Feja islame

Me lidhje fjalëformuese e semantike me fjalët silm (paqe, paqtim) dhe selamet (sukses, shpëtim), islam do të thotë dorëzim i robit te Zoti, ndjekje e urdhrave të Tij, hyrja në një rrugë të qetë, në paqe e siguri dhe ecje drejt suksesit dhe shpëtimit, premtim sigurie kujtdo, madje gjithçkaje, moskrijim shqetësimi për askënd.

Islam është titulli i fesë qiellore me bazat të mbështetura në mesazhet e Allahut, Zotit të gjithësisë, të kumtuar e të përfaqësuar si dhe të jetuar vetë e të mundësuar edhe për të tjerët për t’u jetuar nga Profeti Muhamed (s.a.s.).

Feja islame përbëhet nga konkluzionet besimore-itikadípraktike-amelí (adhurimet, marrëdhëniet civile, penaliteti) dhe morale-ahlakí.

Ja pra, fe është titulli hyjnor i qenies së Islamit jetë për jetën me të gjitha konkluzionet, ndarjet dhe fakultetet e tij. Nisur nga kjo, quhen të vetëgënjyer ata që e shohin fenë vetëm si identitet të besimit fetar.

Themeli dhe kreu i Islamit është besimi dhe kuptimi. Domethënë të besosh në të vërtetën hyjnore në mënyrë të palëkundur, pa i dhënë mundësi të kundërtës dhe lidhja e zemrës pas të Vërtetës, Zotit. Ndërsa maja dhe kulmi i saj është zbatimi i përgjegjësive me ndjeshmërinë më të lartë sikur ta kishe Zotin para, ta shihje Atë e të shiheshe prej Tij, gjë që quhet në terminologji ihsanmirësi, si dhe kryerja e çdo akti me bosht fitimin e miratimit dhe pëlqimit të Zotit, gjë që quhet në terminologji ihlasprincipialitet dhe sinqeritet.

Institucionaliteti fetar: Është shndërrimi i besimit fetar dhe fesë në jetë, pra, përfaqësimi dhe zbatimi në jetë. Besimtari i fesë islame quhet muslim, musliman dhe nënkupton njeriun i cili u është dorëzuar dhe nënshtruar mesazheve të Islamit, i cili përfaqëson qetësinë, paqtimin, suksesin dhe shpëtimin. Këtë emër, besimtarit islam ia ka dhënë Allahu i Lartë në Kuran: “…Ai ju ka quajtur juve myslimanë qysh më parë (në Shkrimet e Shenjta) dhe në këtë (Kuran)..” (Haxh, 22/78)[1]

Besimtari: Fjala mu’min (besimtar) do të thotë njeri i besueshëm, me personalitet të shëndoshë, që jep siguri, që i beson Allahut dhe e vërteton Atë, që e pohon besimin me ndërgjegje dhe e ndjen me zemër. Me kuptimin e vet të posaçëm, është njeriu që i beson fesë së Allahut të përcjellë nga Profeti Muhamed (s.a.s.) dhe që e vërteton këtë fe. Megjithëse emërtimet mu’min dhe muslim kanë dallime nuancash kuptimore mes tyre, përdoren në vend të njëri-tjetrit.

Po qe se i shtjellojmë pak këto përkufizime, besimtari, për nga këndvështrimi i faktit që me arsyen e shëndoshë dhe mirëkuptimin, me zgjuarsinë dhe aftësinë parashikuese, me mendjen e pastër e të kthjellët të ndriçuar nga revelacioni hyjnor, me botëkuptimin e gjerë dhe objektiv, me vështrimin e shëndoshë dhe gjithëpërfshirës, me ndjeshmërinë dhe korrektesën në përgjegjësitë, me vendosmërinë dhe qëndrueshmërinë kundër të këqijave, gjatë gjithë jetës është në ndjekje të gjërave të larta e sublime e kapet pas tyre, që me ndjenjën, vetëdijen dhe vullnetin të cilët mundet t’i mbajë të gjallë çdo kohë, me hetimin për të arritur kompetencën në thelbin e çdo gjëje dhe kuptimin e thellë në interpretimin e ngjarjeve dhe dukurive, i bindet Allahut dhe ka siguri te Ai dhe mes njerëzve njihet si njeri i besueshmërisë e i sigurisë, që e vërteton të Vërtetën (Zotin) dhe i mbetet gjithmonë besnik, që njihet si njeri besnik ndaj amanetit dhe kujtohet si njeri të cilit mund t’i drejtohesh gjithmonë për t’i lënë një amanet, që njihet dhe pranohet si i tillë nga ndërgjegjja publike, që bëhet pretekst kudo që ndodhet e dëgjohet për përmendjen e të Vërtetës (Zotit) dhe që i orienton me fjalët e qëndrimet e veta për tek e Vërteta (Zoti) të gjithë ata që i shkojnë pranë ose shoqërohen me të, për nga këndvështrimi i të gjitha këtyre fakteve, pra besimtari, mbështetur në parimin e “përkushtimit gjer në vetëmohim ndaj përkryerjes së fjalës absolute”, është një hero i vërtetë i vërtetimit, shpjegimit dhe përfaqësimit të besimit!

Fetar: Njeri fetar quhet personi që e beson duke e jetuar dhe përfaqësuar fenë islame me të gjitha elementët e saj të besimit, veprimit dhe moralit.

Akti (adhurimor ose civil) pa besim është hipokrizi, kurse besimi pa akt është defekt (mangësi gjer në mëkat). Ndërsa hipokrizia është një mohim (kufr) i fshehtë, për pasojë, me pamundësi faljeje, defekti dhe mëkati e ka gjithmonë të hapur mundësinë e faljes me anë të pendimit, pendesës dhe rikthimit kah Zoti. Nisur nga kjo, po qe se dikush, edhe pse nuk kryen detyrat fetare, pra nuk e vë fenë në jetë, nuk e nënvleftëson atë, për të duhet menduar gjithmonë pozitivisht dhe nuk duhet nxituar për të konkluduar për kufr për të. Përkundrazi, po qe se dikush, jo vetëm që nuk i kryen detyrat fetare, por edhe i nënvleftëson dhe i përbuz muslimanët ngaqë janë muslimanë, sigurisht që për të është e pamundur të mendohen të njëjtat gjëra pozitive!

Allahu ia ka favorizuar njerëzimit një udhëzues që do ta çonte njeriun edhe në këtë botë, edhe në jetën e pasme (ahiret) në qetësinë e vërtetë e të përhershme në kënaqësinë pa dhimbje, me anë të kumtimit dhe përfaqësimit të Profetit Muhamed (s.a.s.). Islami është emri i këtij favori dhe e kësaj mirësie të pashoqe. Në këtë fe, sipas arsyes së shëndoshë dhe mendimeve të drejta, jo vetëm nuk ka ndonjë boshllëk dhe mungesë përgjigjeje për dëshirat, kërkesat dhe pritjet e njeriut, por as është bërë fjalë për ndonjë kontradiktë në urdhrat e krijimit dhe në interpretimin e tyre. Veçanërisht, krahas të gjitha këtyre, me premtimet për lumturinë shpirtërore, pëlqimin e Zotit dhe mundësinë për ta parë Atë, Islami është një sistem hyjnor përjashtimisht i zgjedhur, i planifikuar sipas karaktereve, kapaciteteve, qëllimeve dhe prirjeve tona!

 

[1] Këtu është një fjali që ne s’e përkthyem (sepse nuk ka lidhje me konceptualitetin dhe realitetin shqiptar), ku thuhet se nuk është e drejtë që muslimani të quhet islamxhi. Por edhe termi muslimanizëm që përdoret në këtë libër, në realitetin turk, por edhe në atë shqiptar, nuk është i drejtë ose, më saktë, është një shtrembërim konceptual për shkaqe të ndryshme, disa herë edhe për naivitet. Përkthyesi.