“Me Emrin e All-llahut, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti. Njerëzit u thanë atyre: ‘Vërtetë, populli (pagan) ka grumbulluar kundër jush (një ushtri të madhe), kështu që frikësojuni atyre’. Por kjo në të vërtetë vetëm e shtoi besimin dhe thanë: All-llahu vetëm na mjafton neve dhe për ne Ai është Rregulluesi më i mirë i punëve.”[1]
Kjo letër ka manifestuar kuptimin e vërsetit, “Dhe i flisni atij butë e shtruar.”[2], dhe nuk u shkrua me vrull e fuqishëm.
Ajo është përgjigjja ndaj një pyetjeje që m’u bë në mënyrë të qartë dhe të nënkuptuar nga shumë njerëz.
[Mua nuk do të më pëlqente kurrë që ta regjistroj këtë përgjigje, as nuk e dëshiroj një gjë të tillë, sepse unë të gjithë çështjen time e kam lënë në dorë të Zotit të Gjithëfuqishëm, dhe jam mbështetur vetëm tek Ai. Por meqenëse nuk jam lënë i qetë që të gjej rehati në botën time dhe, meqenëse ata më kanë drejtuar vëmendjen dhe shikimin drejt dynjasë, unë detyrohem të parashtroj “pesë pika” me gjuhën e Saidit të Vjetër, dhe jo në gjuhën e Saidit të Ri, me qëllim që t’ua shpjegoj realitetin e situatës si shokëve të mi, ashtu edhe njerëzve të dhënë vetëm pas kësaj dynjaje, si dhe atyre në pushtet, dhe në një mënyrë të tillë të shpëtoj jo vetëm veten time, por edhe shokët e mi dhe “Fjalët” e mia nga dyshimet dhe keqtrajtimet e njerëzve të dhënë vetëm pas kësaj dynjaje.]
n PIKA E PARË
Është bërë pyetja: “Përse ti je tërhequr nga politikat dhe tani nuk ke të bësh fare me to?”
Përgjigjja: Saidi i Vjetër, afërsisht para nëntë ose dhjetë vjetësh u përfshi në politika deri diku. Në të vërtetë, duke menduar se ndoshta do t’i shërbente fesë dhe njohjes nëpërmjet politikave, ai u mërzit dhe u lodh për asgjë. Ai shikoi se ajo ishte një rrugë e rrezikshme e cila ishte e dyshimtë, plot me vështirësi dhe e panevojshme për mua, si dhe formonte një pengesë për detyrat më të domosdoshme. Pjesa më e madhe e saj ishte mashtrime e gënjeshtra dhe ishte një mundësi që personi, pa e ditur, të jetë vegël në dorën e të huajit, kundërshtarit.
Për më tepër, ai që futet në politikë ose është i suksesshëm në pozitë, ose është në opozitë. Sa për të qenurit i suksesshëm, meqenëse unë nuk jam as funksionar shtetëror dhe as deputet në parlament, atëherë të merresh me politikë është e panevojshme dhe e pakuptim për mua. Politika nuk ka kuptim për mua që të ndërhyj në të. Në qoftë se do t’i bashkohesha opozitës, unë do ta bëja një gjë të tillë ose nëpërmjet ideve, ose nëpërmjet forcës. Në qoftë se ndërhyrja ime do të ishte nëpërmjet ideve, ajo s’ka nevojë për mua, sepse çështjet janë të gjitha të qarta dhe gjithësecili i njeh ato ashtu si unë. T’i japësh gjuhës më kot, duke e lëshuar pa fre, është e pakuptim.
Në qoftë se unë do t’i bashkohesha opozitës për qëllim force dhe për të nxitur e shkaktuar ndonjë incident, do të ishte mundësia të kryheshin mijëra mëkate me qëllim që të arrihet një objektiv i dyshimtë. Shumë njerëz do të goditeshin me fatkeqësi për shkak të një individi të vetëm. Ndërgjegjja ime nuk do ta pranonte bërjen e mëkateve dhe t’u shkaktonte të pafajshmive të bënin faje e mëkate për shkak të një ose dy mundësive, në dhjetë mundësi. Prandaj Saidi i Vjetër e la cigaren së bashku me gazetat, politikën dhe bisedat rreth politikave të dynjasë. Dëshmia vendimtare për këtë është fakti se për tetë vitet e shkuara unë nuk kam lexuar as edhe një gazetë dhe as nuk kam dëgjuar ndonjë gazetë të lexohet nga dikush. Le të dalë ndonjëri e të thotë se unë kam lexuar ndonjë gazetë apo kam dëgjuar ndonjë duke e lexuar. Ndërsa para tetë viteve Saidi i Vjetër lexonte ndoshta tetë gazeta në çdo ditë.
Përveç kësaj, për pesë vitet që kaluan unë kam qenë nën mbikëqyrje dhe nën kontrollin më të rreptë. Cilido që do të kishte vëzhguar edhe aluzionin më të vogël për aktivitet politik, do ta thonte atë. Por për një njeri që është me nerva si unë, i patrembur, pa frikë, pa lidhje me dikë, i cili e konsideron dredhinë më të madhe në lënien e dredhisë në përputhje me parimin “Dredhia më e mirë është ta braktisësh dredhinë.” Ai njeri, gjendja e të cilit do të ishte kjo, idetë e tij nuk do të mbeteshin sekret as tetë ditë, e jo më tetë vite, sepse në qoftë se do të kishte pasur oreks e dëshirë për politika, ai nuk do të kishte lënë asnjë nevojë për hetim e mbikëqyrje dhe do të kishte dhënë zë si e shtëna e artilerisë.
n PIKA E DYTË: Përse Saidi i Ri u shmanget politikave me një vrull të tillë të fuqishëm?
Përgjigjja: Ai u shmanget kështu furishëm për t’i shërbyer imanit dhe Kur’anit, i cili është shërbimi i rëndësisë më të madhe, nevoja më e madhe dhe është më e pastërta dhe më e drejta, me qëllim që të mos sakrifikojë pa qenë nevoja dhe me zell të tepruar për një ose dy vite të dyshimta nga jeta e kësaj dynjaje përpjekjen dhe fitimin e më shumë se të miliarda viteve të jetës së përhershme, sepse ai thotë: Unë po plakem.. dhe nuk e di sa do të jetoj pas kësaj moshe, kështu çështja më e rëndësishme për mua duhet të jetë përpjekja për jetën e përhershme, dhe çelësi për lumturinë e përjetshme është besimi, prandaj njeriu duhet të punojë për të. Por, meqenëse unë jam i detyruar nga Sheriati që t’u shërbej njerëzve lidhur me të mësuarit me qëllim që edhe ata gjithashtu të mund të përfitojnë, unë dëshiroj ta kryej një detyrë të tillë. Megjithatë, një shërbim i tillë i intereson jetës shoqërore dhe asaj të kësaj bote, të cilat unë nuk mund t’i bëj. Gjithashtu në kohë të stuhishme nuk është e mundur ta kryesh një shërbim të tillë plotësisht dhe drejt. Prandaj unë e lashë mënjanë atë aspekt dhe zgjodha aspektin e shërbimit të besimit, i cili është më i rëndësishmi, më i domosdoshmi dhe më i sakti. Unë po e lë atë derë të hapur me qëllim që të vërtetat e besimit që i kam fituar për veten time dhe ilaçet shpirtërore që i kam përjetuar vetë, të mund të arrihen e të fitohen nga të tjerët. Ndoshta Zoti i Gjithëfuqishëm do ta pranojë këtë shërbim dhe do ta bëjë atë si shpërblesë e shlyerje për gjynahet e mia të mëparshme.
Me përjashtim të Shejtanit të mallkuar, askush tjetër, –qoftë besimtar ose jobesimtar, i drejtë apo ateist–, nuk ka të drejtë ta kundërshtojë këtë shërbim. Sepse mosbesimit nuk i ngjason asgjë tjetër. Në të vepruarit si tiran, si i lig dhe në mëkatet e mëdha ndoshta mund të jetë ndonjë kënaqësi djallëzore e mbrapshtë, por në mosbesim nuk ndodhet absolutisht asnjë lloj kënaqësie. Ai është dhimbje mbi dhimbje, errësirë mbi errësirë dhe torturë mbi torturë.
Sa në kundërshtim me arsyen do të ishte për një njeri si unë i cili nuk është lidhur me askënd, që është i vetmuar dhe i detyruar të shlyejë gjynahet e tij të mëparshme, që ta linte mënjanë punën për një jetë të amshuar të pafundme dhe të braktiste shërbimin ndaj një drite të shenjtë si besimi dhe ta flakte vetveten në moshë të pleqërisë në lojërat e panevojshme e të rrezikshme të politikave dhe, sa në kundërshtim me urtësinë do të ishte kjo! Kjo do të ishte një çmenduri, madje edhe të çmendurit do ta kuptonin atë!
Por, në qoftë se ti thua: “Si të pengon shërbimi i Kur’anit dhe i imanit nga politika?” Unë do të thoja: Meqenëse të vërtetat e besimit dhe të Kur’anit janë, secila prej tyre, si diamante, në qoftë se unë do të ndotesha nga politikat, njerëzit e zakonshëm, të cilët mashtrohen lehtë, do të pyesnin me habi për ato diamante që unë mbaj, duke thënë, “A nuk janë ato për propagandë politike për të tërhequr më shumë mbështetës?” Ata do të mund t’i vlerësonin diamantet si copa të rëndomta xhami. Atëherë duke qenë i përfshirë në politika, unë do t’u bëja keq atyre diamanteve të çmuar dhe do ta ulja e katandisja vlerën e tyre. Dhe kështu, o ju që e keni kufizuar shikimin tek kjo dynja! Përse luftoni kundra meje? Përse nuk më lini në punën time?
Në qoftë se ju thoni: Disa Shejhë –udhëheqës shpirtërorë– ndërhyjnë ndonjëherë në çështjet tona, dhe njerëzit ndonjëherë të thërrasin ty me emrin Shejh.
Unë përgjigjem: O ju Efendilerë! Unë nuk jam Shejh.. unë jam një hoxhë. Dëshmia është kjo: Unë kam qenë këtu qysh prej katër vitesh, dhe në qoftë se unë do t’i kisha mësuar një njeriu të vetëm tarikatin Sufi, ju do të kishit të drejtë të ishit dyshues. Por unë i kam thënë gjithësecilit që ka ardhur tek unë: Besimi është i domosdoshëm, Islami është i domosdoshëm; kjo nuk është periudha e Tarikatit Sufi.
Në qoftë se ju thoni: Ata të thërrasin ty me emrin “Saidi Kurdi”; ndoshta ti ke disa ide nacionaliste dhe kjo nuk u përshtatet interesave tona.
Unë do të përgjigjesha: O ju Efendilerë! Gjërat që i ka shkruar Saidi i Vjetër dhe Saidi i Ri janë në shesh. Unë po përmend si dëshmi pohimin e sigurt: “Islami e ka shfuqizuar organizimin fisnor të periudhës së injorancës.” Prej vitesh unë i kam konsideruar nacionalizmin negativ dhe racizmin si një helm vdekjeprurës, meqenëse ajo është një llojshmëri e sëmundjes evropiane. Evropa e ka infektuar Islamin me atë sëmundje duke menduar të shkaktonte ndarje e përçarje dhe që Islami të mund të copëtohej e të ishte më i lehtë për të rënë në kurth e për t’u gëlltitur. Studentët e mi dhe ata që kanë patur lidhje me mua e dinë se prej shumë vitesh unë jam përpjekur që ta kuroj këtë sëmundje. Meqenëse çështja është kështu, o ju njerëz Efendilerë!.. do të isha kureshtar të di, përse ju e bëni çdo incident një pretekst për të më sulmuar duke më rënë në qafë? Në përputhje me çfarë parimi ju më shkaktoni hidhërim për çdo ngjarje të kësaj bote, si të ndëshkonit e t’i shkaktonit shqetësim një ushtari në perëndim për shkak të një gabimi që ka bërë një ushtar në lindje – për shkak të qënies së të dyve ushtarë – ose si të dënonit një dyqanxhi në Bagdad për shkak të një krimi të kryer nga një shitës në Stamboll – për shkak të qënies së tyre në të njëjtën linjë biznesi? Si mund ta pranojë këtë ndërgjegjja? Dhe çfarë përfitimi mund të kërkojë?
n PIKA E TRETË: Shokët dhe të dashurit e mi, të cilët mendojnë për hallin tim, për rehatinë dhe habiten kur unë kaloj në heshtje, pa zhurmë dhe me durim ndaj çdo fatkeqësie që më bie, më bëjnë pyetjen e mëposhtme: “Si mund t’i durosh vështirësitë dhe telashet me të cilat po përballesh, ndërsa më parë ti ishe shumë krenar dhe i zemëruar dhe nuk mund të duroje as edhe fyerjen më të vogël?”
Përgjigjja: Dëgjojini dy ngjarjet e shkurtëra dhe tregimet dhe ju do t’i merrni përgjigjet tuaja prej tyre:
Tregimi i parë: Para dy vjetësh një pushtetar foli në mënyrë fyese dhe pa baza për mua pas shpine. Më vonë ata ma treguan këtë. Përafërsisht një orë unë u preka dhe u lëndova për shkak të damarit të rrëmbimit të Saidit të Vjetër. Pastaj me anë të mëshirës së Zotit të Gjithëfuqishëm fakti i mëposhtëm më ndodhi mua, ai e largoi hidhërimin dhe më bëri ta fal atë person. Ai fakt është siç vijon:
Unë iu drejtova nefsit tim duke i thënë, në qoftë se fyerjet e tij dhe mangësitë që ai i përshkruan lidhen me personin tim dhe me nefsin tim, All-llahu qoftë i kënaqur me të, sepse ai ka treguar të metat e nefsit tim. Në qoftë se ai ka folur të vërtetën, ai më ka nxitur mua që ta edukoj nefsin tim dhe më ka ndihmuar të shpëtoj nga mendjemadhësia. Në qoftë se ai ka folur rremas e pabesisht, ai më ka ndihmuar të shpëtoj nga hipokrizia dhe nga fama e pamerituar, e cila është burimi i hipokrizisë. Po, unë nuk qeshë pajtuar me nefsin tim, sepse unë nuk e pata edukuar atë. Në qoftë se dikush më thotë se ndodhet një akrep në qafën time ose në kraharor ose ndryshe ma tregon mua atë, unë do t’i isha mirënjohës atij njeriu dhe jo i ofenduar prej tij.
Por në qoftë se fyerjet e njeriut u drejtuan ndaj besimit tim dhe ndaj cilësisë sime, ndaj qënies shërbëtor i Kur’anit dhe i Imanit, kjo s’ka të bëjë me mua, unë e referoj atë tek Pronari i Kur’anit, i cili më ka vënë në shërbim mua. Ai është i Gjithëfuqishëm, Ai është i Gjithurtë.
Dhe në qoftë se fjala e tij është thjesht për të më blasfemuar, për të më sharë e fyer, edhe kjo nuk më përket mua, sepse unë jam një i huaj i syrgjynosur dhe i kam të lidhura duart e mia dhe nuk më takon mua të mbroj dinjitetin; kjo u takon autoriteteve të këtij fshati tek i cili unë jam një mysafir dhe nën mbikëqyrje, pastaj i takon zonës dhe pastaj rrethit. Të fyesh një të burgosur, një rob, kjo i takon pronarit të tij që ta mbrojë robin, ai e mbron të burgosurin. Atëherë, meqenëse realiteti i çështjes është kjo, zemra ime u lehtësua. Unë thashë?
“Dhe çështjen time unë ia lë All-llahut, vërtetë që All-llahu është Gjithëvëzhgues i robëve (të Tij).”[3]
Dhe e konsiderova atë ngjarje sikur të mos kishte ndodhur dhe e harrova. Por për fat të keq, më vonë u kuptua se Kur’ani nuk e kishte falur atë, pra e ndëshkoi…
Tregimi i dytë: Këtë vit unë dëgjova që më kishte ndodhur një ngjarje. Megjithëse unë e dëgjova ngjarjen në vija të përgjithshme pasi ajo kishte ndodhur, unë u trajtova sikur të kisha qenë i lidhur ngushtë me atë ngjarje. Sidoqoftë, unë nuk mbaj korrespondencë -letërkëmbim- me ndokënd, dhe në qoftë se do ta mbaja, unë i shkruaj tepër rrallë, lidhur me disa çështje të besmit, vetëm ndonjë shoku.
Në fakt unë i kam shkruar vetëm një letër vëllait tim gjatë katër viteve. Unë e pengoja veten time nga përzierja me të tjerët, edhe njerëzit e dhënë vetëm pas kësaj bote më pengonin nga kjo. Unë kam qenë i mundur të takohem vetëm me një ose me dy nga shokët e mi të ngushtë një herë në javë. Sa për vizitorët që vijnë në fshat, ndoshta një herë në muaj, një ose dy nga ata takoheshin me mua për një ose dy minuta lidhur me ndonjë çështje që ka të bëjë me Ahiretin. Në mërgim, i huaj, i vetmuar, pa kërkënd, i mbyllur dhe i ndaluar nga çdo gjë, nga çdo njeri, në një fshat që ishte i papërshtatshëm për dikë si unë për të punuar për të siguruar mjetet e jetesës, madje, para katër vitesh, unë riparova një xhami të rrëzuar dhe punova si imam në të dhe si predikues për katër vjet -All-llahu e pranoftë- meqë unë kam një dëshmi për imam dhe për predikim nga krahina ime. Megjithatë unë nuk munda të shkoj në xhami në këtë Ramazan të bekuar që kaloi. Ndonjëherë unë i kryeja pesë faljet e detyruara në vetmi dhe u privova nga kryeja e faljeve me xhemat që ka njëzet e pesë merita më shumë.
Dhe kështu, unë shfaqa të njëjtën vetëpërmbajtje dhe durim përballë këtyre dy ngjarjeve që më ranë ashtu siç bëra ndaj trajtimit të atij pushtetari para dy vitesh. Dhe në dashtë All-llahu xh.sh., unë do të vazhdoj të bëj kështu. Unë mendoj e them sa vijon: Në qoftë se ky keqtrajtim, ky pikëllim dhe kjo shtypje që më kanë rënë nga njerëzit e dhënë vetëm pas kësaj dynjaje janë për nefsin tim të keq e të gabuar, unë i fal ata. Ndoshta nefsi im do të përmirësohet me këtë pikëllim dhe, ndoshta kjo do të jetë një shlyerje për gjynahet e tij. Unë kam përjetuar shumë nga gjërat e mira në këtë bujtinë të dynjasë; në qoftë se përjetoj pak nga sprovat e saj, unë përsëri do të bëj falënderime.
Në qoftë se njerëzit e dhënë vetëm pas kësaj bote më shtypin për shkak të shërbimit tim ndaj besimit dhe ndaj Kur’anit, mbrojtja për këtë nuk më përket mua, unë ia referoj atë të Gjithëfuqishmit dhe Detyruesit të Vetëm.
Në qoftë se qëllimi i këtij pikëllimi është të shkatërrojnë vlerësimin dhe orientimin e njerëzve ndaj meje, për të shuar famën e pamerituar e cila është e pathemeltë, që shkakton hipokrizi dhe shkatërron sinqeritetin, atëherë Zoti i bekoftë ata!.. sepse unë i konsideroj qënien i mbajtur në respekt e vlerësim nga njerëzit në përgjithësi dhe fitimin e një fame midis tyre si të dëmshme për njerëz si unë. Ata që kanë lidhje me mua, e dinë që unë nuk dëshiroj që të më shfaqet respekt, në të vërtetë unë nuk e honeps dot atë. Madje unë e kam qortuar një shokun tim të vlefshëm ndoshta pesëdhjetë herë për shkak se shfaq për mua respekt të tepruar.
Në qoftë se qëllimi i tyre në shpifjet që bëjnë për mua për të më përçmuar në sytë e njerëzve dhe përfolja e tyre ndaj meje lidhet me të vërtetat e besimit dhe të Kur’anit për të cilat unë jam interpretues, ata përpiqen më kot, sepse yjet e Kur’anit, nuk mund të mbulohen me ndonjë gjë, me ndonjë perde. “Ai që i mbyll sytë e tij, vetëm vetë nuk shikon; ai vetëm ditën e tij e bën natë dhe nuk e bën natë atë për dikë tjetër.”
n PIKA E KATËRT: Përgjigjje për një numër pyetjesh të dyshimta.
Pyetja e parë e dyshimtë: Njerëzit e dhënë vetëm pas kësaj dynjaje, më thonë: “Me çfarë jeton ti? Si ushqehesh pa punuar? Ne nuk duam njerëz në vendin tonë që rrinë kot pa punë dhe jetojnë nga përpjekja e të tjerëve.”
Përgjigjja: Unë jetoj me kursim dhe bereqet. Unë nuk ndjehem borxhli ndaj askujt përveç Krijuesit të Vetëm, i Cili më furnizon mua, dhe unë kam marrë një vendim që të mos bëhem borxhli ndaj askujt tjetër. Po, ai i cili jeton me njëqind para, madje me dyzet para, nuk pranon të bëhet i obliguar ndaj ndokujt. Unë nuk dëshiroj ta shpjegoj këtë çështje. Po ta bëja këtë, do të ishte gjëja më e papëlqyeshme për mua, sepse ajo mund të më bënte të ndjeja një lloj krenarie ose egoizmi. Por meqenëse njerëzit e dhënë vetëm pas kësaj dynjaje më pyesin rreth kësaj në mënyrë të dyshimtë, unë do të përgjigjesha si më poshtë:
Qysh nga fëmijëria ime, gjatë gjithë jetës sime, ka qenë një parim i jetës sime që të mos pranoj asgjë nga njerëzit, madje as zekatin, të mos pranoj rrogë. Unë u detyrova ta pranoj një rrogë vetëm për një ose dy vjet nga Hikme el-Islamije –Bashkësia Islame- me këmbënguljen e shokëve të mi dhe që të mos bëhem i detyruar ndaj njerëzve për një mjet jetese të kësaj bote. Njerëzit e trevës së vendlindjes sime dhe ata të cilët më kanë njohur mua në zonat e tjera, e dinë këtë. Gjatë këtyre pesë viteve të mërgimit, shumë shokë janë përpjekur seriozisht me këmbëngulje që të më bëjnë t’i pranoj dhuratat e tyre, por unë nuk kam pranuar asnjërën nga ato.
Dhe kështu, në qoftë se më thuhet: Si, atëherë, jeton ti?” Unë përgjigjem: Unë jetoj nëpërmjet bekimeve –bereqetit– dhe përkujdesjes Hyjnore. Nefsi im urdhërues për të liga, megjithëse meriton çdo fyerje dhe përbuzje, veçse ama, si një keramet që buron nga shërbimi i Kur’anit, unë marr begati dhe bekime të cilat janë një dhuratë Hyjnore në mënyrën e vlerës ushqyese. Në përputhje me vërsetin:
“Dhe shpalle lart mirësinë e Krijuesit Tënd.”[4], unë do të kujtoj mirësitë që më ka dhuruar Krijuesi i Gjithëfuqishëm dhe do të përmend disa shembuj duke dhënë në efekt falënderime ndaj tyre. Por pavarësisht kësaj, unë kam frikë se kjo do të shkaktonte hipokrizinë dhe krenarinë të futen tek ky falënderim shpirtëror gjë që do të bënte që bereqeti dhe begatia të këputeshin e të priteshin, sepse ta shfaqësh një bereqet të fshehtë Hyjnor bëhet shkak për ndërprerje. Por çfarë mund të bëjë, unë jam i detyruar ta tregojë atë.
Dhe kështu, e para: Këto gjashtë muaj një shinik (peshe) grurë, që përbëhet nga tridhjetë e gjashtë (çyrekë) bukë, më ka mjaftuar mua. Ka mbetur akoma bukë; ajo nuk ka mbaruar. Dhe se sa kohë do të zgjasë, unë nuk e di. [5]
E dyta: Në këtë muaj të bekuar të Ramazanit, unë mora ushqim vetëm nga dy shtëpi, dhe të dyja nga ato më bënë të sëmurë. Unë kuptova se jam i ndaluar nga të ngrënit e ushqimit të të tjerëve. Në pjesën tjetër të kohës, në të gjithë Ramazanin, tre çyrekë buke dhe një okka[6] oriz më mjaftuan mua, ashtu siç u dëshmua dhe u tregua nga Abdull-llah Çavush, pronari i një shtëpie të bekuar dhe një mik besnik, i cili e shikoi përdorimin tim me kursim, me ekonomi. Madje orizi mbaroi dymbëdhjetë ditë pas përfundimit të Ramazanit.
E treta: Për tre muaj në mal, një okka gjalp qe e mjaftueshme për mua dhe për miqtë e mi, duke ngrënë prej tij çdo ditë bashkë me bukën. Madje në një rast unë pata një mysafir të bekuar i quajtur Sulejman. Buka e tij dhe buka ime gati po mbaronte. Ishte ditë e mërkurë. “Unë i thashë atij të shkonte në fshat dhe të merrte ca bukë,” sepse në një largësi dy orësh për secilën anë nga ne nuk ndodhej asnjë njeri nga i cili mund të blihej ndonjë bukë. “Ai tha se dëshironte të qëndronte me mua në mal ditën e enjte në mbrëmje me qëllim që ne të mund të faleshim e luteshim së bashku.” Duke thënë: “Mbështetja e besimi ynë është tek All-llahu”, unë i thashë atij të qëndrojë. Më vonë, megjithëse nuk kishte lidhje me këtë dhe nuk kishte arsye për të, ne të dy filluam të ecim derisa arritëm në majë të malit. Atje kishte ca ujë në kanë dhe ne kishim pak sheqer dhe ca çaj. Unë i thashë atij: “Vëlla! Bëj ti ca çajë!” Ai nisi ta bëjë atë; ndërsa unë u ula nën një dru cedri duke parë nga lart një rrungajë, përrua të thellë. Unë mendova me keqardhje me veten time: ne kemi vetëm një copë bukë të myshkur e cila do të jetë e mjaftueshme për ne vetëm këtë mbrëmje. Çfarë do të bëjmë ne për dy ditë dhe çfarë do t’i them unë këtij njeriu zemërdëlirë, të padjallëzuar? Ndërsa duke e menduar këtë, unë befas e ktheva kokën time në mënyrë të pavullnetshme dhe pashë një copë të madhe buke lartë në drurin e cedrit midis degëve; ajo ishte me pamje nga ne, po na shikonte ne. Unë thirra: “Sulejman, lajme të gëzueshme! Zoti i Gjithëfuqishëm na ka dërguar neve ushqim.” Ne e morëm bukën dhe duke e soditur atë, pamë se asnjë zog apo kafshë e egër nuk e kishte prekur atë.. Dhe për njëzet apo tridhjetë ditë, askush absolutisht nuk ishte ngjitur në majë të atij mali. Buka qe e mjaftueshme për ne për dy ditët. Ndërsa ne po hanim dhe ajo gati po mbaronte, Sulejmani i drejtë i cili kishte qenë më besniku i shokëve besnikë për katër vjet duke u ngjitur malit u drejtua drejt nesh duke sjellur bukë.
E katërta: Unë e kam blerë këtë pallto të përdorur që e kam veshur para shtatë vjetësh. Për pesë vjet, unë kam shpenzuar vetëm katër lira e gjysmë për rroba, veshje të brendshme, pantofla, papuçe dhe për çorapë. Kursimi, mëshira Hyjnore dhe bereqeti më kanë mjaftuar mua.
Kështu, ndodhen gjëra të shumta si këto shembuj dhe lloje të shumta të bekimeve Hyjnore. Njerëzit e këtij fshati dinë shumë nga shembujt e bereqetit. Por mos pandehni se unë po i përmend këto shembuj nga krenaria, përkundrazi, unë kam qenë i detyruar t’i përmend ato. Gjithashtu mos mendoni se ato shembuj janë shkak të mirësisë sime. Këto shembuj bereqeti ishin ose dhurata Hyjnore për miqt e sinqertë të cilët më kanë vizituar mua, ose një nderim Hyjnor për shkak të shërbimit të Kur’anit, ose një begati e përfitim që rezulton nga kursimi, ose ato kanë qenë furnizimi (rizk) për katër macet të cilat rrinë me mua këtu dhe që recitojnë Emrin Hyjnor, “Ja Rahim!, Ja Rahim!” O Mëshirëplotë! O Mëshirëplotë! Ato janë furnizime që vijnë në formën e bereqetit dhe unë përfitoj prej tyre gjithashtu. Po, në qoftë se ti do t’i dëgjoje me vëmendje mjaullimat e tyre të përvajshme, ti do të kuptoje se ato janë duke thënë: “Ja Rahim, Ja Rahim!” O Mëshirëplotë! O Mëshirëplotë!
Me që ra fjala e maceve, kjo më sjell ndërmend pulat. Unë kam një pulë. Në këtë dimër pothuajse çdo ditë pa përjashtim, si një makinë, ajo më ka sjellë një vezë nga thesari i Mëshirës Hyjnore. Kurse një ditë, ajo më solli dy vezë dhe unë u habita. I pyeta shokët e mi: “A mund të ndodhë kjo?” Ata u përgjigjën: “Ndoshta kjo është një dhuratë Hyjnore.”
Pula ka gjithashtu një zogth që e ka klloçitur në verë. Edhe ajo filloi të bëjë vezë në fillim të Ramazanit të bekuar dhe vazhdoi për dyzet ditë. As unë dhe as ata që më ndihmojnë mua nuk kemi asnjë dyshim, se duke qenë edhe zogth, edhe në dimër, edhe në Ramazan, kjo situatë e bekuar ishte vetëm një dhuratë dhe mirësi Hyjnore. Dhe sa herë që pula ndalonte së bëri vezë, zogthi menjëherë fillonte, duke mos më lënë mua pa vezë.
Pyetja e dytë e dyshimtë: Njerëzit e dhënë vetëm pas kësaj dunjaje pyesin: “Si mund të kemi besim dhe të jemi të sigurt që ti nuk do të ndërhysh në çështjet e dynjasë sonë? Në qoftë se ne të lëmë të lirë, ti ndoshta mund të ndërhysh në to. Gjithashtu, si mund ta dimë ne që ti nuk je finok? Si ta dimë ne që kjo nuk është një dredhi që ti e shfaq veten tënde sikur e ke braktisur dynjanë duke mos marrë pasuri nga njerëzit haptas, por ndoshta ti e merr atë fshehtas?”
Përgjigjja: Qëndrimi im para njëzet vitesh dhe situata në Gjykatën ushtarake dhe në periudhën para shpalljes së kushtetutës, të cilat janë të njohura nga ata që më njohin, dhe mbrojtja ime në Gjykatën ushtarake në atë kohë që quhej “Dëshmia e dy shkollave të fatkeqësisë”, tregon në mënyrë vendimtare se jeta që kam jetuar ishte e tillë që unë nuk kam përdorur as edhe hilen më të vogël, dhe jo më finokërinë e dredhinë. Në qoftë se do të ishte përdorur dredhia në këtë pesëvjeçarin e fundit, kërkesa do t’u ishte bërë ju me servilizëm e lajka. Një njeri hileqar përpiqet t’i bëjë njerëzit për vete e të hyjë në zemrën e tyre; ai gjithmonë orvatet t’i mashtrojë njerëzit e t’ua hedhë atyre; ai nuk e tregon të vërtetën. Ndërsa unë nuk kam pranuar ta ul e poshtëroj veten time pavarësisht sulmeve më të ashpra dhe kritikave që u drejtuan kundër meje. Duke thënë, “Unë mbështetem tek All-llahu”, unë ua ktheva shpinën njerëzve të dhënë vetëm pas kësaj dynjaje.
Për më tepër, ai i cili zbulon realitetin e kësaj bote dhe njeh Ahiretin nuk pendohet kurrë nëse është i gjykueshëm e i ndjeshëm; ai nuk kthehet përsëri tek dynjaja e të luftojë për të.
Pastaj një njeri që ka kaluar pesëdhjetë vite nga mosha e tij, i cili nuk ka lidhje me ndonjë gjë dhe është i vetmuar, nuk do ta sakrifikonte jetën e përhershme për një ose dy vite me dërdëllime, sharlatanizma e mashtrime të kësaj dunjaje. Në qoftë se do të vepronte kështu, ai nuk është finok, por i marrë e i çmendur. Çfarë do të mund të bënte një idiot i marrë sa të merresh e të shqetësohesh me të?
Sa për dyshimin e braktisjes së dynjasë nga ana e jashtme, ndërsa nga ana e brendshme e kërkokam atë, unë them, në përputhje me vërsetin Kur’anor:
“Edhe unë nuk e shfajësoj veten time (nga faji). Padyshim që uni (nefsi njerëzor) është i prirur drejt së keqes.” [7]
“Unë nuk e nxjerr të larë nefsin tim, pasi nefsi kërkon çdo gjë të keqe. Sepse në këtë dynja kalimtare, në këtë bujtinë të përkohshme, në kohë të pleqërisë, në një jetë të shkurtër, nuk është e arsyeshme të shkatërroj jetën e përhershme e të amshuar dhe lumturinë e përjetshme për një kënaqësi të vogël. Meqenëse nuk është e levërdishme për të arsyeshmit dhe të vetëdijshmit, nefsi im, me hir e me pahir, i është nënshtruar arsyes dhe e ka ndjekur atë.”
Pyetja e tretë dyshuese: njerëzit e dhënë vetëm pas kësaj dynjaje thonë: “A na do ti ne? A na miraton ne? Në qoftë ti na do, përse ti rri i ftohtë, mospërfillës dhe nuk ke të bësh fare me ne? Në qoftë se ti nuk na pëlqen, kjo do të thotë se ti na kundërshton dhe ne i shtypim ata që na kundërshtojnë.”
Përgjigjja: Në qoftë se unë do ta kisha dashur dynjanë tuaj, përkrah jush, unë nuk do të isha tërhequr prej saj. Unë nuk ju pëlqej as ju dhe as dynjanë tuaj. Por unë nuk ndërhyj as tek ajo, as nuk përzihem me ju, sepse unë kam synime të ndryshme dhe çështje të ndryshme që kanë mbushur zemrën time për të menduar për gjëra të tjera. Detyrimi – urdhëri juaj- është të shikoni dorën, gjendjen e jashtme, dhe jo zemrën, atë të brendshme, sepse ju dëshironi vazhdimësinë e sistemit dhe vendosjen e rendit publik. Për sa kohë që unë nuk ndërhyj tek ato, atëherë ju nuk keni të drejtë të thoni: “Edhe zemra gjithashtu duhet të na dojë”, ndonëse ju kurrësesi nuk jeni të denjë për të…
Në qoftë se ju ndërhyni në çështjen e zemrës, unë them: “Ashtu siç dëshirohem dhe s’më pritet për pranverën gjatë këtij dimri, por unë nuk mundem ta sjellë atë, po ashtu unë kam mall dhe s’më pritet që bota të drejtohet dhe unë lutem për të dhe dëshiroj që njerëzit e kësaj bote të reformohen, por kjo është përtej dëshirës dhe përpjekjes sime, kështu unë jam i pafuqishëm për to. Unë në fakt, as nuk mund të ndërhyj për to, sepse nuk është as detyra ime, as nuk kam aftësi…
Pyetja e katërt dyshuese: Njerëzit e kësaj bote thonë: “Ne kemi përjetuar shumë fatkeqësi, ne nuk kemi më besim tek asnjë njeri. Si mund të jemi të sigurt që nëse të jepet rasti ti nuk do të ndërhysh në çështjet tona në mënyrën që dëshiron ti?”
Përgjigjja: Pikat e lartëpërmendura duhet t’ju japin ju bindje e besim. Përveç kësaj, meqenëse unë nuk ndërhyra në dynjanë tuaj, ndërsa isha në qytetin tim të lindjes midis studentëve të mi dhe të afërmve dhe ndërsa jetoja në mesin e atyre që më dëgjonin dhe më kërkonin këshilla, madje unë nuk ndërhyra në dynjanë tuaj edhe në ngjarjet më tronditëse; a mund të ndërhyjë në to dikush që është i vetmuar në mërgim, me askënd pranë tij, që është i huaj, i dobët, i pafuqishëm, i kthyer me të gjithë fuqinë e tij drejt Ahiretit, i shkëputur nga të gjitha lidhjet shoqërore, nga korrespondenca, letërkëmbimi, i cili ka gjetur vetëm pak shokë me të cilët janë lidhur në aspektin e Imanit dhe të Ahiretit dhe kjo lidhje është prej së largu, i cili është më i huaj se çdo kush tjetër dhe të cilin gjithkush tjetër e vlerëson dhe e shikon si të huaj, në qoftë se një njeri i tillë do të ndërhynte në dynjanë tuaj të pafrytshme e të rrezikshme, sigurisht ai do të ishte në një çmenduri të dyfishtë…
n PIKA E PESTË: Kjo lidhet me pesë çështje të vogëla.
E para: Njerëzit e kësaj bote më thonë: “Përse ti nuk i vë në praktikë parimet e qytetërimit tonë, stilin tonë të jetës dhe mënyrën tonë të të veshurit? A do të thotë kjo që ti na kundërshton ne?”
Përgjigjja ime është: O ju Efendilerë! Me çfarë të drejte ju po më rekomandoni parimet e civilizimit tuaj? Ju jeni ata që më detyruat padrejtësisht të qëndroj në një fshat për pesë vjet dhe, madje më ndaluat nga letërkëmbimi dhe komunikimi me njerëzit. Ndërsa ju i latë të gjithë të syrgjynosurit në qytet me shokët e tyre dhe të afërmit, dhe atëherë ju u dhatë atyre letrat e lirimit duke u dhënë amnisti, pa asnjë arsye ju më izoluat dhe nuk më lejuat të takohem me asnjë nga banorët e qytetit tim, me përjashtim të një ose dy vetave. Kjo do të thotë se ju nuk më vlerësoni si një anëtar të këtij kombi dhe si një qytetar. Si mund të më rekomandoni që të zbatoj për veten time kodin tuaj civil? Ju e shndërruat dynjanë për mua në një burg. Gjëra të tilla nuk mund t’i rekomandohen dikujt në burg. Ju e mbyllët derën e dynjasë për mua, kështu unë trokita tek dera e Ahiretit dhe mëshira Hyjnore e hapi atë për mua. Si mundet që zakonet dhe parimet e ngatërruara të Dynjasë t’i rekomandohen dikujt që qëndron në këmbë tek dera e Ahiretit? Kurdo që ju të më lironi dhe të më ktheni tek vendlindja dhe të më jepni të drejtat e mia, atëherë ju mund të më kërkoni të zbatoj parimet tuaja.
Çështja e dytë: Njerëzit e kësaj bote thonë: “Ne kemi një departament shtetëror për të dhënë mësim parimet e fesë dhe të vërtetat e Islamit? Me çfarë autoriteti ti boton vepra fetare? Meqenëse ti je i dënuar me internim, ti nuk ke asnjë të drejtë të përzihesh në këto çështje.”
Përgjigjja: E vërteta dhe realiteti nuk mund të kufizohen e ngushtohen! Si mund të ngushtohet besimi dhe të kufizohet Kur’ani? Ju mund të kufizoni parimet dhe ligjet e dynjasë suaj, kurse të vërtetat e besimit dhe të Kur’anit dhe parimet nuk mund të detyrohen e shtrëngohen në formën e trajtimeve dhe qëndrimeve të kësaj dynjaje, duke iu dhënë një veshje zyrtare dhe duke marrë një shpërblim për kryerjen e tyre. Përkundrazi, ato mistere të cilat janë dhurata Hyjnore, ato bekime, vijnë nëpërmjet një qëllimi të sinqertë dhe duke braktisur dynjanë dhe kënaqësitë epshore. Për më tepër, departamenti zyrtar shtetëror i juaj më pranoi dhe më emëroi si predikues ndërsa unë isha në qytetin tim të lindjes. Unë e pranova atë detyrë, por refuzova rrogën. Unë jam i pajisur me dëshmi. Me këtë dëshmi –dokument– unë mund të veproj si imam –drejtues falje– dhe si predikues në çdo vend, sepse internimi im ishte padrejtësi. Gjithashtu, meqenëse të syrgjynosurit u kthyen në familjet e tyre, atëherë dokumentet e mia të mëparshme janë akoma të vlefshme, të rregullta.
Së dyti: Të vërtetat e besimit të cilat i kam shkruar, unë ia kam adresuar drejtpërdrejt nefsit tim. Unë nuk i ftoj për tek ato të gjithë njerëzit, përkundrazi, ata janë për shpirtërat e atyre që kanë nevojë për to dhe për zemrat e atyre që janë të plagosura; ata i kërkojnë ato ilaçe kur’anore dhe i gjejnë ato. Vetëm për të siguruar mjetet e mia të jetesës pata shtypur një ‘Trajtesën time rreth Ringjalljes’ së të vdekurve para se të rekomandohej e të hynte në fuqi shkrimi i ri. Edhe guvernatori i mëparshëm, i cili ishte i padrejtë ndaj meje, e studioi Trajtesën dhe, meqenëse nuk gjeti asgjë për t’u kritikuar, ai nuk bëri asgjë kundra saj.
Çështja e tretë: Disa nga shokët e mi, në pamje të jashtme qëndrojnë larg meje, sepse njerëzit e kësaj bote më shikojnë me dyshim dhe, me qëllim që të shfaqen të parapëlqyer e të mirë për njerëzit e kësaj bote, ata në të vërtetë, më kritikojnë mua. Ndërsa njerëzit finokë të kësaj dynjaje, e menduan qëndrimin e tyre larg dhe shmangien e tyre prej meje, jo si besnikëri të tyre ndaj njerëzve të kësaj bote, por si një lloj hipokrizie dhe mungese ndërgjegjjeje, dhe ata i shikuan ata shokët e mi në mënyrë të pavaforshme dhe me të keq.
Kështu, unë them këtë: O shokët e mi të Ahiretit! Mos qëndroni larg shërbimit tim ndaj Kur’anit madhështor dhe mos ikni, sepse në dashtë Zoti xh.sh., asnjë dëm nuk do t’ju vijë nga unë. Supozoni se edhe në qoftë se më bie mua një padrejtësi e shtypje dhe vjen fatkeqësia mbi ju, ju nuk do të mund të shpëtoni prej saj duke u larguar prej meje, përkundrazi, duke vepruar kështu, ju do ta bënit vetveten tuaj më të meritueshëm për fatkeqësi dhe për goditje. Pastaj çfarë ka ndodhur që ju të keni këto frikësime e dyshime të pabaza?..
Çështja e katërt: Unë shikoj gjatë kohës së internimit tim se disa njerëz mburracakë të cilët kanë rënë në moçalin e politikave më shikojnë në një mënyrë që i përshtatet partishmërisë -njëanshmërisë, sektarizmit-, e rivalitetit, sikur unë jam lidhur me rrymat e kësaj dunjaje ashtu siç janë ata.
O ju Efendilerë! Unë jam në rrymën e besimit. Përballë meje është rryma e mosbesimit. Unë nuk kam lidhje me rrymat e tjera. Ndoshta disa nga ata që punojnë për një rrogë e shikojnë vetveten si të justifikuar deri në një farë mase për të më kundërshtuar. Por, të marrë një qëndrim duke dalë kundra meje në rivalitet për asnjë rrogë apo shpërblim në emrin e patriotizmit, të më shqetësojë pareshtur e të më shtypë, ta dijë se ai njeri bën një gabim të rëndë, sepse, siç u provua më lartë, unë nuk kam lidhje fare me politikat e dynjasë. Unë ua kam dedikuar e kushtuar të gjithë kohën dhe jetën time të vërtetave të besimit dhe të Kur’anit. Meqenëse është kështu, atëherë le të mendojë ai i cili po më torturon e po më sulmon mua pareshtur në rivalitet se një trajtim i tij i tillë i ngjason të shkaktuarit dëm besimit në emrin e ateizmit dhe të mosbesimit.
Çështja e pestë:
Meqenëse kjo botë është kalimtare.
Meqenëse jeta është e shkurtër.
Meqenëse detyrat vërtet esenciale janë të shumta.
Meqenëse jeta e përhershme do të fitohet këtu.
Meqenëse dynjaja nuk është pa pronar.
Meqenëse kjo bujtinë e kësaj dynjaje ka një Drejtues Gjithëbujar e të Gjithurtë, meqenëse as e mira dhe as e keqja nuk do të mbeten pa shpërblim a dënim
Dhe meqenëse sipas vërsetit, “All-llahu nuk e rëndon askënd mbi mundësitë që ai ka”[8], nuk është e detyruar ajo që është e papërballueshme dhe që nuk mund të kryhet,
Meqenëse një rrugë e sigurt është e preferueshme mbi një rrugë të dëmshme,
Meqenëse shokët e kësaj dynjaje dhe rangjet zgjasin vetëm deri tek dera e varrit.
Atëherë sigurisht më fatbardhi është ai që nuk e harron Ahiretin për këtë dynja, nuk e sakrifikon Ahiretin për dynjanë, nuk e prish jetën e përhershme për jetën e dynjasë dhe nuk e harxhon jetën e tij në gjëra bajate e të kota, por e shikon veten se është një mysafir dhe vepron në përputhje me urdhërat dhe regullat e Pronarit të bujtinës; atëherë le ta hapë ai derën e varrit me besim dhe të hyjë në lumturinë e përjetshme me paqë…[9]
* * *
SHTOJCA E LETRËS SË GJASHTËMBËDHJETË
“Me Emrin e Tij që s’ka gjë që të mos e lëvdojë lartësinë e Tij.”[10]
Pa asnjë arsye, “Njerëzit e dhënë vetëm pas kësaj dynjaje” u bënë dyshues për një të huaj të pafuqishëm si personi im, dhe duke më imagjinuar se kam fuqinë e mijëra njerëzve, më vendosën nën kufizime të shumta e të forta. Ata nuk më dhanë leje që të qëndroj një ose dy netë në Bedre, një zonë e Barlas, as në njërin nga malet e Barlas. Unë dëgjova se ata thonë: “Saidi ka një fuqi të barabartë me atë të pesëdhjetë mijë ushtarëve, prandaj ne nuk mund ta lirojmë atë.”
Ndërsa unë them: O ju njerëz fatkëqinj që pikëpamja juaj është kufizuar tek kjo dynja! Si është që ju nuk i njihni çështjet e dynjasë, pavarësisht se po punoni për atë me të gjithë fuqinë tuaj dhe po qeverisni si të çmendur? Në qoftë se frika juaj është nga personi im i përkohshëm, kjo është një frikë që nuk justifikohet absolutisht, sepse një ushtar- dhe jo më pesëdhjetë mijë- mund të bëjë pesëdhjetë herë më shumë punë se sa unë, domethënë, ai mund të qëndrojë tek dera e dhomës sime dhe të më thotë mua: “Ti nuk mund të dalësh!”
Ndërsa, në qoftë se frika juaj është nga profesioni im i cili është “thirrje për tek Kur’ani”, dhe nga fuqia morale e besimit me të cilën armatosem, atëherë ju duhet t’a dini se në lidhje me profesionin tim unë nuk kam fuqinë e pesëdhjetë mijë ushtarëve, jeni të gabuar! Por kam fuqinë e pesëdhjetë milionëve, sepse nëpërmjet fuqisë së Kur’anit të gjithurtë, unë sfidoj të gjithë Evropën duke ju përfshirë edhe ju njerëzit femohues. Nëpërmjet dritave të besimit që kam botuar, unë kam shembur kështjellat e forta që ata i quajnë “shkencat filozofike dhe natyra”. Unë i kam ulur më poshtë se sa kafshët filozofët më të mëdhenj të tyre femohues. Sikur të bashkohej e gjithë Evropa në të cilën të përfshiheshin edhe njerëzit tuaj femohues, nëpërmjet ndihmës së All-llahut xh.sh., ata nuk do të mund të më bënin mua të mohoj as edhe një çështje të vetme nga profesioni im. Dhe në dashtë Zoti, ata nuk do të mund të më shpartallojnë mua!..
Meqenëse çështja është kështu, ashtu siç nuk ndërhyj unë në çështjet e dynjasë suaj, atëherë edhe ju gjithashtu mos ndërhyni në Ahiretin tim!
Dhe mos bëni përpjekje! Në qoftë se ju do të bënit përpjekje, dijeni atëherë se ajo do të jetë pa frut dhe më kot!
Ajo që është paracaktuar nga All-llahu, nuk mund të kthehet me forcë; Një zjarr që është ndezur nga All-llahu, nuk mund të shuhet nga fryma.
Njerëzit e dhënë vetëm pas kësaj dynjaje janë jashtëzakonisht dhe tepër dyshues ndaj meje; mjaft thjesht, ata janë të frikësuar prej meje. Duke imagjinuar gjëra mosekzistuese tek unë, të cilat edhe në qoftë se do të ekzistonin, nuk mund të ishin shkak akuze, si qënia një Shejh, ose një rang i rëndësishëm, ose një familje, ose si qënia e një udhëheqësi fisi, ose ndikuesi dhe pasja e ndjekësve të shumtë, ose takimi me njerëzit e vendlindjes sime, ose të qënurit i lidhur me çështjet e dynjasë, ose madje përfshirja në poltikë, ose në opozitë duke i imagjinuar këto gjëra që nuk gjenden tek unë, ata janë rrëmbyer nga dyshime të pabaza. Madje edhe në kohën kur po diskutonin çështjet e amnistisë për ata që janë në burg dhe jashtë tij, domethënë, ata që sipas tyre nuk i përfshin amnistia, më bllokuan e më ndaluan nga çdo gjë. Ndodhet një fjalë e mirë e përjetshme të cilën e tha një njeri i keq i përkohshëm:
Në qoftë se tirania ka artileri, pushkë dhe fortifikata, e drejta ka një krah që nuk përthyhet, nuk përdridhet, dhe një fytyrë të pandryshueshme.
Dhe unë them:
Në qoftë se njerëzit e dhënë vetëm pas kësaj dynjaje kanë sundimin, forcën dhe fuqinë, kurse nëpëmjet shkëlqimit të Kur’anit, shërbëtori i tij ka dije të sigurt të palëkundur, një fjalë të paheshtur; një zemër të shëndoshë (që nuk mashtrohet), dhe ka një dritë të pashuar.
Një komandant ushtarak, nën mbikqyrjen e të cilit unë isha, dhe disa shokë në mënyrë të përsëritur, më bënin këtë pyetje: “Përse nuk paraqet kërkesë për të marrë dokumentat e lirimit?”
Përgjigjja: Unë nuk paraqes kërkesë dhe unë nuk mund ta bëj kërkesën për pesë ose gjashtë arsye:
E para: Unë nuk kam ndërhyrë as në çështjet e njerëzve të dhënë vetëm pas kësaj dynjaje dhe as në dynjanë e tyre, që unë të jemë i dënuar nga ana e tyre dhe prandaj unë nuk duhet t’u paraqes kërkesë lidhur me këtë. Përkundrazi, unë i drejtohem Kaderit Hyjnor, sepse ai më ka dënuar mua për mangësitë dhe gabimet e mia ndaj tij.
E dyta: Unë besoj dhe kam njohje të sigurt se kjo dynja është një bujtinë që ndryshon shpejt. Kështu, ajo nuk është një atdhe i vërtetë dhe gjithandej është e njëjta. Meqenëse unë nuk do të qëndroj përjetësisht në atdheun tim, do të ishte e kot të bësh përpjekje për të; nuk ia vlen të shkosh atje. Meqenëse gjithkund kjo dynja është një bujtinë, në qoftë se mëshira e Pronarit të bujtinës do të të zinte mik, atëherë gjithkush do të ishte një mik dhe çdo vend do të ishte i këndshëm. Ose ndryshe, në qoftë se ajo nuk do të të bënte mik,çdokush do të ishte armiqësor dhe çdo vend do të ishte një peshë e rëndë dhe ngushtësi e fortë në zemër.
E treta: Paraqitja e kërkesës mund të bëhet brenda suazës së ligjit. Por mënyra që unë jam trajtuar këto gjashtë vite ka qenë arbitrare dhe e jashtëligjshme. Ligji i internimeve nuk është zbatuar për mua. Ata më kanë shikuar sikur të kisha qenë i zhveshur e i privuar nga të gjitha të drejtat e civilizimit, dhe madje nga të gjitha të drejtat e dynjasë. Atëherë t’u paraqesësh kërkesën në emër të ligjit atyre, trajtimet e të cilëve me mua kanë qënë kështu të jashtëligjshme, do të ishte e pakuptim.
E katërta: Këtë vit një zyrtar lokal paraqiti kërkesë për mua në emrin tim për të qëndruar për disa ditë në fshatin e Bedres, i cili është si një zonë e Barlas, për një ndryshim ajri e klime dhe nuk më lejuan. Si mund t’u paraqitet kërkesa këtyre që refuzojnë një kërkesë të tillë të thjeshtë timen? Atëherë, në qoftë se do t’u paraqisja atyre kërkesë, kjo do të ishte e padobishme dhe një ulje poshtëruese.
E pesta: Të kërkosh një të drejtë përpara atyre që e pretendojnë të drejtën si të padrejtë dhe t’u paraqesësh kërkesë atyre, kjo do të ishte një padrejtësi, do të ishte mungesë respekti ndaj së drejtës. Unë nuk dëshiroj të bëj një padrejtësi të tillë dhe të mos tregoj respekt për të drejtën. Dhe ajo është ashtu.
E gjashta: Vuajtjet dhe vështirësitë që m’i kanë shkaktuar njerëzit e dhënë vetëm pas kësaj dynjaje nuk kanë qenë për shkak të politikës, sepse ata e dinë mirë që unë nuk përzihem në çështjet politike, përkundrazi, unë iki prej tyre. Ata, me dijeni apo pa dijeni, më tortuojnë për llogari të ateizmit agresiv për shkak të lidhjes sime me fenë. Prandaj t’u paraqesësh kërkesë atyre, do të thotë të shfaqësh pendim për fenë dhe të lajkatosh e të mburrësh rrugën e ateizmit agresiv.
Për më tepër, Kaderi Hyjnor, i cili është i drejtë, do të më ndëshkonte mua nëpërmjet duarve të tyre tiranike e mëkatare në qoftë se do t’u bëja kërkesë atyre dhe nëse do t’u drejtohesha për ndihmë, sepse ata po më shtypin për shkak të qënies sime i lidhur me fenë. Sa për kaderin Hyjnor, kohë pas kohe ai po më shtyp për shkak të hipokrizisë sime përpara ‘njerëzve të dhënë vetëm pas kësaj dynjaje, për shkak të mangësive të mia në fe e në sinqeritet. Meqenëse kjo është kështu, për kohën e tanishme unë nuk mund të jem i shpëtuar nga këto vuajtje e vështirësi. Në qoftë se unë do t’u drejtohesha për ndihmë njerëzve të dhënë vetëm pas kësaj dynjaje, Kaderi Hyjnor do të thonte: “O hipokrit, paguaje dënimin për paraqitje kërkese!” Dhe në qoftë se unë nuk paraqes kërkesë, njerëzit e dhënë vetëm pas kësaj dynjaje do të thonin: “Ti nuk na pranon ne, atëherë vazhdo të vuash vështirësi!”
Arsyeja e shtatë: Është e mirënjohur se detyra e një nëpunësi zyrtar është që të mos u japë asnjë rast individëve të dëmshëm me qëllim që të mos i shkaktojnë dëm shoqërisë dhe të ndihmojnë ata që janë të dobishëm. Ndërsa unë po i shpjegoja një aspekt të hollë të besimit që përfshihet në Fjalën Nuk ka Zot tjetër përveç All-llahut” një miku të moshuar i cili i është afruar derës së varrit, më erdhi nëpunësi zyrtar i cili më mbante nën arrest, sikur unë të sillesha keq e të bëja ndonjë krim, ndonëse ai nuk kishte ardhur tek unë për t’u interesuar për shumë kohë më parë. Ai i shkaktoi personit të sinqertë, që po dëgjonte, të privohej, dhe mua më shkaktoi zemërim. Ndodheshin disa njerëz, të cilëve ai nuk u dha rëndësi. Pastaj kur ata u sollën në mënyrë të panjerëzishme, në një mënyrë që do të helmonte jetën e shoqërisë në atë fshat, ai filloi të ishte i dashur, i shkueshëm me ta dhe vlerësues ndaj tyre.
Për më tepër, është e mirënjohur se sikur një kriminel të kishte bërë njëqind krime, ai mund të takohet me personat zyrtarë që e mbikëqyrin atë, qofshin ata zyrtarë të një rangu të lartë apo të ulët. Por në këtë vitin e fundit, megjithëse dy njerëz të rëndësishëm në qeverinë qëndrore të ngarkuar me detyrën e mbikëqyrjes sime kanë kaluar disa herë pranë dhomës sime, ata nuk janë takuar absolutisht me mua dhe as nuk kanë pyetur për gjendjen time. Në fillim unë supozova se ata nuk u afruan tek unë për shkak të armiqësisë, por më vonë u bë e qartë se ajo ishte për shkak të dyshimeve të tyre të frikshme.. ata iknin prej meje sikur unë do t’i përpija. Kështu, të njohësh një qeveri, anëtarët dhe zyrtarët e së cilës janë të ngjashëm me ata njerëz dhe t’i drejtohesh për ndihmë asaj e t’i paraqesësh kërkesë, nuk është e arsyeshme, por një poshtërim i kotë.
Në qoftë se do të kishte qenë Saidi i Vjetër, ai do të thonte si Antere:
“Edhe uji i jetës bëhet Ferr (Xhehennem) nëpërmjet poshtërimit, ndërsa Ferri me dinjitet bëhet një vend krenarie.”
Saidi i Vjetër nuk ekziston më, ndërsa Saidi i Ri “e quan të pakuptim madje edhe të folurit me njerëzit e dhënë vetëm pas kësaj dynjaje, le të jetë dynjaja e tyre fundi i tyre!” Ata mund të bëjnë çfarë të duan. Ai rri i heshtur, duke thënë, ne do të gjykohemi së bashku me ta në Gjyqin e Fundit.
Arsyeja e tetë për mosparaqitjen e kërkesës sime: Në përputhje me rregullin, “rezultati i një dashurie të paligjshme është torturë e pamëshirshme,” Kaderi Hyjnor, i cili është i drejtë, më torturon mua nëpërmjet dorës despotike të njerëzve të dhënë vetëm pas dynjasë, për shkak se unë prirem drejt tyre, pasi ata nuk janë të denjë për të, dhe duke thënë, unë e meritoj këtë torturë, unë rri i heshtur, sepse në Luftën e Parë Botërore unë luftova dhe shërbeva për dy vjet si komandant i një regjimenti vullnetarësh. I brohoritur dhe i lavdëruar nga komandanti i përgjithshëm i ushtrisë dhe nga Enver Pasha, unë sakrifikova studentët e mi të çmuar dhe shokët. Unë u plagosa dhe u zura rob.
Duke u kthyer nga mbajtja si rob lufte, unë e hodha veten time në rrezik nëpërmjet veprave si hartimi i një libri “Hutuvatë sitte” “Gjashtë hapat” duke vënë në shënjestër me të kokat e anglezëve, të cilët kishin shtypur Stambollin. Unë i ndihmova ata që më mbajtën mua pa ndonjë shkak në këtë torturë dhe zënie rob, kurse ata po më ndëshkojnë në këtë mënyrë për atë ndihmë. Ata shokë këtu më shkaktuan në tre muaj mundimet dhe vështirësitë që vuajta në tre vite si rob lufte në Rusi.Por rusët nuk më penguan nga dhënia e mësimeve fetare, pavarësisht se ata më shikonin si një komandant i ushtarëve vullnetarë kurdë, si një njeri mizor që kishte therrur kazakët (njerëz nga Rusia Jugore, Ukrahina dhe Siberia) dhe robërit e luftës. Unë u jepja mësim shumicës së shokëve të mi të zënë robër lufte prej oficerëve, numri i të cilëve arriti nëntëdhjetë oficerë, saqë njëherë, komandanti rus erdhi e dëgjoi mësimin. Për shkak se ai nuk e njihte turqishten, ai mendoi se është instruksion politik dhe më ndaloi vetëm njëherë, por më vonë ai dha leje. Gjithashtu në të njëjtën kazermë ne bëmë një dhomë si xhami dhe unë drejtoja faljen me xhemaat si imam. Ata nuk ndërhynë fare dhe nuk më ndaluan nga përzierja dhe as nga komunikimi me të tjerët.
Ndërsa shokët e mi këtu, bashkëqytetarët e mi dhe njëfetarët -të të njëjtës fe- dhe ata që për dobitë e të cilëve në formën e besimit fetar unë jam përpjekur, më kanë mbajtur në një robëri torturuese jo për tre vjet, por për gjashtë pa asnjë arsye absolutisht, dhe megjithëse ata e dinë që unë i kam këputur lidhjet e mia me dynjanë dhe me politikën. Ata më kanë ndaluar nga përzierja me të tjerët. Ata më kanë ndaluar nga të dhënit e mësimit fetar, pavarësisht se unë kam një dëshmi për të, madje ata më kanë ndaluar edhe nga dhënia e mësimit privat në dhomën time. Ata më kanë ndaluar nga komunikimi me të tjerët. Madje ata më kanë penguar nga xhamia të cilën e riparova dhe tek e cila veprova si imam falje për katër vjet, ndonëse unë e kisha dokumentin e nevojshëm. Dhe tani, për të më privuar nga sevapi i kryerjes së faljeve me xhemaat, ata nuk më pranojnë si imam falje as për tre individë të thjeshtë, xhematin tim të përhershëm dhe vëllezërit e Ahiretit.
Përveç kësaj, pavarësisht se unë nuk e dëshiroj, në qoftë se dikush prej tyre më quan të mirë, nëpunësi zyrtar i cili më mban mua nën arrest bëhet xheloz dhe zemërohet, dhe përpiqet me të gjitha mënyrat, pa e vrarë ndërgjegjja, për të shkatërruar influencën time, me qëllim që t’u bëjë lajka eprorëve të tij e që të përfitojë prej tyre.
Kujt mundet dikush në një pozitë të tillë t’i drejtohet për ndihmë përveç Zotit të Plotfuqishëm? Në qoftë se gjykatësi është gjithashtu pretenduesi, natyrisht atij nuk mund t’i ankohesh. Hajde, thuaje ti! Çfarë mund t’i themi kësaj? Thuaj çfarë të duash, ndërsa unë them këtë: Ndodhen shumë hipokritë midis këtyre shokëve të mi. Hipokriti është më i keq se sa mohuesi. Për këtë arsye, ata më bëjnë të vuaj torturë çka nuk më bënë mua të vuaja as rusët ateistë…
Dhe kështu, o ju fatkëqinj! Çfarë u kam bërë dhe çfarë jam duke bërë? Unë po përpiqem të shpëtoj besimin tuaj dhe po i shërbej lumturisë suaj të përjetshme! Duket se shërbimi im nuk është ende i sinqertë dhe thjesht për hir të All-llahut xh.sh., dhe prandaj ai ka efektin e kundërt. Si shpërblim, ju më torturuat mua në çdo rast. Sigurisht, ne do të takohemi në Gjyqin e Fundit, në Gjykatën më të madhe…
Dhe unë them:
“All-llahu vetëm na mjafton neve dhe për ne Ai është Rregulluesi më i mirë i punëve.”[11] “All-llahu është Mbrojtësi më i mirë, dhe më i Miri i Ndihmuesve!”[12]
I Qëndrueshmi i vetëm, Ai është i Qëndrueshmi i Vetëm!
Said Nursi
* * *
[1] Kur’an, 3: 173
[2] Kur’an, 20:44
[3] Kur’an, 40: 44
[7] Kur’an, 12: 53
[8] Kur’an, 2: 286)
[9] Arsyeja për këto “meqenëseve” është kjo: Unë nuk u jap rëndësi padrejtësive dhe tiranisë që janë bërë kundra personit tim dhe nuk u kushtoj vëmendje. Unë them: “Nuk ia vlen të shqetësohesh për to”; dhe nuk ndërhyj në çështjet e dynjasë.
[10] Kur’an, 17: 44)
[11] Kur’an, 3: 173
[12] Kur’an, 8: 40