Faljes së namazit në përputhje me farzet dhe vaxhibet, me sunetet dhe etikën e tij, në gjuhën e ilmihalit i thuhet “sifatu’s salat”. Personi që do të falë namaz, pasi ka marrë abdes dhe është drejtuar nga kibla, ngre duart dhe, duke bërë nijet, thotë “Allahu Ekber” dhe i lidh duart. Pastaj këndon Subhaneken:
“Subhaneke’llahumme ue bihamdike ue tebarekesmuke ue teala xhedduke ue la ilahe gajruke.”
Kuptimi shqip: “I madh je, Allahu ynë, dhe i lavdëruar! Emri yt është i bekuar, qenia jote është mbi gjithçka, zot tjetër veç Teje s’ka!”
Po qe se personi që falet nuk është lidhur pas imamit por falet individualisht, thotë “Eudhu bil’lahi minesh shejtani rraxhim. Bismil’lahi Rrahmani Rrahim” dhe këndon Fatihan, në fund të së cilës thotë “Amin!”. Në vijim këndon një sure ose një ajet të gjatë ose tre ajete të shkurtra. Pastaj thotë “Allahu Ekber” dhe shkon në ruku. Pasi thotë të paktën tri herë “Subhane rabbijel adhim”, drejtohet duke thënë “Semiallahu limen hamideh” dhe, në qëndrimin drejt, thotë “Rabbena lekel hamd”. Pastaj thotë “Allahu Ekber” dhe bie në sexhde. Po të mos ketë pengesa trupore, mbështet me radhë në tokë gjunjët, duart dhe fytyrën, kurse kur kthehet për në kijam, bën të kundërtën. Në sexhde thotë të paktën tri herë “Subhane rabbijel a’la”. Pastaj, duke thënë “Allahu Ekber”, ngrihet për në ndenjjen e ndërmjetme, pastaj, duke thënë përsëri “Allahu Ekber”, bie në sexhden e dytë ku thotë të paktën tri herë “Subhane rabbijel a’la” dhe, duke thënë “Allahu Ekber”, ngrihet për në rekatin e dytë.
Edhe rekati i dytë është si i pari, vetëm se nuk ka ngritje duarsh, Subhaneke dhe Eudhu. Pasi të jetë ngritur në këmbë, personi këndon Besmele, Fatihan, në fund të së cilës thotë “amin” dhe shton një sure ose disa ajete. Pastaj bën rukunë dhe sexhdet si në rekatin e parë dhe në fund ulet ndenjur ku këndon lutjen “Tehijjat”:
“et-tehijjatu lil’lahi ue’s salavatu ue’t-tajjibatu. es-selamu alejke ejjuhe’n-nebijju ue rahmetullahi ue berekatuhu. es-selamu alejna ue ala ibadil’lahis salihin. Eshhedu en la ilahe il’lallah ve eshhedu enne Muhammeden abduhu ue resuluhu.”
Kuptimi shqip: “Gjithë adhurimet e bëra me gojë, trup e pasuri i kushtohen vetëm Allahut! Mëshira, paqja, bekimi dhe shpëtimi qofshin mbi ty, o i Dërguari i Allahut! Paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin edhe mbi ne e mbi të gjithë robtë e mirë! Dëshmoj se s’ka zot tjetër veç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është robi dhe i dërguari i Allahut!”
Po qe se namazi është me më shumë se dy rekate, kjo është ndenjja e parë. Në këtë rast, pas Tahijjatit, personi, duke thënë “Allahu Ekber”, ngrihet për në rekatin e tretë. Ngritjen e bën duke vënë duart mbi gjunjë. Në qëndrimin në këmbë, lidh duart, këndon Besmelen, Fatihan dhe thotë “amin”. Veprimet që duhen bërë pas kësaj, paraqesin ndryshime të vogla sipas llojit të namazit (farz ose jo):
Po qe se namazi që po fal është farz, personi nuk këndon asgjë pas Fatihas dhe bën rukunë dhe dy sexhdet e rekatit të tretë. Po qe se namazi është tre rekatesh, pas dy sexhdeve ulet në ndenjjen e fundit, kurse po qe se është katër rekatesh, pas dy sexhdeve të rekatit të tretë ngrihet për në rekatin e katërt që është si rekati i tretë. Pas dy sexhdeve të rekatit të katërt, bën ndenjjen e fundit.
Po qe se namazi që po fal nuk është farz, personi, në ndryshim nga namazi farz, në rekatin e tretë, pasi këndon Fatihan dhe thotë “amin”, këndon edhe një sure ose disa ajete. Pastaj bën rukunë dhe dy sexhdet dhe ngrihet për në rekatin e katërt i cili është si i treti. Pas sexhdeve të rekatit të katërt, personi ulet për në ndenjjen e fundit. Kjo është si ndenjja e fundit në fund të namazeve me dy rekate dhe në fund të namazeve me tre rekate. Në ndenjjet e fundit, pas Tahijjatit këndohen salavati e lutjet, dhe në fund jepet selam.
Salavati është kështu:
Allahumme sal’li ala Muhammedin ue ala ali Muhammed, kema sal’lejte ala Ibrahime ue ala ali Ibrahim. Inneke hamidun mexhid.
Allahumme barik ala Muhammedin ve ala ali Muhammed, kema barekte ala Ibrahime ve ala ali Ibrahim. Inneke hamidun mexhid.
Kuptimi shqip: “Allahu ynë! Mëshiroje Muhamedin dhe familjen e tij siç e mëshirove Ibrahimin dhe familjen e tij! Pa dyshim, Ti je i madh e i denjë për lavdërim!”
“Allahu ynë! Bekoje Muhamedin dhe familjen e tij siç e bekove Ibrahimin dhe familjen e tij! Pa dyshim,Ti je i madh e i denjë për lavdërim!”
Lutjet: Në ndenjjen e fundit, lutjet që bëhen pas salavatit, mund të citohen si nga ajetet, ashtu dhe nga hadithet.
Modele të lutjeve të cituara nga ajetet:
“Rabbena atina fid dunja haseneten ve fil ahireti haseneten ue kina adhaben nar, bi rahmetike ja erhamer rrahimin.” (Bekare, 2/201)
Kuptimi shqip: “Zoti ynë! Na jep të mira në këtë botë dhe të mira në jetën tjetër dhe na ruaj prej ndëshkimit të zjarrit! O më mëshiruesi i mëshiruesve, mëshira është e jotja!”
“Rabbixh’alni mukimes salati ve min dhurrijjeti rabbena ue tekabbel dua. Rabbenagfir li ve li validejje ve lil mu’minine jeume jekumul hisab.” (Ibrahim, 14/40-41)
Kuptimi shqip: “Zoti im, bëmë mua dhe pasardhësit nga soji im ndër ata që falin namaz rregullisht. Zoti ynë, na e prano lutjen! Zoti ynë! Na fal mua, prindërit e mi dhe të gjithë besimtarët ditën kur do të japim llogari!”
“Rabbena la tuzig kulubena ba’de idh hedejtena ve heb lena min ledunke rahmeten inneke ente’l-vehhab.” (Al-i Imran, 3/8)
Kuptimi shqip: “Zoti ynë, mos na i shmang zemrat pasi të na kesh shtyrë në rrugë të drejtë dhe na dhuro mëshirë prej Teje; Ti je dhuruesi më i madh!”
Modele të lutjeve të cituara nga hadithet:
“Allahumme inni eudhu bike min adhabil kabri ue eudhu bike min fitnetil mesihid dexhxhali ue eudhu bike min fitnetil mahja ue fitnetil memat”
Kuptimi shqip: “Allahu im, Mbështetem tek Ti nga mundimi i varrit! Allahu im, mbështetem tek Ti nga e keqja e dexhalit!” Allahu im, mbështetem tek Ti nga e keqja e jetës dhe e vdekjes![1]”
“Allahumme inni eudhu bike minel me’themi uel magrem.”
Kuptimi shqip: “Allahu im, mbështetem tek Ti nga borxhi dhe mëkati![2]”
[1] Buhari, Ezan, 149; Muslim, Dhikr, 49.
[2] hari, Deavat, 39; Muslim, Dhikr, 48.