Njëra nga dredhitë më të rrezikshme të shejtanit është kjo: Ai i bën disa njerëz të ndjeshëm, mendjehollë e zemërmirë të ngatërrojnë të imagjinuarin e kufrit -mohimit- me vërtetimin e tij -kufrit; dhe ua shfaq të përfytyruarin se është vërtetimi i vetë çudhëzimit. Ai ndjell dhe sjell në imagjinatat e tyre mendime të shëmtuara për individë dhe për çështje të pastërta e të shenjta. Ai gjithashtu i shfaq gjërat të cilat janë të mundshme në mënyrë të qenësishme -thelbësore- së bashku me ato që janë të mundshme me arsye, duke i bërë kështu ato gjëra të shfaqen se janë dyshime në kundërshtim me sigurinë e besimit. Atëherë njeriu i ndjeshëm i mjerë supozon se ai ka rënë në çudhëzim e në mosbesim dhe se siguria e tij e besimit ka humbur; ai kështu bie në dëshpërim të pashpresë dhe bëhet një lodër zbavitëse e shejtanit. Ndërkohë shejtani përdor edhe dëshpërimin e tij, atë damar të tij të dobët, edhe ngatërresën e tij, me qëllim që ai ose të çmendet, ose duke thënë: “Gjithçka është humbur”, bie në humnerën e çudhëzimit. Ne kemi shpjeguar në disa pjesë të Risale-i Nurit papërfillshmërinë dhe parëndësinë e këtyre dredhive e pëshpëritjeve dhe, si ato nuk kanë bazë e mbështetje. Ndërsa këtu ne do t’i diskutojmë ato në mënyrë të shkurtuar, siç vijon:
Ashtu si imazhi i gjarpërit në një pasqyrë që nuk mund të kafshojë, as shëmbëllimi, as reflektimi i zjarrit në të nuk djeg, as hija e ndyrësisë në të nuk ndot, po ashtu ajo çfarë reflektohet në pasqyrën e imagjinatës apo të mendimit prej imazheve të mohimit e të idhujtarisë, prej hijeve të çudhëzimit dhe prej imagjinatave të fjalëve të neveritshme, të shëmtuara dhe sharjesh, nuk e prishin besimin dhe sigurinë dhe nuk e ndryshojnë imanin dhe nuk e dëmtojnë etikën e respektuar dhe mirësjelljen.
Sepse rregulli i mirënjohur është: “Të imagjinuarit e sharjes nuk është sharje, të imagjinuarit e mohimit nuk është mohim dhe të përfytyruarit e çudhëzimit nuk është çudhëzim”.
Sa për çështjen e dyshimeve në besim, mundësitë që janë të mundshme në mënyrë të qenësishme -thelbësore- nuk e kundërshtojnë mundësinë e besimit dhe nuk e dëmtojnë atë. Njëri nga rregullat e vërtetuara të shkencës së parimeve të fesë është ky: “Diçka që është e mundshme nga vetvetja, nuk e kundërshton sigurinë e dhënë nga njohja”. Për shembull, ne jemi të sigurt se liqeni i Barlës është në vendin e tij dhe i mbushur me ujë, veçse është e mundur nga vetvetja që liqeni të fundoset e të batiset nën tokë në këtë moment.
Kështu fundosja apo zhytja e tij është brenda caqeve të mundësisë. Por meqenëse kjo mundësi thelbësore -e qenësishme- nuk buron nga ndonjë tregues, ajo nuk mund të jetë një mundësi e arsyeshme, dhe kështu ajo nuk ka ndonjë rëndësi që të shkaktojë dyshim, sepse një rregull tjetër i vërtetuar i parimeve të fesë është:
“Një mundësi që nuk buron nga ndonjë shenjë nuk mund të jetë një mundësi e arsyeshme saqë të shkaktojë dyshime dhe nuk ka rëndësi”.
Kështu, njeriu i mjerë i zbuluar para atyre pëshpëritjeve djallëzore supozon se për shkak të mundësive të tilla të qenësishme ai ka humbur besimin e tij të sigurt në të vërtetat e imanit. Për shembull, mundësi të shumta të qenësishme rreth aspekteve humane të profetit Muhammed a.s.m. mund t’i vijnë ndërmend atij; nuk ka dyshim se ato nuk i shkaktojnë dëm sigurisë së besimit të tij, mirëpo supozimi i tij se kjo shkakton dëm është pikërisht ajo që i shkakton dëm atij.
Gjithashtu, ndonjëherë shejtani sugjeron gjëra të këqija lidhur me Allahun e Gjithëfuqishëm në formën e pëshpëritjeve në zemër. Njeriu tronditet e dridhet duke supozuar se zemra e tij është prishur dhe thotë gjëra të tilla. Por tronditja e tij, frika dhe mungesa e kënaqësisë është tregues se ato fjalë nuk dalin nga zemra e tij; përkundrazi, ato vijnë nga pëshpëritjet djallëzore, dhe u transmetuan e u shkaktuan të imagjinohen nga shejtani.
Gjithashtu midis aftësive të holla të njeriut ndodhen një ose dy për të cilat unë kam qenë i pamundur t’i specifikoj e t’i përcaktoj; këto nuk u kushtojnë vëmendje dëshirës dhe fuqisë së zgjedhjes dhe nuk futen në trysninë dhe detyrimin e përgjegjësisë. Ndonjëherë ato sundojnë, nuk e dëgjojnë të vërtetën dhe futen në gjëra të gabuara. Atëherë shejtani i pëshpërit atij njeriu të sprovuar sa vijon:
“Aftësia jote nuk harmonizohet me të vërtetën dhe besimin, a nuk shikon se ajo futet në mënyrë të pavullnetshme në bërjen e atyre gjërave të cilat janë të gabuara e të kota? Kjo do të thotë se Fati yt të ka dënuar me mjerim e humbje “Njeriu i mjerë bie në dëshpërim të pashpresë e shkatërrohet”.
Dhe kështu kalaja e fortifikuar e besimtarit përballë dredhive të mëparshme të shejtanit janë të vërtetat e besimit dhe çështjet e pakundërshtueshme të Kur’anit, caqet e të cilave janë përcaktuar nga parimet e dijetarëve të saktë e të pastër. Ndërsa përballë dredhive të fundit, kalaja e besimtarit është “të kërkuarit strehim e mbrojtje nga Allahu dhe të mos u japë rëndësi atyre dredhive”, sepse është në natyrën e atyre pëshpëritjeve të rriten e të zmadhohen sa herë që t’u jepet rëndësi; pra, sa më shumë rëndësi t’u japësh, aq më shumë, ato tërheqin vëmendjen. Kundërhelmi i besimtarit dhe ilaçi për plagë të tilla shpirtërore është ndjekja e sunnetit të pastër profetik.