SHKREPTIMA E NJËMBËDHJETË
Shkalla e Sunnetit të Profetit dhe kundërhelmi ndaj sëmundjes së bidatit, risisë.
[Stacioni i parë i këtij vërseti është ‘Rruga e Sunnetit të Profetit’ ndërsa stacioni i Dytë është ‘Shkalla e sunnetit’]
Me Emrin e Allahut, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti.
“Vërtet që ju ka ardhur juve një i Dërguar (Muhammedi a.s.m.) nga vetë ju (të cilin ju e njihni fare mirë). Ai pikëllohet nëse juve ju bie ndonjë lëndim a vështirësi. Ai është i merakosur dhe i dëshiruar për ju, për besimtarët ai a.s.m. është që ndjen shumë, mëshirues”[1]
Por nëse ata kthejnë kurrizin, atëherë thuaju (o Muhammed a.s.m.): “Allahu është më se i mjatueshëm për mua. Nuk ka Zot tjetër përveç Atij. Tek Ai unë mbështetem plotësisht dhe Ai është Zoti i Arshit Madhështor”[2].
Thuaj (o Muhammed a.s.m.): “Nëse vërtet e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, Allahu do t’ju dojë ju dhe do t’ju falë juve gjynahet tuaja;
Dhe Allahu është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë”[3].
Ne do të shpjegojmë në mënyrë të përmbledhur njëmbëdhjetë pika të holla prej qindra çështjeve të holla të cilat i përfshijnë këto dy ajete të lartësuar.
- Pika e Parë
Profeti Muhammed a.s.m. ka thënë:
“Ai që kapet pas sunnetit tim kur të jetë prishur komuniteti im, ai do të marrë shpërblimin e njëqind martirëve”.[4]
Po, ndjekja e sunnetit të profetit Muhammed a.s.m. është më e çmueshmja, dhe sidomos kur sundojnë bidatet ndjekja e sunnetit profetik është më e vlefshmja dhe më sublimja; dhe në mënyrë të veçantë kur të jetë prishur ummeti i Muhammedit a.s.m., zbatimi dhe respektimi i një çështjeje të vogël të etikës së Sunnetit shpreh dhe nënkupton një besim të fuqishëm të rrënjosur dhe një përkushtim e frikë ndaj Allahut; sepse ndjekja drejtpërdrejtë e sunnetit të pastër, të sjell ndërmend pejgamberin më të madh a.s.m. dhe, kjo kujtesë a përmendje që buron nga ajo ndjekje e sunnetit transformohet në sjellje ndërmend të Pranisë Hyjnore; madje në çastet në të cilat zbatohet sunneti Profetik në më të thjeshtën e trajtimeve në etikën e të ngrënit, të pirjes ose të gjumit, akte të tilla natyrale e të zakonshme bëhen akte të lavdërueshme adhurimi -ibadeti- në përputhje me sheriatin, sepse nëpërmjet akteve të tilla të zakonshme njeriu mendon për ndjekjen e profetit Muhammed a.s.m. dhe përfytyron se ai po kryen një nga etikat e sheriatit. Pastaj ai kujton se profeti Muhammed a.s.m. është pronari i Sheriatit; dhe prej kësaj, zemra e tij kthehet e orientohet drejt Ligjvënësit të Vërtetë që është Allahu i Gjithëfuqishëm dhe kështu fiton një ndijim të Pranisë Hyjnore dhe një lloj ibadeti.
Dhe kështu, për shkak të këtij misteri, ai që e bën ndjekjen e sunnetit të profetit si zakonin e vet ai i ka transformuar adetet e tij në ibadete (zakonet e tij në akte adhurimi) dhe ai mund ta bëjë të gjithë jetën e tij të frutshme dhe të fitojë shpërblim.
- Pika e Dytë
Imam Rabbani, Ahmed Faruku, Zoti e mëshiroftë, tha:
“Ndërsa isha duke kaluar shkallët në udhëtimin tim shpirtëror, unë pashë se më i shndritshmi, më i shkëlqyeri, më i holli, më i larti, më i shëndoshi dhe më i sigurti midis niveleve të Evlijave ishte ai i atyre që e kanë marrë ndjekjen e sunnetit si bazën për tarikatin e tyre; madje edhe Evlijatë e zakonshëm të atij niveli shfaqen të jenë më të shndritshëm se sa Evlijatë më të lartë të niveleve të tjerë”.
Po, Imam Rabbani, ripërtëritësi i mijëvjeçarit të dytë, flet të drejtën. Ai që e merr sunnetin e profetit si bazë ngjitet tek stacioni i të qënit i dashuri i Zotit xh.sh. nën hijen e të Dashurit të Zotit.
- Pika e Tretë
Në kohën kur ky Said i varfër para Allahut po përpiqej të dilte nga gjendja e Saidit të vjetër, mendja dhe zemra e tij po përpëliteshin e rrokulliseshin brenda të vërtetave në një stuhi të tmerrshme shpirtërore që shkaktohej nga mungesa e një udhëzuesi dhe për shkak të mburrjes së nefsit urdhërues për të liga. Ato hidheshin e fluturonin, njëherë duke u ngritur lart dhe njëherë duke rënë; ndonjëherë binin nga plejadat në tokë dhe ndonjëherë ngjiteshin nga toka në plejada.
Ndërkaq unë pashë se çështjet e sunnetit të pastër profetik, madje edhe më e thjeshta e etikave të tij, secila prej tyre ishte si një tregues i shigjetës së busullës që tregon drejtimin e lëvizjes në anije; dhe secila prej tyre ishte si një çelës i një llambe elektrike që ndriçon midis rrugëve të panumërta të rrezikshme e të errëta.
Dhe ndërsa e shikoja veten time në atë udhëtim shpirtëror nën presionin e mërzitjes dhe të shqetësimeve të shumta dhe nën barët e peshave të mëdha, papritmas ndjeja e përjetoja një lehtësi sa herë që ndiqja çështjet e sunnetit të pastër profetik që lidheshin me ato gjendje, sikur ato i mbanin të gjitha peshat e mia dhe sikur i hiqnin ato barë prej shpatullave të mia.
Nëpërmjet nënshtrimit tim të plotë ndaj sunnetit të pastër profetik, unë shpëtoja prej dyshimeve, ngurrimeve dhe vesveseve, iluzioneve të tilla, si: “A ka dobi në këtë veprim? Jam kureshtar të di, a është i drejtë një veprim i tillë?”
Sa herë që e tërhiqja prapa dorën time prej sunnetit profetik, valët e shqetësimeve shtoheshin dhe intensifikoheshin më shumë dhe presioni ishte më i madh. Kishte rrugë të shumta, por nuk dihej se ku të çonin ato; peshat ishin shumë të rënda.. unë isha krejtësisht i pafuqishëm, shikimi im ishte shumë i shkurtër dhe rruga ishte e errët.
Sa herë që kapesha pas sunnetit, rruga ndriçohej para meje dhe shfaqej se ajo ishte një rrugë e sigurtë, e shëndoshë dhe pa rreziqe, peshat lehtësoheshin dhe pengesat hiqeshin.
Po, kështu në atë periudhë kohe unë vërtetova nëpërmjet vëzhgimeve të mia atë çfarë tha Imam Rabbani.
- Pika e Katërt
Një herë më mposhti një gjendje shpirtërore e cila buroi nga shqyrtimi i çështjes së ‘lidhjes së vdekjes’ dhe nga besimi në çështjen ‘vdekja është një realitet’ dhe nga meditimi lidhur me përkohshmërinë dhe kalimin e dynjasë.
E pashë veten time në një botë të çuditshme. Hodha vështrimin dhe e pashë veten time si një kufomë duke qëndruar në krye të tre kufomave të rëndësishme e të mëdhaja.
E Para: Unë isha si një gur varri në krye të kufomës jolëndore të të gjitha krijesave të gjalla me të cilat isha i lidhur nëpërmjet jetës sime dhe të cilat kishin hyrë në varrin e së shkuarës.
E Dyta: Një kufomë e madhe që përmbante e mbulonte të gjitha llojet e gjallesave me të cilat njerëzimi është i lidhur nëpërmjet jetës së tij që kishin vdekur e ishin varrosur në varrin e së shkuarës i cili përfshinte globin tokësor; unë isha vetëm se një pikë që do të fshihej shpejt dhe një mizë e vogël që do të vdiste shpejt në fytyrën e këtij shekulli i cili është guri i varrit të asaj kufome.
E Treta: Kufoma gjigante që do ta mbështjellë këtë univers në Ditën e Kijametit, dhe meqenëse universi me siguri do të vdesë në atë Ditë, kjo u bë në shikimin tim sikur po ndodh tani.
Ndërkohë më mori çudia dhe u habita nga tmerri i agonive të vdekjes së asaj kufome gjigante. Edhe vdekja ime gjithashtu, e cila me siguri do të ndodhte në të ardhmen, m’u shfaq sikur po ndodhte tani. Ashtu siç erdhi në vërsetin Kur’anor,
“Por nëse ata kthejnë kurrizin…” të gjitha qëniet dhe të gjithë të dashurit më kthyen kurrizin dhe kaluan duke më braktisur e duke më lënë të vetmuar. Unë ndjeva se sikur shpirti im po shtyhej drejt së ardhmes që shtrihej drejt paspërjetësisë, e cila kishte marrë formën e një oqeani madhështor të pakufishëm, pa brigje me dëshirë apo pa dëshirë, nefsi duhej të hidhej në atë oqean të madh.
Dhe kështu, ndërsa isha në gjendjen më të çuditshme e të trishtueshme të mendjes dhe të shpirtit, befas më erdhi ndihmë nga Kur’ani i Gjithurtë dhe nga imani. Vërseti
“Por nëse ata kthejnë kurrizin, atëherë thuaju (o Muhammed a.s.m.) “Allahu është më se i mjaftueshëm për mua. Nuk ka Zot tjetër përveç Atij. Tek Ai unë mbështetem plotësisht dhe Ai është Zoti i Arshit Madhështor” më erdhi në ndihmë dhe u bë si një anije e sigurt dhe e besuar. Shpirti im hyri i sigurt dhe i qetë në mbrojtjen dhe në vendstrehimin e këtij vërseti të gjithurtë. Ndërkaq unë kuptova se përveç kuptimit të qartë të vërsetit, një kuptim aludues më ngushëlloi aq shumë saqë unë kisha gjetur qetësinë dhe paqen.
Po, kuptimi i qartë i vërsetit i thotë profetit më të nderuar a.s.m. “Në qoftë se njerëzit e çudhëzimit largohen, i shmangen sheriatit dhe sunnetit tënd dhe nuk i kushtojnë vëmendje Kur’anit, mos u shqetëso e mos u dëshpëro. Thuaju: Allahu i Gjithëfuqishëm është më se i mjaftueshëm për mua. Unë e vendos besimin tim tek Ai. Ai do të bëjë të tjerë në vendin tuaj të cilët do të më ndjekin mua. Froni Madhështor i Sundimit të Tij, rrethon gjithçka. Të pabindurit, rebelët nuk mund të ikin prej Tij, as ata që i kërkojnë ndihmë nuk mbeten pa mbështetje e pa ndihmë prej Tij”.
Ndërsa kuptimi aludues i vërsetit thotë këtë:
“O njeri! O ti që ke marrë përsipër udhëheqjen dhe drejtimin e njeriut. Në qoftë se të gjitha qëniet të lënë ty dhe largohen për në mosekzistencë në rrugën e përkohshme; në qoftë se të gjitha qëniet e gjalla ndahen prej teje dhe shpejtojnë poshtë rrugës së vdekjes; në qoftë se njerëzit të braktisin dhe futen në varreza… në qoftë se njerëzit e neglizhencës dhe të çudhëzimit nuk ta vënë veshin ty dhe bien në errësirë, mos u mërzit.
Thuaj: Allahu vetëm më mjafton. Meqenëse Ai ekziston, gjithçka ekziston… Dhe kështu, ata që janë larguar, nuk kanë shkuar në mosekzistencë;
Ata janë larguar për tek një mbretëri tjetër e Krijuesit të Arshit Madhështor. Nga bujaria e Tij e pafundme dhe prej ushtarëve të Tij të panumërt, Ai Pronar i Fronit më të lartë do të dërgojë ushtarë të tjerë në vend të tyre; Dhe ata që kanë hyrë në varreza, nuk janë asgjësuar; ata janë larguar për tek një botë tjetër. Ai do të dërgojë nëpunës të tjerë në vend të tyre. Dhe Ai mund të dërgojë shërbëtorë të bindur që të ndjekin rrugën e vërtetë në vend të atyre që bien në çudhëzim.
Meqenëse është kështu, atëherë Ai merr vendin e gjithçkaje; Ai është Garanti, Siguruesi. Të gjitha gjërat mund ta marrin shikimin dhe vëmendjen e Tij.
Dhe kështu, nëpërmjet këtij kuptimi aludues, të trija kufomat e tmerrshme, të cilat më mbushën me panik, morën një formë tjetër prej formave të bukurisë dhe familjaritetit, sa vijon:
Qëniet luhaten duke ardhur e duke shkuar në një largësi të madhe, duke përfunduar shërbime të vazhdueshme, duke u ngarkuar me detyra që ripërtërihen vazhdimisht, nëpërmjet një udhëtimi që shpreh urtësi, një ekskursioni instruktiv, një shëtitje për përmbushjen e detyrave në hijen e administrimit të të Gjithurtit, Mëshirëplotit, të Drejtit, të Gjithëfuqishmit të Gjithëlavdishëm dhe, brenda Hyjnisë së Tij Madhështore, Urtësisë së Tij të thellë dhe Mëshirës së Tij të gjërë.
- Pika e Pestë
Vërseti i lartë,
Thuaj (o Muhammed a.s.m.) “Nëse vërtet e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, Allahu do t’ju dojë ju…” shpall në mënyrë të sigurt se sa e domosdoshme dhe e rëndësishme është ndjekja e sunnetit të Profetit Muhammed a.s.m..
Po, midis silogjizmave logjike -arsyetimeve deduktive- ky vërset është më i fuqishmi dhe më i sigurti i llojit të quajtur silogjizmi hipotetik ose kushtor. Kjo është siç vijon:
Si një shembull i silogjizmit hipotetik thuhet në logjikë: “Në qoftë se del, shfaqet dielli, atëherë do të jetë ditë”. Për një rezultat pozitiv thuhet: “Dielli ka dalë, është shfaqur”. Atëherë kjo tregon konkluzionin se “tani është ditë”. Për një rezultat negativ, thuhet: “Nuk është ditë. Atëherë njeriu nxjerr si përfundim se dielli nuk ka lindur, nuk ka dalë”. Sipas logjikës, këto dy përfundime, negativja dhe pozitivja, janë të sigurta, të prera.
Pikërisht në të njëjtën mënyrë, vërseti i lartëpërmendur thotë: “Në qoftë se ju e doni Allahun, ju duhet ta ndiqni të dashurin e Allahut”. Në qoftë se ju nuk e ndiqni atë, kjo nxjerr si përfundim se ju nuk e doni Allahun. “Në qoftë se një njeri e do Allahun, kjo do të lindte si pasojë, do të shkaktonte si rezultat, ndjekjen e sunnetit të të dashurit të Allahut”.
Po, Ai që beson në Allahun, sigurisht që do t’i bindet Atij. Nuk ka dyshim se rruga më e shkurtër për tek Ai, më e pranueshmja tek Ai dhe më e drejta -midis rrugëve të bindjes të cilat të çojnë tek Ai- është rruga të cilën e tregoi dhe e ndoqi i dashuri i Allahut.
Po, Gjithëbujari Hirplot i Cili e mbushi këtë univers me kaq shumë mirësi e dhurata, në mënyrë të vetëkuptueshme, madje të domosdoshme, do të kërkonte falënderime prej qënieve të vetëdijshme kundrejt atyre mirësive.
Dhe i Gjithurti i Gjithëlavdishëm i Cili e stolisi këtë univers me kaq shumë mrekulli të artit të Tij, në mënyrë të vetëkuptueshme do ta bënte atë që është i zgjedhur e i dalluar midis krijesave të vetëdijshme personin që do të merrte adresimin prej Tij, -do ta bënte- interpretues të urdhërave të Tij, lajmëtar për robët e Tij dhe imam për ta.
Dhe Hirploti Zotërues i Plotësisë i Cili e bëri këtë univers të reflektojë manifestimet e panumërta të bukurisë dhe të plotësimeve të Tij, në mënyrë të vetëkuptueshme do t’i jepte atij që është modeli më gjithëpërfshirës i mrekullive të artit të Tij, masa dhe mjeti më i plotë për të shfaqur Bukurinë e Tij, Plotësinë, Emrat e Bukur Hyjnorë dhe artin, të cilat Ai, në mënyrë të qartë, i do dhe dëshiron t’i shfaqë; sigurisht do t’i jepte atij gjendjen më të plotë të adhurimit duke e bërë atë një model, shembull të mirë për të tjerët dhe duke i nxitur të tjerët që ta duan me qëllim që sjellja e tij e hollë dhe e bukur të mund të shfaqet edhe tek të tjerët gjithashtu.
Shkurtazi: Dashuria ndaj Allahut bën të domosdoshme rezultatet në ndjekjen e Sunnetit të pastër Profetik. Myzhde dhe sa fatlum është ai person pjesa e të cilit në ndjekjen e Sunnetit është e madhe! Dhe mjerë ai njeri që nuk e vlerëson sunnetin siç duhet dhe zhytet në bidate.
- Pika e Gjashtë
Profeti Muhammed a.s.m. ka thënë:
“Çdo bidat është çudhëzim dhe çdo çudhëzim të çon në Ferr” [5]
Domethënë sipas vërsetit, “Këtë ditë Unë e përsosa (plotësova) për ju fenë tuaj”,[6] të mos i miratosh ato rregulla të Sheriatit të shquar dhe ato parime të sunnetit të pastër profetik pasi ato janë plotësuar e përsosur dhe, të adaptosh mënyra e shpikje të reja ose të krijosh -Ruajna Zot- bidate, risi të cilat nënkuptojnë vlerësimin e atyre rregullave si të mangëta, kjo do të ishte një çudhëzim, vendi i të cilit është vetëm Zjarri. Sunneti i pastër Profetik ka shkallë:
Një pjesë prej sunnetit është Vaxhib -i detyrueshëm: pjesa që është Vaxhib nuk mund të lihet. Ky lloj sunneti është përshkruar në mënyrë të hollësishme në Sheriatin e shquar. Vaxhibet janë të pakundërshtueshëm dhe në asnjë mënyrë nuk mund të ndryshohen.
Një pjesë tjetër e sunnetit është prej llojit të Nafileve -i vullnetshëm, i padetyrueshëm. Kjo pjesë me rolin e saj është dy llojesh:
Njëri lloj janë sunnetet që lidhen me ibadetet -adhurimin; edhe këto gjithashtu janë përshkruar në librat e Sheriatit dhe, ndryshimi i këtyre suneteve është bidat, risi.
Ndërsa lloji tjetër quhet Adab –etika, sjellja- dhe është përmendur në librat e biografisë së Profetit a.s.m.. Kundërshtimi i këtij lloji nuk quhet bidat, por ama ai është kundërshtim ndaj një lloji të etikës dhe mënyrës së Profetit duke mos përfituar nga drita e tyre dhe nga etika e vërtetë. Ky lloj është: Ndjekja e veprimeve të Profetit në aktet e zakonshme dhe të natyrshme dhe në sjelljet e trajtimet të cilat janë të njohura nëpërmjet raportimeve me unanimitet, me njëzëshmëri. Për shembull, ka sunnete të shumta të cilat tregojnë mënyrat e etikës së të folurit dhe shpjegojnë parimet e etikës së të ngrënit, të pirjes dhe të gjumit dhe ato që lidhen me marrëdhëniet shoqërore, bashkëshoqërore. Sunnetet e këtij lloji quhen A’dab. Ai që e ndjek këtë lloj sunneti i transformon aktet e tij të zakonshme në akte adhurimi, i shndërron adetet e tij në ibadete dhe merr shkëlqim prej dritës së asaj Etike Profetike.
Vënia në praktikë e aspektit më të vogël e më të thjeshtë të një etike të tillë të sjell ndërmend Profetin më të madh e më të nderuar a.s.m. dhe i jep një dritë zemrës.
Më të rëndësishmet midis sunneteve të Profetit a.s.m. janë ato sunnete të cilat janë shenjat e islamit dhe janë të lidhura me ritet, sepse ritet janë ibadet prej llojit të të drejtave të përgjithshme të cilat kanë të bëjnë me shoqërinë.
Ashtu si vënia në zbatim nga një individ që bën që i gjithë komuniteti të përfitojë, po ashtu braktisja e tyre e bën përgjegjës të gjithë komunitetin. Nuk mund të ketë hipokrizi në kryerjen e këtij lloji dhe ato duhet të shpallen. Madje edhe pse ato janë prej llojit të nafileve -të vullnetshme, të padetyrueshme- përsëri ato janë më të rëndësishme se sa farzet individuale -aktet e detyrueshme personale.
- Pika e Shtatë
Sunneti i pastër Profetik në realitetin e vet është një etikë e madhe. Nuk ka ndonjë çështje midis tyre që të mos përfshijë brenda saj një etikë dhe një dritë të madhe. Profeti Muhammed foli të drejtën kur tha: “Krijuesi im më mësoi mua sjellje të mirë dhe sa mirë më mësoi”.
Po, ai që e studion biografinë e Profetit dhe e njeh sunnetin e tij, sigurisht ai do të kuptojë se Allahu i Plotëfuqishëm i ka grumbulluar së bashku të gjitha parimet dhe rregullat e mirësjelljes dhe të etikës së bukur. Ai që braktis sunnetin e tij të pastër dhe e kundërshton, sigurisht ka braktisur burimet e etikës dhe parimet e saj; ai do ta privonte vetveten nga një mirësi e madhe, do të mbetej i privuar prej mirësisë së Krijuesit Gjithëbujar dhe do të ishte i pasjellshëm, i panjerëzishëm në një mënyrë që do t’i shkaktonte atij humbje. Për të do të bëhej realitet rregulli, “njeriu i pasjellshëm privohet nga mirësia Hyjnore”.
Pyetje: Si mund të kemi etikë me Krijuesin, Njohësin e të gjitha gjërave, i Cili shikon e njeh gjithçka dhe prej të Cilit nuk mund të fshihet asgjë, meqë ndodhen situata që e bëjnë njeriun të ndjehet me turp ose të zihet ngushtë dhe nuk mund të fshihen prej Tij xh.sh..
Ndërsa një lloj i etikës, është mbulimi i gjymtyrëve të domosdoshme dhe mbulimi i gjendjeve që janë të pakëndshme e të papëlqyeshme; mirëpo asgjë nuk mund të fshihet nga shikimi i Njohësit të të gjitha gjërave?
Përgjigjja
Së pari: Ashtu si Krijuesi i Gjithëlavdishëm që e shfaq artin e Tij në mënyrë të bukur në shikimin e krijesave të Tij, i mbulon gjërat e urryera e të papëlqyeshme dhe i stolis dhe i zbukuron mirësitë e Tij me qëllim që të tërheqë e t’i mallëngjejë shikimet, po ashtu Krijuesi kërkon nga krijesat dhe nga robët e Tij që të shfaqen para qënieve të vetëdijshme në formën e tyre më të bukur, më të hijshme e më të këndshme, sepse shfaqja e tyre para krijesave në gjendje të shëmtuara, të urryera e të papëlqyeshme, do të ishte në kundërshtim me Etikën e bukur, dhe do të ishte një lloj rebelemi ndaj shenjtërisë së Emrave të bukur Hyjnorë, të tillë, si: El-Xhemilu, El-Muzejjinu, El-Letifu, El-Hakimu, i Bukuri (Hirploti). Zbukuruesi, i Holli (i Këndshmi) dhe i Gjithurti. Dhe kështu etika që është në sunnetin e pastër profetik është të marrësh një mënyrë të etikës së pastër që të jetë brenda caqeve të Emrave të bukur Hyjnorë të Krijuesit të Gjithëlavdishëm.
Së Dyti: Doktori mund të shikojë e të konrollojë gjymtyrën më private të dikujt i cili me kanun është i huaj për të, dhe këtë veprim e bën nga këndvështrimi i mjekësisë dhe i shërimit; madje, në raste të domosdoshme, ai ia zbulon ato pjesë private dhe ky veprim nuk mund të konsiderohet të jetë në kundërshtim me etikën, por konsiderohet të jetë prej kërkesave të mjekësisë. Por ama pikërisht atij doktori nuk i lejohet t’i shikojë ato vende të ndaluara si një burrë apo nën titullin e predikuesit ose të mësuesit; etika nuk e lejon absolutisht që ato t’i shfaqen atij nëpërmjet atyre titujve apo cilësive; kjo do të konsiderohej si mungesë e ndjesisë së turpit.
“Dhe Allahut i takon krahasimi më i lartë”, Allahu i Gjithëlavdishëm ka Emra të bukur të shumtë dhe, secili Emër ka një manifestim të ndryshëm. Për shembull, ashtu siç kërkon Emri El-Gaffar, Fajfalësi ekzistencën e gjynaheve dhe Emri Es-Settar, Mbuluesi ekzistencën e mangësive, të metave, po ashtu, Emri El-Xhemil, i Bukuri, Hirploti nuk dëshiron të shohë shëmti. Dhe Emrat që i përkasin bukurisë dhe Plotësisë Hyjnore të tillë, si: El-Letifu, El-Kerimu, El-Hakimu, Er-Rahimu, i Këndshmi (i Holli), Gjithëbujari, i Gjithurti dhe Mëshirëploti kërkojnë që qëniet të jenë në formën më të bukur dhe në situatat më të mira të mundshme. Ato Emra Hyjnorë, që i përkasin bukurisë dhe plotësimit, kërkojnë shfaqjen e bukurisë së tyre nëpërmjet situatave të bukura të krijesave dhe nëpërmjet etikës së bukur të tyre.
Kështu, mënyrat e etikës që i përmban sunneti i pastër janë shenjat e kësaj etike të lartë dhe aluzione për parimet dhe shembujt e tij.
- Pika e Tetë
Vërseti Kur’anor,
“Vërtet që ju ka ardhur juve një i dërguar (Muhammedi a.s.m.) nga vetë ju (të cilin ju e njihni fare mirë)… (deri në fund), tregon mëshirën dhe dhembshurinë e plotë të Profetit Muhammed a.s.m. ndaj ummetit të tij.
Ndërsa vërseti tjetër që vijon më pas, “Por nëse ata kthejnë kurrizin, atëherë thuaju: “Allahu është më se i mjaftueshëm për mua…”, thotë:
O njerëz! O muslimanë! Ju duhet ta kuptoni se sa mungesë ndëgjegjje dhe sa mungesë arsyeje do të ishte largimi i juaj prej sunneteve të këtij Profeti të dhembshur e të mëshirshëm dhe prej dekreteve që ai përçoi; është sikur ju po shpifni mëshirën dhe dhembshurinë e tij të vëtëkuptueshme; sepse ai ju udhëzoi me dhembshurinë e tij të gjërë duke harxhuar të gjithë fuqinë e tij për interesin e dobinë tuaj dhe duke shëruar, me sunnetin e pastër dhe me dekretet që solli, plagët tuaja shpirtërore.
“Dhe o Profet i dashur, i dhembshur e i mëshirshëm! Në qoftë se këta nuk e njohin këtë dhembshurinë tënde të madhe për shkak të marrëzisë së tyre dhe, nuk do ta vlerësonin këtë mëshirën tënde të gjërë, të kthejnë ty kurrizin dhe nuk të dëgjojnë, mos u mërzit… Mos u shqetëso, sepse Krijuesi i Arshit Madhështor nën urdhrin e të Cilit janë ushtritë e qiejve dhe të tokës dhe sovraniteti i Hyjnisë së të Cilit sundon Arshin Madhështor që rrethon gjithçka, sigurisht është më se i mjaftueshëm për ty. Ai do të grumbullojë rreth teje trupat e Tij të vërtetë e të bindur dhe do t’i bëjë ato të të dëgjojnë dhe t’i pranojnë dekretet e tua!”
Po, nuk ka ndonjë çështje në Sheriatin e Profetit a.s.m. që të mos ketë shembuj të shumtë urtësie. Edhe unë i varfëri e pretendoj këtë dhe jam gati që ta provoj këtë pretendim, pavarësisht pafuqisë dhe mangësive të mia. Për më tepër, shtatëdhjetë deri në tetëdhjetë trajtesat e Risale-i Nurit që janë shkruar deri tani janë dëshmitarë të vërtetë që dëshmojnë se sa me plot urtësi e të vërteta janë Çështjet e Sunnetit të Profetit Muhammed dhe të Sheriatit të Tij a.s.m..
Në qoftë se do të ishte e mundur dhe të shkruhej kjo temë, nuk do të mjaftonin shtatëdhjetë trajtesa, dhe as shtatëmijë të tilla për t’i përshkruar plotësisht ato shembuj urtësie.
Për më tepër, unë kam parë, kam përjetuar e provuar ndoshta një mijë herë në veten time se parimet e çështjeve të Sheriatit dhe të sunnetit të pastër Profetik janë ilaçi më i mirë e më i dobishëm për sëmundjet shpirtërore, mendore dhe kardiale -të zemrës- dhe veçanërisht për sëmundjet shoqërore. Dhe unë shpall nëpërmjet këtyre që kam parë dhe që kam përjetuar, dhe ua kam bërë të njohur të tjerëve deri në një farë shkalle në Risale-i Nur se, “çështjet e parashtruara nga filozofia nuk mund ta zënë kurrë vendin e tyre”.
Ata që dyshojnë nga ky pretendimi im le t’u referohen pjesëve të Risale-i Nurit. Nga kjo mund të shikohet se sa e leverdisshme e fitimprurëse është përpjekja për të ndjekur, sa të jetë e mundur, sunnetin e këtij personaliteti të bekuar, sa e volitshme për lumturinë e jetës së amshuar dhe sa e dobishme për jetën e dynjasë.
- Pika e Nëntë
Ndoshta nuk do ta kishte të lehtë dhe të mundur ndjekjen në mënyrë praktike të plotë të çdo lloji prej llojeve të sunnetit të pastër veçse supërelita, më të zgjedhurit e njerëzve.
Por në qoftë se është e pamundur ndjekja e sunneteve në praktikë, gjithësecili ka mundësi ta përmbushë këtë ndjekje sunneti nëpërmjet nijetit -qëllimit- synimit, dëshirës për t’i zbatuar dhe duke i pranuar ato. Është e njohur se duhet të ndiqen llojet e farzeve dhe të vaxhibit.
Ndërsa sunnetet që janë të llojit Mustehabb -të pëlqyeshme- në ibadet, edhe në qoftë se lënia e tyre dhe neglizhenca ndaj tyre nuk përbëjnë mëkat, por ama kjo do të ishte një humbje për të marrë një thevab të madh; dhe në qoftë se ato ndryshohen, ky do të ishte një gabim i madh.
Kurse sunnetet profetike në Adete -veprime të zakonshme- dhe në Muamelat -trajtime, në qoftë se do të ndiqeshin, atëherë këto e bëjnë adetin ibadet, pra aktet e zakonshme i transformojnë në akte adhurimi, pavarësisht se nuk qortohet ai që i braktis akte të këtilla, por ama përfitimi i tij pakësohet e zvogëlohet prej dritës së Etikave jetësore të të Dashurit të Allahut”.
Ndërsa bidatet -risitë, janë krijimi i gjërave të reja në dekretet që lidhen me adhurimin; ato bidate refuzohen, hidhen poshtë sepse kundërshtojnë vërsetin Kur’anor. “Këtë ditë Unë përsosa (plotësova) për ju fenë tuaj…”.[7]
Por në qoftë se ato gjëra të reja janë prej llojit të virdeve, dhikrit dhe të mënyrave si ato të tarikateve të sufizmit, ato nuk janë bidate me kusht që origjinat e tyre të jenë prej Librit -Kur’anit- dhe Sunnetit, sepse edhe në qoftë se ato janë në forma e në mënyra të ndryshme, bazat dhe parimet e tyre nuk i kundërshtojnë sunnetet e Profetit a.s.m. dhe as nuk i ndryshojnë. Pavarësisht kësaj, disa dijetarë i klasifikuan disa prej këtyre çështjeve si bidate por i quajtën ato “Bidate të lavdërueshme”. Mirëpo, Imam Rabbani thotë:
“Në udhëtimin tim shpirtëror, Unë pashë se fjalët e transmetuara prej Profetit më të madh a.s.m. ishin vezulluese dhe të ndriçuara me rrezet e sunnetit të tij të pastër. Ndërsa kur pashë virdet e mëdhaja dhe gjendjet e ndritshme që nuk ishin transmetuar prej tij, tek ato nuk ishte ajo dritë dhe ai shkëlqim.
Më e ndritshmja e këtij lloji të fundit, nuk ishte i barabartë me më të vogëlën e llojit të parë, sunnetit. Unë kuptova nga kjo se rrezet e Sunnetit të pastër ishin një elikzir.
Gjthashtu sunneti i pastër është i mjaftueshëm për ata që kërkojnë dritë; nuk ka nevojë të kërkosh dritë jashtë sunnetit”.
Ky pohim i një heroi të tillë të realitetit dhe të sheriatit na tregon se sunneti i pastër është guri themeltar i lumturisë së të dyja botëve dhe burimi i të gjitha arritjeve, i plotësisë dhe i mirësisë.
O Zot! Na dhuro aftësi për të ndjekur sunnetin e Profetit Muhammed a.s.m.
“Zoti ynë! Ne besojmë në atë çfarë Ti na ke dërguar dhe ndejkim të Dërguarin Tënd;
Na shkruaj pra prej dëshmuesve (të së vërtetës)”.[8]
- Pika e Dhjetë
Në vërsetin, Thuaj:
“Nëse vërtetë e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, Allahu do t’ju dojë ju…” është një thukëti e mrekullueshme stili, sepse shumë fraza janë përfshirë në këto tri fraza. Kjo është siç vijon: Vërseti thotë: “Në qoftë se ju besoni në Zotin, sigurisht që ju e doni Atë. Meqenëse ju e doni Zotin, atëherë ju do të veproni në përputhje me mënyrën që Ai e pëlqen. Për ta bërë këtë, ju duhet t’i ngjasoni atij të cilin e do Zoti. Dhe përngjasimi juaj me të dashurin e Tij është vetëm se nëpërmjet ndjekjes së tij.
Sa herë që ju do ta ndiqni atë, Allahu do t’ju dojë ju gjithashtu. Dihet se ju e doni Allahun me qëllim që Ai t’ju dojë ju”.
Këto fraza formojnë vetëm një kuptim të shkurtër e të përmbledhur të vërsetit. Kjo do të thotë se qëllimi më i lartë për njeriun është që të bëhet i meritueshëm për dashurinë e Allahut. Vërseti na tregon se rruga për të arritur këtë qëllim të lartë është nëpërmjet ndjekjes së të “Dashurit të Zotit xh.sh. dhe vënies në praktikë të sunnetit të pastër. Në qoftë se në këtë stacion provohen tre pika, e vërteta e lartëpërmendur do të bëhej krejtësisht e qartë.
Pika e Parë: Njeriu u krijua me një dashuri të pafundme për Krijuesin e Universit; sepse e përfshirë në natyrën njerëzore është dashuria për bukurinë, adhurimi për plotësinë dhe joshja pas mirëbërësisë. Ajo dashuri shtohet në përputhje me shkallët e bukurisë, plotësisë dhe të mirëbërësisë derisa arrin në më të skajshmen e shkallëve të dashurisë.
Po, e përfshirë në zemrën e vogël të këtij njeriu të vogël mund të jetë një dashuri aq e madhe sa universi.
Po, fakti që shkrimet e barasvlershme me një librari që ka mijëra libra mund të shkruhen e depozitohen në aftësinë e kujtesës, e cila është sa një kokërr thjerrëze, tregon se zemra e njeriut mund ta përfshijë universin dhe mund të mbajë dashuri po aq të madhe sa universi.
Meqenëse natyra njerëzore ka një kapacitet të tillë të pakuptueshëm për dashuri ndaj mirëbërësisë, bukurisë dhe plotësisë; dhe meqenëse Krijuesi i universit zotëron një bukuri të shenjtë të pafundme, ekzistenca e sigurt e së cilës në mënyrë të vetëkuptueshme vërtetohet nga veprat e Tij që shihen qartë në univers; dhe meqenëse Ai zotëron një plotësi të shenjtë të pakufishme, ekzistenca e së cilës në mënyrë të domosdoshme provohet nga qëndisjet e artit të Tij që është i dukshëm në qëniet; dhe meqenëse Ai ka një mirëbërësi të pakufishme, ekzistenca e së cilës vërtetohet në mënyrë të sigurt, e cila mund të preket dhe të shikohet brenda mirësive të Tij të dukshme në të gjitha llojet e gjallesave, atëherë sigurisht Ai kërkon dashuri të pakufishme prej njeriut i cili është më gjithëpërfshirësi i qënieve të vetëdijshme në cilësi, më i nevojshmi i tyre, më i madhi i tyre në reflektim dhe më i mallëngjyeri i tyre për Të.
Po, ashtu si çdo njeri që ka një aftësi të pakufishme dashurie ndaj Krijuesit të Gjithëlavdishëm, po ashtu Krijuesi xh.sh. është i denjë dhe më i meritueshëm se çdokush tjetër për t’u dashur për hir të bukurisë së Tij, të plotësisë dhe të mirëbërësisë. Të gjitha shumëllojshmëritë dhe shkallët e saj në zemrën e njeriut besimtar për ata me të cilët ka lidhje të caktuara, të veçanta, dhe sidomos dashuria që është në zemrën e tij për jetën e tij, për pavdekshmërinë, për ekzistencën, për veten dhe për qëniet e tjera, janë vetëm pikëla prej kapacitetit të tij për të dashur Zotin.
Madje edhe llojet e emocioneve të thella -tek njeriu- janë transformimet e atij kapaciteti të tij për dashuri dhe distilimet e tij në forma të tjera.
Dihet se njeriu ashtu siç kënaqet me lumturinë e tij vetjake, po ashtu kënaqet edhe me lumturinë e atyre me të cilët është i lidhur dhe që i do, dhe ashtu siç e do ai dikë i cili e shpëton nga fatkeqësia, po ashtu ai e do atë që i shpëton nga fatkeqësitë ata që ai i do.
Dhe kështu, si rrjedhojë e kësaj gjendjeje mendore, në qoftë se njeriu do ta mendonte vetë këtë prej të gjitha shumëllojshmërive të mirësive të mëdha Hyjnore që u janë dhuruar të gjithë njerëzve, ai do të mendonte sa vijon:
“Krijuesi im i Cili më shpëtoi mua nga errësirat e mosekzistencës së përhershme dhe i Cili më dha dhuratën e krijimit dhe të ekzistencës dhe që më dha një botë të bukur bukuria e së cilës më kënaq mua këtu në këtë tokë. Pastaj kur të më vijë koha e exhelit -çasti i vdekjes- Ai përsëri do të përkujdeset duke më ardhur në ndihmë dhe do të më shpëtojë gjithashtu nga errësirat e mosekzistencës së përjetshme dhe nga asgjësia e amshuar dhe, do të më japë mua -nga mirësia e bujarisë së Tij- një botë të përjetshme, të ndritshme e të lulëzuar në botën e përjetshmërisë në Ahiret… Dhe Ai do të më dhurojë mua shqisa dhe ndjenja të jashtme e të brendshme me anë të të cilave për të fituar nga të gjitha shumëllojshmëritë e kënaqësive dhe të gjërave të mira të saj dhe për të shëtitur midis llojeve të ëndjeve të asaj bote të bukur e të pastër.
Ashtu siç do t’i bëjë Ai të gjithë të afërmit dhe të gjithë të dashurit të llojit tim njerëzor të cilët i dua shumë dhe me të cilët jam i lidhur ngushtë, do t’i bëjë të meritueshëm për këto mirësi e dhurata të pakufishme… këto mirësi janë gjithashtu të miat nga një aspekt -sepse unë jam i lumtur dhe gjej kënaqësi në lumturinë e tyre. Meqenëse tek çdo njeri është një dashuri e thellë dhe një joshje pas dhuratës, ashtu siç thuhet në proverbën “Njeriu është skllavi i dhuratës, i mirëbërësisë”, atëherë sigurisht njeriu para kësaj mirëbërësie të përjetshme të pakufishme do të thonte:
Në qoftë se do të kisha pasur një zemër aq të madhe sa universi, do të kërkoja që ajo të mbushej me dashuri e mallëngjim ndaj asaj mirëbërësie Hyjnore, dhe unë jam i përmalluar për ta mbushur, por pavarësisht se unë nuk jam në fakt në nivelin e asaj dashurie, veçse ama unë jam i denjë për të nëpërmjet kapacitetit dhe imanit, me nijet e me pranim, me vlerësim e përmallim dhe me përkushtim e me dëshirë.
Dhe kështu duhet të bëhet analogjia për dashurinë që shfaq njeriu ndaj ‘bukurisë’ dhe ndaj ‘plotësisë’ me krahasimin e dashurisë ndaj ‘mirëbërësisë’ për të cilën aluduam në mënyrë të shkurtuar.
Sa për mosbesimtarët, ata janë pafundësisht armiqësorë për shkak të mosbesimit të tyre dhe madje mbajnë një armiqësi të padrejtë dhe fyese ndaj universit dhe ndaj qënieve.
Pika e Dytë: Dashuria për Zotin bën të domosdoshme ndjekjen e sunnetit të pastër të Profetit Muhammed a.s.m., sepse ta duash Zotin, është të bësh atë gjë që e kënaq Zotin. Dhe gjërat që e kënaqin Atë janë manifestuar e shfaqur në formën më të plotë në personin e Muhammedit a.s.m.. Dhe përngjasimi me personalitetin e tij të bekuar në lëvizje dhe në vepra vjen nga dy aspekte:
I Pari: Aspekti i dashurisë së Zotit xh.sh. dhe bindja ndaj urdhërave të Tij, lëvizja brenda caqeve të asaj çfarë e kënaq Atë. Ky aspekt e kërkon atë ndjekje, sepse imami më i përsosur dhe modeli më shembullor në këtë çështje është Muhammedi a.s.m..
I Dyti: Aspekti i “Personalitetit të tij të bekuar” i Cili është ndërmjetësi më i lartë për favore e mirëbërësi Hyjnore të panumërta për njerëzimin. Atëherë ai është i denjë për dashuri të pakufishme për hir të Zotit dhe në rrugën e Tij.
Njeriu nga natyra dëshiron t’i përngjasojë dikujt të cilin e do aq sa të mundet; kjo sigurisht bën të domosdoshme se ata që e duan të Dashurin e Zotit xh.sh. duhet të përpiqen t’i përngjasojnë duke ndjekur sunnetin e tij të pastër.
Pika e Tretë: Allahu i Gjithëfuqishëm ashtu siç ka mëshirë të pafundme, po ashtu Ai ka edhe dashuri të pafundme. Dhe ashtu siç e do Ai Vetveten në mënyrë të pakufishme, po ashtu Ai i do edhe krijesat e Tij dhe sidomos qëniet e vetëdijshme të cilët i përgjigjen me dashuri e madhërim shfaqjes së dashurisë së Tij për ta. Mund të kuptohet qartë se sa qëllim i lartë e i rëndësishëm për njeriun është përpjekja për të tërhequr dashurinë e Një Qënieje, një manifestim i vetëm i mëshirës së të Cilit, janë të gjitha bukuritë, çudirat e Tij të holla, me gjërat e mira dhe me kënaqësitë e Parajsës.
Meqenëse siç u pohua qartë se dashuria për Zotin xh.sh. fitohet vetëm nëpërmjet ndjekjes së sunnetit të profetit Muhammed a.s.m., atëherë sigurisht që ndjekja e sunnetit duhet të jetë qëllimi më i madh i njeriut dhe detyra e tij më e rëndësishme.
- Pika e Njëmbëdhjetë
Kjo përbëhet nga tri çështje
Çështja e Parë:
Sunneti i Profetit më të nderuar a.s.m. ka tre burime, ato janë: fjalët e tij, veprat e tij dhe gjendjet -sjellja. Dhe ndodhen tre kategori prej secilës nga këto të trija:
Farzet -të detyrueshmet; nafilet -të vullnetshmet, të padetyrueshmet-; dhe Adetet e Profetit -të lavdërueshme. Është urdhëruese, domosdoshmëri të ndjekësh ato çështje që janë Farze dhe Vaxhibe. Besimtari është i detyruar për këtë ndjekje për shkak të besimit të tij. Të gjithë pa përjashtim janë të ngarkuar për të kryer farzin dhe vaxhibin. Ka dënime e ndëshkime për braktisjen e tyre dhe për neglizhencën ndaj tyre.
Sa për llojin e nafileve, njerëzit e besimit janë gjithashtu të ngarkuar për t’i kryer sipas urdhërit Mustehabb -të pëlqyeshme, por nuk ka dënime e ndëshkime në qoftë se lihen nafilet.
Megjithatë, ka një shpërblim të madh në të vepruarit në përputhje me to dhe me ndjekjen e tyre. Ndryshimi i nafileve është bidat, një çudhëzim dhe një gabim i madh. Ndërsa Adetet, aktet e zakonshme të Profetit a.s.m., t’i ndjekësh dhe t’i imitosh është shumë e lavdërueshme dhe në përputhje me urtësinë, dhe është e dobishme edhe për jetën personale, edhe për jetën shoqërore dhe për llojin njerëzor; sepse në të gjitha aktet e tij ka gjëra të shumta të dobishme për jetën dhe, për më tepër, nëpërmjet ndjekjes së tyre ato sjellje dhe ato adete bëhen si ibadete, akte adhurimi.
Po, meqenëse si miqtë po ashtu edhe armiqtë bien dakort se Personi i Muhammedit a.s.m. manifestoi shkallën më të lartë të virtyteve morale; dhe meqenëse siç janë pajtuar unanimisht në mendim, ai ishte individi më i shquar dhe më i shkëlqyer në llojin njerëzor; dhe meqenëse, ashtu siç përshkruhet nga mijëra mrekullitë e tij dhe siç dëshmohet nga bota e islamit të cilën ai e themeloi dhe nga arritjet e tij, dhe siç vërtetohet nga të vërtetat e Kur’anit të Gjithurtë për të cilat ai ishte lajmëtar dhe interpretues, ai ishte shembulli më i përkryer dhe udhëzuesi më i plotë… Dhe meqenëse me miliona prej njerëzve të plotësimit u ngjitën në shkallët e plotësimeve dhe përparuan në to nëpërmjet frutave të ndjekjes së tij dhe arritën në lumturinë e të dyja botëve… atëherë sigurisht sunneti i këtij Profeti të nderuar a.s.m. dhe lëvizjet e Tij janë modeli më i mirë për t’u vënë në praktikë dhe udhëzuesi më i plotë për t’u ndjekur, dhe janë ligjet më të sigurta e të shëndosha për t’u marrë si parime. I lumtur është ai që pjesa e të cilit në këtë ndjekje të sunnetit të pastër është e madhe. Ndërsa ata që janë dembelë dhe nuk e ndjekin pësojnë humbje të mëdha; dhe ata që i konsiderojnë ato të jenë të parëndësishme, bëjnë një krim të madh. Ndërsa në qoftë se ata i kritikojnë ato, të cilat nënkuptojnë përgënjeshtrimin e tyre, janë në një çudhëzim të madh.
Çështja e Dytë
Allahu xh.sh. e përshkroi Profetin Muhammed a.s.m. në Kur’anin e gjithurtë me fjalët:
“Dhe Vërtet ti (Muhammed a.s.m.) je në një shkallë të lartë karakteri, morali[9]”. Sipas rrëfenjave të shëndosha, sahabët e nderuar e përshkruan atë siç e përshkroi Sahabeja e shquar Aisheja e vërtetë, Zoti qoftë i kënaqur me të, duke thënë:
“Morali i tij ishte Kur’ani”[10].
Domethënë, Profeti Muhammed a.s.m. është shembulli i cilësive të bukura morale të cilat i shpjegon Kur’ani. Profeti a.s.m. iu përshtat atyre cilësive më shumë se çdokush dhe, natyra e tij u krijua në përputhje me to”.
Kështu, ndërsa veprat, gjendjet, fjalët dhe aktet e një personaliteti të tillë janë secila të denja për të qenë një model për njerëzimin, sa fatkëqinj do të ishin ata njerëz të pakujdesshëm të komunitetit të tij të cilët i besojnë atij por përsëri nuk i japin rëndësi Sunnetit të tij ose duan ta ndryshojnë, sa fatzinj janë ata!
Çështja e Tretë: Meqenëse Profeti Muhammed a.s.m. u krijua me karakterin më të moderuar dhe në formën më të përsosur, atëherë aktet, lëvizjet dhe pushimi i tij, që të gjitha vepruan në përputhje me moderimin dhe drejtësinë. Biografia e tij tregon qartë se në të gjitha aktet e tij ai veproi me moderim dhe me drejtësi duke shmangur eksesin dhe neglizhencën, teprinë dhe mangësinë. Po, Profeti Muhammed a.s.m. iu përshtat plotësisht urdhrit Kur’anor,
“Qëndro pra drejt siç je urdhëruar”.[11]
Dhe kështu moderimi është i dukshëm në të gjitha aktet e tij, në fjalët e në sjelljet. Për shembull, aftësia e tij e të menduarit veproi gjithmonë brenda urtësisë e cila është boshti i moderimit, i mezit të artë, duke qenë larg atyre që e prishin apo e ndrydhin atë, që janë tepria, kalimi i masës, dhe lënia mangët e saj, domethënë marrëzia dhe dredhia.
Fuqia e tij e zemërimit veproi gjithmonë brenda kurajos së shenjtë e cila është rruga e mesme dhe boshti i moderimit të asaj fuqie, duke qenë larg prej atyre gjërave që e prishin duke kaluar cakun dhe duke e lënë të mangët; pra nga zemërimi i madh dhe nga frika, burracakëria.
Fuqia e tij epshore, e pasionit, mori gjithmonë dëlirësinë -ndershmërinë- mjetin e moderimit të asaj fuqie, si udhëzues në shkallën më të lartë të virtytshmërisë, dhe qëndroi i pastër dhe larg prishjes së asaj fuqie nëpërmjet teprisë dhe lënies mangët. Domethënë, shthurjes morale dhe ftohjes seksuale.
Dhe kështu Profeti Muhammed a.s.m. zgjodhi rrugën e moderimit në të gjitha sunnetet e tij të pastërta, në të gjitha gjendjet e tij të natyrshme dhe në të gjitha dekretet e sheriatit dhe iu shmang plotësisht padrejtësisë dhe errësirës, domethënë, teprisë dhe lënies të mangët, harxhimit të tepërt dhe prishjes pa hesap. Ai e mori kursimin si udhëzuesin e tij duke iu shmangur përfundimisht teprisë, madje edhe në fjalën e tij, në ngrënien dhe në pirjen e tij.
Mijëra libra janë shkruar duke përshkruar detajet e këtyre të vërtetave.
Në përputhje me thënien “Një shenjë është e mjaftueshme për të mençurin”, ne mjaftohemi me këtë pikë nga oqeani dhe e ndërpresim tregimin këtu.
O Zot, jepi bekime atij që grumbulloi në personin e tij të gjitha cilësitë e bukura morale, dhe i cili manifestoi misterin e “Dhe vërtet ti je në një shkallë të lartë karakteri, morali”, dhe i cili tha:
“Ai që kapet pas sunnetit tim në kohën kur të jetë prishur komuniteti im, do të marrë shpërblimin e njëqind martirëve”.
“Ndërsa ata thonë: “Gjithë lavdërimet dhe falënderimet janë për Allahun i Cili na udhëzoi ne për tek kjo (fatbardhësi); kurrë nuk do të ishim gjetur ne drejtim, po të mos na kishte udhëhequr Allahu. Vërtet që të Dërguarit e Zotit tonë erdhën me të vërtetën”.[12]
“Lavdia të takon Ty! Ne nuk mund të dimë asgjë më tepër nga ç’na ke mësuar Ti. Vërtetë që vetëm Ti je i Gjithëdituri, i Gjithurti”. [13]
* * *
[1] Kur’an, 9:128
[2] Kur’an, 9:129
[3] Kur’an, 3:31
[4] Transmetojnë Ibn Adij e Tabarani
[5] Transmetoi Muslimi
[6] Kur’an, 5:3
[7] Kur’an, 5:3
[8] Kur’an, 3:53
[9] Kur’an, 68:4
[10] Transmeton Muslimi
[11] Kur’an, 11:112
[12] Kur’an, 7:43
[13] Kur’an, 2:32