Fjala “ashura” vjen nga arabishtja dhe rrjedh nga rrënja “ashr”, që në gjuhën arabe do të thotë dhjetë. Ashura është dita e dhjetë e muajit Muharrem, sipas kalendarit hënor. Sipas një transmetimi të Abdullah bin Abasit(r.a)[1], kur profeti Muhamed a.s. erdhi në Medine, vuri re se hebrenjtë mbanin agjërim ditën e ashuras dhe pyeti për shkakun. Ata iu përgjigjën: “Kjo është një ditë e madhe. Në këtë ditë Allahu e shpëtoi Musain dhe popullin e tij nga dhuna e Faraonit. Si falënderim për këtë, profeti Musa e agjëroi. Edhe ne për respekt e agjërojmë”. I dërguari i Allahut a.s. u shpreh: “Ne e nderojmë më shumë se ju profetin Musa a.s.”. Duke mbajtur edhe vetë agjërim urdhëroi popullin e tij të agjërojë ditën e ashuras[2].
Pasi u bë obligim agjërimi i Ramazanit, Hz. Muhamedi a.s. solli një tjetër koncept për këtë temë duke thënë: “Pa dyshim që ashura është njëra nga ditët e Allahut. Ai që dëshiron të agjërojë dhe kush nuk dëshiron, le të mos ta agjërojë”[3]. Agjërimi i ashuras është sunet, por, Profeti ynë i nderuar na këshillon që së bashku me ditën e dhjetë të Muharremit, të agjërohet edhe dita e nëntë ose e njëmbëdhjetë, ose të tria pa shkëputje. I dërguari i Allahut a.s. në një thënie të tij thotë: “Dallohuni nga tradita e hebrenjve, duke agjëruar një ditë para ose ditën pasuese të ashuras”[4], ndërsa në vitin e fundit të jetës së tij mësohet të jetë shprehur: “Nëse jetoj edhe vitin që vjen, do të agjëroj ditën e nëntë dhe të dhjetë”[5].
Katade transmeton se sahabët e kanë pyetur Profetin a.s. për agjërimin e ashuras dhe ai u ka thënë: “Agjërimi i ditës së ashuras i shlyen gjynahet e vitit të kaluar”[6]. Ndërsa Xhabiri transmeton se i dërguari i Allahut ka thënë: “Kush është bujar me veten dhe me familjen e tij ditën e ashuras, Allahu do të jetë bujar me të gjithë vitin”[7].
Dijetarët e kanë përmendur agjërimin e ditës së ashuras në tre mënyra:
1- Agjërimi i tre ditëve 9, 10 dhe 11 të muajit Muharrem.
2- Agjërimi në ditën e 9 dhe të 10 të këtij muaji.
3- Agjërimi vetëm në ditën e 10 të muajit Muharrem. [8]
Në lidhje me vlerat e Ditës së Ashures kanë ardhur disa rrëfenja.
Në veprën “MUKÃSHEFETUL KULÙB”.Të Dijetarit më të shquar Islam Imam AL GAZALIT
janë përmendur shumë hadithe për vlerën e kësaj Dite ,dhe midis tyre raportohet se:
-Në ë Ditën e Ashures Zoti Xh.Sh. e fali Ademin a.s për mëkatin që bëri;
– Pikërisht në këtë ditë u krijua Ademi a.s dhe po në këtë ditë hyri në Xhennet.
– Në këtë ditë Zoti Xh.Sh. krijoi Arshin, Kursin, Qiejt dhe tokën, Diellin, Hënën dhe Yjet.
– Në Ditën e Ashures u lind Profeti Ibrahim Halili a.s.
Dhe po në këtë ditë u shpëtua nga zjarri.
– Në këtë ditë u lind Hazreti Isai dhe po në këtë ditë u ngjit në qiell.
– Në këtë ditë u ngrit në një pozitë të lartësuar IDRIZI a.s.
– Në këtë ditë Anija e Nuhut a.s ndaloi në Malin EL XHUDIJ; dhe tregojnë Dijetarët se meqë kishte
mungesë ushqimi kur ndaloi Anija ata që shpëtuan filluan të kërkonin në çdo cep të Anijes për të
gjetur drithëra ,grurë, misër, tërshërë, etj. Dhe u përgatit dhe u shpërnda ëmbëlsira karakteristike e
quajtur ‘ASHURE’ që përbëhet nga lloje të ndryshme drithërash.
– Në këtë ditë Hazreti Sulejmanit iu dha mbretërimi ndaj Hebrenjve.
– Në këtë ditë doli Junusi a.s nga Barku i Balenës.
– Në këtë ditë u nxorr nga Pusi Hazreti Jusufi a.s.
– Në këtë ditë iu kthye shikimi H.Z Jakubit a.s. pasi i pati humbur kur i humbi Jusufi a.s.
– Në këtë ditë iu rikthye shëndeti H.Z. Ejubit a.s. pas një sëmundje të madhe e të gjate.[9]
/zell.al
[1]. Sahab i Profetit (a.s)
[2]. Muslimi.
[3]. Buhariu, Muslimi.
[4]. Buhariu.
[5]. Muslimi, Ebu Daudi.
[6]. Muslimi.
[7]. Bejhakiu.
[8]. Kmsh.al – Dorian Demetja
[9]. Imam Gazali, Mukashefetu’l-Kulub