Tre muajt janë një prerje e bekuar e kohës dhe zënë një vend të veçantë në jetën e besimtarëve. Çdo besimtar e pret, dhe duhet ta presë, me emocion tejet të veçantë ardhjen e kësaj prejeje të kohës. Kjo pritje neve na ka mbetur trashëgim nga Profeti ynë i Nderuar (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem). Ai (pqmT) mezi e priste ardhjen e tre muajve dhe kur ata vinin, Ai lutej duke thënë: “O Zot! Na begato ne me Rexhepin dhe Shabanin dhe na e mundëso që të arrijmë Ramazanin.”(1)

Muaji Rexhep

Rexhepi është fillimi i tre muajve dhe një nga katër muajt që Allahu i ka shpallur si muajt e ndaluar (muajt, në të cilët është e ndaluar të luftohet) në Kur’anin Fisnik: “Që nga koha kur Allahu krijoi qiejt dhe tokën, numri i muajve është dymbëdhjetë. Katër prej tyre janë muaj të ndaluar.”(2)

Në muajin Rexhep, shpërblimet rrjedhin si shiu, prandaj edhe ky muaj është quajtur si “Rexhepi i bollshëm”. Me një fjalë ai është muaji kur entuziazmohet mëshira hyjnore dhe qerasjet dhe mirësitë e Allahut rrjedhin me bollëk mbi robërit e Tij.

Këtë muaj e kanë quajtur edhe si “Rexhepi i shurdhër”. Duke qenë se ai është një muaj që është e ndaluar të luftohet, në këtë muaj armët heshtin dhe nuk dëgjohen thirrjet e luftës, por mbizotëron paqja dhe qetësia në çdo anë. Prandaj edhe ia kanë vënë këtë emër.

Miqtë e Allahut, muajin e Rexhepit e kanë përngjasuar me periudhën kur hidhet fara në tokë. Muajin Shaban me kujdesjen për farat dhe kallinjtë e parë, ndërsa Ramazanin si një stinë e korrjes. Nga ky këndvështrim, nëse një besimtar ka dalë në rrugë për të fituar prej të mbjellave që korren në ahiret, duhet që pikë së pari ta hedhë farën mirë. Punët e mira që do të bëjë dhe qëllimi i tyre do të jenë farat më të mira të frutave që do të marrë në ahiret.

Edhe Bediuzamani i nderuar përdor këto fjalë për virtytin e tre muajve: “Nëse shpërblimi për çdo punë është dhjetë në kohë të tjera, në Rexhepin e bekuar behet njëqind, në Shabanin Madhështor më shumë se treqind, ndërsa në Ramazanin e bekuar, shkon në njëmijë, gjersa bëhet disa mijëra në netët e xhumave dhe tridhjetëmijë në Natën e Kadrit.” (3)

Nata e së premtes së parë të muajit Rexhep njihet ndryshe edhe si nata e Regaipit. Allahu u fal mirësi të gjithëllojshme besimtarëve në këtë natë. Edhe ata janë të interesuar për këto mirësi. Zaten ky është edhe kuptimi fjalës “regaib”, interesim. Allahu i trajton me mëshirën e Tij, të gjithë ata që tregojnë respekt ndaj kësaj nate. Prandaj duhen bërë përpjekje që kjo natë të shfrytëzohet e të vlerësohet me sa më shumë punë të mira, gjatë ditës dhe gjatë natës. Të falë namaz, të agjërojë, të japë sadaka dhe të lexojë bukur Kur’an me sa të ketë mundësi; të përpiqet të kënaqë sa më shumë të semurë, të moshuar dhe të varfër.

Një nga netët e mira që gjendet në muajin Rexhep është edhe nata e Miraxhit. Ngjarja e Miraxhit, kur i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) u hap drejt botëve përtej qijeve dhe u takua me Allahun e Madhërishëm, ka ndodhur në natën e njëzeteshtatë të muajit Rexhep, afërisht një vit para mërgimit. Atë natë, Profeti ynë i Nderuar (pqmT) u çua fillimisht në Mesxhidu’l-Aksa në Jerusalem. Në Kur’anin Fisnik kjo ngjarje përmendet edhe me fjalën «isra”, e cila ka kuptimin e “ecjes së natës”. Nga këtej Ai u ftua drejt katit të lartë të Allahut, me udhëtimin nën cilësinë e “miraxhit”. Në Miraxh Allahu i dha Profetit tonë të Nderuar sihariqin se kushdo nga umeti i Tij që nuk bën idhujari, do të hyjë në Xhenet; i shpalli Atij ajetet e fundit të sures “Bakara” dhe i bëri të ditur shpalljen detyrim të faljes së pesë kohëve të namazit.

Muaji Shaban

I dyti i tre muajve, Shabani, është po aq i rëndësishëm sa u takon virtyrteve. Në lidhje me këtë Profeti ynë i Nderuar (paqja qoftë mbi Të) ka thënë:

Veprat i paraqiten Zotit të Botëve në muajin Shaban. Dhe unë dua që veprat e mia t’i paraqiten kur unë të jem duke agjëruar.” (4)

Gjatë këtij muaji, Profeti ynë i Nderuar agjëronte shumë. Madje, nëna jonë, Aishja e nderuar (radijallahu anha) na ka transmetuar:

Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem), nganjëherë agjëronte aq shumë, saqë ne thonim: ‘Me gjasë, kësaj herë nuk do ta ndërpresë me agjërimin? – Ndërsa, nganjëherë, bënte aq shumë pushim pa agjëruar, sa që ne thonim: ‘Me gjasë, nuk do të mbajë më agjërim?

– Unë nuk kam parë që Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) të ketë kaluar me agjërim ndonjë muaj tjetër të plotë, përveç Ramazanit. Dhe nuk kam parë që të ketë agjëruar në ndonjë muaj tjetër sa në muajin Shaban.“(5)

Siç ka agjëruar shumë vetë gjatë këtij muaji, ai ka këshilluar edhe umetin e Tij që të veprojnë edhe ata si ai. Pyetjes, “cili është agjërimi më i virtytshëm pas agjërimit të Ramazanit”, Krenaria e Njerëzimit (paqja qoftë mbi Të) është përgjigjur duke thënë: “Është agjërimi i mbajtur për të vlerësuar Ramazanin në muajin Shaban.” (6)

Nata që lidh katërmbëdhjetën e muajit Shaban me pesëmbëdhjeten është nata e Beraetit. Kjo fjalë e ka prejardhjen nga kuptimi i pastrimit, i të qenit i pafajshëm. Ky emër i është vënë ngaqë shpresohet që besimtarët të dalin krejtesisht të pastruar nga të gjitha mëkatet e tyre në këtë natë.

Sipas disa dijetarëve, nata e Beraetit është nata e bekuar për të cilën bëhet fjalë në ajetet e para të sures “Duha”: “Ha-Mim. Betohem në këtë libër që është i qartë dhe tregon të vërtetën se ne e zbritëm atë në një natë të bekuar. Sepse ne i paralajmërojmë ata që largohen nga e drejta. Ajo është një natë që pikërisht në atë kohë ndahet çdo punë e urtë.” (7)

Sipas dijetarëve të parë, ndarja e punëve të urta nga njëra-tjetra do të thotë: “engjët shkruajnë në librat e veprave, pra kaderit, të gjitha ngjarjet që do të ndodhin nga kjo natë gjer vitin e ardhshëm. Asisoj që të gjitha, ushqimi, exheli, pasuria, varfëria, vdekja, lindja, përcaktohen në këtë natë.

Ndërsa, për sa i përket çështjes së zbritjes së Kur’anit në këtë natë, dijetarët që mendojnë se bëhet fjalë pikërisht për natën e Beratit thonë se Kur’ani Fisnik është zbritur nga Libri i Madh i Çdo Gjëje në qiejt e tokës pikërisht në natën e Beratit, dhe kjo emërtohet me termin “inzal” (zbritja). Ndërsa, në natën e Kadrit, ai i është zbritur Profetit tonë (sal’lallahu alejhi uessel’lem) për herë të parë, duke filluar t’i zbritet pjesë-pjesë në vijimësi dhe kjo është quajtur “tenzil”.

Në një prej haditheve të bekuara të Tij Profeti ynë i Nderuar (paqja qoftë mbi Të) e përshkruan me këto fjalë dritën dhe begatinë e natës së Beraetit:

Natën e ditës së pesëmbëdhjetë të Shabanit, kalojeni me adhurim, ndërsa ditën duke agjëruar. Pasi perendon dielli, atë natë, Allahu zbret me mëshirën e Tij gjer në qiellin e tokës dhe drejtohet me fjalët: “A nuk ka ndonjë që më kërkon falje, ta fal! A  nuk ka ndonjë që kërkon që ta furnizojë, ta furnizojë! A nuk ka ndonjë që i ka ndodhur ndonjë fatkeqësi, apo që kërkon shëndet e mirëqenie, t’ia jap!” – Dhe ky zë vazhdon kështu gjer në të zbardhur mbi sipërfaqen e rruzullit tokësor.” (8)

Siç transmetohet, Aishja e nderuar (radijallahu anha), një natë Beraeti, nuk e gjen pranë të Dërguarin e Allahut (pqmT) dhe del ta kërkojë. Në fund ajo e gjen Atë në varrezën e Parajsës së Përjetshme me kokën gritur nga qielli, i zhytur në meditim dhe lutje. Profeti ynë i Nderuar (sal’allahu alejhi ues sel’lem) ia përshkruan bashkëshortes së tij të pastër virtytin e kësaj nate me këto fjalë:

Allahu i Lartsuar shfaqet me mëshirën e Tij mbi qiellin e  tokës në natën e pesëmbëdhjetë të muajit Shaban dhe atë natë, falen mëkate të njerëzve aq sa kanë qime tërë delet e fisit të Beni Kelbit.” (9)

Bediuzamani i nderuar, pikëpamjen e tij në lidhje me virtytin e kësaj nate e shpreh me këto fjalë: “Kjo natë e Beratit që po vjen, është si një farë e shenjtë e tërë vitit dhe është si një lloj programi i së ardhmes së njeriut, andaj është në lartësinë e natës së Kadrit si natë e mirë. Njësoj si çdo punë e mirë në natën e Kadrit vlerësohet me tridhjetëmijë shpërblime, edhe në natën e Beraetit, shpërblimi i çdo pune të mirë dhe çdo shkronje të Kur’anit të lexuar shkruhen me njëzetmijë. Nëse në kohë të tjera ato shkruhen me dhjetë, gjatë tre muajve ato ngjiten gjer në njëqind apo njëmijë. Këto netë mund të vlejnë sa pesëdhjetë vite adhurime. Prandaj, me sa të kemi mundësi, nëse i kalojmë ato duke lexuar Kur’an, duke kërkuar falje dhe duke përshëndetur me salavate të Dërguarin e Allahut, për ne do të jetë një fitim shumë i madh. ” (10)

Vetëm se, në këtë natë kur Allahu na trajton me mëshirën e Tij

– brenda përshkrimit të të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) – disa njerëz do të mbeten të privuar nga mëshira:

“Allahu (xhel’le xhelaluhu) na sheh me mëshirë në natën e pesëmbëdhjetës së Shabanit dhe i fal të gjitha krijesat e Tij. Vetëm këta bëjnë përjashtim: idhujtarët, ata që kanë shumë mllef, (dhe sipas një transmetimi) ata që shkëpusin lidhjet farefisnore, që lëndojnë nënën dhe babain, si dhe ata që janë të dhënë pas pijes.” (11)/ Libri AGJËRIMI, Adhurimi i Veshur me Falje/ M.F.G. / zell.al

(1) Ahmed bin Hanbel, el-Musned 1/259; et-Taberani, el-Muxhemul-eusat 4/189.

(2) Teube, 9/36.

(3) Bediuzzaman Said Nursi, Rrezet fq. 483 (Rrezja e Katërmbëdhjetë)

(4) Nesai, sijam 70; Ahmed bin Hanbel, el-Musned 5/201.

(5) Buhariu, saum 52; Muslim, saum 173, 174, 176, 177.

(6) Tirmidhi, zekat 28; Ibn Ebi Shejbe, el-Musannef 2/346.

(7) Duhan, 44/1-4.

(8) Ibni Maxhe, ikame 191.

(9) Tirmidhi, saum 39; Ibni Maxhe, ikame 191. (Fisi i Beni Kelbit njihej në mesin e gjithë fiseve arabe pikërisht për numrin e madh të kokëve dele që kishin në pronësi.)

(10) Bediuzaman Said Nursi, Rrezet fq. 495 (Rrezja e Katërmbëdhjetë).

(11) Ibni Maxhe, ikame 191; Ibni Ebi Shejbe, el-Musannef 6/108.