Profeti ynë i nderuar (pqmT) është shprehur se lutja që ka bërë vazhdimisht për umetin e Tij, që atij të mos i ndodhë asnjë fatkeqësi gjithëpërfshirëse dhe të mos mbetet asnjëherë nën sundimin e të tjerëve, iu pranua, kurse lutja që bashkësia e Tij të mos binte asnjëherë në mosmarrëveshje dhe të mos përçahej ndonjëherë nuk iu pranua.[1]Cila është e përbashkëta e pikave të përmendura dhe cilat janë mesazhet që japin ato?

    Kurani Fisnik u ka dhënë një vend të veçantë historive nga jeta e profetëve që njerëzit të marrin shembull e të nxjerrin mësime prej tyre. Një prej temave që shfaqet më së shumti në to është ajo e shkatërrimit të popujve që nuk u kanë besuar profetëve që u janë dërguar.Populli i Nuhut (a.s.) qe shkatërruar me një stuhi të jashtëzakonshme, se kishin ngulur këmbë në mohimin dhe padrejtësitë e tyre të vazhdueshme; populli i Hudit (a.s.) me një ciklon ogurzi[2], populli i Salihut ulërimë e stërfortë dhe shurdhuese[3], ndërsa populli i Sodomës dhe Gomorrës qe kthyer përmbys.

Nuk e dimë, nëse fatkeqësitë hyjnore që u janë dërguar këtyre popujve kanë qenë të kufizuara vetëm për bashkësi e hapësira gjeografike të caktuara apo kanë qenë të atilla që përfshinin krejt njerëzimin. Mirëpo, po të kihet parasysh se profetët e dërguar para Profetit Muhamedit (pqmT) u janë dërguar vetëm një bashkësie të caktuar, mund të themi se edhe ndëshkimi që u ka ardhur nga ana e Allahut (xh.xh.) ka qenë gjeografikisht i kufizuar. Kështu që, meqë janë shkatërruar gjithë njerëzit që nuk i kanë besuar profetit të dërguar dhe që kanë këmbëngulur në mosbesimin dhe padrejtësitë e tyre, i bie që edhe ndëshkimi t’i jetë dërguar veçanërisht atij populli. Mirëpo, ngaqë Vula e Profetëve, Profeti ynë i dashur (pqmT) i është dërguar mbarë njerëzimit,[4] sipas ligjësive të Allahut (xh.sh.), do të ndëshkoheshin tëgjithë ata që s’do të lëviznin prej mosbesimit të tyre dhe që s’do të hiqnin dorë prej mosbesimit të tyre.

Lutja e pranuar

Edhe i Dërguari i Allahut (s.a.s.), pikërisht për këtë arsye është lutur, që umeti i Tij të mos ndëshkohet me ndonjë fatkeqësi a ndëshkim të tillë. Edhe ajeti: “Për aq kohë që ti do të jesh në mesin e tyre, Allahu nuk i shkatërron ata. Për sa kohë ata i pendohen Allahut, Ai nuk i shkatërron ata.”[5]– tregon se lutja e Tij është pranuar.

Ju e dini se situatat e veçanta që kanë të bëjnë me profetësinë e Profetit tonë quhen ndryshe edhe situatat profetike. Sipas kësaj, për sa kohë që i Dërguari i Allahut do të jetë mes umetit gjatë jetës së Tij të bekuar dhe u qëndron atyre mbi krye, ata nuk do të shkatërrohen si shumë popuj të profetëve të tjerë. E marrë në kuptim të parë, përmbajtja e këtij ajeti nuk lë vend për interpretim. Mirëpo në njëlexim semiotik, ajeti mund tëna shfaqet edhe me një përmbajtje të këtillë: për sa kohë që Profeti do të jetë i gjallë në zemrat e njerëzve, Allahu (xh.xh.) nuk do t’i ndëshkojë ata siç ka bërë me popuj të tjerë para tyre. Nëse në mesim e myslimanëve gjallon një shpirt i shëndoshë prej Muhamedi (s.a.s.), Allahu i Madhërishëm (s.a.s.) do ta ruajë e do ta falë umetin e Krenarisë së Njerëzimit, njëlloj siç i pati ruajtur e falur ata gjatë kohës kur Ai ishte ende në jetë. Do t’i falë, do t’i mbrojë, do t’i udhëzojë dhe do t’i mbajë ata nën përkujdesjen e Vet.

Në vijim të ajetit thuhet se një ndër arsyet që do t’i mbrojë besimtarët prej shkatërrimit dhe ndëshkimit hyjnor është edhe pendesa e tyre e vazhdueshme. Umeti islam, nëse do t’i kthehet menjëherë të drejtës e do të pendohet pas çdo gabimi apo mëkati, Allahu (xh.xh.) do t’i privojë ata prej çdo lloj fatkeqësie që mund t’u vijë nga e majta apo nga e djathta, nga poshtë apo nga lart. Me pak fjalë, Allahu (xh.sh.) e ka pranuar lutjen e Profetit tonë (s.a.s.) që të mos e shkatërrojë asnjëherë umëtin e Tij, ndaj edhe Kurani i ka dhënë një vend të veçantë asaj, ndërsa historia e ka dëshmuar këtë fare hapur.

Robërime kalimtare në rikthimin e vazhdueshëm të historisë

Së dyti, të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) i është pranuar edhe lutja që myslimanët të mos gjenden asnjëherë nën pushtimin e një tjetër vendi. Me sa duket, Ai (pqmT) e ka parë gjithçka me shikimin e Tij të përtej kësaj bote, se myslimanët do të qëndrojnë edhe të pushtuar, por kjo s’ka për të zgjatur përgjithnjë. Si përfundim, vetëm katër-pesë shekuj pas Tij, myslimanët do të përballeshin me kryqëzatat, pas tyre mongolët, të cilët patën pushtuar Bagdatin që asokohe ishte qendra e prijësit të myslimanëve. Mirëpo asnjëra syresh nuk ka zgjatur përgjithnjë dhe nuk i ka tjetërsuar ata.Nuk kanë qenë asimiluese as pushtimet e kryqtarëve, as ato të mongolëve, e aq më pak ato të të tjerëve më vonë.Ka ardhur një ditë dhe me lejen dhe ndihmesën e Allahut (xh.sh.) ato kanë marrë fund.

Kryqtarët, të cilët patën rënduar shumë mbi botën islame, prekën sa Alparsllanin, sa Melikshahun, sa Këllëçarsllanin, mirëpo qe kthyen po ashtu siç kishin ardhur. Mandej Allahu (xh.sh.) i pati fuqizuar Selçukët, duke u dhënë atyre një mundësi të veçantë që të ishin tëngarkuar me një mision tejet të rëndësishëm përsa i përket fatit të Islamit.

Ndërkohë që, në periudhën kur Selçukët nuk kishin ç’të bënin më, të paralizuar krejtësisht prej kryengritjeve babaite, një kohë që ngjante të ishte koha e perëndimit të fuqisë së tyre, në gjirin e Sogutit, njësoj si metamorfoza e vemjes që kthehet në flutur, në gjirin e rruzullit po merrte trajtë një organizim i tjetërfartë. Po, është e vërtetë që osmanët kanë qenë si një nënstacion sigurie për veriun e botës islame dhe kanë qenë pikërisht ata që e kanë ruajtur atë. Siç vërehet edhe në fjalët e Malik ibni Nebiut, se nëse në veri të botës islame nuk do të gjendeshin osmanët, sot nuk do të bëhej dot fjalë për botë islame. Asnjë popull nuk e ka pasur mundësinë që ta mbajë shtetin në këmbë e të fortë për plot katër shekuj me radhë, as romakëve, as kinezëve dhe as indianëve.

Edhe në ditët tona, bota islame po përjeton sërish një varg pushtimesh dhe sundimesh të një tjetër kornize. Pushtimet, të cilat në të shkuarën realizoheshin nëpërmjet përdorimit të dhunës dhe forcës, sot bëhen duke u përdorur marioneta nga brenda botës islame. Nga duart e këtyre marionetave drejtohet sot e tërë gjeografia islame.Në mesin e myslimanëve zgjidhen posaçërisht ato karaktere tiranike që janë më të prirura për t’u shërbyer të tjerëve dhe sajë tyre bëhet e mundur që bota islame të mbahet vazhdimisht nën sundim.

Mirëpo, ngase në gjithë historinë e njerëzimit janë përjetuar sa e sa herë përsëritje të vazhdueshme të historisë, me lejen e Allahut (xh.sh.) edhe pas kësaj populli do ta fitojë sërish pavarësinë dhe t’i marrë vetë në duar frerët e fatit të vet, duke bërë kësisoj që koha e tiranisë të marrë fund. Kush e di, se sa e sa milingona do t’i bëjnë edhe njëherë njësh me tokën sarajet e faraonëve, e cilat mushkonja do t’i plandosin në tokë edhe njëherë Nemrudët. Sepse i Dërguari i Allahut (s.a.s) i është lutur Allahut (xh.sh) për këtë dhe Ai i është përgjigjur duke ia pranuar lutjen. I ka dhënë sihariqin: “Nuk do ta lë umetin tënd që të pushtohet ndonjëherë përgjithnjë.

Burimi i përçarjes: mangësitë njerëzore

Si përfundim, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) e ka parë me syrin e tij edhe pas të panjohurës, me horizontin e Tij të tejlargët dhe zgjuarsinë e Tij profetike se ndjenjat e ambicies, smirës, tahmasë, mllefit, urrejtjes, konkurrencës, dëshirës për famë, për post dhe për t’u përmendur e duartrokitur prej të tjerëve do t’ia përçanin umetin dhe për ta mbrojtur bashkësinë e Tij, Ai (pqmT) i është drejtuar Allahut (xh.xh.). Mirëpo kësaj lutjeje Allahu (xh.sh.) nuk i është përgjigjur.

Sepse kjo është njëçështje që duhet ta përballojnë dhe kapërcejnë vetë njerëzit me forcën e tyre të vullnetit. Edhe pse Allahu (xh.sh.) nuk e ka refuzuar plotësisht këtë lutje të të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) dhe edhe pse nuk thotë: – “Jo! Unë do t’i ngatërroj ata me njëri-tjetrin, do t’i bëj që të hahen e të grihen me njëri-tjetrin.” – Ai (xh.sh.) tregon se ua ka lënë në dorë vullneteve të tyre që të jetojnë dot ose jo të njësuar e të bashkuar.Sepse Allahu i madhërishëm nuk i ka krijuar njerëzit si kafshë; nuk i ka krijuar as si bimë, që t’i ngulësh diku e të qëndrojnë aty pa bërë fjalë, por i ka krijuar pikërisht si njerëz sepse u ka falur vullnet. Si rrjedhojë, njeriu duhet të përballet vazhdimisht me ndjenjat negative si ambicia, urrejtja, mllefi a mosdurimi dot i tjetrit duke përdorur vullnetin që i është falur, që të mund të përparojë e të bëhet më i mirë. Me fjalë të tjera, të qenët të njësuar e të bashkuar është diçka që nuk u është dhënë e mirëqenë umetit të profetit Muhamed (pqmT).Megjithatë, Allahu (xh.sh.) ua ka dhënë këtë mundësi me kushtin e vetëm që ata në realitet të përdorin vullnetin e tyre.

Për rrjedhojë, nëse myslimanët duan me të vërtetë që të kuptohen, të merren vesh dhe të mund të bashkëjetojnë me njëri-tjetrin, duhet të dinë si t’ua hapin zemrën e tyre gjithkujt, njësoj si Shah Gejlani, si Ebu’l Hasan Shazeliu, si Mevlana apo Bediuzamani i nderuar. Ata, edhe për ato gjëra që janë e drejtë e tyre duhet të sillen të paduar me atë që i godet, të pagjuhë me atë që i shan, sikur të mos kishin fare zemër me këdo që përpiqet t’ua thyejë zemrat. Duhet të dinë se si t’i mbajnë përherë të hapura zemrat që aty të mund të hyjë kushdo. Vetëm kur ta kenë përdorur siç duhet vullnetin do të kenë mundësi që ta ndërtojnë edhe njëherë bashkimin dhe bashkëjetesën në këtë botë. Ndërsa në jetën e përtejme do të përballen me sa e sa mirësi të papërshkrueshme të Allahut (xh.sh.). Kthimi i përpjekjes dhe vendosmërisë në këtë botë në tjetrën ka për të qenë krejt i ndryshëm.

Njësoj si raketa në platformën e saj…

Ashtu siçpërdorimi i vullnetit nga ana e njeriut kundër dëshirave epshore të palejueshme e kthen njeriun në një shembull ndershmërie, edhe të mos tregosh zili dhe smirë për mirësitë që mund t’i jenë dhënë dikujt, të mos tregosh ambicie për t’ia kaluar të kthen në një hero të mospritmërisë. Po ashtu, në mënyrë që të mund të arrihet njësimi dhe bashkimi mes njerëzve, është e domosdoshme që njeriu ta përdorë siç duhet vullnetin e tij dhe të përfaqësojë një mënyrë të jetuari përtej vetes. Kështu, ai mund të kthehet në një shtatore të virtytit.

Po mund të ndodhë edhe që një varg njerëzish, të cilët megjithëse pretendojnë se janë besimtarë, t’ju bëjnë njëmijë e një të këqija që juve mund të mos ju shkojnë as ndërmend.Mund t’ju hedhin gurë e gjemba në rrugën nga ecni ju.Mund të kërkojnë që t’ju tëhuajëzojnë krejtësisht në sytë e shoqërisë. Mirëpo, nëse ju jeni të prirur për të qenë secili nga një shtatore virtyti për hir të njësimit dhe të qenit përherë të bashkuar, atëherë duhet të bëni sikur nuk e keni parë asnjërën syresh, do të thoni veç “Do të kalojë edhe kjo një ditë, o Zot!” dhe do të vazhdoni rrugën tuaj. Kur të rrëzohen të gjitha urat e rrugës nga ecni, atëherë duhet të dini që të ndërtoni ura të tjera me litarë e me dru dhe me lejen e ndihmesën e Allahut (xh.sh.) pa u përçarë me njëri-tjetrin siç bëjnë ata që e kanë kthyer përçarjen në tipar të karakterit të tyre, do të vazhdoni rrugën tuaj.

Do të vijë një ditë, që disa nga ata që ju kanë bërë sot këto të këqija do të pendohen. Është shumë e rëndësishme, që kur të vijnë të penduar, t’ju gjejnë sërish atje ku ju kanë lënë. Madje, kur të vijnë e t’ju kërkojnë ndjesë, ju duhet të tregoheni sërish xhentilë, duke u thënë: “Esta’firullah! Ne nuk dimë asgjë për këto. Përkundrazi, ne ju kemi ndierë përherë sikur ju kemi pasur në anën tonë.”

Kur e vërteta është se ata, prej zilisë dhe xhelozisë, qenë hedhur me kilometra larg jush. Do të kenë qenë ata që kanë thënë: “Pengojeni lëvizjen e tyre. Mos i lini të marrin frymë. Tregojuani mirë qejfin.” Dhe do t’i kenë thënë të gjitha këto pa pasur kurrfarë arsyeje apo nevoje. Mirëpo, ajo që i çonte ata drejt kësaj ishte ndjenja e konkurrencës, xhelozia, zilia.Edhe tek më të pafajshmit gjendet një ndjenjë e hollë egoizmi.Edhe ata përpiqeshin që të ndanin për veten dhe t’i ndanin gjërat me të tjerët. E ja pra, udhëtari i së drejtës edhe këto duhet të bëjë sikur s’i sheh dhe duke sikur të mos kish ndodhur asgjë, të qëndrojë veç në pozicionin e vet sepse kjo është virtyt për të.

Ta lexosh saktë natyrën njerëzore

Megjithatë, nuk do harruar se jo gjithnjë do të jetë e mundur ruajtja e njësimit dhe e të qenit të bashkuar, pasi do të ketë herë-herë edhe raste kur njerëzit do të kenë mosmarrëveshje me njëri-tjetrin. Sepse njeriu është krijuar për nga natyra i tillë. Kështu që, edhe ne, për t’ia dalë që të mund ta sigurojmë bashkimin, megjithëse e dimë se jemi duke ecur të gjithë drejt qëllimesh tejet të epërme, duhet ta pranojmë si një realitet faktin se një ditë mund të përballemi me sjellje fare të papritura, në mënyrë që kur tëna ndodhin, të mos e humbim shpresën.

Disa mund të thurin lidhje të forta vëllazërore me njerëzit, si Ebu Bekri, Omeri, Osmani dhe Aliu i nderuar (r.a.), për ta ruajtur të gjallë shpirtin e njësimit dhe të të qenit të bashkuar. Të lidhur porsi një kështjellë e fortë prej plumbi.Tevona, një lidhje dhe një bashkim i këtillëishte ndërtuar mes sahabëve fisnikë të të Dërguarit të Allahut (pqmT).Edhe mes atyre që bënin pjesë në radhën e parë të nxënësve të Bediuzamanit një lidhje e këtillë ishte formuar.Mirëpo, me kalimin e kohës, ngase në të tërën u përzien edhe botëkuptime të ndryshme dhe pikëvështrime të tjera filozofike, nuk mund të thuhet se u arrit dot që të ruhej e njëjta pastërti.

Po, çdo njeri mund të ketë mangësi.Disa mund të shfaqin nganjëherë edhe sjellje të atilla që e prishin harmoninë e brendshme të grupit ku bëjnë pjesë. Disa mund të bëjnë edhe gabime apo të bien në mëkate që do ta tronditnin ekuilibrin e përgjithshëm. Disa të tjerë mund të ndodhë që ta shkrijnë fare egon e tyre qëështë ngurtësuar e ftohur si një copë akulli, por mund të mos e rrokin dot vetëdijen e ndërtimit të një të tëre të bashkuar. Kësodore, detyrat që na bien neve përsipër përballë të gjitha këtyre janë: t’i vlerësojmë gjërat me thellësi ndërgjegjeje, të mos i largojmë njerëzit nga vetja duke u nxehur me ta për shkak të të metave apo gabimeve të tyre; përkundrazi, të përpiqemi që t’i fitojmë ata ërish, të tregohemi sa më paqtues në sjelljet tona dhe kështu të përpiqemi që ta çojmë sa të mundim përpara këtë punë të cilën e kemi trashëguar si amanet prej atyre që e kanë kryer para nesh.

Pasi edhe Kurani fisnik, në shumë prej ajeteve të Tij, u kërkon besimtarëve që ta gjykojnë të keqen me të mirë, duke qenë falës dhe tolerantë. Kësisoj na duhet që të ecim në përputhje me këtë disiplinë me të cilën na ka këshilluar Allahu (xh.sh.), duke u përpjekur që të mos i shohim asnjëherë mangësitë. Në të kundërt, shumë njerëz do t’i trembim dhe, për rrjedhojë, do t’i humbasim. Kjo, mandej, do të dëmtojë çdo punë të mirë që do të jetë bërë në emër të marrjes së pëlqimit të Allahut (xh.sh.). Kështu, nëse duam që ta ruajmë shpirtin e të qenit një dhe të bashkuar, nuk duhet që ta hedhim menjëherë mënjanë dikë vetëm për hir të një mangësie që ai mund të ketë, përkundrazi, na duhet të gjejmë rrugët që shkojnë për në zemrën e secilit prej njerëzve, që të mund t’u qasemi dhe t’u tregojmë shpirtin tonë me dhembshuri.

M. F. Gylen

 

[1] Tirmidhiu, fiten 14; Ibni Maxhe, fiten 9.
[2] Shih: Araf, 7/71
[3] Shih: Kamer, 54/31
[4] Shih: Sebe, 34/28
[5] Enfal, 8/33

https://fgulen.com/al/veprat/shtamba-e-thyer/edhe-njehere-njesim-dhe-bashkim