“Me Emrin e Tij, të Cilit i takon lavdërimi! “Dhe s’ka gjë që të mos e lëvdojë lartësinë e Tij.”[1]
Në veprën e tij Mektubat, Imam Rabbani[2] r.a., heroi dhe një diell i Tarikatit Nakshibendi ka thënë: “Unë preferoj zbulimin dhe qartësimin e një çështje të vetme të së vërtetës së besimit mbi mijëra ndriçime, ëndje të thella dhe shembuj kerametesh.”
Ai gjithashtu tha: “Pika përfundimtare e të gjitha tarikateve të Sufizmit është sqarimi dhe zbulimi i të vërtetave të besimit.”
Ai gjithashtu tha: “Shenjtëria është tre llojesh: “Njëra është shenjtëria më e vogël; e cila është shenjtëria e mirënjohur. E dyta është shenjtëria e mesme, dhe lloji i tretë është shenjtëria më e madhe. Shenjtëria më e madhe është hapja e rrugës për tek e vërteta në mënyrë të drejtpërdrejtë, pa hyrë në botën e ndërmjetme të Sufizmit dhe kjo nëpërmjet trashëgimisë së profetësisë.”
Ai gjithashtu tha: “Udhëtimi shpirtëror në tarikatin Nakshibendi ecën me dy krahë.” Domethënë, “Nëpërmjet pasjes besim të qëndrueshëm në të vërtetat e imanit dhe duke zbatuar detyrimet fetare. Në qoftë se ka mangësi në këto dy krahë, rruga nuk mund të kalohet.” Domethënë, tarikati Nakshibendi ka tri mbulime;
- E para dhe më e rëndësishmja është shërbimi i drejtpërdrejtë i të vërtetave të besimit; Imam Rabbani r.a. e përshkoi këtë rrugë në vitet e tij të fundit.
- E dyta është shërbimi ndaj farzeve (detyrimeve) fetare dhe sunnetit profetik nën perden e Tarikatit Sufi.
- E treta është të punosh për të eliminuar e zhdukur sëmundjen e zemrës nëpërmjet Sufizmit dhe të udhëtosh me hapat e zemrës. E para e këtyre rrugëve është e barabartë me farzin, e dyta është e barabartë me vaxhibin, e afërt me farzin, dhe e e treta është sunneti.
Meqenëse realiteti i çështjes është kështu, hamendja ime është se në qoftë se një personalitet si Shejh AbdulKadir Gejlani [3]r.a. dhe Shejh Nakshibend [4] r.a. dhe Imam Rabbani r.a. do të ishin gjallë në kohën e tanishme, ata do t’i harxhonin të gjitha përpjekjet e tyre në forcimin e të vërtetave të besimit dhe të parimeve të Islamit, sepse ato janë mjetet e lumturisë së përjetshme. Në qoftë se ka mangësi në to, kjo rezulton në mjerim të përjetshëm. Një njeri pa besim nuk mund të hyjë në Parajsë, ndërsa ata që futen në Parajsë, pa Sufizëm, janë vërtetë shumë. Njeriu nuk mund të jetojë pa bukë, por ai mund të jetojë pa fruta. Sufizmi është fruti, ndërsa të vërtetat e Islamit janë buka, janë ushqimi bazë. Në kohët e hershme, ngjitja për tek disa të vërteta të imanit zgjaste nëpërmjet udhëtimit shpirtëror nga dyzet ditë deri në dyzet vjet. Por tani, nëpërmjet mëshirës së Zotit të Gjithëfuqishëm, ndodhet një rrugë për t’u ngjitur tek ato të vërteta për dyzet minuta! Nuk do të ishte e perceptueshme të mbetesh indiferent ndaj kësaj rruge!..
Kështu, ata të cilët i kanë studiuar me kujdes tridhjetë e tre “Fjalët”, deklarojnë se, ato “Fjalë” kanë hapur para tyre një rrugë Kur’anore të tillë si kjo. Meqenëse ky është një fakt, unë jam i mendimit se “Fjalët” e shkruara rreth mistereve të Kur’anit janë ilaçi më i përshtatshëm, balsami për plagët e kësaj kohe, drita më e dobishme për tërësinë e Islamit i cili është zbuluar ndaj sulmeve të errësirës dhe udhëzuesi më i vërtetë për ata që bredhin të hutuar e të çoroditur në luginat e çudhëzimit.
Ju e dini se në qoftë se çudhëzimi buron nga injoranca, kjo do të ishte e lehtë të largohej e të zhdukej. Por në qoftë se ai buron nga shkenca dhe njohja, është e vështirë të eliminohet. Në kohët e hershme, ky lloji i fundit ishte një në njëmijë, dhe nga këto vetëm një në njëmijë mund të udhëzohet, sepse njerëz të tillë pëlqejnë vetveten. Dhe megjithëse nuk dinë, ata supozojnë se dinë. Unë mendoj se Zoti i Gjithëfuqishëm ka dhuruar “Fjalët” në këtë kohë të cilat janë Shkreptimat shpirtërore të mrekullisë së Kur’anit, si një kundërhelm ndaj çudhëzimit ateist.
I Qëndrueshmi i Vetëm, Ai është i Qëndrueshmi i Vetëm!
* * *
[1] Kur’an, 17: 44
[2] Shejh Ahmed Sirhindi, gjithashtu i njohur si Imam Rabbani dhe Ahmed faruki, i njohur gjithashtu si rifreskuesi i mijëvjeçarit të dytë. Ai jetoi nga viti 1563-1624.
[3] Sejjid Abd El Kadir Gilani (Gejlani) i njohur si Gauth el-A’dham, ishte themeluesi i Tarikatit Kadir. Ai vdiq në Bagdad në vitin 561 sipas Hixhretit.
[4] Muhammed Bahauddin Nakshibend, themeluesi i Tarikatit Nakshibendi vdiq në vitin 791 (1389) në Buhara.