Një nga veçantitë e muajit të Ramazanit është që ka brenda tij edhe natën e Kadrit. Fjala “kadir”, nga e merr edhe emrin kjo natë, nuk është e ndryshme nga fjala “kader”, të cilën e përdorim edhe në gjuhën shqipe. Si për nga prejardhja, ashtu edhe në trajtën kuptimore të përdorur, ajo është e njëjta. Domethënë, në këtë natë zënë vend shpirti dhe përmbajtja e një vlerësimi, një njohjeje vlere të mirëfilltë. Ngjan sikur me të, të na thuhet, “t’ia dini vlerën kësaj nate, që t’ju dihet edhe juve vlera që keni!” Veçantia më e rëndësishme e natës së Kadrit është që Kur’ani Fisnik, libri ynë i madh, që është një përkthim i pakohë i Librit të Gjithësisë dhe që premton t’u falë njerëzve dhe xhindeve lumturinë në të dyja botët, është zbritur në qiellin e kësaj bote pikërisht në këtë natë. Në suren “Kadr” Allahu (xhel-le xhelaluhu) thotë:
“Ne e zbritëm Kur’anin në natën e Kadrit. A e di ti se çfarë është nata e Kadrit? është më e hajrit se njëmijë muaj nata e Kadrit! Atë natë, me lejen e Zotit Shpirti dhe engjëjt zbresin e zbresin për çdo lloj gjëjë. Në të vërtetë, është një paqe ajo natë, gjersa fillon të zbardhë.” (1)
Kurani është zbritur në qiellin e botës si një i tërë pikërisht në natën e Kadrit, e pastaj, sipas nevojës dhe ndodhive, i është zbritur Profetit tonë (sal-lalahu alejhi ues sel’lem) dhe mbarë njerëzimit.
Në këtë ajet shprehet se kjo natë është më e hajrit e më e mbarë edhe se njëmijë muaj. Në lidhje me këtë temë, në veprën me titull “Muwatta” të Imam Malikut përballemi me një të dhënë të tillë: “Të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ues sel’lem) iu tregua jeta e popujve të parë, që kishin jetuar përpara Tij. Kur pa jetëgjatësinë e tyre dhe mendoi për shpërblimet që do të fitonin ata, Profetit tonë (pqmT) jeta e popullit të Tij iu duk e shkurtër dhe mendoi se ata nuk do të mund t’i arrinin dot aq shpërblime, me të cilat do të nderoheshin popujt që kishin jetuar para popullit të Tij. Për këtë arsye Allahu i fali Atij natën e Kadrit, që është me e vyer se njëmijë muaj.”(2)
Sipas një transmetimi tjetër Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhiues sel’lem), një ditë, u pati treguar sahabëve të tij se katër vetë nga bijtë e Izraelit kishin kryer adhurime pa bërë asnjë mëkat për tetëdhjetë vite me radhë. Kjo i habiti shumë sahabet. Aty, në atë çast, erdhi Xhebraili (alejhis’ selam) dhe tha: “O Muhamed! Populli yt u habit kur dëgjoi se si ata kryen adhurime për tetëdhjetë vjet me radhë. Allahu të ka zbritur Ty diçka më të mirë se kjo.” – dhe i këndoi aty suren “Kadr” dhe fill pas kësaj, i tha: “Ja, kjo po që është më e mirë e më e hajrit për Ty dhe popullin Tënd sesa ajo që i habiti ata.”(3)
“Njëmijë muaj” është e barabartë më një kohë sa tetëdhjetë e tre vjet e katër muaj. Nata e Kadrit është një mundësi shumë e madhe, aq sa një besimtar të marrë brenda një nate të vetme një fryt shpirtëror që vetëm gjatë gjithë jetës do të mund ta fitonte. Ai duhet të përpiqet e të bëjë çmos që të mos e humbasë këtë mundësi, e nëse është nevoja edhe të sakrifikojë. Ç’është e vërteta, ky është edhe kuptimi i asaj që quhet itikaf (4), pra, izolimit përgjatë dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit. Ai besimtar që i vlerëson siç duhet dhjetë ditët e itikafit, detyrimisht do të ketë vlerësuar mirë edhe natën e Kadrit.
Në ca kohë dhe gjendje të caktuara Allahu (xhel’le xhelaluhu) u jep vlerë të shumëfishtë edhe shumë pak veprave të mira. Për shembull, pritja një orë në kufi gjatë detyrës e një ushtari të kufirit, shkon si një vit adhurim ndaj Zotit. Dikush që bie dëshmor në rrugën e Allahut, si të ishte hedhur në një trampolinë, ngjitet vertikalisht shumë lart drejt përsosmërisë së më të mirës së të mirave. Po ashtu, një natë Kadri e vlerësuar siç duhet, bëhet e barabartë me tetëdhjetë e kusur vite adhurim. Siç shihet nga të gjitha këto punë të mira të realizuara, ai mund të fitojë në shkallë të atilla,që nuk i ka pritur, ato i shtohen dhe kthehen njëfarësoj në kallinj që japin një për mijë.
Sipas një këndvështrimi, të qenët më e mirë se njëmijë muaj është një metonimi që tregon madhësinë. Me një fjalë, në këtë ajet, me shumë sesa numri i përdorur, aty është theksuar se si ajo natë është një burim arritjesh shpirtërore aq të mëdha. Ndërsa sipas një pikëpamjeje tjetër, kjo arritje nuk është për të gjithë, por vetëm për ata që e jetojnë si natë “Kadri” çdo natë. Po, sikur ata ta kenë gjallëruar çdo natë dhe sikur mëshira ta ketë mbushur gotën pikërisht këtë natë dhe kështu, pikë pikë, ata të jenë hapur drejt një deti të tërë mëshire.
Këtu në mendje mund të vijë edhe një pyetje e këtillë: “Një mirësi si kjo, pse i është falur vetëm e vetëm umetit të Profetit Muhamed (pqmT)?” Kësaj pyetjeje mund t’i jepet përgjigje kështu: “Umeti i Profetit Muhamed është në një pozitë të veçantë për sa i përket konceptimit të të vërtetave. Përpos kësaj, edhe Profeti i këtij populli është në majën mw të lartë. Kështu që kjo natë është caktuar për këtë popull, së bashku me Profetin që u është dërguar atyre, dhe kjo është një mirësi bujare e Allahut të Madhërishëm.”
Një tjetër shkak mund të jetë edhe ky: Mrekullia e Fjalës, Kur’ani, është zbritur në natën e Kadrit. Kur’ani është predikuar nëpërmjet Profetit tonë (sallallahu alejhi ues’sellem), i Cili ishte i merituari i Emrit më të Madh, pra i shkallës më të lartë të emrave të Allahut (xh.sh.) dhe i destinuar për një popullsi, që ishte më e përkryera.
Veç kësaj, Kur’ani ka ardhur nëpërmjet Xhebrailit të Besuar, që ishte i përzjedhuri i fjalës hyjnore dhe në një farë kuptimi, një engjëll i madh që ishte si profet i engjëjve. Prandaj, nata në të cilën Kur’ani u zbrit në qiellin e botës dhe filloi t’i zbritej edhe Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem), është një natë shumë e rëndësishme në jetën e umetit të Profetit Muhamed dhe këtë natë Allahu i Madhërishëm e ka mbajtur mbi gjithë netët e tjera dhe e ka bërë të jetë e barabartë me një mijë muaj.
(1) Kadr, 97/1-5.
(2)Muuatta, itikaf 15.
(3) Eth-Thalebi, el-Keshf ue l-bejan 10/255; ibni Kethir, Tefsiru’-Kurani l-adhim 4/531.
(4) Përshkrim se ç’është itikafi.