[Letra e Njëzet e Nëntë përbëhet nga Nëntë Pjesë. Kjo, Pjesa e Parë përmban Nëntë Pika]
Me Emrin e All-llahut, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti.
“Dhe s’ka gjë që të mos e lëvdojë lartësinë e Tij.”
Vëllai im i dashur e besnik dhe shoku im i vërtetë në shërbim të Kur’anit!
Këtë herë në letrën tënde ti kërkon një përgjigje për një pyetje të rëndësishme për të cilën as koha ime e as gjendjet e mia nuk më lejojnë që t’i përgjigjem. Vëllai im! Lavdi Zotit, këtë vit numri i atyre që shkruajnë trajtesat është rritur shumë. Kopjet më vijnë mua për korrigjimin e dytë dhe, unë merrem me to duke i bërë me shpejtësi nga mëngjesi gjer në mbrëmje. Detyrat e tjera të rëndësishme mbeten të pakryera. Por unë e shikoj këtë detyrë më të rëndësishme se sa të tjerat. Në dy muajt e Shabanit dhe të Ramazanit në mënyrë të veçantë, zemra merr pjesën e saj më shumë se sa mendja dhe, shpirti bëhet më aktiv! Duke e shtyrë këtë çështje shumë të rëndësishme për një herë tjetër, unë do t’jua shkruaj ju atë gradualisht sa herë që zemra ime të inspirohet nga mëshira e Zotit të Gjithëfuqishëm. Por tani unë do të shpjegoj tre pika1!
Pika e parë: Ndodhen dy aspekte për idenë e shprehur se: “Misteret e Kur’anit të Gjithurtë nuk njihen plotësisht dhe komentatorët e Kur’anit nuk e kuptojnë realitetin e tij.” Dhe ata të cilët e thonë këtë janë dy grupe.
Grupi i parë: janë njerëzit e së vërtetës dhe e dijetarëve të saktë. Ata thonë: Kur’ani është një thesar i pafund e i pashtershëm. Përveç nënshtrimit dhe pranimit të çështjeve të tij të vërtetuara e të pakundërshtueshme, çdo shekull gjithashtu merr pjesën e vet nga të vërtetat e tij të fshehura, në formën e një shtojce apo përplotësimi: ai nuk mund ta cënojë pjesën e njerëzve të shekujve të tjerë prej të vërtetave të fshehura të tij.
Po, domethënë, ndërsa koha kalon, të vërtetat e Kur’anit sqarohen edhe më shumë. Por kjo kurrë nuk do të thotë të hedhësh dyshime lidhur me të vërtetat Kur’anore të aspektit të jashtëm të cilat i shpjeguan gjeneratat e hershme- Es-selefus-salih, sepse besimi në to është i domosdoshëm; ato janë të vërtetuara, të përcaktuara, themelore dhe shtylla bazë. Nëpërmjet dekretit: “Ndërsa Ky (Kur’ani) është gjuhë e kulluar Arabe”[1], ai deklaron se kuptimi i tij është i qartë. Nga fillimi gjer në fund, adresimi Hyjnor vërtitet rreth atyre kuptimeve, duke i mbështetur ato dhe duke i bërë të vetëkuptueshme. Prandaj, refuzimi i atyre kuptimeve të sigurta e të besueshme sugjeron – Ruajna Zot – përgënjeshtrim të fjalës së Zotit xh.sh. dhe fyerje ndaj kuptimit të profetit a.s.m.. Domethënë, ato kuptime autoritare të besueshme janë marrë me radhë nga burimi i profetësisë. Ibn Xherir El-Tabari e shkroi komentin e tij të madh duke i lidhur të gjitha kuptimet e Kur’anit nëpërmjet zinxhirëve të transmetimit autentik me burimin e profetësisë, pra duke ia atribuar të gjitha kuptimet e Kur’anit burimit të profetësisë.
Grupi i dytë: janë ose shokë të marrë të cilët shkaktojnë dëm dhe prishin më shumë se sa rregullojnë, ose ata janë aq armiq tinzarë si djalli të cilët dëshirojnë të kundërshtojnë urdhëresat e Islamit dhe të vërtetat e besimit. Ata dëshirojnë të gjejnë një rrugë për tek suret e fortifikuara të Kur’anit të gjithurtë, të cilat, sipas fjalëve tuaj, janë secila si kështjella çeliku. Këta njerëz dëshirojnë të përhapin ide të tilla si këto me qëllim që -Ruajna Zot!- të shkaktojnë dyshime rreth të vërtetave të besimit dhe të Kur’anit.
Pika e dytë: Në Kur’an, All-llahu i Gjithëfuqishëm betohet nëpërmjet shumë gjërave. Ndodhen mistere të shumta dhe pika kuptimplote të përfshira në betime Kur’anore. Për shembull, betimi tek “(Betohem) për diellin dhe shkëqimin e tij!”[2], formon bazën e krahasimit të shndritshëm në Fjalën e Njëmbëdhjetë. Ajo e tregon universin në formën e një pallati dhe të një qyteti. Dhe nëpërmjet betimit tek Ja-sin, “(Betohem) në Kur’anin e gjithurtë!”, ai të sjell ndërmend shenjtërinë e mrekullisë së Kur’anit, duke treguar se ai është aq i meritueshëm për nderim deri në atë shkallë që mund të betohesh tek ai. Betimi në,
“(Betohem) për yllin kur ai bie (shuhet)!”[3] dhe
“Kështu pra, unë betohem për perëndimin e yjeve! Dhe vërtet që është një betim i madh, veç sikur ta dinit!,”[4] tregojnë se yjet që bien janë një shenjë që xhindet dhe shejtanët janë ndaluar nga marrja e sihariqeve nga e padukshmja me qëllim që ato të mos shkaktojnë dyshime rreth shpalljes. Gjithashtu, ai të kujton nëpërmjet betimeve fuqinë e madhe dhe urtësinë e plotë në yjet me madhështinë e tyre të gjërë duke qenë të vendosura në vendet e tyre me rregull të plotë dhe në planetët që janë bërë të rrotullohen në mënyrë të çuditshme.
Nëpërmjet betimeve, “(Betohem) për erërat që shpërndajnë pluhur!”[5], “(Betohem) për të dërguarit (erërat ose melekët) e çuar një pas një”[6], ai tërheq vëmendjen për tek engjëjt e caktuar për erëra me qëllim që t’u sjellë ndërmend shembujt kuptimplotë të urtësisë në drejtimin e ajrit dhe lëvizjen e tij nëpër valë, sepse elementet, të cilët supozohen të sundohen nga rastësia ,kryejnë detyra të rëndësishme për qëllimet më të holla. Dhe kështu me radhë, çdo pozicion nga pozicionet e betimit.
Ka pika të ndryshme elokuence dhe dobi të ndryshme. Meqenëse koha nuk është e përshtatshme, unë vetëm do të tregoj shkurtazi një pikë të hollë prej shumë pikave në betimin e,
“(Betohem) për fikun dhe për ullirin!”[7], siç vijon:
Nëpërmjet betimit me fikun dhe ullirin, All-llahu i Gjithëfuqi-shëm u kujton pafundshmërinë e fuqisë së Tij, plotësimin e mëshirës së Tij dhe madhështinë e mirësisë së Tij atyre që zbresin tek ultësira më e ulët, duke treguar mundësinë e përparimit të tyre shpirtërisht, nëpërmjet falënderimeve, reflektimit, besimit, dhe veprave të mira, deri tek lartësia më e lartë. Arsyeja për posaçërimin e fikut dhe të ullirit midis mirësive, është se ato dy fruta janë më të bekuarat dhe më të dobishmet, dhe se në krijimin e tyre janë shumë gjëra dhe mirësi të shquara, sepse ulliri përbën një themel të rëndësishëm në jetën shoqër-ore dhe tregtare, për mjetet e ndriçimit dhe për ushqim.
Po ashtu me fikun, në krijimin e tij ai shfaq një mrekulli fuqie si përfshirja e të gjitha anëtarëve të pemës së madhe të fikut në farën e saj shumë të vockël; ai sjell ndërmend mirësitë Hyjnore në qënien e tij si ushqim dhe në dobitë e tij, dhe në qënien e tij i ruajtur, në kundërshtim me shumicën e frutave të tjerë. Ai e instrukton njeriun që të nxjerrë mësime nga këto mirësi, si të besuarit dhe të kryerit e veprave të mira, dhe jo të bie në ultësirën më të ulët.
Pika e tretë: “Shkronjat e shkëputura” në fillimin e disa sureve janë shifra Hyjnore. Zoti i Gjithëfuqishëm i tregon disa shenja të së padukshmes nëpërmjet tyre për shërbëtorin e Tij të veçantë. Çelësi i atyre shifrave është tek ai shërbëtor dhe tek trashëgimtarët e tij. Dhe meqenëse Kur’ani i gjithurtë u adresohet të gjitha periudhave dhe të gjitha grupeve të njerëzimit në çdo kohë e periudhë, ai përmban kuptime të ndryshme dhe aspekte të shumtë gjithëpërfshirëse që janë pjesa e çdo grupi në çdo shekull. Pjesa më e pastër nga kuptimet ishte ajo e Selefu es-salih, e të drejtive nga gjeneratat e para të Islamit, dhe ata e shpjeguan atë.
Njerëzit e shenjtërisë dhe ata të cilët bëjnë kërkime në realitet kanë gjetur në ato shkronja të shkëputura aluzione të shumta që i përkasin udhëtimit të tyre shpirtëror.
Në komentin e quajtur “shenjat e mrekullisë”, në fillimin e sures El-Bekare, ne i diskutuam ato shkronja të shkëputura deri diku nga këndvështrimi i mrekullisë së elokuencës së Kur’anit; asaj vepre mund t’i referoheni.
Pika e katërt: Fjala e Njëzet e Pestë ka provuar se një përkthim i vërtetë i Kur’anit të gjithurtë është i pamundur. Gjithashtu stili i lartë i mrekullisë së tij nuk mund të përkthehet. Do të ishte tej mase e vështirë t’i shprehësh dhe t’i bësh të kuptueshme kënaqësinë dhe realitetin që burojnë nga stili i lartë në mrekullinë e tij. Por ne do të aludojmë për një ose dy aspekte të tij me qëllim që të tregojmë mënyrën, sa vijon:
“Dhe nga treguesit e Tij është krijimi i qiejve dhe i tokës, dhe dallimi i gjuhëve dhe i ngjyrave tuaja.”[8]
“Dhe qiejt do të jenë të mbështjellë në Dorën e Tij të Djathtë.”[9]
“Ai ju krijon ju në barkun (mitrat) e nënave tuaja, krijim pas krijimi (në faza të caktuara) nën tri perde errësire…”[10]
“Ai i Cili krijoi qiejt dhe tokën në gjashtë Ditë.”[11]
“All-llahu ndërhyn ndërmjet njeriut dhe zemrës së tij.”[12]
“Prej të Cilit nuk mund të fshihet as edhe grimca më e vockël.”[13]
“Ai shkrin natën te dita dhe Ai shkrin ditën te nata. Dhe Ai është i Gjithëditur për të gjithë ç’gjindet në gjokse.”[14]
Nëpërmjet vërseteve si këto me një stil të lartë dhe me një gjithëpërfshirje të mrekullueshme, Kur’ani famëlartë përshkruan realitetin e krijueshmërisë për imagjinatën, duke treguar ç’ka vijon:
Autori i botës dhe ndërtuesi i universit ashtu siç i vendosi Diellin dhe Hënën në vendet e tyre përkatëse,po ashtu ai i vendosi grimcat në vendet e tyre, për shembull, në bebet e syve të krijesave të gjalla. Dhe Ai i vendos secilën prej tyre në vendet e tyre përkatëse me të njëjtin instrument dhe në të njëjtin moment.
Dhe Ai ashtu siç i vendos në sistem e në harmoni qiejt, i hap ato si dyer dhe i organizon, po ashtu Ai hap syrin duke lëvizur perdet e tij me drejtpeshim; Ai e realizon këtë me të njëjtin instrument, me të njëjtën vegël jolëndore dhe në të njëjtin moment… Dhe Ai ashtu siç i gozhdon yjet në qiej, po ashtu Ai skalit shenja dalluese të panumërta në fytyrën e njeriut dhe, i mbërthen në të shqisat e tij të jashtme e të brendshme në vendet e tyre përkatëse, me të njëjtin instrument jolëndor të fuqisë së Tij.
Domethënë, me qëllim që Ai t’ua shfaqë veprat e Tij si syrit po ashtu edhe veshit ndërsa Ai vetë është në veprim, Autori madhështor me një fjalë prej vërseteve të Tij Kur’anore godet një grimcë dhe e mbërthen atë në vendin e saj, dhe me një fjalë tjetër prej të njëjtit vërset godet diellin dhe e mbërthen atë mu në qendrën e tij; dhe Ai demonstron Unitetin e Tij brenda Njësisë së Tij, lavdinë e pafundme të Tij brenda bukurisë së Tij të pakufishme, madhështinë e Tij të pafundme brenda maskimit të Tij të pafundmë, dhe gjërësinë e Tij të pafundme brenda saktësisë së Tij të pafundme dhe madhërinë e Tij të pafundme brenda mëshirës së Tij të pafundme. Domethënë shfaq më të skajshmen e shkallëve të kombinimit të të kundërtave- e cila konsiderohet të jetë e pamundur – në fomën e shkallës së domosdoshmërisë; dhe e provon këtë dhe e demonstron.
Kështu, ky lloj shpjegimi e stili i mrekullueshëm i bën gjenitë e mëdhenj të letërsisë që të përkulen përpara elokuencës së tij. Dhe për shembull, nëpërmjet vërsetit,
“Dhe nga Treguesit është se qielli dhe toka qëndrojnë me urdhrin e Tij dhe më pas , kur Ai t’ju thërrasë ju me një thirrje, kur ç’të shohësh! Ju do të dilni nga toka (nga varret tuaj për llogari e shpërblim),”[15]
Zoti i Gjithëfuqishëm tregon madhështinë e sovranitetit të Hyjnisë së Tij në stilin e lartë vijues:
Me një urdhër të vetëm ose me një sinjal si një rënie e borisë, qëniet në qiej e në tokë, të cilat janë si dy kazerma të bindura, ose si dy shtabe të një ushtrie të disiplinuar, do të dalin e do të ngrihen me një gatishmëri e shkathtësi dhe me një bindje të plotë nga gjumi i tyre nën perdet e përkohshmërisë dhe të mosekzistencës. Duke thënë: Nën urdhërat tuaja!” ato do të grumbullohen në fushën e Ringjalljes dhe të gjykimit.
Shiko me çfarë stili të mrekullueshëm dhe të lartë e përshkruan vërseti ringjalljen e të vdekurve dhe Tubimin e Madh, dhe si ai tregon provën e mëposhtme bindëse që përfshihet në pohimin e tij: Ashtu siç dalin farërat të cilat ishin mbuluar, sikur të ishin të vdekura, në errësirën e tokës, dhe pikat të cilat janë të shpërndara e të fshehura në atmosferën e qiellit dhe që janë shpërndarë në hapësirën ajrore dhe, vijnë në jetë me një rregullsi të përkryer dhe me një shpejtësi të plotë, dhe ato shfaqen në fushën e provimit e të testimit në çdo pranverë, saqë farërat e kokrrat në tokë dhe pikat në qiell marrin formën e ringjalljes, ashtu siç është e dukshme, po kështu, në Ringjalljen e madhe, qëniet do të shfaqen me të njëjtën lehtësi. Meqenëse ju e shikoni këtë këtu, ju nuk mund ta mohoni tjetrën, ringjalljen e madhe. Dhe kështu me radhë. Ju mund ta krahasoni shkallën e elokuencës në vërsetet e tjera me këtë vërset.
Atëherë, a do të ishte i mundur të bëhet një përkthim i vërtetë i këtij lloji vërsetesh Kur’anore? Sigurisht, kjo nuk do të ishte e mundur. Tekeshumta, ose duhet t’i japësh kuptime të përgjithshme e të shkurtuara vërsetit Kur’anor, ose një interpretim me pesë ose gjashtë rreshta për çdo frazë.
Pika e pestë: Për shembull, “El-Hamdu liL-Lahi”– i gjithë lavdërimi i takon All-llahut, është një frazë Kur’anore. Kuptimi më i shkurtër i saj që kërkohet nga rregullat e gramatikës dhe të retorikës është ky:
Çdo shembull individual i të gjitha llojeve të lavdërimit që janë bërë prej cilitdo lavdërues për cilindo qysh nga parapërjetësia deri tek paspërjetësia, janë të posaçme dhe i takojnë vetëm Ekzistuesit të domosdoshëm, i Cili njihet me Emrin All-llah.
Kjo është siç vijon: Çdo shembull individual i të gjitha llojeve të lavdërimit, është si rrjedhojë e nyjës shquese “el” në “el-Hamdu”. Sa për cilësimin e “që janë bërë prej cilitdo lavdërues”, meqenëse ‘lavdërimi’ (Hamdi) është një emër foljor dhe emri i vepruesit është lënë jashtë, ajo shpreh përgjithshmëri në atë kuptim. Dhe duke e lënë jashtë edhe emrin mbi të cilin bie veprimi, ajo përsëri shpreh pëgjithshmëri dhe gjithësishmëri, dhe prandaj ajo shpreh cilësimin, “për cilindo”.
Sa për cilësimin e “qysh nga parapërjetësia për tek paspërjetësia”, ajo shpreh vazhdimësi e qëndrueshmëri sipas rregullit të zhvendosjes nga një fjali foljore në një fjali emërore. “Lami” parafoljor tek “Lil-Lah” (e Zotit), shpreh kuptimin e “pronësisë së posaçme dhe të meritës.”
Sa për cilësimin e “(i takojnë vetëm) Ekzistuesit të Vetëm të domosdoshëm, i Cili njihet me Emrin All-llah”, meqenëse ekzistenca e domosdoshme është kusht i domosdoshëm i Hyjnisë dhe një term që tregon Esencën e të Gjithëlavdishmit, duke përfshirë të gjithë Emrat Hyjnorë dhe atributet dhe, duke qenë Emri më i madh, Emri “All-llah” në mënyrë të domosdoshme tregon edhe ekzistencën e domosdoshme, edhe titullin e “Ekzistuesi i Vetëm i domosdoshëm.”
Në qoftë se më i shkurtëri i kuptimeve të jashtme të frazës “I gjithë lavdërimi i takon All-llahut”, është kështu, mbi të cilën kanë mendim të pajtueshëm e unanim të gjithë dijetarët e gjuhës arabe, atëherë si do të ishte e mundur që të përkthehet Kur’ani në një gjuhë tjetër me të njëjtën mrekulli e fuqi?
Për më tepër, midis të gjitha gjuhëve të botës, ndodhet vetëm njëra e cila mund të krahasohet me arabishten në të qënit gjuha e gramatikës, dhe ajo nuk mund ta arrijë kurrë gjithëpërfshirjen e arabishtes. A do të ishte e mundur për përkthimet e bëra nëpërmjet gjuhëve të tjera të përbëra dhe eptimore nga njerëzit, shkalla e të kuptuarit të të cilëve është e pjesshme, që perceptimi i tyre është i mangët, që idetë e të cilëve janë të ngatërruara dhe që zemrat e të cilëve janë të errëta, të marrin vendin e fjalëve të shenjta të Kur’anit, të cilat janë shfaqur në mënyrë të mrekullueshme në atë gjuhë gramatikore gjithëpërfshirëse të mrekullueshme brenda një njohje gjithëpërfshirëse e cila i njeh të gjitha aspektet përnjëherësh dhe që i dëshiron ato. Unë madje mund të them, dhe ndoshta e provoj se secila prej fjalëve të Kur’anit është si një thesar të vërtetash, ndonjëherë, vetëm një shkronjë përmban aq të vërteta sa të mbushë një fletë të plotë.
Pika e gjashtë: Unë do të tregoj një eksperiencë të ndritshme dhe një vizion të vërtetë që kam pasur me qëllim që ta ndriçoj këtë kuptim, ajo është si më poshtë vijon:
Një herë, unë po mendoja thellë rreth përdorimit të vetes së parë shumës në vërsetin “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ne kërkojmë ndihmë,”[16] dhe zemra ime po kërkonte arsye, përse veta e parë njëjës ishte këmbyer duke kaluar në vetën e parë shumës tek “Ne Ty të adhurojmë.”- (Na’budu). Papritmas nga ai “Nun” m’u zbuluan misteri dhe virtytet e kryerjes së faljeve me xhemaat. Unë pashë se për shkak të pjesëmarrjes sime me xhemaat në xhaminë Bajazit, ku unë po kryeja faljen, çdo anëtar i xhematit u bë një lloj ndërmjetësi për mua. Dhe unë pashë se çdo individ prej atij xhemati u bë dëshmitar dhe mbështetës për të gjitha shprehjet, dispozitat dhe për pohimet në recitimet e mia.
Kjo shkaktoi tek unë një kurajo të mjaftueshme që të paraqes adhurimin tim të mangët dhe ta ngrej atë të bashkuar me ibadetin e madh të atij xhemati për tek prania e shenjtë Hyjnore.
Dhe ndërsa po hulumtoja mbi këtë, papritmas një perde tjetër u ngrit dhe pashë se të gjitha xhamitë e Stambollit u lidhën e u bashkuan me njëra-tjetrën dhe ai qytet u bë si xhamia Bajazit. Ndërkohë, befas, unë ndjeva sikur po merrja duatë dhe miratimin e tyre. Atëherë brenda saj, unë e pashë veten time në xhaminë e faqes së tokës, në rreshtat rrethorë përreth Qabesë së nderuar dhe, lavdërova shumë All-llahun duke thënë: “El hamdu lil-lahi Rabbil alemin” – I gjithë lavdërimi i takon Zotit të të gjitha botëve!…
Unë kam aq shumë ndërmjetësa sa ky numër i madh i kësaj shumice; ata thonë pikërisht të njëjtat fjalë që them unë në namaz, duke miratuar gjithçka që unë them.
Unë thashë: meqenëse kjo perde u ngrit me imagjinatë.. dhe u bë Qabeja e shquar si Mihrabi i banorëve të tokës, atëherë unë do ta shfrytëzoj këtë rast dhe, do të vendos në të esencën e imanit të cilën unë e përmend në tesheh-hud e cila është:
“Esh-hedu en la ilahe il-lall-llah, ve eshhedu enne Muhammeden Resulull-llah.” – Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç All-llahut, dhe dëshmoj se Muhammedi është i dërguari i Zotit.”, dhe do ta lë amanet tek Guri i Zi i Qabesë duke i marrë të gjithë rreshtat e xhematit si dëshmitarë për këtë.
Ndërsa duke e thënë këtë, u zbulua para meje një situatë tjetër: unë pashë se xhemati, pjesë e të cilit isha edhe unë, u nda në tre rrathë:
Rrethi i parë ishte xhemati i gjërë i besimtarëve dhe i atyre që e vërtetojnë Unitetin Hyjnor në faqen e tokës.
Rrethi i dytë: është xhemati i të gjithë krijesave, të gjitha ato duke kryer faljet dhe lavdërimet, preokupoheshin me tesbihate e lavdërime të veçanta për secilin grup dhe specie. Adhurimi i tyre përbëhet nga aktivitetet që ne i vëzhgojmë, të quajtura “detyrat e gjërave.” Duke deklaruar “All-llahu Ekber” – All-llahu është më i Madhi!”, përpara kësaj madhështie, unë ula kokën në habi, dhe shikova nefsin tim tek rrethi.
Brenda Rrethit të tretë, unë pashë një botë të çuditshme e cila në dukje dhe në cilësi ishte e vogël, por në realitet ishte e madhe dhe, detyrat e saj ishin të mëdha, kjo duke filluar nga grimcat e qënies sime dhe duke përfunduar tek shqisat e mia të jashtme, ishte një xhemat në të cilin çdo grup ishte i preokupuar me detyrat e adhurimit dhe me falënderimet. Në këtë rreth, aftësia e brendshme Hyjnore në zemrën time po thonte: “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ne kërkojmë ndihmë”, siç e kishte thënë gjuha ime me nijetin, qëllimin e dy xhemateve të parë të mëdhenj, në emrin e tyre.
Shkurtazi: “Nuni” i “Na’budu” i tregon këto tre xhemate. Ndërsa isha në këtë gjendje medituese, personaliteti kolektiv i bekuar i të Dërguarit të Zotit xh.sh., interpretuesi dhe lajmëtari i Kur’anit të Gjithurtë, papritmas u mishërua me të gjithë madhështinë e tij në hutben, predikatoren e tij jolëndore në Medine. Ashtu si gjithësecili, unë sikur dëgjova adresimin Hyjnor.
“O ju njerëz! Adhurojeni Zotin tuaj...” dhe gjithësecili në ato tre xhemate u përgjigj, ashtu si unë, duke thënë, “Vetëm Ty ne të adhurojmë.” Në përputhje me rregullin,
“Në qoftë se vërtetohet diçka, ajo vërtetohet me gjërat që e bëjnë të domosdoshme atë’, e vërteta e mëposhtme iu tregua mendjes sime: Përderisa Krijuesi i të gjitha botëve e ka marrë njeriun si atë të cilit i drejtohet adresimi i Tij, dhe Ai Krijues flet me të gjitha qëniet dhe, se ky profet i nderuar ia komunikon atë adresim të lartë Hyjnor njerëzimit dhe madje të gjitha qënieve me shpirt e me vetëdije, atëherë, padyshim, e gjithë e shkuara dhe e ardhmja janë bërë si koha e tashme dhe, i gjithë njerëzimi janë bërë si një tubim i vetëm, rreshtat, radhët e të cilëve janë të gjitha të ndryshme, ku adresimi u drejtohet të gjithë atyre.
Ndërkohë mua m’u shfaq se çdo vërset Kur’anor kishte një fuqi të lartë elokuence dhe një bukuri të tillë që e kishte marrë nga madhështia dhe nga rrezja e stacionit të tij dhe, pashë adresimet tej mase të shumta, të ndryshme e domethënëse prej Folësit të parapërjetshëm, zotëruesit të lavdisë dhe të madhështisë absolute, dhe nga interpretuesi i tij i lartësuar, i cili është tek rangu i të qënit i dashuri i Zotit; unë e pashë çdo vërset brenda një drite vezulluese dhe vërtet të ndritshme të mrekullisë. Pastaj, jo i gjithë Kur’ani, apo një sure, apo një vërset, por secili nga fjalët e tij, m’u shfaq si një mrekulli.
Atëherë, unë thashë:
“Lavdi Zotit për mirësinë e imanit dhe të Kur’anit.” Pastaj unë dola nga ai përfytyrim, i cili ishte thjesht realitet i pastër, ashtu siç hyra në të nëpërmjet “Nunit” të “Na’budu”, dhe kuptova se, jo vetëm vërsetet e Kur’anit dhe fjalët, por edhe disa nga shkronjat e tij, si ‘nuni’ i ‘Na’budu’, ishin çelësa të ndritshëm për të vërteta të rëndësishme.
Pasi zemra dhe imagjinata ime kishin dalë prej ‘Nunit’ të ‘Na’budu’, u shfaq mendja dhe tha: “Edhe unë dua pjesën time gjithashtu.” Unë nuk mund të fluturoj ashtu si ju, dhe nuk mund të ecë veçse me këmbët e dëshmive dhe të provave. Më tregoni atë që është tek ‘Na’budu’ dhe tek ‘Neste’inu’, rrugën që të çon tek “I Adhuruari i Vërtetë” dhe, tek “Ai i Vërtetë prej të Cilit kërkohet ndihma”, me qëllim që të mund t’ju shoqëroj ju. Pastaj m’u shfaq në zemrën time sa vijon:
I thuaj asaj mendje të ngatërruar që t’i shqyrtojë të gjitha qëniet në univers, qofshin me shpirt, ose të pajeta.
Të gjitha ato, sipas një sistemimi të përkryer dhe brenda një bindje të plotë, kanë adhurimin e tyre i cili është në formën e detyrave. Megjithëse disave prej tyre u mungojnë ndjenjat dhe intelekti, ato i kryejnë detyrat e tyre në formën më të vetëdijshme, më të rregullt dhe në mënyrën më të lartë të adhurimit.
Kjo do të thotë se ndodhet një i Adhuruar i Vërtetë dhe një urdhërues absolut, i Cili i nënshtron këto krijesa dhe i shtyn ato për në adhurim. Gjithashtu i thuaj mendjes që t’i shqyrtojë të gjitha qëniet dhe në mënyrë të veçantë gjallesat; ndërsa secila nga ato ka nevoja jashtë mase të shumta e të ndryshme, të cilat sigurojnë vazhdimësinë e jetës së saj dhe përjetshmërinë e llojit të saj, mirëpo duart e saj nuk mund të arrijnë as më të voglën e tyre; fuqia e saj është e pamjaftueshme. Megjithatë ato të gjitha i marrin nevojat e tyre të panumërta në mënyrë të rregullt, nga vende të paparashikueshme dhe pikërisht në kohën e duhur; kjo duhet të shihet qartë.
Kështu, këto nevoja të pafundme dhe këto kërkesa të pakufishme të qënieve dhe ajo ndihmë e jashtëzakonshme nga e padukshmja dhe ajo përkrahje e mëshirshme, në mënyrë të vetëkuptueshme, demonstron se ato kanë një Mbrojtës dhe një Furnizues i Cili zotëron pasuri absolute, që është Gjithëbujar Absolut, i Gjithëfuqishëm Absolut. Dhe vetëm prej Atij kërkojnë ndihmë të gjitha qëniet e gjalla dhe vetëm prej Tij ato presin ndihmë e mbështetje.
Domethënë, çdo gjë në ekzistencë në kuptim e në efekt thotë: “Dhe vetëm nga Ty ne kërkojmë ndihmë.”
Ndërkohë, këtu mendja ime u nënshtrua dhe tha:
“Ne besojmë në këtë dhe e pranojmë.”
Pika e shtatë: Pastaj, kur unë thashë:
“Na drejto në Rrugën e drejtë. Në rrugën e atyre të cilëve Ti u ke dhuruar mirësinë Tënde,”[17] unë pashë se midis autokolonave të njerëzimit që po udhëtonin drejt së ardhmes, ishte karvani i ndritshëm e rrezatues i profetëve, i të vërtetëve, i martirëve, i evlijave dhe i të drejtëve. Ata po largonin errësirën e së ardhmes dhe po udhëtonin në udhën për paspërjetësi në Rrugën e drejtë, në atë Rrugë të drejtpërdrejtë.
Fraza po më tregonte rrugën për t’iu bashkuar karvanit, madje ajo po më bashkonte mua me të. Papritmas unë shpreha me klithmë nga habia: Ja Subhan-all-llah! Gjithkush që ka sa një fije mend duhet ta dijë se çfarë humbje do të ishte nëse nuk i bashkohesh atij karvani të gjatë dritëdhënës i cili është duke ndriçuar të ardhmen dhe që është duke udhëtuar në një siguri të plotë. Dhe Ai që i shmanget rrugës së atij karvani me anë të bërjes së bi’dateve – risive -, ku mund të gjejë ai dritë që të ndriçohet dhe cilën rrugë do të marrë?
Udhërrëfyesi ynë, profeti më i nderuar a.s.m. ka thënë:
“Çdo bi’dat, është çudhëzim dhe ç’do çudhëzim është në zjarr.” (Transmeton Muslimi)
Unë do të isha kureshtar të dija për ata fatzinj të cilët merituan epitetin “dijetarët e këqinj fetarë” se çfarë avantazhi gjejnë ata përballë këtij hadithi të saktë? Çfarë fetfaje japin ata që në mënyrë të panevojshme e të dëmshme dalin kundër çështjeve të qarta dhe kundër “shenjave të Islamit” dhe që e vlerësojnë si të mundshme t’i ndryshojnë ato? Duhet të jetë një zgjim i përkohshëm i shkaktuar nga një manifestim i përkohshëm i kuptimit ai i cili i mashtroi ata “dijetarë të këqinj fetarë”. Për shembull, në qoftë se një kafshe i rripet lëkura, ose nëse i qërohet lëkura një fruti, një butësi e përkohshme dhe një delikatesë do të dukej, por në një kohë shumë të shkurtër mishi i butë, i njomë dhe fruti i shijshëm do të nxiheshin e kalbeshin nën lëkurën që tashmë është e huaj, e tharë, e fishkur, e dendur dhe e ndotur.
Në të njëjtën mënyrë, shprehjet Hyjnore dhe profetike të cilat janë në “shenjat e islamit” janë si një lëkurë e gjallë tek e cila ka merita e shpërblime. Duke qenë e zhveshur, drita e kuptimeve është përkohësisht lakuriq dhe e dukshme deri diku, por ashtu siç ikën butësia e frutit i cili është ndarë nga lëkura e tij, po ashtu edhe shpirti i atyre kuptimeve të bekuara fluturon, zhduket duke e lënë prapa lëkurën njerëzore, shprehjet njerëzore, në zemrat dhe në mendjet e errëta. Kështu drita zhduket dhe, nuk mbetet gjë tjetër përveç tymit… megjithatë…
Pika e tetë: Është e domosdoshme të shpjegojmë një parim nga parimet e realitetit lidhur me këtë çështje. Ai është siç vijon:
Ashtu siç ndodhen dy lloj të drejtash, “Të drejtat individuale” dhe “të drejtat e përgjithshme”, të cilat konsiderohen të jenë një lloj i “të drejtave të Krijuesit”, po ashtu në çështjet e Sheriatit, disa çështje kanë të bëjnë me ‘individët’, ndërsa të tjerat lidhen me përgjithshmërinë, kanë të bëjnë me publikun; këto të fundit quhen “shenjat e Islamit”. Meqenëse këto shenja u përkasin të gjithëve, të gjithë marrin pjesë në to, atëherë të ndërhysh në to pa miratimin e pa pëlqimin e publikut, është një shkelje e të drejtave publike. Dhe çështja më e vogël prej atyre shenjave (le të jetë ajo një çështje me statusin e sunnetit) është e barazvlershme me çështjen më të madhe, për sa ka të bëjë me rëndësinë.
Sepse ato kanë lidhje drejtpërsëdrejti me të gjithë botën Islamike.
Le ta dinë ata të cilët përpiqen që t’i këpusin ato zinxhirë brilantë të ndritshëm me të cilët janë lidhur të gjitha figurat më të mëdha të Islamit që nga epoka e Profetit Muhammed a.s.m. deri tani në ditën tonë dhe, që ndihmojnë për shtrembërimin dhe shkatërrimin e tyre, le ta dinë se çfarë gabimi fatal po bëjnë ata. Në qoftë se ata do të kishin sa një grimcë intelekt, ata duhet të dridheshin!
Pika e nëntë: Ndodhen disa çështje të sheriatit të quajtura “Çështjet e adhurimit”, të cilat nuk janë të lidhura me arsyen dhe kryhen ashtu siç janë urdhëruar. Arsyeja për ta është urdhri Hyjnor. Ndodhen çështje të tjera të cilat kanë “kuptim të arsyeshëm”. Domethënë , ato kanë disa urtësi e dobi për shkak të të cilave ato janë brendatrupëzuar e përfshirë në Sheriat. Por kjo nuk është arsyeja e vërtetë apo shkaku; arsyeja e vërtetë është urdhri Hyjnor dhe urdhri ndalues.
Shembujt e urtësisë ose të dobive nuk mund t’i ndryshojnë ato çështje të “shenjave të Islamit”, të cilat i përkasin adhurimit; aspekti i tyre që ka të bëjë me adhurimin peshon më shumë, mbisundon dhe tek ky aspekt nuk mund të ndërhyhet dhe nuk mund të preket asgjë. Ato “shenja të Islamit” nuk mund të ndryshohen madje sikur të ketë njëqind mijë arsye e dobi. Gjithashtu nuk mund të thuhet se “dobitë e Sheriatit janë kufizuar vetëm tek ato përfitime që janë të njohura. Ta supozosh një gjë të tillë, do të ishte gabim. Përkundrazi, ato dobi të njohura, ndoshta mund të jenë vetëm njëri nga shumë shembuj urtësie.
Për shembull, në qoftë se dikush prej tyre do të thonte: Urtësia dhe qëllimi i Ezanit është thirrja që u drejtohet muslimanëve për namaz, atëherë mjafton – për këtë gjendje – të hapësh zjarr me pushkë, të qëllosh”. Por nuk e di ai i çmendur se thirrja për namaz është vetëm një dobi prej mijëra dobive në Eza . Madje edhe në qoftë se ai zë i pushkës që hapi zjarr do ta jepte atë dobi, veçse ama, si do të mund ta merrte ajo vendin e thirrjes për namaz, kur thirrja është mjeti për shpalljen e Unitetit Hyjnor, i cili është rezultati më i madh i krijimit të universit dhe i krijimit të llojit njerëzor dhe, mjeti për të shfaqur adhurimin përpara Hyjnisë –Perëndisë- në emrin e njerëzve në atë qytet ose në emrin e të gjithë njerëzimit.
Shkurtazi: Xhehennemi nuk është i panevojshëm, shumë prej çështjeve thërrasin me të gjithë fuqinë: Rroftë Ferri! Edhe Xhenneti gjithashtu nuk është i lirë; ai kërkon një çmim të lartë.
“Nuk janë njësoj banorët e zjarrit dhe banorët e Xhennetit. Janë banorët e Xhennetit që do të jenë ngadhënjyes.”[18]
* * *
Pjesa e Dytë e cila është Trajtesa e Dytë
Trajtesa e muajit të Ramazanit
[Duke pasë qenë një diskutim i shkurtër i “Shenjave të Islamit” tek përfundimi i Pjesës së Parë, do të diskutohet në këtë pjesën e dytë, më brilantja dhe më e ndritshmja e shenjave, ajo e Ramazanit të bekuar. Kjo pjesë përbëhet nga Nëntë pika, të cilat shpjegojnë nëntë prej shembujve të shumtë të urtësisë, për agjërimin në muajin e bekuar të Ramazanit.]
Me Emrin e All-llahut, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti!
“Muaji i Ramazanit në të cilin u zbrit Kur’ani, është udhëzim për njerëzimin, provë e qartë për udhëheqje dhe kriteri (dalluesi i qartë për të drejtën dhe të gabuarën).”[19]
q PIKA E PARË
Agjërimi në muajin e Ramazanit është njëra nga pesë shtyllat e Islamit, dhe konsiderohet nga më të mëdhatë e shenjave dhe e rregullave të Islamit. Ndodhen shumë qëllime dhe shembuj urtësie në agjërimin e Ramazanit të cilat shikojnë edhe tek Hyjnia e Zotit të Gjithëfuqishëm, edhe tek jeta sociale e njeriut, tek jeta e tij individuale, shikojnë gjithashtu tek ushtrimi dhe edukimi i nefsit instinktiv, tek pastrimi i tij dhe tek mirënjohja ndaj mirësive Hyjnore.
Njëri nga shembujt e shumtë të urtësisë në agjërim nga këndvështrimi i Hyjnisë së Zotit të Gjithëfuqishëm është sa vijon:
All-llahu i Gjithëfuqishëm e krijoi faqen e tokës në formën e një tryeze të mbushur plot e përplot me mirësi dhe ka vënë mbi tryezë çdo lloj mirësie në një formë, “…prej nga as nuk mund ta mendonte (njeriu)”[20], duke shpallur në këtë mënyrë plotësimin e Hyjnisë së Tij, mëshirën dhe dhembshurinë e Tij. Qëniet njerëzore janë të pamundura ta dallojnë qartë realitetin e kësaj situate ndërsa janë brenda sferës së shkaqeve, nën perden e pakujdesisë, dhe ata ndonjëherë e harrojnë atë.
Ndërsa gjatë muajit të Ramazanit, njerëzit e besimit papritmas bëhen si një ushtri e mirorganizuar. Ndërsa iftari në perëndimin e diellit afrohet, ata shfaqin një qëndrim adhurues të përndritur sikur të ishin ftuar në banketën e Sovranit të parapërjetshëm, dhe presin urdhrin e “urdhëroni bujrum!” në tryezën e bujarisë së Tij… dhe ata me këtë gjendjen e tyre i përgjigjen asaj mëshire të gjërë universale me një adhurim gjithëpërfshirës, të lartë dhe të rregullt…
A mendoni ju për ata, të cilët nuk marrin pjesë në një adhurim të tillë të lartë dhe në këto mirësi të larta se janë të meritueshëm të quhen qënie njerëzore?
q PIKA E DYTË
Një nga shumë shembuj të urtësisë në agjërimin e muajit të bekuar të Ramazanit, për sa ka të bëjë me mirësitë e Zotit të Gjithëfuqishëm, është si më poshtë vijon:
Ashtu siç u tha në Fjalën e Parë, ushqimet të cilat i sjell një shërbëtor nga kuzhina mbretërore kanë çmimin e tyre. Por do të ishte marrëzi nëse do të supozoheshin ato ushqime shumë të vyera si të pavlera, dhe nëse nuk do të njihej Ai i Cili i dhuroi ato.
Zoti i Gjithëfuqishëm ka shpërndarë lloje të panumërta mirësish mbi faqen e tokës për njerëzimin; në këmbim të tyre Ai dëshiron falënderime si çmim për ato mirësi. Shkaqet e jashtme dhe pronarët e tyre të jashtëm të cilët i mbajnë ato mirësi janë si shërbëtorë për to. Ne u japim shërbëtorëve atë çmim që ata meritojnë dhe ndjehemi mirënjohës e të detyruar ndaj tyre, dhe madje u japim falënderime e respekt më shumë se sa meritojnë. Ndërsa Dhuruesi i vërtetë i mirësive është pafundësisht më i meritueshëm për t’i dhënë falënderime se sa ato shkaqe të cilat janë thjesht mjete të jashtme për ato mirësi.
Atëherë të falënderosh Atë, do të thotë të pranosh se mirësitë vijnë drejtpërdrejtë prej Atij; është të çmosh vlerën e tyre… dhe të perceptosh nevojën që ka njeriu për to. Kështu agjërimi në Ramazan është çelësi për një falënderim të vërtetë, të sinqertë, të shtrirë dhe universal. Për kohët e tjera të vitit, shumica e atyre të cilët nuk janë në rrethana të vështira nuk e kuptojnë vlerën e shumë mirësive meqenëse ata nuk përjetojnë një uri të vërtetë. Ata që i kanë stomakët plot dhe, në mënyrë të veçantë, në qoftë se ata janë të pasur, nuk e kuptojnë shkallën e mirësisë që ndodhet në një copë buke të thatë. Por në kohën e iftarit, kur thyhet agjërimi, kur çelet iftari, shqisa e të shijuarit dëshmon se buka e thatë është më e vlefshmja e mirësive Hyjnore në sytë e një besimtari.
Gjatë Ramazanit, gjithësecili nga agjëruesit duke filluar nga mbreti dhe duke përfunduar me të varfërin – manifestojnë një lloj mirënjohje nëpërmjet të kuptuarit të vlerës së atyre mirësive.
Për më tepër, meqenëse ngrënia është e ndaluar gjatë ditës, ata do të thonë: Ato mirësi nuk më përkasin mua. Unë nuk jam i lirë që t’i haj ato, sepse ato janë pronë e një tjetri dhe nga dhuratat e Tij. Unë pres urdhrin e Tij. Ata do ta njohin mirësinë të jetë mirësi dhe kështu do të japin falënderime. Prandaj agjërimi në këtë mënyrë, në shumë drejtime është si një çelës për mirënjohje, për atë mirënjohje e cila është detyra themelore e njeriut.
q PIKA E TRETË
Njëri nga shembujt e shumtë të urtësisë në agjërim nga këndvështrimi i jetës sociale të njeriut është sa vijon:
Qëniet njerëzore janë krijuar të ndryshme lidhur me mjetet e tyre të jetesës. Si rrjedhojë e ndryshimit dhe dallimit, Zoti i Gjithëfuqishëm u bën ftesë të pasurve që të ndihmojnë të varfërit, me qëllim që nëpërmjet urisë së përjetuar në agjërim, të pasurit të mund t’i kuptojnë me të vërtetë dhimbjet dhe urinë që vuajnë të varfërit.
Në qoftë se nuk do të kishte pasur agjërim, shumë të pasur që ndjekin dëshirat e tekat e tyre nuk do të kishin qenë të mundur ta perceptonin e ndjenin se sa e dhimbshme është uria dhe skamja dhe, sa të nevojshëm për mëshirë e dhembshuri janë ata që vuajnë nga ato.
Prandaj mëshira për bijtë e llojit njerëzor, është njëra nga esencat e falënderimit të vërtetë, pasi cilido individ qoftë do të gjejë dikë që është më i varfër se ai vetë nga ndonjë aspekt dhe, kështu ai është i detyruar të jetë i mëshirshëm ndaj atij personi.
Në qoftë se ai vetë nuk do të detyrohej të vuajë nga uria, ai nuk do të ishte në gjendje që t’u jepte të tjerëve – nëpërmjet mëshirës – ndihmë e asistencë për të cilat ai është i detyruar t’u japë. Madje edhe në qoftë se ai do të kishte qenë në gjendje, kjo nuk do të kishte qenë e mjaftueshme, sepse ai nuk e ka përjetuar me të vërtetë vetë gjendjen e urisë.
q PIKA E KATËRT
Një shembull urtësie në agjërimin e muajit të Ramazanit lidhur me nefsin instinktiv është siç vijon:
Nefsi instinktiv dëshiron të jetë i lirë dhe i pavarur dhe, e konsideron vetveten të jetë kështu.
Sipas diktateve të natyrës së tij, ai madje dëshiron për vetveten një hyjni të imagjinuar dhe të bredhë si të dojë; nefsi nuk dëshiron të mendojë për qënien e vet që rritet, që lulëzon e zhvillohet nëpërmjet mirësive Hyjnore të pafundme dhe, sidomos në qoftë se ai do të posedonte pasuri e fuqi në këtë dynja dhe, në qoftë se pavëmendshmëria do ta ndihmonte gjithashtu, ai do t’i gllabëronte mirësitë e Zotit ashtu si një kafshë uzurpuese e kobashe.
Kështu, në muajin e Ramazanit, nefsi instinktiv i gjithësecilit, nga më i pasuri tek më i varfëri, mund të kuptojë se ai nuk e ka në pronësi vetveten, nuk është krejtësisht i lirë, por është një skllav i urdhëruar. Ai kupton se në qoftë se nuk do të merrte urdhër, ai nuk do të ishte në gjendje të bënte as edhe gjënë më të thjeshtë e më të lehtë; ai madje nuk do të mund të shtrinte as dorën e tij ndaj ujit. Kështu, hyjnia e tij e imagjinuar thyhet e dërrmohet; ai kryen adhurimin e tij dhe fillon të bëjë falënderim, që është detyra e tij e vërtetë.
q PIKA E PESTË
Njëri nga shumë shembujt e urtësisë në agjërimin e muajit të Ramazanit nga këndvështrimi i përmirësimit të sjelljes së nefsit instinktiv dhe të heqjes dorë të tij nga zakonet e tij kryengritëse është siç vijon:
Nefsi njerëzor e harron vetveten nëpërmjet pakujdesisë. Ai nuk mund t’i shohë pafuqinë e tij të pafundme, varfërinë e pafundme dhe mangësitë e mëdha brenda vetvetes dhe ai nuk dëshiron që t’i shohë. Ai nuk mendon se sa i dobët është, sa i zbuluar para zhdukjes dhe para fatkeqësive, as për faktin që ai përbëhet thjesht nga mishi dhe kockat të cilat shpërbëhen e prishen shpejt.
Thjesht, ai e sulmon botën sikur ai të posedonte një trup të bërë prej çeliku dhe e imagjinon vetveten të jetë i pavdekshëm dhe i përjetshëm. Ai i sulet botës me një lakmi të madhe, pangopësi, makutëri, me një lidhje të pasionuar dhe me dashuri. Ai robërohet prej çdo gjëje që i jep atij kënaqësi ose që i sjell atij dobi.
Për më tepër, ai e harron krijuesin e tij, i Cili e mbështet atë me mëshirë të plotë; dhe ai nuk mendon për rezultatet e jetës së tij dhe të jetës së tij në Ahiret. Në të vërtetë, ai zhgënjehet në shthurje e në sjellje të keqe.
Por, agjërimi në muajin e Ramazanit i bën edhe njerëzit më të pakujdesshëm dhe më kryeneçë të vetëdijshëm për dobësinë e tyre, për pafuqinë dhe për varfërinë e tyre. Nëpërmjet urisë ata mendojnë për stomakët e tyre; ata e kuptojnë nevojën lidhur me këtë. Ata e kuptojnë se sa të pashëndetshëm janë trupat e tyre të dobët dhe perceptojnë se sa të nevojshëm janë ato për mirësi e mëshirë. Kështu, ata e braktisin despotizmin e nefseve të tyre si Faraonë dhe, nëpërmjet njohjes së pafuqisë së tyre të plotë dhe të varfërisë, ata ndiejnë një dëshirë për të kërkuar strehim tek Dera e faljes Hyjnore.
Dhe ata e përgatisin vetveten për të trokitur derën e mëshirës Hyjnore me duart e falënderimeve, në qoftë se pakujdesia nuk i ka shkatërruar zemrat e tyre; kështu është.
q PIKA E GJASHTË
Njëri nga shembujt e shumtë të urtësisë në agjërimin e muajit të Ramazanit nga këndvështrimi i shpalljes së Kur’anit të gjithurtë dhe për sa ka të bëjë me faktin se muaji i Ramazanit ishte koha më e rëndësishme e shpalljes së tij, është siç vijon:
Meqenëse Kur’ani i gjithurtë u shpall në muajin e bekuar të Ramazanit, atëherë duhet medoemos shmangia e kërkesave të ulëta të nefsit dhe të bajatësive të tij dhe, për t’i përngjasuar gjendjes engjëllore duke qëndruar pa ngrënë e pa pirë me qëllim që të përshëndesë e të mirëpresë atë adresim qiellor në mënyrën më të mirë, është të arrish në një gjendje shpirtërore të lartë. Dhe ta lexosh e ta dëgjosh Kur’anin në një mënyrë sikur vërsetet të shpalleshin rishtas, ta dëgjosh adresimin Hyjnor sikur ai të shpallej në pikërisht atë moment, ta dëgjosh atë adresim sikur po e dëgjon nga i dërguari i Zotit xh.sh., madje sikur ta dëgjonte nga engjëlli Xhebrail, ose nga vetë Folësi i parapërjetësisë, është të arrish në të njëjtën gjendje të lartë shpirtërore. Të veprosh në këtë mënyrë, është të veprosh si një interpretues dhe t’i bësh edhe të tjerët që ta dëgjojnë atë dhe, në një far mase të shpjegosh urtësinë prej urtësive të shpalljes së tij.
Në të vërtetë, është sikur bota e Islamit të bëhej një xhami gjatë muajit të Ramazanit. Në çdo qoshe të asaj xhamie madhështore me miliona hafiza të Kur’anit, të cilët e dinë Kur’anin përmendësh, i bën banorët e tokës të dëgjojnë adresimin qiellor dhe e shfaqin në mënyrë të ndritshme e të shkëlqyeshme dëshminë e vërsetit Kur’anor:
“Muaji i Ramazanit në të cilin u zbrit Kur’ani, është udhëzim për njerëzimin…”[21]
Dhe vërtetojnë me këtë vërset se Ramazani është muaji i Kur’anit. Disa anëtarë të atij xhemati të madh i dëgjojnë recituesit me shumë respekt e përnderim, ndërsa disa të tjerë i lexojnë vetë ato vërsete të ndritshme për veten e tyre.
Duke ndjekur dëshirat e nefsit të ulët instinktiv ndërsa je në një xhami të shenjtë që është e tillë dhe, ta lëshosh nga dora atë kusht të ndritshëm nëpërmjet të ngrënit dhe të pirit, do të ishte me të vërtetë e neveritshme dhe, një person i tillë do të ishte një objekt neverie e indinjate për xhematin në xhami. Në të njëjtën mënyrë, njerëzit që i kundërshtojnë ata që agjërojnë në Ramazanin e bekuar bëhen objekt përbuzjeje dhe neverie po me atë shkallë – për mbarë botën Islame.
q PIKA E SHTATË
Njëri nga shembujt e shumtë në agjërimin e Ramazanit për sa ka të bëjë me leverdinë dhe përfitimin e njeriut i cili erdhi në dynja me qëllim që të kultivojë dhe të bëjë tregti për Ahiretin, është siç vijon:
Shpërblimi për veprimet në muajin e Ramazanit është i njëmijëfishtë. Sipas hadithit profetik, çdo fjalë e Kur’anit të gjithurtë ka dhjetë merita; secila llogaritet si dhjetë merita dhe do të fitojë dhjetë fruta në Parajsë, çdo fjalë mban jo dhjetë fruta por njëmijë, dhe vërsetet si, Ajeti Kursija (Kur’an, 2: 255) hapin derën para mijëra shpërblimeve për secilën fjalë dhe, në ditët e xhuma në muajin e Ramazanit shtohen shpërblimet edhe më shumë. Dhe në Natën e Kadrit, çdo fjalë llogaritet sa tridhjetë mijë merita.
Po, Kur’ani Kerim, çdo fjalë e të cilit fiton tridhjetë mijë fruta të përjetshëm, është si një pemë e ndritshme e Tubasë që i bën besimtarët të fitojnë miliona prej atyre frutave të përjetshëm. Kështu, eja dhe shikoje këtë tregti fitimprurëse të shenjtë e të përjetshme dhe, pastaj shikoje dhe kuptoje humbjen e pafundme të atyre që nuk e çmojnë vlerën e atyre fjalëve.
Për ta shprehur më thjeshtë, muaji i Ramazanit është një shfaqje tej mase fitimprurëse dhe një Pazar për tregtinë e Ahiretit. Ai është një pjesë pjellore e tokës për prodhimet e Ahiretit, sepse rritja dhe lulëzimi i veprimeve janë si shirat e prillit në stinën e pranverës. Ai është si një festival i ndritshëm i shenjtë për paradën e adhurimit të njerëzimit përpara madhështisë Hyjnore dhe krenarisë Hyjnore.
Meqenëse është kështu, atëherë njerëzimi është i ngarkuar të agjërojë me qëllim që të mos zhytet në nevojat shtazore të nefsit instinktiv, si ngrënja edhe pirja në mënyrë të pavëmendshme, dhe të mos zhytet me epsh në dëshirat e nefsit dhe në banalitetet e bajatësitë. Ai me agjërimin e tij sikur u bë një lloj pasqyre duke reflektuar “Të Përjetshmin Absolut”, pasi ai doli përkohësisht nga jeta shtazore dhe iu afrua një gjendjeje engjëllore dhe duke hequr dorë nga kërkesat e kësaj dynjaje, ai futet në tregtinë e Ahiretit. Dhe nëpërmjet agjërimit, ai i afrohet gjendjes së Ahiretit dhe asaj të shpirtit duke u shfaqur në formë trupore. Në të vërtetë, muaji i Ramazanit përmban dhe të bën të fitosh një jetë të përhershme e të amshuar në këtë botë kalimtare dhe në këtë jetë të shkurtër të përkohshme.
Sigurisht, një Ramazan i vetëm mund të prodhojë fruta të barabartë me atë të një jete tetëdhjetë vjeçare. Fakti që sipas Kur’anit, Nata e Kadrit është më e volitshme se sa një mijë muaj është një provë vendimtare e kësaj.
Për shembull, një mbret mund t’i përcaktojë disa ditë si ditë feste gjatë periudhës së sundimit të tij, ose në çdo vit, qoftë me rastin e ngjitjes së tij në fron ose në ndonjë ditë tjetër e cila reflekton një manifestim vezullues të sovranitetit të tij. Në këto, ai i favorizon nënshtetasit e tij, jo brenda sferës së përgjithshme të ligjit, por me mirësitë e tij të veçanta dhe me favoret, me praninë e tij, pa perde dhe me aktivitetet e tij të çuditshme. Dhe ai i favorizon me vlerësimin dhe me vëmendjen e tij të veçantë ata prej kombit të tij të cilët janë krejtësisht besnikë e të denjë.
Në të njëjtën mënyrë, Sulltani i Gjithëlavdishëm i tetëmbëdhjetë mijë botërave, i cili është sovrani i parapërjetësisë dhe i paspërjetësisë, shpalli në Ramazan dekretin e Tij madhështor të Kur’anit të gjithurtë, i cili shikon tek tetëmbëdhjetë mijë botët. Atëherë është një kërkesë e urtësisë që Ramazani të jetë si një festival Hyjnor i veçantë, si një shfaqje Hyjnore dhe si një tubim shpirtëror. Meqenëse Ramazani është një festival i tillë, Zoti xh.sh. e ka urdhëruar njeriun që të agjërojë, me qëllim që ta shkëpusë atë deri diku nga aktivitetet e ulëta shtazore.
Agjërimi më i përkryer është që të bëhen shqiset njerëzore dhe organet, si sytë, veshët, zemra dhe mendimet, të agjërojnë së bashku me stomakun. Domethënë, t’i largosh ato nga të gjitha gjërat e paligjshme dhe nga banalitetet dhe, ta nxisësh secilën prej tyre për tek adhurimi i tyre i veçantë.
Për shembull, ta ndalosh gjuhën nga gënjeshtra, përgojimi dhe nga fjalët e ndyra dhe ta bësh atë të agjërojë. Dhe ta preokuposh atë me aktivitete, si: recitimin e Kur’anit, me përmendjen e Zotit xh.sh., me tesbihat, me falënderime, me salevate mbi Profetin a.s.m. me kërkim faljeje për gjynahet dhe me gjëra të tjera të ngjashme. Për shembull, t’i ndalosh sytë nga shikimi i haramateve, gjërave të ndaluara; të ndalosh veshët nga dëgjimi i gjërave të dëmshme, dhe t’i përdorësh sytë për të marrë mësime dhe veshët për të dëgjuar të vërtetën dhe Kur’anin; është t’i bësh edhe organet e tjera të agjërojnë gjithashtu.
Në fakt, meqenëse stomaku është një fabrikë shumë e madhe, në qoftë se do të kishte një ditë pushimi të detyruar, të mos punonte nëpërmjet agjërimit, atëherë ndërprerja e punishteve të tjera të vogëla nga aktiviteti do të ishte diçka e lehtë dhe e kollajtë.
q PIKA E TETË
Njëri nga shembujt e shumtë të urtësisë në Ramazan nga këndvështrimi i jetës individuale të njeriut, është siç vijon:
Në agjërim ndodhet një lloj ilaçi shumë i efektshëm për njeriun, i cili është “Dieta” qoftë ajo fizike ose shpirtërore.
Kur nefsi instinktiv i njeriut ha dhe pi ashtu si të dojë, kjo është e dëmshme për jetën fizike të njeriut nga këndvështrimi i mjekësisë dhe, kur ai sulet mbi gjithçka duke mos e marrë në konsideratë nëse është e ligjshme apo e paligjshme, ai mjaft thjesht do të helmonte jetën e tij shpirtërore.
Për më tepër, do të ishte e vështirë për një nefs të tillë që t’i bindej zemrës dhe shpirtit. Ai me dëshirë merr frerat në duart e tij dhe, atëherë njeriu nuk mund ta drejtojë atë, përkundrazi nefsi e çon njeriun nëpër epshet e tij. Mirëpo nëpërmjet agjërimit në Ramazan, ai bëhet i mësuar me një lloj diete, ai përpiqet ta disiplinojë veten dhe të mësojë për t’iu bindur urdhërave.
Për më tepër, ai nuk do të goditet nga sëmundje që burojnë nga mbushja e stomakut të mjerë e të dobët duke futur në të ushqimin mbi ushqimin e mëparshëm i cili nuk është tretur akoma. Dhe duke hequr dorë madje edhe nga veprimet e ligjshme ashtu siç është urdhëruar, ai do të fitojë aftësinë për t’i dëgjuar urdhëresat e Sheriatit dhe të arsyes dhe, kështu në këtë mënyrë u shmanget veprimeve të paligjshme. Ai nuk do të përpiqet më të shkatërrojë jetën e tij shpirtërore.
Për më tepër, shumica absolute e njerëzimit vuan shpesh nga uria. Prandaj, njeriu ka nevojë për uri e disiplinë, të cilat janë një stërvitje që i mësojnë atij durimin dhe qëndresën. Agjërimi është një disiplinë dhe një stërvitje që i mësojnë njeriut të përballojë e të durojë urinë që zgjat pesëmbëdhjetë orë ose njëzet e katër orë për atë që nuk ka mundur të hajë në syfir.
Domethënë, agjërimi është gjithashtu një ilaç për padurimin dhe për mungesën e qëndresës në çështje, të cilat ia dyfishojnë njeriut fatkeqësitë e sprovat. Për më tepër, vetë stomaku është si një fabrikë që ka shumë punëtorë. Dhe shumë nga gjymtyrët e njeriut janë të lidhura me të. Në qoftë se nefsi instinktiv nuk ka një pushim, një ndërprerje prej aktivitetit gjatë ditës për një muaj, ai i bën punëtorët e asaj fabrike dhe ato organe që t’i harrojnë detyrat e tyre të veçanta. Ai i vendos ato nën sundimin dhe nën tiraninë e tij. Gjithashtu ai e ngatërron pjesën tjetër të gjymtyrëve në trupin e njeriut me tringëllimën dhe merr presionin e makinerisë së fabrikës. Ai në mënyrë të vazhdueshme e tërheq vëmendjen e tyre për tek vetvetja e tij, duke i bërë ato përkohësisht të harrojnë detyrat e tyre të larta. Për shkak të kësaj, për shekuj ata të cilët janë më të afërt me Krijuesin i kanë mësuar vetvetet e tyre të disiplinohen duke ngrënë e duke pirë pak me qëllim që të ngjiten në shkallën e plotësimit.
Por, nëpërmjet agjërimit në Ramazan punëtorët e fabrikës kuptojnë se ato nuk u krijuan vetëm për atë fabrikë. Ndërsa pjesa tjetër e organeve, në vend të kënaqjes në dëfrimet e ulëta të asaj fabrike, marrin kënaqësi në zbavitjet engjëllore e shpirtërore dhe i fiksojnë shikimet e tyre mbi to.
Për këtë arsye, në Ramazan besimtarët përjetojnë një ndriçim, frytëzim dhe kënaqësi shpirtërore, të cilat ndryshojnë sipas shkallëve të tyre. Aftësitë e tyre të holla, të tilla si zemra, shpirti dhe intelekti bëjnë progresin dhe përparimin e tyre në atë muaj të bekuar nëpërmjet agjërimit. Dhe pavarësisht vajtimit dhe rënkimit të stomakut, ato aftësi të holla qeshin në pafajësi e gëzim.
q PIKA E NËNTË
Njëri nga shembujt e urtësisë në agjërimin e Ramazanit për sa ka të bëjë me copëtimin e hyjnisë së imagjinuar të nefsit instinktiv dhe pastaj t’i bëjë atij të njohur adhurimin e tij dhe duke i treguar atij pafuqinë e tij, është siç vijon:
Nefsi instinktiv nuk dëshiron ta njohë Krijuesin e tij, madje ai dëshiron të pretendojë për vete hyjni,si Faraoni. Dhe sado shumë tortura që ai të vuajë, përsëri damari i asaj hyjnie të imagjinuar mbetet në të. Veçse ama ai damar shkatërrohet vetëm se nëpërmjet urisë. Dhe kështu, agjërimi në Ramazan jep goditje të drejtpërdrejta tek ai aspekt i nefsit si Faraon, duke e thyer pafuqinë e tij ,dobësinë dhe varfërinë. Agjërimi e bën atë të kuptojë se ai është një rob për adhurim.
Midis rrëfenjave të haditheve, është sa vijon: “All-llahu i Gjithëfuqishëm i tha nefsit instinktiv.
“Kush jam Unë e kush je ti?”
Nefsi u përgjigj:
“Unë jam unë, dhe Ti je Ti.”
Kështu All-llahu e dënoi atë dhe e flaku në Ferr dhe, pastaj e pyeti përsëri, dhe nefsi përsëri iu përgjigj:
“Unë jam unë, dhe Ti je Ti.”
Sado që Krijuesi e dënonte, ai nuk hoqi dorë nga egoizmi i tij. Përfundimisht, Ai e dënoi atë me uri, domethënë, e la atë të uritur dhe, pastaj e pyeti:
“Kush jam Unë, e kush je ti?”
Nefsi u përgjigj:
“Ti je Krijuesi im Mëshirëplotë dhe unë jam robi Yt i pafuqishëm.”
O Zot! Jepi bekime e paqe shkëlqesisë sonë Muhammedit a.s.m., që do të jetë e kënaqshme për Ty dhe një përmbushje e së vërtetës së tij sa numri i meritave të fjalëve të Kur’anit, dhe familjes së Tij dhe shokëve të tij, dhe jepu atyre paqe. Lavdi Zotit tënd, Zotit të nderimit dhe të fuqisë! (I lartësuari) mbi çdo gjë që njerëzit ia mveshin, ia shpikin Atij!
“Dhe paqja qoftë mbi të Dërguarit! Dhe gjithë lavdërimet dhe falënderimet janë për All-llahun, Zotin e të gjithë botëve.”[22]
Ndjesë: Kjo Pjesa e dytë u shkrua me nxitim vetëm për dyzet minuta, kur edhe unë edhe shkruesi i dorëshkrimit ishim të sëmurë; atëherë nuk është për t’u çuditur nëse gjendet ndonjë mangësi. Ne presim nga vëllezërit tonë që ta shikojnë atë me tolerancë. Ata mund ta korrigjojnë atë si ta mendojnë të përshtatshme.
* * *
Pjesa e Tretë e cila është Trajtesa e Tretë
[Unë e shkrova këtë pjesë me qëllim që t’u paraqes një qëllimin tim të rëndësishëm vëllezërve të mi të Ahiretit për konsideratën e tyre. Qëllimi ka të bëjë me shkrimin e një Musafi në një mënyrë që tregon njërin lloj prej dyqind llojeve të mrekullisë së Kur’anit të shpjegimit të mrekullueshëm – si një lloj që u përket modeleve të tij – me faqet e specifikuara në përputhje me stilin e Hafiz Osmanit[23] dhe duke e marrë vërsetin “Mudajene” si njësi matëse dhe duke e marrë suren El-Ihlas, si standard për rreshtat. Kjo pjesa e tretë, të cilën e shkrova gjithashtu për t’u konsultuar me ta lidhur me këtë çështje, për të mësuar idetë e tyre dhe gjithashtu si një kujtues për veten time, përbëhet nga Nëntë Çështje].
Çështja e Parë
Është e vërtetuar me prova në Fjalën e Njëzet e Pestë, e quajtur ‘Mrekullitë e Kur’anit”, se aspektet e mrekullisë së Kur’anit arrijnë në dyzet.
Disa nga këto aspekte janë demonstruar në mënyra aq të hollësishme, sa që ato madje heshtin edhe kryeneçët, ndërsa disa aspekte të tjerë janë demonstruar shkurtazi.
Gjithashtu është shpjeguar në Shenjën e Tetëmbëdhjetë të Letrës së Nëntëmbëdhjetë se Kur’ani e shfaq mrekullinë e tij në aspekte të ndryshme për secilën nga dyzet klasat e njerëzimit, pasi ajo shenjë ka provuar se çdo grup prej atyre dhjetë grupeve kanë pjesët e tyre të ndryshme nga mrekullia. Sa për tridhjetë klasat e mbetura, Kur’ani ka demonstruar aspektet e ndryshme të mrekullisë së tij për ndjekësit e të gjitha rrugëve të ndryshme të shenjtërisë dhe për dijetarët e të gjitha shkencave të ndryshme dhe, dëshmi për këtë është besimi i tyre i vërtetë i cili arriti shkallën e ‘njohjes së sigurisë’ dhe atë të ‘shikimit të sigurisë’, dhe atë të ‘sigurisë absolute’, se Kur’ani është Fjala e vërtetë e All-llahut.
Domethënë, secili prej tyre shikoi një aspekt të ndryshëm të mrekullisë në një mënyrë të ndryshme. Po, bukuria e shfaqjeve të mrekullisë ndryshon me ndryshimin e rrugëve dhe të metodave të ndryshme, sepse aspekti i mrekullisë të cilin e kupton ndonjëri nga evlijatë njohës rreth Zotit ndryshon nga aspekti i mrekullisë të cilin e shikon njëri nga evlijatë që është i mbytur në dashurinë për Zotin. Dhe një aspekt mrekullie të cilin e shikon një dijetar i thellë i parimeve të fesë dhe ai i një interpretuesi të çështjeve dytësore të sheriatit nuk janë i njëjti; dhe kështu me radhë.
Unë nuk jam i aftë që t’i tregoj me hollësi të gjitha këto aspekte të ndryshme të mrekullisë së tij. Shkalla ime e të kuptuarit nuk mund t’i përfshijë ato; Shikimi im mbetet larg atyre. Për këtë arsye, vetëm dhjetë klasa u shpjeguan dhe për pjesën e mbetur janë bërë aluzione në mënyrë të shkurtuar. Veçse ama prej tyre, dy klasa tek “Mrekullitë e Muhammedit”, kanë nevojë për një sqarim të mëtejshëm dhe, tani ne do t’i shpjegojmë ato të dyja:
Klasa e parë është masa e pashkolluar e popullit, të cilët ne i quajmë ‘klasa dëgjuese’; ata vetëm e dëgjojnë Kur’anin, duke e kuptuar mrekullinë e tij nëpërmjet veshëve të tyre. Ata thonë: “Kur’anit, të cilin unë e dëgjoj, nuk i përngjason asnjëri nga librat e tjerë, kështu ai ose duhet të jetë më i ulët se ato të gjithë, ose duhet të jetë më i lartë. Që ai të jetë më i ulët, askush nuk mund ta thotë, as nuk e ka thënë dhe madje as shejtani nuk mund ta thotë atë. Atëherë, ai duhet të jetë më i lartë se të gjithë të tjerët.” Me këtë përmbledhje është shkruar tek Shenja e Tetëmbëdhjetë. Pastaj është sqaruar kjo përmbledhje e shkurtër në Çështjen e Parë të Letrës së Njëzet e Gjashtë, e njohur si një debat me djallin, dhe e cila ilustron dhe provon të kuptuarin e mrekullisë nga ajo klasë.
Klasa e dytë është ‘klasa shikuese’, domethënë Kur’ani ka një shenjë të mrekullisë e cila shikohet me sy, sa që edhe njerëzit e zakonshëm të pashkolluar, edhe materialistët, mendjet e të cilëve kanë rënë tek sytë e tyre, që nuk shohin më larg se sa sytë e tyre, pra të cilët nuk besojnë veçse në atë që shikojnë; kjo është pohuar në Shenjën e Tetëmbëdhjetë. Ishte e domosdoshme që të shpjegohej më shumë për ta vërtetuar atë pretendim, por koha nuk na lejoi për të për shkak të një shembulli të rëndësishëm të Urtësisë Hyjnore të cilin ne tani e kuptojmë.
Për shkak të kësaj, u treguan vetëm disa anë të pjesshme në mënyrë të thjeshtë. Tani, pasi u bë i qartë misteri i asaj urtësie, ne u bindëm plotësisht se shtyrja për më vonë e saj ishte më e preferueshme. Me qëllim që ta lehtësojmë të kuptuarin e kësaj klase, ne patëm shkruar një Musaf me dorë që e tregon atë aspekt nga dyzet aspektet e mrekullisë së tij, i cili mund të shihet me sy.
[Çështjet e mbetura të kësaj pjesës së Tretë së bashku me pjesën e katërt janë rreth ‘koinçidencave’. Ato janë përfshirë tek indeksi i veçantë për to dhe prandaj nuk janë përsëritur këtu. Të përfshira këtu janë vetëm një kujtues që lidhet me pjesën e katërt dhe me pikën e tij të tretë.]
KUJTUES: Njëqind e gjashtëdhjetë vërsete u shkruan në shpjegimin e pikës së rëndësishme lidhur me fjalën ‘I Dërguari’. Dhe megjithëse këto vërsete kishin veçori të mëdha, ato provojnë e plotësojnë njëra-tjetrën për sa ka të bëjë me kuptimin, dhe kuptimet e tyre janë shumë të thella; prandaj ato ajete mund të jenë një hizb (pjesë) Kur’ani për ata që dëshirojnë t’i mësojnë përmendësh ajete të ndryshme ose t’i recitojnë ato. Shkalla e elokuencës dhe bukuria e gjashtëdhjetë e nëntë vërseteve në shpjegimin e pikës së lartë lidhur me fjalën “Kur’an” është gjithashtu më e larta dhe më e mahnitshmja. Kjo mund të rekomandohet si një hizb i dytë Kur’anor për vëllezërit tonë. Në lidhje me fjalën “Kur’an” e cila erdhi në Musafin Sherif, ajo ishte e pranishme në shtatë rreshtat e fjalës, të cilat i përfshijnë të gjitha ato me përjashtim të dy fjalëve dhe, meqenëse ato kishin kuptimin e ‘kiraetun’, mbetja e tyre jashtë strukturës, e përforcoi pikën. Sa për fjalën ‘i Dërguari’, meqenëse suret më të lidhura me fjalën janë ‘Sureja Muhammed’ dhe ‘Sureja El-Fet-h’, dhe meqenëse ne e kufizuam atë me rreshtat e fjalës që u shfaq në ato dy sure, shembujt e fjalës jashtë atyre nuk janë përfshirë. Në qoftë se koha na lejon, misteret në këto do të shkruhen, në dashtë Zoti xh.sh..
Pika e tretë përbëhet nga “Katër Pika”.
- Pika e Parë: Fjala “All-llah” është përmendur dymijë e tetëqind e gjashtë herë. Fjala “Er-Rahman” – së bashku me Atë që përfshihet në Bismil-lah – njëqind e pesëdhjetë herë; fjala “Er-Rahim”, ka ardhur dyqind e njëzet herë; fjala “El – Gafur”, gjashtëdhjetë e një herë; Fjala “Er-Rabb”, tetëqind e dyzet e gjashtë herë; Fjala “El -Hakim”, tetëdhjetë e gjashtë herë; fjala “El – Alim”, njëqind e njëzet e gjashtë herë; fjala “El – Kadir”, tridhjetë e një herë, dhe fjala “Huve”, njëzet e gjashtë herë.[24]
Në numrin e fjalës “All-llah” ndodhen shumë mistere dhe pika të holla. Për shembull, fjalët “Er-Rahman, Er-Rahim, El-Gafur dhe El-Hakim”, të cilët janë më të përmendurit pas fjalës “All-llah”, dhe “Er-Rabb”, së bashku me fjalën “All-llah” janë gjysma e numrit të vërseteve të Kur’anit. Dhe “All-llah”, së bashku me “Er-Rabb” që përmendet në vend të fjalës “All-llah”, është përsëri gjysma e numrit të vërseteve të Kur’anit, sepse fjala “Er-Rabb” është përmendur tetëqind e dyzet e gjashtë herë, por në qoftë se këto studiohen me kujdes, do të shihet se rreth pesëqind prej tyre janë përmendur në vend të fjalës “All-llah”, ndërsa rreth dyqind nuk vijnë me kuptimin “All-llah”.
Gjithashtu, tërësia e numrit të fjalës “All-llah” së bashku me numrin e fjalëve “Er-Rahman, Er-Rahim, El-Alim” dhe së bashku me numrin e fjalës “Huve” tek “La ilahe il-la Huve” është përsëri gjysma e vërseteve të Kur’anit; diferenca është vetëm katër numra. Dhe së bashku me fjalën “El-Kadir” në vend të “Huve”, është përsëri gjysma e numrit të tërësisë së ajeteve të tij, ndryshimi këtu është vetëm nëntë numra.
Ndodhen pika të holla në tërësinë e fjalës “All-llah”, por për tani ne e vlerësojmë këtë pikë të jetë e mjaftueshme.
- Pika e Dytë: Kjo ka të bëjë me suret e Kur’anit, edhe ajo gjithashtu përmban pika të holla. Ajo përmban ‘koinçidenca’ në një mënyrë që tregon një rregull, një qëllim dhe një dëshirë.
Në suren El-Bekare, numri i shembujve të fjalës “All-llah” dhe numri i vërseteve është i njëjti. Ndryshimi është vetëm katër numra, por ama ndodhen katër “Huve” në vend të fjalës “All-llah”, ashtu siç është tek “La ilahe il-la Huve”, me të cilat plotësohet ‘koinçidenca’.
Në suren Al’Imran, përsëri fjala “All-llah” dhe numri i vërseteve ‘koinçidojnë’ dhe janë të barabartë. Por fjala “All-llah” është përmendur dyqind e nëntë herë,ndërsa vërsetet, dyqind herë; kështu ndryshimi është nëntë ajete. Në pikat e holla të elokuencës dhe në vlerat letrare të tilla si këto, ndryshimet e vogëla nuk i prishin ato; një ‘koinçidencë e përafërt’ është e mjaftueshme.
Në suren “En-Nisa, El-Maide dhe El-En’am”, numri total i vërseteve koinçidon me numrin total të shembujve të fjalës All-llah: Numri i vërseteve është katërqind e gjashtëdhjetë e katër, dhe numri i shembujve të fjalës “All-llah”, katërqind e gjashtë dhjetë e një; dhe me fjalën “All-llah” tek “Bismil-lahi” ai koinçidon plotësisht.
Gjithashtu numri i shembujve të fjalës “All-llah” në pesë suret e para është dyfishi i numrit të asaj fjale në suret “El-A’raf, El-Enfal, Et-Teube, Junus dhe Hud”. Domethënë, pesë të dytat janë gjysma e pesë të parave. Numri i shembujve të fjalës All-llah në suret vijuese: “Jusuf, Er-Rad, Ibrahim, El-Hixhr dhe El-Nahl” është gjysma e asaj gjysmeje.
Pastaj suret vijuese: “El-Isra, El-Kehf, Merjem, Ta-Ha, El-Enbija dhe El-Haxh”, janë gjysma e gjysmës së asaj gjysme.[25]
Dhe kështu ajo vazhdon të zvogëlohet përafërsisht në të njëjtin përpjesëtim në grupet vijuese të pesë sureve. Ndodhen vetëm disa diferenca e mangësi; por diferenca të tilla nuk shkaktojnë asnjë dëm në stacione të tilla adresimi. Për shembull, disa janë njëqind e njëzet, disa janë njëqind e njëzet e pesë, disa janë njëqind e pesëdhjetë e katër, dhe disa janë njëqind e pesëdhjetë e nëntë. Atëherë tek pesë suret e mëposhtme, të cilat fillojnë nga sureja Ez-Zuhruf, numri zvogëlohet deri në gjysëm, domethënë, në gjysmën e gjysmës së asaj gjysme.
Dhe tek pesë suret të cilat fillojnë nga sure El-Nexhm, është numri gjysma e gjysmës së gjysmës së gjysmës së asaj gjysmeje, por në mënyrë të përafërt.
Diferencat që burojnë nga gabimet e vogëla nuk i dëmtojnë ato stacione të tilla adresimi si këto. Tre grupet vijuese të pesë sureve të shkurtëra përmbajnë vetëm tre shembuj nga fjala “All-llah”. Dhe kjo tregon se rastësia nuk ka ndërhyrë absolutisht në numrin e fjalës; numrat e saj janë specifikuar në përputhje me urtësinë dhe rregullin.
- Pika e tretë: Lidhet me fjalën All-llah.
Kjo ka të bëjë me lidhjen e saj me faqet dhe është siç vijon:
Numri i shembujve të fjalës “All-llah” në një faqe shikon tek ana e kundërt, ana e pasme e faqes dhe se faqja ndonjëherë shikon faqen përballë saj, ndonjëherë ajo shikon tek ana e majtë përballë faqes dhe tek ana e kundërt e faqes ballore. Unë e studiova një ‘koinçidencë’ në kopjen time të Mus’hafit, dhe pashë se ajo në përgjithësi ishte një lidhje shumë e hollë numerike. Unë i shënova ato në kopjen time. Shumë shpesh ato janë të barabarta, dhe ndonjëherë ato janë gjysma ose një e treta. Ato kanë një situatë e cila tregon një urtësi, një qëllim dhe një rregull.
- Pika e katërt: Kjo është ‘koinçidenca’ në një faqe të vetme. Vëllezërit e mi dhe unë i krahasuam tre ose katër kopje të ndryshme dhe kemi formuar mendimin se ‘koinçidencat’ ishin në të vërtetë në të gjitha ato.
Por për shkak se shkruesi im i kopjeve të botuara ndoqi synime të tjera, koinçidencat e humbën rregullin e tyre deri diku. Në qoftë se ato do të viheshin në rregull, koinçidencat do të shfaqeshin në tërësinë e Mus’hafit sa numri dy mijë e tetëqind e gjashtë nga shembujt e fjalës “All-llah”, vetëm me pak përjashtime të rralla. Një dritë mrekullie shndërit në këtë, sepse mendimi i njeriut nuk mund t’i përfshijë këto fletë shumë të gjëra dhe nuk mund të ndërhyjë në to absolutisht. Dhe dora e rastësisë nuk mund ta arrijë këtë situatë kaq kuptimplote dhe me plot urtësi.
Ne jemi duke shkruar rishtaz një mus’haf me qëllim që t’jua tregojmë këtë pikën e katërt deri diku së bashku me ruajtjen e fletëve të mus’hafëve më shumë të përhapur dhe duke ruajtur rreshtat e tyre së bashku me vendosjen në rregull të vendeve të cilat kanë humbur renditjen e tyre për shkak të rënies së disiplinës së bukurshkruesve dhe, do të tregojmë rregullin e vërtetë të ‘koinçidencës’ në dashtë Zoti xh.sh. dhe ajo u tregua.
O Zot! O Shpallësi i Kur’anit! Për hir të Kur’anit, na lejo ne t’i kuptojmë misteret e Kur’anit sa kohë që sferat të rrotullohen. Dhe jepi bekime e paqe atij të cilit Ti i shpalle Kur’anin dhe të gjithë familjes së tij dhe sahabëve. Amin.
* * *
Pjesa e Pestë e cila është Trajtesa e Pestë
Me Emrin e All-llahut, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti
“All-llahu është Drita e qiejve dhe e tokës.”[26]
Ndërsa isha në një gjendje shpirtërore gjatë muajit të Ramazanit, unë mora një dritë prej shumë mistereve të ndritshëm të këtij vërseti të mbushur me dritë; unë sikur e pashë atë nga larg. Ajo ishte kështu: Unë pashë diçka që i ngjasonte imagjinatës; se të gjitha qëniet dhe të gjitha gjallesat po i luteshin Zotit të Gjithëfuqishëm dhe po i përgjëroheshin Atij, si me lutjen e famshme të Uvejs Karanit, e cila fillon me:
O Zot! Ti je Mbështetësi dhe unë jam thjesht një rob..
Ti je Krijuesi, dhe unë jam krijesa..
Ti je Furnizuesi,dhe unë jam i furnizuari.. etj.
Unë pashë se ky vizion i zemrës dhe i imagjinatës më dha bindjen se ajo që e ndriçon secilën nga tetëmbëdhjetë mijë botët ëhtë siç vijon:
Unë pashë se brenda kësaj bote janë mijëra botëra të mbështjella, të mbuluara me perde pas perdeje, njëra brenda tjetrës si një gonxhe trëndafili e petaleve të panumërta. Ndërsa një perde u zbulua, unë pashë një botë tjetër dhe, ajo botë m’u shfaq mua në një errësirë, në shkretim dhe në një terr të tmerrshëm, ashtu siç e përshkruan atë Kur’ani i shenjtë:
“Ose (gjendja e mosbesimtarit) është si errësira në detin e gjërë e të thellë të mbuluar nga valë masive; valë masive të mbuluara nga re të zeza; errësirë një përmbi një, (aq sa) nëse njeriu e shtrin dorën, zor se e sheh atë! Dhe ai për të cilin All-llahu nuk ka caktuar dritë, për atë nuk ka aspak dritë”[27], papritmas, manifestimi i një Emri Hyjnor u shfaq si një Dritë shkrepëtitëse, duke e ndriçuar atë.
Sa herë që një perde palosej e ngrihej para mendjes, hapej dera për një botë tjetër para imagjinatës. Por ndërsa ajo shfaqej e errët për shkak të pakujdesisë, një Emër Hyjnor do të manifestohej si dielli rrezatues, duke e ndriçuar krejtësisht atë botë.. Dhe kështu me radhë. Ky udhëtim i zemrës dhe i imagjinatës vazhduan për një kohë të gjatë.
Do të përmendim shkurtazi se: kur unë pashë botën e kafshëve dhe kur vështrova tek pafuqia e tyre, tek dobësia, tek nevojat e tyre të pafundme dhe tek uria e madhe e tyre, m’u shfaq mua se ajo botë ishte zhytur në errësirën më të dendur dhe në një pikëllim të madh. Atëherë papritmas, Emri, “Er-Rahman”, I Gjithëmëshirshmi, shkëlqeu si Dielli rrezatues nga yjësia e Emrit “Er-Rrezzak”, Furnizuesi, domethënë në kuptim – dhe e ndriçoi të gjithë atë botë me dritën e mëshirës.
Pastaj, brenda botës së kafshëve, unë pashë një botë tjetër në të cilën të vegjëlit dhe fëmijët po përpiqeshin e luftonin në dobësi, në pafuqi dhe në nevojë brenda një errësire pikëlluese që do t’i shkaktonte gjithkujt dhembshuri e keqardhje. Papritmas Emri “Er-Rahim”, Mëshirëploti, shkëlqeu nga yjësia – shenja – e “dhembshurisë” dhe përhapi dritat e tij vezulluese mbi të gjithë botën në një mënyrë aq të bukur e të ëmbël, sa që i transformoi ankesën, keqardhjen dhe lotët e dëshpërimit në gëzim, lumturi, dhe në lotët e falënderimeve të këndshme.
Pastaj edhe një perde tjetër u ngrit, sikur të shfaqej një ekran kinemaje, dhe bota e njeriut u shfaq për mua. Unë e pashë atë botë të ishte aq e errët, aq shtypëse dhe aq e tmerrshme saqë unë bërtita në ankth; Ah medet! Unë shpreha me klithmë, sepse unë pashë se njerëzit kishin dëshira e shpresa që shtriheshin deri në përjetësi, mendime e përfytyrime që rrethonin universin, aspirata, aftësi e dhunti të cilat kërkonin përjetësi, lumturi të përjetshme dhe parajsë; dhe kërkesa e nevoja të orientuara drejt synimeve të pafundme dhe drejt qëllimeve. Megjithatë pavarësisht kësaj, ata ishin të dobët dhe të pafuqishëm dhe të zbuluar para sulmeve të fatkeqësive të panumërta dhe të armiqve; ata jetuan jetë të trazuara e të shqetësuara për një periudhë të shkurtër kohe me mundimin më të madh dhe me vështirësitë. Midis vuajtjeve të vazhdueshme të zhdukjes dhe të ndarjes, gjendja më e dhimbshme për zemrën ishte kur ata shikonin drejt varrit, i cili për të pavëmendshmit dhe për të pakujdesshmit shfaqet si dera e errësirës së përhershme; që veçan apo në grupe, ata po flakeshin në atë pus të errët.
Në momentin që unë e pashë këtë botë në mes të errësirës, zemra ime, shpirti, mendja, të gjitha aftësitë e mia humane dhe, në të vërtetë, të gjitha grimcat e qënies sime, ishin gati të rënkonin e të vajtonin me dhembje. Por, papritmas, Emri i Zotit të Gjithëfuqishëm “El-A’dilu’, i Drejti – ndriçoi në kuptim nga yjësia në kuptim – e Emrit “El-Hakim”, I Gjithurti, dhe Emri “Er-Rahman”, ndriçoi nga yjësia – shenja – e Emrit “El-Kerim”, Gjithëbujari; dhe Emri “Er-Rahim” ndriçoi nga yjësia e Emrit “El-Gafur”, Fajëfalësi, domethënë në kuptim, dhe Emri “El-Ba’ithu”, Ringjallësi, ndriçoi nga yjësia e Emrit “El-Varithu”, Ai që shkakton trashëgimi; dhe Emri “El-Muhji”, Jetëdhënësi, ndriçoi nga yjësia e Emrit “El-Malik”, Pronari. Këto Emra Hyjnorë ndriçuan shumë botëra brenda botës së njeriut. Duke hapur dritare për botën e ndritshme të Ahiretit, ato përhapën drita vezulluese mbi botën e errët njerëzore.
Pastaj një perde tjetër e gjërë u palos e u ngrit dhe u shfaq bota e tokës. Ligjet shkencore të errëta të filozofisë shfaqin një botë të tmerrshme për imagjinatën. Situata e llojit të mjerë njerëzor duke udhëtuar përmes një hapësire të pafundme mbi tokën e moshuar m’u shfaq mua, e cila mbulon e përshkon për një vit distancën e njëzet e pesë mijë viteve duke lëvizur shtatëdhjetë herë më shpejt se sa një gjyle topi, dhe që brendësia e së cilës është në një gjendje të trazuar e tronditjeje, gjithmonë e gatshme për t’u shpërbërë e zbërthyer; koka filloi të më vinte vërdallë dhe sytë e mi po errësoheshin.
Atëherë,papritmas, Krijuesi i qiejve e i tokës, dhe Emrat Hyjnorë, “El-kadiru, El-Alimu, Er-Rabbu” All-llahu, Rabbus-semavati vel-Erdi dhe Musah-hirush-shemsi vel-Kamer, All-llahu, Mbështetësi i qiejve dhe i tokës, dhe Nënshtruesi i Diellit dhe i hënës, ndriçuan nga yjësitë e mëshirës, madhështisë dhe Hyjnisë. Ato e ndriçuan atë botë sa që unë e pashë globin tokësor se është një anije udhëtuese e sigurtë, e mirërregulluar, e nënshtruar, e përkryer dhe e këndshme; dhe e pashë atë me të vërtetë, se ishte përgatitur për shëtitje, për udhëtim të këndshëm dhe për tregti.
Shkurtazi: Secili nga një mijë e një Emrat Hyjnorë është orientuar drejt universit dhe ndriçon, ashtu si dielli madhështor, një botë prej botërave, madje secili prej tyre ndriçon gjithçka që gjendet në ato botëra, sepse shfaqeshin manifestimet e Emrave të tjerë brenda shfaqjes së çdo Emri prej Emrave Hyjnorë dhe, kjo nëpërmjet misterit të Njësisë Hyjnore.
Atëherë, zemra ime shikoi një dritë të ndritshme prapa të gjithë errësirës dhe ndjeu një dëshirë për udhëtim. Ajo deshi t’i hipë imagjinatës që të shëtisë në qiell. Në atë pikë, një perde tjetër akoma më e shtrirë u palos, u ngrit dhe zemra ime hyri në botën e qiejve. Ajo shikoi se yjet, të cilët u dukën si buzëqeshje xixëlluese, ishin më të mëdhaja se sa toka, rrotulloheshin dhe udhëtonin më shpejtë se sa toka njëri brenda tjetrit.
Në qoftë se ndonjëri nga ato do të ngatërronte lëvizjen e tij, ai do të përplasej me një tjetër, duke shkaktuar një shpërthim të tillë sa që universi do të hidhej në erë, do të shkatërrohej, duke i shkaktuar kështu të gjithë botës të shpërndahej. Yjet nuk do të përhapnin më dritë, por zjarr; ato nuk do të më shikonin mua me buzëqeshje, por me egërsi e vrazhdësi.
Unë i pashë qiejt brenda një errësire të pafundme, gjithërrethuese, të boshatisur, të tmerrshme dhe të lemerishme. Unë u dëshpërova dhe u pendova një mijë herë se përse kisha ardhur. Por ndërsa po vuaja në këtë gjendje, papritmas Emrat Hyjnorë:
“Mbështetësi i qiejve dhe i tokës” dhe Krijuesi i melekëve dhe i shpirtit“ ndriçuan me manifestimet e tyre nga yjësitë e
‘Ai nënshtroi Diellin dhe Hënën.”[28] “Dhe Ne e stolisim qiellin më të afërt e më të ulët me llamba – yje…”[29]
Yjet, të cilët në përputhje me kuptimin e mëparshëm do të shembeshin e do të binin në errësirë, secili mori një shkreptimë nga ajo dritë madhështore dhe e ndriçoi atë botë të qiejve si ndriçimi i llambave elektrike.
Edhe qiejt gjithashtu, të cilët qenë supozuar të jenë të boshatisur e të pabanuar, u mbushën me engjëj e me qënie shpirtërore. Unë i pashë diejt dhe hënat, të cilët ishin në lëvizje si një ushtri e Mbretit të parapërjetësisë – njëra nga ushtritë e Tij të panumërta – me manovrat e tyre të larta duke shfaqur madhështinë dhe Hyjninë e madhërishme të Atij Sulltani të Gjithëlavdishëm. Unë deklarova, me të gjithë fuqinë time, dhe, nëse do të kishte qenë e mundur, me të gjitha grimcat e qënies sime, dhe, në qoftë se ato do të më kishin dëgjuar mua, me gjuhët e të gjitha krijesave:
“All-llahu është drita e qiejve dhe e tokës. Shembulli i dritës së Tij është si të kishim një qoshe të errët dhe në të një llambë, llamba e futur në një kupë qelqi si të ishte yll që shkëlqen i ndezur nga një pemë e bekuar, nga ulliri, as nga lindja (që nuk i merr rrezet vetëm në mëngjes), as nga perëndimi (që nuk i merr rrezet vetëm pasdite, por është nën rrezet e diellit gjatë gjithë ditës), vaji i të cilit digjet vetvetiu edhe pse nuk e ka prekur zjarri fare. Dritë përmbi Dritë! All-llahu udhëzon drejt Dritës së Tij atë që do Ai.”[30]
Unë e recitova këtë vërset në Emrin e të gjithë krijesave. Atëherë unë u ktheva, zbrita në tokë dhe u zgjova. Dhe thashë: “Të gjitha lavdërimet i takojnë All-llahut për Dritën e imanit dhe të Kur’anit.”
* * *
Pjesa e Gjashtë e cila është Trajtesa e Gjashtë
[Kjo u shkrua për të paralajmëruar shërbëtorët e Kur’anit të gjithurtë, me qëllim që ata të mos mashtrohen.]
Me Emrin e All-llahut, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti.
“Dhe mos anoni nga ata që bëjnë padrejtësi, që të mos ju prek zjarri…”[31]
Në dashtë Zoti, kjo pjesa e gjashtë do të përmbysë gjashtë dredhi të shejtanëve midis xhindeve dhe njerëzve dhe do të bllokojë gjashtë nga rrugët e tyre të sulmit.
Dredhia e parë: Si rrjedhojë e instruksionit që ata kanë marrë nga shejtanët midis xhindëve, shejtanët njerëzorë dëshirojnë të mashtrojnë, nëpërmjet dëshirës për rang e pozitë, shërbëtorët vetësakrifikues të partisë së Kur’anit dhe t’i bëjnë ata të heqin dorë nga shërbimi i tyre i shenjtë dhe nga “xhihadi i tyre i lartësuar i Fjalës”.
Kjo është siç vijon:
Në shumicën e njerëzve është e pranishme dëshira shtinjake, hipokrite për t’u shikuar nga njerëzit dhe për të mbajtur një pozitë në shikimin publik, e cila është ambicia për famë, për t’u brohoritur dhe për vetëmburrje; kjo dëshirë për rang e pozitë është e pranishme në një shkallë më të vogël apo më të madhe tek të gjithë ata që kërkojnë këtë botë.
Realizimi i kësaj ambicieje, dëshire për famë, do ta nxiste njeriun që të sakrifikonte edhe jetën e tij. Kjo ambicie është jashtëzakonisht e dëmshme për ata që kërkojnë Ahiretin. Dhe për ata që e kërkojnë këtë botë, ajo është një rrugë e keqe; ajo gjithashtu është burimi i shumë moraleve të këqija dhe është damari më i dobët i karakterit të njeriut. Me qëllim që ta ketë nën sundim dikë dhe ta tërheqë atë për tek vetvetja, një njeriu do t’i duhej vetëm t’ia bënte qejfin kësaj ambicie; kjo e lidh njeriun me atë dhe, kështu ai shpartallohet prej këtij.
Frika ime më e madhe për vëllezërit e mi është mundësia që ateistët do ta shfrytëzojnë këtë damar të dobët të tyre. Kjo më ka bërë të mendoj shumë, sepse në atë mënyrë ata kanë tërhequr disa fatkëqinj të cilët nuk ishin miq të vërtetë, duke i çuar ata në situatë të rrezikshme.[32]
O vëllezërit e mi dhe o kolegët e mi në shërbimin e Kur’anit!
Ata të cilët u vijnë juve nëpërmjet dëshirës për pozitë prej agjentëve të fshehtë të njerëzve të dhënë vetëm pas kësaj dynjaje, ose prej propaganduesve të njerëzve të çudhëzimit, ose prej studentëve të shejtanit, të cilët përpiqen t’ju mashtrojnë juve, u thoni atyre:
Së pari, kënaqësia e Zotit xh.sh., favoret e të Gjithëmëshirshmit dhe pranimi Hyjnor janë një pozitë e tillë sa që vlerësimi dhe admirimi i njerëzve pothuajse nuk vlejnë asgjë në krahasim me atë. Në qoftë se njeriu do të merrte mëshirën Hyjnore, kjo do të ishte e mjaftueshme. Sa për vlerësimin e njerëzve dhe orientimin e tyre drejt meje, ai do të ishte i pranueshëm veçse në qoftë se ai do të ishte një hije nga reflektimi i vlerësimit të mëshirës së Tij xh.sh., ose përndryshe ajo është diçka që nuk duhet të kërkohet e dëshirohet, sepse ajo shuhet tek dera e varrit dhe, kështu atje ajo nuk vlen asgjë fare!
Në qoftë se dëshira për rang dhe për pozitë nuk detyrohet të heshtë dhe nuk eliminohet, ajo duhet të orientohet drejt diçkaje tjetër, si kjo: Ai emocion – dëshira për pozitë – ndoshta mund të ketë ndonjë aspekt të ligjshëm dhe kjo për të arritur shpërblim për Ahiretin, ose me qëllimin e fitimit të duave nga të tjerët, ose nga këndvështrimi i efektshmërisë së shërbimit.
Për shembull, në një kohë, xhamia e Aja Sofias mbushej me njerëz të shquar, të bekuar, të virtytshëm dhe të shkëqlyer. Disa të rinj dembelë, cipëplasur e të pafytyrë ishin tek hyrja dhe tek parahyrja, tek veranda, ndërsa pranë dritareve dhe përpara atyre janë disa evropianë të dhënë pas dëfrimeve dhe lojrave, duke vëzhguar.
Një njeri futet në xhami dhe i bashkohet xhematit dhe reciton bukur një pjesë nga Kur’ani me një zë të hollë; shikimet e mijëra prej njerëzve të së vërtetës janë kthyer drejt tij dhe, atëherë e bëjnë atë të fitojë thevab të madh me duatë e tyre për të, dhe me kënaqësinë e tyre për të. Kjo punë nuk do t’i kënaq vetëm ata të rinj të pacipë, ata ateistë të çudhëzuar dhe një ose dy evropianët.
Por në qoftë se ai njeri do të kishte hyrë në xhaminë e bekuar dhe t’i ishte bashkuar xhematit të madh dhe, do të fillonte të këndojë këngë të turpshme, të pahijshme dhe të pavend, dhe të vallëzonte e të hidhej andej-këtej, atëherë ai do t’i kishte bërë ata të rinj dembelë të qeshnin dhe do t’i kënaqte ata të shthurur të pacipë meqenëse kjo nxiste imoralitetin, dhe do t’i bënte evropianët të buzëqeshnin me qesëndi e me tallje, të cilët marrin kënaqësi kur shohin çfarëdo të mete në Islam. Por kjo do të kishte marrë shikimet e neverisë dhe të përbuzjes nga xhemati i gjërë dhe i bekuar; ai do të ishte shfaqur në shikimin e tyre të kishte rënë mu në ultësirën më të ulët.
Pikërisht ashtu si ky shembull, bota e Islamit dhe Azia është një xhami e madhe, dhe njerëzit e besimit dhe të së vërtetës brenda saj janë xhemati i respektuar në xhami: Të rinjtë dembelë janë lajkatarët e servilat me mendjet e fëmijëve. Të pacipët e shthurur janë ata kopukë të cilët ndjekin Evropën ose që nuk kanë komb apo fe. Ndërsa spektatorët evropianë janë gazetarë, të cilët përhapin idetë e Evropës. Të gjithë muslimanët dhe, në mënyrë të veçantë të virtytshmit dhe të plotësuarit, kanë një vend në atë xhami madhështore sipas shkallës së tyre; ata shihen dhe vëmendja është kthyer drejt tyre. Në qoftë se ata kryejnë veprime dhe vepra që burojnë nga urdhëresat dhe nga të vërtetat e shenjta të cilat i urdhëron Kur’ani i Gjithurtë, në lidhje me sinqeritetin dhe me kënaqësinë Hyjnore të cilat janë një themel i Islamit, dhe në qoftë se gjuha e tyre e gjendjes reciton vërsete Kur’anore, atëherë ata do të përfshihen në duanë:
“O Zot, jepu falje të gjithë burrave besimtarë dhe të gjitha grave besimtare”, e cila në mënyrë të vazhdueshme shprehet nga të gjithë individët në botën e Islamit, dhe do të kenë një pjesë nga ajo, dhe ata do të bëhen të lidhur me ata të gjithë në një mënyrë vëllazërore. Vlera e saj nuk do të jetë e dukshme veçse për disa nga njerëzit e çudhëzimit të cilët janë si bisha të dëmshme dhe nuk shfaqet pozita e tij për disa të marrë të cilët janë si fëmijë mjekroshë.
Në qoftë se ai njeri do t’i përgënjeshtronte të gjithë stërgjyshërit e tij, të cilët janë burimi i nderit, të gjithë të shkuarën e tij, historinë e tij të cilën e konsideron si boshtin e krenarisë dhe, braktis në shpirt rrugën e ndritshme të paraardhësve të tij të drejtë, selefu es-salih, të cilët i konsideron të jenë pika e tij e mbështetjes dhe, fillon të kryejë veprime duke ndjekur tekat e tij dhe pasionet, duke kërkuar me hipokrizi famën, dhe duke ndjekur bidate, ai do të binte në pikërisht tek pozita më e ulët në shikimin e të gjithë njerëzve të së vërtetës dhe të besimit.
Në përputhje me hadithin sherif:
“Ruhuni nga mendjemprehtësia, nga intuita e besimtarit, sepse ai shikon me dritën e Zotit.” (Tirmidhi), sado i zakonshëm midis njerëzve dhe i paditur të jetë një besimtar, madje edhe në qoftë se mendja e tij nuk do të kuptonte, veçse ama zemra e tij i shikon ftohtë dhe me neveri njerëz të tillë mburravecë dhe egoistë.
Dhe kështu njeriu që entuziazmohet nga dashuria për pozitë dhe rang dhe që pushtohet nga dëshira për famë – njeriu i dytë – zbret pikërisht tek ultësira më e ulët në shikimin e atij xhemati të panumërt, dhe fiton një pozitë fatzezë përkohësisht në shikimin e një numri prej të pacipëve të papërfillshëm, të përçartur dhe tallës. Në përputhje me vërsetin, “Shokët atë ditë do të jenë armiq me njëri-tjetrin, përveç besimtarëve të përkushtuar”[33], ai do të gjejë disa shokë të rremë të cilët do të jenë të dëmshëm në këtë dynja, shkak torturimi në berzah – në botën e ndërmjetme – dhe armiq në Ahiret.
Sa për njeriun e parë, edhe në qoftë se nuk e fshin dot nga zemra e tij dëshirën për pozitë, por me kusht që të marrë sinqeritetin dhe kënaqësinë e Zotit si baza, dhe të mos i bëjë rangun dhe pozitën si qëllimin e tij, ai do të fitojë një lloj të rangut shpirtëror, të ligjshëm e të lartë, i cili do ta kënaqte plotësisht dëshirën e tij për rang. Ky njeri do të humbiste diçka të parëndësishme, shumë të papërfillshme dhe do të gjente në vend të saj shumë gjëra të vlefshme e të padëmshme.
Madje ai do të dëbonte nga vetja e tij një numër gjarpërinjsh dhe do të gjejë krijesa të shumta të bekuara në vendin e tyre; ai do të familiarizohet me to dhe do të shoqërohet me to. Ose ai do t’i shmangej pickimit të grerëzave të tërbuara, dhe do t’i tërhiqte për tek vetvetja bletat e bekuara, shitëset e shërbetit të mëshirës. Ai do të marrë mjalt nga duart e tyre. Domethënë, ai do të gjejë të dashur të tillë saqë nga të gjitha anët e botës Islame shpirtit të tij do t’i jepen shkëlqime si uji i Keutherit duke i thithur nëpërmjet duave të tyre, të cilat do të kalojnë tek libri i veprave të mira.
Në një kohë, kur nëpërmjet bërjes së një gabimi shumë të madh për shkak të dëshirës për famë, një njeri i vogël i cili kishte zënë një pozitë të lartë dynjaje u bë objekt talljeje në sytë e botës Islame, unë i fola atij duke i mësuar atij kuptimin e krahasimit të lartëpërmendur; unë e godita atë në kokë me të. Ai u trondit rëndë me atë mësim, por për shkak se unë nuk pata qenë i aftë ta shpëtoj veten time nga dëshira për rang e pozitë, paralajmërimi im nuk e zgjoi atë.
Dredhia e Dytë: Njëra nga ndjenjat më të rëndësishme dhe themelore në njeriun është ndjenja e frikës. Shtypësit intrigantë e shfrytëzojnë këtë ndjenjë të frikës tek njeriu. Ata i frenojnë frikacakët me të. Agjentët e fshehtë të njerëzve të dhënë vetëm pas kësaj dynjaje dhe propaganduesit e njerëzve të çudhëzimit e shfrytëzojnë këtë damar të njerëzve të zakonshëm dhe të dijetarëve fetarë në veçanti.
Ata i frikësojnë dhe u shkaktojnë atyre dyshime të pabaza. Për shembull, një njeri intrigant që shfaq për dikë tjetër diçka që ai e supozon të jetë e dëmshme – ndërsa ai është në çati – dhe i ngjall frikën atij dhe e shtyn dalngadalë duke e bërë atë të tërhiqet prapa derisa e afron atë tek tehu, cepi i çatisë, dhe pastaj ai e bën atë të bie e të thyejë qafën e tij. Dhe pikërisht në të njëjtën mënyrë, ata i bëjnë njerëzit të sakrifikojnë gjërat më të rëndësishme nëpërmjet frikësimeve më të parëndësishme e të pabaza; saqë disa prej tyre futen në gojën e kuçedrës, me qëllim që të mos i pickojë mushkonja.
Një herë, një njeri i shquar – All-llahu e mëshiroftë – ishte trembur përse kishte hipur në një barkë me rrema. Në një mbrëmje, unë së bashku me të erdhëm në Stamboll tek Ura. Ne duhej të hipnin në një barkë, nuk kishte mjet tjetër transporti dhe, ne ishim të detyruar të shkonim në xhaminë e Sulltan Ejjub Ensariut. Unë insistova duke i thënë atij veçse ta marrim barkën. Ai tha:
“Kam frikë… ndoshta ajo mbytet!” Unë i thashë atij:
“Sa barka mendon ti ka në këtë gji?” Ai u përgjigj:
“Ndoshta një mijë.” Unë e pyeta atë:
“Sa barka mbyten në vit?” Ai tha:
“Një ose dy dhe, mund të mos mbytet asnjë në ndonjë vit!” Unë i thashë:
“Sa ditë ka një vit?!” Ai u përgjigj:
“Treqind e gjashtëdhjetë ditë:” Atëherë unë i thashë atij:
“Mundësia e mbytjes , e cila ka ngjallë tek ty frikësime e dyshime të pabaza dhe të bën ty të shqetësuar, është një në treqind e gjashtëdhjetë mijë mundësi. Dikush që frikësohet në një mundësi të tillë nuk është një qënie njerëzore, ai madje nuk do të ishte as kafshë. Pastaj unë e pyeta atë:
“Sa mendon ti se do të jetosh pas këtij momenti?” Ai tha:
“Unë jam i moshuar; ndoshta unë do të jetoj edhe një dhjetë vjeçar tjetër! Atëherë unë i thashë atij:
“Meqenëse exheli është i fshehur, çdo ditë ndodhet mudësia e vdekjes.”
Domethënë, ti ke tre mijë e gjashtëdhjetë mundësi për vdekje. Atëherë para teje nuk është vetëm një mundësi e vetme nga tre mijë të tilla, por ndoshta ajo mundësi mund të ndodhë sot. Kështu frikësohu, fillo të vajtosh dhe shkruaje porosinë tënde të fundit!” Ai u ndikua nga kjo fjalë dhe erdhi në vete, dhe unë e mora atë në barkë ndërsa ai dridhej. Kur ne të dy ishim tashmë në barkë, unë i thashë atij: Zoti xh.sh. e dha ndjenjën e frikës për të ruajtur jetën dhe jo për ta shkatërruar atë! Ai nuk na e dha këtë ndjenjë që ta bëjmë jetën të padurueshme, të vështirë, të dhimbshme dhe për torturim.
Në qoftë se frika do të lindte për shkak të një mundësie të një në dy, ose në tre, ose në katër, ose madje një në pesë ose në gjashtë, atëherë kjo ndoshta do të konsiderohej një frikë e justifikueshme, e ligjshme me qëllim që të marrësh masat parandaluese. Por në qoftë se frika lind për shkak të një mundësie të një në njëzet, ose një në dyzet, kjo do të ishte një frikë e pabazë dhe do ta bënte jetën torturë e mjerim.”
Dhe kështu, o vëllezërit e mi! Në qoftë se ju sulmojnë lolot e njerëzve të çudhëzimit dhe lajkatarët e njerëzve të ateizmit që t’ju frikësojnë juve dhe t’ju bëjnë të hiqni dorë nga xhihadi juaj i shenjtë i cili është ‘Xhihadi i Fjalës’, u thoni atyre: ne jemi partia e Kur’anit. Sipas vërsetit,
“Vërtetë Ne, jemi Ne që e kemi zbritur mesazhin – Kur’anin – dhe padyshim që Ne do të jemi Gjithëruajtës të tij”[34], ne jemi në kalanë e Kur’anit. Vërseti,
“All-llahu Vetëm na mjafton neve dhe për ne Ai është Rregulluesi më i mirë i punëve”[35], është një kështjellë e fortë përreth nesh. Kështu ju nuk do të mund të na shtyni ne – me dëshirën tonë – në një rrugë që të çon përfundimisht në mijëra dëme që prekin jetët tona të përjetshme nga frika e ardhjes së ndonjë dëmi të vogël me një mundësi një në mijëra mundësi tek kjo jeta jonë e shkurtër e dynjasë.
U thoni atyre gjithashtu: “A ka ndonjë që ka pësuar dëm për shkak të Said Nursit, i cili është kolegu ynë në shërbim të Kur’anit dhe profesori ynë në drejtimin e këtij shërbimi të shenjtë, apo nga njerëzit e së vërtetës si ne që jemi shokët e tij në rrugën e së vërtetës?
A ka ndonjë që ka vuajtur ndonjë shqetësim për shkak të studentëve të tij të afërt, që edhe ne ta vuajmë atë gjithashtu, ose të detyrohemi e të shqetësohemi nga frika e asaj vuajtjeje që mund të na bie? Ky vëllai ynë ka mijëra shokë e vëllezër të Ahiretit. Megjithëse për njëzet deri në tridhjetë vjet ai ka luajtur një rol efektiv të kësaj bote, ne nuk kemi dëgjuar asnjë nga vëllezërit e tij të pësojë ndonjë dëm për shkak të tij. Veçanërisht në atë kohë që ai mbante çekanin e politikës dhe forcën e saj.
Tani në vend të atij çekani, ai ka dritën e realitetit. Dhe pavarësisht se emri i tij u bashkua më parë me ata që ishin në ngjarjen e tridhjetë e një marsit dhe ata i shtypën disa nga shokët e mi, por ama më vonë u bë e qartë se ngjarja kishte shpërthyer për shkak të të tjerëve. Shokët e tij vuajtën fatkeqësi, jo për shkak të tij, por për shkak të armiqve të tij. Për më tepër, në atë kohë, ai shpëtoi shumë nga shokët e tij. Atëherë, ju o vëllezërit e mi, duhet t’u thoni servilave prej njerëzve të çudhëzimit:
Ne nuk pranojmë që të humbasim një thesar të përjetshëm nëpërmjet frikës së një rreziku, mundësia e të cilit është, jo një në një mijë, por një në mijëra mundësi… prandaj të mos ju shkojë kjo ndërmend atyre si ju, o shejtanë prej njerëzve.”
Dhe kështu, o vëllezërit e mi, ju duhet t’i dëboni ata dhe t’i goditni me këtë fjalë në gjuhët e tyre. Dhe u thoni atyre lajkatarëve gjithashtu: “Në qoftë se mundësia e vdekjes buroi nga një mundësi qind për qind dhe jo nga një mundësi një në qindra e mijëra mundësi, ne nuk e lëmë dhe nuk heqim dorë nga Said Nursi në qoftë se do të kishim sa një grimcë intelekt! Sepse është parë nëpërmjet provave të përsëritura dhe shikohet se fatkeqësia që u bie atyre që tradhëtojnë vëllanë e tyre më të madh ose profesorin e tyre në kohë rreziku, i godet ata të parët. Dhe ata ndëshkohen pa mëshirë dhe shihen me përbuzje.
Ata, edhe fizikisht janë të vdekur, edhe shpirtërat e tyre shkatërrohen nga poshtërimi; ata janë të vdekur në kuptim. Dhe ata që u japin torturimin atyre nuk ndiejnë keqardhje për ata, sepse ata thonë: Meqenëse këta kanë tradhëtuar profesorin e tyre i cili ishte besnik dhe i njerëzishëm me ta, ata duhet të jenë krejtësisht të përbuzshëm; ata nuk janë të denjë për keqardhje, por të përçmohen poshtërsisht.
Po, realiteti është ky. Gjithashtu, në qoftë se një njeri tiranik do ta lëshonte dikë për tokë dhe do të qëndronte sipër tij i sigurt për t’ia shtypur kokën me këmbën e tij, dhe ndërkohë i mposhturi do të puthte këmbën e atij shtypësi mizor, nëpërmjet poshtërimit të tij, zemra e tij do të shtypej e dërrmohej para kokës së tij dhe, dinjiteti i tij dhe krenaria do të shkatërroheshin. Duke shfaqur dobësi përpara atij tirani mizor pa ndërgjegje, i jep zemër atij për ta shtypur. Por në qoftë se njeriu i shtypur, në këmbën e tij lëshon pështymë në fytyrën e tiranit, ai do ta shpëtonte zemrën e tij dhe shpirtin e tij, dhe trupi i tij do të jetë një martir i shtypur. Po, pështyni në fytyrat e tiranëve cipëplasur!
Kur anglezët pushtuan Stambollin dhe shkatërruan topat tek Bosfori, kryeprifti i kishës anglikane bëri gjashtë pyetje në ato ditë, për zyrën e meshihatit islam. Në atë kohë unë isha një anëtar i Dar el Hikmeh el-Islamijjeh. Ata më pyetën mua që t’u përgjigjesha atyre, duke thënë se ata donin një përgjigjje me gjashtëqind fjalë për gjashtë qind pyetjet e tyre. Por unë u thashë atyre: “Unë do t’u përgjigjem atyre jo me gjashtëqind fjalë, as me gjashtë fjalë, madje as edhe me një fjalë të vetme, por me një pështymë të vetme! sepse ju mund ta shikoni se ai shtet, në momentin që vuri këmbën në Bosfor, prifti i tij me arrogancë na pyeti gjashtë pyetje dhe, duhet një pështymë në fytyrën e këtij kryeprifti. Prandaj pështyni në fytyrat mizore të atyre tiranëve!” Dhe tani unë them:
O vëllezërit e mi! Meqenëse në kohën kur një shtet i madh si Anglia kishte pushtuar vendet tona, unë iu përgjigja atyre me gjuhën e të shtypurit – dhe i sfidova dhe, shkatërrimi ishte i sigurt qind për qind, veçse ama mbrojtja e Kur’anit ishte e mjaftueshme për mua dhe, ajo mbrojtje do të jetë njëqind herë më e mjaftueshme për ju përballë dëmit që mund të vijë nga dora e tiranëve të papërfillshëm, mundësia e të cilit është vetëm një në njëqind.
Për më tepër, vëllezërit e mi! Shumica prej jush e kanë kryer shërbimin ushtarak dhe e kanë dëgjuar me siguri këtë. Ata që nuk e kanë dëgjuar, le ta dëgjojnë atë prej meje: “Ata të cilët marrin më shumë plagë janë ata që braktisin hendekun dhe që ikin. Ndërsa ata që marrin plagë më pak janë ata që qëndrojnë në hendeqet e tyre! Kuptimi aludues i vërsetit
“Thuaju (atyre): “Sigurisht që vdekja prej të cilës ju ikni padyshim që do t’ju kapë”[36],tregon se ata që ikin janë më shumë të mundshëm që ta takojnë vdekjen se sa të tjerët!
Dredhia e tretë djallëzore: Shejtanët gjuajnë shumë njerëz nëpërmjet lakmisë. Ne kemi provuar në shumë trajtesa me argumente të sigurta që janë shfaqur nga vërsetet e qarta të Kur’anit të Gjithurtë se: “Ushqimi hallall nuk vjen në përputhje me fuqinë dhe me dëshirën, por vjen në lidhje me pafuqinë dhe varfërinë.”
Ndodhen shenja të shumta, tregues dhe dëshmi që e demonstrojnë këtë të vërtetë. Për shembull, pemët , të cilat janë një lloj prej qënieve të gjalla dhe në nevojë për ushqim, qëndrojnë në vendet e tyre dhe ushqimi i tyre vjen duke nxituar për tek ato. Ndërsa meqenëse kafshët rendin pas ushqimit të tyre me lakmi, ato nuk ushqehen në mënyrë aq të plotë ashtu si pemët.
Gjithashtu, meqenëse peshqit janë më të pazgjuarit, më të trashët e të paaftit midis kafshëve, ato ushqehen në mënyrën më të mirë, ndonëse ata jetojnë në rërë dhe përgjithësisht shfaqen të majmë të dhjamuar, ndërsa kafshët e zgjuara e të afta si majmunët dhe dhelprat janë të dobët e të hollë nga sasia e pamjaftueshme e ushqimit, tregon se, mjeti i ushqimit nuk është fuqia, por varfëria dhe nevoja.”
Gjithashtu, ushqimi i hollë i të gjithë të vegjëlve, qofshin njerëz apo kafshë – dhe dhurata më e hollë nga thesari i mëshirës si qumështi duke u ardhur atyre si dhuratë në një mënyrë të paparashikuar si mëshirë për shkak të dobësisë së tyre dhe si dhembshuri për pafuqinë e tyre dhe kushtet e vështira të kafshëve të egra, tregojnë se mjetet e ushqimit hallall janë pafuqia dhe varfëria, dhe jo zgjuarsia e fuqia.
Gjithashtu midis popujve të botës, çifutët janë më lakmitarët për jetën e kësaj dynjaje; ata i parakalojnë të gjithë popujt e tjerë në përpjekjen e tyre për mjetet e jetesës. Ndërsa ata kanë vuajtur më shumë se çdo popull nga mjetet e këqija të jetesës duke u zbuluar para poshtrimit dhe varfërisë. Madje edhe të pasurit midis tyre jetojnë në një mënyrë të ulët. Prandaj, pasuritë që ata kanë fituar nëpërmjet rrugëve të paligjshme, si kamata, nuk janë prej ushqimit hallall, kështu kjo nuk e plagos çështjen tonë këtu.
Gjithashtu, varfëria e shumë figurave letrare dhe e dijetarëve, në një kohë që pasurohen shumë njerëz të pamend e torollakë, tregon se mjetet për tërheqjen e mjeteve të jetesës nuk janë zgjuarsia dhe fuqia, por pafuqia dhe varfëria; janë duke iu nënshtruar All-llahut ndërsa je mbështetur vetëm tek Ai dhe duke u lutur me fjalë, me gjendje e me vepra. Vërseti,
“Vërtetë që All-llahu, Ai është padyshim Gjithëfurnizuesi, Zotëruesi i fuqisë, i Përhershmi më i fortë”[37], e shpall këtë të vërtetë, dhe është një provë e fuqishme dhe e palëkundur e këtij pohimit tonë të cilën e recitojnë të gjitha bimët, kafshët dhe të vegjëlit, madje atë e reciton çdo grup krijese që kërkon ushqim nëpërmjet gjuhës së gjendjes së natyrshme.
Meqenëse rizku, furnizimi është i përcaktuar nga Kaderi Hyjnor, dhe ai dhurohet, dhe Ai i Cili e jep atë është All-llahu i Gjithëfuqishëm, dhe Ai është Mëshirëplotë, Gjithëbujar, le të mendojnë ata të cilët e poshtërojnë vetveten nëpërmjet fitimit haram, të paligjshëm, në një mënyrë që akuzojnë mëshirën e Tij dhe që fyejnë bujarinë e tij; duke u dhënë ndërgjegjjeve të tyre dhe madje çështjeve të shenjta si ryshfete, dhe duke pranuar gjëra të cilat janë të paligjshme, haram, dhe të mbrapshta – le të mendojnë ata se çfarë marrëzie është kjo sjellja e tyre.
Po, njerëzit e dhënë vetëm pas kësaj dynjaje, dhe sidomos njerëzit e çudhëzimit nuk i japin lirë paratë e tyre, ata i japin ato me një çmim të lartë. Ndonjëherë diçka nga paratë që mund të ndihmojnë për të vazhduar një vit nga jeta e kësaj dynjaje është mjeti për të shkatërruar jetën e pafundme të amshuar. Dhe nëpërmjet asaj lakmie të keqe, personi tërheq zemërimin Hyjnor mbi vetveten dhe përpiqet të tërheqë kënaqësinë e njerëzve të çudhëzimit.
Po, o vëllezërit e mi! Në qoftë se ju gjuajnë, ju ndjekin lajkatarët e njerëzve të dhënë vetëm pas kësaj dynjaje dhe hipokritët e njerëzve të çudhëzimit nëpërmjet lakmisë dhe damarit të dobët, mendojeni të vërtetën e lartëpërmendur dhe merreni këtë vëllanë tuaj të varfër si një shembull.
Unë ju siguroj ju me të gjithë fuqinë time se kënaqësia -mjaftueshmëria- dhe kursimi e sigurojnë jetën tuaj dhe ushqimin më shumë se sa një rrogë. Në mënyrë të veçantë, ato para të paligjshme që ju janë dhënë juve do të kërkojnë prej jush një çmim një mijë herë më të lartë në shkëmbim, ose të paktën ato ju pengojnë ose pakësojnë shërbimin e Kur’anit, i cili mund të hapë për ju një thesar të përjetshëm. Dhe kjo do të ishte një humbje e tillë dhe një zbrazëtirë, sa që madje sikur ata t’ju jepnin ju një mijë rroga në çdo muaj, ato nuk do ta mbushnin atë paralajmërim:
Njerëzit e çudhëzimit nuk janë të aftë të mbrojnë vetveten dhe t’u përgjigjen të vërtetave të besimit dhe të Kur’anit të cilat ne i marrim nga Kur’ani i Gjithurtë dhe të cilat i kemi përhapur. Prandaj nëpërmjet intrigës dhe shtirjes, ata përdorin kurthet e mashtrimit dhe të dredhisë. Ata dëshirojnë t’i mashtrojnë shokët e mi nëpërmjet dëshirës për pozitë, lakmisë dhe frikës dhe që të më refuzojnë mua duke më përshkruar disa gjëra. Në shërbimin tonë të shenjtë, ne gjithmonë veprojmë pozitivisht. Por për fat të keq, ndonjëherë detyra e heqjes së pengesave që bllokojnë ndonjë çështje të mirë na shtyn ne të veprojmë negativisht. Për shkak të kësaj, po i paralajmëroj vëllezërit e mi lidhur me tre pikat e lartëpërmendura përballë propagandës finoke të shtiracakëve. Unë po përpiqem t’i largojë sulmet prej tyre.
Sulmi më i madh tani është ndaj personit tim. Ata thonë: “Saidi është kurd, përse ju tregoni kaq shumë respekt dhe e ndiqni atë?”
Kështu unë jam i detyruar të shkruaj dredhinë e katërt djallëzore me gjuhën e Saidit të Vjetër, megjithëse unë nuk e dëshiroj, me qëllim që t’ua mbyll gojën e t’i hesht ata kopukë të tillë.
Dredhia e katërt djallëzore: Me qëllim që t’i mashtrojnë vëllezërit e mi dhe që të nxisin ndjenjat e tyre nacionaliste, disa njerëz jofetarë të cilët kanë zënë pozita të larta dhe më sulmojnë mua nëpërmjet propagandës, me anë të pëshpëritjeve të shejtanit, dhe të sugjerimeve të njerëzve të çudhëzimit, thonë: “Ju jeni turq. Lavdi Zotit, midis turqve ka dijetarë fetarë dhe njerëz të plotësimit të çdo lloji. Saidi është kurd. Të punosh me dikë që nuk ndan me ty kombësinë, është jopatriotike.”
Përgjigjja: O ateist i mjerë! Lavdi Zotit, unë jam një musliman. Ndodhen treqind e pesëdhjetë milionë anëtarë të kombit tim të shenjtë në çdo shekull. Dhe unë i kërkoj mbrojtje All-llahut njëqind mijë herë nga sakrifikimi i treqind e pesëdhjetë milionë vëllezërve të cilët kanë themeluar një vëllazëri të përjetshme, që më ndihmojnë mua me duatë e tyre dhe, midis të cilëve janë shumica absolute e kurdëve, dhe nga shkëmbimi me këto vëllezër të bekuar thirrjen për idenë e racizmit dhe të nacionalizmit negativ për të fituar dashurinë e disa personave të veçantë të cilët mbajnë emrin kurd dhe që konsiderohen t’i përkasin popullit kurd, prej atyre që ndoqën rrugën e ateizmit, dhe që nuk u përkasin ndonjërit prej medhhebeve – shkollave të sheriatit – apo vlerave.
O ateist! Duhet të kishte pasur disa të çmendur si ti, që të braktisnin vëllazërinë e përjetshme të një kombi të madh, dritëdhënës e të dobishëm që numëron treqind e pesëdhjetë milionë vëllezër të vërtetë me qëllim që të fitojmë një vëllazëri – e cila madje edhe në këtë botë është pa dobi – prej një grushti mohuesish hungarezë apo turq të evropianizuar të cilët kanë humbur fenë e tyre.
Meqenëse, në Çështjen e Tretë të Letrës së Njëzet e Gjashtë, ne kemi treguar së bashku me dëshmitë natyrën e nacionalizmit negativ dhe dëmet e tij, ne ju referojmë ju tek ajo dhe, këtu vetëm do të shpjegojmë një të vërtetë e cila u përmend shkurtazi tek fundi i Çështjes së Tretë. Ajo është sa vijon:
Unë u them atyre ateistëve pseudopatriotë të cilët fshihen nën perden e turqizmit, por që në realitet ata janë armiqtë e turqve; unë u them atyre:
Unë jam shumë i lidhur ngushtë me besimtarët e këtij atdheu të cilët quhen turq të lidhur fort nëpërmjet një vëllazërie të përjetshme dhe të vërtetë me kombin islam, me besimtarët e këtij vendi të cilët quhen turq. Për llogari të Islamit, unë kam një krenari dhe një dashuri të thellë e të veçantë për bijtë e kësaj toke, të cilët për afro një mijë vite kanë ngritur, si fitimtarë, flamurin e Islamit në çdo qoshe të botës. Sa për ju, o pseudopatriotë mashtrues! Ju keni vetëm se një vëllazëri metaforike joreale dhe të përkohshme që ndërtohet mbi racizmin dhe mbi interesat vetjake, dhe ju ndiqni një rrugë e cila ju bën ta neglizhoni e ta harroni krenarinë e vërtetë kombëtare të turqve.
Unë ju pyes juve: A mos vallë kombi turk përbëhet vetëm nga të rinj të pakujdesshëm dhe epsharakë, moshat e të cilëve variojnë nga njëzet deri në dyzet vjeç? Dhe a do të ishte e dobishme për ta dhe a do t’u shërbente atyre – ashtu siç kërkohet nga patriotizmi kombëtar – një edukim evropian i cili vetëm do të shtonte pakujdesinë e tyre dhe do t’u mësonte atyre imoralitetin,dhe do t’i nxiste ata në atë që është e ndaluar? A kënaqësi është ajo që do t’i zbaviste ata përkohësisht, por e cila do t’i bënte të qajnë në pleqëri? Në qoftë se patriotizmi kombëtar përbëhet nga këto gjëra dhe në qoftë se përparimi dhe lumturia e jetës do të ishin këto.. dhe në qoftë se ju bëni thirrje për këtë model të nacionalizmit turk, dhe nëse do ta mbronte kombin në këtë mënyrë, unë do të ikja prej një turqizmi të tillë, dhe ju mund të ikni prej meje gjithashtu!
Në qoftë se ju do të kishit madje sa një thërmijë patriotizëm, zgjuarsi, drejtësi e paanshmëri, merrni në shqyrtim ndarjet vijuese të shoqërisë dhe më jepni mua një përgjigje. Ajo është si kjo: Bijtë e kësaj toke të njohur si turq ndahen në gjashtë pjesë:
Pjesa e parë: Janë të drejtit dhe Ehlu et-takva, të përkushtuarit në fe.
Pjesa e dytë: Janë të sëmurët dhe të goditurit nga fatkeqësia.
Pjesa e tretë: Janë të moshuarit.
Pjesa e katërt: Janë fëmijët.
Pjesa e pestë: Janë të varfërit dhe të dobëtit.
Pjesa e gjashtë: janë të rinjtë.
A nuk janë turq pesë grupet e para? A nuk kanë pjesë ata tek patriotizmi kombëtar? A patriotizëm kombëtar është t’i pezmatosh ato pesë grupe, të shkatërrosh kënaqësinë e tyre në jetë dhe t’i rrënosh ato gjëra të cilat i ngushëllojnë ata për hir të dhënies së një kënaqësie dehëse dhe shkaktuese të pakujdesisë për grupin e gjashtë?
A është kjo një zgjedhje e mirë apo një armiqësi ndaj kombit? Ai i cili i shkakton dëm shumicës është armik dhe jo mik! Duke vepruar sipas rregullit: “Fjala është me shumicën”, unë ju pyes ju, a gjendet dobia më e madhe e grupit të parë – e besimtarëve dhe e të përkushtuarve në fe – në qytetërimin e tipit evropian? Apo ajo gjendet në të menduarit për lumturinë e përjetshme nëpërmjet të vërtetave të besimit, duke udhëtuar në rrugën e së vërtetës, për të cilën ata janë shumë të dëshiruar dhe në gjetjen e ngushëllimit të vërtetë. Rruga që kanë marrë të çudhëzuarit dhe patriotët e rremë si ju, i shuan dritat shpirtërore të njerëzve të devotshëm në besim, ajo shkatërron ngushëllimin e tyre të vërtetë, e shfaq vdekjen të jetë një asgjësi e përjetshme dhe varrin të jetë dera për një ndarje të përhershme.
A mos vallë dobitë e grupit të dytë të cilët janë të sëmurët, të goditurit me fatkeqësi dhe të dëshpëruarit nga jeta e tyre, gjenden në rrugën e civilizimit të pafe të tipit evropian? sepse ata të mjerë dëshirojnë një dritë dhe kërkojnë një ngushëllim. Ata dëshirojnë një shpërblim në shkëmbim të fatkeqësive që kanë vuajtur. Ata duan të marrin hak ndaj atyre prej të cilëve kanë vuajtur padrejtësi. Ata duan shpagim. Ata duan t’i largojnë frikësimet nga dera e varrit, të cilës ata po i afrohen.
Nëpërmjet patriotizmit të tyre të rremë, ata si ju, japin goditje të rënda mbi kokat e atyre të provuar me fatkeqësi, të cilët janë shumë të nevojshëm për ngushëllim, dhembshuri, për qetësues, për bar shërues dhe të cilët janë të denjë për to, por ju ngulni gjilpëra – dhimbje – në zemrat e tyre të plagosura; dhe në mënyrë të pamëshirshme ju po i shkatërroni të gjitha shpresat e tyre! Ju i hidhni ata në dëshpërim të plotë!
A ky është patriotizmi kombëtar? A me këtë i shërbeni ju kombit dhe i sjellni dobi atij?
Grupi i tretë janë të moshuarit të cilët përfaqësojnë një të tretën e kombit. Ata po i afrohen varrit, po vijnë afër vdekjes, po i largohen dynjasë, dhe janë më pranë Ahiretit. A mos vallë dobitë e tyre, dritat dhe ngushëllimi gjenden në dëgjimin e aventurave mizore e të pamëshirshme të tiranëve si shembulli i Hulagu dhe Xhengiz?
A mos vallë ato gjenden në këto lëvizjet tuaja të tipit modern, të cilat bëjnë që të harrohet Ahireti dhe që e lidhin njeriun me dynjanë, që janë lëvizje, akte pa asnjë rezultat dhe kanë kuptimin e tatëpjetës dhe të rënies shpirtërore, pavarësisht se ato quhen si përparim në anën e jashtme? Dhe a mos vallë drita e Ahiretit gjendet në kinema? Dhe a mos vallë ngushëllimi i vërtetë gjendet në teatër?
Në qoftë se patriotizmi kombëtar, në efekt, po i therr ata me një thikë jolëndore dhe u jep atyre idenë se “ju po shtyheni drejt asgjësisë së përhershme” dhe, e transformon varrin, të cilin ata e shikojnë të jetë dera e mëshirës, në një gojë kuçedre që do t’i gllabërojë dhe u pëshpërisin në veshët e tyre, duke u thënë: Ju do të hyni aty!” Kjo fjalë është sikur të binin mbi ta goditje jolëndore therrëse. Në qoftë se ky është patriotizmi kombëtar që është kështu, atëherë unë i kërkoj mbrojtje All-llahut njëqind mijë herë që të më ruajë nga një patriotizëm i tillë!
Grupi i katërt janë fëmijët. Ata kërkojnë mirësi nga patriotizmi kombëtar; ata presin mëshirë. Gjithashtu për sa ka të bëjë me dobësinë dhe me pafuqinë e tyre, shpirtërat e tyre mund të zgjerohen nëpërmjet njohjes së një krijuesi të Gjithëfuqishëm e Mëshirëplotë; aftësitë e tyre mund të zhvillohen në mënyrë të gëzuar. Duke u mbrojtur me mbështetjen tek Zoti xh.sh. që buron nga besimi dhe me nënshtrimin ndaj Islamit i cili u jep atyre mundësi të jenë të qëndrueshëm përballë anktheve dhe situatave të botës në të ardhmen, këta të pafajshëm mund ta shikojnë me interesim e mallëngjim jetën.
A do të mund të arrihej kjo duke u mësuar atyre gjëra që lidhen me përparimin e civilizimit, me të cilin ata kanë pak lidhje, dhe duke u mësuar atyre filozofinë materialiste e cila nuk ka dritë, dhe që do t’ua shkatërronte moralin e tyre dhe do ta shuante dritën e shpirtërave të tyre?
Në qoftë se njeriu do të përbëhej vetëm nga një trup shtazor dhe të mos kishte mend në kokën e tij, ndoshta këto parimet evropiane, të cilat ju me fantazi i quani edukimi modern dhe që ju i keni stolisur me edukimin kombëtar, do të mund t’u jepnin këtyre fëmijëve të pafajshëm ndonjë dobi të kësaj bote në formën e ndonjë zbavitjeje të përkohshme fëmijërore.
Meqenëse ata të pafajshëm po hidhen në arenën e jetës, dhe meqenëse janë qënie njerëzore, ata sigurisht që do të kenë dëshira shumë të largëta, të shtrira në zemrat e tyre të vogëla, dhe qëllime të mëdha do të lindin në kokat e tyre të vogëla.
Meqenëse realiteti është kështu, atëherë duhet që të vendoset në zemrat e tyre një pikë shumë e fortë mbështetjeje dhe një pikë e pashtershme ndihmeje nëpërmjet ngulitjes së besimit në Zotin dhe besimit në botën e përtejme. Dhe këtë e kërkon mëshira për ta, pasi ata kanë një dobësi të pafundme. Mirësia dhe mëshira për ta është në këtë mënyrë. Përndryshe vetëm nëpërmjet dehjes së patriotizmit kombëtar, do të ishte një therrje jolëndore për ata të vegjël të pafajshëm, ashtu si një nënë e çmendur që therr me thikë fëmijën e saj. Kjo do të ishte një mizori barbare dhe një padrejtësi ndaj tyre, si dikush që ia nxjerr zemrën fëmijës dhe trutë e tij dhe ia paraqet ato atij si ushqim për t’i ngrënë.
Grupi i pestë janë të dobëtit dhe të varfërit! Të varfërit të cilët, për shkak të varfërisë së tyre, vuajnë shumë nga peshat e rënda të jetës dhe, të dobëtit të cilët janë të dëshpëruar nga tronditjet e tmerrshme të jetës – a nuk kanë këta pjesë prej patriotizmit kombëtar?
A mos vallë pjesa e tyre është në lëvizjet dhe rregullat që ju keni themeluar nën perden e stilit evropian dhe të civilizimit, si ai i faraonit i cili e zhduk mbulesën e ndjesisë së turpit, dhe që vetëm e shton dëshpërimin dhe vuajtjen e fatkeqësive? Balsami për plagën e mjerimit të këtyre të varfërve mund të gjendet, jo në idenë e racizmit, por në farmacinë e shenjtë të Islamit. Të dobëtit nuk mund të marrin fuqi dhe rezistencë nga filozofia e natyralizmit, e cila është e errët, me mungesë vetëdije, dhe që është lidhur me rastësinë; përkundrazi, ato marrin fuqi nga zelli dhe nga kombësia e shenjtë e islamit.
Grupi i gjashtë, të cilët janë të rinjtë. Në qoftë se rinia e këtyre të rinjve do të kishte qenë e përjetshme, pija dehëse që ju ua keni dhënë atyre për ta pirë me anë të nacionalizmit negativ, do të kishte pasur ndonjë përfitim dhe dobi të përkohshme. Por kur ata vijnë në vete me mundim e me dhimbje pasi ata kanë përparuar në moshë dhe, në kohën e zgjimit nga ai gjum i ëmbël në mëngjesin e pleqërisë, dëshpërimi dhe brenga në dehjen e këndshme të rinisë do t’i bëjë ata të vajtojnë me rënkim dhe, dëshpërimi për kalimin e ëndrrës së tyre të këndshme do t’u shkaktojë atyre shumë hidhërime. Kjo do t’i bëjë ata të shprehin me klithma: Ah, medet! Rinia iku, jeta kaloi, dhe unë po i afrohem varrit i falimentuar, pa asnjë grosh; ah sikur të kisha qenë udhëzuar tek e drejta!”
A mos vallë pjesa e patriotizmit kombëtar për këtë është që të kënaqen përkohësisht për një kohë të shkurtër dhe, pastaj të qajnë me hidhërim për një kohë të gjatë? Apo lumturia e tyre e kësaj bote dhe kënaqësia e jetës së tyre gjenden në formën e dhënies së falënderimeve për mirësinë e rinisë, duke e kaluar atë rini të bukur e të ëmbël në rrugën e drejtë, dhe jo në shthurje, dhe duke e bërë të përjetshme atë rini të përkohshme nëpërmjet adhurimit, dhe në atë mënyrë duke fituar një rini të përjetshme në botën e lumturisë?
Në qoftë se ti do të kishe vetëdije, madje sa një grimcë, përgjigjiu këtyre pyetjeve:
Shkurtazi: Në qoftë se kombi turk do të përbëhej vetëm nga njerëz të rinj, dhe në qoftë se rinia e tyre do të ishte e përjetshme, dhe nëse ata nuk do të kishin vend tjetër përveç kësaj dynjaje, atëherë lëvizjet tuaja të stilit evropian nën perden e turqizmit do të mund të konsideroheshin si një patriotizëm kombëtar!
Dhe atëherë ju do të mund t’i thonit ndonjë personi si unë, i cili i jep pak rëndësi jetës së kësaj bote, që e konsideron racizmin të jetë një sëmundje si “sëmundja evropiane”, që përpiqet t’i ndalojë të rinjtë nga ndjekja e dëfrimeve të paligjshme dhe nga të këqijat, dhe që ka lindur në një vend tjetër, unë them “a do të mund të thonit ju: Ai është kurd, mos e ndiqni atë!”, dhe ju ndoshta do të kishit të drejtë ta thonit këtë.
Por, meqenëse, siç u shpjegua më lartë, bijtë e kësaj toke, të cilët quhen me emrin turq, përbëhen nga gjashtë grupe, atëherë t’u shkaktosh dëm pesë grupeve dhe të shkatërrosh kënaqësinë e tyre në jetë, dhe t’u japësh një kënaqësi të përkohshme të kësaj bote, pasojat e të cilës janë të këqija, vetëm një grupi, madje t’i bësh ata të dehur, kjo zor se është miqësi ndaj kombit turk; kjo është armiqësi.
Po, në lidhje me racën, unë nuk konsiderohem si një turk, veçse ama unë kam punuar me të gjithë fuqinë time, me të gjithë zellin, në mënyrën më të mëshirshme e vëllazërore, për grupin e të përkushtuarve në fe, për të goditurit nga fatkeqësia, për fëmijët, për të moshuarit, dhe për të dobëtit e të varfërit midis turqve. Unë kam punuar edhe për të rinjtë gjithashtu, të cilët janë grupi i gjashtë, unë dëshiroj që ata t’u shmangen veprave të paligjshme të cilat e helmosin jetën e tyre të kësaj bote, të cilat shkatërrojnë jetët e tyre të Ahiretit, dhe që për një të qeshur që zgjat një orë, u shkaktojnë atyre të qajnë një vit.
Veprat që unë i kam marrë nga thesari i dritave të Kur’anit dhe që janë botuar në gjuhën turke – jo vetëm këto gjashtë apo shtatë vite, por për njëzet vite – janë përpara gjithësecilit për t’i shikuar. Po, lavdi Zotit, nëpërmjet këtyre veprave që kanë buruar nga dritat e Kur’anit të gjithurtë, është shfaqur drita të cilën grupi i të moshuarve e dëshiron atë më shumë se çdo gjë tjetër, ilaçet më të efektshme për të goditurit me fatkeqësi dhe për të sëmurët janë treguar në farmacinë e shenjtë të Kur’anit. Nëpërmjet atyre dritave të Kur’anit dera e varrit, e cila u shkakton të moshuarve të mendojnë për të më shumë se çdo gjë tjetër, shfaqet të jetë dera e mëshirës, dhe jo dera e ekzekutimit me asgjësim. Pika më e fortë e mbështetjes përballë fatkeqësive dhe e gjërave të dëmshme duke konfrontuar zemrat e ndjeshme të fëmijëve, dhe një pikë e fuqishme ndihmeje për t’ua plotësuar dëshirat dhe shpresat e tyre, janë nxjerrë për fëmijët nga thesari i Kur’anit të gjithurtë, dhe ato janë demonstruar, dhe në fakt është përfituar prej tyre; dhe oblgimet e rënda të jetës të cilat i shtypin ata që janë më të varfërit e më të dobëtit, janë lehtësuar nga të vërtetat e besimit të Kur’anit të gjithurtë.
Kështu, këto pesë grupe janë pesë nga gjashtë pjesët e kombit turk dhe ne po punojmë për të mirën e tyre. Grupi i gjashtë janë të rinjtë. Ne ndjejmë një vëllazëri të fuqishme ndaj të mirëve midis tyre.
Por ne nuk kemi absolutisht asnjë lloj shoqërie me ata prej ateistëve si ju, sepse ne nuk i njohim si turq ata që përqafojnë çudhëzimin dhe që dëshirojnë të braktisin kombësinë Islame, e cila i përmban të gjitha shkaqet e vërteta të krenarisë së turqve.
Ne i konsiderojmë ata të jenë evropianë duke u fshehur nën perden e turqizmit! Madje ata si shembulli i këtyre, edhe sikur të pretendonin njëqind mijë herë të jenë turq, ata nuk mund t’i mashtrojnë njerëzit e së vërtetës, sepse aktet dhe veprat e tyre e përgënjeshtrojnë pretendimin e tyre.
O ateistë që ndiqni rrugët evropiane dhe o ju deviatorë që përpiqeni t’i bëni vëllezërit e mi të vërtetë të më shikojnë ftohtë mua nëpërmjet propagandës suaj! Çfarë dobie i jepni ju këtij kombi? Ju po e shuani dritën e njerëzve të drejtë e të përkushtuar në fe, të cilët janë grupi i parë. Ju po vini helm mbi plagët e grupit të dytë, të cilët meritojnë mirësi, dhembshuri e përkujdesje.
Ju po e shkatërroni ngushëllimin e grupit të tretë, të cilët janë më të denjët për respekt dhe ju po i hidhni ata në dëshpërim. Ju po e shkatërroni krejtësisht moralin e grupit të katërt, të cilët kanë me të vërtetë nevojë për mëshirë dhe ju po e shuani humanizmin e tyre të vërtetë. Ju i bëni të pafrutshme shpresat dhe thirrjet për ndihmë të grupit të pestë, të cilët janë më të nevojshmit për mbështetje, për ndihmë e për ngushëllim dhe, në sytë e tyre ju po e transformoni jetën në diçka më të tmerrshme se sa vdekja. Dhe për grupin e gjashtë, të cilët kanë nevojë të paralajmërohen, të këshillohen e të vijnë në vete, ju u jepni atyre një pije të rëndë dehëse të tillë për ta pirë në gjumin e rinisë sa që pasojat e së cilës janë shumë të rënda e të dhimbshme, dhe ata janë grupi i gjashtë.
A ky është patriotizmi juaj kombëar që për hir të të cilit ju po sakrifikoni gjëra të shumta të shenjta?
A kjo është dobia që ju ua jepni turqve nëpërmjet turqizmit?
Sa për mua, unë i kërkoj mbrojtje Zotit nga kjo njëqind mijë herë.
O Efendilerë! Unë e di se kur të shpartalloheni në fushën e së vërtetës, ju do të kapeni pas forcës, do të përdorni forcën. Në përputhje me faktin se fuqia qëndron në të vërtetën, dhe jo e drejta në forcë, edhe sikur ju ta bënit dynjanë zjarr të ndezur rreth kokës sime, kjo kokë e cila është sakrifikuar për të vërtetat e Kur’anit, nuk do të përkulet para jush.
Dhe unë po ju vë në dijeni gjithashtu, se jo një numër i kufizuar njerëzish si ju që në efekt jeni të përbuzur e të urryer nga kombi, por me mijëra si ju, sikur të ishit armiqësorë ndaj meje, unë nuk do t’ju jepja asnjë rëndësi dhe asnjë vlerë më të madhe se sa ajo e kafshëve të dëmshme, sepse çfarë mund të më bëni ju mua? E gjitha ajo që ju mund të bëni është, ose t’i jepni fund jetës sime, ose të shkatërroni punën time dhe shërbimin. Unë nuk jam lidhur me asgjë tjetër në dynja përveç këtyre gjërave. Sa për exhelin i cili i bie jetës, unë besoj me aq siguri sikur ta shikoja atë, se exheli nuk ndryshon, ai është i paracaktuar nga Zoti xh.sh..
Meqenëse kjo është kështu, në qoftë se unë vdes si martir në rrugën e së vërtetës, unë nuk tërhiqem kurrë prej saj, madje unë do ta prisja atë me shumë përmallim, dhe veçanërisht, meqenëse unë jam i vjetër, unë nuk parashikoj nëse do të jetoj më shumë se një vit. Gjëja më e madhe që unë dëshiroj e synoj është fitimi i një jete të përhershme nëpërmjet martirizimit në vend të kësaj jete të jashtme.
Sa për punën time dhe shërbimin, nëpërmjet mëshirës së Tij, Zoti i Gjithëfuqishëm ka dhënë vëllezër të tillë në shërbimin e besimit dhe të Kur’anit dhe nëpërmjet vdekjes sime ai shërbim do të kryhet në qendra të shumta në vend të një qendre të vetme. Në qoftë se gjuha ime do të heshtë nga vdekja, gjuhë të fuqishme do të flasin në vend të saj, duke vazhduar punën time. Madje unë mund të them, se ashtu si me hyrjen në dhé dhe me vdekjen, një farë e vetme prodhon jetën e një filizi, dhe pastaj njëqind farëra kryejnë detyrat e tyre në vend të njërës, po kështu unë kam shpresë se vdekja ime do të jetë një mjet për t’i shërbyer Kur’anit më shumë se sa jeta ime.
Dredhia e pestë djallëzore: Duke përfituar nga egoizmi dhe mburrja, përkrahësit e njerëzve të çudhëzimit duan t’i largojnë studentët e mi nga unë. Me të vërtetë damari më i rrezikshëm i njeriut është mburrja. Ai është damari i tij më i dobët gjithashtu. Ata mund t’i bëjnë njerëzit të bëjnë gjërat më të tmerrshme duke e nxitur atë damar.
Vëllezërit e mi! Ruhuni mos i lini ata t’ju gjuajnë ju me të! Ju duhet ta dini se në këtë shekull, njerëzit e çudhëzimit i kanë hipur ‘Unit’ dhe po vrapojnë nëpër luginat e çudhëzimit. Njerëzit e së vërtetës nuk mund t’i shërbejnë të vërtetës veçse duke braktisur ‘Unin’. Madje edhe në qoftë se ndonjëri prej tyre justifikohet në përdorimin e egos, por meqenëse ai do t’u ngjasonte të tjerëve, edhe ata gjithashtu do të pandehnin për të se ai është egoist si ata. Prandaj mosbraktisja e ‘unit’ do të ishte një padrejtësi ndaj shërbimit të së vërtetës.
Përveç kësaj, shërbimi i Kur’anit rreth të cilit ne jemi mbledhur nuk e pranon ‘unin’, ai kërkon ‘Ne’; ai thotë: “Mos thoni ‘Unë’, thoni ‘Ne’.”
Natyrisht, ju e keni kuptuar se ky vëllai juaj i varfër nuk u shfaq në mejdan me ‘unin’, dhe as nuk ju bën juve si shërbyes të egoizmit të tij. Përkundrazi, ai e shfaqi veten e tij tek ju si një shërbëtor i Kur’anit pa ego. Ai vetëm ka marrë, ashtu siç ua ka shpjeguar juve, rrugën e mospëlqimit të vetes dhe të mosdhënies rëndësi ‘unit’. Për më tepër, ai ka provuar për ju me dëshmi vendimtare se veprat që janë paraqitur për dobinë e përgjithshme janë pronë e përbashkët; domethënë, ato kanë buruar nga Kur’ani i gjithurtë. Askush nuk mund ta pretendojë pronësinë e tyre nëpërmjet egos së tij, le të supozojmë të pamundurën, se unë i pretendova ato si pronën time nëpërmjet unit tim, mirëpo përderisa kjo dera e të vërtetave Kur’anore është hapur – ashtu siç tha njëri nga vëllezërit e mi – atëherë duhet që njerëzit e dijes dhe të plotësimit të mos i shohin mangësitë e mia dhe parëndësinë time, dhe të mos ngurrojnë të më ndjekin mua; ata nuk duhet t’i konsiderojnë vetvetet e tyre të vetëmjaftueshëm. Sigurisht veprat e Selefus-salihin – të drejtive të mëparshëm, dhe dijetarëve fetarë janë një thesar i madh i mjaftueshëm për çdo sëmundje, por ama ndonjëherë ndodh që një çelës ka më shumë rëndësi se sa thesari, sepse thesari është i mbyllur, ndërsa çelësi mund të hapë thesare të shumtë. Unë mendoj se dijetarët e virtytshëm, egoizmi i të cilëve është tepruar lidhur me njohurinë, e kanë kuptuar se ‘Fjalët’ që janë publikuar, secila prej tyre janë çelësa për të vërtetat e Kur’anit dhe shpata prej diamanti duke i goditur ata që përpiqen t’i mohojnë ato të vërteta.
Njerëzit e virtytit dhe të plotësimit dhe ata që egoizmi i të cilëve është shumë i fortë lidhur me njohjen e tyre, duhet ta dinë se studentët nuk janë studentët e mi, por ata janë studentët dhe nxënësit e Kur’anit të gjithurtë dhe, unë studioj së bashku me ta.
Dhe kështu, në qoftë se, për të supozuar të pamundurën, unë do të pretendoja të isha profesori, por ama meqenëse ne kemi një rrugë për t’i shpëtuar të gjitha klasat e njerëzve të besimit – nga njerëzit e thjeshtë deri tek klasa më e lartë – nga dyshimet dhe skepticizmi para të cilave ata janë zbuluar, atëherë ata dijetarë ose të gjejnë një zgjidhje më të lehtë ose le ta marrin ata pjesën e zgjidhjes sonë, dhe ta japin mësim këtë dhe ta përkrahin.
Ndodhet një kërcënim i madh ndaj ‘dijetarëve të këqinj fetarë’. Dijetarët fetarë duhet veçanërisht të jenë të kujdesshëm në këtë kohë. Atëherë, në qoftë se ju do të supozonit ashtu siç pandehin armiqtë e mi – se unë po punoj në këtë shërbim të imanit për hir të egoizmit tim dhe të vetëmburrjes; por ama ndodhen njerëz të shumtë që e braktisin egoizmin e tyre dhe grumbullohen rreth një personi si Faraoni, me një besnikëri të plotë për ndonjë synim të kësaj dynjaje ose nacionale, dhe e përmbushin detyrën e tyre me solidaritet të plotë; a nuk ka ky vëllai juaj të drejtë që t’ju kërkoj juve solidaritet rreth të vërtetave të besimit dhe të Kur’anit duke braktisur egoizmin e vetëmburrjen, si solidariteti i rreshterëve të asaj udhëheqje të shoqërisë së dynjasë, meqenëse ai e fshehu egoizmin e tij?
Në qoftë se edhe më të mëdhenjtë e dijetarëve midis jush nuk do t’i përgjigjeshin thirrjes së tij, a nuk do të ishin ata në gabim?
O vëllezërit e mi! Aspekti më i rrezikshëm i egoizmit në punën tonë është xhelozia, smira. Në qoftë se puna nuk do të ishte thjesht për hir të Zotit xh.sh., smira ndërhyn dhe e prish punën. Ashtu si njëra nga dy duart e njeriut që nuk mund të jetë xheloze për tjetrën, dhe syri i tij nuk mund ta ketë smirë veshin e tij, dhe zemra e tij nuk mund të bëhet xheloze për mendjen e tij, po ashtu secili nga ju është si një gjymtyrë e personalitetit kolektiv i këtij xhematit tonë.
Atëherë, detyra juaj themelore që buron nga ndërgjegjja është që ju të mos e keni smirë njëri-tjetrin, përkundrazi, secili prej jush të krenohet me cilësitë e mira të tjetrit dhe të gëzohet me to.
Një gjë tjetër mbetet dhe ajo është më e rrezikshmja: ekzistenca e smirës midis jush dhe midis të dashurve tuaj për këtë vëllain tuaj të varfër, do të ishte nga më të rrezikshmet e çështjeve. Ndodhen dijetarë të mëdhenj midis jush. Dhe disa dijetarë janë egoistë në lidhje me njohjen e tyre. Madje edhe në qoftë se ata në vetveten e tyre janë modestë, veçse ama ata janë egoistë në atë aspekt. Ata nuk mund ta braktisin lehtë vetëmburrjen. Çfarëdo shërbimi që mund të bëjnë zemrat dhe mendjet e tyre, veçse ama nefset e tyre urdhërues për të liga dëshirojnë epërsi e spikamë si rrjedhojë e asaj vetëmburrjeje në njohje. Madje nefset dëshirojnë të shfaqin kundërshtim edhe për Risalet që janë shkruar, pavarësisht se zemrat e tyre i duan Risalet, dhe mendjet e tyre i vlerësojnë ato dhe e njohin vlerën e tyre.
Mirëpo për këtë shkak të xhelozisë që buron nga egoizmi i njohjes, nefset e tyre dëshirojnë të pakësojnë e të ulin vlerën e ‘Fjalëve’, sikur të ushqenin një armiqësi të heshtur ndaj tyre, me qëllim që rezultatet e mendimeve të tyre të mund të konkurronin me to dhe të shiteshin si ato. Por unë duhet t’u them atyre këtë, madje edhe në qoftë se ata, të cilët janë brenda këtyre mësimeve Kur’anore, do të ishin dijetarë kryesues dhe autoritetet më të lartë në sheriat, detyrat e tyre, për sa ka të bëjë me shkencat e besimit – do të ishin vetëm shpjegime dhe sqarime të ‘Fjalëve’ që janë shkruar, ose për t’i sistemuar ato, sepse unë kam kuptuar nëpërmjet shumë shenjave se ne jemi ngarkuar me detyrën e dhënies së fetfave në këto shkenca të besimit. Në qoftë se dikush brenda rrethit tonë do të përpiqej të shkruante diçka për shkak të ndonjë ndjenje në nefsin e tij që buron nga egoizmi i njohjes – jashtë sferës së shpjegimit dhe sqarimit – ajo do të ishte si një diskutim i ftohtë dhe një plagjiaturë e mangët.
Sepse ajo është vërtetuar nëpërmjet dëshmive dhe shenjave të shumta se, pjesët e Risale-i Nurit kanë buruar nga shkëlqimet e Kur’anit. Në përputhje me rregullin e ndarjes së punës, secili nga ne e ka marrë përsipër një detyrë dhe, ne i bëjmë ato distilime të ujit të jetës t’i arrijnë ata të cilët kanë nevojë për to.
Dredhia e Gjashtë Djallëzore: Ajo është shfrytëzimi i shejtanit veçoritë njerëzore të dembelizmit, dëshirën për rehati trupore dhe lidhjen me detyra të tjera. Po, shejtanët midis xhindeve dhe njerëzve sulmojnë gjithkënd. Kur ata i shohin disa prej shokëve tonë, zemrat e të cilëve janë trime, me qëllime të pastërta, me besnikëri të fortë, me iniciativë, dhe të lartë, ata sulmojnë nga të gjitha pikat, siç vijon:
Me qëllim që të bllokojnë punën tonë dhe të na shkurajojnë nga shërbimi ynë, ata përfitojnë nga dembelizmi i tyre, nga dëshira për rehati fizike dhe nga lidhja me detyrat e tjera. Ata i largojnë njerëzit nga shërbimi i Kur’anit me çdo lloj dredhie, sa që ata gjejnë për disa prej tyre më shumë punë me qëllim që t’i mbysin në to, duke mos qenë të vetëdijshëm për këtë, me qëllim që ata të mos gjejnë kohë për t’i shërbyer Kur’anit. Dhe për disa të tjerë u tregojnë atyre gjërat joshëse të kësaj bote, me qëllim që të zgjojnë dëshirat e tyre dhe të pakësojnë përpjekjet në shërbimin e tyre, dhe kështu me radhë.
Këto rrugë sulmesh janë të gjata, kështu duke i shkurtuar ato, ne ia referojmë ato kuptimit tuaj të mprehtë. Dhe kështu, o vëllezërit e mi, bëni kujdes: detyra juaj është e shenjtë, shërbimi juaj është i i lartë. Çdo orë e kohës suaj është aq e vlefshme saqë mund të fitojë vlerën e adhurimit të një dite. Mësojeni mirë këtë që të mos humbasë ajo prej jush!
“O ju që keni besuar! Duroni dhe bëhuni më të duruar, dhe forcojeni njëri-tjetrin dhe kini frikë Al-llahun, që të mund të jeni të shpëtuar.”[38]
“Dhe mos i shisni shenjat e Mia për një çmim të mjerë.”[39]
“Lavdi Zotit tënd, Zotit të nderimit dhe të fuqisë! (Ai është i lirë) nga gjithë çfarë ata ia mveshin Atij! Dhe paqja qoftë mbi të dërguarit! Dhe gjithë lavdërimet dhe falënderimet janë për All-llahun, Zotin e të gjithë botëve.”[40]
“Lavdia të takon Ty! Ne nuk dimë asgjë më tepër nga ç’na ke mësuar Ti. Vërtetë që vetëm Ti je i Gjithëditur, i Gjithurtë.”[41]
O Zot! Jepi bekime e paqe shkëlqesisë sonë Muhammedit a.s.m., Profetit të dashur analfabet, i cili gëzon një lartësi të madhe, dhe një rang të lartë, si dhe familjes së tij dhe sahabëve. Amin.
* * *
Një datë e shenjtë
Data e vitit në të cilën u bë i qartë një mister i rëndësishëm i mrekullisë së Kur’anit të gjithurtë ishte përsëri në një Fjalë të Kur’anit. Ajo ishte sa vijon: sipas sistemit Ebxhed, vlera numerike e Fjalës ‘Kur’an’ është treqind e pesëdhjetë e një. Ajo përmban dy Elifa; në qoftë se elifi i fshehur lexohet ‘elfun’, ai është ‘elfun’ me vlerën e një mijës.[42] domethënë, viti një mijë e treqind e pesëdhjetë e një mund të quhet viti i Kur’anit, sepse në atë vit misteri i çuditshëm i ‘koinçidencave’ në Fjalën ‘Kur’an’ u bë i qartë në pjesët e Risale-i Nurit, i cili është komenti i Kur’anit. Misteri i mrekullueshëm i ‘koinçidencave’ të Fjalës ‘All-llah’ në Kur’an u shfaq në të njëjtin vit. Një Kur’an duke treguar qëndisjen e mrekullisë së tij, në një mënyrë të re, e cila u shkrua në të njëjtin vit. Po në të njëjtin vit studentët e Kur’anit u përpoqën ta ruajnë dorëshkrimin e Kur’anit me të gjithë fuqinë e tyre kundra ndryshimit. Aspektet e rëndësishme të mrekullisë së Kur’anit u bënë të qarta në të njëjtin vit. Dhe në të njëjtin vit ndodhën ngjarje të shumta të cilat lidheshin me Kur’anin dhe u dukën se ato do të vazhdonin të ndodhnin…
* * *
Shtojcë për Pjesën e Gjashtë e cila është Trajtesa e Gjashtë
Gjashtë Pyetje
[Kjo shtojcë u shkrua me qëllim që të shmangim indinjatat dhe fyerjet që do të na bëhen ne në të ardhmen. Domethënë, me qëllim që të mos bien pështymat e fyerjeve të tyre në fytyrat tona, ose ndryshe për t’i fshirë ato kur të thuhet: “Shikoni njerëzit qullashë të atij shekulli!”, le të kumbojnë veshët e udhëheqësve barbarë të Evropës që fshihen nën maskën e humanizmit. Dhe le të ngulet kjo në sytë e verbër të atyre shtypësve të padrejtë të cilët bënë që të na sundojnë neve këta tiranë të pandërgjegjshëm! Është një peticion me të cilin të goditen kokat e ndjekësve të civilizimit të ulët modern, të cilët i kanë shkaktuar njerëzimit në këtë shekull dhimbje e tortura të skëterrshme, sa që ai thërret në çdo vend: Rroftë Ferri!]
Me Emrin e All-llahut, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti.
“Dhe përse të mos mbështetemi tek All-llahu, ndërkohë që Ai padyshim na ka udhëzuar ne në rrugët që ndjekim? Ne padyshim do të përballojmë me shumë durim gjithë dhimbjet që mund të na shkaktoni dhe vetëm tek All-llahu le të mbështeten ata që kërkojnë të mbështeten.”[43]
Në kohët e fundit agresionet e fshehura të ateistëve kanë marrë formën më të shëmtuar; agresioni tiranik kundra të drejtave të besimtarëve të dobët dhe kundra fesë dhe në mënyrë të veçantë agresionet e tyre ndaj meje, duke provokuar xhaminë e veçantë të cilën e pata riparuar vetë, dhe isha së bashku me disa shokë të nderuar, duke kryer ibadetin, dhe kur po thirrnim ezanin dhe ikametin pa u ndier”, na u tha neve: Përse e bëni ikametin e namazit në gjuhën arabe dhe, përse e thirrni ezanin fshehurazi?
Nuk kisha më durim për të qëndruar i heshtur. Dhe ja unë u thashë, unë nuk u adresohem këtyre njerëzve të ulët të pandërgjegj-shëm, të cilët nuk janë të denjë për t’iu adresuar, por unë u adresohem atyre kryetarëve si faraonë në udhëheqje, të cilët me despotizëm arbitrar po luajnë me fatin e këtij kombi:
O njerëzit e ateizmit dhe të bidatit që keni devijuar nga rruga e drejtë e fesë! Unë ju kërkoj juve përgjigje për gjashtë pyetje.
- Pyetja e parë: Çdo qeveri në botë, cilado qoftë ajo, çdo popull që sundon, madje edhe kanibalët – njerëzngrënësit – dhe madje edhe drejtuesi i ndonjë bandeje kusarësh, kanë disa parime dhe disa ligje, me të cilat ata sundojnë. Atëherë mbi cilin parim bazoheni ju që po kryeni këtë agresion të jashtëzakonshëm? Na e tregoni atë! Apo ju pranoni si ligj tekat arbitrare të një numri prej zyrtarëve të përbuzur? sepse nuk ka ndonjë ligj në botë që të lejojë ndërhyrjen në një adhurim privat individual! Nuk mund të ekzistojë një ligj i tillë.
Pyetja e Dytë: Mbi çfarë force mbështeteni ju sa të jeni aq të guximshëm sa të shkelni parimin e ‘lirisë së ndërgjegjjes, e cila sundon pothuajse në të gjithë botën, në mënyrë të veçantë në këtë shekull të lirisë dhe në rrethin e civilizimit aktual dhe, ta trajtoni atë papritmas dhe kështu në mënyrë të tërthortë të fyeni njerëzimin dhe të refuzoni kundërshtimet e tyre ndaj akteve tuaja?
Çfarë fuqie keni ju sa të sulmoni fenë dhe njerëzit e fesë në këtë mënyrë sikur ju ta kishit marrë pafesinë si një fe për veten tuaj në mënyrë sektare, fanatike, megjithëse ju e quani veten ‘laik’ dhe keni shpallur se nuk do të ndërhyni as në fe dhe as në pafesi?
Nuk ka dyshim se këto veprat tuaja nuk do të mbeten sekret! Ju duhet të përgjigjeni për to! Kështu çfarë përgjigjje do të jepni ju? Megjithëse ju nuk mund ta përballoni as refuzimin e më të voglës prej njëzet qeverive, përpiqeni të shkelni me forcë lirinë e ndërgjegjjes, sikur ju t’i shpërfillnit tërësisht kundërshtimet e njëzet qeverive?
Pyetja e tretë: Me cilin ligj dhe me çfarë parimi ju i detyroni njerëzit si unë të cilët janë me medhhebin Shafii, të ndjekin një fetva e cila është në kundërshtim me pastërtinë e medhhebit Hanefi dhe me lartësinë e tij, për shkak të fetfave të gabuara të disa ‘dijetarëve të këqinj fetarë’ të cilët i kanë shitur ndërgjegjjet e tyre për të fituar dynjanë?
Në qoftë se ju do të përpiqeshit të shfuqizoni medhhebin Shafii, i cili ka me miliona ndjekës, duke i bërë ata të gjithë të ndjekin medhhebin Hanefi, dhe pastaj më detyruat mua që t’i ndjek këto fetva forcërisht, në mënyrë tiranike; ndoshta ai do ishte një parim tiranik,prej parimeve të ateistëve si shembulli i juaj, ose përndryshe kjo do të ishte arbitrare dhe e përbuzshme, dhe ne nuk i ndjekim tekat e njerëzve të tillë si këta dhe ne nuk i njohim ata!
Pyetja e katërt: Në përputhje me cilin parim ju propozoni nëpërmjet një fetvaje të korruptuar dhe që është bidat “të kryhet ikameti në turqisht” në një mënyrë krejtësisht në kundërshtim me nacionalizmin turk, i cili është sinqerisht i respektueshëm ndaj fesë dhe qysh në kohët e hershme ka qenë i përzier dhe i bashkuar me Islamin, dhe e bëni atë fetva – në emrin e turqizmit – i cili ka kuptimin e evropianizmit, për ata si unë të cilët i përkasin një kombi tjetër? Po, megjithëse unë kam lidhje miqësore e vëllazërore me turqit e vërtetë, veçse ama unë nuk kam asnjë lidhje me turqizmin e imituesve të Evropës. Si mund të ma rekomandoni mua një gjë të tillë? Nëpërmjet cilit ligj? Ndoshta, në qoftë se ju do ta zhduknit kombësinë e kurdëve, numri i të cilëve është me miliona, të cilët për mijëra vite nuk e kanë harruar kombësinë e tyre dhe gjuhën dhe të cilët janë bashkëqytetarë dhe shokë të turqve në xhihad që nga kohët e lashta, unë them: Në qoftë se ju do ta zhduknit kombësinë e tyre dhe t’i bënit ata të harrojnë gjuhën e tyre, atëherë, ndoshta propozimi i juaj për ata si unë që vlerësohen të jenë nga një racë e ndryshme do të ishte në përputhje me ndonjë parim barbar prej parimeve tuaja. Përndryshe, ai do të ishte thjesht arbitrar. Tekat arbitrare të individëve nuk mund të ndiqen dhe ne nuk i ndjekim ato!
Pyetja e Pestë: Një qeveri mund t’i zbatojë të gjitha ligjet për qytetarët e saj dhe për ata që ajo i pranon si qytetarët e saj, por ajo nuk mund t’i zbatojë ligjet e saj për ata që ajo nuk i pranon si nënshtetasit e saj, sepse ata mund të thonë: “meqenëse ne nuk jemi nënshtetasit tuaj, edhe ju nuk jeni qeveria jonë!”
Për më tepër, asnjë qeveri nuk mund të japë dy dënime në të njëjtën kohë për ndonjë individ. Ose duhet të ekzekutohet vrasësi ose duhet të burgoset; ta ndëshkosh atë edhe me burgim, edhe me dënim me vdekje përnjëherësh, ky do të ishte një parim që nuk ekziston askund!
Por, pavarësisht nga fakti që unë nuk i kam shkaktuar asnjë dëm këtij vendi apo kombi, ju më mbajtët mua në robëri për tetë vite, dhe më trajtuat në një mënyrë me të cilën nuk do të mund të trajtohej edhe ai që do të ishte vërtet krinimel ose prej ndonjë kombi tjetër, madje prej më të huajve të vendeve.
Megjithëse ju shpallët amnisti për kriminelët, ju më keni mohuar lirinë time dhe më keni privuar nga të gjitha të drejtat civile. Dhe askush prej jush nuk ka thënë: Ky person gjithashtu është nga bijtë e këtij atdheu,” Atëherë në përputhje me çfarë parimi dhe ligji po rekomandoni këto parime që janë në kundërshtim me dëshirat e kombit tuaj, parime të cilat shkatërrojnë lirinë për dikë si unë që është një i huaj për ju në çdo aspekt?
Meqenëse në Luftën e Parë Botërore ju i vlerësuat të gjitha aktet heroike për të cilat ky person u bë mjet për to dhe të cilat u dëshmuan nga komandantët e ushtrisë – ju i konsideruat ato si krime, ashtu siç e konsideruat përpjekjen serioze e vetësakrifikuese për ruajtjen e moraleve të mira të këtij populli të mjerë dhe për t’i siguruar lumturinë e tij në këtë botë dhe në tjetrën, të ishte tradhti.
Dhe meqenëse ju keni ndëshkuar për tetë vite (dhe tani dënimi ka qenë për njëzet e tetë vite) dikë që nuk i pranon për vetveten parimet tuaja fyese, të rrezikshme dhe arbitrare, të cilat në realitet janë pa dobi dhe burojnë nga mosbesimi dhe nga Evropa; dhe megjithëse dënimi nuk mund të jetë veçse një, dhe unë e refuzova atë.
Por ju më bëtë mua ta vuaja atë. Atëherë me çfarë parimi e ligji ju po më impononi një ndëshkim të dytë?
Pyetja e Gjashtë: Në këndvështrimin e trajtimit që ju më keni caktuar si ndëshkim, sipas besimit tuaj, unë ju kundërshtoj ju në mënyrë të përgjithshme. Ju po sakrifikoni fenë tuaj dhe jetën e Ahiretit tuaj për hir të jetës së dynjasë suaj.
Edhe ne me rolin tonë jemi të gatshëm në të gjithë kohën ta sakrifikojmë jetën tonë në këtë botë për fenë tonë dhe për Ahiretin, dhe ky është sekreti i kundërshtimit që është midis nesh sipas mendimit tuaj.
Të sakrifikosh dy ose tre vite të jetës poshtëruese nën sundimin tuaj me qëllim që të fitojmë me të martirizimin e shenjtë, kjo konsiderohet si uji i Keutherit për ne. Por duke u mbështetur në shkëlqimin dhe në treguesit e Kur’anit të gjithurtë, me qëllim që ju të dridheni, unë ju them ju me siguri sa vijon:
Ju nuk do të jetoni pasi të më vrisni mua! Ju do të dëboheni nga kjo botë, e cila është parajsa juaj dhe e dashura juaj, nga një dorë e parezistueshme dhe shpejt do të flakeni në një errësirë të përhershme. Pas meje, udhëheqësit tuaj që janë si Nimrudë menjëherë do të vriten dhe do të dërgohen tek unë. Në praninë Hyjnore unë do t’i mbërthej ata për jakave të tyre dhe do ta marr hakun tim prej tyre duke u lëshuar atyre drejtësinë Hyjnore e cila do t’i hedhë ata në ultësirën më të ulët.
O fatzinj të mjerë që e keni shitur fenë tuaj dhe Ahiretin për këtë dynja! Në qoftë se ju doni të jetoni, mos ndërhyni tek unë! Unë shpresoj nga Mëshira Hyjnore se vdekja ime do t’i shërbejë fesë më shumë se sa jeta ime dhe, vdekja ime do të shpërthejë mbi kokat tuaja si një bombë, duke i copëtuar e shpërndarë ato! Në qoftë se keni guxim, hajde më trazoni! Nëse do të bënit diçka, do ta shihni! Me të gjithë fuqinë time unë do të recitoj këtë vërset përballë të gjitha kërcënimeve tuaja:
“Ata (besimtarë) të cilëve njerëzit (hipokritët) u thanë: ‘Vërtetë, populli (pagan) ka grumbulluar kundër jush (një ushtri të madhe), kështu që frikësojuni atyre’, por kjo në të vërtetë vetëm u shtoi besimin dhe thanë: ‘All-llahu vetëm na mjafton neve dhe për ne Ai është Rregulluesi më i mirë i punëve’.”[44]
* * *
Pjesa e Shtatë: Shtatë Shenjat
[Këto shtatë Shenja janë përgjigje për Tre Pyetje. Pyetja e Parë përbëhet nga Katër Shenja]
Me Emrin e All-llahut, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti.
“Kështu pra, besoni në All-llahun dhe në të Dërguarin e Tij, pejgamberin që nuk di shkrim as këndim,i cili beson në All-llahun dhe në Fjalët e Tij; dhe ndiqeni pra Atë që të mund të jeni të udhëzuar.”[45]
“Ata (mosbesimtarët) duan ta shuajnë Dritën e All-llahut me gojët e tyre, por All-llahu nuk do ta lejojë këtë, përkundrazi, Drita e Tij do të përsoset, edhe pse mohuesit e urrejnë këtë.”[46]
Shenja e parë: Ashtu si të gjitha gjërat e këqija që ata bëjnë, argumentet e atyre që përpiqen të ndryshojnë shenjat e islamit dhe që t’i shtrembërojnë ato me provat e tyre, burojnë nga imitimi i verbër i Evropës. Ata thonë:
“Në Londër, evropianët të cilët kanë përqafuar Islamin i përkthejnë shumë gjëra, si shembulli i ezanit dhe ikametit për falje, në gjuhët e tyre, në vendet e tyre. Bota e Islamit nuk thotë asgjë përballë kësaj dhe nuk e kundërshton. Kjo do të thotë se ajo është e lejueshme sipas Sheriatit, meqenëse ata rrinë të heshtur përballë kësaj?
Përgjigjja: Diferenca në këtë krahasim është aq e qartë sa që asnjë qënie njerëzore nuk mund ta bëjë një analogji të tillë e t’i imitojë ata, sepse vendet evropiane në terminologjinë e Sheriatit quhen “vendbanimi i luftës”, dhe ndodhen gjëra të shumta të cilat janë të lejueshme në vendbanimin e luftës, por të cilat janë të palejueshme në “vendbanimin e Islamit.”
Për më tepër, tokat e Evropës janë bota e krishterimit. Meqenëse ato nuk janë një mjedis tek i cili kuptimet e termave të Sheriatit dhe konceptet e fjalëve të shenjta të komunikohen e të nguliten nëpërmjet gjuhës së gjendjes së natyrshme, atëherë domosdoshmërisht kuptimet e shenjta janë preferuar mbi fjalët e shenjta; domethënë, u lanë fjalët me qëllim që të ruhen kuptimet; domethënë, u zgjodh më e lehta e dy dëmeve, më e vogëla e dy të këqijave.
Ndërsa në vendbanimin e Islamit, ai ambient i udhëzon dhe u jep mësim muslimanëve nëpërmjet gjuhës së gjendjes së kuptimeve të përmbledhura të atyre fjalëve të shenjta. Bashkëbisedimet e muslimanëve rreth traditave islamike, rreth historisë islame dhe rreth shenjave dhe shtyllave të Islamit, që të gjitha ngulisin vazhdimisht tek ata kuptimet e përmbledhura të atyre fjalëve të bekuara. Në këtë vend, përveç xhamive dhe medreseve, madje edhe gurët e varreve nëpër varreza janë si mësues duke i ngulitur ato kuptime të shenjta tek njerëzit e besimit dhe ua kujtojnë besimtarëve ato kuptime.
Në qoftë se për ndonjë avanzazh të kësaj bote, dikush që e quan veten musliman mëson pesëdhjetë fjalë çdo ditë nga ndonjë fjalor frengjisht, ndërkohë që nuk ka mësuar për pesëdhjetë vite fjalët e shenjta si “Subhanall-llah, Vel-Hamdu-lil-lahi, La ilahe il-lall-llah dhe All-llahu Ekber”, të cilat përsëriten pesëdhjetë herë në ditë, a nuk do të binte ai më poshtë se sa një kafshë? Këto fjalë të shenjta nuk mund të përkthehen, të shtrembërohen dhe nuk mund të syrgjynosen për hir të këtyre kafshëve!
Përkundrazi, ndryshimi dhe syrgjynosja e tyre do të ishte një shfuqizim e zhdukje e të gjithë gurëve të varreve dhe një përmbysje e kundërshtim ndaj stërgjyshërve, një përçmim për ta dhe t’i marrësh ata si armiq.
Me qëllim që të mashtrojnë kombin, ‘dijetarët e këqinj fetarë’, të cilët janë mashtruar nga ateistët, thonë: Imam A’dhami, Ebu Hanife En-Nu’man, ka thënë se lejohet leximi i përkthimit të Fatihasë në qoftë se lind nevoja, dhe sipas shkallës së nevojës,për atë që nuk e njeh arabishten fare, dhe në vendet e largëta”. Atëherë sipas kësaj fetfaje, edhe ne gjithashtu jemi në nevojë që ta lexojmë atë në Turqisht?”
Përgjigjja: Të gjithë imamët e mëdhenj dhe dymbëdhjetë imamët e tjerë muxhtehidë kanë dhënë fetva që e kundërshtojnë këtë fetva të Imam A’dhamit.
Rruga e lartë e botës së Islamit është ajo që ndjekin të gjithë ata Imamë të mëdhenj. Dhe Ummeti i madh musliman mund të ecë veçse në atë rrugë më të lartë. Ata të cilët i shtyjnë njerëzit për tek një rrugë tjetër e veçantë dhe e ngushtë, ata sigurisht po i çojnë ata drejt humbjes. Fetvaja e Imam A’dhamit është e veçantë në pesë aspekte:
I Pari: Ka të bëjë me njerëzit që janë në vende të largëta nga qendra e islamit.
I Dyti: Si rrjedhojë e një nevoje të vërtetë.
I Treti: Është e veçantë për përkthimin e saj në persisht, e cila sipas një rrëfenje, mendohet të jetë gjuha e Parajsës.
I Katërti: Ai është një gjykim për lejueshmërinë e vetëm sures El-Fatiha me qëllim që të mos e lënë namazin ata që nuk e dinë suren El-Fatiha.
I Pesti: Lejimi u dha me qëllim që, për shkak të zellit Islam që buron nga fuqia e besimit, kuptimet e shenjta mund të kuptohen nga njerëzit e zakonshëm.
Por t’i përkthesh ato dhe të braktisësh origjinën e tyre arabisht, për shkak të dobësisë së besimit, të nacinalizmit negativ, dhe të urrejtjes për gjuhën arabe, e shtyrë nga një nxitje shkatërruese, kjo është veçse për t’i shtyrë njerëzit të braktisin fenë.
Shenja e Dytë: Njerëzit e bidatit të cilët i kanë ndryshuar “shenjat e Islamit”, së pari kërkuan fetva nga ‘dijetarët e këqinj fetarë’ për t’u dhënë atyre lejueshmëri. Ata u treguan atyre fetvanë e mëparshme të cilën ne e shpjeguam se ajo ishte një fetva e veçantë në pesë aspekte.
Së dyti, njerëzit e bidatit, risisë, morën idenë e mbrapshtë vijuese prej reformistëve evropianë: duke qenë të pakënaqur me kishën katolike, me në krye revolucionarët, reformistët dhe filozofët, të cilët ishin novatorë, sipas kishës katolike, favorizuan protestantizmin, i cili u konsiderua i shkëputur e i veçuar dhe, duke shfrytëzuar revolucionin francez, ata e shkatërruan pjesërisht kishën katolike dhe shpallën protestantizmin.
Atëherë, pseudopatriotët këtu, të cilët ishin mësuar të imitonin verbërisht, thonë: “Meqenëse një revolucion si ai ndodhi në fenë krishtere, dhe në fillim revolucionarët u quajtën apostatë, felëshues, dhe më vonë ata përsëri u pranuan si krishterë, atëherë edhe në Islam mund të ndodhë gjithashtu një revolucion fetar si ky?
Përgjigjja: Ndryshimi në këtë analogji është më i qartë se sa ai në Shenjën e parë, sepse themelet e fesë në krishterim u morën vetëm nga Isai a.s., Jezusi. Ndërsa shumica e urdhëresave lidhur me jetën shoqërore dhe me çështjet dytësore të ligjit u formuluan e u konceptuan nga dishepujt – nxënësit, pasuesit – dhe nga udhëheqësit e tjerë shpirtërorë.
Pjesa më e madhe prej tyre u mor nga librat e shenjtë të mëparshëm, nga shkrimet e shenjta. Meqenëse Isai, Jezusi a.s., nuk qe sundimtar dynjaje dhe as mbret, dhe meqenëse ai nuk ishte burimi i ligjeve të përgjithshme sociale, atëherë themelet e fesë së tij sikur ishin të veshura me veshjen e ligjeve të përgjithshme, dhe me rregulla dhe me norma civile të marra nga jashtë, duke iu dhënë atyre një formë e ndryshme dhe duke i dhënë emrin ‘ligji krishter’. Në qoftë se kjo formë ndryshohet dhe ajo rrobë transformohet, por ama themelet e fesë së Isait, Jezusit, mund të vazhdojnë; ato nuk ndryshojnë. Dhe kjo çështje nuk çon në përgënjeshtrimin apo mohimin e tij.
Ndërsa Profeti Muhammed a.s.m., krenaria e njerëzimit, i cili ishte pronari i fesë dhe i sheriatit të Islamit, ishte prijësi i dy botëve, dhe lindja, perëndimi, Andaluzia dhe India ishin froni i tij i sundimit; ai i shpjegoi vetë themelet e fesë së Islamit si dhe solli çështjet dytësore dhe urdhëresat e tjera të fesë, duke përfshirë madje edhe çështjet më të pjesshme të etikës; ai vetë i dha mësim dhe i urdhëroi ato. Domethënë, çështjet dytësore të islamit nuk janë si një veshje e mundshme për ndryshim, ku në qoftë se ato do të ndryshoheshin, themelet e fesë mbeten të pandryshueshme; përkundrazi, ato janë si një trup për themelet e fesë, ose të paktën si një lëkurë, sepse janë shkrirë e kombinuar në një mënyrë që nuk mund të ndahen e të veçohen. T’i ndryshosh ato, të çon drejtpërdrejtë në përgënjeshtrimin e pronarit të sheriatit dhe në mohimin e tij.
Sa për ndryshimet e mendimeve në medhhebet e sheriatit, ato kanë buruar nga ndryshimet në mënyrën e konceptimit të parimeve teorike të cilat u shpjeguan nga Pronari i Sheriatit. Parimet e quajtura ‘Esencat e fesë’ të cilat nuk janë të hapura për ixhtihad, dhe ato të quajtura ‘të pakundërshtueshme’, nuk mund të ndryshohen në asnjë mënyrë dhe nuk mund të interpretohen. Ai që i ndryshon ato, ai del nga feja dhe përfshihet nën rregullin: “Ata e lënë fenë ashtu si shigjeta që ikën fluturimthi nga harku”. (Buhariu, Muslimi)
Njerëzit e bidatit, risisë, kanë gjetur pretekstin vijues për pafesinë e tyre dhe për devijimin e tyre nga rruga e drejtë: “Ata thonë: ‘Revolucioni francez ishte shkaku i vargut të ngjarjeve në botën e humanizmit; në të priftërinjtë, udhëheqësit shpirtërorë dhe kisha katolike që ishte kisha e tyre, u sulmuan dhe u shkatërruan. Më vonë revolucioni u fal, u konsiderua një gabim i falshëm prej shumë njerëzve; edhe francezët gjithashtu bënë një përparim më të madh. Apo jo?
Përgjigjja: Ashtu si në analogjitë e mëparshme, ndryshimi në këtë është shumë i qartë. Sepse për një kohë të gjatë në Francë fenë krishtere dhe veçanërisht kishën katolike e kanë shfrytëzuar burrat e shtetit dhe klasa e lartë e njerëzve si një mjet sundimi e despotizmi. Dhe klasa e lartë vazhduan të kishin influencën e tyre mbi njerëzit e zakonshëm nëpërmjet saj. Dhe meqenëse ajo ishte mjeti i shtypjes së patriotëve, të cilët ishin të zgjuar midis njerëzve të zakonshëm dhe që u quajtën “jakobinë”, dhe ajo vazhdoi të ishte mjeti për shtypjen e mendimtarëve të cilët bënin thirrje për liri, të cilët sulmuan despotizmin e tiranëve të klasës së lartë; madje ajo u konsiderua të ishte shkaku i plaçkitjes së rehatisë nga njerëzit dhe i përmbysjes së stabilitetit në jetën shoqërore si rrjedhojë e revolucioneve që ndodhën në Evropë që prej afërsisht katërqind viteve, prandaj kisha katolike u sulmua jo në emrin e pafesisë, por nga sektet e tjera kristiane.
Një ndjenjë zemërimi dhe armiqësie lindi midis njerëzve të zakonshëm dhe filozofëve për shkak të të cilës ndodhi ngjarja historike e lartëpërmendur.
Ndërsa në Islam, nuk ka të drejtë asnjë i shtypur dhe asnjë mendimtar që të ankohet ndaj fesë së Muhammedit a.s.m., dhe ndaj Sheriatit të islamit, sepse kjo fe nuk u shkakton zemërim atyre, por ajo i mbron ata. Dhe kjo është historia e islamit para gjithësecilit prej nesh për ta shikuar. Me përjashtim të një ose dy incidenteve, asnjë konflikt i brendshëm fetar nuk ka ndodhur. Ndërsa kisha katolike shkaktoi revolucione të brendshme që zgjatën për katërqind vite.
Për më tepër, Islami ka qenë një kështjellë e fuqishme më shumë për njerëzit e zakonshëm se sa për klasat e larta.
Nëpërmjet urdhrit të dhënies së zekatit dhe të ndalimit të kamatës, ai nuk i bën despote klasat e larta ndaj njerëzve të zakonshëm, por i bën shërbëtorë në një mënyrë! Ai thotë:
“Prijësi i një populli është shërbëtori i tyre”, dhe “Më i miri i njerëzve është më i dobishmi i tyre për njerëzit.”
Gjithashtu, nëpërmjet shprehjeve të shenjta si:
“A nuk mendojnë ata?” “A nuk reflektojnë ata mbi këtë?” “A nuk arsyetojnë ata!, Kur’ani i Gjithurtë e fton arsyen të dëshmojë dhe e zgjon duke ia referuar asaj shumë çështje në Kur’anin Kerim – dhe e nxit atë për të shqyrtuar e për të reflektuar. Nëpërmjet kësaj, ai u jep dijetarëve dhe njerëzve të arsyes një pozitë; ai u jep atyre rëndësi. Ai nuk e hedh poshtë arsyen ashtu si kisha katolike; ai nuk ua mbyll gojën mendimtarëve, as nuk kërkon imitim të verbër, ashtu si kisha katolike.
Meqenëse themelet e, jo të krishterimit të vërtetë, por të krishterimit të sotëm dhe themelet e Islamit janë ndarë në një pikë të rëndësishme, secila prej tyre ndjek një rrugë të ndryshme nga rruga e tjetrit në shumë aspekte, ashtu si diferencat e lartëpërmendura. Pika e rëndësishme është kjo: Islami është feja e Unitetit të pastër Hyjnor; ajo i shkarkon dhe i rrëzon nga ndikimi ndërmjetësitë dhe shkaqet. Ai e thyen egoizmin dhe themelon adhurimin e pastër vetëm për krijuesin. Ai e zhduk dhe e këput çdo lloj të hyjnisë së rreme, duke filluar nga ajo e nefsit urdhërues për të liga dhe e refuzon atë. Për shkak të kësaj, në qoftë se një person me një rang të lartë – midis klasës së lartë – do të ishte i përkushtuar në fe, ai duhet të braktisë egoizmin e tij. Në qoftë se nuk e braktis egoizmin e tij, ai do të humbiste fuqinë e tij të fesë dhe deri diku do të hiqte dorë nga feja e tij.
Sa për fenë krishtere të ditës së sotme, meqenëse ajo e ka pranuar besimin e Jezusit, Isait a.s., të jetë biri i Zotit, ajo u jep një ndikim të vërtetë shkaqeve dhe ndërmjetësive. Ajo nuk mund ta thyejë egoizmin në emrin e fesë. Përkundrazi, duke thënë, se ajo është një përfaqësuese e shenjtë e Jezusit a.s., ajo i jep egoizmit një lloj shenjtërie. Për këtë arsye, anëtarët e klasës së lartë krishtere të cilët kanë zënë pozitat më të larta të dynjasë, mund të jenë plotësisht fetarë.
Në fakt, ndodhen shumë si presidenti i mëparshëm amerikan, Wilsoni, dhe si kryeministri i mëparshëm britanik Lloyid Xhorxh, të cilët ishin aq fetarë sa priftërinjtë fanatikë.
Ndërsa ata të cilët u ngritën në ato pozita midis muslimanëve, rrallëherë qenë krejtësisht fetarë dhe të qëndrueshëm në fenë e tyre, për shkak të mosbraktisjes së krenarisë dhe të egoizmit nga ana e tyre. Dhe fetaria e vërtetë nuk mund të bashkohet me krenarinë dhe egoizmin.
Po, ashtu si fanatizmi fetar i klasës së lartë krishtere dhe neglizhenca në fe e klasës së lartë muslimane që demonstron një diferencë të rëndësishme, po ashtu fakti se filozofët që u shfaqën nga krishterimi ishin indiferentë ndaj fesë, ose ndryshe, e kundërshtuan atë; ndërsa shumica absolute e atyre filozofëve që u shfaqën nga islami e ndërtuan filozofinë e tyre mbi themelet Islame, demonstron përsëri një diferencë tjetër të rëndësishme.
Për më tepër, në përgjithësi, krishterët e zakonshëm të cilët vuajtën fatkeqësi të mëdha dhe që kaluan një pjesë të jetës së tyre në burgje, nuk prisnin ndihmë nga feja dhe nuk shpresonin asgjë prej saj.
Shumica e tyre – në kohët e mëparshme, u bënë të pafe. Në fakt, revolucionarët e famshëm në histori të cilët e ndozën revolucionin francez dhe që u quajtën “Jakobinët e pafe”, shumica e tyre ishin midis atyre njerëzve të zakonshëm të goditur nga fatkeqësitë.
Ndërsa në Islam, shumica absolute e atyre që vuajnë fatkeqësi ose burgosje presin ngushëllim nga feja dhe, madje bëhen fetarë. Kjo situatë, gjithashtu, demonstron një diferencë tjetër.
Shenja e Tretë: Njerëzit e bidatit thonë: “Fanatizmi fetar na ka lënë të prapambetur. Të shoqëruarit dhe të jetuarit e këtij shekulli do të ishte i mundur nëse braktiset fanatizmi. Evropa përparoi pasi ajo hoqi dorë nga fanatizmi. A nuk është kështu?
Përgjigjja: Ju jeni të gabuar dhe ju jeni mashtruar! Ose ndryshe, ju po i mashtroni njerëzit. Evropa është fanatike në fenë e saj. Në qoftë se ti do t’i thoje një bullgari të zakonshëm, ose një ushtari anglez, ose një Jakobini francez: “Vishe këtë çallmë, ose përndryshe do të flakesh në burg!” Ai do të të përgjigjej ty me kërkesë të fanatizmit të tij: “Jo në burg, por edhe sikur ti të më vrisje mua, unë nuk do ta fyej fenë time dhe kombin tim në atë mënyrë!”
Gjithashtu, historia dëshmon se sa herë që njerëzit e Islamit janë kapur pas fesë së tyre, ata kanë përparuar në atë kohë me shkallën e fuqisë së asaj kapje pas fesë. Dhe sa herë që ata u bënë më pak të qëndrueshëm në fenë e tyre, ata mbetën prapa. Ndërsa me krishterimin, është e kundërta. Kjo gjithashtu buron nga një ndryshim thelbësor.
Gjithashtu, Islami nuk mund të krahasohet me fetë e tjera; në qoftë se një musliman e braktis Islamin dhe e braktis fenë e tij, ai nuk do të mund të pranonte asnjë profet tjetër, dhe madje,ai nuk do të mund ta njihte as Zotin e Gjithëfuqishëm, dhe ndoshta nuk do të njihte asgjë të shenjtë; dhe nuk do të gjente në ndërgjegjjen e tij ndonjë vend që të ishte mjeti për arritjen morale e shpirtërore: pasi ndërgjegjja e tij do të prishej. Prandaj në këndvështrimin e Islamit, në luftë, një jobesimtar, ka të drejtën të jetojë. Në qoftë se ai është jashtë vendit dhe bën paqe, ose në qoftë se ai është brenda vendit dhe e jep haraçin, jeta e tij është e mbrojtur sipas Islamit. Por një apostat, felëshues, nuk e ka të drejtën për të jetuar, sepse ndërgjegjja e tij është e prishur dhe ai bëhet si helmi vrasës në jetën e shoqërisë.
Ndërsa një krishter, mundet akoma të kontribuojë për shoqërinë, edhe në qoftë se ai është jofetar. Ai mund t’i pranojë disa nga çështjet e shenjta, mund të besojë në disa profetë dhe mund ta pranojë Zotin e Gjithëfuqishëm në disa aspekte. Unë habitem, çfarë avantazhi gjejnë njerëzit e bidatit, ose më saktë devijuesit apo heretikët, në këtë pafesi?
Në qoftë se ata dëshirojnë prej saj sigurinë e rendit publik dhe vendosjen dhe qeverisjen, të qeverisësh dhjetë anarkistë të pafe të cilët nuk e njohin Zotin xh.sh., të zmbrapsësh të këqijat e tyre është shumë më e vështirë se sa të qeverisësh një mijë njerëz me fe. Në qoftë se ata dëshirojnë përparimin e qytetërimit, njerëz ateistë si këta, ashtu siç janë të dëmshëm për administratën dhe për qeverisjen, po ashtu ata janë një pengesë për përparimin. Ata e shkatërrojnë sigurinë dhe rendin publik, të cilat janë bazat e përparimit dhe të tregtisë. Në të vërtetë, ata janë shkatërrimtarë për shkak të pikërisht rrugës që ata kanë marrë.
Njeriu më i çmendur në tokë do të ishte ai që pret përparim, mirëqenie dhe lumturi prej anarkistëve të pafe si shembulli i këtyre. Njëri nga ata të çmendur, i cili zuri një pozitë të lartë, tha: Ne mbetëm prapa për shkak se thamë: All-llah.. All-llah..! ndërsa Evropa përparoi duke thënë: “Pushka dhe topat.”
Sipas rregullit, “një të çmenduri duhet t’i përgjigjesh me heshtje”, përgjigjja për njerëz të tillë është heshtja. Por ne u themi atyre të zgjuarve fatkëqinj të cilët u shkojnë prapa të marrëve të tillë si këta.
O ju fatkëqinj! Kjo dynja është një bujtinë. Dhe “vdekja është një realitet”, pasi për të dëshmojnë tridhjetë mijë dëshmitarë me kufomat e tyre, në çdo ditë. A mundeni ju ta vrisni vdekjen? A mund t’i kundërshtoni ju këta dëshmitarë?
Meqenëse ju nuk mundeni, atëherë vdekja i bën njerëzit të thonë: “All-llah, All-llah!”
Cilat nga pushkët tuaja dhe nga topat mund ta ndriçojë errësirën e përhershme për atë njeri që është në agonitë e vdekjes në vend të “All-llah, All-llah” dhe ta transformojë dëshpërimin e tij absolut në një shpresë absolute?
Meqenëse vdekja ekziston dhe ne do të futemi në varr dhe, kjo jetë largohet dhe një jetë e përhershme vjen, atëherë në qoftë se pushkët dhe topat thuhen vetëm një herë, Fjala All-llah, All-llah!”, duhet të thuhet një mijë herë. Madje edhe vetë pushka do të thonte: “All-llah, All-llah!” dhe topat do të ushtonin me “All-llahu Ekber” në kohën e iftarit dhe të syfirit.
Shenja e Katërt: Njerëzit shkatërrimtarë të bidatit janë dy llojesh:
Lloji i parë, sikur për llogari të fesë dhe në emrin e besnikërisë ndaj Islamit, sikur ta forconin fenë me nacionalizëm, thonë: Ne dëshirojmë ta mbjellim pemën e ndritshme të fesë,e cila është rritur e dobët në dheun e nacionalizmit, dhe kështu ta forcojmë atë”. Ata e shfaqin vetveten sikur e mbështesin fenë.
Lloji i dytë: Në emrin e kombit dhe për llogari të nacionalizmit, me qëllim që të forcojnë racizmin, ata thonë: “Ne duam ta shartojmë kombin me Islamin”, duke shpikur kështu bidate.
Llojit të parë, ne i themi:
O dijetarë të këqinj fetarë e fatkëqinj që po konfirmoni titullin “besnikë të marrë”, dhe o sufi injorantë, të dalldisur e mendjelehtë! Pema Tuba e Islamit, rrënjët e së cilës janë ngulitur e mbështetur në realitetin e universit dhe degët e së cilës janë përhapur nëpër të vërtetat e universit nuk mund të mbillen në dheun e racizmit imagjinar të përkohshëm, të pjesshëm, të veçantë e negativ, as tek ai racizëm i pabazë, i mërishëm, tiranik dhe i errët! Përpjekja për ta mbjellë atë aty do të ishte orvatje për bidat, për shkatërrim dhe për marrëzi.
Llojit të dytë të nacionalistëve, ne u themi këtë: O ju pseudopatriotë të dehur! Ndoshta shekulli i mëparshëm mund të ketë qenë shekulli i nacionalizmit. Ndërsa ky shekull nuk është shekulli i nacionalizmit, sepse komunizmi dhe socializmi i kanë zënë të gjitha çështjet duke e shkatërruar idenë e racizmit. Epoka e racizmit është duke kaluar. Nacionalizmi i përjetshëm dhe i qëndrueshëm nuk mund të lidhet me racizmin e përkohshëm e të paqëndrueshëm dhe të shartohet me të.
Madje edhe në qoftë se do të ndodhte një shartim i tillë, kjo ashtu siç do ta prishte kombin Islamik, po ashtu nuk do ta reformonte nacionalizmin racist. Po, shfaqet të jetë një kënaqësi dhe një fuqi e përkohshme në një shartim të përkohshëm, por ajo është shumë e përkohshme dhe pasojat janë shumë të rrezikshme.
Për më tepër, me këtë do të hapej një plasaritje, një përçarje e madhe në popullin turk e cila nuk do të mund të shërohej përjetësisht. Atëherë fuqia e kombit do të zvogëlohej e pakësohej në asgjë, meqenëse njëra pjesë nga ndarja do të shkatërronte fuqinë e tjetrës. Në qoftë se dy male do të viheshin në pjatat e ndonjë peshoreje, vetëm një peshë e vogël mund t’i lëvizte ato të dyja, duke e ngritur njërën pjatë lartë dhe duke e ulur pjatën tjetër poshtë.
Pyetja e Dytë përbëhet nga Dy Shenja:
Shenja e parë është Shenja e Pestë; ajo është një përgjigje shumë e shkurtër për një pyetje të rëndësishme:
Pyetja: Ndodhen shumë rrëfenja autentike hadithesh rreth shfaqjes së Mehdiut në fundit e kohës dhe se ai do ta rregullojë botën pasi ajo të jetë e korruptuar. Por ama ne e dimë se ky shekull është shekulli i xhematit, jo i individit, sepse individi sado gjeni i madh të jetë, madje sikur ai të kishte fuqinë e njëqind gjenive, në qoftë se ai nuk do të ishte përfaqësuesi i një grupi, dhe në qoftë se ai nuk përfaqëson personalitetin kolektiv të një grupi, ai do të shpartallohej përballë personalitetit kolektiv të një grupi opozitar.
Atëherë si do të ishte e mundur – për Mehdiun – sado e madhe të ishte fuqia e shenjtërisë së tij ta reformonte botën në këtë kohë midis korrupsionit të përhapur gjërë dhe që ka përfshirë të gjitha grupet e shoqërisë njerëzore. Në qoftë se të gjitha veprat e Mehdiut do të ishin të jashtëzakonshme, kjo do të ishte në kundërshtim me Urtësinë Hyjnore dhe me ligjet Hyjnore në gjithësi. Ne duam ta kapim kuptimin e vërtetë të kësaj çështjes së Mehdiut? Si do ta perceptonim?
Përgjigjja: Nga mëshira e Tij e plotë, në çdo kohë kur ummeti musliman ka qënë korruptuar, All-llahu i Gjithëfuqishëm ka dërguar një reformues ose një muxheddit – ripërtërirës, ose një kalif të madh, ose një udhëheqës të madh shpirtëror, ose një udhëzues të plotë, ose personalitete të bekuar që i ngjasojnë Mehdiut, si një shenjë e mbrojtjes së sheriatit Islam nga ana e Tij xh.sh., dhe për vazhdimësinë e Tij dhe për përjetësimin e atij sheriati; ata e kanë larguar korrupsionin, e kanë reformuar kombin dhe e kanë mbrojtur fenë e Muhammedit a.s.m.. Meqenëse praktika e Tij xh.sh., ka vepruar në këtë mënyrë, sigurisht, në kohën e korrupsionit më të madh në fundin e kohës, Ai do të dërgojë një person të ndritshëm edhe si një interpretues më të madh të Sheriatit, dhe si muxheddidin më të madh, si udhëheqësin më të madh shpirtëror, dhe njëkohësisht ai do të jetë një sundimtar, Mehdiu dhe një udhëzues, dhe do të jetë nga Ehli-Bejti, familja e profetit Muhammed a.s.m..
I Gjithëfuqishmi i vetëm i Cili e mbush dhe e boshatis botën midis qiejve dhe tokës me re, dhe për një çast i qetëson stuhitë e detit, dhe për një orë në pranverë krijon modelet e stinës së verës, dhe për një orë në verë krijon një stuhi dimri, një i Gjithëfuqishëm i Tillë i Gjithëlavdishëm gjithashtu mund t’i largojë errësirat e botës së Islamit nëpërmjet Mehdiut. Ai e ka premtuar këtë dhe sigurisht që Ai do ta përmbushë premtimin e Tij.
Dhe kështu, në qoftë se do ta shikonim këtë çështje nga këndvështrimi i Kaderit Hyjnor, ajo është më e lehta. Në qoftë se ne do ta shikonim atë dhe do ta shqyrtonim nga këndvështrimi i shkaqeve dhe i urtësisë Hyjnore, ajo përsëri do të ishte aq e arsyeshme dhe e domosdoshme për të ndodhur sa që mendimtarët e lartë kanë pohuar e shikuar se urtësia Hyjnore e kërkon këtë, dhe ajo do të jetë, madje edhe në qoftë se ajo nuk do të ishte njoftuar nga lajmëruesi i të dhënave të sigurta a.s.m., ajo përsëri do të ndodhte.
Domethënë, ardhja e tij është një çështje e domosdoshme. Dhe kjo për arsye se duaja:
O Zot! Jepi bekime prijësit tonë Muhammedit dhe familjes së prijësit tonë Muhammedit, ashtu siç i dhe bekime Ibrahimit dhe familjes së Ibrahimit, në të gjithë botën, në të vërtetë Ti je i denjë për të gjithë lavdërimin, Ti je i Lartësuari!, dua e cila përsëritet nga të gjithë muslimanët pesë herë në çdo ditë në namazet e tyre të detyruara, vërteton pranimin e saj në mënyrë të vetëkuptueshme, sepse ashtu si familja e Ibrahimit a.s., familja e Muhammedit a.s.m. ka marrë një pozitë ku ata qëndrojnë si komandantë në krye të të gjithë zinxhirëve të bekuar të autoriteteve shpirtërore në asambletë e të gjitha trevave të botës në të gjithë shekujt.[47]
Ata janë aq të shumtë sa që të gjithë këta komandantë së bashku formojnë një ushtri madhështore. Në qoftë se ata do të merrnin një formë fizike dhe, nëpërmjet solidaritetit të tyre, të formonin një divizion, duke e bërë fenë Islame një lidhje të shenjtë të Ummetit dhe boshtin e zgjimit të tij, duke u lidhur së bashku në unitet, sigurisht asnjë ushtri e ndonjë kombi tjetër nuk do të mund të rezistonte përballë tyre. Kështu, ajo ushtri e madhe dhe e fuqishme është familja e Muhammedit – Ehli-Bejti, ushtria më e zgjedhur e Mehdiut.
Po, sot në botë nuk ka familje të dalluar me një nder të lartë dhe me veçori të larta e fisnikëri tek pasardhësit e saj në një varg të pandërprerë dhe me një gjenealogji të vërtetuar saktë, dhe të jetë aq e fuqishme dhe e rëndësishme sa linja e Sejjidëve të Ehli-Bejtit të profetit Muhammed a.s.m..
Këto Sejjida kanë qenë gjithmonë – qysh prej shekujve të hershëm – drejtuesit e të gjitha grupeve të njerëzve të së vërtetës, dhe gjithashtu udhëheqësit e njerëzve të shquar të plotësimit.
Tani ata janë linja e bekuar dhe e pastër që janë me miliona. Ata janë të zgjuar e të vëmendshëm me zemrat e tyre të mbushura plot me besim e dashuri për profetin Muhammed a.s.m., ata dallohen me nderin e linjës së tyre të mirënjohur e të pastër në botë. Ngjarje të mëdha do të ndodhin të cilat do ta nxisin atë forcë të shenjtë brenda atij komuniteti të madh…
Sigurisht, zelli i lartë në atë forcë të madhe do të shpërthejë dhe, Mehdiu do të vijë ta drejtojë atë duke e udhëhequr në rrugën e së vërtetës dhe të realitetit. Ne presim nga ligji Hyjnor dhe nga mëshira Hyjnore se kjo ngjarje e madhe do të ndodhë, ashtu siç presim ardhjen e pranverës pas dimrit dhe, ne jemi të drejtë në këtë pritje…
Shenja e Gjashtë:
Komuniteti i ndritshëm i Mehdiut do ta përmirësojë dhe riparojë atë që e prishi regjimi novator shkatërrimtar i Sufjanit, dhe do të ringjallë sunnetin e lavdishëm profetik. Domethënë, shoqëria e fshehtë e Sufjanit do të përpiqet të shkatërrojë sheriatin e Muhammedit a.s.m. në botën e Islamit me qëllimin e mohimit të profetësisë së tij dhe, Sufjani do të vritet dhe do të shpartallohet nga shpata e mrekullueshme jolëndore e komunitetit të Mehdiut.
Për më tepër,në botën e humanizmit, shoqëria sekrete e Dexhalit do ta mbysë qytetërimin dhe do t’i sabotojnë të gjitha çështjet e shenjta të njerëzimit, me qëllimin e mohimit të Hyjnisë. Një komunitet i zellshëm dhe vetësakrifikues i njohur si komuniteti krishter por i denjë që të quhet “krishterët muslimanë”, do të punojnë për ta bashkuar fenë e vërtetë të Jezusiz (Isait) a.s. me realitetin e Islamit, dhe do ta vrasë e do ta shpartallojë atë shoqëri të Dexhalit, duke e shpëtuar kështu humanizmin nga ateizmi.
Ky mister i rëndësishëm është shumë i gjatë. Meqenëse ne e kemi diskutuar atë shkurtazi në vende të tjera, këtu ne u mjaftuam vetëm me këtë tregues.
Shenja e shtatë: Domethënë, Pyetja e Tretë:
Ata thonë: refuzimet e tua të mëparshme dhe mënyra e xhihadit tënd në rrugën e Islamit nuk ishin si mënyra jote e tanishme. Gjithashtu ti nuk e mbron Islamin ndaj Evropës në mënyrën e filozofëve dhe të mendimtarëve. Përse ti e ke ndryshuar stilin e Saidit të Vjetër?
Përse ti nuk vepron në të njëjtën mënyrë në xhihad ashtu si ata të cilët bëjnë xhihad për hir të Islamit me mjete jolëndore?
Përgjigjja: Saidi i Vjetër dhe disa mendimtarë i pranuan pjesërisht parimet e filozofisë njerëzore dhe evropiane, dhe i kundërshtuan ato me armët e tyre; dhe një pjesë prej atyre parimeve i konsideruan në formën e shkencave fizike moderne dhe i pranuan ato në mënyrë të patundur.
Dhe prandaj ata nuk mundën të demonstrojnë vlerën e vërtetë të Islamit. Mjaft thjesht, ishte sikur ata po e shartonin Islamin me degat e filozofisë, rrënjët e së cilës ata i supozuan të ishin shumë të thella dhe sikur po e forconin atë. Por meqenëse kjo metodë prodhoi pak fitore dhe ajo e uli vlerën e Islamit deri diku, unë e braktisa atë rrugë. Dhe në fakt, unë shfaqa se parimet e Islamit janë aq të thella sa që edhe parimet më të thella të filozofisë nuk mund t’i arrijnë ato: madje këto mbeten të sipërfaqshme përballë tyre.
Fjala e Tridhjetë dhe Letra e Njëzet e Katërt dhe Fjala e Njëzet e Nëntë, e kanë demonstruar këtë të vërtetë me prova. Në rrugën e mëparshme filozofia u supozua të ishte e thellë, ndërsa çështjet e Islamit, të sipërfaqshme e të jashtme; u supozua se duke e lidhur me degët e filozofisë, Islami do të mbrohej e do të bëhej të vazhdonte. Por jo! Si munden parimet e filozofisë t’i arrinin në ndonjë mënyrë çështjet e Islamit!
“Lavdia të takon Ty! Ne nuk dimë asgjë më tepër nga ç’na ke mësuar Ti. Vërtetë që vetëm Ti je i Gjithëdituri, i Gjithurti.”[48]
“Dhe ata do të thonë: Gjithë lavdërimet dhe falënderimet janë për All-llahun i Cili na udhëzoi ne për tek kjo (lehtësi). Kurrë nuk do të kishim gjetur ne drejtim, po të mos na kishte udhëhequr All-llahu. Vërtetë që të dërguarit e Zotit tonë erdhën me të vërtetën.”[49]
O Zot! Jepi bekime shkëlqesisë sonë Muhammedit a.s.m. dhe familjes së shkëlqesisë sonë Muhammedit a.s.m. ashtu siç i dhe bekime shkëlqesisë sonë Ibrahimit dhe familjes së Ibrahimit, në të gjitha botët; në të vërtetë Ti je i Denjë për të gjithë lavdërimin, je i Lartësuari!
* * *
Tetë Simbolet që është Pjesa e Tetë
Kjo Trajtesë përbëhet nga Tetë Simbole, domethënë, nga tetë trajtesa të shkurtëra. Baza e këtyre simboleve është ‘koinçidenca’, që është një parim i rëndësishëm i shkencës së “Xhefrit”, dhe një çelës i rëndësishëm për shkencat okulte dhe për disa nga misteret e Kur’anit që i përkasin të padukshmes. Këto nuk janë përfshirë këtu meqenëse do të publikohen në koleksionin tjetër.
* * *
Pjesa e Nëntë: Nëntë aluzionet
[Kjo pjesë është rreth rrugëve të shenjtërisë, dhe përbëhet nga nëntë aluzione.]
Me Emrin e All-llahut, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti.
“Nuk ka fare dyshim! Me të vërtetë për evlijatë e All-llahut, as frikë nuk do të ketë mbi ta, as nuk do të pikëllohen.”[50]
Aluzioni i Parë: Nën titujt “Sufizëm”, “Tarikat”, “Shenjtëri” dhe “udhëtim shpirtëror” ndodhet një e vërtetë shpirtërore e ndritshme e shenjtë, e këndshme dhe e gëzueshme. Kjo e vërtetë është njoftuar, është dhënë mësim dhe është përshkruar nga mijëra libra të shkruara nga dijetarët midis njerëzve të ndriçimeve dhe nga ata të cilëve u është zbuluar realiteti i krijimit, të cilët ia kanë treguar ummetit – komunitetit – musliman dhe neve atë të vërtetë. All-llahu ua shpërbleftë me mirësi të shumtë atyre!
Si rrjedhojë e disa rrethanave detyruese, ne do të tregojmë disa pikëla, si spërkatje nga ai oqean i gjërë.
Pyetje: Ç’është tarikati Sufi?
Përgjigje: Qëllimi dhe synimi i tarikatit Sufi është njohja e të vërtetave të imanit dhe të Kur’anit nëpërmjet një udhëtimi shpirtëror me këmbët e zemrës nën hijen e ngjitjes -Mi’raxhit- të Muhammedit a.s.m., për të shfaqur të vërtetat e besimit dhe të Kur’anit nëpërmjet ndriçimit dhe disa gjendjeve dhe deri diku nëpërmjet të shikuarit dhe të dëshmuarit. Ky është një mister i lartë njerëzor dhe një plotësim human, i cili quhet “tarikati Sufi” ose “Sufizëm”.
Po, meqenëse njeriu është një indeks gjithëpërfshirës i universit, zemra e tij i ngjason një harte jolëndore për mijëra botëra, sepse ashtu si shkencat e panumërta njerëzore dhe fushat e njohjes që tregojnë se truri i njeriut në kokën e tij është si një lloj qendre jolëndore e universit, si një çentral telefonik e telegrafik për linja të panumërta, po ashtu milionat e librave të ndritshëm të shkruara nga evlija të panumërt tregojnë se zemra e njeriut në qënien e saj esenciale është vendi i manifestimit të të vërtetave të panumërta të universit, është boshti i tyre dhe madje bërthama e tyre.
Kështu, meqenëse zemra e njeriut dhe truri janë tek kjo qendër, dhe përfshijnë anëtarët e një peme madhështore në formën e një bërthame në të cilën janë veshur – mbuluar e blinduar – pjesët dhe komponentet e një makinerie të përjetshme madhështore që i përket Ahiretit, atëherë sigurisht Krijuesi i zemrës deshi që zemra duhej të vihej në punë dhe të sillej nga potencialja për tek aktualja dhe të zhvillohej e të vihej në veprim, sepse Ai e krijoi atë në këtë formë. Meqenëse Ai e deshi kështu, atëherë zemra sigurisht duhet të punojë si mendja. Dhe mjeti më i efektshëm për punën e zemrës është që ajo të orientohet drejt të vërtetave të besimit duke u afruar tek përmendja e Zotit brenda shkallëve të shenjtërisë nëpërmjet ”tarikatit Sufi”.
Aluzioni i Dytë: Çelësat dhe mjetet e këtij udhëtimi të zemrës dhe e këtij përparimi shpirtëror janë përmendja e Zotit dhe mendimi reflektiv. Virtytet e këtyre janë të shumta për t’u përshkruar. Përveç dobive të pallogaritshme në Ahiret dhe arritjeve njerëzore dhe plotësimeve, një dobi e vogël që lidhet me jetën e trazuar të kësaj bote, është sa vijon:
Çdo njeri dëshiron një ngushëllim dhe kërkon një kënaqësi me qëllim që të jetë i shpëtuar nga tronditjet e jetës dhe që ta lehtësojë sado pak peshën e saj dhe për të marrë frymë, pushim; gjithkush kërkon diçka të shoqërueshme e miqësore për të dëbuar vetminë.
Tubimet shoqërore në jetën e civilizuar japin një miqësi dhe intimitet të përkohshëm por me pakujdesi e dehje dhe japin një ngushëllim për një ose dy prej dhjetë njerëzve. Ndërsa tetëdhjetë përqind jetojnë të vetmuar në male apo lugina, ose janë shtyrë për në vende të largëta në kërkim të mjeteve të jetesës, ose për shkak se janë sprovuar me fatkeqësi ose me pleqëri të cilat i bëjnë ata të mendojnë për Ahiretin, ata janë të privuar nga shikueshmëria e grupeve të njeriut dhe nga shoqëritë.
Kjo situatë nuk u jep atyre as familiaritet, as ngrohtësi, as përzemërsi dhe as ngushëllim. Dhe gjithashtu, ngushëllimi i vërtetë, intimiteti dhe kënaqësia e ëmbël e një personi të tillë, është ta kthejë zemrën e tij në ato vende të largëta, në ato male të shkreta dhe në ato lugina pikëlluese, që të punojë nëpërmjet përmendjes së Zotit xh.sh. dhe mendimit reflektiv. Duke thënë, All-llah, All-llah! Duke u bërë familiar e i mësuar me këtë dhikr dhe, duke reflektuar për gjërat përreth tij, të cilat e shikonin atë egërsisht, por ama nëpërmjet atij familiariteti, ato sikur po buzëqeshin tek ai miqësisht dhe, duke thënë: “Krijuesi im, të Cilin unë po e përmend, ka shërbëtorë të panumërt këtu në vendin tim të vetmisë, ashtu siç ka Ai gjithandej, unë nuk jam i vetmuar; vetmia nuk ka kuptim.” Nëpërmjet besimit të tij, ai gjen kënaqësi prej atij familiariteti. Ai e percepton kuptimin e lumturisë së jetës dhe i jep falënderime Zotit xh.sh..
Aluzioni i Tretë: Shenjtëria është një provë e profetësisë, Tarikati Sufi është një provë e Sheriatit, sepse të vërtetat e besimit të cilat i predikon profetësia, shenjtëria i shikon dhe i konfirmon me një lloj shikimi të zemrës dhe të ndriçimit të shpirtit me shkallën e “shikimit të sigurisë”. Konfirmimi i saj është një provë e sigurt e së vërtetës së profetësisë. Nëpërmjet ndriçimeve dhe zbulimeve të tij dhe nëpërmjet përfitimeve të tij dhe shkëlqimeve që ai merr, tarikati Sufi është një provë e qartë e të vërtetave dhe e çështjeve të cilat i jep mësim Sheriati, se ato janë e vërteta dhe se ato vijnë nga e vërteta. Po, ashtu si “shenjtëria” dhe “tarikati Sufi” që janë dëshmi e provë e profetësisë dhe e “Sheriatit”, po ashtu ato janë një mister i plotësimit të islamit dhe boshti për dritat e tij, dhe janë një burim i progresit dhe i përparimit të humanizmit, nëpërmjet dritave të Islamit dhe manifesti-meve të dritave të tij.
Pavarësisht rëndësisë shumë të madhe që përmbajnë ato të dyja, disa sekte devijuese e kanë mohuar rëndësinë e atyre të dyjave. Ata janë privuar nga ato drita, si dhe i kanë bërë edhe të tjerët që të privohen. Gjëja më e papëlqyeshme është kjo: Duke i bërë si një pretekst disa keqpërdorime dhe gabime që janë parë midis ndjekësve të tarikatit Sufi, disa dijetarë të Ehli-Sunneh vel-Xhemaah, të cilët gjykojnë nga aspekti i jashtëm i çështjeve dhe disa politikanë të shkujdesur të cilët gjithashtu janë Sunitë, po bëjnë përpjekje që ta mbyllin atë thesar të madh; madje ata përpiqen që ta shkatërrojnë dhe ta thajnë atë burim të Keutherit i cili shpërndan një lloj të ujit të jetës.
Veçse ama, shumë rrallë mund të gjenden gjëra, mënyra dhe rrugë pa pasur gabime e mangësi dhe që aspektet e tyre mund të jenë krejtësisht të mira; atëherë padyshim që do të ketë mangësi, gabime e keqpërdorime, sepse në qoftë se të paaftët ndërmarrin një çështje, sigurisht ata do ta keqpërdorin atë.
Por ama në përputhje me llogarinë e veprave në Ahiret, Zoti i Gjithëfuqishëm e shfaq drejtësinë e Tij Hyjnore nëpërmjet peshimit të veprave të mira dhe veprave të këqija. Domethënë, në qoftë se veprat e mira peshojnë më shumë dhe janë më të rënda, Ai i shpërblen ata dhe i pranon veprat e tyre; Ndërsa në qoftë se veprat e këqija peshojnë më shumë, Ai i ndëshkon ata për ato dhe nuk ua pranon veprat e tyre. Balancimi apo barazpeshimi i veprave të mira dhe të liga nuk shikon tek “sasia”, por tek “cilësia”. Ndonjëherë ndodh që një vepër e mirë e vetme peshon më shumë dhe vjen më rëndë se sa njëmijë vepra të këqija, dhe u shkakton atyre të këqijave që të fshihen, të falen, dhe ajo bëhet shkak për ta shpëtuar autorin e saj.
Meqenëse drejtësia Hyjnore gjykon sipas kësaj peshoreje, dhe se realiteti gjithashtu e shikon atë se është pikërisht e vërteta, atëherë dëshmia se veprat e mira të tarikatit Sufi – domethënë të tarikateve Sufi brenda limiteve të sunnetit të pastër profetik – që sigurisht peshojnë më shumë dhe janë më të rënda se sa veprat e tyre të këqija, është se ata të cilët e ndjekin tarikatin e ruajnë imanin e tyre në kohët kur ata sulmohen nga njerëzit e çudhëzimit.
Një ndjekës i zakonshëm e i sinqertë i tarikatit Sufi e ruan vetveten më mirë se sa një person i cili i gjykon gjërat nga ana e jashtme dhe që ka një edukim modern e shkencor. Nëpërmjet ndriçimit të tarikatit Sufi dhe dashurisë që ka ndaj evlijave, ai e shpëton besimin e tij.
Në qoftë se ai kryen gjynahe të mëdha, ai bëhet një fasik (mëkatar), por jo kafir (mohues); ai nuk mund të futet lehtë në radhët e ateizmit. Absolutisht asnjë fuqi nuk mund ta hedhë poshtë në shikimin dhe në mendimin e tij zinxhirin e shehëve – udhëheqësve – të cilët ai i pranon me një dashuri të fortë dhe me një besim të palëkundur, se janë udhëheqës të mëdhenj shpirtërorë. Dhe për shkak se asnjë fuqi nuk mund ta hedhë poshtë këtë, besimi dhe mirëbesimi i tij ndaj atyre udhëheqësve nuk mund të shkatërrohen. Dhe për sa kohë që besimi i tij të mos lëkundet, ai nuk mund ta pranojë ateizmin. Përballë dredhive të ateistëve në këtë kohë, është bërë e vështirë për dikë që nuk është i lidhur me tarikatin Sufi dhe që zemra e të cilit nuk ka filluar të veprojë, që ta mbrojë vetveten plotësisht, madje edhe sikur ai të ishte një shkollar i ditur.
Ndodhet edhe një çështje tjetër; tarikati Sufi nuk mund të dënohet për shkak të të këqijave të disa mënyrave të veprimit që ata kanë zgjedhur të cilat janë jashtë limiteve të takvasë dhe madje jashtë Islamit dhe, që gabimisht e padrejtësisht i kanë dhënë vetvetes emrin e tarikatit Sufi.
Në qoftë se do ta largonim vëmendjen prej rezultateve të larta tek të cilat të çon tarikati Sufi qofshin ato fetare, ose shpirtërore, ose për Ahiretin dhe të shikonim vetëm një rezultat të vetëm prej tyre brenda botës islame, do të shikonim se “tarikati Sufi” është i pari, më efektivi dhe mjeti më i fortë e i zellshëm për zhvillimin e sferës së vëllazërisë Islame midis muslimanëve dhe për shtrirjen e lidhjes së saj të shenjtë në të gjitha anët e botës Islame.
Tarikatet Sufi kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë njëra nga tre kështjellat më të rëndësishme dhe të patundura të islamit kundra sulmeve të tmerrshme të botës së mosbesimit, kundra politikave të krishterimit dhe kundra atyre që përpiqen me intrigat e tyre që të shuajnë dritën e Islamit.. Duhet të mos e harrojmë se ajo që e mbrojti qendrën e kalifatit “Stambollin” për pesëqind e pesëdhjetë vjet kundra të gjithë botës së krishterimit, ishin dritat e besimit që u lëshuan prej pesëqind vendeve në Stamboll, dhe fuqia e besimit të atyre që thonin “All-llah, All-llah!” në teqet e në zavijet prapa xhamive të mëdha, që në tërësinë e tyre formonin pikën më të fortë të mbështetjes së njerëzve të besimit në atë qendër të Islamit, dhe ishte dashuria e tyre shpirtërore që buronte nga njohja e Zotit xh.sh. dhe pasionet e tyre dhe përmendjet me zë të ulët.
O ju pseudopatriotë të paarsyeshëm dhe o nacionalistë të rremë! Cilat nga të këqijat e tarikatit Sufi mund ta hedhin poshtë këtë të mirë të madhe në jetën tuaj shoqërore?! Hë, thuajeni!
Aluzioni i Katërt: Së bashku me qënien e saj shumë e lehtë, rruga e shenjtërisë është shumë e vështirë. Dhe së bashku me qënien shumë e shkurtër, ajo është shumë e gjatë. Dhe përveç qënies më e vlefshmja, ajo është shumë e rrezikshme. Dhe së bashku me qënien shumë e gjërë, ajo është shumë e ngushtë. Për shkak të këtyre mistereve të holla, disa prej atyre që udhëtojnë në këtë rrugë, në tarikat, ndonjëherë mbyten, ndonjëherë bëhen të dëmshëm, dhe ndonjëherë prapakthehen, tërhiqen dhe humbasin edhe të tjerët.
Shkurtazi: Ndodhen dy rrugë në tarikatin Sufi që njihen me termat, “Udhëtimi i brendshëm” dhe “udhëtimi i jashtëm”.
Udhëtimi i brendshëm fillon nga nefsi, dhe autori i këtij udhëtimi e largon shikimin e tij nga bota e jashtme, ai shikon tek zemra, duke e shpuar egoizmin e tij. Pastaj ai kalon përmes tij dhe hap në zemër dhe prej zemrës një rrugë për tek hakikati, realiteti.. Pastaj prej atje ai futet në botën e jashtme. Bota e jashtme tani duket e ndritshme. Ai e plotëson udhëtimin shpejt. Realitetin që ai e sheh në botën e brendshme, e sheh në një shkallë të madhe në botën e jashtme. Shumica e tarikateve të cilat praktikojnë përmendjen në heshtje, e marrin këtë rrugë. Më e rëndësishmja e themeleve të kësaj rruge është të thyesh egon, të braktisësh dëshirat e ulëta epsharake dhe të vrasësh nefsin urdhërues për të liga.
Rruga e dytë fillon nga bota e jashtme; autori i kësaj rruge shikon shfaqjet e Emrave Hyjnorë dhe atributet Hyjnorë në vendet e tyre të manifestimit në atë sferë më të madhe, pastaj ai futet në sferën e nefsit, në botën e brendshme. Ai i shikon dritat e atyre shfaqjeve me një peshore të vogël në sferën e zemrës, dhe hap në këtë zemër rrugën më të shkurtër për tek Krijuesi, dhe shikon se zemra është me të vërtetë pasqyra e të Adhuruarit të përjetshëm, dhe kështu arrin tek synimi që po e kërkonte.
Kështu, në qoftë se njerëzit të cilët udhëtojnë në rrugën e parë nuk janë të suksesshëm në vrasjen e nefsit urdhërues për të liga, dhe në qoftë se ata nuk mund t’i braktisin dëshirat e ulëta të nefsit dhe të thyejnë egon, ata bien nga rangu i falënderimeve për tek ai i krenarisë dhe, pastaj nga rangu i krenarisë për tek ai i vetëmburrjes.
Në qoftë se kjo do të shoqërohej me diçka që i ngjason dehjes që buron nga një magjepsie që vjen nga dashuria, atëherë nga kjo do të buronin pretendime më të mëdha se sa limiti i tij, dhe më të mëdha se sa rrethi i tij; janë ato që quhen “shatahat”, shprehje të dalldisura ose pretendime të ekzagjëruara. Kjo është e dëmshme edhe për veten e tij, edhe për të tjerët.
Për shembull, në qoftë se një toger bëhet mendjemadh nga kënaqësia për pozitën e komandantit, ai do ta pandehte veten e tij se është një mareshall, dhe do të ngatërronte çështjen e komandës brenda sferës së tij më të vogël me komandën e përgjithshme brenda sferës së saj më të madhe, pikërisht ashtu siç ngatërrohet në shikimin e disa njerëzve imazhi i diellit që shfaqet në një pasqyrë të vogël me imazhin e tij që shfaqet në sipërfaqen e madhe të detit, pavarësisht ndryshimit të atyre të dyjave në gjërësi e madhësi.
Në të njëjtën mënyrë, ka shumë prej njerëzve të shenjtërisë të cilët e shikojnë veten e tyre më të mëdhenj dhe shumë më të lartë se sa ata që janë në realitet shumë më të mëdhenj e më të lartë, madje ndonjëri prej tyre e shikon veten e tij më të lartë se sa disa të tjerë, në një kohë që krahasimi i tij me ata është si krahasimi i mizës me palloin. Ata e shikojnë atë të jetë kështu dhe e konsiderojnë vetveten të jenë tek e drejta. Madje unë kam parë vetë dikë, zemra e të cilit sapo ishte zgjuar dhe mezi kishte kapur në vetvete vetëm pak nga misteri i shenjtërisë, që ta supozonte vetveten të ishte një pol i lartë shpirtëror, dhe pretendonte se kishte marrë gjendjet dhe situatat në përputhje me të. Unë i thashë atij: “O vëllai im, ashtu si ligji i sovranitetit që ka manifestimet e tij të veçanta dhe të përgjithshme në të gjitha sferat e shtetit duke filluar nga zyra e kryeministrit për tek administrimi i një zone të vogël, po ashtu edhe shenjtëria dhe rangu i plot shpirtëror kanë sfera dhe manifestime të ndryshme. Secili stacion ka hije të shumta. Ti e ke parë qartë manifestimin e rangut të polit më të lartë shpirtëror që është i ngjashëm me kryeministrin brenda sferës tënde të vogël që i ngjason një zyre të një zone, dhe ti je mashtruar dhe je ngatërruar në çështje.
Ajo që ti pe ishte e drejtë dhe e vërtetë, por ama gjykimi yt për të ishte i gabuar, sepse për një mizë, një gotë ujë është një det i madh.
Personi në fjalë erdhi në vete si rezultat i kësaj përgjigjjes sime dhe, me dëshirën e Zotit, ai shpëtoi nga ajo humnerë.
Unë gjithashtu kam parë shumë njerëz të cilët e mendonin vetveten se ishin një lloj Mehdiu, dhe thonin se ata do të ishin Mehdiu. Këta njerëz nuk janë gënjeshtarë e mashtrues, ata janë të mashtruar. Ata e supozojnë atë çfarë shikojnë se është realitet. Por ashtu si Emrat Hyjnorë që kanë manifestime duke filluar nga Froni më i madh dhe deri tek një atom, dhe vendet e manifestimit ndryshojnë në lidhje me to, po kështu shkallët e shenjtërisë, të cilat përbëhen nga manifestimi i Emrave, ndryshojnë në të njëjtën mënyrë. Shkaku më i rëndësishëm i kësaj ngatërrese është ky:
Në disa nga stacionet e evlijave gjenden diçka nga veçoritë e funksionit të Mehdiut, ose ndodhet një lidhje e veçantë me polin më të lartë shpirtëror, ose me Hizrin; ndodhen disa stacione të cilat janë lidhur me disa persona të shquar.
Në fakt, stacionet quhen ‘Stacioni i Hizrit’, ‘Stacioni i Uvejsit’, ose ‘Stacioni i Mehdiut’. Si rrjedhojë e kësaj, ata të cilët arrijnë tek ato stacione, ose tek një pjesë e vogël e tyre, ose tek një hije prej hijeve të tyre, e pandehin vetveten se janë vetë ata persona të famshëm.
Ndonjëri prej tyre e konsideron veten të jetë Hizri, ose Mehdiu, ose poli më i madh shpirtëror. Në qoftë se një person i tillë nuk ka egoizëm që kërkon rang a pozitë, atëherë ai nuk dënohet për atë gjendje. Pretendimet e e tij shumë të larta nuk konsiderohen të jenë ‘shatehat’, shprehje të dalldisura’; ai ndoshta nuk është përgjegjës për to; por në qoftë se egoja e tij vazhdon në mënyrë të fshehtë duke kërkuar rang e pozitë, dhe në qoftë se ai do të shpartallohej nga egoja e tij, dhe e lë stacionin e dhënies së falënderimeve dhe bëhet krenar, prej këtu ai do të binte gradualisht në mendjemadhësi, ose ndryshe do të binte në errësirat e çmendurisë, ose do të shmangej prej rrugës së vërtetë, sepse ai i mendon evlijatë e mëdhenj si vetja e tij dhe mendimi i mirë për ata shkatërrohet, sepse sado arrogant të jetë nefsi, ai përsëri i kap gabimet e vetes së tij dhe si rrjedhojë, madje edhe respekti i tij për profetët a.s. do të pakësohej.
Duhet medoemos për ata të cilët janë ngatërruar e goditur me këtë gjendje të kapen fort pas peshores së sheriatit që t’i peshojnë punët e tyre dhe të qëndrojnë tek ato limite që kanë përcaktuar dijetarët e parimeve të fesë dhe, të marrin si udhëzuesit e tyre mësimet dhe instruksionet e dijetarëve autoritarë, të besueshëm e të sigurt midis evlijave si Imam Gazali dhe Imam Rabbani. Ata në mënyrë të vazhdueshme duhet të akuzojnë nefset e tyre dhe të mos u përshkruajnë asgjë tjetër nefseve të tyre përveç mangësisë, pafuqisë dhe varfërisë.
Shprehjet e dalldisura në këtë mënyrë burojnë nga dashuria për nefsin, vetveten, sepse syri i dashurisë nuk i shikon të metat. Meqenëse një person i tillë e do veten e tij, ai i supozon copat e këqija e të pavlefshme të qelqit se janë një brilant apo një diamant. Gabimi më i rrezikshëm në këtë lloj rruge është ky: kuptimet e pjesshme që vijnë në zemrën e atij personi në formën e inspirimit, ai i imagjinon ato të jenë ‘Fjala e Zotit’, dhe çdo “ Ilham”- inspirim – e quan ‘ajet’. Me këtë iluzion (imagjinatë), përzihet mosrespekti për “Vahjin” – shpalljen – dhe për shkallën e saj më të lartë e më të shenjtë.
Po, të gjitha inspirimet duke filluar nga inspirimi i bletëve dhe i kafshëve deri tek ato të njerëzve të zakonshëm dhe të elitës midis njerëzve, dhe nga inspirimet e engjëjve të zakonshëm dhe deri tek inspirimi i melekëve më të afërt e të veçantë, janë një lloj nga fjalët Hyjnore. Por ato janë Fjalë Hyjnore në përputhje me kapacitetin e vendeve të manifestimeve dhe të stacioneve të tyre; ato janë manifestime të ndryshme të adresimit Hyjnor që ndriçojnë nëpërmjet shtatëdhjetë mijë perdeve.
Sa për ‘vahjin’ -shpalljen, ai është emri i përveçëm i Fjalës së Zotit, dhe shembulli më i qartë i mishëruar i Fjalës së Zotit xh.sh., është ai emër i cili është i veçantë për yjet e Kur’anit; fjala ‘vahj’ dhe ‘Fjala e Zotit’ dhe fjala ‘ajet’ janë emra të përveçëm të yjeve të Kur’anit.
Atëherë, t’i quash ajete këto lloje inspirimi, është absolutisht gabim. Ashtu siç është shpjeguar e provuar në Fjalën e Dymbëdhjetë, në Fjalën e Njëzet e Pestë dhe në Fjalën e Tridhjetë e Njëtë, shkalla e krahasimit midis imazhit të vogël, të dobët e të errët të diellit i cili shfaqet në pasqyrën e ngjyrosur në duart tona me atë të diellit të vërtetë në qiell, është shkalla e krahasimit midis inspirimit që gjendet në zemrat e atyre pretendimeve dhe midis ajeteve të diellit të Kur’anit të Gjithurtë, i cili është drejtpërdrejt Fjala e Zotit xh.sh..
Po, në qoftë se do të thuhej se imazhet e diellit që shfaqen në të gjitha pasqyrat janë nga dielli dhe kanë lidhje me diellin, kjo do të ishte e drejtë, por ama globi tokësor nuk mund të lidhet me ato pasqyra të diejve të vegjël dhe nuk mund të lidhet nëpërmjet tërheqjes së tyre.
Aluzioni i Pestë: Nga rrugët e Tarikatit Sufi, njëra shumë e rëndësishme është ‘Uniteti i Ekzistencës’ e cila përmban ‘unitetin e të shikuarit’. Kjo rrugë e përkufizon shikimin tek ekzistenca e ‘Ekzistuesit të vetëm të domosdoshëm’, dhe i shikon qëniet e tjera si hije të dobëta e të zbehta përballë ‘Ekzistuesit të Vetëm të domosdoshëm.’ Prandaj njerëzit e kësaj rruge pohojnë se qëniet nuk janë të denja për t’u dhënë emrin e ekzistencës. Duke i mbuluar ato me perdet e imagjinatës, ajo rrugë i konsideron ato si asgjë në stacionin e ‘braktisjes së të gjitha gjërave përveç Zotit’, dhe madje ajo i imagjinon ato të jenë mosekzistuese, saqë ata shkojnë aq larg deri aty ku i imagjinojnë krijesat si pasqyra imagjinare për shfaqjet e Emrave Hyjnorë.
Realiteti më i rëndësishëm të cilin e përmban kjo rrugë është se: qëniet e mundshme, ‘ekzistenca e qënieve të mundshme’ zvogëlohet dhe pakësohet tek ndjekësit e saj prej evlijave të mëdhenj të cilët arritën në shkallën e ‘sigurisë absolute’ nëpërmjet fuqisë së besimit dhe nëpërmjet zbulimit të një shenjtërie të lartë; ekzistenca e qënieve të mundshme zvogëlohet aq shumë sa që në shikimin e tyre ato nuk mbeten asgjë përveç imagjinatës dhe mosekzistencës; domethënë, ata e mohojnë ekzistencën e universit përveç Ekzistuesit të Vetëm të domosdoshëm.
Por, në këtë rrugë ndodhen shumë rreziqe, e para e tyre dhe më e rëndësishmja është: shtyllat e besimit janë gjashtë. Përveç shtyllës së besimit në Zot, ndodhen shtylla të tjera, dhe këto shtylla kërkojnë ekzistencën e qënieve të mundshme. Domethënë, këto shtylla të ngulitura fort të besimit nuk mund të ndërtohen mbi imagjinatën! Për këtë arsye, kur ndjekësi i kësaj rruge rifutet në botën e kthjelltësisë së mendimit prej botëve të ekstazës dhe të dehjes, ai nuk duhet ta sjellë me vete atë rrugë dhe ai nuk duhet të veprojë në përputhje me të.
Për më tepër, ai nuk duhet ta ndryshojë këtë rrugë e cila i përket ndriçimeve dhe disa gjendjeve, në një formë që i përket arsyes, njohjes dhe fjalëve, sepse ligjet dhe parimet që i përkasin arsyes, njohjes dhe fjalëve që burojnë nga Kur’ani dhe sunneti profetik, nuk mund ta mbështesin atë rrugë; dhe ato nuk mund të zbatohen për të. Për këtë arsye, kjo rrugë nuk shihet qartë tek katër kalifët e drejtë dhe tek dijetarët kryesues, tek interpretuesit e sheriatit dhe tek autoritetet e gjeneratave të para të islamit, kjo do të thotë se kjo rrrugë nuk është më e larta. Ndoshta ajo është e mangët. Ajo është shumë e rëndësishme, por shumë e rrezikshme dhe e vështirë, por përsëri shumë e këndshme.
Ata të cilët futen në të për kënaqësi, nuk duan ta lënë atë; për shkak të vetëmburrjes së tyre, ata e pandehin atë të jetë shkalla më e lartë. Meqenëse ne i kemi shpjeguar bazat dhe natyrën e kësaj rruge deri diku në Trajtesën e quajtur ‘Nokta’, dhe në disa nga Fjalët dhe Letrat, ne do të mjaftohemi me ato, dhe këtu do të përshkruajmë një humnerë të rrezikshme të asaj rruge të rëndësishme. Ajo është si më poshtë vijon:
Kjo rrugë është e drejtë dhe vlen për më të lartit e elitës të cilët dalin nga sfera e shkaqeve dhe, në përputhje me hedhjen poshtë të çdo gjëje tjetër përveç Zotit xh.sh., ata e këpusin lidhjen e tyre me qëniet e mundshme dhe futen në një gjendje të zhytur plotësisht në Zotin xh.sh..
Por, t’ua paraqesësh atë si një njohje intelektuale atyre që janë zhytur në shkaqe, që janë dashuruar pas dynjasë dhe që janë zhytur në filozofinë materialiste dhe në natyrë, kjo do të thotë t’i mbysësh ata në natyrë dhe në materie dhe t’i largosh ata nga realiteti i Islamit.
Personi që është i dashuruar pas dynjasë dhe që është i lidhur me sferën e shkaqeve, dëshiron t’ia atribuojë një lloj qëndrueshmërie kësaj bote të përkohshme. Ai nuk dëshiron ta humbasë të dashurën e tij, dynjanë, nëpërmjet pretekstit të Unitetit të Ekzistencës, ai e imagjinon atë se ka një ekzistencë të përhershme, për llogari të dynjasë – të dashurës së tij – dhe nëpërmjet të atribuuarit asaj qëndrueshmëri dhe përjetësi, ai e ngre të dashurën e tij – dynjanë – në shkallën e qënies së saj një objekt për t’u adhuruar; dhe ruajna Zot, kjo hap rrugën për në humnerën e mohimit të Zotit.
Në këtë shekull, materializmi është aq shumë i përhapur sa që materia mendohet se është burimi i çdo gjëje. Në qoftë se në një shekull të tillë, elita e besimtarëve e konsideron materien të jetë aq e parëndësishme aq sa të jetë mosekzistencë dhe ndoshta u japin materialistëve një pretekst – argument, që edhe ata të jenë thirrësit e të njëjtës rrugë, duke u thënë përkrahësve të saj prej njerëzve të imanit: “Ne dhe ju jemi njësoj, sepse edhe ne gjithashtu themi kështu, dhe mendojmë kështu.”
Ndërkohë që, midis të gjitha rrugëve në botë, rruga më e largët nga ajo e materialistëve dhe e adhuruesve të natyrës, është rruga e ‘Unitetit të Ekzistencës’, sepse ndjekësit e unitetit të ekzistencës kanë një besim shumë të thellë deri në atë shkallë sa që ata e konsiderojnë universin dhe të gjitha qëniet si mosekzistuese, përveç realitetit të ekzistencës Hyjnore; kurse materialistët u japin aq shumë rëndësi qënieve deri në atë limit sa që për llogari të universit ata mohojnë Zotin xh.sh.. Si mund të krahasohen këta me ata?
Aluzioni i gjashtë: Kjo përbëhet nga Tre Pika:
Pika e parë: Midis të gjitha rrugëve, ndjekja e sunnetit të pastër profetik është rruga më e bukur dhe më e ndritshmja që të çon në shkallën e shenjtërisë, madje kjo rrugë është më e pasura dhe më e drejta. Të ndjekësh sunnetin, do të thotë të mendosh për sunnetin profetik në akte e veprime, t’i ndjekësh ato, t’i imitosh, t’i zbatosh në sjellje e trajtime me të tjerët; dhe të mendosh për rregullat e sheriatit dhe t’i marrësh ato si udhëzues.
Nëpërmjet ndjekjes së tyre në këtë mënyrë, sjellja e përditshme, trajtimet dhe veprimet e natyrshme marrin – me këtë ndjekje të sunnetit – formën e ibadetit; gjithashtu ndjekja e sunnetit dhe mendimi për të zbatuar sheriatin në të gjitha veprat, të sjellin ndërmend urdhëresat e sheriatit; dhe kjo e bën njeriun të mendojë për pronarin e Sheriatit. Dhe duke menduar për të, kjo të sjell ndërmend Zotin e Gjithëfuqishëm, dhe ajo të jep një ndijim të Pranisë Hyjnore. Dhe kjo i bën të gjitha lëvizjet në jetën e një njeriu si ibadet në praninë Hyjnore.
Kështu, ndjekja e sunnetit të pastër profetik është rruga më e madhe e shenjtërisë dhe kjo është rruga e sahabëve dhe e të drejtëve të gjeneratave të para të Islamit, të cilët morën trashëgiminë e profetësisë, ‘shenjtërinë më të madhe’.
Pika e Dytë: Baza më e rëndësishme e të gjitha rrugëve të shenjtërisë, dhe e degëve të tarikatit Sufi është sinqeriteti, sepse shpëtimi nga shirku i fshehtë është nëpërmjet sinqeritetit. Ai i cili nuk fiton sinqeritetin nuk mund të udhëtojë në ato rrugë. Dhe fuqia më e mprehtë e atyre rrugëve është dashuria. Po, dashuria nuk kërkon pretekste për të dashurin e saj dhe nuk dëshiron që të shikojë të metat e tij.
Madje ajo i shikon treguesit më të dobët dhe shenjat më të brishta të plotësimit të të dashurit të saj si prova të fuqishme. Ajo gjithmonë e merr anën e të dashurit të saj. Për këtë shkak, ata që janë kthyer drejt njohjes së Zotit xh.sh. me këmbët e dashurisë, nuk ua vënë veshin kundërshtimeve, i kapërcejnë shpejt pengesat e dyshimet, e shpëtojnë veten e tyre me lehtësi dhe e mbrojnë prej iluzioneve dhe hamendësi-meve.
Madje, edhe sikur të mblidheshin me mijëra shejtanë të tokës, ata nuk do të mund të shfuqizonin në shikimin e një njeriu të tillë as edhe një aluzion që tregon plotësimin e të dashurit të tij dhe të lartësisë së tij. Pa këtë dashuri, njeriu do të luftonte me dëshpërim përballë vesveseve të nefsit dhe të shejtanit dhe përballë kundërshtimeve të shejtanëve të jashtëm.
Dhe asgjë tjetër përveç qëndresës së tij heroike, fuqisë së besimit dhe shikimit të vëmendshëm, nuk do të mund ta mbronte atë.
Për shkak të kësaj, në të gjitha shkallët e shenjtërisë, dashuria që buron nga njohja e Zotit është esenca më e rëndësishme dhe elikziri i tyre. Por ama ndodhet një humnerë e madhe në dashuri e cila është kjo: ekziston frika që i dashuri të kthehet nga duaja dhe lutja me përgjërim, të cilat janë esenca e adhurimit, për tek ankesat dhe pretendimet dhe për tek veprat e zhbalancuara e të çekuilibruara.
Gjithashtu ekziston frika që dashuria tek ai të transformohet nga ‘kuptimi domethënës i gjërave’ për tek ‘kuptimi i tyre i fjalëpërfjal-shëm’, kur ai orientohet me dashuri tek diçka tjetër përveç Zotit xh.sh.; atëherë ndërsa është ilaç, ajo bëhet helm.; sepse ndonjëherë orientohet tek cilësitë e të dashurit – përveç Zotit xh.sh.- dhe tek plotësimi i tij personal dhe tek bukuria e tij esenciale, domethënë, megjithëse kur duke i dashur gjërat e tjera përveç Zotit, do të ishte e domosdoshme për një njeri që ta lidhë zemrën e tij për hir të Zotit ose në emrin e Tij dhe për shkak të qënies së tyre si pasqyra për Emrat e Tij, ndonjëherë ai mendon për objektet e dashurisë së tij për llogari të vetë atyre objekteve, për plotësimet e tyre personale dhe në emrin e bukurisë së tyre esenciale; ai i do ato për vetveten. Madje, edhe në qoftë se ai nuk mendon për Zotin xh.sh. dhe për profetin e tij, ai akoma i do ato.
Kjo dashuri nuk është një mjet për dashurinë e Zotit xh.sh., ajo është një perde për të. Ndërsa në qoftë se ai i do personat për kuptimin që ata shprehin e tregojnë, atëherë kjo është një mjet për dashurinë e Zotit xh.sh.; madje do të ishte me vend të thuhet se ajo është një shfaqje prej shfaqjeve të Tij.
Pika e Tretë: Kjo dynja është bota e shërbimit dhe bota e urtësisë; ajo nuk është bota e shpërblimit dhe e pagimit. Shpërblimi për punët dhe për aktet e shërbimit këtu jepet në botën e ndërmjetme dhe në Ahiret. Meqenëse realiteti është ky, atëherë rezultatet e veprimeve që lidhen me Ahiretin nuk duhet të kërkohen në këtë dynja. Dhe në qoftë se ato do të jepeshin, ato duhet të merren dhe të pranohen nga Dora e krijuesit me një gëzim të përzier me hidhërim dhe me një kënaqësi të përzier me keqardhje, dhe jo me gëzim e me kënaqësi të pastër.
Sepse nuk është prej urtësisë t’i këpusësh frutat e punëve – të cilat nuk sosen kurrë duke i këputur ato në Xhennet – në këtë jetë të tillë kalimtare. Kjo do të ishte si të shkëmbeje një llambë të përjetshme për një llambë e cila do të zgjaste vetëm një minutë dhe pastaj do të shuhej.
Për shkak të saj, njerëzit e shenjtërisë i konsiderojnë shërbimin, vështirësinë, fatkeqësinë dhe mundimin të jenë të këndshme, dhe ata nuk ankohen e nuk vajtojnë, por thonë: “El Hamdu lil-Lah ala kul-li hal!” – Lavdi Zotit në çdo situatë!”
Kur Zoti xh.sh. u jep atyre ndonjë keramet, ose ndonjë zbulesë, ndonjë dritë apo eksperiencë, ata i pranojnë ato si lloje të nderimit Hyjnor dhe përpiqen që t’i fshehin. Ata nuk bëhen krenarë, por japin më shumë falënderime dhe bëjnë më shumë adhurim. Shumë prej tyre kanë dashur që ato gjendje të ishin të fshehura ose të ndërpriteshin, me qëllim që të mos prishet sinqeriteti i veprave të tyre.
Po, favori më i mirë Hyjnor të cilin mund ta arrijë një person i pranuar tek All-llahu, është ai favor i cili i jepet atij në një mënyrë që ai person të mos jetë i vetëdijshëm për të, me qëllim që ai të mos kalojë nga gjendja e lutjes me përgjërim dhe e dhënies së falënderimeve, në një gjendje ankese dhe krenarie.
Për shkak të kësaj të vërtete, në qoftë se ata që kërkojnë shenjtërinë dhe tarikatin Sufi do ta bënin këtë për hir të disa ndriçimeve dhe kerameteve, të cilat janë disa frute anësore të shenjtërisë, do të ktheheshin drejt atyre dhe do të merrnin kënaqësi prej tyre, ata sikur po i konsumojnë në mënyrë kalimtare në këtë dynja të përkohshme frutat e përjetshëm të Ahiretit.
Dhe me këtë ata hapin rrugën për të humbur sinqeritetin në punët e tyre me të cilin ata e arrijnë frutin e shenjtërisë, ashtu siç shtrojnë gjithashtu rrugën për të humbur edhe vetë shenjtërinë.
Aluzioni i Shtatë: Kjo përbëhet nga Katër Pika.
Pika e Parë: Sheriati është një rezultat i adresimit Hyjnor që ka ardhur drejtpërdrejtë – pa hije apo pa perde – nëpërmjet misterit të Njësisë Hyjnore në lidhje me Hyjninë absolute. Prandaj shkallët më të larta të tarikatit Sufi dhe të realitetit janë si pjesët e sheriatit. Ose ato janë gjithmonë si shërbyes të sheriatit, si mjeti për tek ai dhe si parathënie e tij.
Ndërsa rezultatet e atyre të dyjave janë çështjet dhe urdhëresat e pakundërshtueshme të sheriatit. Domethënë, rrugët e tarikatit Sufi dhe ato të realitetit janë si mjete, si shërbyes, dhe si hapa për arritjen e të vërtetave të sheriatit deri tek niveli më i lartë ku ato të transformohen në kuptimin dhe në esencën e tarikatit Sufi, të cilat janë në zemrën e sheriatit. Kështu, atëherë ato bëhen pjesët e sheriatit më të madh. Prandaj nuk është e drejtë që ta mendosh sheriatin si një guaskë e jashtme, dhe realitetin si pjesën e tij të brendshme dhe rezultatin e qëllimin, ashtu siç e përfytyrojnë disa sufi.
Po, rregullat dhe vendimet e sheriatit zbulohen dhe ndryshojnë sipas niveleve të njerëzve dhe sipas shkallës së tyre të të kuptuarit; dhe ajo çfarë u shfaqet dhe u zbulohet njerëzve të zakonshëm është ndryshe nga ajo që i zbulohet elitës..
Do të ishte gabim të supozosh atë çfarë u shfaqet prej sheriatit njerëzve të zakonshëm të jetë realiteti i sheriatit dhe, t’u japësh emrin e ‘Hakikatit’ dhe të ‘tarikatit Sufi’ shkallëve të sheriatit që u zbulohen elitës. Sheriati ka shkallë të cilat shikojnë tek të gjitha klasat e njerëzimit.
Dhe duke u mbështetur mbi këtë mister, sa më shumë të përparojnë dhe të ngjiten ndjekësit e tarikatit dhe njerëzit e hakikatit në rrugët e tyre, aq më shumë u shtohet mallëngjimi për të vërtetat e sheriatit dhe robërimi e magjepsia pas tyre, duke i ndjekur ato. Duke e konsideruar edhe aspektin më të vogël të sunnetit të pastër profetik të jetë qëllimi i tyre më i madh, ata punojnë për t’i ndjekur ato dhe për t’i imituar, sepse ashtu si pikërisht në atë shkallë që vahji – shpallja – është më e lartë se sa ilhami – inspirimi, po ashtu edhe etika e sheriatit, e cila është fruti i shpalljes, është më e lartë dhe më e rëndësishme se sa etika e tarikatit Sufi, që është fruti i inspirimit. Prandaj ndjekja e sunnetit të Profetit është baza më e rëndësishme e tarikatit Sufi.
Pika e dytë: Tarikati Sufi dhe rruga e Hakikatit nuk duhet të transformohen nga qënia e tyre si dy mjete, për në dy qëllime në vetvete – duke preokupuar e duke pushtuar zemrën e ndjekësit, dhe mendimin dhe ndërgjegjen e tij. Në qoftë se ato të dyja – tarikati dhe hakikati- do të bëheshin të synuarat në vetvete, atëherë mësimet dhe aktet e sheriatit dhe etika e sunnetit do të përkufizoheshin derisa do të bëheshin të shkallës së dytë për nga interesimi dhe rëndësia tek ndjekësi i atyre rrugëve; do të bëheshin sikur formalisht.
Domethënë, ai do të mendonte më shumë për rrethin e dhikrit se sa për namazet e detyruara; ai tërhiqet më shumë pas virdeve të tij se sa pas farzeve; ai është më i shqetësuar dhe i interesuar që t’u shmanget shkeljeve ndaj rregullave të sjelljeve të tarikatit Sufi se sa shmangies prej gjynaheve të mëdha.. Gjendja është se virdet e tarikatit Sufi nuk mund të jenë të barasvlershme me aktet e obliguara – farzet – të cilat janë çështje të pakundërshtueshme të sheriatit; ato nuk mund ta marrin vendin e tyre. Rregullat e sjelljes së tarikatit Sufi dhe virdet e Sufizmit duhet të jenë një ngushëllim dhe mjet për kënaqësinë e vërtetë brenda kryerjes së atyre farzeve dhe sunneteve, dhe jo të jenë vetë burimi.
Domethënë, teqeja e tij duhet të jetë mjeti për kënaqësinë dhe për kryerjen korrekte të pesë namazeve të detyruara në xhami; ai që i kryen me nxitim namazet në xhami si një formalitet, dhe mendon se ai do të gjejë kënaqësinë e vërtetë dhe plotësimin në teqe, ai sigurisht po i largohet realitetit.
Pika e Tretë. Pyetje: A mund të gjendet ndonjë tarikat Sufi jashtë sunnetit të pastër profetik dhe jashtë urdhëresave të Sheriatit?
Përgjigjja: ndodhen dhe nuk ndodhen!
Po, ndodhen, sepse një numër prej evlijave të plotë u ekzekutuan me shpatën e sheriatit. Dhe jo, nuk ndodhen, sepse dijetarët e vërtetë kryesues midis evlijave kanë pajtueshmëri mendimi mbi këtë rregull të cilin e ka përmendur Sadi Shirazi:
“Është e pamundur, Sadi, të jesh fitimtar në rrugën e lumturisë përveç se duke ndjekur rrugën që ndoqi profeti i zgjedhur a.s.m..” Domethënë, është e pamundur për dikë jashtë rrugës së Profetit fisnik, nëse nuk e ndjek atë, që të fitojë dritat e vërteta të realitetit. Kuptimi i vërtetë i kësaj çështje është kjo:
Meqenëse profeti Muhammed a.s.m. ishte vula e pejgamberëve dhe ishte marrësi i adresimit Hyjnor në emrin e të gjithë njerëzimit, njerëzimi nuk mund të përparojë jashtë rrugës së tij; është e domosdoshme dhe esenciale që të jesh nën flamurin e tij. Por meqenëse të dalldisurit dhe ata që janë zhytur në mendim deri në ekstazë nuk janë përgjegjës për kundërshtimet e tyre; dhe meqenëse në njeriun ndodhen disa aftësi të holla të cilat nuk mund të lidhen nga obligimi, nuk i nënshtrohen dëshirës së njeriut, dhe kur aftësi të tilla dominojnë, njeriu nuk mund të mbajë përgjegjësi për kundërshtimin ndaj obligimeve të sheriatit; dhe meqenëse në njeriun ndodhen disa aftësi të holla të cilat ashtu siç nuk mund të lidhen nga obligimi, ato gjithashtu nuk janë nën juridiksionin e dëshirës, dhe gjithashtu nuk mund të drejtohen nga mendja – ato nuk e dëgjojnë dhe nuk i kushtojnë vëmendje zemrës dhe mendjes; sigurisht kur ato aftësi sundojnë në një person – por vetëm në atë herë – ai nuk bie nga pozita e shenjtërisë duke kundërshtuar sheriatin; ai konsiderohet i justifikuar.
Por me kusht që ai të mos shfaqë mohim, fyerje apo përbuzje ndaj të vërtetave të sheriatit dhe ndaj rregullave të besimit; dhe ai duhet t’i besojë të vërtetat e sheriatit edhe në qoftë se nuk i përmbush të vërtetat e tij ashtu siç duhet.
Por në qoftë se ai mposhtet nga ajo gjendje dhe merr një pozitë, ruajna Zot!, e cila nënkupton mohim dhe përgënjeshtrim ndaj atyre të vërtetave të pakundërshtueshme, kjo është shenja që ai ka rënë në shkatërrim.
Shkurtazi: Ndodhen dy grupe të atyre që ndjekin tarikatin Sufi jashtë limiteve të sheriatit.
Njëri grup: Ashtu siç u përshkrua më lartë, këta ose janë mposhtur nga gjendja e tyre, ose nga mbytja e tyre, nga dalldia e tyre, ose nga dehja, ose ata sundohen nga disa aftësi të holla të tyre të cilat nuk mund të merren nën obligim, dhe as nuk e dëgjojnë, dhe kështu shkelin limitet e sheriatit.
Por kjo dalje kundër e tyre nuk buron nga moskënaqësia e tyre për sheriatin, apo nga refuzimi i rregullave të sheriatit, përkundrazi ata i lënë ato rregulla të detyruara dhe në mënyrë të pavullnetshme, pa dëshirën e tyre. Ka evlija midis këtij grupi. Dhe evlija të mëdhenj kanë kaluar një periudhë kohe midis tyre të ngatërruar në këtë gjendje. Disa dijetarë midis evlijave, madje, kanë pohuar se disa nga këta nuk kanë qenë vetëm jashtë limiteve të sheriatit, por edhe jashtë limiteve të islamit, veçse me kusht, që ata të mos i përgënjeshtrojnë të gjitha urdhëresat që ka sjellë Muhammedi a.s.m., ndonëse ata nuk i përmbushin të drejtat e tyre, ose për shkak se nuk mendojnë për to, ose për pamundësinë e tyre për t’u orientuar drejt tyre, ose nga pamundësia e tyre për t’i njohur ato, ose për moskuptimin e tyre. Por ama në qoftë se ndonjëri prej tyre do t’i njihte ato dhe pastaj do t’i refuzonte, ai sigurisht ka rënë në shkatërrim.
Sa për Grupin e Dytë, këta janë rrëmbyer nga kënaqësitë e ndritshme të tarikatit Sufi dhe të rrugës së hakikatit, dhe meqenëse ata nuk mund t’i arrijnë kënaqësitë e të vërtetave të sheriatit, të cilat janë shumë më të larta, ata i supozojnë ato të jenë formalitete të mërzitshme e monotone dhe janë indiferentë ndaj tyre. Ata gradualisht pranojnë idenë se sheriati është një guaskë e jashtme dhe se realiteti që ata kanë gjetur është baza dhe qëllimi esencial. Ata thonë, “Unë e kam gjetur atë; ajo është e mjaftueshme për mua”, dhe veprojnë në një mënyrë në kundërshtim me urdhëresat e sheriatit. Ata nga ai grup të cilët janë me mend dhe që nuk e kanë humbur vetëdijen e tyre janë përgjegjës për veprimet e tyre; ata humbasin rrugën e shkatërrohen, madje ata bëhen objekt talljeje dhe lodrat e shejtanit.
Pika e Katërt: Disa individë nga sektet e njerëzve të çudhëzimit dhe të bidatit gjenden të pranueshëm nga komuniteti musliman, ndërsa të tjerët si ata pa ndonjë ndryshim të jashtëm, janë të papranueshëm nga komuniteti musliman. Unë gjithmonë jam habitur për këtë çështje. Për shembull, megjithëse dikush si Zamahsheri ishte njëri nga anëtarët më fanatikë të sektit Mu’tezilitë, dijetarët e Ehli Sunnetit nuk e shpallën atë të jetë jobesimtar apo i çudhëzuar përballë kundërshtimeve të tij të rënda kundra tyre; përkundrazi, ata kërkuan ndonjë justifikim apo rrugë për ta shpëtuar atë, kurse Ebu Ali Xhubbain i cili gjithashtu ishte prej imamëve të mu’tezilitëve, dijetarët e Ehli Sunnetit e dëbuan dhe i konsideruan mendimet e tij të refuzuara megjithëse ai ishte shumë më pak fanatik se sa Zamahsheriu.
Unë isha kureshtar rreth kësaj për një kohë të gjatë. Pastaj nëpërmjet favorit Hyjnor, unë kuptova se kundërshtimet e Zamahshe-riut kundra Ehli Sunnetit buronin nga dashuria për të vërtetën e rrugës së tij, të cilën ai e konsideronte se ishte e drejtë. Domethënë, për shembull arsyeja për deklarimin se Zoti xh.sh. është krejtësisht i shenjtëruar dhe pa asnjë të metë apo mangësi është sepse në pikëpamjen e tij – gjallesat i krijojnë vetë veprat e tyre. Prandaj për shkak të dashurisë së tij që buroi nga të shpallurit e Zotit xh.sh. se është krejtësisht larg çdo mangësie, ai nuk i pranoi parimet e Ehli Sunnetit që kanë të bëjnë me krijimin e veprimeve. Ndërsa, ndryshe nga dashuria për të vërtetën, dijetarët e tjerë të mu’tezilitëve u refuzuan, sepse për shkak të mangësive në mendjet e tyre, ata nuk i synuan parimet e larta të Ehli es-Sunneh, dhe ata nuk mundën t’i ngërthenin e t’i vendosnin ligjet e shtrira të Ehli Sunnetit brenda ideve të tyre të ngushta, dhe prandaj i mohuan ato. Prandaj fjalët e tyre janë të refuzuara dhe ata janë të dëbuar.
Dhe ashtu si mu’tezilitët që kundërshtojnë Ehli Sunnetin në teologji, edhe kundërshtimi i disave prej atyre që ndjekin tarikatin Sufi jashtë sunnetit profetik, janë gjithashtu dy llojesh:
I Pari: Ashtu si Zamahsheriu nga dashuria e dalldia për rrugën e tyre ose për gjendjen, ata mbetën disi indiferentë ndaj etikës së Sheriatit, për shkak se ata nuk mundën akoma t’i arrinin shkallët e kënaqësisë së saj.
Sa për Grupin e Dytë: Ruajna Zot! Ata e shikojnë etikën e sheriatit relativisht si të parëndësishme në krahasim me parimet e tarikatit Sufi, sepse kuptimi i tyre i ngushtë nuk mund t’i kapë ato kënaqësi të gjëra; dhe stacionet e shkurtëra të ndjekësve të këtill lloji tarikati nuk mund t’i arrijnë ato etika të larta.
Aluzioni i Tetë: Kjo përshkruan Tetë Humnera.
E Para: Disa nga ata që nisin udhëtimin shpirtëror, nuk i përshtaten plotësisht sunnetit të Profetit a.s.m. dhe bien në humnerën e të preferuarit të shenjtërisë mbi profetësinë. Është provuar në Fjalën e Njëzet e Katërt dhe në Fjalën e Tridhjetë e Një se sa e lartë është profetësia mbi shenjtërinë dhe sa e zbehtë dhe e dobët është drita e kësaj të fundit para dritës vezulluese të profetësisë.
E Dyta: Disa nga ata që ndjekin tarikatin Sufi bien në humnerën e të preferuarit të disa evlijave të pamoderuar mbi sahabët e Profetit a.s.m.. Është provuar në mënyrën më vendimtare në Fjalën e Dymbëdhjetë dhe në Fjalën e njëzet e Shtatë dhe tek shtojca rreth sahabëve, se sahabët fituan cilësi të tilla nëpërmjet bashkëbisedimit me profetin Muhammed a.s.m., sa që ato nuk mund të arrihen nëpërmjet shenjtërisë, se sahabët nuk mund të mbërrihen e parakalohen, dhe se evlijatë nuk mund ta arrijnë kurrë shkallën e sahabëve.
E treta: Disa nga ata që janë tej mase fanatikë lidhur me tarikatin Sufi, e kundërshtojnë sunnetin profetik dhe heqin dorë prej tij për shkak të preferencës së tyre për rregullat e tyre, për dhikrin dhe për virdet e tarikatit Sufi, të cilat ata nuk i braktisnin. Në këtë mënyrë, ata bëhen të ngadalësuar e të ftohur ndaj zbatimit të sunnetit profetik dhe ndaj rregullave të sheriatit, dhe kështu ata bien në humnerë.
Ashtu siç është provuar në shumë nga Fjalët, dhe ashtu siç kanë thënë dijetarët më autoritarë të sufizmit si Imam Gazali dhe Imam Rabbani:
“Ndjekja e një sunneti të vetën prej sunneteve të profetit Muhammed a.s.m. është më e pranueshme tek Zoti xh.sh. se sa njëqind sjellje dhe nafile të veçanta, sepse ashtu siç është një farz i vetëm më i rëndë në peshore se sa një mijë sunnete, po ashtu një sunnet i vetëm nga sunnetet e profetit Muhammed a.s.m., peshon më shumë se sa njëmijë nga rregullat e sufizmit.”
E katërta: Disa sufi ekstremistë e supozojnë inspirimin (ilhamin) të jetë si shpallja (vahji), dhe e konsiderojnë ilhamin si një lloj prej llojeve të vahjit, dhe bien në humnerë. Është provuar në mënyrën më vendimtare në fjalën e Dymbëdhjetë dhe në Fjalën e Njëzet e Pestë rreth mrekullisë së Kur’anit se sa e lartë, universale dhe e shenjtë është shpallja, vahji dhe, sa të papërfillshme e të zbehta janë inspirimet në krahasim me të.
E Pesta: Disa sufi të cilët nuk e kuptojnë esencën e tarikatit Sufi, qënien e tij mjet dhe jo synim në vetvete – mund të robërohen, magjepsen dhe të orientohen drejt kerameteve, eksperiencave dhe dritave, tek këto të cilat dhurohen dhe nuk kërkohen, pasi ato i jep All-llahu xh.sh. për të forcuar të dobëtit, për të nxitur dembelët të cilëve u ka rënë zelli, dhe për të lehtësuar mundimin dhe mërzitjen që burojnë nga shërbimi dhe përpjekja në ibadet, këta i preferojnë ato keramete dhe eksperienca e drita mbi farzet e fesë dhe mbi aktet e shërbimit, dhe bien në këtë humnerë.
Është përmendur shkurtazi në Pikën e Tretë të Aluzionit të Gjashtë të kësaj trajtese dhe, është provuar në mënyrë vendimtare edhe në Fjalët e tjera se kjo dynja është bota e shërbimit, dhe jo bota e shpërblimit. Ata të cilët kërkojnë që t’i këpusin frutet e punëve të tyre në këtë dynja kalimtare, ata sigurisht po shkëmbejnë shpërblimin e kësaj dynjaje të përkohshme me frutat e përjetshëm të Ahiretit të amshuar, përveç kësaj kjo tregon qëndrueshmëritë e lidhjes me dynjanë dhe dëshirën për t’u kënaqur me të dhe, kjo bëhet shkak për t’u dobësuar mallëngjimi i tyre për jetën e botës së ndërmjetme; madje ata e duan jetën e kësaj dynjaje, pasi ata gjejnë në të një lloj nga frutet e Ahiretit.
E Gjashta: Kjo është një humnerë në të cilën bien disa nga ndjekësit e tarikateve Sufi jo prej njerëzve të Hakikatit kur tek ata bëhet e ngatërruar çështja; ata i imagjinojnë hijet dhe shembujt e pjesshëm të stacioneve të shenjtërisë sikur ato të ishin stacioni real, universal dhe themelor…
Ashtu siç është provuar qartë në degën e dytë të Fjalës së Njëzet e Katërt dhe në Fjalët e tjera, se dielli sado që imazhi i tij të shumohet me shumimin e pasqyrave tek të cilat ai reflektohet, këto imazhe posedojnë dritën e diellit dhe nxehtësinë e tij, veçse ama ajo nuk është pikërisht drita e tij reale dhe themelore, as pikërisht nxehtësia e tij, ato janë drita të dobëta në krahasim me diellin e vërtetë.
Në të njëjtën mënyrë, stacioni i profetësisë dhe stacioni i evlijave të mëdhenj kanë diçka nga hijet nëpërmjet të cilave njerëzit e tarikatit mund të hijesohen me to, por gjatë hyrjes së tyre në to ata e supozojnë veten të jenë më të mëdhenj se sa ata evlija të mëdhenj dhe se sa profetët – ruajna Zot! – dhe kështu bien në humnerë. Atëherë me qëllim që t’i shpëtojnë vetet e tyre nga rënia në të gjitha këto humnera që u përmendën më lartë, atyre u duhet që t’i marrin gjithmonë parimet e besimit dhe themelet e sheriatit si bazat dhe si udhëzuesit e tyre, dhe t’i kundërshtojnë ndriçimet e tyre dhe eksperiencat kur këto bien në kontradiktë me ato parime themelore.
E Shtata: Kjo është humnera në të cilën bien disa nga njerëzit e ndriçimeve dhe të eksperiencave midis njerëzve të tarikatit Sufi gjatë udhëtimeve të tyre shpirtërore kur ata preferojnë krenarinë, pretendimet, përhapjen e shprehjeve të dalldisura, kërkimin e vlerësimit publik dhe arritjen dhe burimet fetare, duke i preferuar këto mbi dhënien e falënderimeve, mbi lutjen me përgjërim, mbi bërjen e lavdërimeve dhe mbi vetëmjaftueshmërinë, duke mos ua zgjatur dorën njerëzve . Ndërsa adhurimi i Muhammedit a.s.m. është shkalla më e lartë në adhurim, ai adhurim të cilin ne mund ta përshkruajmë me termat “mahbubijjeh” (dashuri) ose adhurimi i dashurisë.
Themeli i adhurimit dhe, misteri dhe esenca e tij është përgjërimi, lavdërimi, duaja, nënshtrimi i plotë para Krijuesit, dobësia, varfëria dhe vetëmjaftueshmëria duke mos ua zgjatur dorën njerëzve, dhe vetëm kështu mund të arrihet tek plotësimi i atij realiteti, realiteti i adhurimit.
Po, disa nga evlijatë e mëdhenj u detyruan – pa zgjedhjen e tyre për shkak se u mposhtën nga gjendja e tyre dhe, në mënyrë të pavullnetshme dhe përkohësisht ata u bënë krenarë, ankues, pretendues dhe me shprehje të dalldisura, prandaj ata nuk mund të ndiqen në mënyrë të vullnetshme, në këtë gjendjen e tyre; ata janë të udhëzuar drejt, por ata këtu dhe pikërisht në këtë pikë nuk janë model i mirë në udhëzim, prandaj nuk mund të shkohet pas tyre, as t’i marrësh si model ata.
Humnera e Tetë: Disa nga ata që udhëtojnë shpirtërisht të cilët janë egoistë dhe të nxituar dëshirojnë që t’i konsumojnë në këtë dynja frutet e shenjtërisë, të cilat do të merren në Ahiret, dhe bien në humnerë nëpërmjet këtij udhëtimi shpirtëror duke pasur këtë dëshirë. Por ashtu siç njoftojnë shumë ajete kur’anore, si ky vërset,
“Jeta e kësaj bote është vetëm një kënaqësi mashtruese,”[51] dhe ashtu siç është provuar në shumë nga Fjalët, një frut i vetëm në botën e përjetësisë është një mijë herë më i lartë se sa njëmijë kopshte në këtë botë kalimtare. Për këtë arsye, ato frute të bekuar nuk duhet të konsumohen këtu. Në qoftë se ato jepen këtu për t’i ngrënë pa u kërkuar, duhet të shfaqet falënderimi dhe lavdërimi në pranimin e tyre – jo për atë se ato janë një shpërblim – por për atë se ato janë dhurata e mirësi nga All-llahu të cilat janë dhënë për nxitje e inkurajim.
Aluzioni i Nëntë: Ne këtu do të përshkruajmë shkurt Nëntë fruta nga frutat e shumta dhe dobitë e tarikatit Sufi:
I Pari: Është shfaqja e të vërtetave të imanit, zbulimi dhe qartësimi i tyre deri në shkallën e “SHIKIMIT TË SIGURISË”.
i Dyti: Nëpërmjet tarikatit Sufi duke qenë një mjet për të vënë në punë zemrën e sustën -forcën lëvizëse – të makinerisë njerëzore, dhe duke i shkaktuar zemrës që t’i shtyjë në lëvizje aftësitë e tjera të holla, kjo bëhet që t’i nxisë ato për të përmbushur qëllimet e krijimit të tyre, dhe kështu duke e bërë njeriun një qënie të vërtetë humane.
I Treti: Në udhëtimin për në botën e ndërmjetme dhe për në Ahiret, është t’i bashkohesh njërit prej zinxhirëve të tarikateve Sufi, të jesh një shoqërues në një karvan të tillë në rrugën e përjetësisë, dhe të shpëtosh nga dëshpërimi i vetmisë, dhe të gjesh familiaritet me to në këtë botë dhe në botën e ndërmjetme; dhe duke u mbështetur në konsensusin e tyre dhe në pajtueshmërinë përballë sulmeve të dyshim-eve dhe frikësimeve, dhe duke e shikuar secilin nga mësuesit e tyre si një mbështetje të fuqishme dhe si një provë; është t’i zmbrapsësh e t’i largosh nëpërmjet atyre ato dyshime dhe ato shembuj çudhëzimi.
I Katërti: është të kuptosh nëpërmjet rrugës së pastër të sufizmit njohjen e Zotit xh.sh. që gjendet në besimin tek Ai dhe kënaqësinë e dashurisë së All-llahut brenda njohjes së All-llahut, dhe duke kuptuar kështu të shpëtojë nga vetmia absolute e kësaj bote dhe nga syrgjynosja absolute e njeriut në univers. Ne e kemi provuar në shumë nga Fjalët se lumturia e të dyja botëve, dhe kënaqësia pa dhimbje, dhe familiariteti pa vetmi dhe kënaqësia e vërtetë dhe lumturia e paturbulluar, që të gjitha gjenden në realitetin e besimit dhe të Islamit. Ashtu siç është shpjeguar në Fjalën e Dytë, besimi mban bërthamën e pemës Tuba të Parajsës. Po, nëpërmjet stërvitjes dhe mirërritjes që gjendet tek tarikati Sufi rritet e zhvillohet ajo bërthamë.
I Pesti: është të kuptosh nëpërmjet një zgjimi të zemrës që shkaktohet nga tarikati Sufi dhe nga përmendja e Zotit xh.sh., të vërtetat e holla që përfshihen në obligimet e sheriatit, dhe t’i vlerësosh ato. Atëherë njeriu i bindet dhe e kryen adhurimin, jo me detyrim, por me dëshirë.
I Gjashti: është të ngjitesh tek stacioni i mbështetjes tek Zoti xh.sh. dhe tek rangu i nënshtrimit ndaj Tij, dhe të fitosh kënaqësinë e Tij, të cilat janë mjete për lumturinë e vërtetë, për ngushëllimin real, për kënaqësinë pa dhimbje dhe për miqësinë e ngushtë pa vetmi.
I Shtati: është, nëpërmjet sinqeritetit, kushti më i rëndësishëm për të udhëtuar në tarikatin Sufi dhe rezultati i tij më i rëndësishëm, për të shpëtuar nga cilësitë e ulëta të tilla, si shirku i fshehur, hipokrizia, artificializmi. Dhe të jesh i shpëtuar nëpërmjet pastrimit të nefsit, i cili është si një operacion kirurgjikal i tarikatit Sufi, nga rreziqet e nefsit urdhërues për të liga dhe nga rreziqet e egoizmit.
I Teti: Nëpërmjet shikimit dhe ndijimit të pranisë Hyjnore dhe qëllimeve të pastërta të cilat fitohen nëpërmjet përmendjes së All-llahut me zemër dhe me mendimin reflektiv të mendjes në tarikatin Sufi, është t’i transformosh veprimet e zakonshme në ibadet, dhe punët e dynjasë në vepra për Ahiretin. Dhe nëpërmjet përdorimit të kapitalit të jetës është t’i bësh të gjitha minutat e saj në bërthama të cilat do të prodhojnë filizat e lumturisë së përjetshme.
I Nënti: është të punosh për të qenë një qënie e plotë humane nëpërmjet udhëtimit me zemër dhe duke u orvatur me shpirt dhe me përparim shpirtëror; domethënë, të jesh një besimtar i vërtetë dhe një musliman i plotë; me fjalë të tjera, të fitosh, jo një besim sipërfaqësor, por realitetin e besimit dhe realitetin e Islamit; domethënë, të jesh drejtpërdrejt robi i Krijuesit të Gjithëlavdishëm të universit, dhe në një aspekt si përfaqësues i universit, të jesh marrësi i adresimit të Tij dhe miku i Tij, i dashuri i Tij, dhe të jesh një pasqyrë për manifestimet e Tij xh.sh., dhe duke e shfaqur njeriun se është në modelin më të bukur, është të provosh epërsinë e njeriut mbi engjëjt. Është të fluturosh nëpër stacione të larta me krahët e besimit dhe duke vepruar sipas sheriatit dhe ta shikosh lumturinë e përjetshme nga kjo dynja, dhe madje të hysh në atë lumturi.
“Lavdia të takon Ty! Ne nuk dimë asgjë më tepër nga ç’na ke mësuar Ti. Vërtet që vetëm Ti je i Gjithëdituri, i Gjithurti.”[52]
O Zot! Jepi bekime e paqe ndihmës më të madhe të të gjithë shekujve dhe polit më të lartë shpirtëror të të gjitha kohëve, shkëlqesisë sonë Muhammedit a.s.m. madhështia e të cilit dhe stacioni i qënies së tij i dashuri i Zotit u manifestuan në Mi’raxhin e tij dhe, që nën hijen e Mi’raxhit të të cilit përfshihen të gjitha shenjtëritë, dhe për familjen e tij dhe për sahabët. Amin. Dhe të gjitha lavdërimet janë për Zotin e të gjithë botëve.
* * *
S H T O J C Ë
Me Emrin e All-llahut, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti.
[Kjo shtojcë e shkurtër ka rëndësi të madhe; ajo është e dobishme për gjithkënd. ]
Rrugët që të çojnë tek Zoti i Gjithëfuqishëm janë vërtetë të shumta. Ndërsa të gjitha rrugët e vërteta merren nga Kur’ani, disa janë më të shkurtëra, më të sigurta dhe më të përgjithshme se sa të tjerat. Nga këto rrugë që merren nga Kur’ani, është ajo e “pafuqisë, e varfërisë, e mëshirës dhe e reflektimit (mendimit)”, prej të cilave unë kam përfituar, pavarësisht nga mangësia e të kuptuarit tim.
Në të vërtetë, ashtu si dashuria, edhe pafuqia gjithashtu është një rrugë që të çon tek Zoti xh.sh., madje është më e sigurtë, pasi të çon tek dashuria e All-llahut nëpërmjet rrugës së adhurimit. Gjithashtu varfëria të çon tek Emri i Bukur Hyjnor Er-Rahman “I Gjithëmëshirshmi”. Dhe, ashtu si dashuria, edhe dhembshuria gjithashtu të çon tek Emri Er-Rahim “Mëshirëploti”, por ajo është një rrugë më e mprehtë e më e gjërë. Ashtu si dashuria, edhe mendimi të çon tek Emri Hyjnor El-Hakimu “I Gjithurti”, por është rruga më e pasur, më e gjërë dhe më e ndritur.
Kjo rrugë nuk përbëhet as nga dhjetë hapa si “Dhjetë aftësitë e holla” të disa tarikateve që përdorin të përmendurit e All-llahut në heshtje, as nga shtatë hapa si –Shtatë shpirtërat– e atyre që e praktikojnë dhikrin haptas, por kjo rrugë përbëhet nga “Katër hapa”. Ajo është një hakikat -realitet- më shumë se sa një tarikat. Ajo është Sheriati. Megjithatë, nuk duhet të keqkuptohet. Kjo do të thotë që njeriu të shfaqë pafuqinë e tij, varfërinë dhe gabimet përpara Zotit të Gjithëfuqishëm dhe jo t’i shfaqë përpara njerëzve. Metoda e kësaj rruge të shkurtër është ndjekja e sunnetit të Profetit a.s.m., është kryerja e Farzeve -detyrimeve- fetare dhe heqja dorë nga gjynahet e mëdha. Ajo, në mënyrë të veçantë, është kryerja e faljeve të urdhëruara me korrektësi e me vëmendje dhe duke bërë pas namazeve recitimin e tesbihateve.
Vërseti, “Prandaj, mos e shfajësoni nefsin tuaj,” [53] tregon Hapin e parë.
Vërseti,
“Dhe mos jini si ata që harruan All-llahun, dhe Ai atëherë i bëri ata të harrojnë vetveten (nefsin) e tyre”[54], tregon Hapin e dytë.
Vërseti,
“Çfarëdo e mirë që të vjen, ajo është prej All-llahut, kurse çfarëdo e keqe që të bie ty, ajo është nga nefsi yt”[55], tregon Hapin e tretë.
Dhe vërseti, “Çdo gjë do të shuhet e shkatërrohet përveç Fytyrës së Tij.”[56], tregon Hapin e katërt.
Një shpjegim i përmbledhur i këtyre katër hapave është siç vijon:
Në hapin e parë: Ashtu siç tregon vërseti, “Atëherë, mos e shfajësoni nefsin tuaj, kjo lë të kuptohet mospastrimin e nefsit”, sepse për shkak të natyrës së tij dhe prirjes së tij të bashkëlindur, njeriu e do vetveten. Në të vërtetë, ai e do vetveten para çdo gjëje tjetër dhe vetëm vetveten. Ai sakrifikon gjithçka për hir të vetes së tij. Ai e lavdëron vetveten në një mënyrë e cila i përshtatet veçse të Adhuruarit të Vetëm. Ai e nxjerr të larë dhe e shfajëson vetveten nga të metat në të njëjtën mënyrë që i përshtatet të Adhuruarit të Vetëm. Madje ai nuk pranon mangësi e gabime për nefsin e tij. Ai e mbron nefsin e tij me aq pasion sikur ta adhuronte atë. Ai duke i përdorur për nefsin e tij gjymtyrët dhe aftësitë që iu dhanë si pjesë e natyrës së tij me qëllim që të bëjë lavdërime e tesbihate, ai shfaq kuptimin e vërsetit, “Ai që ka zgjedhur si zot të tij dëshirën e vet.”[57]
Ai vlerëson vetveten, mbështetet tek vetvetja dhe i pëlqen vetvetja. Prandaj pastrimi i tij dhe dëlirësimi në këtë fazë, në këtë hap, është mospastrimi i nefsit; është mosshfajësimi i tij.
Në hapin e dytë: Ashtu siç jep mësim vërseti,
“Dhe mos jini si ata që harruan All-llahun dhe Ai atëherë i bëri ata të harrojnë veten (nefsin) e tyre”, njeriu e harron vetveten dhe është i pavëmendshëm ndaj saj.. Në qoftë se ai mendon për vdekjen, e largon prej vetes për tek të tjerët. Në qoftë se shikon përkohshmërinë dhe zhdukjen , ai i shtynë ato për tek të tjerët, sikur ai të mos lidhej fare me to. Dhe nefsi urdhërues për të liga kur vjen tek shërbimi, tek puna dhe tek detyrimi ndaj të tjerëve kërkon ta harrojë vetveten, por kur vjen tek marrja e shpërblimit të tij, tek përfitimet dhe kënaqësitë, ai mendon për vetveten, dhe e merr pjesën e tij me pasion.
Pastrimi i tij, dëlirësimi dhe edukimi në këtë hap është e kundërta e kësaj gjendjeje. Domethënë, mos’harresa brenda vetë harresës. Domethënë të harruarit e vetvetes kur ajo vjen te kënaqësia, tek pretendimi e tek lakmia, dhe të menduarit për vetveten kur ajo vjen tek vdekja dhe shërbimi ndaj të tjerëve…
Në hapin e tretë: Ashtu siç udhëzon vërseti,
“Çfarëdo e mirë që të vjen, ajo është prej All-llahut, kurse çfarëdo e keqe që të bie ty, ajo është nga vetja jote”, natyra e nefsit urdhërues për të liga kërkon që ai gjithmonë t’ia atribuojë mirësinë vetvetes, gjë që e çon në mburrje e në pëlqimin e vetes. Kështu, në këtë hap njeriu duhet të shohë vetëm gabimet, mangësitë, pafuqinë dhe varfërinë në vetveten dhe të kuptojë se të gjitha cilësitë e tij të mira dhe plotësimet janë mirësi që i janë dhuruar nga Krijuesi i Gjithëlavdishëm. Atëherë ai jep falënderime në vend të krenarisë dhe lavdëron Zotin në vend të mburrjes.
Sipas misterit të vërsetit, “Vërtetë që do të ngadhënjejë, ai i cili e pastron vetveten (nefsin)”[58], pastrimi i tij në këtë hap është: të njohësh se plotësimi i nefsit qëndron në mosplotësim; fuqia e tij qëndron në pafuqi (para Zotit), dhe pasuria e tij qëndron në varfëri.
Në hapin e katërt: Ashtu siç jep mësim vërseti,
“Çdo gjë do të shuhet e shkatërrohet përveç Fytyrës së Tij”, nefsi urdhërues për të liga e konsideron vetveten të lirë e të pavarur dhe se ekziston nga vetvetja. Për shkak të kësaj, njeriu pretendon të ketë një lloj Hyjnie. Ai ushqen një kryengritje armiqësore ndaj të Adhuruarit të Vetëm.
Atëherë, nëpërmjet të kuptuarit të faktit të mëposhtëm, ai do të shpëtojë nga kjo gjendje. Fakti është ky: Sipas kuptimit të jashtëm të gjërave, i cili shikon tek vetë gjëja, çdo gjë është kalimtare, e mangët, aksidentale dhe mosekzistuese. Por sipas kuptimit që çdo gjë tregon diçka tjetër përveç vetvetes, dhe në lidhje me atë që çdo gjë duke qenë një pasqyrë për Emrat e Autorit të Gjithëlavdishëm, dhe në lidhje me detyrat e saj, secila është një dëshmitare, është e dëshmuar, ajo jep ekzistencë dhe është ekzistuese. Pastrimi dhe dëlirësimi tek ky hap është njohja se; mosekzistenca është në ekzistencë, dhe ekzistenca është në mosekzistencë.
Domethënë, në qoftë se ai e vlerëson dhe ia atribuon ekzistencën vetvetes, ai është në errësirë mosekzistence aq të madhe sa universi. Domethënë, në qoftë se ai mbështetet mbi ekzistencën e tij individuale dhe është i shkujdesur ndaj Dhuruesit të vërtetë të ekzistencës, ai ka një dritë individuale ekzistenceje si ajo e një xixëllonje dhe mbytet në një errësirë të pafund mosekzistence dhe ndarjeje. Por në qoftë se ai e braktis egoizmin, duke e ditur se nefsi nuk është asgjë, dhe në kohën që shikon se ai është një pasqyrë e shfaqjeve të Dhënësit të Vërtetë të ekzistencës, atëherë ai fiton një ekzistencë të pafundme dhe të gjitha krijesat, sepse ai që gjen Zotin, ka gjetë çdo gjë, meqë të gjitha krijesat janë vetëm shfaqje të manifestimeve të Emrave të Tij të Bukur.
* * *
P Ë R F U N D I M
Katër hapat në këtë rrugë të pafuqisë, të varfërisë, të mëshirës dhe të mendimit janë shpjeguar në Njëzet e Gjashtë Fjalët e shkruara deri tani, të cilat lidhen me njohjen e Realitetit, realitetit të sheriatit dhe me urtësinë e Kur’anit. Atëherë këtu, ne do të aludojmë shkurtazi vetëm për një ose dy pika, si vijon:
Në të vërtetë, kjo rrugë është më e shkurtër, sepse ajo përbëhet nga katër hapa.
Kur pafuqia heq dorën nga nefsi, ajo ia dorëzon atë direkt të Gjithëfuqishmit të Gjithëlavdishëm. Ndërsa, kur rruga e dashurisë, rruga më e pjerrët, heq dorën nga nefsi, ajo ia bashkangjit atë të dashurit metaforik dhe kur shikon zhdukjen e tij, ajo arrin të Dashurin e Vërtetë.
Gjithashtu, kjo rrugë është më e sigurtë, sepse nefsi në të nuk ka rënie apo pretendime mbi fuqinë e tij, pasi nefsi nuk gjen në veten e tij përveç pafuqisë, varfërisë dhe mangësisë; nefsi nuk posedon më asgjë që të tejkalojë kufirin e tij.
Gjithashtu, kjo rrugë është shumë më e gjërë dhe më e përgjith-shme, sepse me qëllim që të arrijë vetëdijen e vazhdueshme të pranisë Hyjnore, njeriu nuk detyrohet ta përfytyrojë universin të dënuar me mosekzistencë e të thotë: “Nuk ka ekzistues veçse Ai”, si ata që besojnë në unitetin e ekzistencës, as ta supozojë universin të dënuar me burgosje në një harresë absolute e të thotë: “Nuk ka asgjë të dëshmuar veçse Ai”, si ata që besojnë në unitetin e dëshmisë; por meqenëse Kur’ani i fal krijesat në mënyrë shumë të qartë nga dënimi dhe u jep atyre lirinë nga burgu, atëherë sigurisht kjo rrugë në metodën e Kur’anit i shikon krijesat të jenë të nënshtruara ndaj Krijuesit të tyre të Gjithëfuqishëm dhe si shërbëtorë në rrugën e Tij; i shikon ato si tregues të shfaqjeve të Emrave të Bukur, se ato janë pasqyra që i reflektojnë ato tregues. Domethënë, ai i përdor ato nga këndvështrimi se ato tregojnë diçka tjetër përveç vetvetes; dhe duke shpëtuar nga shkujdesja e plotë, ai futet përgjithmonë në praninë Hyjnore; ai gjen një rrugë prej çdo gjëje që të çon tek Zoti i Gjithëfuqishëm.
Shkurtazi ; Kjo rrugë nuk i shikon krijesat të jenë të nënshtruara për vetveten dhe për vetë qënien e tyre, por i shkarkon nga kjo, dhe i tregon se ato janë të nënshtruara ndaj Zotit xh.sh..
* * *
[1] Kur’an, 16:103
[2] Kur’an, 91: 1
[3] Kur’an, 53: 1
[4] Kur’an, 56: 75-76
[5] Kur’an, 51: 1
[6] Kur’an, 77: 1
[7] Kur’an, 93: 1
[8] Kur’an, 30: 22
[9] Kur’an, 39: 67
[10] Kur’an, 39: 6
[11] Kur’an, 7: 54
[12] Kur’an, 8. 24
[13] Kur’an, 34: 3
[14] Kur’an, 57: 6
[15] Kur’an, 30: 25
[16] Kur’an, 1: 4
[17] Kur’an, 1: 5-6
[18] Kur’an, 59: 20
[19] Kur’an, 2: 185
[20] Kur’an, 65: 3
[21] Kur’an, 2: 18
[22] Kur’an, 37: 180-182
[23] Ky është Hafiz Uthman Ibn Alij i njohur si Hafiz Osmani turk, njëri nga më të shquarit në shkrimin arab. Ai u lind në vitin 1052 sipas hixhretit, në Kostandinopojë. All-llahu i dha sukses në shkrimin e Musafit i cili mori famë dhe u shqua në Botën Islame si Musafi i Hafiz Osmanit, prej të cilit janë bërë me qindra botime. Ai ndërroi jetë më 1110 sipas hixhretit.
[24] Numri i plotë i vërseteve të Kur’anit duke qenë gjashtë mijë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë dhe, ekzistenca e një lidhjeje me të me gjashtë shifrat nga numri i Emrave të bukur që erdhën në këtë faqe, tregon një mister të rëndësishëm, por ai është lënë jashtë për tani.
[25] Një mister u zbulua nëpërmjet kësaj ndarje në pesë. Duke mos qenë asnjëri nga ne në dijeni të saj, gjashtë sure u shkruan këtu. Ne nuk kemi dyshim se jashtë dëshirave tona, dhe nga e padukshmja, e gjashta u shtua këtu me qëllim që misteri i rëndësishëm lidhur me këto gjysma të mos humbasë.
[26] Kur’an, 24: 35
[27] Kur’an, 24: 40
[28] Kur’an, 13: 2
[29] Kur’an, 41: 12
[30] Kur’an, 24: 35
[31] Kur’an, 11: 113
[32] Ata fatkëqinj e supozojnë vetveten të mos jenë në rrezik nëpërmjet mendimit se “zemrat tona janë së bashku me Ustadhin.” Por ai që mbështet me forcë rrymën e ateistëve dhe rrëmbehet dhe entuziazmohet nga propaganda e tyre dhe, madje mund të shfrytëzohet për spiunazh për ta pa e ditur, duke thënë: “Zemra ime është e pastër dhe besnike për rrugën e Ustadhit”, kjo i ngjason shembullit vijues: Ndërsa duke kryer namazet e detyruara, dikush nuk mund ta mbajë erën e tij dhe e nxjerr, lëshon gazra dhe, namazi i tij bëhet i pavlefshëm. Kur i thuhet atij: Namazi yt është i pavlefshëm; Ai përgjigjet: Përse u prish namazi im? Zemra ime është e pastër.
[33] Kur’an, 43: 67
[34] Kur’an, 15: 9
[35] Kur’an, 3: 173
[36] Kur’an, 62: 8
[37] Kur’an, 51: 58
[38] Kur’an, 3: 200
[39] Kur’asn, 5: 44
[40] Kur’ani, 37: 180-182
[41] Kur’an, 2: 32
[42] Sipas rregullave të gramatikës, feilun lexohet si fe’lun, ashtu si ketifun që lexohet ketfun. Prandaj elifun lexohet elfun. Atëherë ajo bëhet një mijë e treqind e pesëdhjetë e një.
[43] Kur’an, 14: 12
[44] Kur’an, 3: 173
[45] Kur’an, 7: 158
[46] Kur’an, 9: 32
[47] Sa që njëri prej atyre Saidëve (nga Ehli Bejti) është Sejjid Ahmed el-Sanusi, i cili komandon miliona ndjekës. Një tjetër është Sejjid Idrisi i cili drejton më shumë se njëqind mijë. Një Sejjid tjetër, Sejjid Jahja drejton qindra mijëra njerëz. Dhe kështu me radhë. Ashtu si midis individëve të këtij fisi të Sejjidëve që ndodhen komandantë të shumtë nga ana e jashtme, po ashtu ndodhen heronjtë e heronjve shpirtërorë, si Sejjid Abdul-kadir Gilani, Sejjid Ebul-Hasan Esh-Shazili, dhe Sejjid Ahmed Badawi.
[48] Kur’an, 2: 32
[49] Kur’an, 7: 43
[50] Kur’an, 10: 62
[51] Kur’an, 3: 185
[52] Kur’an, 2: 32
[53] Kur’an, 53: 32
[54] Kur’an, 59: 19
[55] Kur’an, 4: 79
[56] Kur’an, 28: 88
[57] Kur’an, 25:43; 45:23
[58] Kur’an, 91: 9