Lexo PDF

 

SHKREPTIMA E KATËRT

 

Titulli: “Rruga e sunnetit të Profetit Muhammed a.s.m.” u konsiderua i përshtatshëm për këtë trajtesë.

[Megjithëse ‘çështja e Imamatit’ është një çështje e rëndësisë dytësore, por meqenëse asaj i është dhënë një rëndësi shumë e madhe dhe, për shkak të lidhjes së saj me detyrën tonë themelore, me shërbimin tonë ndaj Kur’anit dhe besimit, ajo është diskutuar pjesërisht këtu për sa ka të bëjë me këtë aspekt dhe me qënien e saj si një temë e shqyrtuar në shkencat e teologjisë –Ilm el-kelam– dhe në parimet e fesë.]

 

Me Emrin e Allahut, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti.

“Vërtet që ju ka ardhur juve një i Dërguar (Muhammedi a.s.m.) nga vetë ju (të cilin ju e njihni fare mirë).”

Ai pikëllohet nëse juve ju bie ndonjë lëndim a vështirësi. Ai (Muhammedi a.s.m.) është i merakosur dhe i dëshiruar për ju; për besimtarët ai (a.s.m.) është që ndjen shumë, mëshirues.”

Por nëse ata kthejnë kurrizin, atëherë thuaju (O Muhammed a.s.m.): “Allahu është më se i mjaftueshëm për mua. Nuk ka Zot tjetër përveç Tij. Tek Ai unë mbështetem plotësisht dhe Ai është Zoti i Arshit Madhështor”.[1] “Thuaju (O Muhammed a.s.m.) “Asnjë shpërblim nuk ju kërkoj juve për këtë, përveç dashurisë për të afërmit e mi, (dashurinë për Ehli Bejtin, njerëzit e familjes sime)”.[2]

Ne do të tregojmë në dy ‘Stacione’ dy prej shumë të vërtetave të mëdhaja të përfshira në këto vërsete madhështore.

 

STACIONI I PARË

 

Stacioni i parë përbëhet nga katër ‘pika’

  • Pika e Parë:

Kjo përshkruan dhembshurinë dhe mëshirën e plotë të profetit Muhammed a.s.m. ndaj ummetit, komunitetit të tij.

Po, sipas disa haditheve të saktë, gjatë tmerrit dhe panikut të Ditës së Ringjalljes së madhe, në kohën që gjithësecili dhe, madje edhe Pejgamberët do të luten e do të thërrasin për vetveten duke thënë: “Nefsi, nefsi! Vetja ime!”, kurse Profeti Muhammed a.s.m.do të lutet e do të thërrasë duke thënë: “Ummeti im! Ummeti im!”.[3]

Ashtu siç tregojnë këto rrëfenja të shëndosha dhembshurinë e madhe të Profetit Muhammed a.s.m. për Ummetin e tij, kur Profeti a.s.m. u lind, nëna e tij dëgjoi midis duave të Profetit a.s.m. fjalët: “Ummeti, Ummeti! Komuniteti im! Komuniteti im!”, siç është vërtetuar prej Evlijave të drejtë të cilëve u zbulohen misteret e krijimit. Gjithashtu, e gjithë historia e jetës së tij dhe sjellja e mirë dhe e mëshirshme të cilën e përhapi, demonstrojnë dhembshurinë dhe shpirtëbutësinë e tij të plotë. Gjithashtu nëpërmjet shjaqjes së një nevoje të pakufishme për salavate të panumërta prej Ummetit të tij, Profeti shfaqi dhembshurinë e tij të madhe; sepse nëpërmjet dhembshurisë së tij të plotë ai shfaqi se sa shumë i lidhur e i merakosur është ai me lumturinë e të gjithë ummetit të tij.

Atëherë, ju mund të kuptoni se sa mosmirënjohje dhe sa mungesë vetëdijeje do të ishte mosvënia në praktikë e Sunnetit të një udhëzuesi kaq të dhembshur e të mëshirshëm. Atëherë, krahasoje këtë me veten tënde dhe vlerësoje!..

  • Pika e Dytë:

Midis detyrave universale të profetësisë së tij, profeti më i nderuar a.s.m. shfaqi dhembshuri të madhe ndaj disa çështjeve të veçanta e të pjesshme. Harxhimi i asaj dhembshurie e mëshire të madhe në ato çështje të pjesshme e të veçanta nuk i përshtatet -në pamje të jashtme- rëndësisë së madhe të funksionit të profetësisë. Por e vërteta dhe realiteti është se ajo çështje e pjesshme dhe e veçantë përfaqëson majen e një zinxhiri i cili në të ardhmen do të ishte mjeti për përmbushjen e një funksioni universal e të përgjithshëm të profetësisë. Prandaj, rëndësia më e madhe iu dha shembullit për hir të zinxhirit madhështor.

Për shembull, dhembshuria e jashtëzakonshme dhe rëndësia e madhe që i shfaqi profeti a.s.m. ndaj Hasanit dhe Hysejnit në fëmijërinë e tyre nuk ishin vetëm për shkak të dhembshurisë së natyrshme dhe të dashurisë që buronte nga ndjenja e lidhjes familjare, por ajo gjithashtu buronte nga ajo që ata të dy do të ishin fillimi, maja e një zinxhiri të ndritshëm për funksionin e madh të profetësisë dhe, secili prej të dyve do të ishte burimi i një xhemati të madh prej atyre që do të merrnin trashëgiminë e profetësisë, si përfaqësues dhe si model i saj.

Po, profeti më i nderuar a.s.m. e merrte Hasanin, Radiajall-llahu anhu, me dhembshuri e mëshirë të plotë në krahët e tij dhe puthte kokën e tij për hir të shumë pasardhësve prej trashëgimtarëve të profetësisë të ngjashëm me Mehdiun, të cilët do të mbanin sheriatin e shquar të Muhammedit a.s.m., që do ta kishin prejardhjen prej imam Hasanit duke buruar prej origjinës së tij të ndritshme e të bekuar si shembulli i shejh Gejlanit[4], iu shenjtëroftë sekreti i tij. Muhammedi a.s.m. shikoi me syrin e Profetësisë shërbimin e shenjtë dhe detyrën që ata do të kryenin në të ardhmen dhe i miratoi dhe i lavdëroi.

Ai e puthi kokën e Hasanit, Zoti qoftë i kënaqur me të, si shenjë vlerësimi dhe nxitje.

Gjithashtu, Profeti i nderuar a.s.m. e përqafoi Hysejnin, Radijall-llahu anhu, i dha një rëndësi të madhe dhe shfaqi një dhembshuri të fortë ndaj tij për hir të imamëve të shquar e të mëdhenj të ngjashëm me Mehdiun si Imam Zejn AL-Abidine, Xhafer Es-sadik dhe të disa personaliteteve të ndritshëm, trashëgimtarë të vërtetë të profetësisë, të cilët do ta kishin prejardhjen prej linjës së tij të ndritshme.

Po, Profeti a.s.m. e puthi qafën e Husejnit, Zoti qoftë i kënaqur me të, shfaqi dhembshurinë e madhe ndaj tij dhe i dha rëndësi të madhe për hir të atyre që do ta mbanin lart dinjitetin e islamit dhe të cilët do ta përmbushnin detyrën e profetësisë pas tij.

Po, meqenëse me zemrën e tij e cila kishte njohje nga e padukshmja, shikimi i ndritshëm i Profetit a.s.m. dhe syri depërtues tek e ardhmja, panë nga Epoka e Lumturisë në këtë botë Fushën e Ringjalljes e cila shrihet në paspërjetësi.. i cili pa xhennetin në qiejt më të lartë dhe atje shikoi melekët ndërsa vetë ishte në tokë.. Ai i cili shikoi ngjarjet që kishin ndodhur qysh nga koha e Ademit a.s. dhe që ishin mbuluar në perdet e errëta të së shkuarës, saqë ai a.s.m. u nderua me shikimin e Krijuesit xh.sh… Atëherë ky shikim i ndritshëm dhe kjo intuitë, ky sy depërtues tek e ardhmja, sigurisht panë polet e mëdhenj shpirtërorë, dhe imamët e trashëgimisë së profetësisë dhe Mehditë që do të vijonin në linjat e Hasanit dhe të Hysejnit. Dhe sigurisht ai do t’i puthte kokat e tyre në emrin e të gjithë atyre. Po, Shejh Gejlani ka një pjesë të madhe në puthjen e kokës së Hasanit, Radiall-llahu anhu, nga ana e Profetit Muhammed a.s.m..

  • Pika e Tretë

Sipas një interpretimi, kuptimi i vërsetit,

“Thuaju: Asnjë shpërblim nuk ju kërkoj juve për këtë përveç dashurisë ndaj të afërmve (njerëzve të familjes sime)”,[5] është se Profeti më i nderuar a.s.m. nuk kërkon prej ndokujt asnjë shpërblim për kryerjen e detyrës së profetësisë; ai dëshiron vetëm dashurinë për familjen e tij, për Ehli Bejtin.

Në qoftë se do të thuhej: “Sipas këtij kuptimi, duket se u arrit një avantazh dhe u fitua një shpërblim duke marrë parasysh lidhjen familjare, ndërsa sipas kuptimit të vërsetit,

“Padyshim se më i nderuari prej jush tek Allahu, është ai që është më i përkushtuar në fe, ai më me takva,”[6] tregohet se detyra e profetësisë vazhdon duke qenë i afërt me Allahun nëpërmjet takvasë, frikës ndaj Allahut, dhe jo nëpërmjet lidhjeve familjare”.

Përgjigja: Me shikimin e tij të profetësisë që depërtoi tek e Padukshmja, Profeti Muhammed a.s.m. shikoi se familja e tij, njerëzit e Ehli Bejtit, do të bëheshin si një pemë dritëdhënëse degët e së cilës do të shtriheshin në botën e islamit. Shumica dërrmuese, të cilët do të kryenin detyrën e udhëzuesve duke instruktuar çdo nivel të botës islame në mirësi, udhëzim, në arritjen njerëzore  dhe në integrim dhe të cilët do të ishin shembuj e modele plotësimi, do të shfaqeshin prej Ehli Bejtit, familjes së Profetit Muhammed a.s.m..

Ai zbuloi se duaja e Ummetit të tij për Ehli Bejtin në pjesën e fundit të namazeve të detyruara:

“O Zot! Jepi bekime shkëlqesisë sonë Muhammedit a.s.m. dhe familjes së shkëlqesisë sonë Muhammedit a.s.m, ashtu siç i dhe bekime Ibrahimit dhe familjes së Ibrahimit në botëra;  Sigurisht Ti je i denjë për lavdërime, je më i lartësuari -zbuloi se kjo dua- do të pranohej. Domethënë, ashtu si pjesa më e madhe e udhëzuesve të ndritshëm midis njerëzve të Ibrahimit ishin profetë prej familjes dhe prej linjës së Ibrahimit a.s., po ashtu Profeti Muhammed a.s.m. pa se polet shpirtërorë prej Ehli Bejtit do të ishin si pejgamberët e bijve të Israilit në Ummetin Muhammedan duke përmbushur detyrën e shërbimit të madh të islamit në shumë tarikate e metoda.

Prandaj, Profeti Muhammed a.s.m. u urdhërua të thotë:

“Thuaju (o Muhammed a.s.m.): Asnjë shpërblim nuk ju kërkoj juve për këtë, përveç dashurisë për Ehli Bejtin”.

Ai i kërkoi komunitetit të tij që ta dojë familjen e tij.

Ndodhen rrëfenja të shumta duke e mbështetur këtë fakt. Profeti a.s.m. në mënyrë të përsёritur tha: “O njerëz! Unë ju kam lënë dy gjëra. Në qoftë se do t’i përkrahni e do të kapeni pas tyre, ju nuk do të humbisni dhe do të gjeni shpëtim: njëra është libri i Zotit xh.sh., tjetra është familja ime, Ehli Bejti”[7]; sepse njerëzit e Ehli Bejtit janë burimi dhe ruajtësit e sunnetit të Profetit dhe janë të ngarkuar pikë së pari për ta zbatuar atë në çdo drejtim.

Dhe kështu u bë i qartë realiteti i këtij hadithi duke u mbështetur në atë që u përmend më lartë, domethënë: duke ndjekur plotësisht librin e Zotit xh.sh. dhe sunnetin e pastër. Pra, ajo që kërkohej nga familja e Profetit lidhur me funksionin e profetësisë ishte ndjekja e sunnetit të profetit a.s.m.. Ashtu si ndokush i cili braktis sunnetin e Profetit Muhammed a.s.m. që nuk mund të jetë një anëtar i vërtetë i familjes së tij, po ashtu një person i tillë nuk mund të ishte një përkrahës i vërtetë i Ehli Bejtit.

Pastaj, urtësia se përse Profeti a.s.m. deshi që komuniteti i tij të grumbulloheshin rreth familjes së Tij, ishte sa vijon: Profeti a.s.m. njohu me lejen e Allahut se Ehli Bejti -familja e tij- do të shumohej tepër me kalimin e kohës dhe se islami do të bëhej i dobët. Prandaj në një gjendje të këtillë do të ishte e domosdoshme të ekzistonte një grup tej mase i fortë, i madh në numër dhe me lidhje e mbështetje të ndërsjellë me qëllim që të ishte boshti dhe qendra për përparimin shpirtëror dhe moral të botës islame. Muhammedi a.s.m. e njohu këtë nëpërmjet lejes Hyjnore dhe dëshiroi që komuniteti i tij të mblidheshin përreth familjes së tij, Ehli Bejtit.

Po, anëtarët e Ehli Bejtit edhe në qoftë se nuk do të ishin më të hershëm e më të mëparshëm se sa të tjerët në çështjet e imanit dhe të fesë, veçse ama ata janë shumë më përpara atyre për sa ka të bëjë me nënshtrimin, zbatimin dhe mbështetjen ndaj islamit; sepse ata ishin ndjekësit e islamit nga natyra, nga prejardhja dhe nga temperamenti. Edhe në qoftë se përkrahja e natyrshme do të ishte e dobët, e padenjë ose madje e pajustifikueshme, e kotë, ajo nuk mund të braktiset.

Atëherë, a do të ishte e mundur për një njeri të braktiste përkrahjen ndaj një të vërtete me të cilën ishte lidhur zinxhiri i paraardhësve të tij të cilët i sakrifikuan lirë shpirtërat e tyre në rrugën e saj dhe ata kishin fituar nder e lavdi dhe, ajo e vërtetë është në kulmin e fuqisë dhe të nderit dhe është realiteti i qartë; a do të ishte e mundur për një person që të braktiste përkrahjen e tij ndaj një të vërteteje të cilën ai e ndjeu qartë se ishte shumë themelore dhe e natyrshme? Kështu, për shkak të kësaj përkrahjeje të fortë dhe të këtij nënshtrimi natyral, anëtarët e familjes  së Profetit e pranojnë edhe aluzionin më të vogël në favor të fesë islame si të ishte një provë e fuqishme, sepse ata e përkrahën islamin nga natyra, ndërsa të tjerët nuk e përkrahin veçse pasi të jenë bindur me ndonjë provë të fuqishme.

 

  • Pika e Katërt

Në lidhje me Pikën e Tretë, ne do të tregojmë shkurtazi një çështje e cila është një çështje kundërshtie midis Shiitëve dhe Sunitëve dhe është zmadhuar deri në një shkallë të madhe saqë ka hyrë në librat mbi çështjet e besimit dhe midis themeleve të imanit.

Çështja është kjo:

Sunitët thonë: Hazreti Aliu, Zoti qoftë i kënaqur me të, ishte i katërti i kalifëve të udhëzuar drejt. Ebu Bekr El-siddik, Zoti qoftë i kënaqur me të, ishte më i lartë se sa ai dhe më i denjë për kalifatin, dhe prandaj e mori i pari kalifatin.

Shiitët thonë: “E Drejta e kalifatit ishte e Aliut, Zoti qoftë i kënaqur me të, por atij iu bë një padrejtësi. Dhe Hazreti Aliu ishte më i denji i atyre të gjithëve”. Përmbledhja e argumenteve që ata sjellin për pretendimin e tyre është se ata thonë: Ardhja e haditheve të shumta profetike lidhur me virtytet e Hazreti Aliut, Zoti qoftë i kënaqur prej tij dhe, nëpërmjet titullit të tij “Sulltani i Evlijave”, qënia e tij si burimi për shumicën absolute të shenjtorëve, Evlijave dhe të rrugëve shpirtërore, tarikateve të sufizmit; njohuria e tij e jashtëzakonshme, guximi dhe adhurimi dhe lidhja e fuqishme që Profeti Muhammed a.s.m. e shfaqi ndaj tij dhe ndaj të gjithë pasardhësve të Ehli Bejtit që do ta kishin prejardhjen prej tij, e gjitha kjo tregon se imam Aliu ishte më i denji, më i meritueshmi. Kalifati ishte gjithmonë e drejta e tij; kalifati iu rrëmbye.

Përgjigjja: Fakti që imam Aliu, Zoti qoftë i kënaqur prej tij, ndoqi tre kalifët e parë, të cilët në mënyrë të përsëritur i njohu dhe i pranoi, dhe fakti që ai mbajti postin e Shejhul islamit, Gjykatësit më të lartë të drejtësisë, për më shumë se njëzet vjet, i hedh poshtë këto pretendime të Shiitëve. Për më tepër, fitoret e islamit dhe luftërat kundra armiqve të tij në kohën e tre kalifëve të parë ndryshe nga ngjarjet e rënda dhe trazirat që ndodhën në kohën e imam Aliut; të gjitha këto i refuzojnë përsëri pretendimet e Shiitëve nga këndvështrimi i kalifatit. Domethënë, pretendimi i Sunitëve është i drejtë.

Në qoftë se do të thuhej: Shiitët janë dy grupe: Njëri janë ‘Shiitët e Shenjtërisë’ dhe tjetri janë ‘Shiitët e kalifatit’.

Për shkak të përzierjes së urrejtjes dhe të politikave në pretendimet e tij, grupi i dytë mund të jetë i padrejtë, mirëpo grupi i parë nuk ka synime apo ambicie politike. Përveç kësaj, Shiitët e shenjtërisë iu bashkuan shiitëve të kalifatit. Domethënë, disa shenjtorë, Evlija të tarikateve Sufi e konsideruan Imam Aliun, Zoti qoftë i kënaqur prej tij, se ishte më i larti dhe miratuan e mbështetën pretendimet e shiitëve të kalifatit.

Përgjigjja: Është e domosdoshme të shikohet Hazreti Aliu nga dy këndvështrime ose dy drejtime:

Drejtimi i parë: Ai duhet të shikohet nga këndvështrimi i virtyteve të tij personale dhe nga këndvështrimi i rangut të lartë të personit të tij.

Drejtimi i dytë: Duhet që ai të shikohet nga këndvështrimi i përfaqësimit të tij personalitetin kolektiv të Ehli Bejtit. Personaliteti kolektiv i Ehli Bejtit reflekton një aspekt të natyrës esenciale të Profetit më të nderuar a.s.m…

Dhe kështu, për sa ka të bëjë me drejtimin e parë, të gjithë njerëzit e së vërtetës me në krye Hazreti Aliun u dhanë përparësi Hazreti Ebu Bekrit dhe Hazreti Umerit, Zoti qoftë i kënaqur me ta. Ata i shikuan rangjet e atyre të dyve si më të larta në shërbimin e islamit dhe në afërsinë me Krijuesin.

Sa për drejtimin e dytë lidhur me qënien e tij si përfaqësuesi i personalitetit kolektiv të Ehli Bejtit, personaliteti kolektiv i familjes së profetit a.s.m. duke përfaqësuar një aspekt të së vërtetës Muhammedane, Hazreti Aliu nuk ka të barabartë, shok. Kështu, hadithet e shumta profetike që lavdërojnë Hazreti Aliun, Zoti qoftë i kënaqur me të, dhe që tregojnë virtytet e tij janë për hir të këtij drejtimit të dytë. Ndodhet një rrëfenjë e shëndoshë e cila e mbështet këtë fakt. Profeti Muhammed a.s.m. tha: “Pasardhësit e çdo profeti janë nga vetë profeti, ndërsa pasardhësit e mi janë ata prej Aliut”.[8]

Arsyeja pse hadithet që lavdërojnë Hazreti Aliun më shumë se sa tre kalifët e tjerë janë të përhapur gjërë është se njerëzit e së vërtetës, domethënë sunitët i përhapën rrëfenjat që erdhën lidhur me personalitetin e Hazreti Aliut, Zoti qoftë i kënaqur me të, përballë sulmeve të Umevitëve dhe Havarixhëve kundra tij dhe kundra përçmimit të tyre të padrejtë ndaj tij. Meqenëse kalifët e tjerë të udhëzuar drejtë nuk u zbuluan para kritikave dhe përçmimeve të tilla, nuk u ndie nevoja për të përhapur hadithe rreth tyre.

Për më tepër, Profeti Muhammed a.s.m. shikoi me syrin e profetësisë se Hazreti Aliu në të ardhmen do të zbulohej para ngjarjesh të dhimbshme dhe konfliktesh të brendshme dhe, me qëllim që ta shpëtonte atë nga dëshpërimi dhe ta shpëtonte komunitetin e tij nga të menduarit keq për të, ai e ngushëlloi imam Aliun dhe e udhëzoi komunitetin e tij me hadithe të rëndësishëm të tillë, si  “Prijësi i cilitdo që të jem, edhe Aliu gjithashtu është prijësi i tij”.[9]

Dashuria e tepruar e Shiitëve të shenjtërisë ndaj imam Aliut dhe vlerësimi i tyre për të duke e konsideruar si më të lartin për shkak të ndikimit të Tarikatit Sufi nuk i bën ata përgjegjës deri tek shkalla e përgjegjësisë së Shiitëve të kalifatit, sepse sipas rrugës së tyre njerëzit e shenjtërisë shikojnë me dashuri drejt udhëheqësve të tyre shpirtërorë. Dhe shenja e dashurisë është tepria, ajo dëshiron ta shohë të dashurin si më të madh se sa rangu i tij. Ata në fakt e shikojnë kështu çështjen.

Njerëzit e dalldisur mund të jenë të shfajësuar gjatë shpërthimit të dashurisë tek ato dhe gjatë kohës që ajo i sundon, por me kusht që vlerësimi i tyre për Aliun si më i denji, vlerësimi që buron nga dashuria e tyre, të mos shndërrohet në përçmim e armiqësi ndaj kalifëve të tjerë të drejtë dhe të mos kalojnë përtej mësimeve themelore të islamit, ky vlerësim mund të jetë i justifikueshëm.

Sa për Shiitët e kalifatit, meqenëse i mbërtheu paragjykymi politik, ata nuk mund të shpëtojnë nga urrejtja dhe nga agresioni dhe, ata e humbën të drejtën për t’u shfajësuar. Madje ata e shfaqin hakmarrjen e tyre ndaj Umerit në formën e dashurisë së Aliut, meqë krenaria kombëtare Persiane u plagos nga dora e Hazreti Umerit, Zoti qoftë i kënaqur prej tij, saqë ata miratuan dhe mbështetën thënien:  “Jo për dashurinë e Aliut, por nga urrejtja për Umerin”. Gjithashtu rebelimi i Amr Ibn El-A’s kundra Hazreti Aliut, Zoti qoftë i kënaqur prej tij dhe luftimi tragjik i Umer Ibn El-Sad kundra Hazreti Hysejnit, Zoti qoftë i kënaqur prej tij, zgjuan tek Shiitët një zemërim të fortë dhe një armiqësi të tepruar ndaj Emrit ‘Umer’.

Shiitët e shenjtërisë nuk kanë të drejtë t’i kritikojnë Sunitët, sepse Sunitët nuk e përçmojnë Hazreti Aliun, përkundrazi, ata e duan atë me sinqeritet. Por ata i shmangen dashurisë së tepruar e cila përshkruhet si e dëmshme dhe e rrezikshme në hadithe. Lavdërimi i Profetit a.s.m. për ndjekësit e Hazreti Aliut në hadithe u referohet Sunitëve, sepse ndjekësit e Hazreti Aliut që e duan atë në mënyrë të moderuar janë Sunitët, të cilët janë njerëzit e së vërtetës.

Ashtu si dashuria e tepruar për Jezusin, Isain a.s., që është e rrezikshme për krishterët, po ashtu është bërë e qartë në hadithe të sakta se “Ai lloj i tepruar dashurie për Hazreti Aliun është e rrezikshme”[10].

Në qoftë se Shiitët e Shenjtërisë thonë: “Pasi të pranohen virtytet dhe cilësitë e jashtëzakonshme të Hazreti Aliut, Zoti qoftë i kënaqur prej tij, nuk mund të preferohet Hazreti Ebu Bekri  El-Siddik dhe nuk mund të pranohet epërsia e tij mbi imam Aliun”

Përgjigjja: Në qoftë se do të vendoseshin në pjatën e peshores virtytet personale të Hazreti Ebu Bekrit ose virtytet e Hazreti Umerit, Zoti qoftë i kënaqur prej të dyve së bashku me arritjet dhe shërbimet e tyre të mëdhaja në kohën e kalifateve të tyre të realizuara nëpërmjet përmbushjes së funksioneve të tyre të trashëguara nga profetësia, dhe të vendoseshin në pjatën tjetër të peshores veçoritë e jashtëzakonshme të Hazreti Aliut, Zoti qoftë i kënaqur prej tij, së bashku me konfliktet e brendshme të kalifatit në kohën e tij  të cilat u shkaktuan prej ngjarjeve tragjike tek të cilat ai qe i detyruar të futej dhe të cilat ishin objekte dyshimi e mendimi të keq, nuk ka dyshim se pjata e peshores së Hazreti Ebu Bekrit ose pjata e peshores së Hazreti Umer El-Farukut ose pjata e peshores së Hazreti Uthman Dhun-Nurejnit do të ishin më të rënda, do të peshonin më shumë. Dhe këtë peshim më të rëndë e panë Sunitët dhe prandaj ata i preferuan ata të tre mbi imam Aliun.

Për më tepër, ashtu siç është provuar në Fjalën e Dymbëdhjetë dhe në Fjalën e Njëzet e Katërt, shkalla e profetësisë është aq e lartë në krahasim me shkallën e shenjtërisë, saqë një manifestim i vogël i saj është më i lartë se sa manifestimi më i madh i shkallës së shenjtërisë.

Atëherë nga ky këndvështrim, pjesa e secilit prej El-Siddikul Al-Ekber, dhe ajo e Faruk El-A’dhami, për sa i përket trashëgimisë së Profetësisë dhe themelimit të ligjeve të saj, u shtua nga ana Hyjnore. Atëherë suksesi që ata të dy patën gjatë kalifatit të tyre u bë një tregues dhe një argument për Sunitët. Dhe meqenëse virtytet personale të jashtëzakonshme të Hazreti Aliut nuk e hedhin poshtë atë pjesë të shumtë të shtuar që erdhi nga trashëgimia e Profetësisë, Hazreti Aliu veproi si Shejhul Islam -Gjykatësi më i lartë i drejtësisë- për dy Shejhët e nderuar Ebu Bekrin dhe Umerin në kohën e kalifateve të tyre dhe mbajti qëndrim të bindur ndaj atyre të dyve. A është e mundur që njerëzit e së vërtetës, Sunitët të cilët e duan dhe e nderojnë Hazreti Aliun, të mos i duan e t’i respektojnë dy Shejhët të cilët vetë Hazreti Aliu  i deshi dhe i nderoi me sinqeritet? Le ta sqarojmë këtë të vërtetë nëpërmjet një shembulli:

Një burrë shumë i pasur e shpërndau trashëgiminë dhe pasurinë e tij të madhe midis fëmijëve të tij. Kështu, ai i dha njërit prej tyre njëzet rotl (gur, peshë) argjend dhe katër rotl flori; një tjetri i dha pesë rotl argjend dhe pesë rotl flori dhe një tjetri i dha tre rotl argjend dhe pesë rotl flori: Nuk ka dyshim se dy të fundit pavarësisht se morën më pak se i pari nga sasia, por ama ata të dy morën më shumë se ai nga cilësia.

Dhe kështu në dritën e këtij shembulli, shtesa e pakët në pjesën e dy Shejhëve prej floririt të “afërsisë së menjëhershme Hyjnore” që u manifestua prej trashëgimisë së profetësisë dhe themelimit të ligjeve të saj peshon më shumë se sa virtytet personale, xhevahiret e shenjtërisë dhe të ‘Afërsisë Hyjnore’ të Hazreti Aliut, Zoti qoftë i kënaqur me të. Këto pika gjithashtu duhet të merren në konsideratë kur bëhet peshimi. Por në qoftë se ata do të krahasoheshin me njëri-tjetrin nga këndvështrimi i guximit personal, i njohurisë dhe i aspektit të shenjtërisë, atëherë forma e së vërtetës, do të ndryshonte.

Gjithashtu nuk mund të ketë krahasim lidhur me personalitetin kolektiv të Ehli Bejtit, i cili u përfaqësua me personin e Imam Aliut, Zoti qoftë i kënaqur me të dhe, lidhur me të vërtetën Muhammedane e cila u përfaqësua në atë personalitet kolektiv nëpërmjet trashëgimisë absolute të profetësisë; sepse në këtë anë është përfshirë misteri madhështor i Profetit më të madh a.s.m..

Sa për Shiitët e kalifatit, ata nuk kanë të drejtë përveç turpit përpara Sunitëve, sepse megjithëse pretendojnë se kanë dashuri shumë të madhe ndaj Hazreti Aliut, ata e përçmojnë atë, sepse medhhebi i tyre bën të domosdoshëm akuzën ndaj tij për pamoralshmëri -Ruajna Zot!, sepse ata thonë: “Megjithëse Ebu Bekër El-Siddiku dhe Umer El-Faruku vepruan me padrejtësi, Hazreti Aliu u shtir në miratimin e tyre dhe i pati frikë”. Dhe sipas terminologjisë Shiite, Imam Aliu, u shtir -fshehu qëllimin, ndjenjat-. Domethënë ai u frikësua prej tyre dhe veproi me hipokrizi.

Ta përshkruash këtë hero të madh të islamit i cili fitoi titullin “Luani i Allahut”, dhe i cili u bë komandant e ministër tek Dy të Vërtetit..

Unë them se ta përshkruash atë se qenka shtirur, qenka frikësuar, se qenka hequr sikur i do ata që nuk i do me të vërtetë dhe se paska ndjekur të padrejtët më shumë se njëzet vite duke i miratuar me shtirje nën sundimin e frikës, kjo nuk është dashuri. Hazreti Aliu nuk do ta pranonte një dashuri të tillë.

Kështu medhhebi i njerëzve të së vërtetës nuk e përçmon absolutisht Hazreti Aliun, as nuk e akuzon atë për pamoralshmëri. Ky medhheb nuk i atribuon frikë këtij heroi të shquar, por njerëzit e këtij medhhebi, Sunitët, thonë: “Në qoftë se Hazreti Aliu nuk do ta kishte parë të drejtë, tek kalifët e udhëzuar drejtë, ai nuk do t’i kishte pranuar ata as edhe për një minut dhe nuk do t’u ishte bindur atyre”. Kjo do të thotë se meqenëse Hazreti Aliu e njohu se ata janë të drejtë dhe pranoi qënien e tyre më të preferueshëm, ai e sakrifikoi trimërinë e tij të jashtëzakonshme në rrugën e dashurisë për të vërtetën, në rrugën e drejtësisë.

Shkurtazi: Nuk është e mirë as ajo që kalon cakun, as ajo që lihet e mangët. Moderimi është rruga e mesme dhe këtë kanë zgjedhur Sunitët. Por me keqardhje, ashtu siç kanë hyrë deri në një farë shkalle idetë e Havarixhëve tek Sunitët, po ashtu ato janë të joshur pas politikës dhe ateistët e kritikojnë Hazreti Aliun, Zoti qoftë i kënaqur me të, dhe thonë, Ruajna Zot! “Meqenëse nuk i kuptoi politikat, ai nuk ishte plotësisht i denjë për kalifatin dhe nuk mundi ta drejtonte”. Dhe për shkak të këtyre akuzave të padrejta të tyre, Alevitët -Shiitët- ndjehen të fyer e të indinjuar prej Sunitëve. Gjendja është se parimet e sunitëve dhe themelet e medhhebit të tyre nuk i bëjnë të domosdoshme këto ide, përkundrazi ato provojnë të kundërtën.

Prandaj, Sunitët nuk mund të dënohen për shkak të ideve të tilla që vijnë nga Havarixhët dhe nga Ateistët. Përkundrazi, Sunitët janë ndjekës e përkrahës më të fortë ndaj Hazreti Aliut se sa Shiitët. Sunitët e përmendin Imam Aliun në mënyrën lavdëruese që ai e meriton në të gjitha hutbet e predikimet, dhe në duatë e tyre. Në mënyrë të veçantë Evlijatë dhe dijetarët e pastër, shumica absolute e të cilëve ishin prej medhhebit të Sunitëve, e pranuan atë si udhëzuesin e tyre shpirtëror dhe si prijësin, mbretin e shenjtërisë.

Shiitët duhet t’i shpërfillin Havarixhët dhe ateistët të cilët në mënyrë të meritueshme kanë fituar armiqësinë si atë të Shiitëve po ashtu edhe atë të Sunitëve dhe të mos marrin anën kundra njerëzve të së vërtetës.

Madje disa Shiitë e braktisin Sunnetin e Profetit nga inati për Sunitët!

Dhe kështu, o Sunitë që jeni njerëzit e së vërtetës!

Dhe o Shiitë që e keni marrë dashurinë për Ehli Bejtin si rrugën tuaj!

I jepni fund menjëherë këtij kundërshtimi të pakuptim, të pabesë, të padrejtë dhe të dëmshëm ndërmjet jush.

Përndryshe, rryma ateiste, e cila sundon tani dhe ka shumë influencë, do ta bëjë njërin prej jush një vegël kundra tjetrit dhe do ta përdorë njërin për të shtypur e dërrmuar tjetrin.

Dhe pasi të shpartallojë njërin, ajo do të shkatërrojë veglën, instrumentin. Meqenëse ju jeni besimtarë në Unitetin Hyjnor, do të ishte e domosdoshme që t’i lini mënjanë çështjet e pjesshme e të parëndësishme të cilat shkaktojnë grindje e kundërshti ndërsa ndodhen qindra lidhje të shenjta midis jush të cilat urdhërojnë e bëjnë thirrje për vëllazëri e unitet.

 

* * *

 

 

STACIONI I DYTË[11]

Stacioni i dytë do të jetë rreth të vërtetës së dytë të vërsetit,

 

“Por nëse ata kthejnë kurrizin, atëherë thuaju (o Muhammed a.s.m.): “Allahu është më se i mjaftueshëm për mua.

Nuk ka Zot tjetër përveç Atij. Tek Ai unë mbështetem plotësisht dhe Ai është Zoti i Arshit Madhështor”[12]

 

* * *

 

[1] Kur’an, 9:128-9

 [2] Kur’an, 42:23

[3] Transmeton Buhariu

[4] Abdul Kadir Gejlani, u lind në vitin 470 sipas Hixhretit dhe ndërroi jetë në vitin 561. ai qe themeluesi i tarikatit Kadiri. Përkthyesi.

[5] Kur’an, 42:23

[6] Kur’an, 49:13

[7] Trasnsmeton Tirmidhiu

[8] Transmeton Tibraniu

[9] Transmetojnë Ahmedi dhe Tirmidhiu

[10] Transmeton Buhariu

[11] Shënim: Ky stacioni i dytë u shkrua më vete; ai është  shkreptima e Njëmbëdhjetë. Autori.

[12] Kur’an, 9:129