KONCEPTI PROFET 

Fjala arabisht resul do të thotë prijës, përfaqësues i dërguar. Kurse në terminologjinë fetare, quhet përfaqësuesi i Allahut i zgjedhur prej Tij ndër njerëzit, robtë e Tij, i nderuar me vahjin ose komunikimin hyjnor dhe i ngarkuar me detyrën për t’u përcjellë njerëzve urdhrat dhe ndalimet e Tij.

Resul ose mursel quhet profeti i dërguar te njerëzit me një libër të ri dhe me një legjislacion të ri. Shumësi i këtyre fjalëve është rusul dhe murselun. Një tjetër fjalë që në Kuran shpreh kuptimin profet, është fjala nebi. Edhe nebiu është përfaqësuesi i Allahut i dërguar te njerëzit për t’u njoftuar atyre urdhrat dhe ndalimet e Allahut, ndërkaq, i papajisur me libër dhe legjislacion të ri, por i ngarkuar me detyrën për të vazhduar kumtimin e librit dhe legjislacionit të dërguar me anë të profetit paraardhës. Shumësi i kësaj fjale është enbija. Fjalët risalet dhe nubuvvet që janë paskajore, kanë kuptimin profetësí ose institucioni profetik.

Domosdoshmëria e besimit te Profetët

Besimi te Profetët është një ndër gjashtë bazat e besimit. T’u besosh profetëve do të thotë të besosh se ata janë zgjedhur dhe dërguar nga Allahu dhe se të gjitha njohuritë e marra prej tyre nga Allahu janë të vërteta e të drejta.

Allahu ua ka bërë muslimanëve farz që t’u besojnë të gjithë Profetëve pa dallim:

“I Dërguari i besoi asaj që iu zbrit nga Zoti i tij, edhe besimtarët. Të gjithë u besuan Allahut, engjëjve të Tij, librave të Tij, të dërguarve të Tij (dhe thanë): “Ne nuk bëjmë dallim mes të dërguarve!..” (Bekare, 2/285)

Kurse në një ajet tjetër, Kurani ka bërë të ditur në mënyrë të hapur se besimi te disa Profetë dhe mosvërtetimi i të tjerëve është mohim (kufr):

“Ata që mohojnë Allahun dhe të dërguarit e Tij dhe që dëshirojnë të ndajnë Allahun nga të dërguarit e Tij, duke thënë: “Ne disa i besojmë e disa nuk i besojmë”, duke dashur që kështu të zgjedhin një rrugë të ndërmjetme, (mes besimit dhe mohimit), pikërisht ata janë mohuesit e vërtetë. Ne kemi përgatitur dënim poshtërues për mohuesit. (Nisa, 4/150-151)

 

 

Veçoritë e Përbashkëta e të Pandara të Profetëve

a) Profetët Janë Njerëz

E para specifikë që duhet të dihet mbi Profetët, është se ata janë njerëz. Fundja, këtë e bën të domosdoshëm edhe fakti që ata janë përfaqësues të dërguar te njerëzit. Sepse njeriut mund t’i shërbejë si udhëzues e prijës në çdo specifikë vetëm një njeri si ta. Kështu, në Kuran është bërë e ditur se ata janë njerëz me cilësi njerëzore si ne[1].

b) Profetët Janë Zgjedhur Nga Allahu

Profetët janë persona të veçantë të zgjedhur nga Allahu. Asnjë Profet nuk ka arritur në gradën e Profetësisë me përpjekjet e veta. Allahu e ka krijuar personin që do të bëhej Profet në mënyrë të përshtatshme për këtë detyrë për nga struktura shpirtërore e fizike dhe ka vendosur vetë se kë do ta bëjë Profet. Ky parapëlqim e kjo zgjedhje i përkasin plotësisht Krijuesit të Lartë![2]

c) Profetët Janë të Drejtë e të Besueshëm

Si në të gjitha punët e tyre të kësaj bote, si në ato të botës tjetër, janë njerëz të drejtë e të besueshëm, të cilët nuk të gënjejnë. E thënë ndryshe, janë njerëz që në asnjë mënyrë s’priren nga gënjeshtra, por që gjithmonë u sugjerojnë njerëzve besueshmëri. Edhe Allahu,[3]  edhe historia janë dëshmitarë se Profetët kanë qenë të tillë.

d) Zgjuarsia Profetike (Fetanet)

Kjo veçori që do ta quanim logjikë Profetike, është cilësi dhe karakteristikë e pandashme e çdo Profeti. Nuk është e drejtë që kjo veçori e Profetëve të identifikohet me gjenialitetin, i cili pranohet si kulm i njerëzve të zakonshëm. Sepse Profetët janë të pajisur në mënyrë të jashtëzakonshme, ata zotërojnë një zgjuarsi dhe një logjikë që i kapërcen normat njerëzore. Ata i kanë zgjidhur problemet më të vështira me lehtësinë e pirjes së kafesë.

e) Profetët Janë të Mbrojtur Nga Mëkati

Të ngarkuar me detyrën për t’u treguar rrugë njerëzve, Profetët janë mbajtur larg gabimeve dhe mëkateve që do ta trondisnin besimin dhe sigurinë në ta. Këta njerëz me pajisje të veçantë që i mbron Allahu, në asnjë periudhë të jetës nuk kanë bërë mëkat.

f) Kumtimi Identik i Zbulesës Hyjnore

Urdhrat dhe ndalimet që kanë marrë nga Allahu, Profetët ia kanë përcjellë pa mangësi shoqërisë (bashkësisë) pranë së cilës janë ngarkuar me detyrë. Për ta nuk mund të mendohet e kundërta,[4]  sepse këtë s’e lejon as Zoti i tyre, as natyra e tyre e pastër!

 

[1] Shih. Maide, 5/75; Rad, 13/38; Kehf, 18/110; Enbija, 21/7-8; Furkan, 25/7; Zumer, 39/30.

[2] Shih. En’am, 6/121.

[3] Shih. Al-i Imran, 3/161.

[4] Shih. Maide, 5/67.