tani, ndodhen dy njerëz duke e vëzhguar atë; ata dëshirojnë të fluturojnë me krahët e mendjes e të zemrës lart tek cilësitë e lartësuara të këtij shpendi; tek zbulimet e tij të çuditshme.

Njëri shikon tek gjendja e palloit, tek forma dhe tek skalitjet e mrekullueshme të fuqisë Hyjnore në të gjitha puplat e tij; ai e shikon atë me pasion të skajshëm dhe me ashk; ai pjesërisht e braktis mendimin e tij të kujdesshëm reflektiv, dhe i ngjitet dashurisë. Por, atëherë ai shikon se çdo ditë ato zbukurime të këndshme ndryshojnë dhe transformohen. Ato objekte të dashurisë së tij, të cilat ai i dhuron, zhduken dhe humbasin.

Ndërsa ai duhej të thonte se nëpërmjet Unitetit të Vërtetë Hyjnor, të cilin ai nuk mundi ta përfshijë me mendjen e tij, dhe nëpërmjet një Hyjnie Absolute dhe Njësisë dhe Esencës Hyjnore, ato ishin zbukurime artistike të Një Mjeshtri të vetëm skalitës i cili zotëron një aftësi universale krijueshmërie, ai në vend të kësaj tha -me qëllim që të ngushëllonte vetveten- se shpirti i palloit ishte aq i lartë saqë autori i tij     ishte brenda tij, ose se meqenëse shpirti i tij është bërë një brenda qënies së tij, dhe qënia e tij e kombinuar me paraqitjen e tij të jashtme, plotësimi i shpirtit të tij dhe lartësia e qënies i shfaqën ato manifestime duke treguar një skalitje të ndryshme dhe bukuri në çdo moment, ai nuk ishte një krijim i vërtetë nëpërmjet vullnetit të tij, por një manifestim, një rrezatim.

Sa për njeriun tjetër, ai tha se ato zbukurime harmonike e të renditura mirë plot art sigurisht kërkojnë vullnet, zgjedhje, motiv dhe synim. Kështu është e pamundur që atje të ketë një manifestim pa vullnet, dhe një rrezatim pa zgjedhje.

Po, palloi kishte një natyrë të bukur e të lartësuar, por ai nuk mund të ishte Autori -Bërësi- ai ishte pasiv. Ai nuk do tё mund tё bёhej njё me vepruesin aktiv. Shpirti i tij ishte i mirë dhe i lartësuar, por ai nuk mund të ishte Krijuesi dhe Rregulluesi, por vetëm marrësi dhe një mjet. Sepse duke vëzhguar me vëmendje secilën nga puplat e tij ndodhej një art i kryer me një urtësi të pafundme dhe një skalitje e zbukurim i bërë nëpërmjet një fuqie të pafundme. Dhe këto nuk mund të ndodhin pa vullnet dhe zgjedhje. Këto arte duke treguar urtësi të plotë brenda fuqisë së plotë dhe Hyjni të përkryer dhe mëshirë brenda urtësisë së plotë nuk ishin vepra e ndonjë lloji manifestimi. Shkruesi i cili e ka shkruar atë libër të zbukuruar nuk mund të ishte brenda tij dhe të bashkohej me të. Përkundrazi libri ka pas kontakt vetëm me majën e penës së shkruesit.

Prandaj zbukurimet e çuditshme të shëmbëllesës së palloit i njohur si universi ishin një mesazh i zbukuruar i Krijuesit të palloit.

Tani, hidhe vështrimin tek palloi dhe lexo një mesazh. Thuaj Shkruesit të saj. Mashaall-llah! Çfarë çudirash ka dashur Zoti xh.sh.! Sa i lartësuar është All-llahu! Lavdia i takon Krijuesit; Njeriu i cili e supozon mesazhin të jetë Shkruesi, ose e pandeh Shkruesin të jetë brenda letrës ose e përfytyron mesazhin të jetë imagjinatë, sigurisht ai ka mbuluar -fshehur- arsyen në perdet e dashurisë dhe ka qenë i paaftë të shikojë formën e vërtetë të realitetit.

Midis shumëllojshmërive të dashurisë së pasionuar -dalldisë- njëra që i jep më shumë shkas rrugës së Unitetit të Ekzistencës, është dashuria e kësaj dynjaje. Kur kthehet në dashuri të vërtetë, dashuria e kësaj dynjaje, e cila është metaforike, transformohet në unitetin e ekzistencës. Njeriu e do të dashurin personal me dashuri metaforike. Atëherë, i pamundur të vendosë përkohshmërinë e të dashurit të tij dhe jetëshkurtësinë në zemrën e tij, ai e ngushëllon vetveten duke thënë se ajo është një pasqyrë për objektin e vërtetë të dashurisë dhe të adhurimit dhe e lidh vetveten me realitetin, duke fituar kështu përhershmëri për të nëpërmjet dashurisë së vërtetë.

Në të njëjtën mënyrë, kur dashuria e çuditshme e dikujt i cili e merr dynjanë e madhe dhe universin si të dashurat e tij, dhe të dashurat e tij transformohen në dashuri të vërtetë nëpërmjet goditjeve të përhershme të vdekjes dhe të ndarjes, ai kërkon mbrojtje në rrugën e Unitetit të ekzistencës, me qëllim që t’i shpëtojë ato të dashurat e tij nga vdekja dhe ndarja.

Në qoftë se ai ka forcë të skajshme dhe besim të lartësuar, ai bëhet një nivel i këndshëm, i ndritshëm dhe i pranueshëm, si me ato të cilët i ngjasojnë Muhjiddin Ibn El Arebi. Ndodhet mundësia e rënies në humnera, duke hyrë në materie, dhe duke u zhytur në shkaqe.

Sa për Unitetin e të shikuarit, ai është i padëmshëm; ajo është një rrugë e lartësuar e njerëzve të kthjelltësisë së mendimit -maturisë.

 

 

 

O Zot, na e trego ne të vërtetën të vërtetë, dhe na bëj ta ndjekim atë!

“Lavdia të takon Ty! Ne nuk dimë asgjë më tepër nga ç’na ke mësuar Ti. Vërtet që vetëm Ti je i Gjithëdituri, i Gjithurti.”[11]

* * *

[1] Abdul-Mexhidi ishte vëllai më i vogël i Ustadh Bediuzamanit. Ishte mësues i shkencave fetare, pastaj myfti; Ai përktheu pjesë të Risale-i Nurit në arabisht, dhe isharatul ixhazin dhe methnevi en’nurijjeh i përktheu nga arabishtja në Turqisht.

Ai vdiq në vitin 1967.

[2] Hulusi Jahja Gil ishte njëri nga studentët e parë të Risale-i Nurit, nga Elazig në Turqinë lindore, në atë kohë ai shërbente si komandant në ushtri. Ai për herë të parë e vizitoi Bediuzzamanin në 1929, dhe në Fjalët e Bediuzzamanit, “ zelli dhe serioziteti i tij ishin arsyeja më e rëndësishme që Fjalët e fundit, Sozler dhe Letrat, Mektubati të shkruheshin; ai vdiq në vitin 1986.

[3] Sabri Arseven. I njohur si ‘Santral Sabri’, ishte njëri nga studentët më të rëndësishëm të Bediuzzamanit në Barla dhe gjithashtu ishte imam në fshatin fqinj të Bedres. Ai vdiq në vitin 1954.

[4] Hakki Tiğli. Ai ishte nga Eğridir dhe u burgos së bashku me Bediuzzamanin në Eskishehir në 1935. Ai gjithashtu veproi si Avokati i Bediuzzamanit.

[5] Muhjid-din ibn El-Arebij, është një dijetar i shquar dhe një mendimtar i cili influencoi thellë zhvillimin e Sufizmit. Ai u lind në Andaluzi në vitin 560 sipas hixhretit dhe ai vdiq në Damask në vitin 638 sipas Hixhretit. Midis veprave të tij më të mirënjohura janë Fusus el- Hikam dhe EL-Futuhat El-Mekkijeh.

[6] Sadr el-Din el-Qunavi. Njëri nga studentët kryesorë të Ibn el-Arebij, ai shkroi një mori veprash mbi sufizmin, midis të cilave është El-nusus Fi Tahkik al-mahsus.

[7] Domethënë, gjithçka është prej Tij; Ai e krijon atë, jo çdo gjë është Ai sa të mund të thuhet “ Nuk ka ekzistues përveç Atij”.

[8] Arritjet e jashtëzakonshme të një individi të jashtëzakonshëm human i cili është udhëheqësi i një të katërtës së njerëzimit, e transformoi njerëzimin -në një aspekt- nga lloji njerëzor në atë engjëllor, dhe e la këtë botë me qëllim që t’i bënte qiejt si vendbanimin e tij -këto arritje të jashtëzakonshme të tij kërkojnë një formë të jashtëzakonshme të ligjit të riprodhimit. Sepse qënia e tij i përfshirë nën atë ligj në një mënyrë të dyshimtë, të panjohur, të panatyrshëm dhe madje të ulët, kurrësesi nuk do të kishte qenë e përshtatshme për të, as nuk kishte ndonjë domosdoshmëri për t’u përfshirë nën atë ligj. Për më tepër, pohimet e qarta të Kur’anit nuk e mbajnë interpretimin. Si do të mundej që ligji i seksualizmit të engjëjve, i cili është jashtë riprodhimit dhe që kurrësesi nuk mund të thyhet për hir të ndreqjes apo korrigjimit të ligjit të riprodhimit njerëzor, i cili është thyer në njëqind mënyra- si mundet ky ligj së bashku me ligjet si ligji i vërseteve të qarta të Kur’anit të mund të shkelen?

[9] Kur’an, 3:59

[10]Unë pyesja: Fakti se, pavarësisht të gjithë progresit të jashtëzakonshëm dhe civilizimit të Europës dhe përparimeve të saj në shkenca e dije të dobishme për njerëzimin, çudhëzimi i tyre është bërë si ai i derrave në erësirat e filozofisë materialiste e natyraliste, të cilat janë krejtësisht e kundërta e përparimit, njohjes dhe arritjes? Unë ju pyes ju. Dëshmia se temperamenti i njeriut preket e ndikohet nga ushqimi që ai ha, është thënia: “Ai që ha Mish dyzet ditë pa ndërprerë do të vuajë mërzitjen dhe dëshpërimin në zemrën e tij”, thënie e cila është bërë proverbiale.

[11] Kuran, 2:32