Pyetje: Në qoftë se thuhet: Meqenëse në mohim është kjo dhimbje pikëlluese dhe kjo frikë e tmerrshme dhe se mohuesi, si njeri, dëshiron gjëra të panumërta, e do jetën dhe shikon vazhdimisht nëpërmjet mohimit të tij, se vdekja e tij është një zhdukje e përhershme dhe ndarje e përjetshme dhe, se kalimi i qënieve dhe vdekjet e të dashurve të tij dhe ato të atyre që ai i do i shikon si asgjësim dhe si ndarje të përjetshme, atëherë si mund të jetojë një njeri i tillë? Si mundet ai të marrë kënaqësi nga jeta?

Përgjigjja: Ai e mashtron vetveten nëpërmjet një sofistike të jashtëzakonshme të shejtanit dhe jeton. Ai supozon se merr një kënaqësi të sipërfaqshme.

Ne do të aludojmë për natyrën e vërtetë të kësaj me krahasimin e mirënjohur:

Tregohet se njëherë iu tha strucit: “Ti ke krahë, atëherë përse nuk fluturon!” Por ai i palosi krahët e tij dhe tha: “Unë jam deve”, dhe nuk fluturoj. Kështu ai ra në kurthin e gjahtarit dhe, duke mos dashur që gjahtari ta shikojë, struci e fut kokën në rërë.

Megjithatë ai e la trupin e tij të madh të zbuluar dhe ishte objektivi i gjuetarit. Pastaj i thanë atij: “Meqenëse ti je një deve ashtu siç pretendon, atëherë mbaji për ne këto pesha”. Pastaj ai hapi krahët e tij dhe tha: “Unë jam zog” dhe u shpëtua nga vështirësia e mbajtjes së peshave. Por duke mos pasur as mbrojtje, as ushqim, ai u ndoq nga gjahtarët.

Pikërisht në të njëjtën mënyrë, mohuesi pasi lëvizi e u tërhoq prej mosbesimit të tij absolut përballë paralajmërimeve qiellore të Kur’anit, ra në një mohim të dyshimtë, në skepticizëm. Në qoftë se ai do të pyetej: Si mundet të jetosh ndërsa para teje është vdekja dhe zhdukja të cilat ti i mendon se ato janë një asgjësim i përjetshëm? A mund të marrë kënaqësi nga jeta ai që shkon me hapat e tij drejt litarëve të varjes?

Për shkak të pjesës që ai ka marrë prej mëshirës universale të Kur’anit dhe nga drita e tij gjithëpërfshirëse, filloi të dyshojë prej mohimit absolut dhe u përgjigj: “vdekja nuk është asgjësim; ka një mundësi pavdekshmërie pas saj”. Ose ndryshe, ai e fut kokën e tij në rërën e pavëmendshmërisë, si struci, me qëllim që të mos e shohë Exheli, të mos e vështrojë atë varri dhe, të mos e gjuajë atë zhdukja me shigjeta!

Shkurtazi: Mohuesi, ashtu si struci, kur e shikon vdekjen dhe zhdukjen të jenë asgjësim për shkak të skepticizmit, përpiqet që ta shpëtojë vetveten prej atyre dhimbjeve duke u kapur pas njoftimeve të sigurta të Kur’anit dhe të gjitha librave qiellorë lidhur me  “Besimin në Ahiret”, njoftime të cilat i japin atij një mundësi për jetën pas vdekjes.

Në qoftë se do t’i thuhej atij: Përderisa fundi është për tek një botë e përjetshme, për një jetë të mirë atje, atëherë përse nuk i kryen detyrat me të cilat të obligon ky besim, feja, me qëllim që të gëzohesh në atë botë? Personi do të përgjigjej nga këndvështrimi i mohimit të tij të dyshuar: “Ndoshta nuk ekziston një botë e tillë, atëherë përse duhet të punoj për diçka që nuk ekziston? Domethënë, ai e shpëton veten e tij nga dhimbjet e asgjësimit të përhershëm në vdekje me premtimet që jep Kur’ani për jetën e pavdekshme, ndërsa kur përballet me vështirësitë e obligimeve fetare, ai kapet pas mundësisë së mosbesimit dhe shpëton nga vështirësia e atyre obligimeve. Domethënë, mosbesimtari, nga ky këndvështrim, pandeh se ai merr më shumë kënaqësi nga kjo jetë e dynjasë se sa besimtarët, sepse ai shpëton nga vështirësitë e obligimeve fetare nëpërmjet mundësive të mohimit të tij dhe, në të njëjtën kohë, për shkak të mundësisë së dhënë nga besimi, ai nuk e zbulon vetveten para dhimbjeve të përhershme.

Megjithatë, kjo sofistikë djallëzore është shumë e sipërfaqshme, e përkohshme dhe pa dobi.

Dhe kështu bëhet e qartë se si ndodhet një aspekt prej mëshirës gjithëpërfshirëse të Kur’anit edhe për mohuesit, i cili i shpëton ata deri diku nga një jetë si Xhehennemi dhe, i bëri ata që të mund të jetojnë një jetë në jetën e dynjasë me një lloj dyshimi në mohimin e tyre absolut. Përndryshe, ata do të kishin vuajtur torturat e një lloji xhehennemi edhe në këtë botë gjithashtu, duke u kujtuar atyre Ferrin e Botës tjetër, dhe ata do të detyroheshin të vrisnin vetveten.

O Njerëzit e besimit! Me të gjithë sigurinë, me mirëbesim dhe me qetësi, hyni nën mbrojtjen e Kur’anit, i cili do t’ju shpëtojë ju nga asgjësimi i përjetshëm i ferrëve të kësaj bote dhe të botës tjetër. Dhe me nënshtrim të plotë e me admirim qëndroni brenda caqeve të sunnetit të profetit Muhammed a.s.m… dhe shpëtojini vetet tuaja nga mjerimi i dynjasë dhe nga dënimi i Ahiretit…