“Ftesa për në Islam dhe metodologjia e ligjërimit”, botim i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, është një vepër që trajton parimet, metodat dhe përgjegjësitë e përcjelljes së mesazhit islam. I ndarë në gjashtë kapituj, libri shtjellon rëndësinë e thirrjes në Islam, cilësitë morale dhe intelektuale të kumtuesit, artin e komunikimit fetar dhe mënyrat e përshtatjes së ligjërimit me nevojat e dëgjuesve. Vëmendje e veçantë i kushtohet përgatitjes dhe strukturës së hutbes dhe vazit, si dhe detyrave të imamit dhe myezinit në jetën fetare e komunitare. Duke u mbështetur në Kur’anin Famëlartë dhe traditën profetike, vepra synon të shërbejë si një udhëzues teorik dhe praktik për imamët, predikuesit, studentët e teologjisë dhe të gjithë ata që dëshirojnë të njohin më mirë metodologjinë e komunikimit dhe edukimit islam.