Lexo Pdf

RREZJA E SHTATË

 

SHENJA MË E MADHE

Një paralajmërim i rëndësishëm dhe një sqarim

Jo gjithësecili do të jetë në gjendje t’i kuptojë të gjitha çështjet e diskutuara në këtë trajtesë tepër të rëndësishme, por askush nuk do të mbetet pa pjesë prej saj. Në qoftë se dikush do të hynte në një kopësht të madh, ai do të gjente se duart e tij nuk do t’i arrinin të gjitha frutat që ai përmban, por sasia që do të binte brenda kapjes së tij do të ishte e mjaftueshme për të. Kopshti nuk ekziston vetëm për të; ai ekziston gjithashtu edhe për ata krahët e të cilëve janë më të gjatë se të tijat.

Ndodhen pesë shkaqe të cilat e bëjnë të vështirë të kuptuarin e këtij libri.

 

Së pari: Unë i kam shkruar vëzhgimet e mia ashtu siç m’u shfaqën në përputhje me kuptimin tim, dhe i shkrova për veten time; unë nuk i kam shkruar ato në përputhje me nivelin e të kuptuarit dhe konceptimit të të tjerëve, siç është rasti me trajtesat e tjera.

 

Së dyti: Meqenëse pohimi i vërtetë i Unitetit Hyjnor është shtjelluar në këtë libër, në formën më gjithëpërfshirëse, në sajë të manifestimit të Emrit më të Madh, temat e diskutuara janë shumë të gjëra, tepër të thella dhe ndonjëherë shumë të gjata. Prandaj, jo gjithkush mund t’i përfshijë këto çështje menjëherë.

 

Së treti: Meqenëse çdo çështje përbën një të vërtetë të madhe e të shtrirë, një fjali e vetme zgjatet mbi të gjithë faqen ose edhe më shumë me qëllim që të mos thyhet e të mos copëzohet e vërteta në çështje. Një provë e vetme kërkon parathënie të shumta.

 

Së katërti: Meqenëse shumica e çështjeve të përfshira në këtë libër kanë prova dhe dëshmi të shumta, ndonjëherë diskutimi bëhet i zgjatur në fjalë nëpërmjet përfshirjes së dhjetë ose njëzet provave me anë të demonstrimit. Aftësitë e kufizuara mendore nuk mund ta kapin këtë.

 

Së pesti: Është e vërtetë se dritat e kësaj trajtese më erdhën nga shkëlqimi i muajit të bekuar të Ramazanit; veçse kjo u shkrua me nxitim dhe u mjaftova me draftin e parë. Meqenëse vuaja prej sëmundjeve, lodhjeve të ngushtësive nga drejtime të ndryshme dhe meqenëse ndjeja se ato vinin në zemrën time pa zgjedhjen dhe pa vullnetin tim, unë nuk e pashë të përshtatshme që t’i prekja, t’i rregulloja apo t’i korrigjoja ato që kisha shkruar, sipas mendimeve të mia. Prandaj trajtesa mori këtë formë e cila e ndërlikon dhe e vështirëson të kuptuarin e saj. Përveç kësaj, një numër paragrafesh në arabisht u larguan -u shuan- dhe Stacioni i Parë i shkruar tërësisht në arabisht, u hoq e u bë në një vepër të ndarë.

Pavarësisht mangësive dhe vështirësive që burojnë nga këto pesë shkaqe, kjo trajtesë ka një rëndësi të tillë saqë Imam Aliu, Zoti qoftë i kënaqur me të, në mënyrë të mrekullueshme parashikoi hartimin e saj dhe i dha asaj emrat El Ajetul Kubra, Shenja më e Madhe dhe Asa Musa Shkopi i Musait. Ai e pa këtë pjesë të Risale-i Nurit me nderim të veçantë, dhe e drejtoi shikimin e njeriut drejt saj.[1]

Kjo trajtesë është një e vërtetë prej të vërtetave të El-Ajetul Kubra dhe një koment i saj; ajo në të njëjtën kohë përbën Rrezen e Shtatë, të emëruar nga Imam Aliu si “Shkopi i Musait”.

Kjo trajtesë përbëhet nga një parathënie dhe dy stacione. Parathënia shtjellon katër çështje të rëndësishme; Stacioni i parë shpjegon nëpërmjet gjuhës arabe komentin e vërsetit më të madh;

Stacioni i dytë shpjegon provat e Stacionit të parë dhe i sqaron e i provon ato.

Shumë është shpjeguar në parathënien vijuese, por nuk ishte qëllimi im për ta zgjatur atë kështu; ajo nuk ishte me zgjedhjen time. Fakti që ajo u shkrua në këtë gjatësi tregon ekzistencën e një nevoje. Madje, disa njerëz mund ta vlerësojnë atë si shumë të shkurtër, pavarësisht gjatësisë së saj.

Said Nursi

 

* * *

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

PARATHËNIE

 

“Dhe Unë (Allahu) nuk i krijova njerëzit dhe xhindët, veçse që ata duhet të më adhurojnë vetëm Mua”.[2]

Sipas kuptimit të këtij vërseti madhështor, qëllimi për dërgimin e njeriut në këtë botë dhe urtësia e nënkuptuar në të përbëhet nga njohja e Krijuesit të të gjitha qënieve, besimi në Të dhe kryerja e adhurimit ndaj Tij. Dhe detyra e tij e natyrshme dhe obligimi që i takon atij janë: Të njohë Zotin, t’i besojë Atij; dhe ta pranojë e ta besojë ekzistencën dhe unitetin e Tij me nënshtrim dhe me siguri të plotë.

Po, njeriu i dobët i cili nga natyra e do jetën e vazhdueshme të amshuar dhe ekzistencën e pavdekshme; i cili ka shpresa të pakufishme dhe dhimbje të pafundme, duhet medoemos që të gjitha gjërat, objektet dhe plotësitë të jenë të papërfillshme e të parëndësishme për të, madje shumica e tyre të mos ketë asnjë vlerë për t’u përmendur, përveç besimit në Zotin dhe njohjes së tij dhe përveç mjeteve të cilat e çojnë atë për dore tek ai besim i cili është themeli bazë i asaj jete të amshuar dhe çelësi i saj.

Dhe meqenëse kjo e vërtetë është provuar me dëshmi të forta dhe me qartësi të plotë në Risale-i Nur, ne ia referojmë atij shpjegimin e saj duke shtjelluar këtu brenda ‘Katër Çështjeve’, vetëm dy humnera që trondisin sigurinë e besimit në këtë shekull, dhe që çojnë në ngurrim e turbullim.

Mjetet për të shpëtuar prej humnerës së parë janë këto dy çështje:

Çështja e parë:

 Ashtu siç është provuar në mënyrë të hollësishme në Shkreptimën e Trembëdhjetë të Letrës së Tridhjetë e Një, “në çështjet e përgjithshme mohimi nuk ka vlerë përballë provës dhe ai është shumë i dobët”. Për shembull, lidhur me shikimin e hënës së Re në fillimin e muajit të bekuar të Ramazanit, në qoftë se dy dëshmitarë prej njerëzve të zakonshëm e provojnë shfaqjen e hënës së re nëpërmjet shikimit e dëshmimit të tyre, dhe me mijëra fisnikë e dijetarë e mohojnë -shikimin e hënës së re- duke thënë: “Ne nuk e kemi parë hënën”, mohimi i tyre është i pavlefshëm dhe pa fuqi për të bindur. Kur është një çështje prove -vërtetimi- çdo person përforcon dhe mbështet tjetrin, dhe rezulton konsensus. Por kur është një çështje mohimi, nuk ka ndryshim apo dallim në të nëse mohimi ka buruar nga një person apo nga një mijë persona; secili person mohues mbetet i vetmuar dhe i izoluar. Sepse ai i cili provon a vërteton shikon përtej vetvetes, sheh pikërisht çështjen dhe pastaj e gjykon atë ashtu siç është. Atëherë, ashtu si në shembullin që ne dhamë, në qoftë se dikush thotë “Hëna është në qiell”, dhe pastaj shoku i tij e drejton gishtin e tij drejt hënës, të dy ata bashkohen e forcohen; gjykimi i tyre përforcohet e rrënjoset. Ndërsa në mohim dhe në refuzim, mohuesi nuk e shikon çështjen ashtu siç është, madje ai është i pamundur për të bërë kështu. Prandaj është një parim i mirënjohur që thotë: “Nuk mund të provohet një mohim vendi i të cilit është i papërcaktuar -i paspecifikuar”.

Për shembull, në qoftë se unë pohoj ekzistencën e një gjëje në botë, dhe ti e mohon atë, unë me lehtësi mund ta vërtetoj ekzistencën e saj me një tregues të vetëm. Por për ty që ta justifikosh mohimin tënd, domethënë të vërtetosh mosekzistencën e asaj gjëje- do të ishte e domosdoshme të kërkosh plotësisht nëpërmjet të gjithë botës, dhe madje do të të duhej që ti të zhyteshe në thellësitë e kohëve të shkuara duke kontrolluar në çdo aspekt të tyre. Vetëm atëherë ti mund të thuash: “Ajo nuk ekziston dhe kurrë nuk ka ekzistuar”.

Meqenëse ata të cilët mohojnë e refuzojnë nuk e shohin çështjen ashtu siç është, por gjykojnë sipas nefseve të tyre, në përputhje me mendjet dhe me pikëpamjet e tyre, ata në asnjë mënyrë nuk mund ta përforcojnë e mbështesin njëri-tjetrin. Sepse perdet e shikimit tek ata janë të ndryshme dhe shkaqet penguese për njohjen janë të shumëllojshme tek ta. Çdonjëri mund të thotë: “Unë nuk e shoh filan gjë; prandaj në mendimin dhe në besimin tim, ajo nuk ekziston”. Por askush nuk mund të thotë: “Ajo në fakt nuk ekziston”. Në qoftë se dikush do ta thonte këtë mohim -sidomos në çështjet e besimit të cilat përfshijnë gjithë universin- fjala e tij do të ishte një shpifje e madhe dhe një gënjeshtër aq e madhe sa dynjaja; ai që do ta thonte këtë, nuk do të ishte në gjendje as të flasë të vërtetën dhe as nuk do të mundej kurrë të drejtohej e të ndreqej.

 Shkurtazi: Rezultati në rast pohimi -vërtetimi- është një dhe i vetëm dhe në të ka mbështetje; çdo shembull pohimi i mbështet të gjithë shembujt e tjerë. Ndërsa në mohim -në refuzim- rezultati nuk është një dhe i vetëm por i shumëfishtë -i përbërë. Shumësia -numri i madh- buron nëpërmjet thënies së çdo personi lidhur me vetveten, “në mendimin tim dhe në shikimin tim”, ose “në besimin tim” e të tjera të ngjashme me këto prej shkaqeve të cilat pengojnë shikimin e saktë. Dhe kjo çon në shumësi dhe në ndryshim sipas ndryshimit të personave. Për këtë arsye rezultatet vijnë gjithashtu të shumëfishta. Prandaj nuk ndodh absolutisht mbështetje; një shembull i ndarë nuk mund t’i mbështesë të gjithë shembujt e tjerë. Dhe kështu, duke u nisur nga ky realitet, nuk ka vlerë apo rëndësi në shumësinë e dukshme të mosbesimtarëve dhe të mohuesve të cilët kundërshtojnë besimin..

Por në kohën që nuk duhet të ndikohet siguria dhe besimi i besimtarit dhe nuk duhet të përzihet besimi i tij me asnjë lloj dyshimi e ngurrimi, ne shohim se filozofët e Europës po ngjallin dyshime dhe mohime në këtë shekull dhe u kanë shkaktuar turbullim e konfuzion disa fatkëqinjve të joshur marrëzisht pas tyre; dhe kështu shkatërruan sigurinë e tyre, zhdukën lumturinë e tyre të përjetshme dhe i bënë të bien në mjerim.

Sepse ky mohimi i tyre e transformoi kuptimin e vdekjes, e cila godet në çdo ditë tridhjetë mijë njerëz, nga kuptimi i saj i vërtetë që është: përfundimi i detyrës së njeriut në tokë, në kuptimin e ekzekutimit të përjetshëm dhe të asgjësimit përfundimtar dhe fundit të frikshëm e të tmerrshëm. Dhe u bë varri -dera e të cilit nuk mbyllet- të helmosë kënaqësitë e atij mohuesi dhe ia turbullon jetën me dhimbjet dhe me brengat më të hidhura duke e kërcënuar vazhdimisht atë me ekzekutimin e tij të përjetshëm. Atëherë kupto nga kjo se sa i madh është besimi! Dhe sa e madhe është mirësia e tij! Dhe kupto se si ai është jetë për jetën!

Çështja e dytë:

Lidhur me një çështje problematike për t’u diskutuar në shkencë ose në art, ata të cilët qëndrojnë jashtë asaj shkence apo arti nuk mund të flasin me siguri të plotë e me autoritet sado të mëdhenj, të ditur dhe të shquar që ata mund të jenë; dhe as gjykimet e tyre nuk mund të pranohen si vendimtare në atë çështje. Ata nuk mund të përfshihen brenda konsensusit të dijetarëve të asaj shkence.

Për shembull, gjykimi i një inxhinieri të madh në diagnostikimin dhe në kurimin e një sëmundjeje nuk ka të njëjtën vlerë as me atë të doktorit më të ulët. Prandaj nuk merren në konsideratë fjalët e mohimit që burojnë nga filozofi më i madh lidhur me çështjet shpirtërore dhe nuk ka peshë, dhe në mënyrë të veçantë fjala e atij që është zhytur thellë në sferën materiale, i cili në mënyrë të vazhdueshme bëhet më i larguar nga jolëndorja apo shpirtërorja dhe më i pagdhendur dhe më i pandjeshëm ndaj dritës -mendja e të cilit është e kufizuar tek ajo që shohin sytë e tij-, fjalët e një njeriu të tillë janë të padenja për t’u marrë në konsideratë dhe janë të pavlefshme lidhur me çështjet jomateriale -shpirtërore.

Për çështjet e shenjta dhe shpirtërore dhe për ato që lidhen me unitetin Hyjnor ka një pajtueshmëri të plotë mendimi midis qindra e mijërave prej njerëzve të së vërtetës, të tillë si Shejh Gejlani, iu shenjtëroftë sekreti i tij, i cili pa Fronin Sublim të Zotit ndërsa ishte akoma në tokë, dhe i cili harxhoi nëntëdhjetë vite duke përparuar në punën shpirtërore derisa i zbuloi të vërtetat e besimit në të tre stacionet e sigurisë: ‘me njohjen e sigurisë’, ‘me shikimin e sigurisë’ dhe ‘me vërtetësinë e sigurisë’.

Duke qenë çështja kështu, çfarë vlere kanë fjalët e filozofëve të cilët nëpërmjet zhytjes së tyre në detajet më të shpërndara të botës materiale dhe në aspektet më të vogla e më të holla të shumësisë janë të mbytur e të trullosur? A nuk janë të mbytura mohimet dhe kundërshtimet e tyre si zëri i një mushkonje nga gjëmimi i rrufesë?

Esenca e mosbesimit që kundërshton të vërtetat e Islamit dhe lufton kundra tyre është mohim, injorancë dhe refuzim. Edhe në qoftë se ajo do të shfaqej -në anën e jashtme- si një pohim a vërtetim i ndonjë lloji dhe si një manifestim i qënies, ajo në realitet është mohim e mosqënie.

Ndërsa Besimi është njohje dhe manifestim i qënies; ai është një pohim dhe një gjykim. Madje edhe çështjet negative të besimit janë perde për një të vërtetë pozitive dhe si një titull për të -janë si një derë për tek një e vërtetë pozitive si dhe një perde duke e mbuluar atë.

Në qoftë se mosbesimtarët të cilët luftojnë kundra besimit do të përpiqeshin -me vështirësi të mëdha- të pohojnë a vërtetojnë besimet e tyre negative dhe t’i bëjnë ato të pranueshme në formën e ‘pranimit të mosqënies’, dhe të ‘vërtetimit të mosqënies’, atëherë ai mohim -mosbesim- i tyre mund të konsiderohet -nga një aspekt- si një formë njohjeje e gabuar dhe si një gjykim i gabuar -jo i saktë.

Por ama ajo që është shumë e lehtë për t’u kryer nga thjesht ‘mospranimi’, nga ‘mohimi’ dhe nga ‘mosvërtetimi’ është veçse injorancë absolute dhe një mungesë e plotë gjykimi.

Përmbledhja:

Besimi në mohim është dy llojesh:

I pari është ai që nuk ka lidhje dhe nuk i vlerëson të vërtetat e islamit; ai është një vërtetim i gabuar, një besim i pabazë, një pranim i gabuar dhe një gjykim i padrejtë tipik për të. Ky lloj mohimi është jashtë sferës së diskutimit tonë. Ai nuk ka lidhje me ne dhe ne nuk kemi asnjë lidhje me të.

Lloji i dytë kundërshton të vërtetat e besimit dhe lufton kundra tyre. Edhe ky gjithashtu është dy llojesh:

I pari është refuzim dhe mospranim; ai është thjesht mospranim apo mosmiratim për pohim -për vërtetim. Ky mohim është veçse injorancë, vetëm se mosgjykim -asnjë gjykim nuk përfshihet në të- dhe ai ndodh me lehtësi. Edhe ky gjithashtu është jashtë sferës së gjykimit tonë.

I dyti është pranimi i mosqënies, dhe pranimi -miratimi- me zemër i mosqënies. Ky lloj mohimi është gjykim; është një besim që e çon personin në detyrim. Dhe ai detyrohet të pohojë a vërtetojë mohimin dhe refuzimin e tij.

Mohimi përmban dy lloje:

I pari: që mohuesi thotë: Filan gjë nuk ekziston në një vend të veçantë dhe as në një drejtim të veçantë. Ky lloj mohimi i përcaktuar mund të provohet; edhe ai është jashtë diskutimit tonë.

Lloji i dytë: është refuzimi dhe mohimi i çështjeve të shenjta, të përgjithshme dhe gjithëpërfshirëse të besimit, të cilat orientohen dhe lidhen me këtë dynja, që përfshijnë universin, shikojnë tek Ahireti dhe përfshijnë shekujt e ndryshëm. Ky mohim -ashtu siç e kemi treguar në çështjen e parë- nuk mund të provohet në asnjë mënyrë; sepse kjo do të bënte të domosdoshme që të ndodhej një shikim gjithëpërfshirës për universin, një vështrim i gjithanshëm për Ahiretin dhe një vizion depërtues që të shikonte çdo aspekt të kohës pa kufi; me qëllim që të vërtetohej si shembulli i këtij mohimi.

Humnera e dytë dhe mjeti për të shpëtuar prej saj: Kjo gjithashtu përbëhet nga dy çështje:

E para: Mendjet që janë bërë të ngushta për shkak të neglizhencës ose të mëkateve ose si rezultat i zhytjes në botën materiale, nuk janë në gjendje të kapin çështjet e mëdha lidhur me ‘Madhështinë’, ‘Lartësinë’ dhe me ‘Pafundësinë’; prandaj -këto mendje- duke u krenuar me njohjen që ato kanë, rrëshqasin e bien në mohim e përgënjeshtrim. Meqenëse ato nuk mund t’i përfshijnë çështjet shumë të gjëra, të thella dhe të gjithanshme të besimit brenda mendjeve të tyre të ngushtuara e të kufizuara dhe zemrave të tyre të prishura e të vdekura -shpirtërisht-, ata e hedhin vetveten në mosbesim dhe në çudhëzim dhe mbyten.

Por në qoftë se këta do të ishin në gjendje të shikonin tek natyra e vërtetë e mosbesimit të tyre dhe tek esenca e çudhëzimit të tyre, ata do të shihnin se, ajo që është e arsyeshme në besim ndaj ‘madhështisë’, e përshtatshme me të dhe e domosdoshme për të, përballet me mosbesimin e tyre i cili i fsheh dhe përmban absurditete dhe pamundësi të shumëfishta.

Risale-i Nuri e ka provuar këtë të vërtetë me qindra krahasime me të njëjtin përfundim si ‘dy edhe dy bëjnë katër’. Për shembull, ai që nuk pranon besimin në domosdoshmërinë e Ekzistencës së Tij xh.sh., në Parapërjetësinë e Tij dhe në Atributet e Tij gjithëpërfshirës, në llogari të madhështisë dhe të lartësisë së tyre, ai do t’ua përshkruante e atribuonte domosdoshmërinë e ekzistencës, parapërjetshmërinë e Tij xh.sh. dhe Atributet Hyjnore numrit të pakufishëm të qënieve, madje atomeve të pafundmë, me qëllim që të mund të besonte mohimin e tij; ose ai do të duhej të hiqte dorë nga mendja ashtu si sofistët idiotë duke mohuar vetë ekzistencën e tij dhe duke mohuar edhe ekzistencën e universit.

Kështu të gjitha të vërtetat e besimit dhe të islamit, duke i mbështetur çështjet e tyre tek ‘madhështia’ dhe tek ‘lartësia’ -të cilat janë kërkesat e atyre të vërtetave- dhe duke u vendosur në zemrat e pastërta dhe në mendjet e shëndosha me bindjen më të plotë dhe me nënshtrimin më të madh, i shpëtojnë personat e tyre nga absurditetet e mëdhaja, nga bestytënitë e tmerrshme dhe nga injoranca e errët e mosbesimit të cilat i konfrontojnë ata.

Po, madhështia dhe lartësia janë dy perde të domosdoshme; kjo bëhet e qartë nga shpallja e asaj Madhështie dhe Lartësie në çdo kohë:

Në thirrjen e Ezanit, në namaz dhe në shumicën e riteve islame duke deklaruar e përsëritur:

Allahu Ekber… Allahu Ekber… Allahu Ekber… Allahu Ekber…

Dhe gjithashtu ajo shpjegohet në hadithin Kudsi:  “Madhështia është mburoja (mbulesa) ime dhe Lartësia është manteli Im”; dhe shfaqet gjithashtu në pjesën e tetëdhjetë e gjashtë të Xhaushan El- Kebir në komunikimin më të inspiruar të Profetit Muhammed a.s.m. me Krijuesin xh.sh. ku shprehet:

O Ti që përveç Mbretërisë Tënde asnjë mbretëri tjetër nuk ekziston;

O Ti që Lavdërimet e Tua nuk mund të numërohen nga shërbëtorët e Tu;

O Ti që lavdia Jote nuk mund të përshkruhet nga krijesat e tua;

O Ti që Plotësia Jote shtrihet përtej të gjitha vizioneve;

O Ti që Atributet e Tua kalojnë limitet e të gjitha kuptimeve -kapjeve;

O Ti që Madhështia Jote është përtej kapjes së të gjithë mendimit;

O Ti që Cilësitë e Tua nuk mund t’i përshkruajë njeriu në mënyrë të përshtatshme;

O Ti që Dekretin -Vendimin- Tënd nuk mund ta zmbrapsin shërbëtorët e Tu;

O Ti që shenjat e Tua shfaqen në çdo gjë;

Qofsh i Lavdëruar; nuk ka zot tjetër përveç Teje – mbrojtje, mbrojtje, na shpëto ne nga zjarri!

* * *

[1] Ngjarja që ndodhi në Denizli e konfirmon plotësisht parashikimin e Imam Aliut lidhur me El-Ajetul Kubra. Sepse botimi i fshehtë i këtij libri qe shkaku i burgimit tonë, dhe triumfi i së vërtetës së saj të shenjtë e më të fuqishme ishte shkaku kryesor për pafajësinë dhe lirimin tonë. Kështu Imam Aliu shfaqi parashikimin e tij të mrekullueshëm dhe provoi pranimin e duasë që ai bëri në emër të “Nëpërmjet El-Ajetul Kubra na siguro prej vdekjes së befasishme!”.

[2] Kuran 51:56