Në arabisht agjërimi emërtohet savm dhe do të thotë “largim, pengim, shkëputje, ndërprerje”. Kurse si term do të thotë “ndërprerje e ngrënies, pirjes dhe marrëdhënieve seksuale nga agimi gjer në mbrëmje me një synim të caktuar dhe në mënyrë të vetëdijshme.”

Si shumë konkluzione dhe urdhra, edhe agjërimi është bërë farz jo në vitet e para të Islamit, por në periudhën e Medines. Si datë, agjërimi është bërë detyrim në muajin shaban të vitit të dytë të hixhretit.

Çdo fe u ka sjellë ndjekësve të saj një sërë urdhrash dhe ndalimesh duke i bërë përgjegjës për respektimin e tyre. Kjo përgjegjësi ekziston pak a shumë në të gjitha fetë, qofshin të vërteta apo bestyte. Personi që përfaqëson një fe dhe mendim, e tregon besnikërinë ndaj saj vetëm me këto veprime, pra duke i zbatuar urdhrat dhe duke iu shmangur akteve dhe veprimeve të ndaluara. Edhe Islami si fe e drejtë dhe e vërtetë, i ka urdhëruar përfaqësuesit e vet të kryejnë disa adhurime duke e vënë këtë si kusht të të qenit mysliman. Kurani i trajton çështjet në përgjithësi, kurse ai që e ka zbërthyer atë në hollësi, është i Dërguari i Allahut të cilit i është zbritur Kurani. Prandaj, komentuesi më i madh i Kuranit është i Dërguari i Allahut, profeti Muhamed.

 

Argumente për faktin që agjërimi është farz, gjenden edhe në Kuran, edhe në hadithet dhe veprimet e Profetit (Sunet).

a) Argumentet nga Kurani për farzin e agjërimit

Ajetet si më poshtë tregojnë se në fenë islame agjërimi është farz (detyrim). “O ju që keni besuar, ashtu siç u bë mbajtja e agjërimit farz për paraardhësit tuaj, u bë edhe për ju që të ruheni[1]!” “Ato ditë të numëruara janë muaji i Ramazanit. Në atë muaj u zbrit Kurani që përmban argumentet më të hapura e të shkëlqyera, që është udhëzues për njerëzimin, që i çon njerëzit në rrugë të drejtë dhe e ndan të drejtën nga e shtrembra. Tani e tutje, kush nga ju e sheh hënën e re të muajit të ramazanit, të agjërojë. Kush është i sëmurë ose udhëtar, t’i agjërojë më pas, aq ditë sa ka lënë pa agjëruar. Allahu kërkon për ju lehtësi, jo vështirësi. Ai kërkon t’i plotësoni ditët e agjërimit dhe ta madhëroni Atë që ju tregon rrugën e drejtë. Allahu ju bën këtë lehtësi që ta falënderoni![2]

b) Argumentet nga Suneti për farzin e agjërimit

“Islami është ngritur mbi pesë parime: dëshmimi se nuk ka zot tjetër veç Allahut dhe profeti Muhamed është robi dhe i dërguari i Tij, falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i ramazanit, vizita në Qabe për ata që kanë mundësi.[3]

Një transmetim tjetër që bën të ditur se agjërimi është farz, është ky:

“Te Profeti erdhi një burrë me trup e flokë të çrregullt dhe e pyeti: “O i Dërguari i Allahut! A më tregon se ç’ka bërë të detyrueshme si agjërim Allahu për mua?” Dhe Profeti iu përgjigj: “E bëri farz muajin (agjërimin) e ramazanit!” Burri e pyeti përsëri: “A ka për mua ndonjë borxh tjetër veç kësaj?” Profeti i tha: “Jo, përveç asaj që mund të bësh vetë si nafile!” Burri e pyeti Profetin përsëri: “Më trego për zekatin që e bëri Allahu farz!” Profeti i tregoi atij rrugët dhe parimet e Islamit. Më në fund, burri tha kështu: “Betohem në Allahun që të ka dhuruar ty se s’kam për të bërë as më shumë e as më pak se këto që më the!” Atëherë, Profeti tha: “Po qe se thotë drejt, ky njeri ka shpëtuar (ose, sipas një rrëfimi tjetër, do të shkojë në xhenet)![4]

 

[1] Bakara, 2/183.

[2] Bakara, 2/185.

[3] Buhari, Iman, 1; Muslim, Iman, 20; Tirmidhi, Iman, 3.

[4] Buhari, Iman, 3; Savm, 1; Muslim, Iman, 8, 9; Ebu Davud, Salat, 1; Nesai, Salat, 4.