Lexo PDF

 

SHKREPTIMA E DYTË

 

Me Emrin e Allahut, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti.

“Kujto edhe Ejjubin a.s. kur ai i thirri Zotit të Tij: Vërtet që më ka kapur mjerimi dhe Ti je më Mëshiruesi i mëshiruesve”.[1]

Duaja e Ejjubit a.s., kampioni i durimtarëve, është edhe e mirësprovuar, edhe e efektshme. Edhe ne duhet të marrim nga drita e këtij vërseti dhe të themi në lutjet tona:

O Zoti im ! Vërtet që më ka kapur mjerimi, dhe Ti je më Mëshiruesi i Mëshiruesve”.

Thelbi i tregimit të mirënjohur të Ejjubit a.s. është sa vijon:

Ndërsa i vuajtur e i munduar me plagë të shumta dhe me lëndime për një kohë të gjatë, ai thirri dhe shpresoi një shpërblim të madh për sëmundjen e tij nga i Lartësuari i Vetëm i Gjithëfuqishëm dhe e përballoi sëmundjen me durimin më të madh. Por më vonë, kur krimbat e shkaktuar nga plagët e tij depërtuan tek zemra dhe tek gjuha e tij, të cilat janë vendi i përmendjes së Zotit xh.sh. dhe vendi i njohjes së Tij, ai u frikësua se detyra e tij e adhurimit do të pësonte goditje e dëm dhe prandaj tha në dua, jo për hir të qetësisë së tij, po për hir të adhurimit të tij ndaj Allahut:

“O Zot! Vërtet që më ka kapur mjerimi dhe Ti je më Mëshiruesi i mëshiruesve”,

“O Zot! Dëmi ka rënë mbi mua; përmendja ime Ty me gjuhën time dhe adhurimi im ndaj Teje me zemrën time do të pësojnë dëm”. Atëherë, Allahu i Lartësuar e i Gjithëfuqishëm ia pranoi atë lutje të sinqertë, të pastër e të përshpirtshme në një mënyrë të mrekullueshme. Ai i dhuroi Hazreti Ejjubit shëndet të mirë të plotë dhe shfaqi tek ai të gjitha llojet e mëshirës.

Kjo Shkreptimë përmban Pesë pika:

 

Pika e Parë:

Duke u korresponduar atyre plagëve të jashtme dhe sëmundjes me të cilat u godit Ejjubi a.s., edhe ne kemi sëmundje të shpirtit dhe të zemrës. Në qoftë se qënia jonë e brendshme do të kthehej e të dilte jashtë dhe qënia jonë e jashtme do të kthehej brenda, ne do të dukeshim më shumë të plagosur e të sëmurë se sa Ejjubi a.s..

Çdo mëkat që ne bëjmë dhe çdo dyshim që hyn në mendjen tonë, shkakton plagë në zemrën dhe në shpirtin tonë.

Plagët e Ejjubit a.s. ishin të një natyre të tillë që kërcënonin jetën e tij të shkurtër të kësaj bote, kurse plagët tona të brendshme kërcënojnë jetën tonë të gjatë të amshuar të Ahiretit. Ne kemi një mijë herë më shumë nevojë për duanë e Ejjubit a.s. se sa kishte nevojë vetë ai. Ashtu siç depërtuan në zemrën dhe në gjuhën e tij krimbat që u shkaktuan nga plagët e tij, po ashtu vesveset, tundimet dhe dyshimet që rezultojnë tek ne nga plagët që shkaktohen nga gjynahet dhe mëkatet -ruajna Zot!- do të futen në brendësi të zemrës, e cila është vendi i besimit dhe, kështu plagosim e lëkundim imanin; gjithashtu ato do të preknin edhe gjuhën, e cila është interpretuesja e imanit, dhe plaçkisin prej saj kënaqësinë e dhikrit dhe ëndjen shpirtërore, dhe vazhdojnë ta ftohin e ta largojnë nga dhikri -përmendja e Zotit xh.sh.- derisa ta heshtin atë plotësisht.

Mëkati, duke depërtuar në zemër, do ta nxijë e do ta errësojë atë derisa ta shuajë dritën e besimit. Brenda çdo mëkati është një rrugë që të çon në mosbesim. Në qoftë se ai mëkat nuk pastrohet, nuk fshihet menjëherë nëpërmjet istigfarit -kërkimit të faljes-, ai transformohet në krimb jolëndor, madje shndërrohet në një gjarpër që kafshon zemrën dhe e lëndon.

Për shembull, një njeri që kryen fshehtas një mëkat të turpshëm, do t’i frikësohej e druhej turpërimit që shkaktohet nëse të tjerët janë në dijeni të atij mëkati. Kështu ekzistenca e engjëjve dhe e qënieve shpirtërore do të jetë e rëndë për të që ta durojë; dhe ai do të dëshironte ta mohonte atë, madje edhe me fuqinë e treguesit më të vogël.

Dhe për shembull, ai që bën një gjynah të madh që meriton ndëshkimin e Xhehennemit, në qoftë se nuk do të mbrohej e fortifikohej përballë atij mëkati nëpërmjet istigfarit -kërkimit të faljes- dhe pendesës, ai do të dëshironte me gjithë zemër mosekzistencën e Ferrit sa herë që ai dëgjon kërcënimet e tij dhe, madje ai do të guxonte ta mohonte Ferrin edhe me fuqinë e treguesit më të vogël dhe të dyshimit.

Dhe për shembull, ai që nuk i kryen namazet e detyruar dhe që nuk i përmbush detyrat e tij të adhurimit, do të preket e lëndohet nga dëshpërimi e nga ankthi, ashtu siç do të ishte i pikëlluar  në ndonjë rast kur nuk përfill një detyrë të vogël ndaj një sunduesi të thjeshtë. Kështu dembelia e tij në përmbushjen e detyrës, pavarësisht urdhëresave të përsëritura që lëshohen nga Allahu i Madhërishëm, do ta hidhërojnë shumë atë dhe do t’i shkaktojnë një ngushtësi të fortë dhe një errësirë në shpirtin e tij. Kjo ngushtësi do nxiste një dëshirë tek ai dhe të thonte me vete: “Ah sikur Ai të mos kishte dhënë urdhër për kryerjen e atij ibadeti”; dhe nga kjo dëshirë do të lindte dëshira për të mohuar Zotin dhe për të ushqyer armiqësi ndaj Tij. Në qoftë se do të vinte ndonjë dyshim në zemrën e tij lidhur me ekzistencën e Krijuesit, ai do të prirej e anonte nga ai -dyshimi- sikur ai të ishte një provë vendimtare. Një portë e madhe shkatërrimi do të hapej përpara tij. Por ky fatzi nuk e kupton se e ka bërë veten -nëpërmjet këtij mohimi- objekt për ngushtësi shpirtërore e për hidhërim miliona herë më të rëndë e më të tmerrshëm se sa ai shqetësim i vogël që ndiente nga dembelia ndaj detyrës së adhurimit; është tamam si ai që ikën nga pickimi i mushkonjës për tek kafshimi i gjarpërit.

Le të kuptohet në dritën e këtyre tre shembujve misteri i vërsetit Kur’anor,

“Jo, kurrë nuk është kështu! Por zemrat e tyre janë të njollosura (prej gjynaheve) që ata patën fituar”.[2]

 

Pika e Dytë

Ashtu siç u shpjegua në Fjalën e Njëzet e Gjashtë, lidhur me Kaderin Hyjnor, njerëzit nuk kanë të drejtë të ankohen në raste fatkeqësish dhe sëmundjesh për tre arsyet e mëposhtme:

Arsyeja e Parë:

Allahu xh.sh. e ka bërë mantelin e trupit, me të cilën Ai e ka veshur njeriun, një manifestim të artit të Tij. Ai e ka bërë njeriun të jetë një model mbi të cilin Ai pret, rregullon, zbukuron, modifikon e ndryshon mantelin e trupit, duke shfaqur kështu manifestimin e Emrave të Tij të ndryshëm. Ashtu si Emri El-Shafi Shëruesi, që bën të domosdoshëm ekzistencën e sëmundjes, gjithashtu Emri Er-Rezzak, Furnizuesi, kërkon ekzistencën e urisë; dhe kështu me radhë…

Pronari i gjithësundimit vepron si të dojë me autoritet absolut mbi pronën e Tij.

Arsyeja e Dytë:

Nëpërmjet fatkeqësive dhe sëmundjeve jeta pastrohet, përsoset, forcohet dhe përparon; domethënë arrin rezultate, fiton plotësim dhe përmbush qëllimin e saj. Ndërsa jeta që, në mënyrë të pandryshueshme, monotone, kalon mbi divanin e rehatisë dhe mbi shtratin e lehtësisë i ngjason më shumë mosekzistencës e cila është thjesht e keqe e pastër se sa ekzistencës e cila është thjesht e mirë e pastër. Në fakt ajo ka prirje të shkojë drejt mosekzistencës.

 

Arsyeja e Tretë:

Kjo banesa e dynjasë është një fushë provimi, është banesë e shërbimit dhe vendi i punës dhe i ibadetit. Ajo nuk është vendi i kënaqësisë, i ëndjes dhe i marrjes së shpërblimit. Meqënëse banesa e dynjasë është vendi i punës dhe i ibadetit, atëherë sëmundjet dhe fatkeqësitë -për sa kohë që ato nuk prekin besimin dhe përballohen me durim- janë në harmoni të plotë me shërbimin dhe adhurimin, dhe madje ato i forcojnë ato. Meqenëse ato sëmundje e fatkeqësi e bëjnë adhurimin e një ore të barazvlershëm me atë të një dite, njeriu në vend të ankesave duhet të japë falënderime.

Adhurimi, në fakt, përbëhet nga dy lloje: Njëri pozitiv, dhe tjetri negativ.

Lloji i parë, pozitivi, është i qartë për të gjithë. Sa për adhurimin negativ, ky është se, kur njeriu goditet me fatkeqësi ose me sëmundje ai kupton dhe ndjen dobësinë e tij dhe paaftësinë, dhe duke u kthyer tek Krijuesi i tij Mëshirëplotë, kërkon strehim tek Ai, mendon për Të, i lutet Atij, dhe kështu ai kryen një formë të pastër adhurimi në të cilën nuk futet fare hipokrizia. Në qoftë se njeriu e përballon me durim, mendon për shpërblimin që vjen nga Allahu në raste fatkeqësish, dhe jep falënderime, atëherë çdo orë që ai kalon do të vlerësohet e quhet si një ditë e plotë e harxhuar në adhurim. Jeta e tij e shkurtër bëhet shumë e gjatë. Madje ka raste në të cilat një minut konsiderohet i barasvlershëm me adhurimin e një dite të plotë.

Njëherë unë isha shumë i mërzitur për shkak të një sëmundjeje të rëndë që goditi njërin nga vëllezërit e mi të Ahiretit, Muhaxhir Hafiz Ahmedin.[3] Por ndërkohë zemrës sime i erdhi një paralajmërim, siç vijon:

“Përgëzoje atë dhe uroje! Çdo minut që ai kalon vlerësohet si adhurimi i një dite të plotë”

Ai, në të vërtet, po shprehte falënderime ndaj Krijuesit të tij Mëshirëplotë duke e përballuar sëmundjen e tij me durim.

 

Pika e Tretë:

Ashtu siç e kemi shpjeguar në një ose dy nga Fjalët e mëparshme, sa herë që dikush mendon për të kaluarën e jetës së tij, ai do të thonte në zemrën e tij apo me gojën e tij ose ‘oh, sa keq!’ ose EL-hamdu lil-lah. Domethënë, ai ose do të shprehte keqardhje, ose do të thonte Falenderimet dhe Lavdërimi i takojnë Allahut. Keqardhja frymëzohet nga dhimbjet që burojnë nga ndërprerja e kënaqësive të mëparshme dhe nga ndarja prej tyre. Sepse ndërprerja e kënaqësisë është një dhimbje në vetvete. Ndonjëherë një kënaqësi e çastit shkakton dhimbje të përhershme. Të menduarit për të do ta shtypte e shtrydhte atë plagë dhe do të pikonte prej saj pikëllimi e keqardhja. Ndërsa kënaqësia e vazhdueshme shpirtërore që buron nga ndërprerja e zhdukja e dhimbjeve të përkohshme të cilat i ka kaluar njeriu në të shkuarën e jetës së tij, e bëjnë gjuhën e tij të shprehë falënderime e lavdërime për Krijuesin, duke e nxitur njeriun të thotë El-Hamdu lil-lah! Përveç kësaj prirjeje të brendshme të njeriut, në qoftë se ai do të mendonte për shpërblimin që rezulton nga fatkeqësia dhe për thevabin që e pret atë në Ahiret, në qoftë se ai do të kuptonte se jeta e tij e shkurtër me fatkeqësi do të transformohet në një jetë të gjatë, atëherë ai nuk do të ishte thjesht dhe vetëm durimtar, por do të ngjitej në shkallën e mirënjohjes ndaj Zotit xh.sh., dhe do të ishte i kënaqur me Kaderin e Tij. Gjuha e tij do të niste të bëjë falënderime e lavdërime duke thënë:

El-Hamdu lil-lah ala kul-li halin sivel-kufri ved- dalali. Lavdi Zotit për çdo gjendje përveç mohimit e çudhëzimit.

Është bërë proverbë tek njerëzit thënia: “Sa e gjatë është koha e fatkeqësisë”. Po, ashtu është, veçse ama jo për shkak se ajo është e mërzitshme dhe pikëlluese ashtu siç imagjinojnë njerëzit zakonisht, por për shkak se ajo fiton rezultate të mëdha jetësore ashtu si një jetë e gjatë.

Pika e Katërt:

Ashtu siç u shpjegua në Stacionin e Parë të Fjalës së Njëzet e Një, në qoftë se njeriu nuk e shpërndan forcën e durimit të cilën ia ka dhënë Allahu xh.sh. dhe nuk e shpërndan nëpër frikësime e dyshime të pabaza, ajo forcë mund të jetë e mjaftueshme për të qëndruar përballë çdo fatkeqësie e belaje, mirëpo nëpërmjet mbisundimit të iluzionit e të mashtrimit, mospërfillja e njeriut dhe të imagjinuarit e tij këtë jetë të përkohshme si të përhershme, ai e shpërndan forcën e tij të durimit mbi dhimbjet e së shkuarës dhe mbi ankthet e së ardhmes, dhe si rrjedhojë, nuk i mjafton durimi që ia ka dhënë Allahu xh.sh. për të mbajtur fatkeqësinë që i bie dhe për t’i bërë ballë asaj, dhe fillon të ankohet. Kjo është -ruajna Zot!- sikur ai t’i ankohej Allahut për njerëzit. Në mënyrën më të pajustifikuar dhe madje të marrë, ai ankohet dhe demonstron mungesën e tij të durimit.

Në qoftë se dita që kaloi pati fatkeqësi, pikëllimi tashmë ka ikur, dhe vetëm qetësia mbetet; dhimbja është zhdukur dhe me ndërprerjen e saj mbetet kënaqësia; brenga ka ikur dhe mbetet shpërblimi. Prandaj njeriu nuk duhet të ankohet, por të japë falënderime për kënaqësinë. Njeriu nuk duhet të zemërohet nga fatkeqësia, por duhet ta dojë. Jeta e përkohshme e së shkuarës konsiderohet si një jetë e përhershme dhe e bekuar për shkak të fatkeqësisë. Do të ishte marrëzi nëse njeriu e shpërndan një pjesë të durimit të tij dhe e humbet me iluzione dhe duke menduar mbi dhimbjet dhe fatkeqësitë e kaluara.

Për sa ka të bëjë me ditët që do të vijnë, meqenëse ato nuk kanë ardhur akoma, të mendosh qysh tani për sëmundjet dhe fatkeqësitë që do të shkaktohen gjatë tyre dhe të shfaqësh padurim, është gjithashtu marrëzi.

Ashtu siç do të ishte marrëzi nëse njeriu do të hante sot shumë bukë dhe do të pinte shumë ujë se ndoshta mund të goditet nga uria dhe etja nesër ose mbasnesër, po ashtu të hidhërohesh e të mërzitesh qysh tani se mbase do të sprovohesh me sëmundje e fatkeqësi në të ardhmen të cilat ato tani janë mosekzistuese; të vuash që tani prej tyre, të shfaqësh padurim dhe ta shtypësh e ta mbytësh veten pa ndonjë shtrëngim, është një çmenduri e tillë e cila nuk meriton më keqardhje e mëshirë.

Shkurtazi, ashtu siç e shton mirënjohja mirësinë Hyjnore, po ashtu ankesa e rrit fatkeqësinë, dhe largon mëshirën dhe keqardhjen për njeriun që është goditur.

Gjatë luftës së Parë botërore, një njeri i bekuar në Erzurum u godit me një sëmundje të rëndë. Unë shkova për ta vizituar dhe ai më tha duke u ankuar hidhur:

“Unë, nuk kam qenë në gjendje ta vë kokën në jastëk e të fle që prej njëqind netësh”. Unë u dëshpërova shumë. Papritmas më erdhi një mendim dhe thashë:

“Vëlla, njëqind ditët e vështira që ke kaluar janë tani si njëqind ditë të lumtura. Mos mendo për to dhe mos u anko! Por shikoji nga këndvështrimi i zhdukjes dhe i ikjes së tyre, dhe falënderoje Krijuesin tënd për to. Sa për ditët e ardhme, meqenëse ato ende nuk kanë ardhur, vendose besimin në Krijuesin tënd të Gjithëmëshirshëm e Mëshirëplotë dhe rri i qetë. Mos qaj para se të goditesh, mos u tremb nga asgjëja dhe mos ia jep mosqënies ngjyrën e qënies. Mendo pikërisht për orën e tanishme; forca jote e durimit është e mjaftueshme për të bërë qëndresë për këtë orë. Mos vepro si ai komandant i çmendur i cili i shpërndau forcat e tij në qendër nga e djathta dhe nga e majta në një kohë kur krahu i majtë i armikut iu bashkua krahut të djathtë të ushtrisë së tij duke e përforcuar dhe në kohën kur krahu i djathtë i armikut nuk ishte bërë akoma gati për luftë.. Dhe sapo e mësoi këtë armiku, mobilizoi një forcë shumë të vogël në qendër dhe atëherë e shkatërroi qendrën e tij që u la e dobët, dhe ia shpartalloi ushtrinë e tij.

O vëlla, mos ji si ai. Mobilizoje të gjithë forcën tënde për këtë orë të tanishme dhe mendo për mëshirën Hyjnore, për shpërblimin në Ahiret dhe si jeta jote e shkurtër dhe kalimtare transformohet në një jetë të gjatë e të përhershme. Në vend që të ankohesh me hidhërim, jep falënderime të gëzueshme”.

Ai person u lehtësua shumë dhe tha: “Lavdërimet dhe falënderimet i takojnë Allahut, tani sëmundja ime është një e dhjeta e asaj që ishte më parë”.

 

 

Pika e Pestë përbëhet nga tre çështje.

 

Çështja e parë: Fatkeqësia e cila quhet vërtet fatkeqësi dhe është vërtet e dëmshme është ajo e cila prek e dëmton fenë. Duhet patjetër të kërkojmë strehim tek All-llahu xh.sh. në të gjitha kohët, ta hedhim vetveten përpara Tij dhe t’i lutemi me përgjërim që të na mbrojë nga fatkeqësia në çështjet e fesë dhe të thërrasim për ndihmë. Sa për fatkeqësitë të cilat nuk prekin fenë dhe nuk e dëmtojnë, ato në realitet nuk janë fatkeqësi. Një pjesë nga ato janë paralajmërime nga i Gjithëmëshirshmi i Vetëm për t’i zgjuar nga pakujdesia. Në qoftë se një bari, hedh një gurë tek delet e tij kur ato shkelin në kullotën e një tjetri, ato, delet, e kuptojnë se bariu synon, me atë gurë që t’i paralajmërojë dhe t’i shpëtojë nga një veprim i rrezikshëm e i dëmshëm; kështu ato kthehen në kullotën e tyre me qetësi e mirënjohje.

Po kështu ka shumë fatkeqësi të jashtme të cilat janë paralajmërime Hyjnore, qortime dhe zgjim Hyjnor për njeriun.

Ndërsa pjesa tjetër e fatkeqësive është pendesë e shlyerje e mëkateve.

Gjithashtu një pjesë tjetër prej fatkeqësive shkrin gjendjen e pakujdesisë tek njeriu, i kujton atij dhe e bën të kujtojë pafuqinë dhe varfërinë e tij duke i dhënë kështu një formë qetësie.

Ndërsa fatkeqësia që godet njeriun, e cila është sëmundja, ajo nuk është një fatkeqësi reale, por përkundrazi, ashtu siç është përmendur më parë, ajo është një mirësi Hyjnore dhe një mjet pastrimi prej gjynaheve dhe mëkateve. Ndodhet një hadith profetik i cili thotë:

“Ashtu si një pemë që lëshon frutat e saj të pjekura kur shkundet, po ashtu bien mëkatet e zhduken nëpërmjet goditjes nga ethet.”[4]

Dhe kështu Hazreti Ejubi a.s. nuk u lut në duanë e tij për lehtësimin e vetvetes, por kërkoi shërim për qëllimin e adhurimit, kur sëmundja u bë penguese për ta përmendur Zotin me gojë dhe pengim për të reflektuar me zemër në dimensionet e brendshme të gjërave që ka krijuar Zoti xh.sh..

Ne gjithashtu duhet ta bëjmë qëllimin tonë parësor -kur bëjmë atë dua- shërimin e plagëve tona të brendshme e shpirtërore që burojnë nga mëkatimi.

Për sa ka të bëjë me sëmundjet fizike, ne mund të kërkojmë strehim tek Allahu i Gjithëfuqishëm kur ato pengojnë adhurimin tonë. Por ama ne duhet të lutemi në një mënyrë të përvuajtur, varfërisht dhe të përshpirtshme, dhe jo me protestë e me ton ankues. Në qoftë se e pranojmë Allahun si Zotin tonë dhe si Krijuesin tonë, atëherë ne gjithashtu duhet të pranojmë gjithçka që Ai na jep nëpërmjet Hyjnisë së Tij. Të psherëtish e të ankohesh në një mënyrë që nënkupton protestë e kundërshtim ndaj Kaderit Hyjnor dhe ndaj vendimit, është një lloj kritike ndaj Kaderit Hyjnor, një akuzë e bërë ndaj mëshirës së gjërë Hyjnore. Ai që kritikon Kaderin Hyjnor e përplas dhe e thyen kokën e tij në një kudhër.

Kushdo që akuzon mëshirën e Zotit xh.sh., në mënyrë të pashmangshme do të privohet nga ajo. Të përdorësh një dorë të thyer për hakmarrje, do  t’i shkaktonte vetëm dëmtim të mëtejshëm dorës.

Po kështu, një njeri, i cili është goditur me fatkeqësi, në qoftë se do t’i përgjigjej me ankesë, protestë dhe me mërzitje, fatkeqësia e tij vetëm do të shtohej.

 

Çështja e Dytë: Fatkeqësitë fizike shtohen kur ato shihen si të mëdha, dhe zvogëlohen kur shihen si të vogëla. Për shembull, sa herë që njeriu i jep rëndësi ndonjë iluzioni që i shfaqet natën në ëndërr, ajo ënjtet e zmadhohet në shikimin e tij; por në qoftë se ai nuk i jep rëndësi, ajo zhduket.

Po kështu, në qoftë se dikush përpiqet të shmangë një sulm që lëshohet nga grerëzat, ato do të bëhen më agresive; ndërsa në qoftë se ai nuk do t’u jepte rëndësi, ato do të shpërndaheshin. Kështu, në qoftë njeriu i shikon fatkeqësitë fizike si të mëdha dhe u jep rëndësi, ato do të shtohen, dhe për shkak të merakut dhe mërzitjes ato kalojnë nga trupi dhe lëshojnë rrënjë në zemër.

Atëherë rezultati do të jetë, një goditje e brendshme në zemër tek e cila mbërthehet e lidhet fatkeqësia e jashtme për të vazhduar e për të qëndruar gjatë.

Por në qoftë se mërzitja largohet nëpërmjet pranimit të Kaderit Hyjnor dhe mbështetjes tek Allahu, fatkeqësia fizike do të zvogëlohet, thahet e zhduket, ashtu si një pemë të cilës i janë prerë rrënjët.

Unë një ditë e përshkrova këtë të vërtetë siç vijon:

Mos bërtit në fatkeqësi, o i mjerë, eja e mbështetu tek Allahu!

Dije se të rënkuarit e shton fatkeqësinë dhe është një gabim i madh.

Gjeje Dërguesin e fatkeqësisë, dhe dije se ajo është një dhuratë brenda dhuratës dhe një kënaqësi.

Prandaj lëre vajtimin dhe jep falënderime; ashtu si bilbili buzëqesh nëpërmjet lotëve të tu!

Në qoftë se nuk e gjen Atë, dije se dynjaja është e gjitha dhimbje brenda dhimbjes, përkohshmëri dhe humbje.

Atëherë pse vajton nga një fatkeqësi e vogël ndërsa mbi ty është një botë plot me brenga e fatkeqësi? Eja, beso në Zotin!

Mbështetu tek Allahu! Buzëqesh në fytyrën e fatkeqësisë; edhe ajo gjithashtu do të buzëqeshë.

Ndërsa buzëqesh, ajo zvogëlohet; do të ndryshohet e transformohet.

Po…! Njeriu ashtu siç e zbut, e zvogëlon armiqësinë e zemërimin e armikut të tij kur e pret me gëzim e me pamje të qeshur; madje armiqësia do të transformohej në pajtim e miqësi, dhe kështu armiqësia do të bëhej thjesht si një shaka, do të përfundonte e do të zhdukej, po ashtu në qoftë se njeriu përballet me fatkeqësinë me mbështetje në Allahun e Gjithëfuqishëm, do të zhdukej ndikimi i saj.

 

Çështja e Tretë: Çdo shekull ka veçoritë e tij. Në këtë shekull të pakujdesisë, fatkeqësia ka ndryshuar formën e saj. Për disa mosha dhe për disa persona, fatkeqësia në realitet nuk është fatkeqësi, por një mirësi Hyjnore. Meqenëse unë i konsideroj ata që janë goditur me sëmundje në kohën aktuale fatlumë -me kusht që sëmundja e tyre të mos prekë e dëmtojë fenë e tyre, të mos më bëjë ta kundërshtoj sëmundjen dhe fatkeqësinë dhe të mos më bëjnë të ndjej keqardhje për të goditurit.

Sa herë që unë hasja ndonjë të ri të goditur, unë gjeja se ai ishte më shumë i lidhur dhe i interesuar me detyrat e tij fetare dhe me Ahiretin se sa shokët e tij. Nga kjo unë nxora si përfundim se sëmundja nuk përbën një fatkeqësi për njerëz të tillë, por një mirësi nga Zoti xh.sh..

Është e vërtetë se sëmundja i shkakton atij hidhërim në jetën e tij të shkurtër e të përkohshme të dynjasë, por ajo është e dobishme për jetën e tij të përhershme të Ahiretit. Ajo duhet të shikohet si një lloj adhurimi.

Po, në qoftë se ai djalosh do të ishte i shëndetshëm, nuk do të mundej të ruajë atë gjendje përkushtimi ndaj urdhëresave Hyjnore që kishte në kohën e sëmundjes; madje ai mund të binte në shthurje, si rrjedhojë e vrullit dhe e nxitjes së rinisë dhe natyrës së shthurur së kësaj kohe.

* * *

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Përfundim

Allahu i Gjithëfuqishëm, me qëllim që të shfaqë fuqinë e Tij të pafund dhe mëshirën e Tij të pakufishme, ka bërë të bashkëlindur, të brendaqenësishme tek njeriu pafuqinë e pafundme dhe nevojën e pakufishme. Për më tepër, me qëllim që të shfaqë qëndisjet e pafundme të Emrave të Tij, Ai e ka krijuar njeriun si një makineri të çuditshme e cila përmban qindra instrumente dhe aparate, ku secila prej tyre ka dhimbjet e saj të ndryshme, kënaqësitë, detyrat e ndryshme dhe shpërblimet dhe thevabet.

Thjesht, të gjithë Emrat e bukur Hyjnorë të shfaqur në botë, e cila është një njeri i madh, gjithashtu kanë manifestime në botën më të vogël që është njeriu. Çështjet e dobishme si: shëndeti i mirë, mirëqenia dhe kënaqësitë e bëjnë njeriun të japë falënderime dhe e shtyjnë makinerinë humane të kryejë detyrat e saj në shumë drejtime, dhe kështu njeriu bëhet si një fabrikë që prodhon falënderime.

Gjithashtu, nëpërmjet fatkeqësisë, sëmundjes dhe dhimbjes dhe nëpërmjet mundësive të tjera nxitëse e lëvizëse, rrotat e tjera të makinerisë njerëzore janë vënë në punë e në lëvizje. Mineralet e dobësisë, të pafuqisë dhe të varfërisë të bashkëlindura në natyrën njerëzore vihen në punë. Kjo nxit tek njeriu një gjendje me anë të së cilës ai kërkon strehim e ndihmë jo vetëm me një gjuhë të vetme, por me gjuhën e secilës prej gjymtyrëve të tij. Kështu nëpërmjet atyre mundësive njeriu bëhet si një laps lëvizës që përmban mijëra lapsa të ndryshëm. Ai e shkruan rrjedhën e përcaktuar të ekzistencës së tij në faqen e jetës së tij ose në pllakën në botën e shëmbëllesës; ai bën një shpallje të Emrave Hyjnorë, ai qëndis një tablo të shkëlqyer të Emrave Hyjnorë; dhe bëhet vetë një poemë për lavdinë e Zotit xh.sh., duke përmbushur kështu detyrat e natyrës së tij.

* * *

[1] (Kur’an, 21:83)

[2] (Kur’an, 83:14)

[3] Muhaxhir Hafiz Ahmed ishte një tregtar në Barla dhe ndër stundentët e parë të Risale-i Nurit. Bediuzzaman qëndroi në shtëpinë e tij qysh në fillim kur arriti në Barla në shkurt të vitit 1926, dhe Ai e ndihmoi Bediuzzamanin për më shumë se tetë vite gjatë qëndrimit të tij në Barla.

 

[4] Buhari