Lexo PDF

 

Me Emrin e Tij, që s’ka gjë që të mos e lëvdojë lartësinë e Tij.”[1]

Ndodhen shumë shembuj urtësie në dy Emrat  “Er-Rrahman, Er-Rrahim” i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti, që përfshihen në, Me Emrin e All-llahut, i Gjithëmëshirshmi Mëshirëploti, dhe të cilët përmenden në fillimin e të gjitha gjërave të bukura. Duke e shtyrë shpjegimin e këtyre për një kohë tjetër, unë për tani do të përmend një ndjenjë të veçantë timen:

Vëllai im, unë i shoh dy Emrat, Er-Rrahman dhe Er-Rrahim, të jenë një dritë aq e gjërë saqë ato përfshijnë të gjithë universin dhe kënaqin të gjitha nevojat e përjetshme të shpirtit, dhe të jenë aq të ndritshme dhe të fuqishme, sa që ato e sigurojnë atë dhe e shpëtojnë nga të gjithë armiqtë e tij të panumërt. Mjeti më i rëndësishëm që kam gjetur për të arritur tek këto dy Emra Hyjnorë, të cilët janë dy drita të mëdha, janë “varfëria  me falënderimet” dhe “pafuqia me dhembshuri”, domethënë adhurimi dhe të kuptuarit e të qenurit i nevojshëm.

Ajo çfarë më erdhi në mendje lidhur me këtë çështje dhe kjo që them, është në kundërshtim me fjalët e dijetarëve të mëdhenj fetarë, madje kjo është në kundërshtim edhe me Imam Rabbanin, njërin nga profesorët e mi; kjo është sa vijon: Emocioni i fortë dhe i ndritshëm që ndjente Hazreti Jakubi a.s. për Jusufin a.s. nuk ishte dashuri apo pasion, por dhembshuri, sepse dhembshuria – mëshira – është më e mprehtë, më e ndritshme, më e lartë, më e pastër dhe më e denjë për rangun e profetësisë se sa dashuria e pasioni i zjarrtë për objektet metaforike të dashurisë dhe për krijesat, ato nuk janë të përshtatshme për rangun e lartësuar të profetësisë. Kjo do të thotë se ndjenjat e Hazreti Jakubit a.s. të cilat i përshkruan Kur’ani i gjithurtë me një aspekt të shndritshëm e vezullues të mrekullisë të cilat ishin mjete për të arritur tek Emri Hyjnor “Er-Rrahim”, Mëshirëploti, ishin në një shkallë të lartë dhembshurie. Sa për dashurinë e pasionuar, të zjarrtë, e cila ishte mjet për të arritur tek Emri Hyjnor “El Vedud”, i Dashuri, ajo ka të bëjë me çështjen e dashurisë së Zelihasë për Hazreti Jusufin a.s.. Domethënë, ndonëse Kur’ani i Shpjegimit të Mrekullueshëm i tregon ndjenjat e Hazreti Jakubit a.s. të jenë më të larta se sa ndjenjat e Zelihasë, dhembshuria shikohet si më e lartë se sa dashuria e pasionuar për atë shkallë.

Profesori im, Imam Rabbani, nuk e konsideroi dashurinë metaforike të jetë krejtësisht e përshtatshme për rangun e profetësisë dhe prandaj tha: “Virtytet e bukurisë së Jusufit ishin virtyte që i përkisnin Ahiretit, kështu dashuria ndaj tij nuk ishte e një lloji metaforik sa të duket mangësia e defekti në të.” Por, unë them: “O Mësues! Ai është një interpretim artificial, e vërteta e çështjes duhet të jetë kjo: Ajo nuk ishte dashuri, por një shkallë e dhembshurisë, e mëshirës, e cila ishte njëqind herë më e ndritshme, më e shtrirë dhe më e lartë se sa dashuria.” Po, në të gjitha shumëllojshmëritë e saj, dhembshuria është e hollë dhe e pastër. Ndërsa dashuria dhe pasioni nuk denjojnë dhe nuk begenisin në shumë  nga llojet e tyre.

Për më tepër, dhembshuria është tej mase e gjërë. Nëpërmjet dhembshurisë, prindi ndjen keqardhje dhe tregon mëshirë për fëmijët e tij; gjithashtu ka dhembshuri për të gjithë të vegjëlit dhe madje për të gjitha qëniet e gjalla dhe kjo vepron si një lloj pasqyre për gjithëpërfshirjen e Emrit Hyjnor Er-Rahim, Mëshirëploti. Ndërsa dashuria e pasionuar e kufizon shikimin e saj tek i dashuri i saj dhe sakrifikon çdo gjë për të. Ose ndryshe për të ngritur e vlerësuar të dashurin e saj, ajo denigron të tjerët, dhe në efekt i fyen ato dhe shkel e nëpërkëmb nderin e tyre. Për shembull, njëri nga dashuruesit tha: “Dielli e shikoi bukurinë e të dashurës sime dhe u zu ngushtë e u turpërua. Me qëllim që të mos e shihte atë, ai u mbulua me perden e reve.” O dashurues! Me çfarë të drejte e akuzon dhe e bën me turp diellin, i cili është një faqe plot dritë që shfaq Tetë Emrat më të mëdhenj Hyjnorë?

Për më tepër, dhembshuria është e sinqertë, nuk dëshiron asgjë si shpërblim, ajo është e pastër dhe nuk kërkon asgjë si shkëmbim. Dhembshuria vetëflijuese, zemërgjërë dhe altruiste e kafshëve nëna për të vegjëlit e tyre, e cila është shkalla më e ulët e dhembshurisë, është dëshmi për këtë. Ndërsa dashuria e pasionuar dëshiron shpërblim dhe kërkon shkëmbim. Qarjet e dashuruesve të apasionuar, të zjarrtë, janë një lloj kërkese, një shpërblim i dëshiruar.

Atëherë, dhembshuria e Hazreti Jakubit a.s. e cila është drita më vezulluese që shndrit në suren më brilante të Kur’anit, Suren Jusuf, shfaq dy Emrat Hyjnorë “Er-Rahman dhe Er-Rahim”, i Gji-thëmëshirshmi, Mëshirëploti.

Ajo na njofton se rruga e dhembshurisë është rruga e mëshirës dhe, si një balsam, për dhimbjen e dhembshurisë, ajo e bën njeriun të shprehë:  “Por All-llahu është Ruajtësi më i Mirë dhe Ai është më Mëshirëploti se çdo mëshirues.”[2]

I Qëndrueshmi i Vetëm, Ai është i Qëndrueshmi i Vetëm!

Said Nursi

* * *

 

[1] Kur’an, 17: 44

[2] Kur’an, 12: 64